2012-05-28

Nga Flori Bruqi:Jeta dhe vepra : Nazmi Rrahmani





Nazmi Rrahmani është shkrimtari që ka patur dhe vazhdon të ketë një numër të madh lexuesish, sidomos në Kosovë. Tek shkollarët e mesëm është pa dyshim më i njohur, por është i lexueshëm për të gjitha shtresat shoqërore dhe për të gjitha moshat. Rrahmani është ndër autorët e paktë të letërsisë së sotme shqiptare, që shkruan vetëm llojin e prozës së gjatë, romanin. Për nga formacioni stilistik është i shkollës realiste klasike, por i një realizmi të përafërt me atë të narracionit dokumentar.

Nazmi Rrahmani lindi në Bellofcë të Podujevës. U shkollua në Podujevë dhe në Prishtinë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Prishtinë. Pas studimeve punoi si gazetar në Radio-Prishtina e më pas te gazeta "Rilindja", për të vazhduar në redaksinë "Jeta e Re" dhe më pas në redaksinë e botimeve "Rilindja". Aktualisht jeton në Prishtinë.

Front Cover


Ka botuar romanet:

Malësorja, 1965,
 Pas vdekjes (Kthimi i njeriut të vdekur), 1975, 
Tymi i votrës së fikur, 1969, 
Toka e përgjakur, I,I1,1973, 
Rruga e shtëpisë sime, 1978.

Lexuesit e shumtë të N. Rahmanit, fare lehtë mund ta identifikojnë mjedisin e fshatit të Llapit dhe Gollokut, që është thuajse i njëjtë me botën fshatare të kësaj hapësire etnike. Për më shumë, lexuesi i kësaj hapësire është në gjendje të identifikojë personazhet dhe fatet e tyre të ngjashme, familjet dhe bëmat e vërteta, kohën dhe parashenja të tjera të këtij mjedisi. Autori, me këtë rast, në romanet e veta i ndërlidh, i përplotëson historitë dhe bëmat, fatet e personazheve të shumtë përmes sajimeve krijuese imagjinative. Ngjarjet e rrëfyera nga njerëzit dhe për njerëzit e kësaj hapësire kosovare shtrihen brenda harkut kohor që kap gati gjysmën e parë të shekullit njëzet dhe janë pasqyrë dhe dokument i fshatit të atëhershëm, e pjesërisht dhe të atij të sotëm. Akoma më saktë: fati individual dhe fati kolektiv në këtë sagë narrative romanore ndërlidhet me atë të shqiptarëve mes dy luftërave botërore, e që arrin deri në ditët tona. Edhe atëhere kur në dukje fati i personazheve duket i izoluar, në fakt, është refleks i fatit kolektiv. Edhe pozita e rëndë e gruas (Hajrija, Malësorja), dhe skamja ekstreme, dhe vrazhdësia, brutaliteti deri në gjakmarrje, dhe shpërngulja, çrrënjosja nga trualli i të parëve, vihet në një sfond të përgiithshëm: mungesa e lirisë, jeta nën terrorin e pushtuesit.Lirisht mund të thuhet se letërsia që shkruan Nazmi Rrahmani është e angazhuar në kuptimin e mirë të fjalës, angazhim me sens të humanizmit dhe të marrëdhënieve mes njerëzve. Për pozicionimin e shkrimtarit ndaj realitetit, për vizionin e tij jetësor dhe filozofik, vlen të sjellim një mendim nga studimi monografik i Sabri Hamitit: "... realiteti është edhe jashtë nesh edhe në ne. Ai ekziston në vetëdijen e njeriut të vetëm në formën e njëmendësisë, në formën sa njeriu mund ta njohë". Në veprën letrare, në roman, kjo shkallë e përngjasimit me realitetin, nuk mbetet në nivelin e njohjes, por merr një trajtë më individuale, subjektive dhe manifestohet si qëndrim i individit. Duke u menduar t'i shmanget këtij subjektivizmi, Nazmi Rrahmani i ndërthur ndodhitë dhe idetë qenësore në vepër rreth një boshti themelor, personazhit, të cilin e vendos në një mjedis të caktuar jetësor. Plkërisht nga ky kontekst tërësor i realitetit, autori nxjerr personazhe që përputhen plotësisht me perspektivën e zërit autorial të tekstit.

Çmim për vepër jetësore Nazmi Rrahmanit

Juria profesionale  me Çmimin për vepër jetësore “Azem Shkreli”,2010,
 ka nderuar shkrimtarin Nazmi Rrahmani....

