Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri,Ph.D
Me Profesorin e nderuar të historisë Rasim Bebo, i cili ndërroi jetë më 12 dhjetor 2017, jam njohur përmes faqeve të internetit, ku ai botonte artikuj publicistikë, të cilët më bënin shumë përshtypje për përmbajtjen e tyre me theks Çështjen Kombëtare Shqiptare.
Në një artikull me titull “Mirënjohje të thellë për Profesorin e historisë, zotin Rasim Bebo”, të botuar në disa faqe interneti më 03 prill 2012, pata theksuar se më kishte rënë në sy sidomos faktologjia befasuese që karakterizonte analizat e tij profesionale për probleme të rëndësishme kombëtare dhe sidomos për figura të shquara të historisë.
Prof.dr.Rasim Bebo,Ph.D
Artikujt e tij studimorë dhe publicistikë, Profesor Rasimi i pati përmbledhur dhe botuar në disa libra. Në periudhën mes viteve 2012-2017, ai botoi gjashtë libra.
M’i dërgonte me postëdhe unë i lexoja me një kënaqësi të jashtëzakonshme. Në to ai trajtonte Çshtjen Kombëtare të Çamërisë (kishte lindur më 14 prill 1926, në fshatin Shalës të asaj treve martire), qëndrimin e heshtur, deri në servilizëm, të shtetit shqiptar ndaj Çështjes Kombëtare të Çamërisë, qoftë gjatë periudhës së sundimit komunist, qoftë gjatë viteve të pluralizmit; lashtësinë e kombit shqiptar dhe argumentimin e saj me fakte shkencore, figurën e mbretit Ahmet Zogu, si themeluesin e shetit shqiptar pas shpalljes së pavarësisë; marrëdhëniet me shtetin grek të periudhës së pasluftës, si edhe problemin e pushtimit të kishës sonë ortodokse fanoliane nga kisha shoviniste greke.
Kjo vepër ka vlerat e një romani autobiografik, i shkruar në stilin e rrëfimtarisë së letrarizuar. Ajo të rrëmben aq shumë që në faqet e para, saqëështë e pamundur ta lëshosh nga dora, derisa të arrish në faqen e fundit.
Mungesën e respektit, deri në shpërfillje, nga ana e Beogradit ndaj vendit tonë, e pati shprehur haptasemisari jugosllav Velimir Stoiniçi në Plenumin e Beratit në nëntor të vitit 1944. Ai pati deklaruar:
“Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë sepse imperializmi do ta gëlltiste;… e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konferderatë me Jugosllavinë…” (Citohet sipas: Mërgim Korça. “Çështja kolaboracionizëm e të tjera. T’i gjykojmë”. Detroid 2014,f. 105).
Ky ishte një poshtërim i rëndë që Velimir Stojniçi i bënte haptazi vendit tonë, por askush nga të pranishmit nuk pati burrërinë t’i tregonte vendin atij emisari të shovinizmit jugosllav.
Tre vjet më vonë dhe pikërisht më 15 dhjetor 1947, Enver Hoxha, i mbrujtur mirë tashmë me kompleksin e inferioritetit, me mercenarizmin dhe me servilizmin ndaj shovinizmit jugosllav, në mbledhjen e Byrosë Politike doli me këtë deklaratë publike, duke vazhduar poshtërimin e vendit të vet, sipas shembullit të Velimir Stojniçit tre vjet më parë:
“Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…” (po aty).
Pikërisht në atmosferën e mercenarizmit dhe të servilizmit të pështirë të Enver Hoxhës dhe të bandës së tij ndaj shovinizmit jugosllav, një grup prej 44 oficerësh të armës së tankeve, në kushtet kur, siç shkruan Profesor Rasimi, oficerët jugosllavë bënin ligjin në Ministrinë e Mbrojtjes, u dërguan të vashdonin studimet për dy vjet në Jugosllavi. Shumica e tyre kishin qenë partizanë gjatë viteve 1943-1944. Profesor Rasimi kujton:
Kuptohej, aty dominonin oficerët-instruktorë jugosllavë që vepronin qëllimisht për diskriminimin e njerëzve tanë” (Rasim Bebo. “Shala e kalit të jetës”. Shtypur në Shtypshkronjën “Botimet Male”. Tiranë 2017, f. 72).
Dhe më poshtë Profesor Rasimi vazhdon:
“… sebët na shihnin me përçmim dhe na vinin në lojë. Fjala e parë e tyre ishte: “Albanac bez kulturni çovek (Shqiptari pa kulturë)… Shpesh, gjatë stërvitjeve në terren, veç talljeve me gojë, na vinin këmbëzën, duke na penguar, për të rënë në baltë ose në pellg me ujë dhe kjo ishte gëzimi i madh i tyre” (f. 74).
Më 07 maj 1947 ishte ditëlindja e Titos. Të gjithë studentët ushtarakë do të shkonin në Shtëpinë e Rinisë për ta festuar. Studentët ushtarakë serbë ishin veshur me uniformë festive, ndërsa studentët shqiptarë nuk qenë pajisur me uniformë të tillë nga komanda e shkollës, megjithëse kishin marrë urdhër të paraqiteshin.
