Adem Demaci: Eksperimenti politik ndërkombëtar me Kosovën


Adem Demaci: Eksperimenti politik ndërkombëtar me Kosovën


(VERSIONI I SHKURTUAR)


Çështja e Kosovës, pikërisht në këto kohëra të vështira, meriton një analizë paksa më të zgjeruar e më të thelluar. Sepse procesi i marrjes me Kosovën, të shumë faktorëve të afërt e të largët, ka histori të gjatë dhe ka filluar para gati një shekulli. Ja disa segmente të këtij procesi:1. Okupimi i Kosovës nga ushtria monarkiste serbe, tetor 1912. 2.Vendimi i Gjashtëses së asaj kohe, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Austro-Hungaria dhe Rusia, janar 1913, me ç’rat u vendosën kufijt e Shqipërisë së cunguar londineze, duke lënë nën pushtimin e Serbisë pothuaj 20.000 km.katror tokash shqiptare. 3. Pushtimi i Kosovës nga Ushtritë austrohungareze e bullgare, më 1914. 4. Pushtimi i dytë i Kosovës nga ushtria serbe më 1918. 5. Njohja e këtyre pushtimeve serbe nga Konferenca e Versajës, 1918-1919. 6.Pushtimet e ushtrive italiane, gjermane e bullgare të Kosovës e të Iliridës, më 1941. 7.Pushtimi i tretë i Kosovës nga ushtria serbe më 1945 deri te tërheqja e forcave ushtarako-policore serbe, qershor 1999.

Ky proces, që merret me përcaktimin e fatit politik të Kosovës, po vazhdon pa u ndalur. Këto që shohim ne si ngjarje e veprime të shkëputura, në të vërtetë, janë vetëm segmente të të njëjtit proces. Në këtë proces të gjatë e të mundimshëm shqiptarët u munduan që të mbroheshin nga pushtimet, asimilimet dhe çfarosja, ndërsa, në anën tjetër, regjimet serbe bënë çmos për të pushtuar dhe për të serbizuar Kosovën duke mos ngurruar edhe nga eliminimi fizik i shqiptarëve nga Kosova me të gjitha mjetet e mundëshme.

Gjatë periudhës 1912 – 1999, populli i Kosovës ka përjetuar të zitë e ullit. Por, me këtë rast, shumë fluturimthi, do të merrem vetëm me fazën e këtij procesi që përfshinë vjetët 1999 – 2004.



PROJEKTI PËR RIKTHIMIN E KOSOVËS NËN PUSHTETIN E SERBISË (1999-2004)



Për shkak të dobësisë së sajë, rreth Kosovës prore janë ndërlidhur e fokusuar edhe interesa të shumta të fuqive ndërkombëtare. Për shkak të dijes së kufizuar politike dhe për shkak të infiltrimit të madh të agjenturave serbe dhe të atyre ndërkombëtare, udhëheqjet politike shqiptare, pothuajse gjithmonë, zgjodhën aleatë të gabuar e humbës, ose të atillë që nga “aleatë” u shndërruan në pushtuesë. Ndërkaq, kjo nuk mund të thuhet për palën serbe. Vetëm në kryengritjen e vet çlirimtare, në luftën e fundit me Serbinë, shqiptarët u orientuan kryesisht drejt. Këta kërkuan mbështetje tek amerikanët dhe europerëndimorët. Ndërsa serbët, të drejtuar nga Millosheviqi e Shesheli, gabuan.

Mirëpo, në momentet më vendimtare, udhëheqja e kryengritjes çlirimtare të Kosovës, vlerësoi gabimisht situatën dhe vendosi të bëhej pjesëmarrëse në projektin e bisedimeve Rambuje – Paris me të cilin për Kosovën parashihej një autonomi “substanciale” nën sovranitetin e integritetin e shtetit serb. Me këtë hap të pamatur, katër kosovarë, pa autorizimin e kosovarëve tjerë sepse prej tyre fshehën esencën autonomiste të Marrëveshjes Rambuje-Paris, shkelën Deklaratën e 2 Korrikut 1990, hodhën poshtë Kushtetutën e Kaçanikut të 7 Shtatorit 1990 dhe vunë në dyshim vendimin politik për pavarësi të popullit të Kosovës të shprehur në Referendumin gjithëpopullor të vitit 1991. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambuje-Parisit lufta çlirimtare për liri, pavarësi e demokraci u degradua në konflikt të brendshëm qytetar në ish-Jugosllavi. Me këtë kthesë, thellësisht të gabuar politike, procesi i përcaktimit të statusit politik të Kosovës mori rrugën e rrezikshme autonomiste.

Meqë Serbia, në krye me Millosheviqin e Sheshelin, refuzoi të nënshkruante një marrëveshje kaq të favorshme për të, siç ishte marrëveshja e Rambuje-Parisit, aleatët perëndimorë, anëtarë të NATO-s, nën udhëheqjen e amerikanëve e të anglezëve, filluan bombardimet mbi forcat dhe objektet serbe. Ky moskooperim i palës serbe me palën euroamerikane hapi një shans për një kthesë në favor të kosovarëve, por edhe ky shans, për mungesë të dijes së duhur politike, nuk u shfrytëzua.

Pas 78 ditë luftimesh midis forcave të NATO-s dhe UÇK-së, në njërën anë dhe të forcave serbe në anën tjetër, Serbia ndërpreu rezistencën ushtarake dhe, në Kumanovë, pa pjesëmarrjen e UÇK-së, u nënshkrua Marrëveshja ushtarake-teknike midis Forcave të NATO-s dhe Forcave ushtarake të Serbisë.

Me mosftesën e UÇK-së në nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarake-teknike të Kumanovës, u bë publike ajo që ishte nënshkruar në Rambuje-Paris se UÇK-ja nuk trajtohej si palë ndërluftuese. Ky ishte një shenj i qartë se, atëherë e tutje, Kosova dhe kosovarët trajtoheshin si objekt, kurse Forcat e NATO-s dhe Forcat ushtarake serbe u shndërruan në partnerë.

