2019-12-12

VENDLINDJA E MUNGUAR

Rezultate imazhesh për resmi osmani
Nga Resmi Osmani

Sa herë kam ditlindjen, por jo vetëm,kujtohem edhe për vendlindjen. Është një dukuri natyrore.Nënat diku na lindin. Ajo është vendlindja jonë, që na shkruhet në dokumentat e identitetit dhe që ne e përmendim sa jemi gjallë. Piskama ime e parë që lajmëroi ardhjen time në jetë, u dëgjua në pesë maj të njëmijë e nëndëqind e dyzetës në një shtëpi të gurtë dykatëshe të ngritur në kodër, të lagjes Dobrat të fshatit Mazrek në Çamëri. Atje hodha hapat e parë, shqiptova nënë dhe babë, u bëra kater vjeç.Ç’farë mbaj mend? Shtëpinë e madhe që zbardhte nga gëlqëeja, Avllinë e gurtë, rreth së cilës gumzhinin kosheret e bletëve,ullinjtë, fiqtë , dardhat, bajamet dhe shegët në yrtin jashtë avllisë dhe më tej kodrat e lagjeve të tjera që rrethonin fushën e Mazrekut ku kishim arat….. U shperngulëm me dhunë.Babain e vranë zervistët një ditë terrori dhe maskrash të përgjakshme në Filat, para syve tanë.Ishte tridhjet e dy vjeç. Atë ditë vranë e masakruan shtatëdhjet e kater burra.I bënë kurban për megalidenë. Nuk e dimë,nëse i varrosën apo i lanë pre për egërsirat. Vendlindja mbeti e braktisur përtej kufirit.

Kur hym në Shqipëri, pas shumë bredhjesh, përfunduam në një fshat të myzeqesë së Fierit, që quhej Havaleas. Aty kalova vitet e fëmijërisë dhe fillimit të pragrinisë. Me shumë halle pa gëzime. I kujtoj ato vende, ashtu si I përfytyroja atëhere me fantazinë fëminore: retë në qiellin vjeshtor si ca kuaj ajrorë të azdisur, shiun si lotët e zemërimit qiellor, kodrën si një mal të lartë, fushën si një hapësirë të pafund gjer në bregdet, arat me grurë dhe luledielli me kaptinëzat e arta, shkollën e vogël në një kodër, mes pyllit dhe varreve në dhomat e kishës, tingëllimin bubullues te kambanave dhe nderimin deri në adhurim për mësuesit, bashkënxënësit, shokët dhe shoqet. Por(ah kjo por) ne nuk ndjeheshim mirë. Vendësit ne na quanin ardhacakë, muhaxhirë came.Paçka se të njëjtit komb për ta ishim njëfarsoj të huaj, disi të ndryshëm prej tyre, nga tjetër vend, me tjetër dialekt me ca të tjera zakone. Që s’bënin krushqi e miqësi me ne, as na merrnin as na jepnin vajzat. E ndjeja, ai fshat s’ishte vendlindja ime.Thjesht,ishte një vend ku na kishte hedhur për të jetuar furtuna e jetës.

Fier,1952-1958. U shperngulem nga fshati. Qyteti në fushë, lumi Gjanicës në mes, ndertesa të ulta, veç dy ndërtesa të larta, djathtas lartohej kambanarja e kishës së Shengjergjit, në të majtë fabrika e miellit e Nebi Gjatës. Afër qëndrës në të djathtë të rrugës së Semanit, tregu I çertexhinjve(çikrrimtarëve dhe bakallëve.) Për mua që vija nga fshati, qyteti ishte botë e re, me plot të panjohura, që nisa ti zbuloja ditë pas dite.Sido i veshur varfërisht dhe i kequshqyer, s’ju ndava shkollës. Mësoja me zell.Mësuesit ishin të kënaqur. Dy ishin zbulimet e para: biblioteka dhe Shtëpia e Pionierit, të vendosura në dy ngrehina të bukura. U antarësova. Nisa të lexoj si i babëzitur, ç’të më binte në dorë.Librat më fusnin në një tjetër botë, ndryshe nga ajo që jetoja, më nxisnin fantazinë dhe përfytyrimin,ta shihja me tjetër sy jetën. Një shok që zura ato kohë, e kishte patur të atin librashitës dhe kishte në shtëpi një bibliotekë të tërë. Atij i mora Kontin e Montekristos,Urën e Psherëtimave dhe sa e sa libra te tjera, që për kohën ishin të ndaluara.Në Shtëpinë e Pionierit u regjistrova në rrethin e letërsisë.Vitet iknin, rritesha, hyra në moshën e rinisë, rrethi i shokëvë u zgjerua, shëtisnim neteve me hënë, fantazonim dhe ëndërronim, na u zgjua dëshira për të zënë shoqe dhe në zemër regëtiu ajo ndjenja e vagullt molisëse që I paraprin dashurisë……. Shumë kujtime, e si mund të harrohen ngjarjet, shoqëria, ëndërrat dëshirat, përsiatjet, fantazitë, përfytyrimet e së ardhmes e asaj që ishte mosha e rinisë që e përjetova në qytetin e Fierit? E doja, por e ndjeja, e përjetoja, ai ishte qyteti i vendbanimit, por jo i vendlindjes, rrënjët e familjes dhe fisit tim ishin gjetk. Për vendësit ne ishim të ardhur nga Çamëria, disi ndryshe prej tyre, të ardhur nga një vend i panjohur për ta. Sidoqoftë, atje është një fragment i jetës sime, i viteve të rinisë së hershme.

