Durim Bami ka pranuar dje gjatë marrjes në pyetje në prani edhe të prokurorëve se është e vërtetë që ai ka marrë porosi për të eleminuar fizikisht deputetin Tom Doshi. Policia tregohet e rezervuar për të dhënë detaje të tjera rreth dëshmisë së Durim Bamit përballë hetuesve.
Mediat raportojnë se Durim Bami ka tentuar të arratiset nga vendi pak pas mesnatës së kaluar rreth orës 00:30 dhe është ndaluar në automjetin e tij në pikën kufitare të Hanit të Hotit per të shkuar në Malin e Zi. Burime nga prokuroria thanë se pas ndalimit, rreth orës 03:00 të mëngjesit ai është shoqëruar nga Shkodra për në drejtorinë e Policisë në Tiranë, ku është marrë në pyetje nga Prokurorët e Krimeve të Rënda.
Rrëmbimi i Stafukës, ishte në kafe me Bamin
Naim Stafuka vëllai i Enver Stafukës tregon se para se të rrëmbehej, personi i fundit që ka takuar vëllai i tij, ka qenë pikërisht Durim Bami, emri i të cilit është i përfshirë në ngjarjen e atentatit të mundshëm ndaj Tom Doshit dhe deputetit tjetër, Mhill Fufit. Enver Stafuka i cili ka qenë i përfshirë si i dyshuar edhe në vjedhjen e automjetit që u përdor në vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, u rrëmbye nga tre persona me uniformë policie. Naim Stafuka konfirmon se vëllai i tij ishte në kafe bashkë me Durim Bamin disa momente para se ta rrëmbenin dhe se kur ai ka dalë e ka lënë në kafe Bamin dhe shokët e tjerë. "Po vëllai im ka qenë duke pirë kafe me 2-3 shokë, aty ishte edhe Durimi. Pas kafes vëllai ka dalë nga lokali, aty e kanë pritur personat që e rrëmbyen. Siç dallohet edhe në video."- tha Naim Stafuka.
Naim Stafuka shton se me Durim Bamin kanë njohje që nga fëmijëria dhe nuk ka asnjë lloj dyshimi te ai apo familja e tij.
Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë të një lokali në qendër të qytetit të Fushë-Krujës duket 48¬-vjeçari Enver Stafuka nga fshati Larushk i Krujës, që del vetëm prej tij në orën 19:46:15 minuta dhe tenton të hipë në makinën e vet, por ndalohet dhe futet me forcë në një mjet tjetër nga tre persona që ishin të veshur me uniformë policie.
Enton DOÇI
No comments:
Post a Comment