Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/04

Eridutizmi i Shefik Shkodrës ....


Shefik Shkodra lindi në vitin 1948 në Desivojcë të Kamenicës (Dardanë) së Kosovës, është shkrimtar shqiptar.


Kreu Fakultetin Filologjik - Gjuhë dhe letërsi Frënge në Prishtinë. Është profesor i Gjuhës Frënge.

Me botimin e vjershave ka filluar si nxënës i shkollës së mesme, që nga vitet e shtatëdhjeta e deri më sot. Poezitë e tij kanë zënë vend në disa përmbledhje me bashkautorë. Ka botuar studimin monografik Albania e Konicës - Pergamenë shqiptare, Rilindja Prishtinë, 1995.

"Rrëfejza satirike Demoniane", Gjilan, 2001. Po ashtu ka shkruar një mori artikujsh për libra, si dhe për artet pamore në të përditshmen Rilindja në Kosovë. Ka botuar edhe në revistat tjera si Jeta e re,

 Zëri i rinisë, Flaka e Vëllazërimit etj. Dhe, përmbledhja e fundit me poezi: "Shtjella", 2006 - botoi “Era” Prishtinë, profesor i Gjuhës dhe letërsisë Frënge në SHMM, ku jeton e krijon në Gjilan.

Veprat


| Studimin monografik Albania e Konicës - Pergamenë shqiptare, Rilindja, Prishtinë, 1995

| Vëllimin letrar (grup autorësh): "'Agurrona", Gjilan, dhe redaktoi revistën "SogjitimeNr. I,II, III,1995-98

| Libri dokumentar "Kohëngjeshje bamirësie", grup autorësh, SHBHK "Nëna Terezë", Gjilan, 2000

| Rrëfejza satirike Demoniane, Gjilan, 2001

| Përmbledhja me poezi: "Shtjella", 2006 - botoi “Era” Prishtinë

Qëndresa në mbrojtjen e Shqipërisë Verilindore dhe Lam Hasan Shahiqi,Prishtinë,2015.





Image result for libri



-“Qëndresa në mbrojtjen e Shqipërisë Verilindore dhe Lam Hasan Shahiqi”

Pjesa Verilindore e trungut shqiptar, gjithnjë gjatë historisë ishte e para që u përball me mbrojtjen e kufirit nga mësymjet e fqinjëve veriorë, të cilët gjithnjë synim e kishin pasur gllabërimin e tokave shqiptare. Pikërisht kjo temë, që prej kohësh e kishte preokupuar autorin Shefik Shkodra, i cili ka nxjerrë në dritë veprën më të re të tij “Qëndresa në mbrojtjen e Shqipërisë Verilindore dhe Lam Hasan Shahiqi”. Kjo vepër, të cilën autori e ka ndarë në pesë kapituj, nis me një historik të shkurtër të popullit shqiptar dhe ndalet me theks të veçantë te ndjekja dhe shpërngulja e popullatës shqiptare nga Sanxhaku i Nishit, kohë kur nën trysninë serbe, rreth 700 fshatra të banuara me shqiptarë u boshatisën, duke lënë tërë pronën bashkë me tokat stërgjyshore.
Image result for libri
Autori me mjeshtri të rrallë ka përshkruar edhe dhunën serbe e cila është ushtruar ndaj popullatës shqiptare, por edhe rezistencën e shqiptarëve në mbrojtjen e vatrave të tyre stërgjyshore, pastaj Luftën e Parë Ballkanike e Luftën e Parë Botërore, jetën e rëndë nën Serbi e nën Mbretërinë e Jugosllavisë, por edhe përpjekjet e shqiptarëve për mbijetesë në vatrat e tyre, për rezistencën në male e për të bëmat e kryetrimave shqiptare. Në kapitullin e tretë ku vend qendror zë zona e qëndresës për trojet etnike të Shqipërisë Verilindore, autori me theks të veçantë ndalet te fshati Shahiq, një ndër fshatrat më në lindje, për të përshkruar edhe jetën dhe veprën e kryepersonazhit të këtij libri, Lam Hasan Shahiqi. Gjithsesi Lufta e Dytë Botërore është periudha kur kryepersonazhi u shqua më së tepërmi në mbrojtjen e kufijve verilindorë të Shqipërisë e autori flet edhe për sulmin e Gjilanit nga
Lëvizja e Rezistencës Shqiptare. Ai flet edhe për rënien e Lam Shahiqit në fushën e nderit gjatë betejës së Kikës. Në këtë libër një vend me rëndësi zë edhe Beteja e Gollakut pas së cilës forcat serbe kryen masakra dhe dhunë të paparë mbi popullatën shqiptare, në mesin e tyre edhe ndaj pjesëtarëve të familjes Shahiqi.

