Nga Përparim Hysi
Kot nuk thonë: - I ikuri dhe i vdekuri sikur janë barabar. Thënia merr vlerat e një aksiome kur këtë lloj "sindrome" e jeton për së gjalli.
Ke ikur nga vëndi për një kohë të gjatë dhe, kushdoqofshë, zëre se nuk figuron me të gjallët. Kur shkruaj kështu, mos kujtoni se po i jap penës revan dhe shkruaj kuturu. Jo. Përkundrazi: është një "vaksinë" që e kam bërë në trupin tim dhe kam se ç'tregoj.
* * *
Përgjithësisht, jam një tip që, megjithëse dua shumë miq, lëvizjet i kam si me hënë përjashta. Pra,jam si pak "ujë i ndënjur". Jam si iriqi: dua ferrën. Dhe "ferra" të jetë imja. Veç në atë "ferrën" time ka vënd për të gjithë. Jam nga ata që fle me derëhapur për miq e shokë dhe, sa jam derëhapur për të pritur miq, aq jam i plogët për të dalë nga " ferra" ime për të shkuar gjetkë. Më zë data kur më thonë: - Ngreu se do shkojmë diku. Pra, e kam obsesion të lëvizurit. Më kujtohet se kur erdhën dhe më thanë:- Nesër me kolektivin do nisemi në Maqedoni dhe që, aty, deri në Turqi, mua m'u duk sikur do nisesha syrgjyn si ata jeniçerët për Jemen. Ndërsa kolegët prisnin "po" nga unë, unë ua preva: - Nuk vij. Më zë makina dhe rrugët e gjata më vdesin. Dhanë e morën që t'më mbushnin mëndjen, por nuk u dorëzova. Sa u gëzua një mësues që i ofrova vëndin tim ! Ishte gati të më merrte në krah që po i jepja rastin që, me fare pak shpenzime do dilte për herë të parë jashtë kufive të Shqipërisë. As unë s'e kisha kapërcyer kufirin ndonjëherë, por hiç nuk më brente meraku seç ndodhte larg asaj "ferrës" sime. Sikur dhe një ari me çizme të kaloj para syve as që më bën përshtypje.
Kjo është natyra ime dhe, kur po ndodhnin këto ndryshime, unë po shkoja drejt gjashtëdhejtave dhe zor që të mësosh valle në pleqëri. Thonë Zoti është lart dhe mban shënime. E shikon ku e ke atë "thëmbrën e Akilit" ( nuk ka njeri pa një thëmbër të tillë ) dhe pikërisht mu atje merr shënjë dhe të godetë. Të godetë për mirë apo për keq, kjo, mandej, duket gjatë kohës.
* * *
Kështu ndodhi dhe me mua. Unë që nuk lëvizja nga vëndi, për arsye subjektive, jo vetëm lëviza, por sosa mu në fund të botës: në jug të Amerikës, në shtetin e Floridës. Pse lëviza? Andej, nga Skrapari, nga kam gjakun, thonë: - E sheh tjetrin me një pallë, por s'e di se si ka hall ?!!! Pra, lëviza nga halli. Imbir qe bërë me çupë dhe na bëri dokumentet që të shkonim për vizitë atje, në Florida, ku jeton dhe sot qysh nga viti 1997. Teksa i nisëm dokumentet për në ambasandë, unë, iriqi që dua "ferrën time" shkova ndeza qiri në kishë që mos të na i jepnin vizën. Por siç duket "magjia" ime favorizoi timeshoqe (kjo është orthodokse) dhe, ndërsa basubjea ime nuk u përfill, viza na u dha. Imeshoqe shend e gaz, unë hundë e buzë, por vallen e hodhëm pas "muzikës". U nisëm më 6 nëntor të vitit 2000. Se sa me qejf e pata këtë udhëtim, dëshmitare u bë dhe natyra: tërë natën e natës mënd ranë kërcunj nga qielli dhe ndodhi diçka që për 50-vjet nuk kish ndodhur: nga kodrat e fshatit kishin vërshuar llumbra e baltëra sa gati xhadeja kryesore bëhej e pakalueshme. Ç'ndodhi atë natë qe në sintoni të plotë me atë ç' ndodhte në shpirtin tim. S'dua,mandej, që t'u mërzit me ato peripetitë në aeroportet qoft në Tiranë, Romë a ca më shumë në New-Jork a në Tampa. Ato janë histori më vete që,ndoshta, do t'i tregoj një herë tjetër.
