
Shqiponja Axhami,lindi në Shtiqen të rrethit të Kukësit (1977).
Ka mbaruar Universitetin e Tiranes dega Gjuhe – Letersi.
Eshte drejtoreshe e shkolles se mesme te pergjithëshme ne Gostit - Kukës.
Ka botuar deri me tash 5 libra:
1.“Psheretima prane shelgut lotues”(2008)
2."E imja kjo rrugë"(poezi,2011)
3."Fantazma me fustan të kuq"(roman ,2012)
4."Vajza dhe lulekamomili"(përralla për fëmijë,2012)
5.Udha e zogjve".(poezi,2015)
ZOGJTË I DUAN NISJET
Asgjë nuk është si më parë
qyteti ka veshur rrobat prej dëbore.
Në stacione si këpucë të hedhura
pështyhen takimet e turpshme.
Fundja, çdo herë do ketë një herë tjetër.
Gjethja bie jo se mbaron një stinë
por se fillon një stinë tjetër.
Zogjtë ngarkohen me frymë
jo se i kanë frikë shirat
por se i duan nisjet.
Diku është prapë dielli.
Bleta e vesh lisin me xhaketa mjalte
kështu që dhe në pyll gjendet e ëmbla.
Unë jam edhe pse ti s’mund të jesh
asgjë dhe asnjë çast.
Asgjë nuk është si më parë
qyteti ka veshur rrobat prej dëbore.
Në stacione si këpucë të hedhura
pështyhen takimet e turpshme.
Fundja, çdo herë do ketë një herë tjetër.
Gjethja bie jo se mbaron një stinë
por se fillon një stinë tjetër.
Zogjtë ngarkohen me frymë
jo se i kanë frikë shirat
por se i duan nisjet.
Diku është prapë dielli.
Bleta e vesh lisin me xhaketa mjalte
kështu që dhe në pyll gjendet e ëmbla.
Unë jam edhe pse ti s’mund të jesh
asgjë dhe asnjë çast.
JAM TRËNDAFIL NË DIMËR
Fli tani i dashur… fli qetësueshëm,
Merri ëndërrat dhe qepi në një jastëk të vogël.
Hë pra, fli se dua të kuqen e syve përgjumur nga malli!
Jam një qënie e ndërmjetme,
Më thirr trëndafil dimri,
Ngjaj vesë ngricash, asgjë s’mi prish petalet.
Për sa kohë avulli i frymës tënde në qënien time shpërndahet,
Jam trëndafil në dimër, i trembem veç këputjes.
Fli pra fli i dashur…fli qetësueshëm!
Do ti marr ëndërrat...
Do të pres pak flokë mbi to,
Që ti ruaj në rrënjët e mia…
Ah, kurrë mos e harro..
Jam një qënie e ndërmjetme, trëndafil në dimër.
Për sa kohë që fryma jote tek unë shpërndahet,
Mos harro të marrësh frymë mbi mua çdo sekondë,
Ndryshe…
Ndryshe do shkërmoqem si duhani i plakut mbi lullë.
Nëse mundesh thithe atë tym …
Merrmë me frymë...
Fli i dashur...
Fli loçka ime...fli qetësueshëm,
Unë jam trëndafili yt në dimër...
HEDH RRJETAT
Më fal i dashur...ku netëve si e marrë
Hedh rrjetat e mendimit si peshkatar i vonuar,
Më fal kafshim-puthjen ta lash në gjysëm,
Rrjetat e mia janë të vrazhdaGK
Shqiponja Axhami *
Grisin pelerinën e anijeve
Në prag fundosje.
I mëshojnë në bark lehonës
Të lind pa dhimbje,
Mbulojnë trishtueshëm
Lypsarin, që mardh rrugën
Rrufepritës mëshohem si murg
Shtëpive të fëmijës.
Kafshueshëm me lotin kapërdihem
Si verë – uthull.
Më fal, i dashur,
Që ta lashë në mes kafshim-puthjen!
Rrjetat e mia janë të vrazhda
Tek i mbledh muzgjeve të përflakura.
Shoh që mes tyre si peshk i vogël
Dihat për pak ujë, Shpresa...
Rrjetat e mia lëshohen horizonteve
Si litarë emblem,
Të asaj që quhet brishtësi e nesërme...
DUART
Mi lërë duart, zbritmi pemëve të kaltra
Të mesnatës së fundit,
Më duhen ata duar që të mbrohem..
I dua ato duar ti puth rreshkëm,
Kur buzët ngjiten heshje.
I dua ato duar,dhjetë gishtërinj
Si dhjet miq të mire
Të më dridhen flokëve të lara me djersë.
