2015-09-30

Zbulohet dokumenti që Sigurimi i Shtetit i dërgon Enver Hoxhës për arrestimin e poetit Xhevahir Spahiu


Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars të vitit 1945 në Malind të Skraparit, është shkrimtar i njohur shqiptar.Studioi në fakultetin histori-filologji, dega gjuhë-letëresi shqipe.Që nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori ”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operas e Baletit në Tiranë.Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe dhe është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Tituj të veprave



Falenderojmë publicistin,shkrimtarin dhe editorin Rexhep Shahu  nga Tirana ,pë dërgimin e materjalit me titull:"Zbulohet dokumenti që Sigurimi i Shtetit i dërgon Enver Hoxhës për arrestimin e poetit Xhevahir Spahiu".

Redaksia e Agjencionit Floripress,Prishtinë






XHEVAHIR SPAHIU NUK ËSHTË SHKRIMTAR I LIBRAVE “NË SIRTAR”, ALIBIVE DHE RETUSHEVE

-Relacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme, “Mbi të implikuarin Xhevahir Spahiu”: armik dhe antiparti.-

-“Shkruan poezi armiqësore dhe ironizon klasikët e marksizëm-leninizmit.”

-“Në një material të përgatitur nga Xhevahir Spahiu, i ashtuquajturi “Simpozium për rakinë”, përçmohen dhe ironizohen mësimet e klasikëve të Marksizëm-leninizmit dhe zhvillimi i tyre në mënyrë krijuese nga Partija t’onë”.

-“Të rinj si Xhevahir Spahiu janë të pakënaqur. P.sh. Ali Oseku ka hedhur fjalë fyese ndaj ish-pedagogeve të tij, duke e quajtur thjesht, bojaxhinj…”

-Pesë masa ndëshkimore ndaj Xhevahir Spahiut.

- Intervistë e gazetarit Arshin Xhezo, mik dhe koleg me Xhevahir Spahiun, dhënë gazetarit Naim Zoto-



(Pjesa e parë)

Naim Zoto

Ky dokument “Sekret 1”, të cilin në vitin 1977 Ministria e Brendshme ia dërgonte Enver Hoxhës, i ra në dorë poetit, vetëm këto ditë dhe i gërvishti një plagë të vjetër.
Tek kafe “Evropa”, ku rri zakonisht me miqtë e tij, poeti nuk ka dëshirë të flasë për të. Por, edhe sikur të dojë të flasë, së paku, tani për tani, nuk mundet. Një vit pas një operacioni tepër të vështirë që kreu jashtë shtetit, dhe me të cilin opinioni është njohur nga media, poeti duket goxha më mirë, por edhe për shkak të emocionit që shkakton ky kujtim i hidhur, ai nuk mundet të tregojë dot.
Kjo ishte dhe arsyeja që ne iu drejtuam për këtë intervistë, njerit prej miqve të tij të vjetër, z. Arshin Xhezo, në atë kohë, edhe koleg me Xhevahir Spahiun, në gazetën “Zëri i Popullit”.
Zoti Xhezo, njëherësh me rrethanat në të cilat është akuzuar aq rëndë poeti, flet edhe për raportet e pushtetit të kohës, me krijuesit dhe intelektualët, në përgjithësi.


-Zoti Xhezo, fillimisht, ju falenderojmë për intervistën por edhe që na dhatë për botim një kopje të dokumentit “Sekret 1” të Ministrisë së brendëshme. Deshëm t’ju pyesim, si ju ra në dorë ky dokument?
-Mendoj se fillimisht është më mirë “të flasë” ky dokument sekret i Ministrisë së brendëshme; pra, që lexuesi të njihet më parë me të:


Miratohet

“Sekret” , Ekz.Nr.1

Zv.Ministri i Punëve të Brendshme Tiranë, më 1.VI.1977

/Feçor Shehu/


RELACION

MBI TË IMPLIKUARIN XHEVAHIR SPAHIU


Xhevahir Myrteza Spahiu, i datëlindjes 1945, lindur në Skrapar e me banim në Tiranë, anëtar Partie, me arsim të lartë, i martuar, me punë korrespondent i “Zërit të Popullit”.

Gjatë ndjekjes dhe zbulimit të veprimtarisë armiqësore të grupit armik e antiparti në sektorët e artit e të kulturës të kryesuar nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja e Dashnor Mamaqi, rezulton se në ngarkim të Xhevahir Spahiut kanë dalë këto materiale.

-I pandehuri Fadil Paçrami, në proceset hetimore ka deponuar “... Në poezitë hermetike, të cilat në vetvete paraqisnin paqartësi; linin shumë kuptime, ishin të errëta dhe shkaktonin keqkuptime e ide të shtrembra tek lexuesit. Më të dhënë për këtë proces kanë qenë Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu. Kjo është një tendencë e njohur në botën perëndimore dhe ka marrë një zhvillim kohët e fundit në Kosovë e si rrjedhim në vendin tonë u fut si rezultat i kontakteve tona me poetët dhe krijimtarinë e tyre në Kosovë.

“...Përveç pasojave që pati në krijimtari kjo veprimtari, pasoja të rënda shkaktoi në ndarjen në breza të krijuesve dhe në hedhjen në luftë midis tyre. Në fakt shenja të ndarjes në breza ka pasur edhe para vitit 1960, por kjo ndarje u bë më e dukshme dhe me pasoja pas viteve 1960.

 Sidomos në vitet e fundit, unë inkurajova një ndarje të tillë. Me pikëpamjen e ndarjes së brezave ka qenë edhe Xhevahir Spahiu. Si rezultat i kësaj ndodhën gabime të llojeve të ndryshme krijuesish me koncepte dhe shije të ndryshme në bazë shoqërie, njohje, në bazë estetike ose interesa të tjera, deri tek ato lokaliste.

Shumë krijues u tërhoqën, u bënë të pakënaqur për trajtimin që u bëhej si nga unë dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ashtu edhe nga i ashtuquajturi brez i ri. Disa nga të rinjtë si Ali Oseku, hidhnin edhe fjalë fyese ndaj ish pedagogëve të tyre, duke i quajtur thjesht bojaxhi. Duke vepruar në këtë mënyrë u inkurajuan të rinj me pikëpamje të shtrembra ideo-artistike, të cilët u bënë propagandues të shfaqjeve të huaja në letërsinë dhe në artet tona, siç ishin Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Faslli Haliti, Moikom Zeqo, Ali Oseku, Llambi Blido, Ksenofon Dilo, Nikolla Zoraqi, Shpëtim Kushta, Kristaq Dhamo, Minush Jero e ndonjë tjetër që s’më kujtohet. Kundërshtimet dhe acarimet midis këtyre grupeve shkuan duke u trashur. Unë këtu gabova sepse mora anën e të rinjve. Këtë e bëra për vetë pikëpamjet e vjetra që kisha në këtë drejtim qysh kur punoja me rininë...”

Disa të dhëna të tjera:

Xhevahir Spahiu, kur ka qenë në Përmet, ka pasur shoqëri me Arziko Ismailin, ish sekretare e Komitetit të Partisë, e dënuar kohët e fundit, me 10 vjet privim lirie për veprimtari armiqësore.
Mbas arrestimit të Arziko Ismailit, në shtëpinë e saj, gjatë kontrollit, është gjetur një material për një të ashtuquajtur “simpozium mbi rakinë”. Në këtë material bëhet fjalë, midis të tjerave, për tema e kumtesa që përçmojnë dhe ironizojnë mësimet e klasikëve të Marksizëm leninizmit dhe zhvillimin e këtyre mësimeve në mënyrë krijuese nga Partija t’onë. Aty, janë planifikuar tema të tilla si:

-Ç’kanë thënë klasikët për rakinë.

-Lufta kundër ideollogjisë borgjeze që nënvleftëson rolin e rakisë në revolucion.

-Rakija dhe e ardhmja e njerëzimit.

-Përmeti, si pellgu më i lashtë i rakisë.

-Etimologjija e fjalës raki dhe zamzane.

-Artitektura e klubeve të rakisë.

-Recitim nga Omer Kajami.

-Si duhet t’i prodhojë gotat e rakisë fabrika e Kavajës.

-Ndarja e çmimeve për të dalluarit në këtë fushë.

-Përshëndetje e pionierëve.

-Telefon komunales për gotat e thyera.

-Ç’mendohet për ngritjen e fabrikave të reja të rakisë.

-Kur duhet të fillojë femra të pijë rakinë.

-Vërejtje mbi projektbuxhetin e rrethit.

-Detyrat e kontrollit punëtor për zbatim të këtyre detyrave.

Arziko Ismaili, e pyetur në gjyq ka deklaruar se ky material është përgatitur nga Xhevahir Spahiu, në zyrën e saj, kur ajo ka qenë sekretare partie.

Duke u mbështetur në materialet e mësipërme, arrijmë në:

KONKULUZION

Për Xhevahir Spahiun: Të informohet Partia dhe materiali të ruhet.

PËRGJEGJËSI I GRUPIT HETIMOR                     PËRGJEGJËSI I GRUPIT OPERATIV
             /Elham Gjika/                                                               /Nevzat Haznedari/

-Po kthehesha nga puna, ditë më parë, dhe, si zakonisht, shkova ta takoja tek kafe “Evropa”, ku Xhevahiri, siç e dini, rri përherë me miqtë e vet.

Sapo hyra, ai nxori nga xhepi një kopje të këtij dokumenti dhe ma vuri në dorë. Ishte i prerë dhe në fytyrë i lexohej ende zemërimi, sikur ngjarja të kishte ndodhur atë çast.

E lexova me një frymë e në heshtje dhe m’u ftoh trupi. Kur e mblodha veten, i thashë:
-Ta botojmë, Xhevahir!

-Ta dhashë vetëm për ty,-tha,- dhe jo për ta bërë pazar! Të lutem, mos ma prish gjakun tani...
E pashë që të kuqtë ia mbuloi fytyrën dhe aty për aty, e lashë atë muhabet. Plaga e vjetër dhëmb më shumë se e reja...

...Ishin tepër të rënda për Xhevahirin dhe familjarët e tij ato ditë e netë të verës së vitit 1977. Pesë masa ndëshkimore i dhanë për shkak të atij relacioni që ju keni në dorë:

1)Përjashtim nga partia;

 2) Të largohet nga gazeta “Zëri i Popullit:

3) Të largohet familjarisht nga Tirana e të çohet në Pukë;

4) Të dërgohet në minierë që të edukohet në gjirin e klasës punëtore;

 5) T’i ndalohet botimi.....

Sigurisht, ishin familjarët e tij që u shqetësuan më shumë, por edhe ne, miqtë e tij, më të afërt, si Spiro Dedja, unë dhe ndonjë tjetër. Hynim e dilnim të heshtur, nga njëra kafe e Tiranës tek tjetra, mundoheshim të merrnim me mend, si e qysh kishte rrjedhur puna gjer aty: ngrinim dhe i rrëzonim po aty, dhjetra variante, orë të tëra me pyetje e përgjigje, shpesh edhe nga më absurdet, por që miku ynë të ishte i “implikuar” “armik” e “antiparti”, siç e cilëson ky “relacion” i krerëve të Ministrisë së Brendshme dhe, siç e “implikuan” disa në mbledhjen e organizuar posaçërisht e me porosi nga lart në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”,nuk mund ta mendonim kurrë.

-Kush kishte folur keq për mikun tonë? Kush ishte denoncuesi dhe pse?

Hamendjet më të shumta për shpifje dhe hakmarrje vërtiteshin, sigurisht, në lidhje me punën tonë si gazetarë; me artikujt kritikë, e për të cilët, për hir të së vërtetës i kishim edhe në natyrën e shkrimeve tona që të tre. Ministra, zëvendësministra apo funksionarë të lartë partiakë ishin kryesisht personazhet e artikujve tanë, nga donim të ndjenim kënaqësinë e profesionit.

“Këmbët në një këpucë atyre që, shijnë mbi hallet e popullit”, ishte titulli i një artikulli të bujshëm të Xhevahirit dhe tek të “implikuarit” e të cilit ne dyshonim më shumë. Rrethi i “miqve” e “shokëve” që kapte ai artikull ishte goxha i madh dhe ishin njerëz jo dokudo në piramidën e lartë partiake e shtetërore. Kjo ishte edhe arsyeja, që njëri prej tyre, ministër, i caktuar “nga lart” për të verifikuar artikullin, kur kishte parë Xhevahirin tek shëtiste me miqtë e tij në anën tjetër të bulevardit të qytetit, u ishte drejtuar jo pa ironi, atyre që e shoqëronin: “Akoma nuk është në burg ky?!”:

-Ç’u tha në atë mbledhje në redaksinë e “Zërit të Popullit”?

-Për fat, të keq a të mirë, unë nuk isha në atë mbledhje. Ndodhesha me pushime në Voskopojë të Korçës, dhe hollësitë e atij “spektakli” grotesk, m’i tregoi gazetari P.Xhixha, që erdhi për të më njoftuar.