Angazhimi i shkrimtarit kështu shtrihet në të gjitha sferat e teknologjisë narrative, si në përzgjedhjen e ngjarjes tërësore, në renditjen dhe kronologjinë e tyre, në paraqitjen dhe përshkrimin e mjedisit, në emërtimet e personazheve dhe toponimet gjeografike, në ndërhyrjen e personaliteteve historike e kombëtare.


Narracioni realist

Sintagma "realizëm dokumentar" është përmendur dhe nga studiuesit më të mirë të veprës letrare së Nazmi Rrahmanit. Nuk është fjala për romane historike, që e kanë thithur lëndën e parë nga një ngjarje, fakt apo personalitet real historik, as për rrëfim që mbështetet mbi një dokument fiktiv, siç janë fletoret e gjetura te romani "Arka e Djallit" (Agolli), apo tek romani "Ulku dhe Uilli" (Koreshi). Narracioni realist dokumentar në romanet e Nazmi Rrahmanit, është paraqitja reale e njerëzve dhe e ngjarjeve brenda një kohe dhe një hapësire të caktuar.
Fjala është për prozë realiste, ku njerëzit, bartësit e ngjarjeve, sjellin tablo reale, të vërtetë, brenda së cilës mund të identifikohet fati social dhe kombëtar i fshatit shqiptar të një kohe. Kjo teknikë rrëfimi ka disa tipare dalluese karakteristike, të njohura nga përvoja romanore. Në radhë të parë, bëhet fjalë për një rrëfim letrar me tezë, që do të thotë se paraqitja e realitetit bëhet në përputhje të plotë me vizionin dhe me perspektivën e pozicionuar qartë të vetë shkrimtarit. Ky pozicionim ndërlidhet me emancipimin e individit dhe të kolektivitetit, me vetëdijësimin e tij për fatin, mundësitë pozitën e atij individi dhe kolektivi, që si synim të fundit ka lirinë e plotë kombëtare. Ky objektiv i synuar pastaj do të sjellë çlirimin nga skamja, nga mosbesimi në vetvete, nga gjakmarrja, nga shpërngulja me dhunë e banorëve të rajonit në fjalë. Këtë ide dhe këtë vizion Nazmi Rrahmani e shpreh me gjuhë të qartë dhe të kuptueshme, gati për të gjitha shtresat e lexuesve. Nga krejt kjo mund të thuhet se ky lloj shkrimi e pranon rolin njohës të artit letrar, ashtu siç beson dhe në ndikimin e tij në rrjedhat e ngjarjeve në kohë dhe në hapësirë, duke ndikuar paraprakisht në formimin e vetëdijes e të filozofisë jetësore të individëve.
Por mbi të gjitha, pozicionimi dhe perspektiva e autorit del në pah dhe shquhet në kuadër të kontekstit të konflikteve dramatike në roman. Konflikti që shkallë-shkallë arrin pikën kulmore, dhe në zgjidhjen e vet merr rrjedhat që parapëlqehen nga autori i angazhuar.

Kështu, në romanin "Malësorja", konflikti përfundon me triumfin moral të Hajries, që është identik me pozicionin e narratorit, përkatësisht të autorit. Kështu ndodh dhe në konfliktin mes së resë dhe së vjetrës, ide që e përshkojnë si lajtmotiv tërë veprën letrare të Nazmi Rrahmanit, dhe ku, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, fiton e reja. Nga konfliktet në rrafshe të ndryshme, që ngjizen dhe prodhohen nga përplasja mes personazheve pozitive dhe atyre nega-tive, synohet transformimi kolektiv, por me synim të qartë që të mos shprishen vlerat e traditës pozitive shpirtërore dhe kulturore, e sidomos vlerat që lidhen me familjen, si bërthamë themelore e qenies kolektive kombëtare. Mund të thuhet po ashtu se bindjen lidhur me rolin e letërsisë në formimin e njeriut dhe të universit njerëzor mund ta nxjerrim në përputhje të plotë me pikëpamjen e këtij autori për krijuesin e angazhuar.