Autori Shefik Shkodra flet edhe për trashëgimtarët e familjes Shahiqi, duke u ndalë edhe te portretet e kësaj familjeje, kurse ky libër për hartimin e të cilit janë hulumtuar shumë dokumente të kohës dhe një literaturë e begatë është shumë i rëndësishëm për studimin i historisë sonë më të re, andaj ky libër si i tillë do t’u shërbejë studiuesve të historisë për ndriçimin e historisë sonë të lavdishme.

Shefik Shkodra është koautor i disa librave e veprat autoriale më të njohura të tij janë „Albania e Faik Konicës – pergamenë shqiptare”, „Shtjella” dhe „Erëverë”. Autori jeton dhe vepron në Gjilan.

(Agjncioni Floripress:Flori Bruqi)




2.


KRIPA NË UDHËT E TOKËS

Gjoksmadhja jonë koha, asnjëherë s´më ka lënë të bredhi jashtë saj. Në kohë kam gjetur prindërit e jetës; diellin, tokën dhe ajrin, shprehet shkrimtari me mbiemrin kombëtar, Shefik Shkodra. Gjyshërit tanë kanë shkyer thesin e miellit, për t´ia qepur rrobat njëri- tjetrit. Gjuha është grua që lindë vazhdimisht fjalë dhe figura të reja. Gjuha jeton tek çdo njeri, dhe është e bukur sa atë e nderojmë, dhe është e dashur sa atë e duami. Autori s´më kujtohet por është një krijues nga tanët.

Shkrimtari dhe publicisti, Shefik Shkodra, u lind në vitin 1948 në Desivojcë të Dardanës. Arsimin e detyrueshëm fillor e kreu në vendlindje, dhe në Hogosht, arsimin e mesmen në Gjilan, ndërsa u kulturua me diplomë Fakulteti, dega Frengjisht, në Universitetin e Prishtinës. Jeta dhe biografia e Shefik Shkodrës është një roman tronditës. Vendlindja e poetit Shefik Shkodra ka pamje epike, dhe të afshët për frymëzim. Ore, dua të shkruaj krejt i vetëm / për një këmishë shiu e vetëtimash / që lagej e thahej mbi trupin tim… / për një këmishë përherë të re!..

Në kohën e sundimit serb, Desivojca ishte e lënë prapa shpinës së zotit. Mungesa e parasë, varfëria, mungesa e rrugëve, dhe të gjitha së bashku, ishin për të ardhur keq. Formimi i intelektualit në kohën time, rrëfen Shefik Shkodra, ishte me vuajtje dhe beteja. Shtjellën unë e kam përjetuar nëpër të gjitha moshat e jetës. Fëmijëria e rëndë, dhe rinia e mbushur me zemërime, janë mbresat në shumë poezi të mia. Në vitin 1966, unë përjetova një gëzim të madh, kur m’u botua poezia e parë në Revistën letrare, „Jeta e re“.

Ç´është shtjella, ajo është diçka që të mbështjellë e të palosë – forcë që s’pyet. Është shtrëngatë - dredhë. Të hedh në tokën e ëndrrës. Por edhe të gjuan e të përplasë me gjësendet nëpër botë të ndryshme tmerri. Kështu e kam ndie poezinë. Në vendin ku jam lindur unë, shtëpinë e kam brenda, në natyrën e pyllit. Natyra në vendlindjen time ka sajuar bukuri vërtetë poetike. Çdo pamje në natyrën e vendlindjes më thërret; poet, eja tek unë, këndomë, jam e bukur për secilin varg.