Ishte lexuar fillimisht,-më tha ai,- një letër e gjetur nga hetuesia, pas kontrolleve tek sirtarët e zyrës së një ish-sekretareje partie në Përmet, e dënuar me dhjetë vjet burg. Në këtë copë letër, në një atmosferë miqësore e shakash, Xhevahiri kishte shkruar: “Simpozium për rakinë”, ku rreshtoheshin disa “tema” e “kumtesa”, si :

 1) Ç’kanë thënë klasikët e Marksizëm-leninizmit për rakinë;

2) Lufta kundër ideologjisë borgjeze që nënvlerëson rolin e rakisë në revolucion...

3) Etimologjia e fjalëve “raki” e “zamzane”;

4)Recitim nga Omer Khajami...;

5) Vërejtje mbi projekt buxhetin e rrethit; ...

 6) Përshëndetje e pionierëve...;

 7) Detyrat e kontrollit punëtor për zbatimin e detyrave... Edhe ca të tjera,-tha P.Xhixha,- por nuk më kujtohen të gjitha... Xhevua u kritikua edhe për librat me poezi dekadente, dhe për ndikimet nga Sartri që e ka kritikuar shoku Enver. Por, nga ajo copë letër nisi mbledhja, nga “Simpoziumi për rakinë”; nga ajo shakaja...”

-E çuditshme. Për një shaka?!

-Shaka ju duket? Eshtë, në radhë të parë “shakaja” e vazhdueshme që ai kishte bërë me poezitë e tij ajo që solli ndëshkimin, dhe më pak pastaj, “Sesioni shkencor për rakinë”. “Rakia” ka qenë sebepi. Shikoni me vëmendje, se si është “kompozuar” “Relacioni” nga ustallarët. Qëllimisht dhe dinakërisht, në këtë “Relacion”, me vetëm një kopje dhe ai i dërgohet vetëm “Njëshit”, është vendosur në krye, deponimi në hetuesi i “armikut” Fadil Paçrami për “të implikuarin” si poet, dhe jo ajo copë letër për “sesionin”, një shaka, megjithëse edhe ajo shaka jo aq e këndshme. “Implikimi” duhej të ishte, mirëfilli politik...

Pse, nga deponimet në hetuesi të Fadil Paçramit, ku ai ka folur për shumëkënd, janë “vjelë”, “mbledhur” e hequr mënjanë, vetëm ato për Xhevahir Spahiun?

Pse, në “relacion” është shtuar e “perifrazuar” edhe kritika e Enver Hoxhës për Xhevahir Spahiun?

 Pse, pas këtyre, në “Relacion” është “ngjeshur” edhe “Sesioni shkencor” Dhe, më në fund, pse është krijuar ky “Relacion”? Eshtë krijuar dhe “konceptuar” me iniciativën e vet Ministrisë së Brendshme, apo është porositur e kërkuar nga dikush nga lart?

Sa për “cilësinë profesionale” të Relacionit, profesionistë dhe profesorë të “fushës” së drejtësisë, kur ua tregova këto ditë, më thanë se, nisur nga elementët përbërës të “Relacionit” dhe nënshkruesit e tij, ai është i plotë dhe hartuesit kanë kërkuar nga “Njëshi” sipas rregullit, thjesht, një miratim formal të arrestit me burg. Me sa duket, edhe kryeredaktori ynë i atyre viteve, një njeri mediokër e frikacak,- që priste edhe ai rastin e artë për Xhevahir Spahiun, u tregua tepër i zellshëm edhe në këtë rast “kundër revizionizmit” dhe armiqve edhe brenda radhëve të gazetarëve...

Sikurse perandorët e dikurshëm të antikitetit, kur nga lozha kryesore e amfiteatrit ndiqnin me sytë në arenë dyluftimin për jetë a vdekje të gladiatorëve, kryeredaktori, me gishtin e madh të dorës së djathtë të ulur poshtë, gjatë gjithë mbledhjes, kishte “orientuar” se kush duhej të ishte humbësi...

Ai u thoshte të gjithëve se duhej ta merrnin seriozisht orientimin “nga lart”, se Xhevahir Spahiu ishte recidivist, pra përsëritës në “rrëshqitjet” e tij, se “vetë, personalisht shoku Enver, e kishte kritikuar atë, Xhevahirin, jo një herë, duke filluar nga viti 1973 për ndikime të huaja”. Pastaj, kishte nxjerrë skedat e tij të rregullta dhe kishte cituar E. Hoxhën, se Xhevahiri “është i orientuar nga filozofia antimarksiste e Sartrit, e ka kopjuar atë, e ka bërë të tijën, duke menduar se të tjerët nuk e dinë ç’është Sartri dhe filozofia e tij”. Pak a shumë, kjo: “unë jam ai që nuk kam qenë, unë do të jem ai që nuk jam”.




-A është publikuar kjo kritikë e Enver Hoxhës për Xhevahir Spahiun?

-Sigurisht, madje, disa herë, përveç faktit që Enver Hoxha i është rikthyer edhe më vonë kritikave për poetin. Ju kujtoj se kritika e Enver Hoxhës në janar të vitit 1973, në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, shënon të parin shembull apo “kurban” të tij, pas të cilit filloi “seriali” i kritikave, goditjeve, internimeve e burgosjeve të artistëve që kulmuan me të famshmin Plenium të 4-të të KQ të Partisë.

Ato mund t’i gjeni në të gjitha botimet e “Raporteve e fjalimeve” të tij në vitet ’70 por edhe në vëllimin e 50-të të Veprave të tij. Ndërkaq, kujtoj që unë vetë, për një rastësi, u njoha me kritikën e parë kundër Xhevahirit, ende pa u botuar në broshura e libra.

Në fillim të shkurtit të vitit 1973, ndodhesha me shërbim nga gazeta, në Çorovodë, në Skrapar, në vendlindjen e mikut tim. Mëngjesin e së nesërmes, dola herët nga hoteli dhe do të nisesha në një fshat në Vendreshë, për një reportazh. Por, sekretari i parë i Partisë i rrethit, më tha, se, nëse dëshiroja, mund të merrja pjesë në një mbledhje të plenumit të Partisë së rrethit, ku, siç tha, do të lexonte një fjalim sekret dhe shumë të rëndësishëm të Enver Hoxhës.

Hyra në mbledhje, u ula diku në sallë, mes të tjerëve, kryesisht, sekretarë lokalë të Partisë apo kryetarë kooperativash, por as që mund të më shkonte ndërmend, që sekretari i Partisë do t’u lexonte pikërisht atë fjalim të Enver Hoxhës, të mbajtur vetëm pak ditë më parë, në 9 janar, dhe ku kritikonte për “shfaqje të huaja”, “ndikime nga Sartri” etj., Xhevahir Spahiun, poetin e gazetarin e njohur, mikun tim, por edhe “patriotin” skraparlli, bashkëqytetarin e tyre.

Siç edhe vetëkuptohet, në çastin kur në sallë ra “bomba”, pra kur u përmend emri i Xhevahirit, dhe u thanë ato fjalë, të gjithë u gjendëm të shokuar dhe sallën e mbuloi heshtja. Por, mua më befasoi fakti kur, edhe pasi sekretari përfundoi fjalimin, dhe, siç ishte rregulli e tradita, kërkoi “diskutime nga shokët e pranishëm,” përsëri heshtje. Dhe, ashtu, si në një mort, pas disa minutash, dolëm të gjithë një e nga një nga salla.

Në një gjendje ndjesie të dyfishtë, mes mërzisë e merakut për mikun dhe gëzimit që bashkëqytetarët heshtën dhe nuk iu vërsulën për ta linçuar, më duhej të kontrolloja gëzimin.
Për ata që e kanë jetuar atë kohë, kjo heshtje ishte edhe fisnikëri, por edhe trimëri.

Vite më vonë i jam rikthyer vazhdimisht me mend atij gjesti tepër të rrallë; ndoshta, unikal. Por një arsyetim më realist, më thoshte, se ajo sfidë e vërtetë, në pamje të parë, nuk mund të shpjegohej thjesht me fisnikërinë dhe trimërinë e njohur të skraparllinjve, dhe të Skraparit,-një nga “bastionet” më të fuqishme të Luftës Antifashiste.

 Skraparllinjtë, vështirë ta besonin, dhe nuk e kanë besuar dot që një bir i tyre, por edhe “bir i partisë”, të dilte kundër partisë! Dhe të ishte antimarksist(?!)...
Xhevahir Spahiu ishte krenaria e tyre.

Sipas mentalitetit të tyre, por dhe të kohës, atë, “partia e kishte çuar në Tiranë”, “e kishte bërë gazetar në “Zëri i Popullit””, “ku ka më lart?! Xhevahir Spahiu, siç thoshte Partia, u binte në kokë burokratëve me artikujt e tij “flakë”. Pastaj, ai sapo ishte pranuar në Parti, ku ka hyrë me dëshirë të madhe. Apo jo?

Po të ma bënin skraparllinjtë këtë pyetje mua, atë kohë, por edhe sot, sigurisht do t’u përgjigjesha: Edhe unë, sikurse Xhevahiri, me dëshirë kam hyrë në Parti. Po, kush hyri me pahir? Ata që e thonë këtë, sot, nëpër gazeta e libra?!...

-Duket vërtet, kontradiktor, madje, absurd ky qëndrim, prandaj, dhe desha t’u bëj një pyetje në dukje, e çuditshme: Përderisa, Xhevahiri, ju apo të tjerë nuk ishit armiq, përse Xhevahir Spahiu, për shembull duhej parë si i tillë?

-Ju, keni të drejtë në arsyetimin tuaj, që, ndoshta, më thjesht, mund të thuhej: Po, me Xhevahir Spahiun, ç’pati”! Po me ne, “të tijtë”, ç’pati?

Besoj se tanimë me kalimin e viteve, për shumëkënd është gjithnjë e më e qartë, se në emër të ruajtjes së pushtetit, e quajtura “luftë klasash” u bë gjithmonë më e egër e më e verbër, dhe i drejtoi goditjet e saj edhe brenda “familjes” me parullën e Luftës: “Pa dallim feje, krahine dhe ideje”.

E “përkthyer” tanimë, bëhet më e qartë edhe ideja e “luftës se klasës”: nxitje e sulmit të gjysmës kundër gjysmës tjetër; për të sunduar të tërën.”

Si dhe pse duhej të kursehej Xhevahir Spahiu, apo shkrimtarët e artistët, kushdo qoftë, kur nuk u kursyen shokët e miqtë e fëmijërisë e të luftës, si Mehmet Shehu e Beqir Balluku, për të mos hyrë “më brenda familjes”? Këto ne i menduam më vonë, por atëherë...

Ne ishim gazetarë të rinj, dhe si të tillë, na entuziazmonin gjërat e bukura e njerëzit e bukur, dhe këto copëza jete, na pëlqente t’i hidhnim në reportazhet dhe esetë tona, që i kishim shumë përzemër.
Dhe, jo vetëm ne.

Po aq sa ne, bashkë me ne, dhe për fatin tonë të mirë, në gazetën ku ne punonim, më të madhen dhe më cilësoren e kohës, botonim reportazhet, esetë, tregimet dhe artikujt e tyre, edhe shkrimtarët dhe gazetarët më të njohur të vendit si, Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Sabri Godo, Vath Koreshi, Javer Malo, Dhimitër Xhuvani, Vangjush Gambeta, Aristotel Pano, Teodor Laço etj., disa prej të cilëve ne, përsëri, kishim pasur fatin t’i kishim patur edhe pedagogët tanë në Fakultetin e Letërsisë apo atë të Gazetarisë.

Kishte arsye që, edhe ne, edhe profesorët tanë ta kishim për zemër të shkruanim për gjëra dhe njerëz të bukur, sepse realisht kishte gjëra dhe njerëz të bukur. Për shembull, ishim dhe do të mbeten të bukur luftëtarët e lirisë, që rrinë atje, nën pllakat e mermerit(në rastet kur nuk i kanë thyer e prishur); lufta kundër analfabetizmit qysh në mal, dhe shkollat e Universiteti i parë; hekurudhat e para dhe tharrja e kënetave; uzinat, fabrikat dhe minierat, ishin, gjithashtu, të bukura.

Ishin vërtetë të bukura dhe frymëzuese ato që shihnim. Nuk ishin të bukura, madje, të shëmtuara, ato që ne atëherë nuk arrinim dot t’i shihnim, gjersa “na doli rakia”.

Dhe, nuk ishim të zhgënjyerit e vetëm të planetit, që nuk arritëm dot të shihnim në kohë, edhe varfërinë e mjerimin e skajshëm, siç nuk ishim edhe të vetmit gazetarë e shkrimtarë komunistë të globit. Madje, më shumë se gjysma e shkrimtarëve më të njohur të botës, në Lindje e në Perëndim, ishin apo kishin qenë anëtarë të partisë komuniste. Në një nga shkrimet e tij, gazetari dhe shkrimtari i njohur gjerman, Artur Këstler, i cili, në vitet 30-40 ka qenë edhe një nga funksionarët më të lartë të Partisë Komuniste Gjermane, shkruan: “Në vizitat e mia të para në Bashkimin Sovjetik, unë u mrekullova nga entuziasmi i njerëzve në punë, dhe shkrova njëlloj si gazetarët partiakë. Më vonë, kur arrita të njoh varfërinë e jashtëzakonshme, u befasova me veten dhe shkrimet e mia për atë “entuziasëm çnjerëzor”.