Raporti mes fateve

Raporti i gërshetuar dhe i ndërvarur mes fateve indivduale dhe kolektive, në kuadër të këtij narrazioni realíst dokumentar, është i qartë në pozicionim dhe i përcaktuar nga këndvështrimi autorial. Gjendja sociale, drama e përgjithshme kolektive është sfond i përbashkët që e nxit, e motivon dhe e përcakton tekstin. Brenda kornizës globale shtypje-skamje përcaktohet logjika individuale. Uniformitetí i kësaj hapësire nënkupton njëtrajtshmëri kolektive në përditshmërinë e jetës. Dhuna dhe varfëria, i bën njerëzit më të ngjashëm, por dhe më të përafërt në ndërdije, meqë mekanizmi mbrojtës sikur rri i zgjuar nën një si kotje të përhershme dhe shpërthen në sipërfaqe gjatë vërshimeve të dhunës. Pikërisht për këtë, në botën e fshatit të rrëfyer nga Nazmi Rrahmani,,familja ngrihet, në shkallë kulti, meqë është i vetmi institucion që mbron vlerat dhe substancën e rrezikuar kolektive kombëtare. Kështu mund të kuptohet dëshira e ethshme për të siguruar fëmijën si trashëgimtar mashkull, siç ndodh tek romani "Malësorja". Vizioni për trashëgimi dhe për mbrojtjen e bërthamës familjare në këtë vepër, spontanisht e figurativisht shtrihet si synim për të ruajtur vatrën e të parëve, truallin, atdheun...

Lënda romanore

Cili është peizazhi dhe konfiguracioni i hapësirës nga e cila e thith lëndën e parë romanore Nazmi Rrahmani? Në fillim të shekullit që po e lëmë (rrëfimi lidhet diku me vitet 1910 -1913 dhe kryengritjet kosovare kundër perandorisë osmane), fshati shqiptar i kësaj hapësire kalon nga pushtimi osman, në atë sllav. Jetesa e njerëzve frymon brenda këtij përcaktimi. Refleksi parësor i kësaj jete është ruajtja e qenies fizike dhe e vatrës kombëtare dhe, synimi i fundit, arritja e lirisë së plotë. Ky vizion i autorit përcillet nga romani në roman, dhe, pasi lexohet në tërësi vepra e tij, lexuesi sikur e ndien se është fjala për një sagë romanesh, apo dhe për një roman të vetëm me shumë kapituj. Kështu, duke synuar portret-dokumentin e fshatit shqiptar të Kosovës gjatë gjysmës së parë të shekullit, nga vepra në vepër autori e përplotëson këtë portret dhe përmes personazheve me tipare të ngjashme në shumë pika (kështu, në fakt shkrimtari tërë jetën ka shkruar një vepër të vetme). Ka raste kur ndonjë personazh formohet pjesërisht apo plotësisht në një roman, që të vazhdojë trajtësimin e vet në romanin që pason. Mjedisi brenda këtij kuadri përshkruhet nga jashtë dhe nga brenda. Rrëfehet jeta e njerëzve në përgjithësi, marrëdhëniet shoqërore, sjelljet, gjestet, veprimet dhe fokusohet së brendshmi botëkuptimi, filosofia, karakteret e personazheve të veçanta. Në tërësi, korniza e përgjithshme është vendosur nga perspektiva e të shtypurve, të varfërve, ku frymojnë konvencionet tradizionale kanunore. Më në fund, autori e thith lëndën e romaneve të veta nga ky mjedis për arsye se atë e njeh më mirë, e përjeton dhe e jeton nga brenda, meqë është pjesë e tij si dhe e transformimeve që përcjellin drama të fuqishme individuale dhe kolektive.