Sosëm tek djali, në Florida, dhe ndërsa qemë si vizitorë me afat amksimal për 6 muaj, ne jo vetëm e shkelëm vizën, por e djallosëm fare: nga 6 muaj e bëmë 12 vjet, aq sa u harruam fare nga bota. Ne e shkelëm, por dhe e paguam për një thelë një pelë. Pas 10-vjetësh u pajisëm me green cart. Pra, ndodhi pak a shumë kështu: - Me inat më foli, me inat i fola. Pra,sipas kokës dhe festen.
* * *
10- vjet nuk janë pak. Sidomos, për moshën tonë. Kishim ndryshuar dhe ishim "zbukuruar" si ato nuset me tel. Unë e ndjeja shumë këtë "stanjacion" rehati dhe në një nga poezitë që shkrova sikur godita në shënjë. Shkrova:
"Vij në fshat e nuk më njohin
Nga t'më njohin, kur s'më shohin..."
Dhe vërtet që kështu ndodhi. Pas 10 vjetësh u bëmë me dokumente. Shpirti më kish ardhur në majë të hundës. Unë kurrë nuk i kam shkelur " vijat e bardha". Ca më shumë në Amerikë. Nuk i kam shkelur, por kjo nuk i pengoi ata të "emigrejshit" që mua të më thërrisnin nja 10 herë të mira për gishtat ( se gjasme nuk dilnin mirë !!!), kur një shqiptari tjetër nga ata të "shkathtit" që kish ardhur një ditë me mua dhe ca herë kish rënë edhe në burg, ta pajisnin nja tri vjet para meje me dokumnete të rregullta,se kish gjetur "vrimën" ku "filtrohej" faqja nga e zezë në të bardhë. Po këto qenë "rrugë të gjata" për mua dhe nuk i bëja dot. 10-vjetët i pagova mirë dhe nuk varrosa dot as timeëmë që dha shpirt më 16 qershor 2004. Se po të ikja, nuk hyja më në Amerikë.
Sa mora dokumnetet, preva biletat dhe u derdha për në Shqipëri. Qeshë bërë si me flatra. Drejt e tek "ferra" ime, në Mbrostar-Ura,në Fier.
* * *
Uh, po kjo është A..., mikja ime. Kam bërë shkollën e mesme, 4-vjet në konvikt, në Elbasan. Dola dhe mësues. Punova dhe tri vjet në një kolektiv. A... u martua në Fier dhe nuk kish javë që mos shiheshim deri në vitin 2000. Sot është mars i vitit 2010. Ja tek jam ballëpërballë. E di që i ka vdekur i shoqi.
A...,- i fola mallgjyeshëm,- të të rrojnë fëmijët dhe mos paç më hidhërime!
- Më falni, po kush jini ju ?!!!
U befasova. Isha tjetërsuar. Mike e vjetër nuk më njohu. Duket qeshë si doku që futet në ujë. Përgjijga qe si një dush i ftohtë.
-Nuk më njeh?!!! Zëre se ke takuar një të vdekur.
U largova si i tramaksur. Kaq paskam ndryshuar ?!!! Po Fieri është i madh dhe unë tutje. Hë,- thashë, e gjeta.
-Po tynjatjeta, o mik. Dhe për t'ia freskuar kujtesën mikut,e pyeta dhe për të shoqen ( duke e lakuar në emër), por e pashë që "mikut" tim nuk po rrinte mirë "kapelja". Unë, i djegur prej qullit, po i fryja kosit, e pyeta drejtpërdrejt:
- Ore, më njeh apo nuk më njeh?
Miku: - Ti po më provokon !!! Dhe iku sikur të kish takuar një leproz.
Oh, Miçua ! Po si të ka vëllai, mor Miço! Po si e ke Valin? Po evlatët? Ëhë, hiç. Iku dhe kujtova se më njohu. Por kisha hamëndësuar kot.
Të nesërmen, Miçua së bashku me Valin
Vali:- Po ku je, o Papi ? Dhe zumë u përqafuam. Po ti, paske qenë, bërtiti Miçua dyfish i gëzuar. Shyqyr se mezalla se të kujtoja dot. Më tej një që bënte kulaçin të shtrëmbër. Gjithmonë thoshte të drejtën: - Papi, qenke plakur. Lëre Amerikën !