Por siç, ju thashë, ne gazetarëve më të rinj, veç reportazheve, skicave e eseve, na pëlqenin, po aq, madje, e kishim për detyrë, artikujt kritikë, sidomos kur kishin brenda “peshq” të mëdhenj. Dhe, në raste të tilla, ndiheshim si heronj, apo VIP-a, në termin e sotëm, dhe nuk shkuleshim nga shëtitjet në bulevard, para redaksisë, duke pritur të lumturuar, urimet, me zë apo me tundje të lehta koke, të njerëzve të njohur apo të panjohur, që në raste kritikash shoqëroheshin, me dëshirën për “më lart”...

Me “më lart”, sigurisht, as ne, as ata, nuk kuptonim të parin e vendit, apo përmbysjen e sistemit, siç, po dëgjojmë e shohim sot të pretendojnë disa nga ish-kolegët tanë në gazeta e TV, dhe të cilët, të nesërmen e përmbysjes së sistemit, flakën, zhdukën e groposën në panik e kushediku, teserat e partisë së punës apo dokumentet e gazetarit, si të ishin para një kontrolli të befasishëm të policisë për drogë. Kështu, “hapën rrugën” dhe u bënë gazetarë, kryeredaktorë, drejtorë e anëtarë të forumeve më të larta të opozitës së atëhershme dhe e “vijuan” akoma më me ashpërsi luftën kundër komunizmit,
pavarësisht, ca “relacioneve” apo “faksimileve” me fotot dhe firmat e tyre, si spiunë apo bashkëpuntorë të Sigurimit të Shtetit që zunë të dilnin e vazhdojnë të dalin, nga arkivi e arkivat me prejardhje, nga po ajo derë e Ministrisë së Brendshme, me po ata emra e po ato firma zyrtarësh të ministrisë, por me cilësimin “miq” e jo “armiq” si Xhevahir Spahiu...

Jo, ne nuk shkruanim për të luftuar komunizmin në faqet e gazetës. Ne, thjesht, donim të bëheshim gazetarë të zotë dhe e kishim me shumë pasion profesionin tonë.

Ndërkaq, mendonim, dhe, edhe tani, pas njëzet e ca vjetësh, e mendojmë akoma më qartë, se në këtë botë, janë ca gjëra që duan kohën e tyre të piqen.

-Duket ca e komplikuar kjo ideja e ndërrimit të mendimit, apo mendjes...Cili është gjykimi juaj?
Ka një sentencë apo fjalë të urtë që thotë: -“Kush nuk ka mend, nuk ndërron mend”,-dhe kjo, padyshim është kryesore.

Dihet se historia e humbjes së një besimi është gjithmonë e gjatë, sikurse ka dashur gjatë të krijohet. E njëjta gjë, besoj, ndodh edhe me krijimin e një besimi të ri, dhe nuk mendoj se është çështje kalendari, ditësh apo orësh. Fillimisht, hidhet fara e dyshimit, siç është e kuptueshme. Pastaj, kur ti, dalëngadalë zbulon demagogjinë e gënjeshtrën, vjen edhe zhgënjimi, dhe atëherë kupton, se ndoshta, edhe për vite të tëra ke luajtur rolin e një personazhi, tek i cili në thelb, nuk ke pasur besim të plotë; e nëse je sadopak serioz e ke respekt për veten, jetën tënde fillon ta rivlerësosh sinqerisht e me kurajo.
Ndërkaq, siç dihet, zhgënjimi është më i rëndë e më i hidhur, kur të vjen nga ai që ke dashur, ide qoftë apo individ. Pra, “kur ta bën i yti”, dhe jo e kundërta.

Në këtë rast, besoj, se edhe “shkundja”, edhe reflektimi bëhet më i ngadalshëm, por më i natyrshëm, dhe, divorci, më i vendosur dhe pa kthim prapa, pavarësisht në e shpall divorcin apo jo. Por, mendoj se, ajo që e dallon intelektualin dhe shkrimtarin e talentuar e serioz, është se humbja e idealit apo pasionit të vjetër, ideologjik apo partiak, nuk e gjen në befasi dhe “bosh”.

Ideali i tij është humanizmi, pasioni dhe për t’i shërbyer artit dhe njeriut. Ky ideal, i mbrujtur qysh në lindje, dhe i ushqyer tërë jetën me mund, sakrifica dhe talent, është veshja e brendshme e sigurt, e cila, e mban ngrohtë në “dimrat” e regjimeve e qeverive.

Edhe kur thërrmohen e bien cipëzat e ideologjive, ideali i humanizmit, është e mbetet prapë aty: i përhershëm, i sigurt dhe besnik.

Unë besoj se tek Xhevahir Spahiu, si edhe tek jo pak shkrimtarë, artistë apo gazetarë që zhgënjimi por dhe goditjet iu erdhën nga “i tyri”, ka ndikuar për ta nxitur më shpejt dhe nxituar procesin e “ndërrimit të mendjes” dhe ta ndjejnë veten mirë tek ideali i tyre.

Studiuesi i njohur, Shaban Sinani, këtë të vërtetë të madhe tek Xhevahir Spahiu, e konstaton, dhe analizon në thellësi: “Pa e nxjerrë aspak nga mendja përmbysjen historike që ndodhi në Shqipëri, në fundin e viteve 1990, kam vërejtur se, në poezinë e tij, nuk ka ndonjë shembje a krizë idesh. Xhevahir Spahiu pat thënë dikur; “Jam ai që s’kam qenë,/Do të jem ai që nuk jam”. Nuk ka si të shprehet më qartë slogani i poetit që flijohet në fjalën që ka zënë rob.

Por, për Xhevahir Spahiun, koha që vjen me ndryshime, qofshin edhe rrënjësore, nuk vjen me trauma. Eshtë i njëjti poet që tronditet me mbrapshtitë, që i kërkon lotit të dhimbjes, syrin e munguar, që i falet bashkësisë si një vetkushtim.

Xhevahir Spahiu mund të jetë nga të paktët poetë që koha e dytë nuk e zuri ngushtë dhe nuk e çoi në dorëheqjen nga arti, siç bënë shumë, në mpirje të fjalës poetike, siç ndodhi me disa të tjerë; në kërkim të një ideali të ri, si ndodhi me një palë të tretë. S’ishte ekzistencialist Xhevahir Spahiu, s’ishte as disident, sepse disidenca ka disa terma të rreptë dhe, njëherësh, ai nuk na dëshmohet si njeriu me ideal të shembur. Kjo, formalisht, duket shumë e rëndë për t’u thënë për një poet. Këtu del puna e idealit që ka poezia e Xhevahir Spahiu. Kjo poezi është e mbushur me idealin e njeriut të shuguruar në mirësi. Ideali i tij është fisnikërimi i kësaj bote... Dhe ky ideal rron përmbi kohëra.”

-Nga sa e njohim historinë e kohës së diktaturës dhe autoritetin absolut të Enver Hoxhës, a nuk duket disi e pakuptueshme që, edhe pas kritikave të tij, poeti Xhevahir Spahiu të guxonte të shkruante përsëri?

-Thuhet se poetët u ngjajnë fëmijëve; fyhen shpejt. -Më pëlqen ta përsëris këtë metaforë edhe specifikisht për Xhevahir Spahiun-. Kur një prind i keq godet fëmijën e vet dhe ai nuk qan, nxehet dhe e qëllon më shumë, dhe, kur fëmija, përsëri nuk qan, prindi zemërohet keqas dhe e përsërit goditjen, jo pse fëmija ka bërë një gabim, por sepse nuk qan. Pra, nuk e kupton dot, se fyerja dhe sedra e lënduar e fëmijës, tanimë është kthyer në dominante, dhe e bën fëmijën kryeneç e të mos i ndjejë fare goditjet e tjera.

Ishte viti 1979. Dy goditje të tjera, nga po e njëjta “dorë” dhe për poetin: largimi nga Tirana në Pukë, përjashtimi nga partia, miniera, transferimi në fshat, ndalimi i botimit e tashmë, Xhevahir Spahiu, ishte edhe një poet i fyer: një poet që nuk qan, por as nuk qesh. Gjithsesi, tanimë, jo fëmijë.
Karakteret e fortë, janë nga ata “gurë që thyejnë çekanë”, dhe fyerjen e provokimin e kthejnë në sfidë e privilegj.

Tirezeu, falltari i famshëm i mitologjisë greke u ndëshkua me verbim të përjetshëm, por edhe me dhuntinë për të parashikuar të ardhmen, vetëm se hyjneshën Athina e pa lakuriq. Për habinë e shumëkujt, fyerja dhe goditjet e përsëritura e bënë Xhevahir Spahiun, sigurisht, më të zemëruar, por edhe me mendje më të kthjellët e më të ndarë në udhën e tij.

Udha e trimërisë intelektuale ka kosto të rëndë, por ne, miqve të tij, as na shkonte ndërmend se ai mund të hiqej nga udha e tij. E dinim, gjithashtu, se fyerja mund t’i lehtësohej disi, dhe zemërimi mund t’i zbutej, vetëm nga “dashuria e tij”, vetëm duke botuar.

Por, jo aq shpejt! Me kujdes! Të botosh tani që sapo ta dhanë drunë tjetër?! Ti, je i çmendur! Këto dhe të tjera ia zbraza i shqetësuar në një nga ato ditë të vitit 1979, kur e takova para portës së Lidhjes së Shkrimtarëve, tek ecte drejt shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, me bocat e librit më të ri në duar, “zgjimi i thellësive”.

E pashë nga larg. Dukej me humor të mirë, madje i gëzuar, shumë i gëzuar dhe “fëshfëshja”, pardesyja e njohur e kohës, i lëkundej si flamur fitoreje. Xhevua dallohet në mizërinë e njerëzve nga 500-600 metra larg, edhe nga një mënyrë “sovrane” të ecuri, nga ato mënyra që, ca tipa, i provokon lehtë të nxitojnë e ta quajnë “mendjemadh”.

-Ç’i ke ato letra në duar?

-Librin, bocat e librit,-tha-. I pashë mbrëmë për gabime, dhe po i kthej në shtëpinë botuese që ta fusin në shtyp.

Kush ka provuar “mallin e shtampës”, kush ka provuar kënaqësinë dhe emocionin e botimit të një libri, qoftë edhe të një artikulli, e di mirë se si ndihet autori, kur libri është në shtyp.

Gjithmonë pritja është më e bukur se rezultati. Për Xhevahirin ishte takim me dashurinë e tij më të madhe; ishte kënaqësi, shfrim. Ishte krenari, dinjitet. Ishte liri dhe sfidë.

Çdo gjë mund të ishte dhe ishte, por në ato momente mendoja atë që mendonim dhe i ruheshim të gjithë ne, miqtë e tij: çdo botim i shpejtuar do të ishte një provokim i ri dhe goditje e re, që mund të ishte fatale për jetën e tij.

Por, nëse miqtë e tij prisnin me ankthin, se kur, më në fund, do të rifillojë të botojë dhe të qetësohet; përkundrazi, keqdashësit dhe vëzhguesit vigjilentë, prisnin të kapej përsëri “në flagrancë” me Sartrin, (një pjesë prej tyre e dinin se ai me emrin Sartri ishte një nga ata inxhinierët sabotatorë të kënetës së Maliqit që kishte mbaruar shkollën e Fullcit, por që Partia, me kohë ia kishte dhënë “gjysmën e lekut”) dhe gjithë cinizëm e kënaqësi perverse, do të pëshpërisnin: “Akoma nuk vuri mend ky?! Epo, tani e ka hak burgun!... Partia i doli borxhit: një herë, dy, tri, pesë... Eshtë dhe mosmirënjohës, por ç’ti bëj Partisë unë, që është zemërgjerë!...”

E ndjeja se ishte mëkat, t’ia cenoja Xhevos sadopak ato momente pritjeje e kënaqësie, por këmbëngula të m’i jepte bocat me çdo kusht: Prit, pse ngutesh? Ta shikojë njëherë Spirua; ta shikoj edhe unë... Mos u ngut. Pastaj, çoje për botim po të duash!

Por, Xhevahiri, dukej që atje tej, se e kishte mendjen të ndarë.

-Hiqmuni! Nuk ua jap bocat! I kam parë mirë; pa merak!

-Të paktën, t’i hedh një sy!...

-Një sy, po! Mirë! Shikoji, sa të mbaroj një punë të vogël këtu, në Lidhje...