Rruga e shtëpisë sime

Romani i gjashtë i Nazmi Rrahmanit Rruga e shtëpisë sime, është rrëfim mbi fatin e kosovarëve të çrrënjosur me dhunë nga pushtuesi sllav, gjatë viteve tridhjetë të këtij shekulli; vendosja e tyre diku në Anadollin e Turqisë dhe rikthimi i pjesës së mbetur gjallë të kësaj familjeje në vatrën e vet stërgjyshore. Kryetari i kësaj familjeje të shpërngulur të Llapit, në vitet 1911-12, kishte qenë luftëtar kundër pushtuesit osman, dhe tani, i pafuqishëm ndaj terrorit të pushtuesit të ri, kërkon strehim dhe shpëtim tek armiku i dikurshëm. Do të jetë kjo një golgotë tragjike që këtë famille e sjell në kufi të shuarjes fizike: vdesin gati të gjithë anëtarët e saj njëri pas tjetrit në dhè të huaj, duke ëndërruar kthimin tek fshati i lindjes, me emrin "Përroi i Keq" (dhe fshati, njësoj si titulli i romanit, ka emërtim simbolik).
Fjala e fundit, amaneti i fundit i secilit përpara vdekjes është: "kthehuni", amanet ky të cilin do ta shpjerë në vend Bajrami, i biri i Babës. Bajrami, që si fëmijë është dëshmitar i aktit të çrrënjosjes, e ngjall ëndrrën e kthimit tek djali i vet i lindur në Anadoll. Një ditë, kur mbetet fill vetëm me të birin, Shpëtimin, ai vendos të kthehet duke e sjellë në vend porosinë e të gjithëve, por dhe ëndrrën e vet më të madhe.
Romani "Rruga e shtëpisë sime", për nga teknika e narracionit shënon kthesë dhe përvojë të re në rrugën krijuese letrare të Nazmi Rrahmanit. Rrëfimi romanor në këtë vepër kryesisht mbështetet në evokimin e kujtimeve. Narracionin e bart dhe e udhëheq kryepersonazhi, që sipas mendimit të kritikut Sabri Hamiti, arrin shkallën e heroit (arrin të realizojë ëndrrën e shumë personazheve dhe të tejkalojë shumë pengesa drejt këtij udhëtimi dramatik dhe tragjik) Bajrami i ka të gjalla kujtimet e shpërnguljes dhe pjesën e kaluar në fshatin llapian Përroi i Keq. E mban mend dhe rrëfen për terrorin serb, si dhe për futjen e krimbit të dyshimit midis banorëve të Përroit të Keq, të cilët i bashkon, përkatësisht i ndan ura. Është Përroni simbolik që fut dyshim e mosbesim mes banorëve, që e ndan hapësirën etnike, me çfarë krijon konotacione metaforike për mosbesim dhe ndarje globale etnike, shpesh me pasoja tragjike.
Kryepersonazhi rrëfen pjesën e rrugëtimit dhe jetën në vend të huaj, goditjet tragjike të njëpasnjëshme dhe aktin e kthimit, që është pikëvrojtimi i narracionit. Autori e ka zgjidhur pikërisht Bajramin për perspektivë narrazioni, meqë ai bart me vete dhe botën, dramën e Babait, por synon që atë ta përcjellë tek trashëgimtari, pasardhësi, duke mbuluar kështu dy krahë kohorë.
Derisa te tipi i romanit "Malësorja" autori rrëfen duke ecur, duke e ndjekur rrjedhën e bëmave, të njerëzve, kryepersonazhi që me këtë rast është dhe narrator i romanit "Rruga e shtëpisë sime", rrëfen pasojat e bëmave të dikurshme. Te tipi i parë narrativi karakteret lindin dhe formohen gjatë ecurisë së tekstit, ndërsa tek tipi i dytë ara janë të gatshëm, me tipare të caktuara të karakterit, vetëdijes, filozofisë jetësore. Tek tipi i parë i romaneve të këtij autori, kryesisht rrëfehet në vetën e tretë, me dialogë të paktë, gati në nivel sentencial, kurse te romani "Rruga e shtëpisë sime" rrëfen kryepersonazhi në vetën e parë. Dialogu në këtë roman është i llojit evokativ (Më kujtohet, mbaj mend, etj ... ) dhe zhvillohet mes Babës, Birit dhe nipit, por shpesh edhe mes uni-t të dyzuar të kryepersonazhit, realizuar si monolog i dialogëzuar. Pra, dallimi mes njërit tip të romaneve të këtij shkrimtari dhe tipit tjetër është në rrafsh të proçedimit krijues, kurse si bindje dhe vetëdije e krijuesit, për rolin e artit letrar në jetë, për ndikimin e tij në botën e njeriut, në filozofinë e të qenit dhe të ekzistencës, teksti është i formësuar dhe mbetet unik për tërë veprën letrare të Nazmi Rrahmanit.