Pas Marrëveshjes së padukshme të Rambuje-Parisit, Marrëveshja Ushtarake-teknike e Kumanovës midis Forcave të NATO-s dhe Forcave Ushtarake të (Jugosllavisë) Serbisë, për ata që kishin sy e donin të shihnin, ishte hapi i parë i dukshëm drejt imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi.

Hapi i dytë i dukshëm i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Aty është shumë qartë e shkruar se Kosova njihet si territor nën sovranitetin e integritetin e Jugosllavisë (Serbisë), sikundër që ishte e është e shkruar në Marrëveshjen e Rambuje-Parisit.

Hapi i tretë i dukshëm i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ashtu si shkruante edhe në Marrëveshjen e Rambuje-Parisit dhe në Rezolutën 1244 të KSOKB-së, ishte demobilizimi i UÇK-së - ushtri dhe shndërrimi i saj në organizatë civile nën emrin e madh, por mashtrues, në TMK (Trupat Mbrojtëse të Kosovës – nga zjarret, vërshimet dhe tërmetet eventuale). Dihet nga të gjithë se ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetësisë së një vendi.

Hapi i katërt i dukshëm, në përcaktimin e statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte ndërtimi, funksionet dhe autorizimet fort të kufizuara të Shërbimit Policor të Kosovës. Me autorizimet jo krejt të plota as në trafik, ky shërbim mbeti shumë larg asaj çka i duhej dhe që i duhet Kosovës me një mijë probleme në fushën e sigurisë qytetare. Ky shërbim ka numër mjaft të madh kuadrash, por po tregon efikasitet fort të vogël. Sepse kësaj policie nuk i lejohet, sepse nuk i besohet, që të krijojë rrjet të gjerë e të fortë informimi nga qytetarët. Dhe, pa këtë, ky shërbim mbetet forcë vetëm në sipërfaqe të shoqërisë dhe pa informata të thella, të shpejta e të sakta, falë të cilave do të parandalonte e do të zbulonte bartësit e të gjitha llojeve të krimeve që kanë vërshuar Kosovën. Këtij shërbimi nuk i njihen kompetencat esenciale të vendimmarrjes dhe të komandimit të pavarur. Kjo është kështu sepse, strategët që kanë gjithë pushtetin mbi Kosovën, kanë frikë se mos krijohet ndonjë forcë kosovare e cila do të pengonte realizimin e Rezolutës 1244 të KSOKB-së, përkatësisht të rikthimit të Kosovës nën pushtetin serb.

Hapi i pestë i dukshëm, në imponimin e statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, është Shërbimi gjyqësor i Kosovës. Me dhjetëra mijëra lëndë gjyqësore që kanë marrë formën e përfunduar juridike kanë mbetur të paekzekutuara. Përse? Sepse shërbimi ekzekutues i gjyqësisë kosovare ka mbetur i pakonsoliduar. Në gjyqe dominojnë dhe fjalën e fundit e kanë kuadrot e sjellura nga jashtë dhe mjafton të shfletohen disa botime të dala nga institucioni i Ombudspersonit që të shihet se çfarë ka ndodhur e çfarë po ndodhë me gjyqësinë kosovare. Dhe, kur të dihet se gjyqëtarët dhe prokurorët e jashtëm janë mbi ligjet e Kosovës, atëherë s’ka çfarë të thuhet më shumë për këtë shërbim tejet të rëndësishëm.

Hapi i gjashtë i dukshëm, në imponimin e statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, janë edhe marrëdhëniet e pamundëshme diplomatike të Kosovës me botën.

Ka përpjekje që kjo të kamuflohet me disa premtime e propozime, por të gjitha ato nuk janë ato çfarë i duhen Kosovës. Kosovarët nuk kanë leje as të informojnë zyrtarisht botën për të vërtetën e Kosovës, as të marrin pjesë në takimet ku bëhet fjalë për Kosovën, as të mbrohen nga shpifjet dhe manipulimet e shërbimit diplomatik serb. Sepse, Kosova, sipas Marrëveshjes së Rambuje-Parisit dhe Rezolutës 1244 të KSOKB-së, nuk është shtet, as nuk guxon të bëhet shtet.

Hapi i shtatë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovës nën Serbi, është mosekzistimi i kufijve shtetëror midis Kosovës dhe Unionit Serbi-Mali i Zi. Ekonomia e Kosovës është fare e pambrojtur nga depërtimi i të gjitha llojeve të mallërave të pacertifikuara e të pakontrolluara nga Serbia dhe nga të katër anët e botës. Në këtë mënyrë edhe destimulohet prodhimtaria e vendit deri në përmasa të tejme.

Hapi i tetë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte dhe është e drejta e partive të Serbisë që të mund të organizojnë e zhvillojnë zgjedhjet e tyre edhe në territorin e Kosovës. Kjo, besoj se është aq e tejdukshme, aq e prekshme, aq therrëse saqë s’ka nevojë për ndonjë koment. Le të tentojë, për shembull, Shqipëria të organizojë zgjedhjet e veta lokale e parlamentare edhe në territorin e Kosovës dhe do të shihej se çfarë “skandali” politik do të ndodhte. Për strategët e rikthimit të Kosovës nën pushtetin serb, një hap i tillë do të ishte “kijameti i Zotit”!

Hapi i nëntë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, janë të drejtat e shumta të rezervuara për të Dërguarin special të KS të OKB-së. Ai ka të drejtë vetoje për çdo vendim që mund të merret nga vendorët e që ai e konsideron në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KSOKB-së. Ai ka të drejtë të shpërndajë edhe Kuvendin e Kosovës nëse nuk i bindet. Ja, vetëm para disa ditësh, u bë e ditur se Këshilli i Sigurimit, me kërkesën e të Dërguarit Special të KSOKB-së për Kosovën, ka vendosur që në Kosovë të votohet sipas listave të mbyllura. Edhe kjo, besoj nuk ka nevojë për ndonjë koment të gjatë. Në Kosovë, kinse ndërtohet demokracia me metodën më jodemokratike të votimit. Me lista të mbyllura, për në Kuvendin në “saksi” të Kosovës, (shpër)blehen e favorizohen liderët e dëgjueshëm të partive, kurse këta të fundit (shpër)blejnë e favorizojnë ithtarët e vet të dëgjueshëm duke ju ndarë poste e kolltuqe. Në këtë mënyrë grumbullohen karrieristët jokompetentë në pushtetin marionetë të cilët, sa e sa herë, kanë dhënë prova se interesin e Kosovës e kanë brengën e tyre të fundit.