U nguta të shfletoja bocat e librit një e nga një, por më mirë, të mos i kisha parë! U alarmova. Shumica e poezive ishin krejt të reja apo të panjohura për mua, dhe shumë më me “zarar”, nga ç’ua kisha frikën. Edhe vetë titulli i librit “Zgjimi i thellësive”, mund të zgjonte dyshimin “politik”, tek “sytë e vegjël” e vigjilentë prapa syve të “Shokut Miço”, që siç skicohej në një prej poezive të tij, gëzohej e ngazëllehej kur t’i gaboje (“Po, ç’do të ishe ti or i mjerë, po të mos gaboja unë?”). Ç’janë këta demonë që zgjohen nga thellësitë?! Thellësitë e subkoshiencës? Kush zgjohet? pse zgjohet? Armiku brenda teje apo armiku i jashtëm...?

Lexuesit të sotëm mund t’i duken naive dhe absurde këto interpretime të “shokut Miço”; ishte zyrtar, fundja. Por, ishte kryeredaktor i një reviste kulturore letrare ai, që një ditë më tha, se i kishte kthyer si “të pabotueshme” një poeti 13 poezi, se, midis rreshtash kishte ndjerë kodin e armikut të brendshëm. Shqeva sytë dhe ia plasa të qeshurit, por ai, si at, më ra supeve, duke thënë se ne të rinjtë e hanim sapunin për djathë...

Ndërkaq, duke shfletuar bocat, u kujtova, se edhe titulli i librit të mëparshëm të Xhevahirit “Vdekje perëndive”, ishte po aq provokativ (“Heshtje s’ka”, do të ishte titulli i një libri të mëpastajmë).
Gjithësesi, më me zarar, ishte një cikël prej pesë poezish, me titullin “Migjeni flet” dhe nëntitull: (“Pesë monologë të përfytyruar”) Njëra nga poezitë titullohej “Shigjeta”:

“Nuk është sëmundja që ma bren mushkrinë,
As brengë e dashurisë. As dhe fati.
Jo, mos ma shkulni heshtën, që në brinjë,
Ma nguli koha, me sa fuqi pati.

.....

Nga ky mjerim, dhe gurët do të qanin,
S’mund të mos çahej zemra si me plor,
Këndoni për mustaqet e sovranit,
Poetë të oborrit mbretëror.

Kur grushti nis t’i hakërrehet zotit,
Më lind një shpresë... Dridhuni tiranë!
Ma shkulni, shokë, atë shigjetë prej gjoksit,
Më të u bini atyre që më ranë!”

Poezia tjetër, me titullin “Poeti”, ishte, më “helm”, më e rrezikshme se e para:

“Me veshët raso, rason ua grisa,
Më lypët këngë, këngët s’ua dhashë.
Ju prisnit trëndafilë, ju hodha hithra,
Me thikat e sarkazmave ju rashë.

Kur patë se goditja keq ju therri,
Ju shpikët heshtjen si një mur të ftohtë,
Një ditë, gjithçka mund të ma merrni,
Po penën kurrë nuk ma merrni dot!”

Tjetra, ajo me titullin “Në emër të gëzimit tuaj” (“Këngë a vaj? Ç’ë je?), “katran” ishte edhe ajo...

“Ju mund të pyesni; pse kaq dhembje,
Pse në çdo fjalë pikon trishtim?
Marr penën, nis t’ja them një kënge
Kënga del britmë rebelimi.”


Por, të gjitha këto poezi që lexova, i harrova, kur zura të lexoj poezinë me titull “Poezia”:

“Zogj, keni një armik për vdekje,
Don t’ju shkulë pendët e t’ju thyej krahët,
Don t’ju kthejë në gurë të palëvizur e pa zë.

......

Zogj, keni një armik për vdekje,
Ju, për të të pakapshëm?
Ai iu turret poetëve.
Armiku juaj është armiku ynë,
E do pa krahë poezinë.
Hapësirën e saj, ja, sa një kthinë.
Diçka si bollë që zvarritet,
Diçka si trung i zi pa fletë,
Vetëm atëherë kemi këmbët në tokë,
Vetëm atëherë mund të na quaj poetë
Zogj të dashur,
Me ju unë me një sinqeritet fëmije po flas
Para se të ëndërrojë të na nxjerrë sytë,
Sytë me të cilët duam të shohim lart dhe larg,
Nxirrjani sytë me sqepat tuaj”.

Kjo nuk ishte, thjesht, poezi: ishte proklamatë, thirrje e hapur. Kundër kujt? Kush ju turret poetëve? Kush ju turr poetit Xhevahir Spahiu?...

Dhe, kështu, gjithë cikli, dhe kështu, me këtë frymë, gjithë libri.

Kur u kthye, nuk dija ç’të thosha më parë.

-Ti, je vërtetë i çmendur!-i thashë. Do të t’ia bësh vetes gropën me duart e tua?! Ç’duhet më shumë se kaq?! Pastaj, e ula zërin. Të lutem! As 24 orë nuk duron dot? Prit, sa ta shohë Spiroja, ta shoh dhe unë, t’i heqim nja dy gjëra të vogla, dhe pastaj, çoje dreqin, kush po të pengon!

-As edhe një presje nuk heq!-tha prerë.

Pastaj vazhdoi me batutat dhe humorin e tij të njohur:

-T’i thua t’i hedh ujë rakisë, ë? Po, a vihet më në goja ajo e shkretë, pastaj? Nuk quhet më “nëne”, pastaj, quhet ujë... Lëna rehat tani, për kokën tënde! Pikë e zezë!

Nxitova për në zyrë. I telefonova Spiros ta takonte e t’i kthente mendjen, por ai nuk përgjigjej. Vrava mendjen: Kujt t’i thosha tjetër, që i shkonte fjala tek Xhevahiri? M’u kujtua Petro Marko, miku ynë i vjetër. Petroja, siç dihej ishte i rënë vetë “nga fiku”, i regjur në këto “punë”. Ai i kishte provuar qelitë e burgjeve të të gjitha regjimeve, dhe ato kohë, përsëri ia kishin ndaluar të drejtën e botimit.
Petron e gjeta tek kafe “Tirana”, si zakonisht, me mikun e tij të vjetër, Skënder Luarasin, luftëtarin e Spanjës, shkrimtarin e përkthyesin e Gëtes e Shekspirit, por edhe modelin e intelektualit trim dhe përherë sfidant. Sfida më e fundit e që po vazhdonte ta mbante, si gjithmonë, pa asnjë kompromis, me dinjitet e për të cilën “ai i madhi fare”, e kishte cilësuar “intelektuali mendjemadh S.L.”, ishte jo e vogël. Ndërsa “ai i madhi fare”, Haxhi Qamilin e quante prijës të vegjëlisë dhe mbrojtës të interesave të klasës, profesor Skënder Luarasi, përkundrazi, argumentonte shkencërisht, duke i vënë emrin që i takonte: një fshatar i pashkollë e anadollak, i cili tre vjet pas shpalljes së Pavarësisë, iu priu ca turmave të verbra që thërrisnin “Dum Babën!”, “Dum Sulltanin”, dhe vrisnin e prisnin intelektualë e patriotë të Rilindjes Kombëtare, duke kërkuar ta rikthenin Shqipërinë në Mesjetë.

Mbaj mend mirë që, me porosi “nga lart”, i gjithë shtypi shpërtheu kundër profesorit. Me porosi, gjithashtu, edhe komitetet e partisë në rrethe, thirrën “nën armë” veteranët që të “argumentonin” me kujtimet e tyre, tezat e reja të Partisë. Nuk u bë ndonjë peticion publik, as u shpall ndonjë listë me firma intelektualësh e akademikësh, siç ndodh rëndom tani, por për fat të keq dhe të hidhur, profesorit iu vërsulën me artikuj edhe profesorë e akademikë të njohur të historisë dhe firmosën në faqe gazetash e revistash, të kundërtat e atyre që kishin “firmosur” po vet, më parë, kur ishin në një mendje me të vërtetën historike dhe profesor Skënder Luarasin.

... Petroja u shqetësua më shumë se unë nga ato që iu tregova për librin e Xhevahirit, dhe tha se do ta gjente dhe do ta “llafoste” e do t’ia kthente mendjen. Edhe profesori, gjithashtu, u shqetësua shumë dhe e vura re që u zymtua. Por, ndërsa unë prisja që të “ndërhynte” edhe ai; Skënder Luarasi, vërtetë “ndërhyri” por, tha:
-Eshtë djalë trim Xhevahir Spahiu. Lereni të thotë, ç’i thotë zemra!...


(Pjesa e dytë)

-Në “Relacionin” e Ministrisë së Brendshme, përmendet dhe Kosova. Po Kosova, ç’hyn tek Xhevahir Spahiu?

-Mendoj, se Xhevahir Spahiu dhe poezia e tij, nuk mund të kuptohet, pa dimensionin e saj, Kosovën. Poezia, Skrapari dhe Kosova janë tri dashuritë e mëdha të tij. Nuk e teproj po të them, se Xhevahiri ka po aq miq në Prishtinë, sa edhe në Tiranë.

Siç dihet, nuk është numri, por cilësia artistike, ajo që përcakton vlerën e poetit. Megjithatë, mund t’ju them me bindje, se Xhevahir Spahiu, ka shkruar e botuar dhjetra poezi për Kosovën, ndoshta më shumë se çdo poet tjetër shqiptar të këtej kufirit, dhe ato përbëjnë një përqindje të madhe në korpusin e poezive të tij. Dhe, veçanërisht, të bukura. Tani kujtoj njërën prej tyre, që më pëlqen shumë dhe e lexoj vazhdimisht: Titullohet “Kosovarja”:

“Në hyrje të shekullit të njëzetë,
Nxorën në bankë të akuzës,
Një malësore të thjeshtë.
Ajo, pas hekurave të burgut kishte pyetur:
-Përse?
Ata i thanë:
-Sepse.
Ajo në gjyq:
-Përse?
Ata:
-Një herë, ke thënë se.
Sy të habitur
Në sallën e tymtë
-Përse? Ua them unë
Tha ajo më në fund
Dhe zbuloi veshjen e varfër të saj
Sikur të zbulonte një thesar:
Jeleku i kuq,
Xhubleta e zezë!
-Ja, për këto më dënoni,
Ju të një toke tjetër!
Në sallë u shpalos
Trupi i saj:
Një flamur kuqezi
Dhe zemra në flamur,
Si shqiponjë lëvizi.

(“Zgjimi i thellësive”, fq.90)

Por, po kaq të bukura dhe, artistikisht, të arrira janë edhe poezitë “Në Prizren”, “Balada e ringjalljes së gjakut”, “Gur i ndezur”, “Karafilat e gjakut”, “Shëtitja e mbrëmjes në qytetin e pushtuar” (“Në njërën anë të rrugës kalojnë vendasit,/ kolonët ardhacakë tek tjetra,/ Në mes të rrugës,/Shëtit vetëm urrejtja), “Dëbimi” (“Po ikin, siç ikën tymi/ Foshnjat në gji,/shtëpia mbi shpinë./ Ky fati ynë, /Një gur në rrukullimë.../ Ku-ku pas nesh,/ Këndon qyqja në brinjë), apo poezitë “Dhimbja nuk fle”, “Vdekja e drurëve”, “Dalja prej kafazit” etj. etj. Dhe, të gjitha këto poezi nuk janë shkruar e botuar në vitet 2000 apo 2010 për të përshëndetur Kosovën e çliruar apo për t’i bërë “lobing poetik” njohjes nga shtete të reja.

Ato janë shkruar e botuar në vitet ’70-të e ’80-të kur Kosova ishte nën pushtimin serb dhe botimi i tyre edhe këtej kufirit ishte me zarar.

Pra, për fat të keq, edhe me Kosovën, Xhevahir Spahiut, i imponuan një lidhej tragjike.
Me sa duket, është e vërtetë ajo që thuhet, se dashuritë e mëdha, e kanë po aq të madh edhe riskun.
- Në “Relacioni”, shkruhet se kjo lloj letërsie hermetike, moderniste, e huaj etj.etj., që më shumë ka prekur Xhevahir Spahiun e Fatos Arapin ka shkak kontaktet me poetët kosovarë dhe poezinë kosovare...

Po, në atë “Relacion” ka një të vërtetë të madhe historike, por krejt e ndryshme nga ajo që thotë Ministria e Brendshme.