Rruga e shtëpisë sime (fragment)

Nëna ime ka sy të çuditshëm. Sytë e saj, sa herë i vështroj me kujdes, më duken më të çuditshëm se gjithshka në jetën e saj. Ata herë ndezin zjarrin në mua e herë e shuajnë atë zjarr dhe më ngrijnë. Vërtet, vjetëve të fundit, sa herë e vërej, bindem se nëna ime ka ndryshuar shumë. E ndryshimi i saj më frigon. E kujtoj si ka qenë. Ndalem mandej dhe shikoj shpeshherë me kureshtje dhe kështu do kujtime gjithfarë më sillen nëpër kokë. Nuk ka qenë nëna ime kështu si është tash, i them vetes dhe ndiej diçka të më rëndojë.
Në këtë rrugën tonë ka ndryshuar gjithçka e ka ndërruar kaq shumë edhe nëna ime. E mendoj të kaluarën tonë. Ndryshimet e nënës time më lidhen gjithnjë me të kaluarën tonë. Ato ma kujtojnë menjëherë edhe këtë rrugë. Shoh: fytyra tash i është zbehur, sa i është zvogëluar dhe tretur sikur ashtu me pamjen që kishte marrë të donte të tregonte se nuk mund të qëndronte më, ose të rrëfente për të gjithë ato vjet të saj të kaluara, me të gjitha ato që e kishin rrëzuar në të dy gjunjtë si thoshte ajo shpeshherë.
Megjithatë, sa herë e vërej, shoh se sytë i kanë mbetur po ata që i ka pasur gjithmonë: të gjallë, në shikimin e tyre më është dukur gjithmonë se kishte aq shumë dëshira për jetën sa ato më dukej se shkëlqenin dhe dilnin prej tyre. Më dukej se ajo edhe mbas tërë asaj shtërngate nuk i ishte fikur, sepse më dukej se kishte plot besim, së pari në vete, e mandej edhe në ne të tjerët. Kështu i kisha thënë vetes gjithmonë sa herë kisha menduar për këtë dhe mandej pohoja se nëna ime ka qenë e këtillë gjithnjë. Këto që i mendoja për nënën në do çaste dëshpërimi, më forconin. Vetëm sa herë i vëreja kështu sytë e nënës sime, kur i zija ashtu të qetë e si të humbur në shikimet që vraponin mbas do kujtimesh, me siguri mjaft të rënda për nënën time, unë hetoja, në pamjen e saj, diçka aq të çuditshme, të fuqishme por si përvëluese, si zjarri, sa më shtynte që një kohë të gjatë të mendoja vetëm për këtë; ia kujtoja jetën e saj qysh se mbaj mend. Thosha se mu jeta e saj ia kishte bërë edhe sytë kështu, të çuditshëm, edhe pamjen ia kishte dhënë mu këtë që e kishte tash.
Nëna ime nuk ka qenë kështu, por mbas tërë atij ndryshimi sikur të gjithë i erdhën dhe e rënduan, e pleqërinë ia bënë kaq të rëndë.
"E shkreta pleqni, e zorshme më ka ardhë!" thoshte.
Po ia shikoja sytë: ishin po ata, të pandryshuar. Ngazëllehesha.
Thosha se nëna ime kishte qenë gjithmonë aq e lidhur me jetën sa edhe vetë ishte bërë mu kështu prej saj. Kujtoja mandej jetën tonë dhe nënën time. Të dyja ishin një. Nuk mund t'i ndaja. As t'i mendoja njërën pa tjetrën.
Po kur nëna ndalej dhe më vështronte mua, më dukej sikur po më fliste gjithnjë, sikur më thoshte diçka, sikur e kërkonte nga unë mu atë që mandej e qetësonte nënën time sa e gjente, sikur në shikimin që ma hedhte gjente mandej qetësinë e vet dhe prehej e kënaqur. Shikimi i nënës sime më fliste gjithnjë. Po unë edhe atëherë, mbas atij shikimi që më fliste, nisja dhe e kujtoja nënën time, edhe babain dhe ia shihja asaj gëzimin në sy, i shihja edhe vëllain, edhe motrën, edhe gëzimet e nënës... Edhe harenë e nënës sime... Po mandej hetoja se një rrebesh lëshohej mbi ne dhe na dërmonte. E shihja prapë nënën time edhe babain edhe vëllain, edhe motrën, edhe gjyshen djalin, gruan...
Unë e vëreja pamjen e saj tash dhe e kujtoja atë dikur, edhe ajo kohëve të fundit, më shqetësonte aq shumë, më sillte përnjëherë në mendje kujtime që më vinin aq të rënda dhe më dërmonin. Jetën e mendoja prapë dhe ato më lidheshin: jeta jonë dhe nëna ime...
E mbaja mend nënën time në ato çaste të ndryshme gëzimi, edhe pse aq të pakta më dukej tash se kanë qenë, e tash më duket se edhe ato e mundojnë nënën time. Kjo më shkaktonte tash pikëllim edhe mua më lente të zhgënjyer e të humbur sa më tepër që po e kujtoja.
Lajme të zeza nga Përroi i Keq:
Prej oxhaqeve të Ramës, të Hysenit, të Selimit e të Idrizit, s'ka mbetur kush. Të gjithë, i madh e i vogël, u dogjën në zjarr.
Shtëpitë u janë djegur në themele. S'ka mbetur kush as për farë bile. U humbi fara në flakë e zjarrtë përgjithmonë e jetën.
" Rand qenka me i humbë njeriut fara në flakë!"
Po, qëndroni o burra, mos i leni shtëpitë tuaja shkret se të shkoni nga të shkoni s'do të gjeni më mirë. Më mirë të vdesim në trojet tona, sepse vdesim për to!
Mundohet dhe qëndron kështu Përroni i Keq!
Nëna psherëtiu thellë. Nuk e di nëse i erdhi më keq për ata apo për ne...