Veprimtaria poetike e poetit Shefik Shkodra, nuk është e pakët, por vëllimet e tij janë të paktë. Njëherë, censura politike, e pastaj edhe kushtet materiale. Burgu i pushtuesit ishte me vazhdime. Liroheshe prej një burgu të vogël, të përpinte burgu i madh. Prandaj poeti Shefik Shkodra ka të botuar vetëm një pjesë të krijimtarisë së tij. Shefik Shkodra deri tash ka botuar këto përmbledheje librash; 1 . Shtjella, 2 . Erëverë, por ai shkroi edhe nga historia, historia e letërsisë, publicistikë, etj. Poezia e tij është e shpërndarë nëpër periodikun e gjerë të hapësirës gjuhësore të shqipes. Në poezinë „Kurbeti“ poeti Shefik Shkodra magjeps me bukurinë poetike, me dramën e jetës përbrenda, dhe me ngjyrat më reale komunikon me plagët e popullit tonë: S’ka dyshim se më merr malli për verën time. / Vëlla, dua ta rikujtoj këngën e karkalecit / dhe gjyshin pranë gurit të vatrës në mendime! Dhe poeti s´ndalet së kënduari;

Jam përmalluar për tufën e deleve / për ogiçët me kambana e shtagat e lojës... Në jetën time si poet, jo rrallë jam ndodhur para kufomave lakuriqe, të një shoku të rënë, apo të një miku të vrarë. Bisedat me veten time kanë qenë ndër më të ngrohtat. Kafshët e egra dhe kafshët e buta unë i kam njohur si fëmijë. Dhe si fëmijë kurrë s´kam dashur të jem ujk, por Qen, jo se jo. Edhe pse ujku është bir Qeni. Po e them këtë se në jetë kam vuajtur shumë nga dora e përgjakur e armikut. Krenarinë e rëndë të samarit të pushtuesit unë kurrë s´e kam pranuar. Njerëzit me samar të pushtuesit i kam fshikulluar.

Dashuria është e të gjithëve, më thotë poeti Shkodra, me të e pimë ujin e jetës:/ Jehona nga pylli gris velin e thurur të soditjeve! / Qiellit të egër me peshë përlajnë retë njëra-tjetrën / Ajo ushtimë shurdhësie vjen grykës së gjerë! / ... Këto dhe vargjet e tjera tregojnë për vlerën poetike të poezisë tê Shefik Shkodrës. Poetët, më thotë Shefiku, janë të çuditshëm. Jo njëherë, por disa herë i kam treguar qiellit dëmet e erës dhe të borës në dimër. Dehjen e shiut me vërshime unë e kam urryer. Natyra poetike e vendlindjes sime, është aq tërheqëse, aq frymëzuese, sa s´të lë të këputesh nga ajo copë tokë hyjnore.

Ndërgjegjja e poetit është e shenjtë, ajo s´guxon të thyhet as me çmime klanesh dhe as me dhurata miqësh. E vërteta për mua është e shenjtë, më thotë poeti Shefik Shkodra. Shkova në stinën e verës, në muajin e qershorit / u enda pas fluturave e u përmallova / si të mos isha ai që isha; / u djersita dhe mbeta / hullitë ballit shpejt m’i dhuroi koha / dhe rrugë të re më shtoi /. Unë kujtoj se poeti i përket poezisë dhe jo poezia poetit. Në ujëvarat e përrojeve që thurin zërin e mallit / lash kujtim dhembjen e fëmijërisë / truallin e larë me gjak që s’fshihet!..

Jeta morale e njeriut thotë Oskar Wilde, është lëndë e pasur për artin. Mirëpo, arti i vërtetë, sado imoral qoftë, ( kam lexuar tek Erza Paund ) prodhon dëshmi të vërtetë. Unë kujtoj shprehet poeti nga Gjilani, Shefik Shkodra, s´e problemet e artit, dhe të letërsisë, janë probleme të jetës. Shkrimtarët e mirëfilltë, shkrimtarët me forcë artistike, lehtësisht shkruajnë dhe krijojnë, i tillë vlersoj s´e është edhe poeti ynë, Shefik Shkodra.

Rrustem Geci - Dortmund





.Censorët e postmonizmit - Shefik Shkodra



3.