Ankthesh netve të gjata,
I dua ato duar shpata
Me njërën të pres ditën e ligë,
Me tjetrën prekshëm të rrëshqas-ujë.
Më lerë dy duar, më beso...
Kubetë e qiejve do i shpoj me to!
JAM NJË VIOLINË NË DËBORE
Unë, jam një violinë në bore!
Dihas pambarimisht që telat mos të më ngrijnë,
Gjinjtë e bardhë të dëborës varen turpshëm
Rreth gushkuqëve
Që vënë këmbët mbi tela.
E unë zë vajtoj erën
Që i shkrin të gjitha.
S’jam gjë tjetër veç një vjolinë mbi bore!
Poshtë brinjëve ndjej rrëkezën e pranverës
Që kërkon të këndojë.
Një kufi ndarës mes të ftohtit dhe të ngrohtit.
S’jam tjetër veçse një violinë mbi bore!
I dua të gjitha stinët,
Veç vjeshta më la gjethe-plagë në kraharor.
..........
S’jam tjetër përveç se një vjolinë mbi borë,
Mollëzave të tua drithërohem dhe zë këndoj!
ËNGJËLL ME PANTALLONA
Më ndjek nga pas zëri i këmborëve,
Ndjej mes duarve fërkimin e frerit të kalit.
Kokrrat e grurit më ngjiten gjoksit
Si bluzë e bekuar bukëvalë.
Eshtrën e të parëve e ngjis shpatë,
Rend kubeve të lartësive
Pa i bërë dëm kujt,
Trokun e kalit e ngjyej rrezeve
Shkërmoq mbi tokën time farën e vargut,
Dhe pres papirus ti shfletojë kalimtari i lodhur.
Ngazëllyeshëlm s’më trëmb më koncepti, Kohë.
Rëndshëm eci mbi tokën time,
Veten e ndjej ëngjëll me pantollona!
LIRIA VETVARET NË GOJË TË PISTA
Qyteti im
dëgjoji këmbanat e ndryshkura
është ora e lutjes
është kohë e paqes.
Dëgjoji
sesi trazohen kocka pëllumbash,
liria vetvaret në gojë të pista.
NËNËS...
E mira ime e vetmja që s,më tradhtove kurrë,
as atëherë kur s’e haja vezën e zier,
as atëherë kur shkaravitja mbi mur.
E ëmbla ime, që mi krihje flokët me kujdes
me qindra herë më pyesje: -Bijë mos të dhëmb?...
Oooo,rrezja ime që në frymën e fundit
përmende emrin tim!...
Pash sytë e mi, pse më deshe aq shumë..
Të kam rrëshqitje loti, në çdo zënkë që bëj,
të kam ngushëllim. Shenjt,
e mira plagë që në zemër më dhemb…
Të kam bërë gjithmonë dhuratën
dhe pse s’ke qen gjallë,
ia kam dhuruar me shpirt
të moshuarës në shkallë,
e di, mos lotove po qesh?
Mbaj mend njëherë,
kur isha pesë vjeçe,
të bëra një byzylik me tapa shisheje,
eeeh, sot do t’i pi ato birra të dehem e MIRA,
e t’i kaloj tapat e tyre si tespij të lutjes,
të bekimeve tua, E SHENJTA. GËZUAR!…
BABËS
Tash po me dalin para sysh
dy gishta t'zverdhuem nga cigarja
si dy gjethe të fundit të asaj vjeshte që ike
s’di se ku, në luginën e gënjeshtrave
të quajtur vdekje.
E tash po duhet me zbritë qindra herë
me m’i numrue fajet si tespije t‘këputuna
me e bind Zotin me më falë dhe një herë.
Babë, ne s’e premë arrën e madhe
as kullën e vjetër se shembëm
por unë e di, t’asht’ mërzit’ kutia e duhanit
mbet pa çelë në odën e miqve
ku filxhanet çohen si ksula e knojnë kangë dasmash.
Babë,
tash sofra jonë me gozhdë të hekuna
ka ra përmys.
Mbi të ulet noj cigane e mashtron nuset
te ua lexue dorën
edhe tepsia me gërmat e tua asht ngul në lule
duke dëshmue ernat e ftohta.
Teshat tona të grisuna
janë veshë plisave të arës
e ngjajmë si t'jemi t’kthyer.
Babë,
ti prapë shkon e vjen
nga lugina e vdekjes
me na pajtue idhnimet
me na thanë se e teprum me pije.
Lodhesh te na mbledhë
jena shpërnda si qengja, si rrunza
e ti prapë qesh me buzën t’nxime nikotine.
A s’ke pak ma shumë kohë me nejt,
ta marojm lojën e filxhanve
të kësaj jete të etshme.