Vrasjen ia kam pasë menduar shumë herë babait tim dhe gjithnjë e kam ndier trishtimin në vete. Ajo gjithnjë më tmerronte. Sa krismë pushke kam dëgjuar në katund gjithnjë ia kam menduar vrasjen babait tim. Sa e sa herë më ka ndodhur të kem qenë në harenë më të madhe kur më është kujtuar vrasja e babait tim dhe të më jenë këputur të dy këmbët në gjunj! Por se do të mundet kështu babai im nuk e kam menduar asnjëherë. Prandai e tërë kjo më dukej e pabesueshme. I kujtoja mandej bisedat e burrave në odë.
Rrugë që s'e kishin menduar kurrë ishte kjo!
Po nëna ime i ikte gjithnjë bisedës për zënien e babait tim. Ajo sikur nuk dëshironte kurrë të fliste për këtë. Gjithnjë fliste me aq ngazëllim për kthimin e tij:

"S'ash ai që zinet lehtë!" dhe unë ia shikoja gjithnjë nënës sytë. Në ta shihja gjithnjë atë gjënë që mua më dukej aq e çuditshme, që përherë më habiste aq shumë nga i buronte! Dhe, ai burim më dukej gjithnjë i pashterrshëm. Për të gjitha e pyetja mandej veten dhe sikur nuk mund ta kuptoja nënën time. Herë e shihja atë të pikëlluar dhe të rënduar, por menjëherë ajo ndërronte, nga sytë i shkrepte diçka dhe përnjëherë sikur ndryshonte krejtësisht, sikur tash kishte harruar atë që vetëm pak më parë e kishte rrëzuar në të dy gjunjtë.

Kur i kujtoj të gjitha këto përnjëherë vij në vete, shikoj rreth e rrotull. Ndiej vetminë të më ketë ndrydhur. Zhgënjimi më lë pa fuqi. Kujtimet më hapin plagë, m'i lëndojnë në vjetrat dhe m'i hapin të rejat... Ndiej dhembjen e plagëve tona që është e tmerrshme. Shikoj rreth e rrotull. Them:
" Në Përrue të Keq njerëzit gjithmonë e kanë dashtë vetëm jetën. Pak kanë mendue ata për vdekjen..."
Isha i bindur për këtë dhe më dukej se ashtu jetohej atje, edhe pse për të jetuar ishte aq vështirë, por se e dashur na dukej tash ajo ne që vetëm mund ta kujtonim.