Censorët e postmonizmit




Në ndeja popullore, tradicionale, me njerëz të zejeve të ndryshme, mëson aq gjëra të bukura në jetë sa nuk do t’i gjesh në çfarëdo mësonjëtore evropiane e botërore. Shkurt, më mirë se me disa intelektualë - tregtarë të mallit kulturor. E ka thënë dikush përafërsisht kështu diçka, para meje, nuk më kujtohet sinqerisht kush kur. Njëra prej thënieve e dëgjuar është edhe kjo: “nuk ta blejnë mallin, mjeshtërinë, po ata që ende nuk kanë e mësuar!” Nuk ka sa duhet ‘myshteri’ edhe sot për krijimtarinë letrare artistike. Nuk ka subvencionime. Nuk ka vlerësues real dhe objektiv për këtë zeje. Është përzier politika me letërsinë e degë të tjera të artit e të kulturës. Barazimi është shprehur krejt me para. Edhe krijimtaria letrare. Këto faje i bartin disa njerëz që udhëheqin kulturën, por edhe disa që merren me këtë zanat drejtpërdrejt. Ata që e quajnë veten kompetentë - krijues të paprekshëm. Ata (disa) dëshirojnë t’i shohin veç hundët e veta, duke pas përfituar diç nga lidhjet konfidenciale e tepër sekrete, me mundësi për të abstrahuar çdo gjë tjetër përreth tyre. Askush nuk dëshiron t’ia thotë të metat e dobësitë askujt. Mirë, ka thënë ai me përvojë (ndoshta, Ramiz Kelmendi): “ka njerëz që më shumë kanë shkruar libra sesa që kanë lexuar!”

Një herë ishte censurë nga diktatura e monizmit shtetëror. Tash, në emër të një liberalizmi e demokracie, u mbushën vitrinat me emra letrarësh. Dhe jo veç ata që vërtet kanë prirje për këtë zeje, por edhe ata që veç e kanë mësuar alfabetin. Po, mirë, le të shkruajë e botojë kush si të dojë, sado që kjo veprimtari e padefinuar te ne po i shkakton dëm krijimtarisë serioze e të mirëfilltë. Kjo farë euforie e diletantizmi ka ndodhur edhe te shoqëritë e tjera të mëhershme dhe kjo tashmë ka kaluar dhe janë gjetur forma të përshtatshme për tregun e tyre.



Sikur të ishte krejt e vërtetë

E bukura artistike sikur dhunohet e dirigjohet nga mekanikët e komercialistët. Po, herë-herë edhe nga egoistë e përçarës (si ndonjë poet mëhalle e oborri) që po bëjnë grupime selektive sipas tekeve dhe interesit individual. Sikur kur del në natyrë për vikende të lira me familjarë e miq. Sikur ata janë financues e patron kapitalistësh...

Kur dëshiron të tregosh se i je përkushtuar krijimtarisë letrare, s’ke nevojë t’i shash të tjerët. Të rrahësh gjoks e të bësh lavde për vete. Si fërfëllon këndesi krahët dhe kërlesh pendlat përreth ndonjë pule të pehatshme para mashkullit, njësoj përpjekja jote, të thërrasësh miletin se vetëm ti je kompetent në këtë anë për këtë punë. Sikur vetëm ty Zoti ta fali dhuntinë artistike me përvojën paralindëse dhe atë tash e mban në dorë. Kujt të duash t’ia hapësh derën, këndo e lë jashtë ceremonisë. Fantazi e shtjerrë dhe e sëmurë! Është e pajustifikueshme të thuhet se vetëm një është me nja dy-tre vetë në Anamoravë. Këta dy-tre i mbështetë sa për nevoja tuat, në realitet egoja jote as këta nuk do t’i përfillte në do rrethana të tjera. Po jashtë këtyre të tjerë nuk ka! Janë të pallogaritshëm në këtë vend. I nderuar, bën ndarje shumë të ngushta. Veç provincialistë e mëhallaxhinj dalim para botës. Apriori, me çfarë aftësie del me “ky është krijues letrar, ky tjetri jo!” Shpirti i poetit nuk është aq i ngrysur e aq i ngushtë, duke pas caktuar masë aq të padhimbshme për të tjerët. Dhe shumë inkompetent! Shfrytëzon burime financiare legale e më shumë ilegale, por jo për të gjithë. Jo për qëllim uniteti prej etikes poetike e edhe kombëtare. Shkon e merr njerëz më larg që të thuash para vendasve, “ja, unë jam këtu, unë bëj letërsi dhe unë qerasi kë dua!” Mëkatit nuk i ndruhet dikush asnjëherë. Merr vesh, ti njeri i kalemit dhe frymëqitës i “shenjtë”, me të cilën i përvëlon njerëzit pas shpine. Apo, ndoshta fryma jote edhe e ndonjërit si ty është frymë qelbanikësh. Si ua merr mendja lexues i nderuar? Lavdëraçi a ka brirë? Jo! Çka thotë? Rrah gjoks. Duke i urryer të tjerët, e bën vetën qesharak para botës. Kësi çartafelli është vështirë ta gjesh, jo veç në nahi, por në krejt vendin. Është shprehje jo poetike, por egoiste e narcizoide. Narcis, aq shumë je i dashuruar në vetvete me ‘dëshmi’ se ke tejkaluar provën aretiniane, pa e njohur kush ishte Aretini dhe veprat e tij, bile edhe atdhedashurinë e hedh në sprova nëpër kohë. Nuk mund ta quan kush tipin e tillë në emër të vet, pos - Ftigan! Është emër i gjinisë mashkullore, kur dikush tërbohet dhe thyen e prish çdo gjë për teke të tij personale, të tjerët i gënjen se po ndërton.



Dilema për gjendjen shpirtërore

E merr disi shumë të formuar (mos jemi keqkuptuar ndonjë herë), madje ia shtrëngon dorën kur e përshëndet, që ta rrëmbejë me zemër gjithashtu. Po mendja i ikën te smira, pastaj te uzurpimet, duke mbiçmuar vetën si vlerë të pakontestueshme e tej mase. Po si ke për ta ndryshuar botën?! Nëse veç mendon diç të tillë, mbetesh i marrë. Bota është rrethi yt, në të djathtë e në të majtë, para e mbrapa. Nga personalitete që del herë-herë diçka e buku dhe e dashur si rrjedh lumi. Njerëzorja që të ngazëllen. Tek të del para si një kreator i vërtetë që lëshon rreze e frymë me mbresa të amshueshme. Një imazh që të veton në mendje ngjyra-ngjyra e me një nuancë të një hullie në sfondin e rimtë. Me fjalët e tij si qenie profetike. Shenjti qoftë! Thua, për të mirë!...e preksha si magjinë që jep forcë në mendje të intelektualit. Kërshëria të mbush me lezet njeriu para se gjithash, nga një botë pa diktime e ardhur, njëkohësisht edhe e panjohur deri në atë çast. Do të thotë, sikur është e vërtetë, me prejardhje të veçantë. Fët! Si hije e një trupi të padimensione, si ëndërr që të merr në ankth. Të trishton e nuk e merr shumë të rrezikshëm. Po ngadalë, ta zë frymën hija e zezë



S’bëhet krijues askush me tituj të varguar

Asnjëherë s’më ka shqetësuar puna e askujt. E atyre që i njoh më gëzon kurdoherë. Nuk kam dashur që ta ngacmoj për çfarëdo rasti askënd. Ti mua e askënd s’e bën krijues. Vargu i titujve të librave, herë-herë, është më shumë reklamë ambicioze. Kujt i thua se vetëm ti je i gjallë me këngën tënde propaganduese politike. I mashtron oborrtarët, po nuk ke krijuar gjë të re. I di kush ishin poetët dhe shkrimtarët botërorë, të shkon mendja të mos e prekësh penën më me dorë. Ëndërr e mirë, si në shtrat me më të dashurën hyjneshë – kredhje e zgjim për diç të gjallimit dhe diç që e ruan me xhelozi deri në lindjen e frytit.



Epilogu

Goma e përqyrravtë fshin e të lë pa zë, pa këngë, të vetmen e jetës reale që ke pasur. Vetvetes ia qet zërin e zi. Po ku e ke atë fryt që ke krijuar e do t’ia dhurosh njerëzimit: kur ishe në zez’ditë, a në ëmbëlsirat e aristokracisë. Panlaver! Kur dhe ku të mori harresa dhe nata e vetmisë me dhjetëra kilometra largësi, i përbaltur dhe i humbur në oborr pranë shtëpisë. Po, kur e pe vdekjen me sy? Sa herë dhe kur u ktheve në këtë botës pas vdekjes? A ishe syçelë e i gjithmonshëm, në dritë të hënës kur mbarove rrokjet më të dashura të jetës? Cila ishte dashnorja më e bukur e më e dashur që të la gjithë vjetët varur në hurin e hiçit? A e kishe ronitur kokën tënde ndonjëherë nëpër tryeza zdralesh nga thyerja e zemrës? Të ka përvëluar zëri i këngëtares me raki nga dhimbja e pamatshme e në pamundësi të rrëfehet te injoranca?! Sigurisht, qeshesh se ke mësuar edhe pak politikë. Lindjen e ke ushtruar nëpër sokake, kudo e ke hedhur frytin në mbeturina nëpër kontejnerë. Arti për artistin është dhimbja më e vështirë në lindje! Ti ditën bën lojë artistike e palaçoje për elitat e përkohshme, natën atë të shtrigave. Pragmatist i peshatshëm! Të ndërzen ndonjë thadrim në rast përmjerrje dhe ngul grafite pa...çfarë krijon...? rrenë! Si ta merr mendja, i lirë je. Veç, të gjithë i fut në strajcën tënde, enkas të goditur aty për aty. Ndryshe mbetesh ngordhavec. Po dhe pa forcë, s’ke kthetra t’i qërosh aq të tjerët.