Në fillim të viteve ’70-të, e mbaj mend mirë, se në atë kohë sapo kisha filluar punë në gazetë, pati një dyndje të madhe, por edhe të papritur, të krijuesve nga Kosova, shkrimtarë, artistë, akademikë. Edhe nga Tirana në Prishtinë, megjithëse, nga ana jonë, më pak e me më shumë druajtje. Ndërkaq, u shtuan edhe botimet nga Kosova dhe anasjelltas. Kjo, u duk dhe ishte një mrekulli, por edhe një befasi, të shihje si u mbushën libraritë e Kosovës me “Historinë e Skënderbeut” të Barletit, apo poezi të Naimit, Nolit, Kadaresë e Dritëro Agollit, për kryeheroin apo figura të tjera të Rilindjes Kombëtare.
E, mes tyre, kujtoj, edhe një poezi e Xhevahir Spahiut pa “hermetizëm dhe dykuptimësinë”... “Ismail Qemali në kancelaritë e Evropës”:

“Hynte dhe dilte kancelerive plaku
Orakull,
Europa
Akull.
Eshtë vendi im,
Një krah shqiponje ikën tej Drinos,
Tjetri tej Drinit
Shkon gjaku gjer në bark të kalit
Shami të zeza lidh liria.
Po ti kush je?
Jam historia”

(Xh.Spahiu, “Poezia shqipe, Sh.B.”Naim Frashëri, 1989, fq.219)

Nuk mund të mendohet dot, se marrëveshjet kulturore që nënshkruhen sot me Kosovën e lirë e të pavarur, të mos kenë në themel, edhe atë komunikim e rrëzim muresh që ndodhi atëherë, por që, për fat të keq, nuk zgjati më shumë sa një dekadë, kur, në fillim të viteve ’80-të, në Kosovë filluan demonstratat e fuqishme.

Kjo mrekulli dhejtëvjeçare ishte një veprim taktik e demagogjik i serbëve për të zbutur kërkesat për pavarësi të kosovarëve. Por, serbët, kur panë se “zjarri nuk shuhej me benzinë”, e ndërprenë menjëherë. (Për të njëjtën arsye hoqën dorë edhe pushtuesit italianë nga projekti i tyre për ndërtimin në Krujë të një monumenti të Skënderbeut).

Gjithsesi, ai komunikim intensiv pati efekte të shumanshme. Shumë vepra të shkrimtarëve më të shquar shqiptarë u botuan në Kosovë, madje, me lidhje speciale. Por, në Tiranë, erdhën, gjithashtu, edhe botime, sidomos përkthime të poezisë e prozës moderne botërore që këtu ishte e frikshme, edhe të imagjinoje se mund të botoheshin: nga Makiaveli, tek Kafka, Xhojsi, Prusti, etj.etj.

Ndërkaq, po kujtoj atë të vërtetë që na kujton edhe “Relacioni” i Ministrisë së Brendshme.
Poetët e prozatorët që zgjidhnin botuesit kosovarë dhe lavdëroheshin nga shtypi i Kosovës, (për, shembull, “Rilindja” që dilte atëherë) si, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu apo dhe të tjerë, tek ne, çuditërisht, shiheshin me dyshim. Kjo ishte edhe pjesa, jo vetëm tragjike, por edhe më banale e fyese e atyre viteve të komunikimit mes krijuesve shqiptarë këtej e andej kufirit: të dyja palët survejoheshin në mënyrë të dyfishtë, edhe nga Sigurimi shqiptar, edhe nga agjentë të UDB-së jugosllave, siç quhej, për të mos përmendur ndonjë hafije “shkrimtar”.

-Si do ta shpjegonit këtë sjellje kaq të ashpër, e të vrazhdët me shkrimtarët, artistët, gazetarët e, në përgjithësi, me njerëzit publikë?

Nuk mendoj se, veçanërisht, në diktaturë por jo vetëm në diktaturë, bëhet fjalë për raporte sentimentale dhe etike të pushtetit, apo partive politike me shkrimtarët, artistët, median-pushtetin e katërt, siç quhet; pra në përgjithësi, me njerëzit publikë.

Në të gjitha rastet bëhet fjalë për raporte politike midis tyre, midis pushteteve.

Por, ju keni të drejtë, aparenca, atë përshtypje të krijon. Madje, në dukje, raportet e pushtetit, të politikës dhe njerëzve të saj me shkrimtarët, artistët e gazetarët, kanë një pamje shumë idilike dhe mund të të krijohet edhe mendimi i kundërt, se janë njerëzit e politikës ata që i duan më shumë.
Pikërisht, politikanët janë ata që bëjnë deklaratat më të mëdha të dashurisë për “elitën e kombit”, njerëzit e famshëm, VIP-at, shkrimtarë, artistë, gazetarë apo sportistë. Janë përsëri ata të parët që, megjithëse nuk dallohen për ndonjë dashuri të madhe për librin e për shije të holla artistike, nguten t’u marrin autografë shkrimtarëve të njohur, të bëjnë foto apo të pozojnë para kamerave me ta e me artistët, t’i ftojnë në festa e bankete, t’u shkojnë në shtëpi a në varreza për ngushëllim familjarëve të tyre, kur ndonjëri prej tyre ndërron jetë, të përpiqen t’i bëjnë miq,-madje, edhe duke u bërë ndonjë favor, dhe të mos lenë rast pa e reklamuar këtë “miqësi”, sigurisht, krejt “rastësisht”...

Por, gjithë ky spektakël i përditshëm është shprehje e hipokrizisë, snobizmit dhe injorancës.
Ajo që përbën thelbin e raporteve mes tyre shfaqet në ftesat që i bëhen “elitës dhe VIP-ave për në fushatat elektorale, paraelektorale, pas elektorale e, në radhë të parë, për të marrë pjesë në “partinë e tyre”. Pra, për t’i vënë nën komandë, për t’i blerë.

Për dikë (apo shumëkënd) mund të duket normale që emrin dhe personalitetin e vet ta verë në funksion të makjazhit apo imazhit të një pushteti apo politikani të padenjë e të urryer për publikun. Problemi është, se duke i zbukuruar ata, je bërë edhe bashkëfajtor kur, nuk duhet harruar se, përkundrazi, intelektualët, “elita”, njerëzit publikë, janë përfaqësuesit e interesave publike dhe duhet ta mbrojnë opinionin publik.

Ndërkaq, në “merkaton” tonë, edhe “pjaca” është tepër modeste dhe banale.

Normalisht, domethënë, në një vend demokratik, ju e dini, se këto raporte pushtetesh duhet të ngrihen e të harmonizohen, duke respektuar pavarësinë e njeri-tjetrit, ndryshe nga diktatura që e shpall kontrollin dhe komandën ndaj të gjitha pushteteve të tjerë.

Për fat të keq, edhe në një “demokraci të brishtë”, si jona dhe siç e shohim të gjithë, është e njëjta “skenë” dhe “skemë”.

Le t’i hedhim një sy “hartës politike” të shkrimtarëve artistëve, gazetarëve etj.etj dhe pamja besoj bëhet më e qartë. Tanimë kemi “shkrimtarët e partisë”, “aktorët e partisë”, “këngëtarët e partisë”, “gazetarët e partisë”, “Tv-të e partisë”, “historianët e partisë”, “gjyqtarët e partisë”, “piktorët e partisë”, “dizenjatorët e partisë”, “sindikatat e partisë”.

Misioni është i qartë: të këndojnë, të aktrojnë, të pikturojnë, të dizenjojnë, të diskutojnë, të mbrojnë, të shkruajnë për partinë, për “pjesën e tyre”...

Depersonalizimi është i trupshëm dhe përçarja e dhimbshme.

Të kërkosh të rrish jashtë dhe jo nën komandën e partisë,-gjuha e partisë ndryshon; pas divorcit je i papunë. Nuk më duket se janë të vogla këto fenomene. “Diktaturat dalin nga sëmundjet që pësojnë demokracitë”,-thotë një filozof i njohur.

Mendoj, se në këtë sfond aktual, për fat të keq, shikon edhe më qartë dhe motivet e kritikave të Enver Hoxhës kundër shkrimtarëve, por dhe në rastin e Xhevahir Spahiut.

Ndëshkimi i tij nga filozofia “antimarksiste” e Sartrit, është thjesht, një alibi për t’i kujtuar poetit dhe kolegëve të tij se duhet të shkruanin “për partinë e tyre” e jo për të tjera gjëra, “për atë që ju dha shkollë, punë” etj. Kurse, të harrosh këtë, aq më keq, të bësh të kundërtën...

Studiuesi Shaban Sinani e zbulon edhe këtë alibi: “A është vërtetë poezia e Xhevahir Spahiut e një mendësie ekzistencialiste, poezi e armiqësisë së individit me botën, e vetveçimit në brendësinë e vogël, e përçmimit të meritave të jetës dhe e vështrimit indiferent të fatit njerëzor?...

“Udha poetike”, e Xhevahir Spahiut “na kumton, se poezia e tij është zhvilluar në një drejtim krejt të përkundërt. Ajo është poezia e shqetësimit, deri në alarm për çështjet më të qenësishme, më ekzistenciale të jetës së njeriut.

Poezia e Xhevahir Spahiut është poezia e mitit të prejardhjes, e kultit të vendlindjes, e hymnizimit të lashtësisë, e krenarisë për historinë, atdheun, njeriun. Fatin vetjak, poeti e ka hedhur tutje” (Sh.Sinani “Për letërsinë shqipe të shek. XX, fq,329).

Fatin personal, poeti sipas kritikës “nga lart” duhej ta hidhte tutje. Sigurisht, por në shërbim të Partisë.

Poezia e Xh.Spahiut duhet të ishte poezi e mitit, kultit dhe hyjnizimit të partisë dhe të Enver Hoxhës, e krenarisë por për veprën e tyre...

-Duke u nisur nga “Çështja Xhevahir Spahiu”, ju folët për raportet e shkrimtarit me pushtetin.
Po për raportet e shkrimtarit me opinionin publik, ç’mund të thoni?

-Edhe raportet e intelektualëve, apo njerëzve të shquar publikë me opinionin, gjithashtu, nuk janë thjesht çështje sentimentesh. Ato janë shumë më tepër se aq: janë raporte jetike, sepse intelektuali, njeriu publik, siç dihet, ka misionin të mbrojë interesin publik.

Intelektuali nuk mund të jetë as përfaqësues, as zëdhënës, as “ndihmës” i pushtetit, partive, cilido qoftë pushteti, partia dhe në çdo regjim. Për vetë natyrën e tij intelektuali, njeriu publik, i përket jo pjesës (nga rrjedh edhe fjala parti), por së tërës, madje, edhe përtej vendit dhe kohës së vet. Pra, edhe vepra e tij, ka e duhet të ketë këto “dimensione”.

Këtu, besoj ishte edhe “keqkuptimi” kryesor i Partisë me poezinë, me veprën e Xhevahir Spahiut dhe, sigurisht edhe i krijuesve të tjerë të shquar, të cilëve, gjithashtu, iu përgatitën dosje.

Edhe vetë emërtimi “ndihmës të partisë” për shkrimtarët e artistët, nënkuptonte faktin, se ai apo ata duhej t’i shërbenin pjesës, jo së tërës.

Por, a mund të ketë poezi, roman, muzikë, pikturë, që t’i shërbejnë a pëlqejnë vetëm një pjese të popullit? Edhe librat e shkollës e thonë, se letërsia dhe arti mund të jenë të tillë vetëm duke qenë universalë e të gjithkohshëm.

Prandaj dhe mund të thuhet me bindje, se në provën e dashurisë, besnikërisë e të përkushtimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi, dështoi partia e jo Xhevahir Spahiu dhe, sigurisht, edhe shkrimtarët e intelektualët e vërtetë shqiptarë.

Në këtë kuptim, krijuesit dhe njerëzit e shquar publikë janë “opozita” më e fuqishme dhe e përhershme në mbrojtje të interesave publike. Ata janë rregullatorët e vërtetë të ekuilibrave moralë, etikë e socialë të shoqërisë dhe “antidotët” më efektivë për të mbrojtur shëndetin publik nga sulmet dhe amoraliteti i pushtetit.

Kultura, dhe shijet e vërteta artistike dhe qytetare edukohen vetëm prej tyre, dhe, vetëm atyre mund t’u atribuohet edukatori i njeriut apo qytetarit.

Parë në këtë këndvështrim, në kohën e diktaturës “opozita” e vetme, ishin shkrimtarët e njohur, artistët, intelektualët, njerëzit publikë me veprat e tyre, megjithë kufizimet e njohura dhe në kushtet e munguara së një opozite reale dhe të sindikatave formale dhe të shpallura, gjithashtu, “leva të partisë”.

Shkrimtarët dhe artistët, intelektualët, pra njerëzit e shquar publikë me Ismail Kadarenë në krye, me veprat e tyre, ishin udhëheqësit e vërtetë shpirtërorë të opinionit e veçanërisht të rinisë. Librat e tyre bliheshin brenda ditës, e ndonjëherë edhe brenda disa minutave- e vetmja “rradhë” e bukur!- dhe jo me detyrim e me lista, siç ndodhte jo rrallë, me “veprat e partisë”.
Gjimnazistët, të rinjtë, mes tyre gjenin shembujt e frymëzimit, apo adhurimit dhe jo tek njerëzit e pushtetit.

Pikërisht këta njerëz të shquar publikë dhe vepra e tyre, ishin e vetmja “piramidë” ku publiku, si të thuash, mbështeste kokën.

Populli i donte së brendshmi këta njerëz të tij. Në këtë këndvështrim më duket, se, sot, paradoksalisht, mungon apo ekziston në konture të mjegullta, ajo lloj “opozite”, ajo “piramidë”, ajo udhëheqje shpirtërore, morale, etike për opinionin.