Ata ditë që e lamë Përronin e Keq, kur ne nuk na mbanin këmbët të bënim hapat e rëndë në këtë rrugën tonë, nëna u kthye disa herë mbrapa dhe e vështronte katundin. Shikimin e kishte pikëllues, të rëndë. Kjo më dërmoi edhe më tepër. Kurrë nuk munda ta harroj pamjen e saj, ashtu duke e vërejtur katundin për herë të fundit nëpër lotë.
"Kështu vdes njeriu për së gjalli!", i pëshpëritën buzët.
Vështrimi i saj në ato çaste ishte i humbur, ashtu si ishte edhe pamja e saj atë ditë. Kushedi çdo të ketë menduar ajo atëherë, kur këmbët edhe pse ashtu rëndë po e largonin nga katundi edhe pse sytë nuk po mund t'ia ndante: jetën ose vdekjen tonë! Për këtë e kam pyetur veten shumë herë në ato çaste kur kujtimet më vështronin dhe më dërrmonin ashtu e më linin të zhgënjyer. Dhe, kam thënë se ato i ka menduar nëna ime dhe mezi kishte gjetur fuqi të ndërronte këmbët. Ndoshta që të dyja i kanë ardhur asaj përnjëherë në mendje në ato çaste dhe nuk do të ketë ditur për cilën mendonte, sepse ato i ishin ngatërruar aq shumë në mendje sa vështirë ishte atë ditë t'i ndaje. Dhe vetëm në këto çaste kur nuk e di ç'është vdekje e ç'është jetë, njeriu mbetet ashtu. jeta dhe vdekja sikur iu kishin ngarkuar në shtëpinë asaj dhe po e ndrydhnin. Ia pata vërenjtur edhe lotët që i patën rriedhur mbas çdo hapi të rëndë të këmbëve të këputura. Ia kam mbajtur në mend përgjithmonë ata lotë që i pikuan në tokë. Nëna ime rallë qante!...
" Nëpër këtë rrugë kam pasë ardhë nuse!" e theu dikur heshtjen tonë si të donte t'u jepte fund mendimeve tona që na rëndonin dhe na këputnin mbas secilit hap si këmbët si shpresat. Po zërin edhe atëherë nëna ime e kishte trishtues, edhe pse po fliste për dasmë.
Babai e shikoi si me habi.
"S'ma ka marrë mendja kurr se për herë të fundit e gjallë do të largohem nëpër të, për mos me u kthye kurr ma... Randë qenka me vdekë kështu! Ta marrim rrugën e humbjes e të dështimit..." foli idhtas.
Ndjeu një dobësim që i a futi të dy këmbët në dhe.
Gjyshja ia lëshoi një shikim të rreptë e qortues.
"Na qoftë rrugë e mbarë, nuse!" tha po sikur të mos bindej as vetë për atë që e tha, ndërroi bisedën." Qofshin burrat e... " po s'mundi të përfundojë.
"O, zot, kurr ditën e vet mos e pafshin, që nuk na lanë të jetojmë në shtëpinë tonë, po na i dhanë këto udhë të gjata, që doni kështu të na qitni fare. Dashtë zoti e kurr mos u shtofshi, e mos ngulshi themele në tokën tonë!" fliste nëna dhe sytë i shkëlqenin. Kurrë nuk e kam parë që sytë t'i shkëlqejnë kështu, kurse fytyra t'i kishte marrë atë pamje që sikur digjej flakë. "Doni të na faroni kështu, vetë u farofshi, o zot. Shpëtim gjetshim, ne të pafajshmit, edhe në këtë rrugë. E, nji ditë, u kthefshim prapë në këto troje se larg tyne nuk kemi me e pasë jetën tonë të gjatë..." Fliste ajo.
Gjyshen e mbështolli mallëngjimi, kurse babai kishte rënë në një heshtje më të rëndë se guri dhe nuk fliste gjë.
Fytyra e nënës sime merrte çehren e njeriut që po humbte gjithçka, që ashtu po e shihte atë humbje të vetën dhe atëherë mezi po qëndronte. Thuajse nuk i kishte mbetur më fije shprese se po i iknim kështu vdekjes se ne po bënim rrugën e shpëtimit... Mezi, duke u dridhur dhe pa trohë fuqie po i bënte hapat e ngathët të atyre këmbëve të dërmuara, që megjithëse ashtu të futura në dhe po e largonin andej edhe pse i dukej që po i shkëputej dhe aty po i mbetej një copë e vetvetes.