Prandaj, vijon edhe me krijimtarinë e dredhive, kurrë i korrigjuar!

 (Shefik Shkodra)


4.


ARSIMI DHE E NESËRMJA E JONË

Për fjalë e nga fjalët shumë të pasur dalim, më shumë se askush tjetër. Por, si shihet për shumëçka veç fjalët po na mbulojnë. Do të duhej që të hapim sytë, se, dikush a ndoshta të gjithë, ky brez, do të mbetemi në borxhe për gjeneratat e ardhshme. Një herë, me këta të sotshmit që i kemi para sysh të bëjmë diçka.

Qeveria duhet të bëjë përpjekje pareshtur për mëkëmbjen dhe forcimin e shtetit, gjithnjë në angazhim të të gjithë resorëve të vet. Me ministritë e veta duhet të jetë e angazhuar për një bazë të zhvillimit ekonomik para se gjithash. Në rend të parë do të vinte, prova për prodhimtari sa më të madhe nga vendi dhe një barazim import-eksporti. Por edhe një mbikëqyrje për cilësinë e atyre prodhimeve. Në këtë mënyrë, investimi do të sillte të ardhura në këtë drejtim dhe punësim më të qëndrueshëm. Në resorin e drejtësisë do të merreshin masa për një ligj që do të zbatohej dhe do të pavarësoheshin gjykatat në tërësi. Me mbikëqyrje dhe me siguri, më parë nga njerëzit në institucione që keqpërdorin pozitat e tyre, duke i shkaktuar dëme shoqërisë në përgjithësi. As shëndetësia dhe administrata nuk duhet të lihen anash. Më së shumti duhet pasur kujdes me arsimin tonë sot.

Të mos mbetet arsimi sot për nesër

E di se ky titull nuk është për herë të parë. Po ka shumë që flitet, e më shumë do të duhej të thuhet si të punohet. Dhe më duhet që edhe kësaj herë t’i përmendi disa gjëra që na sjellin çdo ditë vërdallë. Të gjithë kur i dëgjon, e edhe qytetarë e rëndomtë, të rrëfejnë shumë për rëndësinë e arsimit. Nganjëherë habitem se, nuk po ditsha asgjë për këtë lëmi në krahasim me të tjerët, e edhe ata që janë përgjegjës në krye të kësaj pune mjaft flasin.

Qeveria në përgjithësi, dhe Ministria e Arsimit në veçanti, pas intervenimeve në infrastrukturë shkollore dhe ngritjen e kuadrit kualifikues, do të duhej të merrej shpejt edhe me veprime shumë adekuate e praktike. Pas vullnetit politik e atdhetar, refleksi duhet të jetë i shpejtë për eliminimin e të gjitha dukurive negative që mund të shfaqen në arsim dhe edukim, duke pas në sy të gjitha lëvizjet. Mbikëqyrja e të gjitha niveleve shkollore për cilësinë e mësimdhënies. Më parë, duhet ta dimë se nuk kemi nevojë aq të madhe për universitete dhe kolegje në Kosovë. Ato universitete, kolegje e shkolla të tjera duhet të kenë një shtrirje të limituar e të verifikuar në çdo pikëpamje. I tërë arsimimi privat universitar do të duhej të ketë kritere për kryerjen e asaj shkalle universitare. Është anakronizëm që kandidati, i cili mezi e ka kryer shkollën e mesme (me dysha, “i hequr qafe”), tash në universitetin privat, ka para, dhe del kandidati me nota të shkëlqyeshme. Kjo mund të ndodhë, por shumë rrallë, për mos me thënë kurrë.