Hapi i dhjetë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte dhe është pengesa që Kosova të ketë kodin e vet të telefonisë fikse dhe të jetë pronare e vërtetë e hapësirës telefonike edhe për telefonat celularë. Dihet nga të gjithë që, edhe sot e kësaj dite, telefonia fikse e Kosovës është e lidhur me botën vetëm përmes kodit të ish-Jugosllavisë të cilin e ka trashëguar Serbia. Kjo po ndodhë edhe me kodin bankar-finansiar të Kosovës i cili detyrimisht po lidhet me kodin finansiar të Serbisë. Gjithashtu, targat e automjeteve me regjistrim të Serbisë dhe të Malit të Zi kanë qasje të lirë në territorin e Kosovës, ndërsa automjetet me targat kosovare nuk lejohet që të kalojnë në territorin e Serbisë. Kjo është aq e qartë saqë çdo koment është i tepërt.

Hapi i njëmbëdhjetë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte dhe është Korniza e Përkohshme Kushtetuese e Kosovës me të cilën u formuluan juridikisht të gjitha padrejtësitë që u ushtruan dhe që po ushtrohen mbi Kosovën dhe Kosovarët.

Hapi i dymbëdhjetë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte dhe është ngritja e një mekanizmi të quajtur Agjensia Kosovare e Mirëbesimit e cila ka të gjitha të drejtat për privatizim dhe që disponon me të gjitha pasuritë shoqërore e shtetërore të Kosovës në mënyrë kriminale. Në mënyrë kriminale, sepse kjo Agjensi iu përmbahet ligjeve kriminale të nxjerra nga regjimi kriminal i udhëhequr nga kriminelët Millosheviq e Sheshel në kohën e tyre.

Dhe tash, pas të gjitha këtyre argumenteve të lodhshme që u numëruan, është fare lehtë të kuptohet se çfarë, në të vërtetë, ishte strategjia e roli i administrimit të UNMIK-ut mbi Kosovën. Të gjitha këto rrethana, që u numëruan dhe që nuk u numëruan më lart, janë trajtim i Kosovës dhe kosovarëve në frymën e adaptimit dhe, hap pas hapi e dalngadalë, të pajtimit të tyre me statusin autonom nën Serbi. Pra, strategjia e UNMIK-ut ishte dhe është që Kosova e kosovarët të vihen para aktit të kryer të autonomisë nën Serbinë. Këtë qëllim as administrata e UNMIK-ut nuk e ka fshehur asnjëherë, por ishin dhe janë udhëheqësit formalë të Kosovës të cilët e fshehën dhe po e fshehin përmbajtjen e qëllimin e vërtetë të Rezolutës 1244 të KSOKB-së për Kosovën. Dhe, prandaj, para se Kosova të pavarësohet standardet, për ndryshe parime të mrekullueshme dhe thellësisht humane, nuk mund të implementohen. Nuk mund të implementohen sepse nuk janë krijuar parakushtet reale, konkrete, objektive për implementimin e tyre. Dhe, ta përfundojmë këtë kaptinë, fajin për këtë nuk e kanë as qytetarët e Kosovës, as shqiptarët si shumicë dërmuese, por fajin e kanë ata që sajojnë projekte që janë në kundërshtim me ligjet e jetës; fajin e kanë UNMIK-u, KFOR-i, Kushneri, Hakerupi, Shtajneri e deri dje Holkeri që u munduan të implementonin detyra duke pasur në duar vetëm instrumentet e dhunës e të trysnisë dhe duke mos përfillur vullnetin politik të shumicës dërmuese të qytetarëve të Kosovës. Fajin e kanë liderët e gjorë, jokurrizor e formalë të Kosovës që marrin përsipër realizimin ose implementimin e standardeve që synojnë krijimin e një shoqërie ligjore pa i pasur ligjet në duart e veta; që marrin përsipër implementimin e standardeve që synojnë sigurinë, lëvizjen e lirë, veprimtarinë e papenguar punuese e krijuese, të drejtën humane për rikthimin në banesat, shtëpitë e trojet e veta të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa pasur në duart e tyre komandën e plotë mbi forcat e sigurimit; që marrin përsipër krijimin e një ekonomie të shëndoshë, dinamike e energjike të tregut, pa pasur në duart e tyre buxhetin e Kosovës, pa pasur në duart e tyre rrjedhat finansiare të Kosovës, pa psur në duart e tyre mekanizmin që rregullon privatizimin e ekonomisë kosovare; fajtorë janë liderët e mjerë, jokurrizorë dhe formalë të Kosovës që marrin përsipër implementimin e standardit të dialogut të domosdoshëm me Serbinë-shtet, ndërsa vetë janë tmerrësisht inferior dhe nuk janë shtet. Dhe, le të mos shkojmë më tutje se u bë mjaft.



PISK-u – PLANI për IMPLEMENTIMIN e STANDARDEVE për KOSOVËN


Ato që u thanë më lart ishin vetëm krijimi i rrethanave të jashtme politike e ndërkombëtare për rikthimin e Kosovës nën shtetin e Serbisë. Mirëpo, për të arritur këtë qëllim, duhet të ndryshohen edhe rrethanat e brendëshme. Dhe, projekti për të ndryshuar rrethanat e brendëshme kosovare është PISK-u, përkatësisht, Plani për Implementimin e Standardeve për Kosovën para se të shqyrtohet statusi politik i Kosovës.

