Deputeti Tom Doshi ka zbardhur dje bisedën e zhvilluar mes tij dhe Ramës në zyrën kryeministrore, ku deputeti socialist ka informuar Kryeministrin se ishte shënjestruar për t’u eliminuar nga një person i paguar nga Ilir Meta. Duke zbardhur këtë bisedë të zhvilluar rreth 6 muaj më parë në zyrën e Ramës, deputeti Doshi bën të ditur se gjatë atij takimi Rama përveçse kishte shprehur solidaritetin ndaj Doshit e kishte drejtuar atë tek ministri i Brendshëm që të bënte denoncimin dhe më pas “t’ja tregonin vendin Metës”. Doshi më pas tregon se duke ndjekur udhëzimet e Ramës, ai kishte takuar ministrin e Brendshëm, Tahiri dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi dhe se në këtë takim, kishte marrë me vete edhe personin që ishte paguar nga Meta për eliminimin e dy deputetëve, i cili bëri para dy autoriteteve deponimin. Pas kësaj, Doshi bën të ditur se për ngjarjen e rëndë kishte njoftuar edhe Prokurorinë e Përgjithshme. Por pas denoncimeve të bëra, nga zyra e Kryeministrit, në zyrën e Tahirit dhe atë të Prokurorisë së Përgjithshme, asnjë nga institucionet në fjalë nuk reaguan në lidhje me ngjarjen.
“Në datën 30 gusht, në një takim me Edi Ramën, ai më ka thënë: ‘Të ka shpëtuar Zoti Tomë. Çoje të penduarin tek Saimir Tahiri të bëjë denoncimin dhe t’ja tregojmë vendin Metës’. Unë e çova të porositurin për krim në takim me ministrin dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, i cili me dorën e tij ka mbajtur shënim çdo deponim që u bë. Saimiri më deklaroi që edhe kanë inçizuar bisedën. Nuk e di se çfarë ndryshoi më pas. Nuk e di pse Rama, Tahiri apo Prokurori nuk vepruan. Nuk e di çfarë pazari i ka ofruar Ilir Meta këtyre për të mosvepruar. Mosveprimi për të parandaluar apo hetuar një krim është i dënueshëm nga Kodi Penal dhe ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë”, shprehet Doshi në një reagim të tij.
Doshi deklaron se Ilir Meta sot e ka vënë Edi Ramën në një pozitë kriminale. “Të mbrojë krimin ose t’i bjerë qeveria? Është zgjedhje shumë e lehtë, po të mos kesh synim pasurimin me çdo kusht. Elektorati socialist në të gjithë Shqipërinë e urren Ilir Metën. Nëse Rama do të kishte guximin dhe ndershmërinë të shkonte në zgjedhje të reja, pa Ilir Metën në krah, do të fitonte sërish, pavarësisht një doze zhgënjimi që ekziston sot në popull. Populli e di që Rama i ka pasur krahët të lidhur nga LSI e bandat e tyre dhe do të dijë të orientojë votën siç duhet. Unë i bëj thirrje Edi Ramës të gjejë forca dhe të distancohet nga kthetrat e Ilir Metës dhe të mos shkruajë për telenovela në Facebook. Partia Socialiste është e fortë dhe e pastër dhe nuk ka nevojë të marrë në mbrojtje njerëz të implikuar në vrasje”, shprehet ai.
No comments:
Post a Comment