Shkruan: Have Qarri
Një vështrim për amendamentimin e Ligjit të Prokurimit Publik Nr. 04/L-042
Amendamentimi i Ligjit të Prokurimit Publik Nr. 04/L-042 e afron Kosovën më afër Bashkimit Evropian, sepse ndihmon në plotësimin e njërit prej kritereve të Kopenhagës
Paraqitja e parë e prokurimit publik në Evropë është bërë në Francë më 17 shkurt të vitit 1800, në Ballkanin Perëndimor rreth viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, ndërsa në Kosovë fare vonë. Prokurimi publik është një lëmë e re që ka filluar të zhvillohet që nga viti 1999. Në përgjithësi mund të konstatohet se sistemi i prokurimit publik në Kosovë, brenda një periudhe relativisht të shkurtër, ka shënuar rezultate të theksuara. Kjo pasqyrohet edhe në vlerësimin e përmbledhur në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2012.
Direktiva e BE-së për Prokurim Publik Nr. 24/2014, e cila ka hyrë në fuqi më 17 mars 2014, obligon që të gjitha shtetet e BE-së brenda 48 muajve nga hyrja në fuqi e kësaj direktive të kalojnë tërësisht në prokurimin elektronik.
Amendamentimi i Ligjit të Prokurimit Publik, i cili pritet të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, konkretisht neni 129, paragrafi 1, parasheh që KRPP-ja është e autorizuar të nxjerrë rregulla lidhur me përdorimin e metodave të prokurimit elektronik nga autoritetet kontraktuese, ndërsa paragrafi 4 parasheh që përdorimi i prokurimit elektronik është i obligueshëm në çastin kur Qeveria e Kosovës merr vendim për këtë çështje. Pra, mbetet në vullnetin politik.
Pse Kosova duhet ta fillojë prokurimin elektronik?
Roli kryesor i një sistemi elektronik është që ta bëjë procesin e prokurimit më transparent. Nëpërmjet procesit të prokurimit synohet të arrihet transparencë më e lartë, shmangie e korrupsionit, ulje e kostove, rritje e konkurrencës, mënjanim i burokracive, përgjegjësi më e lartë, ulje e barrierave administrative, rritje e efikasitetit, përgjegjshmëri më e shpejtë.
Fillimi i platformës së prokurimit elektronik ka filluar të zhvillohet më 15 dhjetor 2014, kurse pritet të përfundojë brenda vitit 2015.
Amendamentimi i Ligjit të Prokurimit Publik Nr. 04/L-042 e afron Kosovën më afër Bashkimit Evropian, sepse ndihmon në plotësimin e njërit prej kritereve të Kopenhagës (1993).