E tillë, gati inekzistente, kjo “piramidë”, aktualisht është e paaftë të konkurrojë me “piramidën” e pushtetit. Prandaj dhe pushteti po se po, por edhe partitë politike e kanë fare kollaj, t’i vënë, si dikur në rreshta apo nëpër listat e rastit.

-Sipas jush, kush e denoncoi Xhevahir Spahiun?

Tanimë, besoj se shumëçka është më e kthjellët, më e qartë dhe më e lehtë për t’u përgjigjur këtyre pyetjeve cfilitëse.

Më shumë se një individ me emrat që përmenden apo nuk përmenden në këtë “Relacion”, Xhevahir Spahiun, e denoncoi, - dhe nuk është paradoks,- partia dhe Sovrani vetë. Gjithë “veglat” gjithë mekanizmat e diktaturës drejtoheshin nga Partia dhe Sovrani. Në atë kohë, ne nuk mund ta kuptonim dot se këtë gjë, mikut tonë ja bënte “Partia jonë”

-Si mendoni: a ishte “armik” e “antiparti” Xhevahir Spahiu?

-Kjo pyetje, të bën disi të qeshësh, dhe unë vetë, pikërisht këtë pyetje i bëra Xhevahirit:

-Paske qenë armik, dhe nuk na ke thënë asnjë gjysmë fjale?! Hiç, nuk e mohon dot,-vazhdova kur e pashë të qeshte. –E ke me dokument! Më mirë se këta e di ti?!

-Lëna- o, rehat, për kokën tënde!,-tha dhe zuri të qeshë përsëri. - Pikë e zezë!...

A ka qenë armik Xhevahir Spahiu?

Kjo besoj, - Kush kanë qenë armiqtë- është pyetja më e vështirë në Shqipërinë e sotme. U bënë 20 e ca vjet dhe përditë e përnatë, në gazeta e TV, po shfaqen qindra trima e guximtarë, armiq të panjohur gjer dje për vepra armiqësore dhe demokratë, të panjohur gjer dje për vepra “demokratike”, të cilët, siç thonë janë përplasur, përballur, përleshur, kacafytur dhemb për dhembë me diktaturën e, kryesisht, me Enverin dhe Mehmetin... Por, megjithë alibitë dhe retushet që i bëjnë historisë, për çudi, për ta nuk gjen kurrfarë dosjeje armiqësore, dokument apo “Relacion” për implikim armik e antiparti, si ky për Xhevahir Spahiun; nuk del as edhe një dëshmitar i vetëm që të tregojë, se ku e si e ka marrë, pas përplasjes, qoftë edhe një të krisur të vogël Enveri, apo ndonjë dhemb të thyer Mehmeti...

Të rinjtë që i shohin e i dëgjojnë këto histori, me siguri mbeten të çoroditur; mendo si mund të ndihen ata që mbetën burgjeve, pra armiqtë pa thonjëza, kur shohin e dëgjojnë “kolegë” që nuk i kanë parë e dëgjuar kurrë.

Një i tillë, “armik gazete” apo “armik televizioni”, sigurisht “pas beteje”, që e njihja, u shfaq një natë në një nga kanalet televizive dhe tha, se ishte përballur shumë herë me diktaturën, por më shumë i kishin pëlqyer përplasjet me Mehmetin, se ato ishin burrërore, kurse ato me Adilin dhe Ramizin ishin pa lezet. Ish-zvministri tha, gjithashtu, se përplasja më e fortë për të kishte qenë në vitin 1983, në një mbledhje të Sekretaritatit të Komitetit Qendror, ku e kishin thirrur të raportonte për kujdesin dhe kushtet e punës së punëtorëve të ministrisë së tij, dhe, pas përballjes me të mëdhenjtë e tjerë, ishte çuditur me Enverin. Ai ishte i mbaruar fare, tha. Këtë e bisedova me nja dy miq të mijë më pas, sigurisht në intimitet. Ai, domethënë, Enveri, i cili nuk ishte ndjerë fare në fillim, pa pritur i ishte drejtuar zv/ministrit me fjalët e ashpra. “Ti je mendjemadh” dhe, menjëherë, pas këtij çasti,-tha zëvendësministri, ai ishte rrotulluar megjithë kolltukun e tij, e i kishte kthyer shpinën dhe, gjer sa kishte mbaruar mbledhja, nuk kishte folur më.

Ishte me të vërtetë, një skenë tepër argëtuese, tek shihje, edhe gazetarin intervistues, i cili e ndiqte “heroin” në heshtje, duke e parë në sy me shumë vëmendje, besim, simpati e gati adhurim.
Meqenëse rrëfyesin e njihja, dhe sidomos, meqenëse kisha qenë i pranishëm pikërisht në atë mbledhje – kryeredaktori i “Zëri i Popullit”, ishte rregull i hershëm, merrte pjesë si i ftuar dy herë në muaj pothuajse në çdo mbledhje të Sekretariatit dhe të Byrosë Politike; - po tregoj edhe unë variantin tim të mbledhjes,- përveç kujtesës, mbaja dhe shënime në bllokun tim, detyrë dhe zakon gazetari.
Në një seancë pushimi, zëvendësministri që priste rradhën të hynte, sigurisht, ishte i shqetësuar “si do të dilte”, por dhe i gëzuar dhe emocionuar, që do të kishte fatin, ja, pas disa minutash, të takonte shokun Enver...

-Të lutem,-më tha,-se ti shikon shumë këtu që raportojnë, më jep ndonjë mendim si të paraqitem, sa më mirë...

Kishte në dorë një tufë letrash, 20 a 30 faqe të shtypura-gjysma faqesh, - në fakt, ishte modë e atëhershme,-një raport i gjatë e rutinor, i cili dukej menjëherë që ishte i tillë, se, që në paragrafin e parë fillonte me sukseset e arritura nën udhëheqjen e Partisë.

Desha sinqerisht t’i jepja ndonjë mendje të mirë, dhe, i nisur nga ato që më kishte para syri, i thashë t’i fuste në çantë të gjitha ato letrat me fjalimin e parapërgatitur dhe të fliste vetëm me gojë sinqerisht e realisht për atë gjendje, vërtetë të keqe, të kushteve të punës së punëtorëve por edhe të prodhimit që ai i njihte mirë, se me ta kishte punuar vite të tëra. Madje, e mbaj mend mirë që i thashë se fjalia e tij e parë, të ishte: “Ne jemi shumë keq...”

Sigurisht, që këtu kishte edhe një “hile të vogël”, por doja vërtetë që ai “të dilte mirë”. Por, “skenari” im fatkeqësisht, funksionoi vetëm gati dy minuta, sa miku im tha fjalinë e parë, dhe Enver Hoxha iu drejtua gjithë vëmendje, kënaqësi e dashamirësi...

Mirëpo, vetëm kaq, sepse, sapo zv/ministri ktheu pak kokën nga “shefi i tij”, domethënë ministri përkatës, ky i fundit me kokë e me sy i dha shenjën urdhëruese “ të lexonte raportin, letrat aty ku kishte arritjet e sukseset e ministrisë.” Zv/ministri doli menjëherë nga “skenari” ynë dhe hyri në atë të shefit. Ai akoma nuk e kishte mësuar se, (jo në të gjitha shtëpitë dera është më afër qilarit... Pra duhej të kuptonte, se aty, në atë mbledhje, shef për të gjithë kishte vetëm një dhe ai ishte Enver Hoxha. Pikërisht këtu filloi “drama” apo “përplasja”, siç i quante zv/ministri në Tv.

Fytyra e Enver Hoxhës, menjëherë u zymtua, iu prish humori dhe tha: “Hiqi kartat. Ishe mirë pa kartat!...

Por miku im tani u hutua dhe nuk foli më. Folën të tjerët, dhe ndryshe nga ç’tha miku im këto ditë në TV, foli, sidomos Enver Hoxha dhe, si gjithmonë foli edhe në fund, ku bëri konkluzionet. Dhe, nuk ishte i “mbaruar”, siç tha miku im këto ditë në Tv, apo siç vazhdojnë të thonë jo pak të tjerë të cilët, me siguri shembullore “argumentojnë” se, aha, qysh në vitin ’73, kur pësoi infarkt në zemër, ai ishte kot, kufomë...

Se për ç’arësye e thonë, saktësisht, unë nuk e di. Ajo që unë di mirë, është ajo që e kam parë me sytë e mi, dhe që e thonë edhe mjekët e tij, Ylli Popa dhe Sabit Brokaj, se Enver Hoxha, gjer në ditët e fundit të jetës së tij ka qenë i vetëdijshëm dhe krejt i kthjellët.

Duket absurde të mendosh, siç shkruajnë e thonë disa, se duke e bërë Enver Hoxhën “të mbaruar” që në vitin 1973, ke dënuar dhe diskredituar diktaturën. Ca të tjerë, ndoshta e thonë për t’i hequr përgjegjësitë për tërë ato që bënë vaki.

Kush e drejtoi “luftën kundër armiqve” në letërsi, art e kulturë, naftë, ushtri, qeveri? Kush vendosi prishjen me Kinën? Po në ngjarjet e dhjetorit 1981, kur u vetvra kryeministri, Mehmet Shehu, si ishte me shëndet Enver Hoxha?...

Për sa kohë të mos shihen dosje e dokumente, përsa kohë do të flitet pa përgjegjësi publike, Enver Hoxhën e filmit “Gjuetia e fundit” , do ta marrin për Enver Hoxhën e historisë dhe Qazim Mulletin e komedisë “Prefekti” të Besim Levonjës, do ta marrin për të vërtetin e historisë.

Ndërkaq, për të verifikuar edhe unë të vërtetat e mia në raport me atë emision të TV-së, shfletova bllokun tim të shënimeve, për të parë ç’isha regjistruar nga ato që u thanë nga Enver Hoxha në mbledhjen e Sekretaritit për të cilën foli edhe zv/ministri. Po citoj:

“30 mars 1983. Flet E. Hoxha: “Bëjmë stalla moderne për derrat, kurse punëtorët i lemë në kushte të vështira...” –“Ministria na thotë të presim edhe 10 vjet për të ndërtuar shtëpi për punëtorët; domethënë, thotë Ministria, edhe 10 vjet të tjera punëtorët të flenë si qentë”...

- “Planin e kushteve të punëtorëve e keni realizuar vetëm 60 për qind. Cilin drejtor keni shkarkuar nga ata që nuk realizojnë kushtet e punës të punëtorëve? Për këtë arsye hiqet një drejtor dhe jo pse i buzëqeshi një çupe...- “Nuk jemi shumë të kënaqur nga ju të Ministrisë... Dëgjoj që ju pëlqen mendja juaj dhe nuk shkoni të takoni punëtorët që t’u thonë çfarë hallesh kanë... Klasa punëtore është në fuqi, por për ta ka neglizhenca, kurse për intelektualin bëhet më shumë... Po tani e tutje, shtrojuni punës...”

Pra, me gjithë kritikat, - të zakonshme për çdo mbledhje,-fundi i mbledhjes nuk ishte “dramë”. Përkundrazi, asgjë nuk i ndodhi mikut tonë, prandaj dhe kur doli në pushim dhe shkuam në kafe, ishte i gëzuar e në humor.

-Mirë më sugjerove për letrat ti, po hutohesh para atij njeriu... Por, ai ma hoqi emocionin... I madh shoku Enver, ë?

- I madh...

- Sa mirë e njihte gjendjen, ore burrë i dheut; më mirë se ne. I thjeshtë, madhështor... Sidomos, kur e shikon kështu, nga afër... Kam shumë motive në kokë për një poezi për të... Fati i Shqipërisë, ë?
-Fat...

-E fortë, ajo që tha shoku Enver për atë drejtorin që e hoqën se i buzëqeshi një çupe, ë?
-E fortë...

E gjithë biseda jonë, sigurisht, ishte krejt miqësore, dashamirëse e me ndonjë shaka, prandaj e urova dhe u ndamë.

Kur është fjala për të ndriçuar të vërtetat e historisë, si në një emision të tillë, duhet shkuar i përgatitur, duhen këshilluar e ballafaquar dokumente arkivore dhe, ndoshta, edhe njerëz të tjerë për oponencë dhe me mendim alternativ.

Gjithsesi, pas njohjes edhe me një armik të vetëshpallur, le t’i kthehemi “armikut tonë” të shpallur nga “Relacioni” me pyetjen tuaj: a ka qenë armik poeti Xhevahir Spahiu?

Me krijuesit e shquar, mendoj është tjetër gjë, dhe arsyetimi, bëhet ndryshe.

