2013-05-09
Pishmani i Sërbisë...
Prishtina zyrtare ka fajësuar Beogradin për mosgatishmëri të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Dështimi i raundit të dytë të bisedimeve në Bruksel në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes Thaçi- Daçiq, sipas kryesuesit të delegacionit nga Kosova, zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, erdhi si pasojë e obstruksioneve të palës serbe.
Madje, ai ka thënë, po ashtu, se te Beogradi vërehet edhe një lloj pendimi për marrëveshjen e arritur dhe tani, pala serbe po kërkon të hapë edhe tema tjera që nuk janë paraparë fare me marrëveshjen 15 pikëshe. “Kemi hasur nga pala serbe një gatishmëri për t’i shtyrë gjërat. Do ta thosha ndoshta një pishmanllëk, nëse më lejohet ta them me fjalë popullore, për atë që e kanë nënshkruar deri më tani. Apo edhe një tendencë që të diskutohet, flitet për gjëra që nuk janë në marrëveshje, apo e tejkalojnë kornizën e saj. Pala kosovare është e gatshme ta zbatojë marrëveshjen pikë për pikë, por nuk jemi të gatshëm të bëjmë negociata të reja para se kjo marrëveshje të zbatohet”, ka thënë Kuçi, shkruan Tribuna.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se për planin zbatues të marrëveshjes, të cilin palëve u ka ofruar drejtori për zgjerim, Fernando Gentilini, delegacionet aktuale nuk po mund të merren vesh, andaj ai ka kërkuar që takimi i radhës të mbahet në nivelin kryeministrave me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.
Në kuadër të bisedimeve dyditëshe në Bruksel, për planin e zbatimit, Kuçi ka thënë se pala serbe vazhdimisht ka ngritur çështje që nuk janë në tavolinën e bisedimeve. Përndryshe, Kuçi është shprehur më se i bindur se marrëveshja Thaçi - Daçiq e datës 19 prill, nuk ka alternativë dhe se ajo do të zbatohet, pavarësisht shtyrjeve të vazhdueshme që, sipas tij, po i bën pala serbe. Ai ka theksuar se me apo pa marrëveshje, Kosova do të shtrijë sovranitetin e saj edhe në veri të vendit.
“Është një marrëveshje ndërkombëtare, me garanci të forta nga BE-ja dhe shtetet tjera. Nuk ka rrezikim të saj, ne i besojmë BE-së, i besojmë SHBA-së. Nuk i kemi besuar Serbisë as kur e kemi arritur marrëveshjen. Zbatimi do të ndodhë dhe vendosja e sovranitetit tonë në gjithë territorin, nuk ka alternativë, me ose pa marrëveshje”, ka theksuar Kuçi Në lidhje me bisedimet rreth planit të zbatimit, është deklaruar edhe përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.
Ai ka deklaruar se do të nevojitet durim, por ka tërhequr vërejtjen se palët nuk kanë edhe shumë kohë, duke rikujtuar se po afrohet data kur Bashkimi Evropian do të vendosë për të ardhmen e integrimeve evropiane për Serbinë dhe Kosovën
“Kemi edhe pak kohë dhe shpresoj që të dyja palët do ta shfrytëzojnë këtë kohë të mbetur me mençuri. Jam optimist për arritjen e marrëveshjes për planin e zbatimi në të ardhmen e afërt. Jam optimist edhe për zbatimin e saj dhe se zbatimi duhet të ndodhë qysh para përfundimit të muajit qershor”, ka deklaruar Zbogar.
Nga ana tjetër, shefi i EULEX-it, Berndt Borchard ka thekuar se përgjegjësitë që do t`i ketë EULEX-i, do të përcaktohen në planin implementues të marrëveshjes.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...