Vitet 1958-1963. Studimet në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë.

Pas diplomimit, mora emërimin në Berat. Berati mu shfaq si qytet i ëndërrt, Mangalemi me shtëpitë njëmbinjë, Gorica, ura e gurtë me harqe, Gorica matanë lumit, kalaja, qyteti me bukuri të veçantë. Punova në Fidanishten e Ullirit në Otllakë, rreth katër kilometra nga qyteti. Ishte një qytezë e vogël, me familje të ardhura nga Skrapari dhe malësitë e Beratit. Bëheshin rreth 120 puntorë. Me ‘ta punova një dekadë. U lidha ngusht, më donin dhe i desha, i mësova dhe më mësuan.Më kujtojnë dhe I kujtoj sot e kësaj dite. Fidanat e prodhuar të ullirit i kapërcejnë dy milion. Me ‘ta janë gjelbëruar kodrat e Beratit, Fierit, Lushnjes e deri në sarandë e shkodër. Me fidanat e drufrutoreve u mbollën pemëtore e plantacione. Ata janë edhe pjesë e punës, dijes dhe aplikimeve tekniko-shkencore të mijat. Sa herë më vjen rasti dhe i shoh ,nuk mund të mos më kujtohen vitet e asaj pune të frytshme, që transformoj pamjen e kodrave dhe krijoi një peisazh të ri. Aty u rrita profesionalisht, nisa kërkimet dhe studimet shkencore, aplikimin e teknikave të reja bashkëkohore. E desha dhe përmallohem për Beratin. Aty krijova familje, më lindën dy djemtë e mi, ai është vendlindja e tyre, por….Jo e imja.

Tirana dhe e gjithë Shqipëria.Më 1976 u transferova në Tiranë. Ka 43 vite që jetoj në kryeqytet, e ndjej veten kryeqytetas, pjesë të tij, por jo “Tirons”.Për hir të detyrave që kam ushtruar, i kam rënë vendit kryq e tërthor,gjurmët e mia kanë mbetur nga Vermoshi në Konispol, nga perëndimi në lindje, kam bërë miq e shokë, por qoftë edhe si me shaka nuk rrinin pa më thënë: ah ti çam… Dhe unë e ndjeja që më mungonte vendlindja. Për arsye pune e shërbimi, që në vitet 80-të e më pas, pashë disa kryeqytete, qytete dhe krahina në hapsirën europiane dhe afrikane: Paris, Romë, Madrid, Budapest, Bruksel, Ameterdam, Stamboll, Beograd,Sofje, Algjer, Tunis, Vjenë, Frankfurt. Më pëlqyen, admirova bukuritë e tyre. Por sa kalonte java, më ngrihej mendja për Shqipërinë. Pa dashur të hiqem si ndonjë patriot i madh, asnjëherë nuk më shkoi ndërmend të qëndroja përgjithmonë në ndonjerin prej tyre. I bëja vetes dhe bashkëshokëve pyetjen: kur do të arrijmë edhe ne ta bëjmë Shqipërinë tonë si gjithë Europa? Në kthim, kur nga dritaret e avionit shihja fushën e ultesirës sonë bregdetare, më kapnin emocionet dhe kur prekja pistën e Rinasit, ku më prisnin ime shoqe dhe fëmijët, ndjehesha i ngazëllyer. Më mungonte vendlindja, por jo Atdheu, Shqipëria, që sido që është, është dashuria ime.

Nuk jam nga të vetmit që u mungon vendlindja. Ajo u mungon edhe afro një million bashkatdhetarëve që kanë mërguar nëpër botë,por ndryshe nga mua, kur përmallohen ata vijnë dhe çmallen.

Vendlindja ime e munguar.Ti je në lagjen Dobrat të Mazrekut në Çamëri. Unë nuk mund të vij në ty edhe pas hapjes së kufijve dhe lëvizjes së lirë.E kam të shkruar në pasaportë: vendlindja Çamëri. Qeveria greke, nuk e njeh këtë emërvend! Kanë ardhur nipërit e mi. Shtëpia rrënuar e vidhisur, ka mbetur vetëm qemeri i gurtë. Të shumtat e pemëve të thara dhe yrti i mbushur me driza e ferra.Më kanë sjellë prej andej një gur nga muret e rrënuar. Ai gur, për mua, është më I shtrenjtë se një diamant. Vendlindje e mbetur shkretë.Edhe ashtu siç je: një mall e brengë e pafashitur.