Për atë gjykohet nga librat që janë sheshit për të gjithë. Intuita e krijuesit të vërtetë, ligjësitë e krijimit dhe trimëria intelektuale janë më të forta se idetë e programet partiake, e, për këtë arsye, edhe në Shqipëri, sikurse në vendet e tjera të Lindjes komuniste, reagimi i parë i krijuesve ndaj mbylljes e totalitarizmit, u shfaq në veprat e tyre përmes atij që quhet “refuzim estetik”. Në mbledhje, fjalime partiake dhe nëpër dosjet e Ministrisë së Brendshme, nuk janë rastësisht emrat e Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, Xhevahir Spahiut etj., dhe në qelitë e burgjeve poetë të talentuar, si Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, për të kujtuar vetëm disa dhe vetëm të dekadave të fundit.

Ishte një rrugë e njohur nga kolegët e tyre të ish-kampit socialist, ku pikërisht refuzimi estetik i parapriu edhe refuzimit politik.

Aleksandër Solzhenicini, Josif Brodskij, Osip Mandelshtani, Anna Ahmatova etj., në ish-Bashkimin Sovjetik; Vaclav Haveli dhe Milan Kundera në Çekosllovaki apo Herta Muller në Gjermaninë Lindore, ose u flakën në qelitë e burgjeve, ose u dëbuan nga vendi i tyre, ose patën fundin tragjik të Majakovskit, i cili, me vetëvrasjen e bujshme, dëshmoi edhe dëshpërim, edhe zhgënjim, edhe protestë.

Asnjëri prej krijuesve shqiptarë nuk ka pretenduar “armikun” apo “disidentin”. Por, ndërsa asnjëri prej tyre nuk u vetshpall i tillë, në dokumentat partiake, apo dosjet e Ministrisë së Brendshme, ata, saktësisht, cilësohen si të tillë “armik”, apo “që bën punën e armikut”; cilësime këto që, në terminologjinë e dokumentave sekrete të kohës, por edhe të fjalimeve publike ishin ekuivalente dhe njëlloj të ndëshkueshme.

Ç’duhej e ç’ishte e mundur me shumë se “Nëpunësi” i “Pallati i Ëndrrave” (1980), për ta ndjerë në palcë angushtinë, përndjekjen dhe izolimin?

Ç’mund të thoshte më tepër poeti Xhevahir Spahiu, se sa me ciklin poetik “Migjeni flet” dhe libri “Zgjimi i thellësive”? (1979)

Xhevahir Spahiu armik e antiparti!? Kujt i duhet besuar: shkrimtarëve apo shtetit?
Ndoshta, edhe shkrimtarëve, po edhe shtetit, që e di më mirë hallin e tij, dhe gjërat, i ka me emrin e tyre në letra, relacione, fjalime, dosje. Shteti i ka me dokumente punët, dhe ato quhen zyrtare, dhe arkivistët, rigorozë, siç janë, këto quajnë burime. Ato të tjerat rrugëve e kafeneve, gazetave, sado që më përplasje të forta me Mehmetin e Enverin”, nuk i quajnë.

Prandaj dhe duhen hapur dosjet.

-Përse, pas gjithë këtyre ndëshkimeve ekstreme dhe rekomandimit për burg nga Ministria e Brendshme, Xhevahir Spahiun, megjithatë, nuk e burgosën?

-Kësaj pyetje i është përgjigjur saktë dhe me argumente Ismail Kadare, kur i është bërë, ndryshe nga ju, por prej akuzatorësh keqdashës e cinikë, që i kërkonin me çdo kusht vdekjen në kohën e diktaturës.

Në thelb, këta zëra përcillnin dëshirën e brendshme të vetë diktaturës, dhe, nëse ajo i la jashtë qelive disa shkrimtarë, artistë e intelektualë si Kadareja, kjo nuk do të thotë aspak se iu dhimbsën.
Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, kompozitori Nikolla Zoraqi, apo poeti e gazetari Xhevahir Spahiu e të tjerë, nuk ishin thjeshtë emra konkretë shkrimtarësh e artistësh. Ata ishin, në radhë të parë, ide, simbole, dhe dihet, se idetë e simbolet nuk rrëzohen me forcë. Ata ishin të famshëm; por edhe zëdhënës apo përfaqësues të opinionit publik dhe mbronin interesat e këtij opinioni.

Nuk ishte lehtësisht e imagjinueshme, që, pas burgosjeve të tyre, të përfytyroje një fushatë djegiesh e shfarosjesh të librave, pikturave, busteve apo CD-ve me muzikë të krijuara prej tyre; nuk ishte e lehtë të përfytyroje, gjimnazistë, po as policë me uniformë tek digjnin apo shkelnin me këmbë nëpër lagjet e qyteteve apo fshatrave të Shqipërisë, fotot e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Vaçe Zelës, Fatos Arapit, Xhevahir Spahiut, Kadri Roshit, Sulejman Pitarkës, Gaqo Çakos etj.etj., pa përfytyruar në të njëjtën kohë tronditjen dhe zemërimin popullor, dhe titujt e bujshëm në TV-të dhe gazetat e Perëndimit.

Ishte e pamundur të përfytyroje Ismail Kadarenë, duke dalë nga shtëpia e tij, në rrugën e Dibrës, zvarrë e me pranga në duar, tek bënte përpjekje të mundimshme, të merrte syzat e rëna përdhe, dhe policin që nuk donte t’ia dinte e, thërriste “Ec, përpara, qen”!

Ndërkaq, për Enver Hoxhën kjo skenë, përkundrazi, ishte krejt normale të mendohej. Po, përse nuk ndodhi kjo skenë?... Më lejoni t’ua argumentoj përmes një detaji apo ngjarjeje që e kam jetuar vetë në vitin 1973. Pasi e la për muaj të tërë shtypin t’i vërsulej shkrimtarit dhe romanit të tij “Dimri i Vetmisë së Madhe”, Enver Hoxha qëndroi një ditë “rastësisht” në Elbasan, në një takim, gjithashtu, “të rastësishëm” me punëtorët e Metalurgjikut, dhe, tha, se, përkundrazi, romani është i mirë dhe Ismail Kadareja është i yni... Mbrëmjen e natës së “kthesës së madhe” e mbaj mend mirë. Nja 6-7 gazetarë, kishim rrethuar korrespondentin e “Zëri i Popullit”, Jorgji Papa, i cili kishte qenë në takimin e Metalurgjikut dhe është thirrur urgjent të informonte kryeredaktorin për ç’ishte folur...

Ndërkaq, kujtoj kryeredaktorin e “Zëri i Rinisë”, Dh.V. që, i shqetësuar ndiste cigaret njerën pas tjetrës dhe sidomos ai donte të dinte çkishte thënë Enver Hoxha konkretisht. Disa numra me radhë gazeta e tij ishte vënë në dispozicion të “rinisë e veteranëve” që sulmonin romanin armiqësor...
Por, pas informimit nga Jorgji, gjithçka u përmbys. Materialet kundër Ismail Kadaresë dhe romanit të tij u hoqën nga shtypi dhe të nesërmen, gazeta “Zëri i Rinisë”, nuk doli më me “bëri punën e armikut”, por, me “i yni”.

Mbrojti shkrimtarin, thanë atëherë. Mbrojti shkrimtarin, kanë dëshirë, disa të vazhdojnë të thonë sot.
“Dorën që nuk e kafshon dot, puthe”. Kjo sentencë cinike dhe e frikshme, që duket sikur është nxjerrë nga libri “Princi” i Nikola Makiavelit është krejt e ngjashme me këshillat që filozofi i madh i Mesjetës i jep Lorenco di Mediçit, se “duhet të shmangen me kujdes veprimet që popullin do ta bënin të pakënaqur dhe mund të të përbuzin dhe të të urrejnë”...

Gjithsesi, Sundimtari nuk këshillohej të hiqte dorë përfundimisht nga “kafshimi i dorës”, por vetëm e thjesht, të ndërronte taktikë e të gjente forma të reja nënshtrimi.

Me sa duket, edhe tek ne, në dekadat e fundit, përvoja këshilloi forma të reja. Ndëshkimet dhe ndalimet radikale të emrave të mëdhenj të Konicës, Koliqit, Fishtës, Petro Markos etj., krijuan bumerang.: ata “pëshpëriteshin” në familjet shqiptare, librat e tyre lexoheshin fshehurazi dhe herë pas here, shfaqeshin në shtypin perëndimor.

Kush e shpëtoi Xhevahir Spahiun nga burgu? Ashtu, sikurse emrat e tjerë, simbole dhe përfaqësues të interesit publik, edhe Xhevahir Spahiun, - duket paradoksale,- e shpëtoi nga burgu, pikërisht ajo që e ndëshkoi, poezia, pena e tij. Atë e shpëtoi talenti i tij, karakteri, emri i tij aq i njohur, i dashur e popullor, si poet rebel e gazetar kurajoz.

Ashtu si edhe disa emra të tjerë të njohur e me dosje të sigurimit, edhe Xhevahir Spahiun e shpëtoi nga burgu Xhevahir Spahiu, dhe jo dashamirësia e partisë, zemërgjerësia e saj, siç donin të interpretonin, për të vazhduar goditjen, ndaj këtyre shkrimtarëve, tanimë me “Kompleksin e borxhit” apo “Kompleksin e mirënjohjes”... etj.

-Ç’doni të thoni me “kompleks të borxhit”, apo “kompleks të mirënjohjes”?

-Ashtu sikurse besimtarët që, të ulur në tavolinën e bukës, çdo vakt, nuk mund të fillonin të hanin, pa shtrirë pëllëmbët e duarve përpara për të falënderuar Zotin që u fali bukën dhe jetën, ashtu edhe ti, çdo ditë duhej të dilje nga shtëpia e të hyje në shtëpi, me falënderimin e mirënjohjen për partinë që “të lindi, që të rriti, të edukoi, të bëri me shkollë, të hapi sytë, të bëri njeri, të bëri doktor, të bëri shkrimtar, të mësoi të luftoje fashizmin,” etj.etj.

Kjo psikozë, absurde si çdo psikozë, përmes një borxhi iluziv, të paqenë, injektonte nënshtrimin, depersonalizimin, duke fyer nënat e prindërit, në përgjithësi, që të kishin rritur realisht përmes njëqind halleve, që të kishin dërguar në shkollë, duke sakrifikuar ushqimin dhe veshjen e të tjerëve të fëmijëve, për librat, për konviktin apo ç’të duhej tjetër.

Kjo psikozë, mohonte vullnetin, talentin tënd, nëse e kishe kur dilje i suksesshëm.

Po unë vetë, ç’kam bërë?! Kam tundur zinxhirët?! Ç’i bëri për shembull, Xhevahir Spahiut partia?
Nxënës i shkëlqyer në shkollën e mesme, dhe po aq i zoti si student në universitet, i njohur qysh atëherë si poet e gazetar i talentuar, ai nuk i kërkoi kujt ta emëronin në gazetën “Zëri i Popullit”. Iu duhej, pa e kërkuan; pikërisht pse ishte i zoti dhe i talentuar. Kujt duhej t’ia dinte për nder dhe përse!
Po kështu, edhe me emra të tjerë të njohur në letërsi, në arte, dhe në publicistikën e kohës. “Ti, megjithë telashet që i ke sjellë partisë, ajo u tregua përsëri zemërgjerë, nuk të futi në burg, të fali, bëri përjashtim për ty. Prandaj, ne, ju, ti, ai, ajo, i jemi borxhlinj partisë; t’i jemi mirënjohës...”
Kurthi ishte i menduar mirë.

Kulti i borxhit dhe i mirënjohjes ndaj partisë, në thelb, fshihte, sigurisht, kultin e partisë.

I “shpikur” dhe i përhapur në gjithë Lindjen komuniste, kompleksi i borxhit dhe i mirënjohjes, nuk mund të mos ishte veçanërisht, i suksesshëm në një vend, si i yni, ku kulti i Nderit kodifikohej që në kapitujt e parë të Kanunit mesjetar shqiptar; në një vend ku përshëndetja kryesore është krejt unikale dhe përcillej prej shekujsh me urimin e shenjtë: “Faleminderit!”, “I falem nderës”, “I falem”! dhe fjalët e urta për borxhin, nderin dhe mirënjohjen ishin pa fund. “Nderi lahet me nder”! “Mos jep e mos merr borxh”, “Borxhi është litar në qafë”, etj.etj.

Më shumë se një detyrim material, borxhi, nderi e mirënjohja ishte një peng moral që shlyhej vetëm me jetën.

Njeriu fillon tek mirënjohja, thotë një miku im.

Pikërisht, abuzimi me dinakëri, me traditën dhe këtë virtyt “delikat” njerëzor krijon kompleksin e borxhit apo të mirënjohjes.

Për disa vite, kam pas menduar, se edhe miku im, i ndodhur i vetëm përpara goditjeve të pushtetit dhe për natyrën e tij thellësisht mirënjohëse, kishte besuar dhe pasur iluzionin, se nga ndëshkimi i fundit, burgu, e ka shpëtuar Xhemili, Qamili, Halili...Sepse ky Xhemili, për shembull, i ka pas thënë dikur, në intimitet, “midis nesh” (“por, të lutem, mbaje vetëm për vete se, sigurisht, siç dihet, këto punë janë me zarar të madh”): pra se, më në fund, pas shumë përpjekjesh, paskësh arritur ta bisedonte me shokun K.H. dhe se kishte arritur t’ia merrte fjalën që, për Xhevahirin të mbyllej me kaq ky muhabet, dhe se, përjashtohej varianti i burgut, por që, “sigurisht s’ke pse më falenderon mua, se, po të jetë për borxhe e mirënjohje, apo falënderime, ne ato i kemi vetëm për partinë... “ Etj, etj.