Përse PISK-u para se të hapet shqyrtimi i statusit politik të Kosovës? Sepse statusi politik i Kosovës është përcaktuar me kohë, qysh me Marrëveshjen e Rambuje-Parisit midis katër shqiptarëve të Kosovës dhe ndërkombëtarëve(pa Rusinë). Sepse, Statusi politik i Kosovës është përcaktuar me Rezolutën 1244 të KSOKB-së. Prandaj – edhe u shpik “shul e veku” standardet para statusit. Sepse, në rrethanat e krijuara në Kosovë, kur i terë pushteti, realisht e faktikisht është në duart e ndërkombëtarëve, kur kosovarët faktikisht e realisht kanë vetëm pushtet formal, standardet e mrekullueshme evropiane nuk mund të implementohen në Kosovë. Sepse, nuk ka kush t’i implementojë. Sepse, shqiptarët si shumicë dërmuese, me masat që janë marrë, janë të penguar për ta bërë një gjë të tillë dhe pa shqiptarët nuk kanë si të implementohen standardet. Ja, psh. pika e parë e standardeve:

“Institucionet publike duhet të jenë përfaqësuese e demokratike”. Fare mirë, por si do të jenë institucionet demokratike e përfaqësuese kur ato nuk zgjedhen me lista të hapura, por me lista të mbyllura? Zgjedhësit zgjedhin partinë, kurse partia zgjedh për ata deputetët! Zgjedhësit zgjedhin Rugovën, ndërsa Rugova zgjedh shokët e vet. Zgjedhësit zgjedhin Thaçin, ndërsa Thaçi zgjedh shokët e vet. Zgjedhësit zgjedhin Haradinajn, ndërsa Haradinaj zgjedh shokët e vet! Pastaj, pika tjetër:

“Sundimi i ligjit është efikas dhe respektohet nga të gjithë”. Ligji është dhe mund të jetë efikas vetëm kur respektohet nga të gjithë. Por, ai, ligji do të respektohet nga të githë nëse ai, ligji, shpreh vullnetin e të gjithëve dhe nxiret sipas vullnetit e dëshirës së të gjithëve, ose, të paktën sipas vullnetit të shumicës së qytetarëve. Dhe, të gjithë e dinë se si nxiren ligjet e Kosovës. Mos vallë “Korniza Kushtetuese e Kosovës” është nxjerrë sipas parimeve demokratike? Jo. Pesëmbëdhjetë veta të emëruar si “Këshill Tranzitor i Kosovës” e kanë miratuar “ligjin mbi ligjet” të Kosovës! Pastaj, nëse çdo ligj që nuk është në përputhje me nenet e Rezolutës 1244 të KSOKB-së, nga i Dërguari special i KS të OKB-së, hidhet poshtë, kurse kosovarët mund “t’i bien kavallit”! Si mund të jenë demokratike ligjet e Kosovës nëse ato duhet të kalojnë nëpër “shtratin e Prokrustit” të Rezolutës 1244? Çfarë ka të bëjë e “drejta e vetos” me procedurën demokratike të nxjerrjes së ligjeve? Pika e tretë e standardeve:

“Të zhvendosurit të kenë të drejtë të kthehen nëse duan pa u penguar, kërcënuar e frikësuar”. Më mirë s’ka si të jetë! Por, të shohim, kush po e

shkelë këtë të drejtë të shejtë e humane të të zhvendosurve që të kthehen në shtëpitë, në banesat dhe tokat e veta? Tash pesë vjet, dy mijë e sa familje shqiptare e boshnjake të dëbuara nga Mitrovica e veriut nuk lejohen që të kthehen në banesat, në shtëpitë dhe në trojet e veta! Kush i dëboi dhe kush nuk i lejon që ata të kthehen? Bandat çetnike të udhëhequra nga sigurimcat e regjimit të Serbisë, nën qëndrimin prej statistëve të KFOR-it francez. Po, mirë, ç’bën UNMIK-u e KFOR-i lidhur me këtë çështje tash? Ç’bëjnë zotërinjt Solana e Grosman lidhur me këtë të drejtë të shenjtë të të zhvendosurve? Ç’bëjnë zotërinjt e KS? Vetëm bëjnë sehir duke përsëritur “standardet para statusit”! Apo ndoshta ata mendojnë vetëm për serbët e zhvendosur, apo ndoshta ata e kanë vetëm hallin e serbëve, ndërsa shqiptarët dhe boshnjakët e dëbuar i harrojnë? Kjo tregon qart se zotërinjt që shtrojnë realizimin e standardeve nuk e kanë seriozisht. Sepse, nëse mendojnë seriozisht, shumë më lehtë është që të fillohet me kthimin e të zhvendosurve nga Kosova në Kosovë, përkatësisht, nga Mitrovica e jugut në Mitrovicën e veriut sesa nga Serbia, ose nga dikah edhe më larg se Serbia, në Kosovë. Duke zgjidhur çështjen e Mitrovicës do të largohej dyshimi dhe do të rritej besimi te shqiptarët dhe do të shtohej gatishmëria e tyre bashkëpunuese për rikthimin e serbëve të zhvendosur. Por, jo. Qëllimi është që të shtrohen detyra që nuk mund të kryhen dhe pastaj të fajsohen shqiptarët. Dhe, pasi të fajsoshen edhe të dënohen. Të shohim pikën e katërt çfarë këkon:

“ Të githë individët, pavarësisht nga përkatësia etnike, të mund të udhëtojnë e të punojnë të sigurt dhe të mund të përdorin gjuhët e tyre gjithkund dhe në secilin institucion të Kosovës”. Më mirë s’ka si të formulohet edhe kjo e drejtë elementare njerëzore, kombëtare e etnike e humane. Dhe, me pak fakte, të shohim si qëndron puna me këto të drejta? A mund të shkonin shqiptarët, boshnjakët e turqit lirisht në Mirovicën e veriut? Jo. Kush nuk i lejonte? Bandat çetnike nën organizimin e sigurimcave të regjimit serb. Po a mund të lëviznin serbët nga Mitrovica e veriut në Mitrovicën e jugut? Po. I kam parë vetë dhe askush nuk i ngiste. A lëviznin serbët lirisht nëpër qytetet tjera të Kosovës? Po, lëviznin edhe në Prishtinë edhe në Fushë Kosovë edhe në Obiliq edhe në Prizren edhe në Gjilan edhe në Viti edhe në Kamenicë e le të mos flasim për Shtërpce, Graçanicë e Çagllavicë. Vet i kam parë. Po, kush e prishi këtë ballancë? Regjimi serb me trabantët e vet. Përse? Sepse e vlerësoj se mund të rrezikohet plani i rikthimit të pushtetit serb mbi Kosovën, ose plani i aneksimit të pjesëve tjera të Kosovës, sikundër që u bë me pjesën veriore të Kosovës e të Mitrovicës. Prandaj, ai regjim provokoi ngjarjet tragjike të voglushëve të Çabrës dhe bllokadën e padurueshme të Çagllavicës. Kjo ishte fare transparente. Për UNMIK-n e KFOR-in tragjedia e Çabrës nuk kishte ndodhur, por paska pasë qenë një trillim i shqiptarëve. Kjo paska pasë qenë vetëm një fatkeqësi. ( Si argument e marrin “faktin” se zotërinjt nuk i paskanë pasë gjetur askund kriminelët dhe qenin e ndërsyer mbi çunat fatzinjë të Çabrës! Sa keq që nuk i paskanë pas pritur në vendin e ngjarjes! Të paktën qeni të kishte pritur!) Kurse bllokada katërditëshe e arterjes kryesore rrugore të Kosovës, paska pasë qenë një punë krejt normale dhe prandaj zotërinjt e UNMIK-ut e të KFOR-it, për tri ditë rresht, vetëm bënë sehir dhe nuk intervenuan derisa u bë krejt vonë. Pra, si mund të përmbushet standardi i lëvizjes së lirë nëpër Kosovë kur regjimi i Beogradit, në bashkëpunim me trabantët sheshelistë në Kosovë, mund të organizojë incidente të këtilla tragjike, kur të dojë e ku të dojë? Sa i përket përdorimit të gjuhëve, kushdo që do, mund të bindet duke parë tabelat e trafikut rrugor edhe në gjuhën serbe, duke shikuar televizionin publik edhe në të gjitha gjuhët e minoriteteve përfshirë edhe serbishten, duke dëgjuar me dhjetra radio-stacione lokale serbe gjithandej Kosovës. Në asnjë institucion të Kosovës nuk pengohet përdorimi i gjuhës serbe. Por, nuk është për t’u habitur që regjimi i Beogradit nuk don ta shohë këtë të vërtetë, mirëpo është për t’u habitur që edhe disa miq tanë ndërkombëtarë bëhen sikur nuk e shohin këtë realitet. Por, ka edhe më. Pika e pestë kërkon edhe

“Një kornizë për një ekonomi funksionale tregu”. Dhe, ç’bëri UNMIK-u për këto pesë vjet që të krijohet kjo “kornizë e kërkuar ekonomike”? Fare pak. Aq pak sa që edhe pas pesë vjetësh Kosova nuk mund të furnizohet me energji stabile e të mjaftueshme elektrike nga burimet e vendit. Po çfarë do të ndodhë me synimin e zhvillimit të domosdoshëm të mëtutjeshëm ekonomik të Kosovës pa energji të mjaftueshme e pa ujë të mjaftueshëm? Këtë vetëm i Madhi Zot e di! Por, qëllimi i strategëve të rikthimit të Kosovës nën pushtetin e Serbisë pikërisht edhe është që Kosovën ta bëjnë sa më të varur nga importet nga Serbia. Ja, para pak ditësh u publikua raporti zyrtar i Bankës Botërore, i një institucioni autoritativ e neutral, nën titullin “Memorandumi ekonomik mbi Kosovën” në të cilin sillen të dhëna tmerruese. 52% e kosovarëve jetojnë në kufijt e varfërisë; 15% prej tyre posedojnë më pak se një euro në ditë, që konsiderohet tejkalim i varfërisë ektreme; rreth 37% e popullatës së Kosovës jetojnë me 1,42 euro në ditë që konsiderohet si varfëri klasike. Kurse bilansi i pagesave të Kosovës ka rezultuar si katastrofik: vetëm 4% e importit të Kosovës është mbuluar me eksport, që nënkuptohet se Kosova kishte bilanc negativ tregëtar me botën në shkallë prej 96%! Nuk besoj se mund të gjindet edhe një shembull më frapant i kësaj natyre në hapësirën evroaziatike.

Sipas disa informatave, që nuk kanë përse të jenë të trilluara, 80% të mallërave kryesore që shpenzohen në Kosovë kanë prejardhjen nga Serbia dhe shumica prej tyre kalojnë rrugëve sekondare e terciare dhe nuk certifikohen e nuk kontrollohen fare. Ndërsa vetë Kosova, memzi arrinë që nevojat e veta ushqimore, nga burime vendore, t’i plotësojë vetëm me 15%. Dhe, s’ka si të jetë ndryshe derisa më shumë se gjysma e sipërfaqeve të tokave bujqësore, arave e kullosave, ngelen ende të pa shfrytëzuara. Argumenti më i pikllueshëm është se UNMIK-u me “katër shtyllat” e veta të famshme, për pesë vjet sundimi në Kosovë, lejoi që papunësia në Kosovë të arrijë shkallë rekorde në hapësirat evroaziatke duke kaluar shifrën prej 60% të të papunëve ndër ata që janë të aftë për punë. Pastaj, kush e pengon zhvillimin normal të institucioneve bankare-finansiare në Kosovë? Serbia po se po, por edhe faktorët e UNMIK-ut janë duke përkrahur, gjithnjë e më hapur, shtetin e Serbisë. Kush po e imponon “Swift Kodin” e shtetit SMZ mbi bankat kosovare? Në Bordin përkatës finansiar treshi i nëpunësve të UNMIK-ut mbivotoi dyshin kosovar në favor të “Swift Kodit” SMZ. Kush po e pengon privatizimin në Kosovë? Serbia po, por edhe UNMIK-u që po kontrollon shumicën mbivotuese në AKM dhe që po zbaton ligjet kriminale të Serbisë, të nxjerra enkas për Kosovën nga kriminelët e asaj kohe në pushtet në Serbi. UNMIK-u është ai që po e bën të mundur që privatizimi, në një Kosovë me një ekonomi në fund të pusit, të zvarritet deri në kufijt e sabotimit. UNMIK-u, bashkë me Beogradin, po i bën të mundura “lojrat” e AKM-së me fatin e ekonomisë kosovare. Pra, ajo kornizë e dëshiruar ekonomike, për një zhvillim të mbarë e të shpejtë të ekonomisë kosovare, nuk mund të ndërtohet duke u hapur rrugën hileve e dallavereve të shtetit serb në kurriz të Kosovës. Dhe, këtë rrugë mund ta mbyllin vetëm ata që e kanë hapur. E ka hapur UNMIK-u me pushtetin e vet të plotë e të pakufizuar mbi Kosovën dhe vetëm ai edhe mund ta mbyllë këtë shteg. Nuk do të flasim për korrupcionet dhe tenderizmat formale që po luhen para syve të UNMIK-ut, i cili me pak përjashtime, po reagon në mënyrë shumë joefikase. Mirëpo, mos të harrojmë se UNMIK-u është vetëm instrument në duart e KS të OKB –së. Por, të shkojmë më tutje me standardet. Pika e gjashtë merret me porosi

“Për TMK-në, rekomandohen vetëm detyra rreptësisht civile”. Kjo edhe po ndodhë. Madje, para disa ditësh, nga KFOR-i u ndalua pjesëmarrja e TMK-së në një ceremoni krejtësisht të padjallëzi e formale mortore me rastin e varrimit të Nënës së Madhe, Ajshe Gërvalla, në fshatin Dubovikë. Por, si po dëgjohet, TMK-ja, as si organizatë me veprime civile, nuk do të lihet rehat. Po hartohen e po thuren “plane tërheqëse” që ajo të çthuret e në fund të zhbëhet. Sepse, strategët e rikthimit të Kosovës nën sundimin e Serbisë, po kanë frikë nga e kaluara kryengritëse e një numri të anëtarëve të TMK-së. Regjimi serb, po kërkon me këmbëngulje, që në Kosovë, të gjitha forcat potente liridashëse shqiptare të “tredhen” dhe të “hudumosen” para se ai ta shtjerë Kosovën përsëri në dorë. Mirëpo, edhepse me të vërtetë, forcat e UNMIK-ut e të KFOR-it janë të plotfuqishme në Kosovë, megjithatë Zoti është më i madh dhe më i fuqishëm se të gjithë. Apo, ka edhe të atillë që nuk e besojnë Zotin?! Por, le ta shqyrtojmë standardin e shtatë që bën fjalë për

“Dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit si rrugë e domosdoshme për zgjidhjen paraprake të të gjitha çështjeve kontestuese të ndërsjella, para se të shqyrtohet çështja e statusit politik të Kosovës”. Në dokumentet e Rambuje-Parisit dhe në Rezolutën 1244, nuk është harruar që të përmendet klauzola nga Marrëveshja e Helsinkit të vitit 1975 lidhur me ndryshimin e kufijve midis shteteve evropiane vetëm me marrëveshje të ndërsjellëta paqësore. Strategët e rikthimit të Kosovës nën sundimin serb, një herë për një herë, po insistojnë vetëm në dialogun e çështjeve “periferike”-“teknike” midis Prishtinës e Beogradit, por kjo është vetëm një “paralojë sa për t’u nxehur e joshur lojtarët”! Domosdoshmëria e standardit të dialogut Prishtinë-Beograd ka vetëm këtë kuptim thelbësor: t’ia bëjë të ditur Prishtinës se zgjidhja e statusit politik të Kosovës mund të bëhet vetëm me kompromis midis këtyre dy palëve. Dhe, zgjidhja kompromise me Serbinë do të thotë se çdo marrëveshje është e mundur, por vetëm pavarësi për Kosovën nuk ka dhe nuk mund të ketë. Operacioni fort i vështirë në këtë drejtim për t’i bindur kosovarët që të pajtohen me fatin e rikolonizimit të Kosovës nga Serbia ka filluar me masat e shumta që janë marrë deri tash e të cilat janë numëruar në pjesën e parë të kësaj analize. Tash, si e si, po kërkohet mundësia për të bërë edhe disa ndërhyrje “kirurgjikale”, substanciale në zemër të trollit të Kosovës. Dhe formula ka qenë e gatshme që moti, vetëm pritej që të piqeshin kushtet e rrethanat. Në emër të decentralizimit ose të qeverisjes lokale, regjimi serb doli me projektin për kantonizimin e Kosovës. Meqë termi kantonizim ishte fort transparent dhe zbulonte qëllimin përfundimtar të regjimit të Beogradit për të rrëmbyer copa tjera të tokës kosovare, strategët e taktikantët e politikës serbomadhe u dhanë pas trillimit të termave tjera më të “buta” në vend të “kantonizimit”. Mirëpo, edhe këto “fleksibilitete” hasën në njëfarë rezistence te disa liderë formalë të Kosovës. UNMIK-u duke parë se regjimi serb, nga ngutia, po zbulonte në mënyrë shumë të vrazhdë qëllimet përfundimtare të “boshnjakizimit” të territorit të Kosovës, doli me qëndrimin kundër kantonizimit. Mirëpo, djalli nuk po flente; ai po gërmonte nën tokë. Pas shpërthimit të provokuar të marsit i cili ishte organizuar e kalkuluar fort mirë nga Beogradi, çetnikët në skenën politike të Serbisë dolën me tezën e përtypur me vjet nga Dobrica Qosiqi se bashkëjetesë midis shqiptarëve e serbëve në Kosovë nuk ka dhe nuk mund të ketë! Sepse, kinse, pakica serbe qenka e rrezikuar nga shumica shqiptare, për vdekje! Prandaj duhet marrë masa urgjente që Kosova përsëri të coptohet dhe Kosovës t’i rrëmbehen edhe territore tjera sikurse që iu rrëmbyen Kosova veriore bashkë me Mitrovicën veriore. Dhe, projekti i gatuar prej vitesh, u nxor në shesh dhe u miratua si dokument zyrtar i Skupshtinës serbe. Ky dokument parasheh krijimin e Bashkësisë Serbe të Kosovës(e Metohisë) të sajuar nga pesë kantone, ose rajone, ose treva, s’ka rëndësi si do të thirren, por thelbi qëndron aty që në midis të Kosovës edhe ashtu të vogël, të krijohet edhe një mini shtet serb! Tash po kuptohet qëllimi i krijimit dhe i lejimit prej kohësh të krijimit të enklavave serbe gjithandej Kosovës. Synimi u shfaq haptazi: “Republika Autonome e Kosovës”, nga jashtë, të jetë e rrethuar nga shteti i madh serb, kurse nga brenda të jetë i kontrolluar, i frenuar dhe i provokuar, non-stop, nga mini-shteti “Bashkësia Serbe e Kosovë-Metohisë”. Me fjalë më të thjeshta, synimi është që të krijohet një “Kosovë-ferr” për shumicën shqiptare e cila, për shkak të rrethanave të padurueshme që do të krijoheshin, dalngadalë, por “me dashje dhe pa dhunë” do të shpërngulej nga trojet e veta dhe do të merrte botën në sy. Dmth. atë që nuk e arriti dot Millosheviqi me dhunën më të egër, Koshtunica do ta serbizojë Kosovën me anën dhe ndihmën e UNMIK-ut dhe të KFOR-it, përkatësisht me anën dhe ndihmën e KS të OKB-së. Ky është synimi i regjimit të Beogradit dhe, tash për tash, gjërat janë duke u zhvilluar sipas projektit që si mbështetje ka: Marrëveshjen e Rambuje-Parisit, Marrëveshjen ushtarake-teknike të Kumanovës, Rezolutën 1244 të KS, Kornizën Kushtetuese për Vetqeverisjen Kalimtare të Kosovës dhe krejt në fund, PISK-un, përkatësisht Planin e Implementimit të Standardeve për Kosovën.



