Mira Meksi është përkthyese dhe prozatore e njohur, fituese e disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare për krijimtari dhe përkthime
Mira Meksi kreu studimet e larta për filologji shqipe dhe frënge në Universitetin e Tiranës. Është një nga zërat më të rëndësishëm, më të fuqishëm dhe më përfaqësues të letrave shqipe të periudhës pas rënies së regjimit totalitar në Shqipëri. Falë mjeshtërisë së përkthimit të saj kanë ardhur në gjuhën shqipe kryeveprat e letërsisë botërore të autorëve: Gabríel Garcia Márquez, Vargas Llosa, Charles Baudelaire, Alphonse de Lamartine, Jorge Luis Borges, Ernesto Sabato, Marguerite Duras, Pablo Neruda etj.
Është nderuar me mjaft çmime të rëndësishme shqiptare dhe të huaja, ku vlen të përmendim: çmimi “Përkthimi më i mirë i vitit 2006” për romanin “Kujtim kurvash të trishta” nga Gabriel Garcia Marques, dhënë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Titulli i Nderit me motivacionin: “Personalitet frankofon i multilinguizmit 2009” dhënë nga Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë dhe akorduar nga Ministria e Punëve të Jashtme; Urdhri “Comendadora” i Meritës Civile dhënë nga mbreti i Spanjës Huan Carlos I, 2011; çmimi i eseistikës “Gjergj Fishta 2011”, akorduar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për librin me ese “Leximet e ndaluara dhe shkrimet e fshehura” etj.
Është lëvruese e pothuaj të gjitha gjinive letrare, duke filluar që nga romani: “Frosina e Janinës”;“Porfida – ballo në Versailles”; “E kuqja e demave”; “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”; "Planeti i ngrirë";"Fantazma me sy njeriu"(romanë për adoleshentë),
Novelat:"Ballo në Versailles";"Pa zemer ne kraharor";"Vrasje ne Venecia";përmbledhje me tregime “Mali i shpirtrave”; “Buzë të panjohura gruaje”; “Zonja plakë e Parisit”;"Antologjia e Poezisë së sotme Aragonase";"Flutura mes gjinjve";lkatër përmbledhje me përralla dhe një novelë e ilustruar: “Magjistrica e 12 pasqyrave”; libra eseistikë: “Guri filozofal” dhe “Leximet e ndaluara dhe shkrimet e fshehura”.Etj.
Mira Meksi është mjaft aktive me shkrimet publicistike si në shtypin shqiptar ashtu dhe të huaj (francez dhe spanjoll).
Romani “E kuqja e demave” është përkthyer në disa gjuhë të huaja si dhe rishkruar nga vetë autorja në frëngjisht, botuar nga Shtëpia Botuese “Persee”.
Veprat e saj janë të njohura edhe për lexuesin e huaj, tashmë të përkthyera në bullgarisht, serbo-kroatisht, greqisht, frëngjisht, anglisht, italisht etj
Në veprën më të fundit “Hakmarrja e Kazanovës”, ku përfshihet novela me titullin në fjalë dhe 16 tregime, vepër kjo që u prezantua në panairin e librit të këtij viti, Mira Meksi i zbulon lexuesit vetëvetësinë (individualitetin) e Xhakomo Kazanovës, për të cilin Dostojevski (1821-1881) thotë:
“Individualiteti i Kazanovës është njëri nga më mbresëlënësit e kohës së vet”.
Autorja, për herë parë në letërsinë shqipe, shpalos para lexuesit një figurë komplekse të shek. XVIII, si Xhakomo Kazanova (Giacomo Girolamo Casanova - 1725-1798), një aventurier italian ky, qejfli udhëtimesh dhe shkrimtar, autor i jetëshkrimit të hollësishëm me titull “Histoire de ma vie” (Historia e jetës sime).
Mira Meksi është plotësisht e vetëdijshme seskalitja e një figure historike në një vepër artistike është një detyrë bukur e vështirë.
Kjo për arsye se shkrimtarit, së pari, i duhet të sigurojë një informacion shterues për jetën e figurës në fjalë, jo vetëm brenda rrezes së jetës personale, por edhe brenda rrezes së ngjarjeve që shpalosen në mbarë shoqërinë ku heroi i veprësjeton.
Së dyti, shkrimtarit i duhet të jetë tepër i vëmendshëm në respektimin “prerjes artistike” të veprës, për të mos i lejuar vetes të bjerë në historizëm.
Për arritjen e këtyre dy objektivave, shkrimtarit i duhet një përgatitje enciklopedike, i duhet erudicioni, aq i domosdoshëm ky për ta nxitur dhe për ta mbajtur të ndezur kërshërinë e lexuesit.
Erudicioni është thellësia, shkëlqimi dhe hapësira e dijeve që sigurohen si rezultat i arsimimit, i formimit intelektual përmes leximit sistematik të veprave nga burime letrare dhe joletrare. Fjala e latinishtes “erudire” do të thotë “nxjerr nga mosdija, pajis me dije”.
Rrjedhimisht, një shkrimtar me përgatitje erudite ka aftësinë të bëjë vlerësime kritike mbi bazën e logjikës deduktive.
Erudicioni shpërfaqet ndjeshëm në krijimtarinë e Mira Meksit.
Ai bie në sy në të gjitha veprat artistike që ajo ka botuar deri tani. Këtu po përmend vetëm romanet“Planeti i ngrirë”,“E kuqja e demave”, “Porfida -Ballo në Versajë (Versailles)”,“Frosina e Janinës”, “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, pa u ndalur në përmbledhjet me tregime.
Tomas Karleil (Thomas Carlyle - 1795-1881), shkrimtar, publicist, historian dhe filozof anglez me prejardhje skoceze, autor i veprës me titull “Heronjtë, nderimi i heronjve dhe heroikja në histori”, botuar në vitin 1856,ka lënë për brezat pasardhës një aforizëm me fare pak fjalë, por me një domethënie fort të thellë:
“Shkrimtari është një shërbestar i shenjtë”.
Ai predikonte kultin romantik të heronjve, të këtyre personaliteteve të jashtëzakonshme, të cilët, me bëmat e tyre, kryejnë një mision hyjnor, duke e shtyrë njerëzimin përpara dhe duke u ngritur mbi turmat e njerëzve me formim të mangët.
Erudicioni i Mira Meksit është me të vërtetë sa befasues, aq edhe frymëzues për brezat e rinj të letrave shqipe, por edhe tepër joshës për masën e gjerë të lexuesve.
Prandaj, sa herë që një vepër e saj prezantohet në panairin e librit në vjeshtën e çdo viti, lexuesit i shikon në radhë, në pritje për të marrë një autograf nga autorja në ballinën e librit të sapoblerë.
Me magjinë a fjalës artistike, Mira Meksi ka arritur të plazmojë mjeshtërisht figurën e Kazanovës, i cili qe bërë aq i famshëm me morinë e aventurave dashurore, saqë emri i tij, nga i përveçëm, qe bërë i përgjithshëm dhe në ditët tona përdoret në kuptimin “femrajoshës” apo “femramashtrues”.
Përmes punës kërkimore të dy heronjve kryesorë të novelës, profesorë të arkeologjisë dhe të historisë së lashtë, të cilët janë vënë në kërkim të veprës së Kazanovës “Manualle dell’amore, Mira Meksi hedh dritë mbi “odisenë” e jetës së Kazanovës.
Suksesi i jashtëzakonshëm që pati vepra “Historia e jetës sime”, e kushtëzuar nga moria e peripecive të jetës dhe e aventurave dashurore, e pati shndërruar figurën e Kazanovës në njërën prej legjendave të kulturës botërore. Stendali, Alfred de Myse, Delakrua dhe të tjerë ishin të entuziazmuar nga kujtimet e tij.
Kur bën fjalë për varganin e aventurave dashurore të Kazanovës, Mira Meksi shkruan:
“Ai është kryemjeshtri i artit të dashurisë, ku femra është perëndesha, kurse mashkulli skllav i saj”.
Por mes gjithë morisë së dashurive të aventurierit profesionist, autorja, tek e bën lexuesin ta mbajë frymën pezull, ndalet në dashurinë e Kazanovës për francezen e bukur Henriette, e cila, me kalimin e viteve, qe shndërruar në“pengun më të rëndë të zemrës së venecianit”.