Mandej, disa çaste, iu kujtua, mu në mes të atij rrëmeti dasma e vet, ajo ditë kur ishte bërë nuse dhe po nisej për në shtëpinë e burrit. Atë ditë kur po bëhej gati të shkonte nuse iu kishin tekur do mendime dhe iu kishin kujtuar shumë e shumë gjëra për jetën e ardhshme. Iu kishte dukur se do të ishte e vështirë. Megjithatë këtë kurrë nuk kishte mundur as ta mendojë bile. Këtë ditë të largimit të këtillë, të kësaj vdekjeje të çuditshme kurrë nuk kishte mundur as ta sillte ndërmend, as t'i frigohej se do ta gjente edhe kjo, as atëherë kur kishte menduar se vështirë do ta kishin të jetonin.
Sot, mu atëherë kur e kishte mundur lodhja kështu, u habit vetëm pak sa iu kujtuan të gjitha këto çaste kur po e bënte këtë rrugë, hypur në kalë. Atëherë kishte menduar vetëm të ardhshmen, për lindje, për rriten, po këtë s'e kishte menduár kurrë. Tash derisa po ecte e dërmuar po mendonte kështu vdekjen dhe mezi po i tërhiqte këmbët zvarrë, sepse lodhja që e ndiente në trup ia kishte futur këmbët në dhe. Mendimet e kishin mbështjellë të tërën dhe nuk mund të lëkundej nga vendi pa to. Po mendonte kështu dhe mbas çdo hapi që e bënte ajo, aq rëndë, i dukej sikur po i afrohej greminës, sikur aty po i priste vdekja dhe në çdo bërryl të rrugës do t'i rrëmbënte të gjithë. Kujtoi pamjet e njerëzve që i përcollën, ua pa lotët, ua dëgjoi fjalët. Të gjitha e rënduan.
Mandej, përnjëherë si t'i harronte të gjitha ato mendime aq dërrmuese, e theku hapin, ngriti kokën, shikimin e hedhi larg përpara. Po shikimin e syve e kishte tash edhe më të çuditshëm!
"O zot, na kthe kësaj rruge prapë!" tha me zë, e babai ndali hapin hovshëm dhe e shikoi në fytyrë si të donte ta pyeste diçka. Megjithatë nuk i bëri zë, por një buzëqeshje e lehtë dhe pikëlluese në ato çaste iu përvodh në buzët e shkrumuara, si të donte t'i thoshte se kot e kishte, se nuk kishte më lutje që do t'i ndihmonin në këtë rrugë të tyre që kishin marrë tash.
Po babait edhe atëherë kur i shkoi buza vetëm pak në gaz, i vërehej në fytyrë ai pezmi që e ndiente në vete pse kishte vendosur të merrte këtë rrugë. Fytyra i mori pamjen si të donte të thoshte se gjithçka kishte marrë fund dhe se të gjithë së bashku kishin nisur ashtu asaj rruge, fundin e së cilës nuk e dinte kush...

----------------------------------------------
Në fragmentin e zgjedhur, narratori personazh, sjell ndërmend çastet e shpërnguljes së familjes së tij nga vatra e shtëpisë për të marrë rrugën drejt Turqisë, si shumë familje të tjera kosovare. Dhimbjen nga çrrënjosja me dhunë, ai e përshkruan përmes pikëllimit të madh që manifestohet në shpirtin e prindërve, të nënës dhe të babait.
Marrëdhënia e tij me nënën dhe babain vendoset në plane të ndryshme. Me nënën atë e lidh ndjenja e natyrshme e fëmiiës, pasi nëna është njeriu i parë të cilin vë re ai. Mbase jo vetëdijshëm, po në çdo moment të jetës së tij, biri regjistron fytyrën e saj, veçanërisht sytë; ata flasin më tepër se çdo tipar, ata kanë fatin të ndryshojnë më pak në jetën e njeriut. Në sytë e nënës biri mund të lexojë të shkuarën , të tashmen dhe të ardhmen. Në sytë e nënës është vetë historia dhe ndjeshmëria njerëzore. Ndaj kjo marrëdhënie bëhet shumë e prekshme për lexuesin. Ngjarjet narratori tashmë mund t'i kujtojë, t'i analizojë e t'i gjykojë nëpërmjet këtyre syve.
Ndërsa me babain ndryshon puna. Kjo është një lidhje jo më baba fëmijë, por burri me burrin. Djali është i pranishëm në të gjitha ngjarjet që lidhen me babain, qoftë ato të përditshmet (bisedat në odat e burrave) dhe ato më të rëndësishmet (si lufta).
Nga ana tjetër djali është po aq i vëmendshëm dhe në marëdhëniet që kanë prindërit me njëri-tjetrin. Veçanërisht ai vë re sytë e nënës që mundohen ta fshehin merakun dhe ajo si pa të keq, sa herë kthehet babai nga lufta, thotë: S'asht ai që zinet lehtë!
Në këtë fragment po kaq i dhimbshëm dhe i ndjeshëm jepet dhe fati i mërgimit. Shprehje të tilla si:
Nëpër këtë rrugë kam pas ardhë nuse,
Rrugë që se kishim menduar kurrë është kjo;
Kështu vdes njeriu për së gjalli,
O zot na kthe kësaj rruge!
janë të denja për vargje të fuqishme të lirikës patriotike.

No comments:

Post a Comment

“Bondsteel më 7 mijë persona dhe me burg të CIA’s brenda”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë theksuar gjithmonë prezencën e tyre pëmes kampit ushtarak “Bondsteel” i cili gjendet në qytetin...