Teksa komuniteti ndërkombëtar pret t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë gjakderdhjes në Ukrainën juglindore, vizita e Vladimir Putinit në Hungari ka shkaktuar debate të mëdha si në Rusi ashtu edhe në Perëndim. Analistët e huaj tashmë janë të bindur se Putini po përpiqet të ndajë Bashkimin Europian, duke gjetur në Europë miq të rinj të Kremlinit për të demostruar se, pavarësisht pretendimeve të liderëve europianë dhe atyre amerikanë, izolimi ndërkombëtar i Rusisë nuk është gjë tjetër veçse mashtrim. Siç thekson edhe Owen Matthews i “Newsweek”, Putini përdor joshjen, një dozë të lehtë anti-amerikanizmi, ideologjinë konservatore familjare dhe natyrisht paratë, për të blerë miqtë e tij të rinj europianë. Ndërkohë, “Washington Post” citon një diplomat anonim, i cili ka paraqitur prova që tregojnë se Rusia është duke i bërë vërtetë këto manovra në Europë.
“Rusët po përpiqen të copëtojnë unitetin e Europës dhe janë duke vënë në shinjestër vendet më të dobëta”, thotë një diplomat perëndimor, i cili merret me politikën e Hungarisë. “Hungaria dhe Bullgaria kanë nevoja energjetike. Greqia ka nevoja të dëshpëruara financiare. Gjithçka është e pjesë e strategjisë së vjetër ruse”. Pjesa më e madhe e komentatorëve perëndimore mendojnë se lideri hungarez Viktor Orban është i gatshëm të bashkëpunojë me BE-në edhe kundër Rusisë. Megjithatë, Orban vazhdon të konsiderohet si “Kali i Trojës në BE” apo si “Hugo Chavez i Europës.
Jo më i izoluar nga gjithë Europa
Fakti që Putini është vërtet i interesuar të heqë qafe sanksionet dhe po përpiqet të rrisë numrin e vendeve të gatshme të punojnë pro Rusisë është i padiskutueshëm. Është mëse logjike që lideri rus ka shanse më të mëdha që t’i gjejë aleatët e tij në radhët e vendeve ish-ballkanike, në Greqi dhe në Europën Lindore. Gjatë ditëve të fundit, një sërë përdoruesish të mediave sociale në Rusi janë tërhequr së tepërmi nga politikanja joshëse polake, Magdalena Ogórek. Ogorek është një kadidate presidenciale e krahut të majtë dhe nëse fiton zgjedhjet, është e gatshme menjëherë të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë.
Është e vërtetë që shanset e saj janë tepër të ulëta, pasi nuk ka eksperiencën e nevojshme politike dhe ndjenja anti-ruse është tepër e përhapur në popullin polak, megjithatë, shtypi rus e ka shpallur Magdalenën “kandidaten presidenciale më seksi në botë”. Sjellja e Putinit në politikën e Jashtme dhe veçanërisht në Ukrainë mund ta kenë çuar Rusinë drejt izolimit, por tashmë duket qartë se, lideri i vendit po përpiqet të gjejë miq të rinj dhe është i gatshëm të përdorë të gjitha avantazhet ekonomike që mund të ofrojë shteti. Një trend që duhet theksuar është që në radhët e “miqve të rinj të Kremlinit”, renditen përfaqësuesit e majtë dhe ato të djathtës ekstreme.
Basti hungarez i Putinit
Pas refuzimit të Rusisë për të ndërtuar Rrjedhën e Jugut, Hungaria mbeti e varuar vetëm nga gazsjellësja e Ukrainës. Për këtë arsye, vendi ndihet i kërcënuar veçanërisht nga pasiguria e situatës në Juglindje të Ukrainës dhe nga përkeqësimi i marrëdhënieve ndërmjet Kievit dhe Moskës.
Në rastin më të keq, furnizimi i Europës Perëndimore me gazin rus nëpërmjet Ukrainës mund të vihet në diskutim, siç ka ndodhur edhe më parë gjatë viteve të fundit si pasojë e konflikteve më pak të rënda ndërmjet këtyre dy vendeve. Kjo bën që Hungaria, e cila është 80 për qind e varur nga energjia e importuar, mëse të gatshme të reduktojë sado pak këtë varësi.
No comments:
Post a Comment