Në luginën e rrejshme t’vdekjes
po çojmë ciganen mashtrueshëm
t’ua lexoje dorën djajve.
Babë
t'thirri shpesh netëve.
FESTE
Te burgosurit ,flenë
Kjo turmë e përgjakur qengjash…
…………………………………………
Të burgosurit zgjohen,fillojnë e pikturojnë
Nëpër mbështjella cigaresh ,një lule
Është festë e nënës….
Të burgosurit pëlorten
Të burgosurit shajnë
Nëpër koridoret e burgut
Silueta e një polici
penis i një sitetmi të ndyrë ,qelbet
Të burgosurit ,shurrojnë në fund të koridorit
Mbi mbishkrimin “LIgj për të gjithë”….
Të burgosurit këndojnë me zë një këngë të turpshme
Silueta e dashnoreve të ministrave bëhet e ndershme...
Të burgosurit ,pikturojnë nëpër cifla gazetash
Dy sy nëne...është festë e nënës
Palimsesti i sistemeve të vrasjeve frymon
Mbi tavernë dhjamin e tepërt ,,i lirëë
Të burgosurit turren
Të burgosurit
Klithin
Të burgosurit rendin
Dyert ndryshken
Dyert janë mbyllur
Dyert nuk hapen
Në taverna gajazja e nje sistemi
pushon mbi buzët e prostitutës trembet
Të burgosurit cmenden
Dyert mbylllen
Penisi i tyre ua bën dyerve…..
Palimsesti i krimit kthehet në vic
Ssitemi shurron shkresat
Dhe e bën kurbanin e radhës
Të burgosurit qajnë
Në një shtëpi të shëmtuar me blozë
Një poete anemike
Mashtron fëmijët ….
Marsi do jetë pa dëborë,,,,
Është festë e nënës……
Te burosurit …pikturojne dy sy nene..
--------------------------
I LARGËTI IM
Je larg, i largëti im.
Devete tona të vetmisë
lundrojne te heshtura
gjithë kjo shkretëtirë.
E mban mend pemën tonë
ku gdhendnim emrat e dashurive,
edhe stolin e vjetër, ku fshiheshim
për të parë tek puthej djaloshi Mark me Emën.
E mban mend gjysma ime kryeneçe
rrëmujën e gjithë lagjes
dhe plakun me kapotë gri
të cilit i fshihnim bastunin.
Ohh kohë e bukur
ajo urë që mbante gjithë atë dashuri.
Tani je larg
asnjë çajë në botë nuk më duket e ëmbël
asnjë muzg s’e ka harenë e dikurshme.
Tash jam vetëm
në një park të madh të një qyteti të paemër
me kapotën gri.
Kam pak urë brenda
pak plak brenda
pak rrëmujë
dhe vetëm pak, vetëm pak dashuri.
Ej, gjysma ime kryeneçe
që mbete në qytetin e gurtë,
ma gjej bastunin e plakut
t’ia vë në dorë mallit,
po shembet.
Hidhma një copë qiell shall
ta fshij këtë lot muzgu.
------------------------
SHUME DASHURI
Shumë dashuri vdesin
Të tjera lindin.
Në grinë blasfemuese
më shafqen fytyrat e tyre.
Unë nja albatros i rrjepur
preferoj të më shkelin.
PRAPË SE PRAPË
Prapë se prapë,unë matem me frymën time
që e lë tufnajë lulesh në rrugën e qethur nga fati...
në rrugën time
ku kalldrëm kam shtruar kockat e mia për së gjati…
Ju më ndiqni, ndoshta dhe më urreni
se pamfletët tuaja të tymta,kurrë si desha
në krahët e mi prej mjelme
s’u ngatërruan në mbathjet tuaja të qelbëta...
Unë qeshë i varfëri, hëngra me gishta e s’u tremba
fyerjet tuaja si makarona të pista
Unë qeshë i mallkuari, Zoti qau kur pa,
se në gjoksin tim dhe Djalli dëshirueshëm ra.
Unë qeshë poeti që vesha në vend të rrobave
koren e tokës…
e në vend të opingave lëkurën ja ngreha kohës..
Unë jam fundi dhe fillimi,
rrugën time do e shtroj me qilimat e dhimbjes
e në kambanat e fundit do lutem që tua laj gjynahet.
Unë kam lindur
për të vdekur mijëra herë,
unë kam lindur,
për tu ringjallur prapë,
unë kam lindur që dashurinë ta lë shtatzënë
e prapë se prapë s’mund të urrej askënd...
NJËQIND VJET QË S’TË KAM PARË
U bënë njëqind vjet që s’të kam parë
që s’ta kam shkuar dorën rreth qafës,
mbështillem si mjekër e thinjur rreth vetes
çdo javë njëqind vite pa ty plakem.
U bënë njëqind vite që s’të kam parë
e në mungesën që ftoh si mot i lagësht
tendos telat e kujtimeve që zbehen
si muzikante e keqe zë i bie kitarës.
NATA E BESËS
Një gur prej vorreve u çue e u nis ka kulla e shkretë
qyqja e harrueme coptoi deg’t e lisit
e pa, dhe piskati në kujë – Medet!
U ul ai gur n'buzë t'oxhakut që hi shpirti i qe ba
nxori ofshamën si tingull lahute
e klithi : - Erdha, se s’mujta ma!
E nxori dy sy të zi si terri i natës pa kthim
rrëzoi poshtë votrës dy lot gjaku
e dekës me këmishën e gjaksorit ia mbuloi sytë.
At’herë një za cinkthi i shpirtit t’babës
e bani copa llambën e varur në muret që heshtën
e në mes të votrës ku qe shtri dekja
qyqja lëshoi dy pupla të krahut, e theri veten.
Qohet pa za guri i vorreve e niset me dalë pragut
në çokë të hinit të pandezun me vite
kish lan një eshkë që ndriste në loçk të oxhakut.
Aty ku deka ish shtri me pendët e qyqes mbi krye
besa, kjo nuse e harrueme me dukat ballit
shtrydhte mbi copzat e llambës të djathtin gji.
NË FUSHË MARTOHEN ZOGJ
Hije, qetësohu
mos më dil, sa anash, duke më tallur
sa para, duke më ngushëlluar.
Dajret po bien ende
në fushë martohen zogj.
Në pyll kërmat kërkojnë ushqim perandorësh
në treg shiten koka drenushesh.
Një i marrë më pështyn mbi vargje
skeleti im i bronztë
kapërdin pikën e fundit të gjakut
Hije, qetësohu
ma gjej parcelën e mollëve
atje në kodrinën e argjendtë
ku hëna vajton dashnorët besnikë
të marrët e fundit të këtij shekulli.
Më shtro të fle me dashurinë
e të ngjiz për ty një emër.
Ti, më pas, endmu natës
duke lëshue mbi mollë trëndafila ajri
duke ngushëllue perandorët e heshtur.
RRËMUJË..
Sonte bisdeova gjate me ty nga larg,
E gjeta kohën time të copëtuar nëpër tepsiat e bukës
Ti e di, bukën e bëj vetë, të betohem, vetë,
Sepse vdes të ndjej nëpër gishta
Tek më puthin fytyrat e kallinjve…
Sonte folëm gjatë, kisha bukë,
Ka ditë që kam bukë...
E pjekim me dru,
Dhe vijne fatura të egra, këto klithma sistemesh,
Pa çka pse në kazinotë përballë deri vone kërcejnë kurvat
Në një dyzinë kometash me drita.
Pronari i kazinose eshtë në burg......ato kërcejnë,
Kërcejnë poeti im, njeriu i butë, që dhemb,
Dhemb pa faj
Që u linde në fisin tim të egër e të ashpër,
Në fisin tim të harlisur që sdi kë të dojë.
Folëm, gjatë folëm edhe për tim atë
Që vdiq heret
Duke më lënë një dyzinë me endrra të vdekura,
Për tëndin që kish shpikur sisitemin e varfërive
Me trashëgim nga ati tek biri.
Pastaj folëm per gratë, fytyra e te cilave,
Janë bërë dajre me kohë, që godasin,
Oh godasin mbi to me duar të ashpra
Dhe ti e di sa i vuaj ato goditje…
Por, murgu im i mire, po vijne oret tona
Ngakuar me besim si ciganë të egër
Që kërkojnë medomos ngjyrën e ngadhënjimit,
Vijnë, po vijnë oret tona të mbushura me shpresë
Edhe pse në mes të bisedës
Qentë lihnin e unë trembesha
Se mos ndoshta dikush po vjedh.....
E mua më beso, më dhimbesn dhe hajdutet,…
Tek vjedhin nga halli
Dhe thjesht vetëm më trembin…sa më trembin…
Folëm ne gjatë edhe per botimet, eh, botimet,
Kur kushedi sa njerëz te fisit tim skanë sonte bukë,
Dhe xhaxhai im, që vuan nga amza
Nuk i ka marre ilacet,
Dhe hija ime harbute
Mbështjellë në UN-in tim kerkon të botojë…
Ështe vdekjprurëse varfëria, besomë murgu im
Vdes dhe librat lebroza…
Tani jam e mërzitur, e mërzitur shumë
Dhe rrotullima e lavatrices po më kujton
Se nesër do kem një mal me rroba
Ku kafsha - njeri mbulon hiret me gjëra të rregullta
Pa çka se turpet janë më të shtirshme…
Folëm sonte, folëm dhe për poezinë
Ndërkohe që herë pas here më kujtoje fëmijët,
Të thashë, që i kam mbuluar mirë
Dhe flenë tani, flenë engjëjt,
Me merakun tim pranë, që po rriten,
Dhe frikën se një ditë do jem vetëm
Kurt ë ikin në jetët e tyre të ardhme papritur…
The pastaj se duhet të shkruaj më thjeshtë
Po ku ta gjej unë thjeshtëzimin e vështirë,
A sjam e përbëra më e mjerë,
E këtyre epokave pa epoka,
Se unë s’u kënaqa kurrë,
Ti e di, jetime që 9 vjeçe…
E thjeshta, dihet, është vetëm për të lumturit,
Jo për të mjerët…
Oh, sido që të jetë,
Sonte mora mundimin të shkruaj, ashtu si thua ti
Pa metaforat e mia te krisura,
Sepse të gjithë po flenë
Edhe të burgosurit flenë e ti e di që edhe ata i dua,
I kam falur....në të gjithë jetët e mia i kam falur…
Dhe ja, tani këngës sime
I erdhi koha e falenderimit për bisedën,
E gjatë si një film,
Vërtetë do isha filmi yt më i bukur,
(A se bëjmë vërtetë një film?)
Ku po të dija do luaja vetveten…
Unë që nuk di të aktroj
Dhe di vetëm të leshoj lot të kuq për njerëz të mirë,
Di të qaj, si tani që po qaj, se më dhimbsesh..
Kur më the; ka vite që nuk shkruan
Dhe se kohën tënde nuk mund të shruaje dhe aq çlirshëm…
Në fund....te dhashe fjalen
Qe do të vuaj për të shkruar më thjeshtë ..
Edhe pse orakulli im është mizor,
Që e di se nesër do kem një fat të lig,
Pasneser një më të lig e mizor,
Por unë prape do pajtoj gishtat me fytyrat e kallinjve
Nëpër bukë
Duke bere poezi drejt e me mendje ...
Nëse nesër më shtyp një makinë
Do jem e lumtur
Në se do me përmendesh në ndonjë kafene,
Kur si hije e florinjtë
Do vij duke larguar duhmen e duhanit
Dhe duke ju thënë
Se akoma jam… një kavje e lig që nuk bindet…
Tani ika…se ti, e di, koha ime copetohet,
Si koha e çdo gruaje
Nëpër tehe të një rrisku të egër....
Ika, pa ditur se cfare kam shkruajtur,
Se di vertet ..në se shkruajta ato që ndjeva,
Duke ditur vetëm se si mund të ishe kaq i thjeshtë
Se si ishe kaq i padëmshëm,,
Se si e thoje aq lehtas ,,
Sh... nuk mund t’i bej prerje asnjë poezie,
Se redaktimet janë aq torturuese ....
Natën e mirë, i mirë,
Që ndoshta sdo të të takoj kurrë
Dhe njëmijë ndoshta të tjera,
Kur u ndame me fonemat e fjalës BESIM ,
...Tani që s’di më ç’të them, se më dhemb koka
E bindur se ndoshta më dhemb nga gëzimi…
ANKTH
Si një bebe tullace
Lëviz me duar para vetes
Fus në gojë gishtat
I lag me pështymë
Kërkoj në hapësirë
Diçka që s’e njoh mirë
Përplasem në shkallët e hekurta
Të një anije që më merr poshtë
Terr por dua me doçka të prek
Ndonjë copë ndihme në fundësi
Shoh e lebetitur diçka që nxin
Mbyll sytë e virgjër prej foshnje
Ndjej afshin që më mbështjell
Dhe ndjej veten krejt të qullët
Në kraharorin tënd
Jam gjysma jote e paparë
E tek marr frymë shpesh
Ndjej veten bebe që thith
Dhe thithem në buzë
Në zemër në trup në shpirt
VAJZËS SIME
Ti je e vetmja pjesë e imja Njomëza
E papërlyeshme në skutat e hipokrizisë
Që mbajnë fllad e aromë buzëqeshjeje
Te ti kompensoj përkëdheljet e nënës
Te ti kompensoj fjalët e urta të babës
Më tremb që të dua kaq fort
Frikësohem mos të bëj dëm Njomëza
Ti je pjesa më e urtë e ditës
Ku kafshimet idiote të realitetit
Ngulin dhëmbët në mish gjak të thithin
Më fal që ta vrava vargun Njomëza
Me plumbin e muzgut tim të çmendur
Do të doja të mblidhja me mijëra flutura
T’i kopsitja pa i vrarë në qiell fjalët për ty
Por kafshueshëm më djeg në këmbë
Mokra e kohës që pjell frikën
Ndaj të lutem lexo këto vargje
Në çdo ditëlindje tënde pa ngurrim
Të dua të rritesh në paqe
Me bukë të bollshëm në dorë
Fale mos e hidh as mos e shkel
As mos e ruaj shumë sa të myket
Në pafsh helm në shpirt
Mos e vill aty ku s’duhet
Nxirre hijshëm pa vrarë askënd
Në një cep të padukshëm
Në ta zëntë rrugën kush mos klith
Klithjet janë sinonim i djallit
Thirri delet e urtësisë dhe gjykimit
Tjetrin binde për udhën tënde
Nëse ke dëshira të skajshme
Përqafoi si gjyshen me mall
Dhe mos u tremb nga to
Mjafton t’i kesh të bollshme
Veç pashë qumështin e gjirit
Në të cilin lëvrin bekimi i nënës
Pashë netët e ftohta ku dora
Më mpihej tek të përkundja
Më premto e skuqu nga fjala pa fjalë
Skuqja ka qenë ndër shekuj
Pjesa më e shenjtë e femrës
Në të kanë ngjyer pendën poetët
Para saj dhe mbretërit përkulen
Para saj burrat shkërmoqën pafuqishëm
Dhe bien bindshëm në pajtime
Më premto këtë të lutem Njomëza
Veç atëherë do ta kesh bekimin tim
Varur në vrimën e veshit
Vetëm atëherë në skutat e Parajsës a Ferrit
Nëna do të shkruaj prapë vargje
Do t’u tregoj përralla të vdekurve
Mos qaj sepse do të vij në ëndërr
Të të tregoj mahi për të qeshur
Dhe atëherë në ditëlindjen e njëqind
Do ta kuptosh se para këmbëve tuaja
Nipërit dhe mbesat do të lindin
Në tokën e merituar e të premtuar
Më premto të lutem bija ime Njomëza
Amanetin e ke në vargun tim të virgjër
Në agun tim të agsholit të jetës sonë
PËRSE
Kafshoj me uri simiten e jetës
Pa harruar se ajo ka filluar të soset.
Kafshoj me uri simiten e jetës
S’më dhemb pse ajo soset
Përderisa ma hëngrën gëzimin
Pagurët e verdha të fëmijës
Përse jam e vogël e s’mund ta ndaj
Simiten e jetës pa u sosur
Përse
LUTJE
Perëndi
Të krijova
A më krijove s’e di
Më rrit
Sepse s’e shoh
Dot udhën
Thikë e lotëve
Ma grisi shikimin
Sonte
BUBURRECI
Seç dua të jem një buburrec
Të shkërmoq në mishin e trupit
Rërën që të ka ngrirë
T’i sheshoj plagët e vjetra
Të të futem në vesh dua
Ta lëvrij shpirtin e mardhur
Në kërcefsh përpjetë nga frika
Në të rëntë burrëria
Në dalsh në oborr
Në të zëntë lemza
Në të kaptë lija
Në të rëntë zgjebja
Në të paftë xhindja
Do të mekem së qeshuri
Pasha dashurinë
Do të bëhem buburrec
Andaj të paralajmëroj
Kujdes burrërinë....
FËMIJËRIA
Të lashë fëmijëri këmbëzbathur
Me kushedi sa gjemba ngulur
Të lashë turivarur rrëzë arrës së madhe
Sonte nën këtë hënë më ra mall
Andaj shpirt këputur po kthehem
Paçka fytyrën njomëzake e kam pudrosur
Mos u çudit nëse prek çdo pemë çdo gur
Sepse shpesh jam përlotur për to
Shumë herë jam gdhirë pa gjumë
Futem në odën e miqve
Qesh me portretet e gjyshërve
Por ata më falin sonte
Zbresin serbes e në oborr
Vallen e brezave e kërcejmë
Në odën e nënës janë ende vekët
E prek në sup te gërshetat plot formë
Edhe ajo me falë sonte edhe pse ja këputa
Pa rritur atë dreq polik
Qeni i zi s’leh kur hipi fshehurazi në qershi
Ai trembshëm iku prej meje si nga ujku
Perëndi kaq të trishtë jeta më bëri
Sonte nën këtë hënë më ra mall
Andaj shpirt këputur po kthehem
Paçka fytyrën njomëzake e kam pudrosur
Të lutem fëmijëri pashë bukën e nënëlokes
Më deh me ofshamën e mallit tim
Më deh të mos e di që qeni i zi
Paska frikë prej meje si nga ujku
E teksa pres të më dehësh fëmijëri
Zbraz polikun e lotëve në gji...
KASOLLJA
M’u dhimbs kasollja
Ka vite e fshehur në kallmishte
Me gjurmë inicialesh dashnorësh
Një karficë harruar a një fjongo
Kohët e fundit qe zaptuar nga qentë
por disa peshkatarë të dehur me birra
Ia vunë flakën dëshmisë ndër vite
kurse qentë kur panë flakën
U hodhën në të të gjorët
Në gjirin e flakëve shuhet kuisja e tyre
Njerëzit gjithmonë dalin të zgjuar
Edhe pse janë të zhytur në mëkate
Marr pak hi ndër gishta nga kasollja
She shoh që vezullon dëshmi mëkati
Dhe kthehem e shkruaj
UNË JAM ATY
Unë jam në pluhurin e duhanit
Helmohem me mërzinë tënde
Ha thonjtë e gishtave
Unë jam aty në fijet e perdes
E tretur në mallin tënd
E kafshoj buzën që dridhet
Unë jam aty ku fund
As fillim s’kanë skaje
Unë jam aty thellë
Në neuronin e nervave
Kur zihesh me shokët
Të le të bindesh të qetësohesh
Unë jam në molekulën e alkoolit
Që të lëvrin në dasma
Jam te vallja poshtë shamisë
Te shakaja e gëzimi jam
Unë jam guri më i vogël i varrit tënd
Dhe do të prehen kryeneqshëm mbi të
Unë jam kudo ku prek ti
Dhe dije e mos më lërë të vetme
Në muzën time se s’të ka hije
Unë jam poashtu e bindur
Që jam një monedhë e grisur...
Që para këmbëve të tua
Pres të mos më marri era
Unë jam aty
Në çdo skutë
Ku je ti ...
NË DASMËN TIME
Në dasmën time të madhe ka vapë
Të gjithë janë ulur në vendet e veta
Lot përzier në qiell të kripur
Pinë verën e mirësisë e pajtimit
Dhe këndojnë melodinë e fyellit
Spërkatur nga aromë e verës
Ndjejnë pendimin e zënkave
Në cepin ku jam ulur
Fati më pëshpërit në vesh
Dhe ëmbëlsisht më përkëdhel
Të lutem më bëj dhëndër
Në këtë dasmë pendese
Marrë muzën menjëherë
E vesh me re të bardha
Dhe me kalin e bardhë
Ia nis Fatit mes lotëve
PERLA DHE GUACA
Me drithërimë ngjyrë afshi
Perla lëngëzon kërcënueshëm
Poshtë kapakëve të guacës
Guaca shkërmoqet mbi rërë
E dehur fillon të hapet
Atëherë ngjyrë afshi i perlës
Kërkon të dalë prej kapakëve
Të shndrijë tej diku e praruar.
Por nga dhimbja e ikjes
Shndërrohet në gur
Vetëm kur e kaplon aroma
E mishit të qafës së gruas
Djersitur salloneve të zhurmshme
Perla rri kokulur dhe e zbehur
Ndjen dhimbje për guacën
Që rrëzë detit pret ndonjë dorë
T’ia shkrijë zjarrminë me ujë...
ESHKA
Ndjej pamundësinë e fjalës
Më shtyp tramvaji i hakmarrjes
Më kullon mishi copë e mbetur
Shkoj e përplasem në mullarin e barit
Që e kam kositur me dhëmbë
Ma ndiz eshkën mik
Ta ndez cigaren e fjalës
Veç pashë besën e bukën
Kurrë mos ma fik…
PAS NJË NATE
Pas një nate memece
Ku buzëqeshjet e miqve të duken të hidhura
Më shumë se nikotina e harruar në tabaka
Pas një nate ku në plantacionet e arsyes
Farën e mirëkuptimit ke hedhur kot
Pas një nate ku rrugës shtrin lëkurën tënde
Dhe shkelin pa dhimbje borxhet
Pas një nate ku truri topth
Luan futboll me skërmitjet fodulle
Dhe në kafkë të mbetet klithma
Që përplaset në muret e dhimbjes
Pas një nate ku trupi paloset
Në tresh kurore dhe pëlqen veten
Pas një nate ku e hidhura e gojës
Definitivisht mbin në tryezat e punës
Pas një nate ku kockat dhembin
Në paragjykime dhe vakte të panjohura
Duke marrë tituj e grada kote
Dhe veshin qenie me surrat njeriu
Që vetëm dinë të hanë injorancën
Mbështjellë me letrën thithëse të parasë
Pas një nate ku kockat thyhen
Dhe dashurisht shtiren në idile
Pas një nate thjesht marr frymë
Derisa rrobë e vetes të mos më tradhtoj...
FLOKËT
Më ndjej kur rrëshqas ujshëm
E mekem dëshire për çdo ind
Më ndje kur në asnjë skutë
Nuk zë vend por shembem
Në lëkurën tënde si pëllëmbë
Më ndje kur e ngurtë akull
Thyej distancën dhe bëhem avull
Çmendurisht në çdo zgavër tënde futem
Në atë çast shpërthimi
Aty ku sytë ngjiten
Me kafshimin ekstrem
M’i pre me dhëmbë flokët
M’i mbaj poshtë jastëkut
E t’i shoh netëve të gjata
Kur ua hedh ëndrrave gërsheta
Dashuria ime
Më pas më ngop diku në eter
Veç m’i ruaj flokët shpirt
PERËNDOI DIELLI
Perëndoi edhe sot dielli
Nëse s’e ke gëzuar këtë ditë hesht
Veç nesër ndizi vetes një xixë
S’ke nevoje për impulse magnetike
Beso sepse vetja do të dehet
Kur dielli perëndon pa pishman
DERI KËTU KODET
Pas kafshimit të ethshëm
Që të lë shijen e analginës
Lëvrijnë kodet në portofolin e arsyes
Morali qindarkë që e ruajmë
Si monedhën fëmijës
Gërhet trishtueshëm prej frikës
Kollitur si njeri i mirë
Vazhdon copën e rrugës ndershëm
Edhe pse vetja ndien pështirë
Nxjerr sytë babëzitur epsheve
Atyre që ta bëjnë me shenjë
Diku tej nata puth
Dy re gjigante si për inat
MERRMI
Merrmi këpushat e dhimbjes
Mbyti me afshin e buzëqeshjes
Ndjej të më thërrasë toka
Lëri hallet të luajnë
Bixhozeve të arsyes
Plasshin të gjitha...
Fryma e fundit
Mund të jetë e sotmja
E tek vajton shpateve
Si zëri i lahutës kjo thirrje
Ndjej dorën e Mujit
Që ma heq shaminë
E zezë mbi krye...
Merrmi dhimbjet
Të lutem merrmi
KOSOVA
Kosovë
Për besë shumë të paskam dashtë
Ka vite që s’qaj as për baba
Por sot ti Kosovë
Ma qove peshë zemrën
Sepse po duhet të të thërras në emër
Nuk do të gërmoj shumë thellë
Në petkat e mia të lagëta
Gjaku i virgjërisë sonë është
Në petkat e lashta Arbënore
Kush do të guxojë t’i marrë erë
Pasha besën
Nga petkat e mia të nusërisë
Plumbin do ta nxjerrë
Të të mbroj me nderin tim
Kosovë ...
--------------------------------

Klubi i Poezise njofton se keto dite del nga shtypi nje liber i vecante me poezi i poetes se afirmuar Shqiponja Axhami Sh Axh, me titull Udha e Zogjve.
Ky liber me poezi te zgjedhura, qe botohen per here te pare, eshte libri i peste i autores, e cila me kete vellim, ka arrite nivel te lakmueshem artistik dhe me poezine e saj qendron me dinjitet ne sofren e poeteve - poetë.
Titulli : Udha e Zogjve
Autore : Shqiponja Axhami
Redaktor : Rexhep Shahu
Recenzent : Izet Duraku
Korrektor : Sulejman Dida
Piktura në ballinë : nga Nazmi Hoxha
Punoi ballinën & Arti grafik : BoV Desing – Blendi
Shtëpia Botuese : Klubi i Poezisë, Tiranë
e-mail : klubipoezis@yahoo.com
telefon : +355 682076965
+355682460417
--------------------------------------------------------------------
Përgatiti :Flori Bruqi
--------------------------------

Klubi i Poezise njofton se keto dite del nga shtypi nje liber i vecante me poezi i poetes se afirmuar Shqiponja Axhami Sh Axh, me titull Udha e Zogjve.
Ky liber me poezi te zgjedhura, qe botohen per here te pare, eshte libri i peste i autores, e cila me kete vellim, ka arrite nivel te lakmueshem artistik dhe me poezine e saj qendron me dinjitet ne sofren e poeteve - poetë.
Titulli : Udha e Zogjve
Autore : Shqiponja Axhami
Redaktor : Rexhep Shahu
Recenzent : Izet Duraku
Korrektor : Sulejman Dida
Piktura në ballinë : nga Nazmi Hoxha
Punoi ballinën & Arti grafik : BoV Desing – Blendi
Shtëpia Botuese : Klubi i Poezisë, Tiranë
e-mail : klubipoezis@yahoo.com
telefon : +355 682076965
+355682460417
--------------------------------------------------------------------
Përgatiti :Flori Bruqi
No comments:
Post a Comment