2013-05-05

NE TË BIRTË E FJALËS, PAS TEJE


Senad Guraziu

"Mjerimi asht një njollë e pashlyeme në ballë të njerëzimit... që kalon nëpër shekuj." - Migjeni


O Korifeu ynë, o Gjeni, edhe sot mbetet
në fyt kafshata si dikur, o Diell i zemrës
"kafshatë që s'kapërdihet" ngeli mjerimi
i fjalës për "ne të birtë e shekullit të ri",
bukvala e shpirtit nuk na ngrohë as sot,
asnjë fjalë e shkruar nuk është fjalë e nisjes,
asnjë gjurmëzezë e pistës, rreze në Parnas
për poetin s'janë fjalët e letrës, vetëm
hijen e fjalës bartin germat... për një jetë,
është prapë fryma o Migjen, njëjtë si dikur.

***
Fjala jote dukej një "airbus" me dy kate,
njëjtë dhe sot qielli çahet, vetë Toka dridhet,
aq shumë zhurmë për një shkëputje, për nisjen
në ajri flatrash Kondori vihen në lëvizje
një milion kuajsh-fuqi, një milion pegasësh
turfullues të Perseut duhen prapë, o vëlla,
për të marrë hov "fjala moderne" në pistë.

***
Fjalë e artë, kashtërmenë floriri akoma
i bie kashtës mbi kallinj, një stog fjalësh
mykosur, konservim, kashtosje, mos vallë
vërtet "koha ha dhe kashtën", si t'ia bëjmë,
t'i ndukim me krrabë dimrave të acartë,
o Diell, Profet modern i fjalës, o prijatar
ç'na duhet një "kulub" shpirtrash elitar, rit
i marrë rreth Fjalës së Lirë, shih si ngrohen
me afshin nga jashtë, vërtiten, me shekuj
shtypin kallinj bosh, ëndrrat si virgjëresha
tek presin flijimin lidhur në vargonj, rreth
strumbullarit të fjalës së pathënë, e njëjta
darkë mjerimi, e fundit... dhe të pangrënë.

***
Fjalët tua o Diell, akt i miqësisë me ajrin,
sepse çdo fjalë është një frymë pa dhunë,
ndërsa fjalët tona duhet të dhunojnë mite,
"mythbuster" të futet në fjalorin hyjnor
me dhunë, kodik modern i lajthitjes, vallë
ku mbeti "modernizmi" yt o Migjen, sot
harrojmë që vetë fjalët e bëjnë për brezat,
thyejnë kanone, për cilindo kodeks,
rishkrim, "palimpsest" - e ti o Diell prapë
i heshtur do mbetesh, miqësuar me fjalën
atje në majë të Everestit, vetëm si frymë,
vargmalet me buzëqeshjen prapë i shtynë,
një oqean ngjyrash i trazon, nuancash,
formash të pafund, për ta kuptuar ne...
një shekull më vonë, që vetëm fryma i duhej
fjalës tënde o Migjen, asgjë më shumë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...