
Akuzës së ministrit në detyrë Xhelal Sveçla, se publicisti Milazim Krasniqi qëndron prapa organizimit të faljes së namazit të Fiter Bajramit në shesh i është përgjigjur ky i fundit.
Sipas profesorit universitar, Milazim Krasniqit, deklarata e Sveçlës është 100 për qind gënjeshtër, shkruan lajmi.net.
“Është e pakuptueshme dhe e turpshme që të gënjejë në këtë mënyrë një zyrtar i lartë i qeverisë”, ka shkruar ai.
Profesori Krasniqi thotë se qenkan bërë bashkë myftiu Tërnava e Xhelal Sfeqla, në një fushatë e ndjekje të përbashkët e të pandershme.
Shkrimi i plotë i Prof.Dr.Milazim Krasniqit:
Deklarata e Xhelal Sfeqles se gjoja unë qëndroj pas ndonjë thirreje për të falë namaz në shesh është qind për qind gënjeshtër. Është e pakuptueshme dhe e turpshme që të gënjejë në këtë mënyrë një zyrtar i lartë i qeverisë. Asnjë thirrje të tillë, asnjë organizim të tillë nuk kam ftuar, as nxitur asnjëherë. Unë kam shprehur qëndrim publik se duhet të hapen xhamitë, me kujdes e me zbatim të rregullave, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut. Ndaj qëndrimit tim BIK ka reaguar me një deklaratë nervoze dhe poashtu të pakuptimtë. Tash qenkan bërë bashkë myftiu Tërnava e Xhelal Sfeqla, në një fushatë e ndjekje të përbashkët e të pandershme. Nuk u bën nder kjo gjë, as njërit, as tjetrit. Edhe nuk mund të më frikësojnë. Ministri Sfeqla dhe qeveria duhet të gjejnë zgjidhje për problemet e rënda ekonomike, shëndëtësore, sociale e gjithfarë që po e rrënojnë vendin e shoqërinë e të mos përhapin dezinformata e gënjeshtra të tilla si kjo e Xhelal Sfeqlës. Thjesht, nuk qeveriset me gënjeshtra. Dështimet e qeverisjes së Kurtit e Sfeqles nuk mund të mbulohen me fushata kundër njerëzve të ndershem. Përkundrazi ato dështime vetëm sa bëhen edhe më të tejdukshme.
Ndryshe, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës e ka akuzuar publicistin dhe profesorin universitar, Milazim Krasniqi, se ka nxitur organizimin e një proteste që është kundër vendimeve të MSH-së dhe rekomandimeve të IKSHP-së.
Sipas tij, kjo protestë është ndërmarrë në dakordim të plotë me Bashkësinë Islame të Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Jam informuar se sot pasdite, një grup “qytetarësh anonimë” po nxit organizimin e një proteste që është kundër vendimeve të MSh-së të marra sipas rekomandimeve të IKSHP-së, dhe në dakordim të plotë me Bashkësinë Islame të Kosovës. Kemi gjithashtu informacione se pas këtyre organizimeve qëndron publicisti Milazim Krasniqi.
I ftoj të gjithë qytetarët të tregojnë maturinë dhe vullnetin e plotë për të mos rënë viktimë e politizimit të riteve fetare”, ka shkruar ai.
No comments:
Post a Comment