Prof.dr. Resmi Osmani , lindi më 05.05.1940 në Mazrek të Çamërisë.Pas masakrave zerviste të viteve 1944-45 dhe vrasjes së të atit, u shpërngulën në Shqipëri .Arsimin fillor, shtatvjeçar dhe atë të mesëm e kreu në qytetin e Fierit. Në vitin 1958, hyri në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë,sot Universiteti bujqësor, dhe u diplomua agronom në degën e pemëtarisë. Pas diplomimit, më 1963,u emërua në Berat, fillimisht gronom sektori në Ndërmarrjen Bujqësore Berat, më pas drejtor I Stacionit Bujqësor dhe kryeagronom I NB Beratit. Në vitin 1976, u transferua në Ministrinë e Bujqësisë në Tiranë, me detyrë kryespecialist dhe më pas drejtor drejtorie. Në vitin 1991, sekretar shteti në Qeverinë e Stabilitetit, më pas drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Bujqësisë në po atë Ministi dhe së fundi këshilltar i ministrit të bujqësisë. Në vitin 2006 doli në pension.
Përveç detyrave administrative, është angazhuar që heret në veprimtarinë kërkimore shkencore, kryesisht në fushën e pemëtarisë, mësimdhënies në kurset pasuniversitare në Universitetin Bujqësor dhe udhheqje shkencore të aspirantëve për doktoraturë. Anëtar i këshillave shkencore dhe bordeve të disa institucioneve kërkimore shkencore dhe arsimore. Për kërkimet shkencore, mësimdhënëse, dhe botimet e shumta, ka mbrojtur dhe është atestuar me këto grada dhe tituj shkencorë(Doktor i shkencave,1985,Docent, 1992;Profesor i asociuar, 1995
Profesor, 1999)

Vetë dhe me bashkautorë, ka këto botime shkencore e profesionale në fushën e bujqësisë dhe kryesisht ato të specialitetit të pemëtarisë:

-Krasitja e pemëve,1973
-Krasitja e ullirit,1983
- Pjeshka, 1986
-Njohuri për Ullirin, 1988
-Pemtaria, tekst për fakultetin e agronomisë, 1989
-Pemët drufrutore, tekst për shkollat e mesme bujq., 1991
-Manuali I ullishtarit, 2002
-Luleshtrydhja, 1994
-Shërbimet gjithvjetore të ullirit,1988
-Kultivimi modern i mollës, 2004
-Pemët subtropikale gjetherënëse,2006
-Agrumet në ultësirën bregdetare perndimore,2005
-Pemëtaria dhe vreshtaria në Shqipëri dhe në Kosovë,
Bashkautor, 2016.
Antar i redaksisë së bujqësisë për “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, autor i 34 zërave. Ka qënë I angazhuar ne referime shkencore në simpoziume dhe konferenca shkencore, në vlerësime dhe oponenca disertacionesh,biseda në radio-televizine etj.Ka shkruar mbi 300 artikuj problemorë e shkencorë në organet e specializuara brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrës në disa konferenca nderkombëtare për ullirin dhe pemtarinë në Turqi, Itali, Francë,Bullgari, Greqi, Hungari, Bruksel etj. Është antar i Shoqatës Ndërkombëtare të Hortikulturistëve me qendër në Bruksel.
Pas daljes në pension, Prof.Resmi Osmani iu përkushtua krijimtarisë letrare, që ka qenë një nga dëshirat e tij të hershme. Ka lëvruar prozën e gjatë, romanet historikë tregimin, esetë, kritikën dhe estetikën. Ndër botimet duhet përmendur kolana romanore “Libri i mbretërve”
Botimet në fushën e letërsisë, për periudhën 2004-2019 përfshijnë;
-Jeta e Bedri Lumanit, biografi e letrarizuar,2004
-Lule në gur, roman biografik për Todo Gjermanin,2008
-Bisedë me shokët, 2009
-Mbretërimi i Pirros së Epirit, roman,2010
-Edhe yjet vdesin. Tregime, 2011
-Bilal Xhaferi poet i shpirtrave njerzorë esse, 2010
-Aleksandri i madh i Maqedonisë-miti dhe njeriu, 2011
-Ëndrrat e ngrira të Enver Kushit, esse,2012
- Mbretëresha Olimpia , roman, 2012
- Koha e çudirave, roman ,2013
- Fajin e kishte hëna,tregime, 2014
-Teuta e Ilirisë, roman, 2014
- Letër Mbretit, tregime, 2014
- Ditët e sprasme të mbretit Gent, novelë, 2014
- Andrea Topia dhe princesha Helena, roman,2019
- Pas Trojës, roman, 2019
- Tri novela, novela, 2019
Krijimtaria e tij është pritur mirë dhe është vlerësuar nga kritika letrare.
Po përgatit për botim një vëllim me 50 tregime dhe një libër tjetër me ese dhe publicistikë.

No comments:

Post a Comment

Dhuna Politike në Dardani ...

Kërko brenda në imazh Gazi lotsjellës e koktej-molotovët janë dhunë politike, vlerësonte  ish ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie....