Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar publikisht lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi se ndaj tij ishte organizuar një vrasje.
Ai tha se askush nuk ka organizuar vrasje të deputetit Tom Doshi por se lidhur me këto deklarime vijojnë hetimet. Në një dalje për mediat Tahiri deklaroi se del publikisht për t’iu dhënë fund atyre që i quajti spekulime të pabaza të deputetit Tom Doshi.
Duke bërë një renditje të fakteve për të cilat pohoi se është në dijeni, Tahiri tha se më 6 shtator me kërkesë të Kryeministrit është takuar me Tom Doshin në Durrës në një banesë rezidenciale. Ai bëri me dije se takimi ka zgjatur rreth 30 minuta dhe se aty deputeti Doshi i ka rrëfyer se ka zbuluar komplotin për vrasjen e tij, si dhe kishte zbuluar ekzekutuesin dhe porositësin.
“Më tha se vrasësin e pretenduar e kishte në ato momente në shtëpinë e tij në plazhin e Durrësit. Gjatë këtij takimi Doshi më tha se personi që kishte marrë porosinë ishte nga Fushë Kruja dhe se porosinë e kishte marrë nga Fatjon Skënderi, ish shofer i Fatmir Mediut”, tha Tahiri. Në vijim ministri deklaroi se deputeti Doshi i kishte thënë se pesë ditë para takimit me të Fatjon Skënderit i ishte bërë atentat pa pasoja.
Duke cituar fjalët e deputetit Doshi, Tahiri tha se në rrugë private Doshi kishte zbuluar se në mjediset e lokal “Viva” në ish-Bllok ish-shoferi i Fatmir Mediut, bashkë me ish-nëndrejtorin e policisë Agron Kuliçin, kunatin e Sali Berishës Agim Ramën, Prokurorin e Krimeve të Rënda Eugen Beci, shtetasin Ymer Lala dhe pronarin e lokalit Ylli Xhaxhollari, kishin organizuar vrasjen.

Në vijim Tahiri tha se Doshi këmbëngul se edhe vetë Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, ishte përfshirë në komplot përmes Prokurorit të Krimeve të Rënda Eugen Becit dhe ndaj nuk mund të ndiqej rruga ligjore, deri në një shkarkim të tij nga Parlamenti. Sipas Tahirit, Doshi i kishte thënë se vrasja e tij kërkohej për llogari të Sali Berishës, që siç tha Ministri i Brendshëm ishte betuar të hakmerej për humbjen e rëndë në Shkodër gjatë zgjedhjeve. Tahiri deklaroi se Doshi ishte i bindur se përmes prokurorit Beci, organizatorët kishin siguruar mbështetjen e kryeprokurorit Llalla.
Tahiri tha se menjëherë pas takimit i ka thënë Kryeministrit se gjithë rrëfimi i është dukur i dyshimtë dhe se nuk i është dukur se ka pasur gjurmë për vrasje dhe se e ka nxitur deputetin Doshi të ndjekë rrugën ligjore për denoncimin e tij. “Deputeti Doshi këmbënguli se përderisa kishte zbuluar se në komplotin për vrasjen e tij ishte përfshirë Prokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beci ishte e pavend të bënte diçka të tillë. I kam thënë Tom Doshit se nuk ka asnjë mënyrë tjetër përveç rrugës ligjore.
Në fund Doshi kërkoi që të takoja personin që sipas tij ishte vrasësi i porositur dhe i penduar, për ta nxitur të bashkëpunojë me drejtësinë, duke përdorur mekanizmin mbrojtës të shtetit për ata që bashkëpunojnë me drejtësinë. Zotëria mu prezantua si Duri nga Fushë Kruja por që nuk foli vetë por që pohonte me kokë dhe pëshpërima se kishte marrë porosi dhe se këtë porosi ia kishte rrëfyer vetë deputeti”, deklaroi Tahiri.
Sipas ministrit pavarësisht se deputeti Doshi nuk ka pranuar të ndjekë rrugën ligjore për denoncimet e tij, Policia e Shtetit me iniciativë ka nisur veprimet paraprake dhe se pas kësaj ka takuar Kryeministritn, kryeparlamentarin dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për të cilin tha se ishte në dijeni të pretendimeve të Doshit, pasi ishin takuar më parë dhe se u shpreh i gatshëm për të hetuar. Ministri deklaroi se policia i ka shqyrtuar me përgjegjësi shqetësimet e deputetit Doshi pavarësisht se nuk kishte asnjë provë të vetme u shoqërua Fatjon Skënderi.
Edhe pas dëshmisë së Durim Bamit, i cili përgënjeshtroi totalisht akuzat e deputetit Tom Doshi, ky i fundit deklaron se nesër dorëzon provat në Prokurori. Në faqen e tij të Facebook, Doshi shkruan se ka kontaktuar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë dëshminë dhe ditën e nesërme do të dorëzojë provat.
Tom Doshi gjithashtu deklaron se do të flasë sonte në mbrëmjen drejtpërdrejt me të gjithë shqiptarët në një emision televiziv.
“Kam kontaktuar sot me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për ti dhënë dëshminë time në lidhje me hetimet e nisura për tentativë vrasje ndaj meje dhe një kolegu tjetër deputet. Më kanë caktuar, pas kërkesës time, që nesër paradite të paraqitem për të dorëzuar provat e mia. Para çdo gjëje për mua si person është e rëndësishme transparenca me publikun dhe votuesin. Sot kam vendosur të komunikoj drejtpërdrejtë dhe hapur me të gjithë shqiptarët”, deklaron Doshi.
Të hënën, deputeti socialist Tom Doshi u përjashtua nga grupi parlamentar dhe menjëherë pas daljes nga selia rozë deklaroi se Ilir Meta, ka paguar persona për të vrarë atë dhe deputetin e PD-së Mhill Fufi. Pas akuzave të tij, policia shoqëroi dhe mori në pyetje personin e porositur për të kryer vrasjet sipas Doshit, Durim Bami.
Ky i fundit ka deklaruar para prokurorëve se “Tom Doshi thuri skenarin e atentatit dhe më bleu një makinë luksoze për të thënë versionin e tij në zyrën e ministrit Tahiri”.
I riu ka përgënjeshtruar pretendimet e deputetit Tom Doshi.
“U pagova nga Doshi për të thënë versionin e tij. Thashë para kamerës ç’më kërkoi Doshi. Thashë në kamera që mora urdhër nga lart. Doshi me bleu një automjet luksoz. Më çoi te Tahiri të thosha emrin e Metës. Në zyrën e Tahirit foli thuajse gjithë kohës Tom Doshi”, mësohet të ketë thënë 36-vjeçari.
No comments:
Post a Comment