Shkurt, përsëri borxhi ndaj partisë, dhe litari i borxhit, përsëri në qafë.

I vetmi ndryshim ishte se, veç litarit të partisë, tani shtohej edhe “litari” i Xhemilit, Qamilit, Halilit...
Por, Xhevahir Spahiu i kishte borxhe vetëm Xhevahir Spahiut.
Intuita e poetit ishte më e fortë, se hamendja ime, dhe ai shkroi:
“Do të vdes.
I kam borxhe nënës,
që s’ja ngrita varrin,
I kam borxhe lisit,
Që s’ja hodha pjergullën.
I kam borxhe dashurisë,
që ia vodha të dielat,
I kam borxhe krimit,
Që s’i vura emër,
Dhe vë pikën këtu.
Tani mund të flisni,
Për borxhet që më keni ju!”

(“Borxhet e mia”)

-Në librin e tij më të fundit, studiuesi Shaban tregon edhe një fakt të pabesueshëm të pasviteve ’90-të: Njerëz të shtetit, jo vetëm e kanë kërcënuar, por edhe e kanë goditur poetin, sido që “as gjashtë vetë nuk mundën ta bëjnë zap atë njeri”...

-Po, është më se e vërtetë. Duket absurde që skena dhe spektakle të tilla, ogurzeza, të cilat Makiaveli nuk ua këshillonte as sundimtarëve të Mesjetës, dhe diktatura komuniste i shmangte ose i fshihte, t’i shihje në demokraci...

Në mars të ’97-ës, kur anarkia, vrasjet dhe dhuna po arrinin kulme, shteti u soll ca “trashë” me poetin: jo vetëm e fyeu, por për turpin e vet, edhe e goditi dhe e dërgoi në qeli.
Përse? I vetmi faj i poetit ishte se përsëriti gabimin e Tirezeut të mitologjisë, përsëriti “gabimin” e tij, dhe përsëri e pa lakuriq hyjneshën Athina dhe ia tregoi botës përmes një cikli me poezi të botuara ditë më parë në një nga gazetat e Tiranës:

“Unë dal në rrugë,
me tufa mimozash në duar,
ti me shkopinj dhe me plumba,
ti me qen,
unë me pëllumba.
unë kam fytyrë,
ti skafandër,
ti dhembët,
unë fjalën.
Të dy,
sy ndër sy.”

Në të vërtetë, në këtë dyluftim të poetit me të keqen nuk ka asgjë anormale: shteti bëri “të tijën”, poeti “të tijin” i qëndroi karakterit të vet dhe ”Urdhrit të Poetit” dhe intelektualit.

Unë ju tregova për kalvarin e tij e të librit të tij me poezi në vitin 1979, vëllimin “Zgjimi i thellësive”. Me gjithë merakun dhe këshillat e miqve, ai, ndryshe nga “disidentët e sirtareve” nuk i fshehu por i çoi bocat e librit me poezi në shtëpinë botuese, pa i hequr asnjë presje, i ndërgjegjshëm se mund të ndodhte ajo që ndodhi: vetëm për dy-tri ditë dhe vetëm në disa librari qëndroi “Zgjimi i Thellësive”, sepse edhe “të tjerët”, edhe shteti i qëndroi “urdhrit” të tij, dhe libri me “porosi nga lart”, u mblodh me urgjencë dhe u dërgua për asgjësim, “për karton”, siç thuhej atëherë.

Nëse dikush, përsëri ka dëshirë ta quaj “mendjemadh”, unë do t’i thosha, po, por vetëm në një rast: të vetmin mik e shok që ai dëgjon kur vjen puna tek poezia, ai është “Urdhëri i poetit”.

“Kur dola
nga nëntoka
mbitokë
e mora frymë
lirisht
mos bjerë në sy,-më tha miku,-
ec horizontalisht

Unë-
“isha i mjerë e u bana i lum,
isha i lum e u bana i mjerë,
por mend s’xuna kurrënjëherë”,
sakaq,
i harrova fjalët e mikut me një barrë mend
në kokë.
Nga toka-
përsëri-
nën tokë”

(“Rreziku”, fq.53)

Në librin “Rreziku” ka edhe një poezi të tij pa titull, por do ta titulloja “Urdhëri i Poetit”:

“Një popull i vrarë do të ish më fatzi,
Po qe se nuk vriteshin poetët e tij.”

-Në fund, desha t’u bëja një pyetje të një natyre tjetër: E takova këto ditë tek kafe “Evropa” zotin Xhevahir Spahiu dhe... nuk fliste dot plotësisht.

-Pas një operacioni shumë të suksesshëm jashtë vendit, një vit e ca më parë, Xhevahiri është shumë më mirë.

Por, siç argumentojnë edhe mjekët, dekada të tëra tensioni, mundimesh, stresesh, do të dilnin dikur dhe diku...

Vërbim i përjetshëm ishte çmimi që pagoi Tirezeu i mitologjisë greke për ta parë lakuriq hyjneshën e Athinës.

“Ikja e gojës” tek Xhevahiri nuk është e përjetshme. Eshtë e kundërta, sepse poetët, krijuesit e vërtetë, kanë një privilegj: atyre nuk ua mbyll dot kush gojën. Asnjë diktaturë e qeveri nuk e mbyll dot gojën e librave që jetojnë në çdo vend e në çdo kohë. Sepse ata zbukurojnë shpirtin e njeriut dhe paralajmërojnë të keqen.

Në një intervistë që i dha një të përditshmeje ca kohë më parë, mes të tjerash, me stilin e tij të batutës, kësaj here në “prozë”, Xhevahiri shkruante: “Po vure kuzhiniere bythën, mut do të gatuaj”.
Nuk e ndieni erën?...


-Fund-

2015-09-29

Farmacistët një rol të rëndësishëm kundër ndotjes së barnave

Grumbullimi i principeve aktive në ambient, edhe pse në koncentrate shumë të ulta, mund të derivojë në risqe të mëdha  që nuk duhen nënvlerësuar. Në këtë kontekst është i rëndësishëm veprimi i operatorëve të shëndetësisë, mes tyre edhe farmacistët, të cilët mund të kenë një rol aktiv në sensibilizimin e qytetarëve drejt ripërdorimit ose shpërbërjes korrekte të barnave të skaduara, por edhe orientimin drejt një përdorimi të përshtatshëm të tyre. Reflektimi vjen nga Giampaolo Velo, aktualisht profesor i farmakologjisë në Universitetin e Veronës, i cili shpjegon: ''Përdorimi i produkteve farmaceutike nga njeriu në nivel botëror është i madh: flitet çdo vit për qindra-mijëra tonelata barnash të konsumuara dhe mes vendeve që kanë përdorimin më të madh të tyre janë Shtetet e Bashkuara me 43.6%, Japonia me 11.6%, Franca dhe Gjermania të dyja me nga 5.9%,  Italia me 3.4%''. Çështja është se barnat derdhen në lumenj, liqene, dete dhe mbërrijnë edhe në ujin e pijshëm''. 
Mënyra se si hyjnë në ambient ndodh fillimisht nëpërmjet eliminimit nga trupi, por gjithashtu një pjesë jo e vogël e ndotjes është e përcaktuar edhe nga shkatërrimi jokorrekt i tyre: ''rezultatet e një studimi pilot të kryer në Verona në 2012-ën me kontributin edhe të ''Federfarma''-s u finalizuan me mbledhjen e informacioneve mbi shpërbërjen e barnave të skaduara ose të papërdorshme, me objektivin e edukimit të qytetarëve. Ato treguan se 22% e popullsisë që u bë objekt i studimit (rreth  8.414 pacientë të 54 farmacive) i hedhin në koshin e mbeturinave, në tualet ose në lavaman barnat duke kontribuuar në këtë mënyrë në kontaminimin e ujit dhe tokës, ndërsa pjesa tjetër (rreth 78%) përdor koshat specifikë të barnave të përdorura''.  
Nga këtu vjen edhe një apel për farmacistët: Një shpërbërje korrekte e barnave hyn me merita të plota në përshkrimin e përdorimit korrekt të tyre. Kjo pjesë përbën hallkën e fundit, por jo më pak të rëndësishme në të gjithë zinxhirin e përdorimit të tyre. Është po ashtu thelbësor përdorimi në mënyrën e duhur të çdo lloj bari, sepse nëse merren në mënyrë korrekte rrjedhimisht do të shpërbëhen edhe për një kohë më të shkurtër. Farmacistët, 'falë edhe kontaktit të drejtpërdrejtë që kanë me qytetarët, mund të kenë një ndikim të madh në ndërgjegjësimin mbi eliminimin korrekt të barnave, por edhe në drejtim të përdorimit të përshtatshëm të tyre. Në këtë kuptim, ''mund të merren në konsideratë edhe ato nisma të ripërdorimit të barnave, që janë një mbështetje për popullsitë në vështirësi, pavarësisht problemeve të mëdha që shoqërojnë një nismë të tillë'', thotë Velo.

Bari për diabetin që favorizon humbjen në peshë te pacientët obezë

Rezultatet e një studimi të fundit të publikuar në "New England Journal of Medicine" sugjerojnë se liraglutide, analoge e GLP-1, e aprovuar për trajtimin e diabetit të tipit 2, mund të ndihmojë për humbjen në peshë dhe përmirësimin e kontrollit glicemik te pacientët në mbipeshë ose obezë, por që nuk janë diabetikë.
Studimi klinik që ka përfshirë 3.731 persona, ka zbuluar po ashtu se pjesëmarrësit që morën liraglutide kanë manifestuar një incidencë shumë më të ulët të pre-diabetit pas 56 javësh dhe kanë zhvilluar diabetin e tipit 2 në një normë shumë më inferiore krahasuar me pjesëmarrësit që morën placebo.
Janë marrë në vlerësim pacientët me indeks të masës trupore (BMI) të paktën 30 të prekur edhe nga hipertensioni apo dislipidemia. Atyre u është administruar në mënyrë rastësore një injeksion ditor me liraglutide 3.0 mg ose me placebo. Të dyja grupeve u është dhënë konsulencë mujore për humbjen në peshë që përfshinte dietën dhe ushtrimet fizike. Më shumë se 60% e grupeve të studimit ishte në një gjendje fillestare të pre-diabetit.
Pas 56 javësh, pacientët e grupit të cilëve u ishte administruar liraglutide kishin humbur mesatarisht 8.4 kg në peshë, krahasuar me 2.8 kg të atyre që kishin marrë placebon. Në ndryshim nga studimet e mëparshme që kanë vlerësuar efektet e liraglutides në doza inferiore, pjesëmarrësit e këtij studimi kanë humbur më shumë kg për periudhën që vazhduan të merrnin barin

Metformina në komplikacionet e diabetit, ul nivelet e TSH-së

Te pacientët me hipotiroidizëm marrja e metforminës, një hipoglicemizues oral që zakonisht përdoret në menaxhimin e diabetit të tipit 2 (i pavarur nga insulina), mund të çojë në një rënie të konsiderueshme të niveleve qarkulluese të hormonit tiroid-stimulues (TSH).
Faktin e sugjeron një studim i thelluar i publikuar në të përjavshmen ''Canadian Medical Association Journal''. Metformina është një biguanide sintetike që vepron duke i rritur aktivitetin insulinës si në nivel hepatik dhe në nivel periferik, duke ngadalësuar përthithjen e glukozës dhe frenuar prodhimin e tepruar të saj nga ana e mëlçisë.
Studiuesit kanadezë analizuan të dhënat e 74.300 diabetikëve (të mbledhura për një periudhë prej 25 vjetësh), të cilët kishin marrë metforminë dhe i krahasuan ato me një tjetër hipoglicemizues, sulfuonilurea-n. Nga numri i përgjithshëm i personave të regjistruar, 5.689 ishin trajtuar për hipotiroidizëm, ndërsa 59.937 nuk kishin shfaqur asnjëherë anomali në funksionin metabolik të tiroides.
 Në fund të vëzhgimit, në grupin me hipotiroidizëm janë raportuar 495 raste me rënie të mëtejshme të niveleve të TSH-së në vit, ndërsa nuk ka pasur efekte negative në grupin me tiroiden normale. Në pacientët me hipotiroidizëm të trajtuar në monoterapi me metforminë, është llogaritur një rrezik në rritje prej 55% në krahasim me ata që morën sulfonilurea.

7 sekretet e errëta të Vatikanit

696 × 534 Search within image Edhe pse është vendi më i vogël në botë, i shtrirë në një sipërfaqe prej vetëm 110 hektarësh, Vatikani ka nj...