Veprimet e Rusisë në Ukrainë kanë bërë që vëmendja të shpërqendrohet nga pushtimi që po i bën Kremlini internetit. Tani, bota është duke vërejtur një tjetër strategji të Putinit teksa liria e internetit në Rusi është duke u tkurrur gjithnjë e më shumë. Kjo nuk është një histori që ka lidhje vetëm me teknologjinë. Qëndrimi i Putinit ndaj rrjetit, shpreh qartë tendencat e tij izoluese si edhe frikën nga kritikat e brendshme. Pushtimi i internetit në Rusi, tregon se Putini, pavarësisht mbështetjes popullore që gëzon në vend, mund të mos ndihet aq i sigurt sa ç’kërkon të shfaqet. Në kushte normale, liderët që kanë besim në vetvete, nuk kanë pse të ndihen të kërcënuar nga mediat sociale.
Deri kohët e fundit, interneti në Rusi ka qenë relativisht i lirë, krahasuar me gazetat dhe televizionet. Rusia, të paktën deri tani, nuk e kishte ndjekur modelin kinez të censurës së internetit. Nuk ekzistonte më parë “Muri i Madh i Rusisë” që të bllokonte faqet e huaja në rrjet dhe nuk kishte fjalë kyçe, të cilat ishin të ndaluara apo ushtri të tëra njerëzish që fshinin nga rrjeti faqet me përmbajtje të palejueshme. Rusët mund të futeshin në internet dhe të ankoheshin për korrupsionin, padrejtësitë, madje edhe për vetë Putinin dhe Kremlini nuk ndërhynte, pasi autoritetet nuk e konsideronin internetin një kërcënim politik.
Tani, Rusia duke marrë masa për ta izoluar vendin nga interneti global, mesa duket, për ta mbrojtur veten nga veprimet agresive të Perëndimit. “Ka ardhur koha të vendosim kufij, pasi vendet perëndimore mund të sillen në mënyrë të paparashikuar”, thotë zëdhënësi i Vladimir Putinit, Dmitry Peskov. Ky justifikim është në sintoni perfekte me deklaratën e Putinit në fillim të këtij viti, kur tha se, interneti ishte një “projekt i CIA-s”.
Bllokimi i internetit nga ana e Kremlinit filloi si kundërpërgjigje ndaj pakënaqësisë publike. Në fund të vitit 2011 dhe përsëri në fillim të vitit 2012, dhjetëra mijëra rusë dolën në rrugë për të protestuar kundër mashtrimit zgjedhor dhe regjimit të Putinit. Rrjetet sociale luajtën një rol vendimtar në organizimin e protestave dhe blogeri Alexey Navalny u dallua si një nga liderët e lëvizjes opozitare.
Që pas këtyre protestave, të cilat ishin më të mëdhatë në Rusi, që pas rënies së Bashkimit Sovjetik, liria e internetit në Rusi filloi duke u konsideruar gjithnjë e më shumë si kërcënim. Sipas “Freedom House”, që nga muaji janar 2012 deri në shkurt 2013, numri i faqeve të internetit të etiketuara si materiale ekstremiste dhe të bllokuara nga Ministria e Drejtësisë, është rritur me 60 për qind.
No comments:
Post a Comment