Isa Mustafa na tha dje se për shkak të refuzimit të Albin Kurtit që ta heqë pa kushte tarifën ndaj Serbisë, ka vendosur ta rrëzojë “ qeverinë e shpresës”.
Sot, u dakordua për mocionin e mosbesimit me Ramush Haradinajn, mbështetësin e flaktë të mbajtjes së tarifës 100 për qind deri në njohjen nga Serbia.
Kaq sa i takon, hipokrizisë së radhës të liderit të LDK-së.
Prishja e koalicionit nuk është fundi i botës, por jo në këto rrethana emergjente, kur bota është në luftë me një virus të padukshëm, që ka shkaktuar pandemi, vdekje, izolim të popujve dhe dëme të jashtëzakonshme ekonomike.
Sinkronizimi i Lidhjes Demokratike me Hashim Thaçin dhe PDK-në, është veprimi më i rrezikshëm që kanë mundur të bëjnë, në kohën kur Kosova kërcënohet nga një marrëveshje e dëmshme, që parasheh ndarjen e territorit.
Qeveria Kurti shumëkujt po i pengonte, përfshirë edhe disa struktura të LDK-së, të mësuara me zhvatje e privilegje. Vetëm për kaq pak kohë, kjo qeveri ndali abuzime të shumta në sektorin publik, ndërsa qartazi vuri në rrezik bizneset e politikanëve të PAN-it dhe asaj pjesë të LDK-së, që bashkëjeton me PAN-in.
Prandaj, duhej gjetur një arsye e pavërtetë-tarifa-për t’i dhënë fund koalicionit në kulmin e një krize që nuk i dihet fundi. Fundja, tarifa ishte përgjegjësi direkte e kryeministrit. LDK si parti e dytë, pse duhej të shqetësohej aq shumë? Apo kishte hallin se mos po e gjen gjë Hashim Thaçin…
Isa Mustafa u mundua të sillej si një kryeministër paralel. Të dërguarit e tij në qeveri, Avdullah Hoti e Agim Veliu që prej ditës së parë kërcënonin që do të dilnin duke u thirrur në raportet me SHBA-në.
LDK-ja vetë e votoi programin e qeverisë që parashihte shfuqizimin e tarifës dhe zëvendësimin e saj me reciprocitet ndaj Serbisë. Këtë plan e kishin pasur edhe në fushatën zgjedhore. Kështu edhe ishin marrë vesh me VV-në kur negocionin programin bashkëqeverisës.

Por, ç’ndodhi ditët e fundit, pasi Hashim Thaçit iu ngushtua dukshëm rrethi i veprimit?
Mustafa sërish e sfidoi partnerin e tij, kryeministrin Kurti. Duke dërguar Skënder Hysenin në zyrën e Grënellit në SHBA, ai e goditi sërish qeverinë që ironikisht thoshte se e mbështeste.
Sinkronizimi i liderit të LDK-së me presidentin Thaçi, arriti kulmin me rastin e gjëndjes së jashtëzakonshme. Nga zyra e tij në parti, Mustafa vlerësoi në koordinim me Thaçin se duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Pa asnjë argument bindës. Këshilli i Sigurisë u shpreh kundër.
Vulën këtij skenari thaçian të zbatuar nga Mustafa&CO, ia vuri ministri i brendshëm Agim Veliu, një politikan sharlatan dhe i papërgjegjshëm që përhapi panik duke thënë se çdo orë rastet me koronavirus po shtoheshin!!
Asnjë rast që prej deklaratës së tij nuk u shënua në Kosovë për fat të mirë.
Por, për fat të keq, Kosova sërish po hyn në një krizë të re politike, ku ata që e kapë shtetin për dy dekada, në emër të partneritetit me Amerikën, duan të na fyejnë sërish, për ta marrë në mënyrë antikushtetuese pushtetin.

Autorët e këtij puçi në kohën e pandemisë, e dinë se kurdo që të vijnë zgjedhjet, debakli është i pashmangshëm për ta.
Me gjasë, edhe kryeministri, e ka nuhatur një gjë të tillë dhe në vend që të përpiqet ta shuajë zjarrin e ndezur nga Hashim Thaçi e partnerët e tij, ia hodhi edhe ky ca pika benzinë.
No comments:
Post a Comment