Mirëpo, në krejt këtë projekt eksperimental ndërkombëtar me Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë, ka një defekt të madh dhe thelbësor dhe kjo është qasja burokratike, tekniciste, voluntariste që kanë për bazë kompromise të ndyra ndërkombëtare ndaj çështjes së pavarësisë së Kosovës e të Malit të Zi dhe të çështjes së demokratizimit të Serbisë. Për ta “blerë” Serbinë, flijohen interesat e Kosovës e të Malit të Zi. Mirëpo, duke flijuar interesat e Kosovës e të Malit të Zi, “vriten” parimet themelore të demokracisë e humanizmit evropian e botëror, “vritet” demokratizimi i Serbisë dhe, duke “vrarë” demokratizimin e Serbisë, “vritet” paqja në rajon dhe përgatiten gjakderdhje të reja edhe më të tmerrshme se deri tash në një regjion edhe më të gjerë të Ballkanit perëndimor.

Por, ja edhe shembujt ende të paharrueshëm nga historia e shekullit të XX: Para Luftës së Dytë Botërore, duke “blerë” Italinë fashiste u “vranë” parimet themelore të demokracisë e humanizmit evropian e botëror, u flijuan interesat e Libisë, Abisinisë e Shqipërisë, por, njëkohësisht, u “vra” edhe demokratizimi i Italisë dhe u hapën shtigjet e aventurave të reja të përgjakshme botërore. Duke “blerë” Gjermaninë naciste u flijuan interesat e Spanjës, të Austrisë, të Çekisë dhe të Polonisë, por, njëkohësisht, u “vranë” parimet themelore të demokracisë e të humanizmit evropian e botëror, u “vra” edhe mundësia e demokratizimit të Gjermanisë dhe u hapën shtigjet e kasaphanes dhe të mizorive të tmerrshme botërore. Duke “blerë” Japoninë militariste u flijuan interesat kineze, por me këtë, njëkohësisht, u “vranë” parimet themelore të demokracisë e të humanizmit botëror, u “vra” edhe mundësia e demilitarizimit të Japonisë dhe u hapën shtigjet për tragjedi të papara botërore.



(Por,ç’është e verteta, këto vrasje të parimeve themelore demokratike e humaniste, shtetet më të fuqishme të Evropës si Britania e Madhe, Franca, Rusia, Holanda, Belgjika e Portugalia i kishin bërë ç’prej kohësh edhe para Luftës së parë e Luftës së Dytë Botërore. Këto shtete kishin pushtuar e ndarë kontinentet e Azisë e të Afrikës. Këto shtete kishin monopolizuar lëndët e para të lira, kishin monopolizuar tregjet dhe kishin vënë nën kontroll fuqinë e lirë punëtore. Në këtë mënyrë, këto shtete kishin “pjellur” fashizmin italian, nacizmin gjerman dhe militarizmin japonez. Dhe, dihet fort mirë se sa shtrenjt u paguan, nga të gjithë, “vrasjet” e parimeve themelore të demokracisë e të humanizmit evropian e botëror).



Mirëpo, shtrohet pyetja e paevitueshme: Si është e mundur që edhe sot, pas gjithë këtyre përvojave të hidhura që ka përjetuar njerëzimi, të vazhdohet me “vrasjen” e parimeve themelore të demokracisë e humanizmit? Si ishte e mundur që pikërisht Fuqitë e Mëdha të Evropës së sotme bashkë me Amerikën t’i bënin lëshime aq të mëdha e aq të ndyra një regjimi kriminal e mafioz siç ishte ai i Millosheviqit? Si ishte e mundur që pas aq gjakderdhjesh permanente që kishte shkaktuar në Kosovë, që pas aq gjakderdhjesh që kishte shkaktuar në Slloveni, Kroaci, që pas gjithë atyre mizorive e tragjedive që kishte shkaktuar në Bosnje-Hercegovinë, pikërisht Millosheviqin, në Dejton ta shpallnin paqebërës (peacemaker) dhe me të të bënin marrëvehje në kurriz të popullit boshnjak? Si është e mundur që, pas gjithë atyre mizorive e tragjedive që pësoi populli i Kosovës, që këtij populli t’i imponohet robëria e re nën të njëjtin shtet? Nën të njëjtin shtet që Organizoi masakrën e padëgjuar të të burgosurve të pafajshëm në kazamatin e Dubravës, masakrën e Reçakut, masakrën e Izbicës, masakrën e Krushës së Vogël, masakrën e Gjakovës, masakrën e Rahovecit, masakrat e Mitrovicës, masakrat e Tususit, masakrat gjithandej Drenicës. Si është e mundur që t’i imponohet një populli që edhe një herë të provojë “fatin” nën një shtet që bëri krim mbi krimet duke u munduar të fshehte krimet e veta, duke bartur me mija kufoma nga Kosova dhe duke i flakur në varreza masive gjithandej Serbisë?