Ja dhe Hatixheja nga Petova. Sa më pa, tha: - Nuk të duhet Amerika. Me lakra të mban Hatixheja. Bukën siguroje vet dhe del në kut. Je bërë tjetër, sa nuk njihesh.
Të gjitha këto gjyle qenë të rënda dhe, sa më plagosën, aq më kthielluan. U zotova që njëherë e mirë ta lija Amerikën. Por të"mosnjohurit" nuk mbaron këtu. Ky peligrinazh vazhdon dhe, tash që shkrimit po i afrohet fundi, kulmin e arriti një ditë maji të vitit 2010.
* * *
Kisha promovuar në bibliotekën e Fierit 5 librat e mia, 4 me poezi dhe një me tregime. Fieri ka patur pak fat për krijuesit. Kryetari i bashkisë së Fierit, sado soacilaist (unë jam i djathtë) është jo vetëm inkurajues për shkrimtarët e njerëzit e artit e kulturës, por dhe mbështetës aktiv i tyre. E lamë që do ta festonim ( unë bëhesha gati të kthehesha në Amerikë) dhe një ditë të shtune, me krebashkiakun Baftjar Zeqo, unë dhe poetët Nuri Plaku,Petraq Kote, me drejtoreshën e bibliotekës, z. M..., një biznesmen artdashës Kozma Çuko do nisesshim për ta festuar. Baftjari priti dhe poeten që vinte nga Tirana, Luljeta Dano. U bëm një grup miks dhe gazin tonë e shtoi se mbriiti nga Lushnja dhe poeti Sherif Bali.
- Ku do shkojmë ? - e pyeta Baftajarin.
-Tek Dafina.
Kur mora përgjigjen "Tek Dafina", mendova se kjo, Dafina, qe pronarja e lokalit dhe aq. Por, ndryshe, fare ndryshe qe puna. Kisha hipur në makinë me Baftjarin dhe pashë që makina la Fierin dhe mori drejtim nga Mbrostar- Ura ku kam mbi 50- vjet që banoj. Sa erdhëm tek lumi, makina kaloi nga ura e vjetër dhe, sa kaloi urën, mori majtas: nga ajo lagje kur rrrinë komuniteti i arixhinjëve.
Hymë nën urën e trenit dhe ja tek është një lokal i kohës: mjedisi asfalt me vëndeparkimi, kurse veç klubit, nën një gjelbërim përrallor dafinash,shelgjesh e plepash kishte "kupola" deri 4-vëndshe për të rinj apo çifte të veçanta. I zoti i lokalit sa më pa që zbrita me Baftjarin e CO..., m'u lëshua me duar në qafë:
-Po ku je, mor mik, që ke humbur pa nam e nishan. Ti duhet të ishe i pari këtij vëndi, po ike humbe si sëpata pa bisht.
Befasia ime qe e madhe. Mos kujtoni se jam ai personazhi: -Doni më për Belulin? Hamza Sollaku me këto fjalë fliste se unë kam qenë kryetari i komitetit ekzukutiv pluralist për zonën e qëndrës në Fier dhe dhashë dorëheqjen e parevokueshme pas 4 muajësh. Se nuk qeshë i zoti për punët e pushtetit. Sadisja e të zotit të lokalit dhe mjedisi nën një gjelbërim që të kënaqte shpirtin qenë qershia mbi tortë i atij takimi aq të ngrohtë midis krijuesish. Por unë ndihesha si në gjëmba. Nuk dija se në fshatin tim kish një klub të tillë. Në fshatin ku kisha jetuar 50-vjet dhe, pas 10-vjetësh, kthehesha si një njeri që kish humbur orientimin. Oreintimin dhe di njitetin. Qe ca më shumë se sa " turp". Turp që nuk e mbaj dot më fshehur. Dhe për ta larë këtë lloj "turpi" që atë ditë vendosa: do ta mbyll portën e emigrimit. E vendosa dhe qysh nga marsi i vitit 2012 jam në Shqipëri, në "ferrën " time dhe derën e kam hapur për këdo që më do dhe që e dua. Tani e di mirë sekush punon tek "Dafina" dhe them se ndihem mirë . Dhe së fundi, u bëj thirrje të gjithë të moshuarve që janë larguar nga vëndi: - Kthehuni tek "ferra" juaj që mos ju ndodh si me mua.
Tiranë, 5 maj 2013