Do të thosha, edhe sektori privat edhe ai publik duhet të jenë në syrin vëzhgues. Në sektorin privat do të ishte mirë që të fshihet një pjesë e madhe e atyre universiteteve dhe kolegjeve si të pa nevojshme nga ata të agjencionit për akreditim, të tepërta në prodhimin e kuadrove dhe profileve të reja, me pak merita ose kurrfarë, veç pagesës që i bëhet pronarit dhe mësimdhënësve. Ky shtim është më tepër shumëzim profilesh me karakter komercial dhe jo përgatitje për veprim praktik e me njohuri të mjaftueshme. Në universitete private dhe kolegje, regjistrohen nxënës (kandidatë) që duan një njohuri shumë më solide, prandaj edhe paguajnë dhe sigurojnë kushte më të mira, për një punë më të suksesshme.

Prandaj, do të ishte nevojë shumë e ngutshme, që të shqyrtohet mundësia për kufizimin e atyre universiteteve dhe kolegjeve. Ndryshe, e nesërmja jonë do të bartë pasoja të rënda. Nuk duhet dhënë diploma analfabetëve. Me përjashtim të ndonjërit që punon me vetëdije, është mbushë me profile gjithfarësh.

Plan-programet dhe literatura

Alfabet për mësimdhënësit do ishte plan-programi, përpunimi i tyre prej njerëzve ekspert e me përvojë. Pa tenderë në punimin e tyre, me tekste shumë të zgjedhura për materie. Me zgjedhje, përpilues e përkthyes të aftë. Do të duhej që për përpilimin e plan-programeve të zgjidhen njerëz që vërtet kanë përvojë dhe afinitet në ndërtimin e kornizave veç e veç për të gjitha materiet dhe për të gjitha nivelet e arsimit. Të eliminohen të gjitha familjarizimet, tenderizmat e alibitë e pa dobishme për këtë çështje. Të kthehen dhe rehabilitohen lëndët që janë shumë të domosdoshme në plan-programe, si latinishtja në shkollat e mjekësisë dhe në katedra tjera si filologjia, por edhe në materiet e biologjisë, kthimin e historisë e gjeografisë në disa shkolla profesionale, etj.

Është koha të inaugurohet një rregull i përgjithshëm

Pa një disiplinë të mirëfilltë nuk ka arsimim të nivelit të duhur e solid. Në kuadër të disiplinës do të hynte puna me orar të saktë e mësimdhënësve; angazhimi i tyre vetëm në një institucion; përgatitjet e tyre me shkrim e me gojë; shkoqitja e plan-programit si duhet. Sjelljet e tyre me nxënës dhe të tjerë gjatë punës në shkollë dhe për shkollën.

Disiplina (rregulli) në institucionet shkollore e universitare, duhet pasur parasysh vijueshmërinë e mësimdhënësve gjithashtu edhe të nxënësve, në të gjitha nivelet. Nuk duhet lejuar që nxënësit (studentët) ta presin mësimdhënësin gjithmonë me orë e me ditë (nëpër fakultete), për ligjërata e ushtrime. Afati i provimit, kur shënohet dhe caktohet, duhet të respektohet pa tjetër, veç në rast sëmundje apo vdekje. Nuk arsyetohet që mësimdhënësi të punojë në dy vende e më tepër. Nuk arsyetohet që ministri apo zyrtari tjetër i institucioneve publike të punojë nëpër ato universitete private, por edhe në atë publik. Shpeshherë ngecja në punë ndodh për këtë arsye. Nuk preferohet në asnjë vend normal në Evropë e botë të mos çmohet hierarkia. Jashtë këtij procesi është të falet dija, apo të blihet sikur po ndodh në disa raste të publikuara e shumë të pa publikuara. Nuk lejohet një shoqërorizim intim me nxënësit (studentët) dhe keqpërdorimi i pozitës së mësimdhënësit. Kjo çdo kund sanksionohet urgjentisht. Arsimtari që ka pas marrëdhënie intime me nxënësen, studenten nuk mund të jetë mësimdhënës edhe më tutje. Këto po ndodhin te ne. Nuk mundet një mësimdhënës të bëhet tiran para të rinjve, sikur që nuk duhet ta lejojë veten të nëpërkëmbet. Edhe nxënësit (studentët) e rregullt duhet ta respektojnë rendin shtëpiak. Në të kundërtën, do të duhej të dënohej mungesa e tij, rrahja, si që ka ndodh edhe vrasja e njëri-tjetrit në shkollat tona. Rregullore për disiplinë nuk mund të jetë, kur nxënësi bën edhe njëqind (100) mungesa pa arsye, largohet për tri ditë dhe kthehet në shkollë. Kësaj i thonë një keqpërdorim dhe një shkelje e çfarëdo rregulloreje juridike. Por, edhe një lojë me personelin mësimdhënës e drejtorinë e shkollës, me drejtorinë komunale, me pedagogët e mësimdhënësit, etj.