Oficer Rasimi i pati dhënë këtë përgjigje nënkolonelit serb Milosaleviç Kristivoj për urdhrin që ky kishte lëshuar:
“Ne, edhe po të vijmë, do të mbetemi në fund të kolonës, sepse jemi me uniformë të keqe dhe qytetarët do të na marrin si robër gjermanë e mund të na gjuajnë me sende të qelbura, pasi me ne krijohet një kontrast i madh përpara grand uniformës suaj…” (f. 76).
Më në fund, Profesor Rasimi, zbulon një të vërtetë mizore, të cilën kryeservili i Beogradit Enver Hoxha dhe mbarë udhëheqja e Partisë Komuniste të Shqipërisë ia mbanin të fshehtë opinionit publik shqiptar:
“Me paturpësi, na kërkojnë të rreshtohemi për ditëlindjen e Titos, në fund të kolonës, që të dukemi më keq se robërit gjermanë në këtë qytet ku ka shumë të tillë.
Me paraqitjen tonë, edhe populli mund të arrijë të na qëllojnë me ndyrësirat që ka rruga. Sepse edhe në popull ekziston një urrejtje e dukshme kundër shqiptarëve” (f. 79).
Pra, në radhët e popullit serb “ekzistonnjë urrejtje e dukshme kundër shqiptarëve”, ndërkohë që kryeservili i Beogradit Enver Hoxha shtrembëronte të vërtetën, duke i rokanisur kokën opinionit publik për të ashtuquajturën dashuri të popujve të Jugosllavisë për shqiptarët.
Madje mashtrimi i Enver Hoxhës me parullën e një “dashurie” të tillë, arrinte deri në nivelin e paturpësisë. Asokohe ai deklaronte:
“...Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshalit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe.
Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugosllavia...
Po të studjojmë historinë e vërtetë të popullit tonë.., do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë.(Citohet sipas: “Enver Hoxha për miqësinë me sllavët, sulmon Fishtën”. Faqja e internetit “Peshku pa ujë”. 06 dhjetor 2012).
Me këtë deklaratë, shërbëtori i Beogradit Enver Hoxha merrte përsipër rolin e një falsifikatori të pacipë të historisë. Sepse e vërteta qëndronte krejt ndryshe.
Në njërin nga Portalet me fymëzim nacionalist është dhënë ky informacion:
“Shkrimtari hebre Leo Freundlih, me banim në Vjenë, është njëri ndër intelektualët e paktë që mbajti koleksionin e të gjitha gazetave të mëdha të kohës që tregonin mbi shfarosjen e së paku një gjysmë milioni shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913.
Libri i tij “Akuza që ulërijnë” është dëshmia e parë për shfarosjen kolektive të një populli evropian para atij hebraik. Mbi 250 mijë shqiptarë të masakruar vetëm në veriun etnik të Shqipërisë gjatë vjeshtës e vitit 1912” (Citohet sipas: Vrasja e 500 mijë shqiptarëve nga serbët, si u gjet libri i austriakut, botuar më 1913”. Faqja e internetit “Syri”. 18 mars 2018).
Kopjen e vetme të librit të lartpërmendur, studiuesja Safete Juka, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e pati zbuluar në vitin 1982 në bibliotekën e Universitetit të Harvardit.
Kishte shumë të drejtë Profesor Rasimi. Sepse serbët, që t’i rikthehem mendimit që shprehja më lart, e kanë tradicionale urrejtjen ndaj shqiptarëve, që asokohe kur pararendësit e tyre, të zhvendosur nga stepat ruse, kaluan Danubin dhe hynë në territoret e Ilirisë.
Ilirët, të dalluar për mikritjen e tyre naive, në vend që t’i mbronin trojet e veta amtare, lejuan që ato t’ua rrëmbenin pak e nga pak ardhacakët sllavë, duke i shtyrë gjithnjë e më shumë drejt jugut, derisa, në bashkëpunim me grekët nga jugu, t’ua katandisnin trojet në gjendjen tragjike të ditëve tona.
Serbët nuk krijuan kurrfarë respekti për iliroshqiptarët, paçka se këta u liruan trojet amtare. Sepse për njerëzit e pazotë nuk ka kush respekt.
Madje për ta të tjerët ushqejnë përbuzje, deri në neveri. Sepse iliroshqiptarët zotësinë e tyre e manifestonin me forcë vetëm në luftë kundër njëri-tjetrit, në smirën dhe në dashakeqësinë që ushqenin ndaj njëri-tjetrit, çka binte në sy më së miri në përplasjet mes principatave ilire, të cilat kërkonin t’i hanin kokën njëra-tjetrës.Përkundrazi, duke e nuhatur mirë natyrën e tyre përçarëse, me pasojë pazotësinë për t’i mbrojtur vatrat e veta, në qenien e serbëve erdhi e u kristalizua me kohë psikologjia e shpërfilljes dhe e urrejtjes ndaj iliroshqiptarëve, një urrejtje kjo, e cila ka ardhur eështë ngritur deri në nivelin e neverisë.
Librin e ka redaktuar shkrimtari i njohur Vullnet Mato.
Ai është edhe autor i parathënies, në të cilën i ka bërë një “skaner” të mrekullueshëm karakterit mjaft burrëror të Profesor Rasimit.
Santa Barbara, Kaliforni...
12 dhjetor 2019
No comments:
Post a Comment