Është e vërtetë që emri i Kazanovës lidhet me përfytyrimet për aventurat e tij dashurore, emër që vendoset në të njëjtën radhë me personazhe të tillë të botës artistike perëndimore, si Don Zhuani i mirënjohur, Lovelasi [personazh i romanit epistolar “Klarisa” të shkrimtarit anglez Samuel Riçardson (1689-1761),dhe Foblasi
[heroi i romanit “Aventurat e kavalierit Foblas” (Le amours du chevalier de Faublas) të shkrimtarit francez Zhan-Batist Luve de Kuvre (Jean-Baptiste Louvet de Couvray - 1760-1797].
Është e vërtetë që në kujtimet e Kazanovës, në të cilat ndihet aroma e filozofisë se lirisë së individit, nuk anashkalohet odiseja e bëmave të tij seksuale.
Megjithatë, në novelën e Mira Meksit individualiteti konkret i Kazanovës kristalizohet në një mënyrë më komplekse dhe më interesante. Prandaj, në një sërë studimesh që i janë kushtuar figurës së tij, jo më kot janë bërë përpjekje për ta paraqitur në një mënyrë më tërësore, si një aventurier me kulturë të gjerë dhe mendjemprehtë.
Kur mbaron së lexuari këtë vepër të fundit të Mira Meksit, në të cilën edhe tregimet janë njëri më joshës se tjetri, lexuesi i vëmendshëm dhe me kulturë filologjike rri e përsiat, duke arritur në përfundimin se vepra artistike e kësaj shkrimtareje të talentuar është mishërim i përgatitjes enciklopedike, i erudicionit dhe i kulturës së lartë gjuhësore, e cila është e pamundur pa zotërimin e universit të pasur të leksikut.
Imazh i ngjashëm
Dhe Mira Meksi e zotëron në përsosmëri këtë univers.
Ajo gërmon në “xeherorët e pasur” të shqipes sonë hyjnore dhe, me një pasion të lakmueshëm, vjel dhe krijon fjalë plot aromë amtare, krijon kompozita fort të goditura, ca kapërthime të bukura fjalësh këto, të cilat të kujtojnë kapërthimin e magjishëm tëartistëve në një skenë baleti.
Kur lexoj prozën artistike të Mira Meksit, më vijnë në kujtesë ca përcaktime mjeshtërore të shkrimtarit të shquar rus Konstantin Paustovski (1892-1968). Këto janë përcaktime që ai bën për shkrimtarin. Ai shkruan:
“Një shkrimtar që ka për zemër përsosmërinë e formave arkitekturore, në prozën e vet nuk e lejon një kompozim të ngarkuar dhe të plogët.
Ai do të mundohet të arrijë përpjestimin e pjesëve të veprës dhe rreptësinë e gdhendjes së fjalëve.
Ai do të shmangë morinë e zbukurimeve venitëse të prozës, të ashtuquajturin stil ornamental”.
Lexuesit kërshërimtarë të veprave të Mira Meksit i merr malli që atë ta shikojnë më shpesh në ekranet e televizioneve.
Rezultate imazhesh për librat e mira meksi
Por ajo, siç e ka përcaktuar bukur fort njëri nga personalitetet e kulturës shqiptare, akademik Flori Bruqi, “mbyllet në “kullën e fildishtë” për të shkruar libra”.
Por kur Mira Meksi zbret nga lartorja (piedestali) e “heshtjes” së saj dhe shfaqet para lexuesve në ekranet televizive, ata janë të bindur se ajo do t’u sjellë një tjetër surprizë të këndshme, një tjetër vepër artistike me joshë befasuese.
Dhe kjo ndodh vetëm një herë në vit: në panairin vjeshtak të librit, shkruan mes tjerash në "Floripress",eruditi i shkencës shqiptare Akademik Prof.Dr.Eshref Ymeri për Mira Meksin.
*****
Në vitin 2014, romani "Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë" ka përfaqësuar Shqipërinë në kompeticionin për çmimin letrar "Ballkanika".
Flori Bruqi