Duhet të punojnë entet pedagogjike. Këshilltarët që do të përcillnin punën e çdo mësimdhënësi duhet të jenë njerëz të përgatitur, me përvojë, të disiplinuar e autoritarë. Pas përcjelljes së punës së atyre që për një kohë të caktuar nuk tregojnë aftësi për mësimdhënës dhe nuk duan apo s’mundën ta ushtrojnë këtë zanat le të largohen. Secili nuk është për arsim e edukim. Në Kosovë nuk ka punësim, pos administratës, policisë dhe një numri shumë të kufizuar në shëndetësi, të gjithë konkurrojnë për mësimdhënës nëpër shkolla e universitete. Këshilltarët duhet të përcjellin edhe punën dhe sjelljen e nxënësve bashkë me mësimdhënës të shkollave.

Integrimi i kombëtares në procesin mësimor

Nuk duhet të mendohet se, veç kozmopolitizmi vjen në shprehje nëpër Evropë e në vende tjera të botës. Edhe ata e kanë lidhjen me vendin e tyre, e respektojnë dhe shfaqin ndjenjën e atdhetarizmit. Arsimimi dhe edukimi te ne është domosdoshmëri të ruajë komponentin e kombëtares. Të kthehet lënda e historisë nëpër disa shkolla dhe të luaj rolin e vet si shkencë. Pavarësisht se kush e çka dëshiron të bëhen shqiptarët, gjithnjë preferohet ta ruajmë e ta kultivojmë traditën, historinë tonë (jo me nacionalizëm romantik), por realisht për të kaluarën. Nuk duam komb pa emër (asnjanës), duke u shkri në gjithçka që nuk ka emër të vetin objektiv. Kemi thënë edhe më parë, ‘nuk na duan askush më shumë, nëse e braktisim kombëtaren dhe shndërrohemi në diçka tjetër’. Kombëtarja nuk është lëndë e veçantë, por nëpër mes atyre lëndëve mësimore, si gjuha dhe letërsia, historia, etj. Dhe këto i rregullon plan-programi.

Pra, gjatë gjithë të mësuarit në nivele të ndryshme, nuk duhet ta harrojmë edhe elementin albanologjik. Nuk do të duhej të kultivojmë ëndrra për sajimin e një kombi të ri, e një gjuhe të re. Ndryshe, kemi thënë edhe më herët është e pajustifikueshme dhe shumë qesharake me atë “kombin kosovar” dhe atë “gjuhën e nënës”, që po e trumbetojnë disa, të veçantë këtu në Kosovë. Në shkollë fëmija, gjithqysh duhet të mësojë edhe gegërisht, sikur që e mëson këtë gjuhën standarde sot. Është absurde ngase, të gjitha kombet me shtete të veta e kanë një gjuhë të standardizuar. Ne nuk jemi ende komb i pavarur me të gjitha trojet shqiptare, etj. Gjuha mund të plotësohet e të begatohet me të gjitha elementet e të gjitha provincializmave si dhe ato të gegërishtes.

Po rinia jonë, do të ishte më mirë të frymëzohej në diçka shqiptare, në diçka ngjashëm me kulturën dhe traditën për ta mbajtur veten sa më larg shtigjeve të rrezikshme në ditët e sotme. Më mirë me organizime të mbrëmjeve me koncerte muzikore, orë letrare, shfaqje teatrale e me ndonjë ekspozitë etj. se sa të shkojnë të gjithë nëpër kafene edhe gjatë kohës së mësimit. Të gjithë me duhan e me alkool në gojë, e një pjesë e tyre edhe me konsumimin e drogave. Për nj riparim të përgjithshëm do të duhej të angazhohen të gjithë.

 (Shefik Shkodra)

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...