Përse jam duke insistuar kaq me këmbëngulje në respektimin e parimeve themelore demokratike e humaniste në marrëdhëniet ndërnjerëzore e ndërkombëtare? Sepse e gjithë hisroria e deritashme argumenton se burimi thelbësor i të gjitha të këqiave ndërnjerëzore e ndërkombëtare ishte, është dhe do të jetë shkelja ose mosrespektimi i parimeve demokratike e humaniste.



(Ka shembuj të shumtë, por po e marrim në shqyrtim të shkurtër tragjedinë e përgjakshme të të njëjtit popull, por me dy besime që po zhvillohet tash pesëdhjetë vjet e që e tërë bota e njeh në formën e luftërave të përgjakshme izraelito-arabe. Kur, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Fuqitë e Mëdha dhe bota ia njohën të drejtën popullit të shumëvuajtur izraelit që, në një skutë të Azisë së Vogël, buzë Mesdheut, të krijonte shtetin e vet, shtetet arabe nuk u treguan në nivelin e duhur të dijes e të vetëdijes politike. Ato, duke refuzuar që të njihnin shtetin e vogël izraelit me një territor jo më të madh se Kosova e sotme dhe, duke refuzuar që të jetonin në paqe e fqinjësi të mirë me atë popull krejt të vogël e paqedashës, “vranë” parimet themelore të demokracisë e humanizmit. Dihet se si u zhvilluan ngjarjet dhe sa luftëra u bënë, në të cilat Izraleli i vogël çdoherë u tregua më superior dhe më i sukseshshëm. Dhe, kur forcat ushtarake izraelite, në luftën e 1971-shit, kaluan Detin e Kuq dhe iu afruan Kairos 100 kilometra, Anuar Sadati, kryetari i atëhershëm i Egjiptit, kërkoi ndërprejen e armiqësive dhe bashkë me palestinezët e shumë shtete tjera arabe, u shprehën të gatshëm që të pranonin shtetin izraelit, por me kusht që të gjindej një zgidhje e drejtë, demokratike e humane, për krijimin e një shteti palestinez. Mirëpo Izraeli refuzoi bërjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Atëherë Izraeli qe ai i cili “vrau” parimet demokratike e humane dhe u bë shkaktar për vazhdimin e pafund të luftërave të përgjakshme midis tij dhe palestinezëve).



Dihet nga të gjithë se çfarë “polli” e çfarë shkaktoi dhe po shkakton armiqësia e panevojshme midis izraelitëve e palestinezëve-arabëve. Do të na merrte më shumë vend po të merreshim me fenomenologjinë politike të “vrasjes” së parimeve të demokracisë e të humanizmit, por, me këtë rast, po përqëndrohem vetëm në një vërejtje për arabët dhe izraelitët nga dy pozicione. 1.Nga pozicioni humbës i arabëve: arabët, vetëm pasi që definitivisht humbën të gjitha luftërat nga izraelitët kuptuan se çfarë gabimi katastrofik kishin bërë kur kishin refuzuar të njihnin shtetin e vogël izraelit dhe lirinë e pavarësinë e tij. Me refuzimin e vet ata shkelën parimet e demokracisë e humanizmit. Shi për këtë, izraelitëve nuk ju mbeti rrugë tjetër përveçëse të qëndronin. Dhe ata, mblodhën të gjitha forcat, kërkuan përkrahje e mbështetje atje ku gjetën e, nga një popull shumë paqësor, të udhëhequr nga Menahem Begini, në fillim, u shndërruan në një popull luftëtar-vetëmbrojtës, pastaj me përvojën e fituar luftarake e të harlisur nga fitorja në fitore, u shndërruan në shtet pushtues dhe në fund edhe në shtet agresiv-terrorist. 2.Nga pozita e fituesitash, izraelitët janë ata, që përditë, duke vrarë palestinezë të pafajshëm, njëkohësisht po “vrasin” edhe parimet e shenjta të demokracisë e të humanizmit. Mirëpo, agresiviteti e terrorizmi shtetëror izraelit, tashmë ka filluar me të madhe të “prodhojë” liridashës-“terroristë”, jo vetëm ndër palestinezë, por gjithandej botës arabe. Dhe, nëse nuk do të ndalet, agresiviteti e terrorizmi shtetëror izraelit do të “prodhojë” unitetin agresiv arabë. Dhe atëherë Izraeli do të jetë ai që do të kërkojë paqe e marrëveshje! Mirëpo, atëherë, nuk dihet se çka do të mendojnë e si do ta ndiejnë veten e tyre arabët.



Populli ynë e ka një thënje të bukur: “ Pak ujë, pak miell, pak ujë pak miell dhe dikur bëhet brumi që nuk e ze as magjja”!



Pra, krejt në fund, le të ndërpriten eksperimentet me fatet e popujve pa shtet e pa pavarësi dhe, le të pushojnë të “vriten” parimet demokratike e humaniste midis njerëzve e popujve sepse një gjë e tillë na hakmerret të gjithëve. Sot, Kosova është vendi ku po bëhen eksperimente të palejueshme dhe ku po “vriten”parimet themelore të demokracisë e humanizmit nga ata që nuk do të duhej ta bënin një gjë të tillë.

Mjaft më!

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri