David Von Drehle, TIME
Privatësia nuk është gjë tjetër veçse një iluzion, i cili na lejon të jetojmë të qetë, jo të paralizuar nga vetëdija jonë. Iluzioni i privatësisë na jep mundësinë të jemi zot të vetvetes, të vëmë në rrezik intimitetin tonë dhe të bëjmë gabime. Megjithatë, në ditët e sotme, vija ndarëse ndërmjet hapësirës publike dhe asaj private është pothuaje inekzistente. Një çift dashnorësh futen fshehurazi në një hotel: a po i ndjek njëri?
Një adoleshent lë mësimin për të shkuar në një qendër tregtare: a do ta shohë dikush që njeh prindërit e tij? Sikur të ishim fëmijë që mendojnë se po të mbyllin sytë do të bëhen të padukshëm, ne mendojmë se askush nuk i sheh apo dëgjon momentet tona private dhe kemi të drejtë, derisa del dikush që fillon të na përgjojë.
Kjo ka qenë e vërtetë shumë kohë përpara se Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) të fillonte të mblidhte të dhëna të telefonave dhe internetit nga kompanitë e teknologjisë dhe komunikimit dhe shumë kohë përpara se Kongresi të votonte sërish me një avantazh të ngushtë prej 12 votash vazhdimin e këtij programi. Ishte e vërtetë shumë kohë përpara se një gjykatë ushtarake të shpallte ushtarin Bradley Manning fajtor për spiunazh për rolin e tij në çështjen Wikileaks – por e liroi me akuzën e ndihmës për armikun – në 30 korrik. Cilësia iluzive e privatëcisë është një temë e përsëritur e letërsisë që e ka origjinën që në kohën e Biblës së Hebrenjve. Mendoni të bukurën Batsheba, e cila zhvishet për të bërë një banjë në librin e dytë të Samuelit, një tekst i lashtë, por që ndesh në vështrimin plot epsh të Mbretit David, i cili e sheh që nga maja e çatisë.
Apo Hamletin, biseda private e të cilit me të ëmën dëgjohet prej Poloniusit, që rri fshehur prapa perdeve. Regjisori i madh Alfred Hitchcock ishte i magjepsur pas sekreteve që nuk mund të rrinin të fshehur dhe realizoi një kryevepër, “Dritarja e pasme”, nisur nga premisa që jetë të tëra (dhe vdekje) dalin hapur prapa dritareve të pambuluara të qyteteve anonimë, thjeshtë në pritje të vëzhguesit që t’i dekriptojë.
Por zbulimi i programeve të mbledhjes masive të informacionit prej NASA-s nga një punonjës privat me kontratë, Eduard Snouden, e ka bërë të qartë se, ngjitja e teknologjisë e ka shkërmoqur edhe iluzionin e privacisë. Kjo ka ndodhur pothuajse brenda natës, dhe me shumë pak reflektim: SHBA dhe shtete të tjerë kanë bërë që peshorja të anojë nga ana e atyre që vëzhgojnë. Po hedh rrënjë një shoqëri e mbikëqyrjes. Videokamerat regjistrojnë vazhdimisht prej shtyllave të ndriçimit dhe vitrinave të dyqaneve. Satelitët dhe avionët me telekomandë çajnë qiejt. Telefonat celularë ofrojnë informacione pa fund në lidhje me përdoruesit e tyre. Kamerat e targave dhe të korsive të shpejtësisë gjurmojnë lëvizjen e makinave, duke mbajtur të dhëna të detajuara mbi shpejtësinë dhe vendndodhjen e tyre. Ndërkohë, mbi autostradën e informacionit, çdo ndalesë nga çdo udhëtar vihet re dhe regjistrohet prej ofruesve të internetit si Google, Verizon dhe Comcast. Shitësit me pakicë skanojnë, kujtojnë dhe analizojnë çdo blerje të çdo konsumatori. Televizionet inteligjentë e dinë se çfarë ne shohim – shumë shpejt do të kenë sy për të parë ne që i shohim – dhe matësit inteligjentë do të dinë nëse kemi fikur dritat.
Dhe ato pak barriera teknike që kanë mbetur, po bien njëra pas tjetrës përpara forcës së jashtëzakonshme të magjisë dixhitale binare që është edhe motori i ndryshimeve revolucionarizues. Deri kohët e fundit, ka patur limite të fortë fizikë për numrin e fotografive që mund të laheshin, videokasetave që mund të regjistroheshin, të dhënave të kompanive celulare që mund të shtypeshin apo fotokopjoheshin dhe futeshin në kuti – e jo më të analizoheshin. Tani, vetë ideja e limiteve po shkrihet, po zhduket.
No comments:
Post a Comment