Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është duke u interesuar nëse ndonjë qytetar i Kosovës ka pësuar apo ka nevojë për ndihmë në Paris.
Përmes Ambasadës së Kosovës në Paris, zyrtarët e MPJ-së tregojnë se janë duke u munduar që të sigurojnë informacione më konkrete lidhur me shtetasit e Kosovës që gjenden atje.
Këshilltari politik i zëvendëskryeministrit Thaçi, Ardian Arifaj, ka thënë se e kanë kontaktuar Ambasadën e Kosovës në Francë dhe janë duke u interesuar për shtetasit e Kosovës që jetojnë apo studiojnë në Paris.
“Ne po i përcjellim me dhimbje dhe shqetësim të gjitha zhvillimet në Paris dhe jemi interesuar nëse ndonjë qytetarë i Kosovës ka pësuar apo ka nevojë për ndihmë, mirëpo për momentin është shumë vështirë me marr informacione, sepse gjendja është e jashtëzakonshme”, ka thënë Arifaj.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka dhënë numrin e Ambasadës së Kosovës në Paris, për të gjithë ata që gjenden në Paris dhe kanë nevojë për ndihmë.
Ky numër është në dispozicion të qytetarëve që kanë të afërt në Paris dhe nuk kanë pasë kontakte me familjarët e tyre atje: 0033641183433.
Ambasadori i Kosovës në Francë, Muhamed Kullashi, i ka cilësuar ngjarjet e sotme në Paris nga më të tmerrshmet kohët e fundit.
Në një lidhje direkte, përmes telefonit, në Ora e Fundit në Klan Kosova, ai ka thënë se Presidenti i Francës, Francois Hollande, aktualisht është duke zhvilluar një takim në Ministrinë e Punëve të Brendshme me akterët kryesorë të shtetit, ku po diskutojnë për veprimet që duhet t’i marrin për t’i zbardhur sulmet e sotme.
Kullashi ka pohuar se ende nuk ka shifra zyrtare për numrin e të vdekurve, por, sipas tij, ky numër ka kaluar mbi 40.
Ambasadori i Kosovës ne Francë ka thënë se nuk ka qenë jashtë në qytet kur kanë ndodhur sulmet.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook se është e tronditur nga sulmet terroriste në Francë.
“E tronditur me sulmet terroriste në Parisë dhe humbjen e shumë jetëve të pafajshme në këto sulme.
E ndajmë dhembjen me Francën dhe qëndrojmë me popullin francez kundër terrorizmit”, ka shkruar Presidentja.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për viktimat e sulmeve të së premtes mbrëma në Paris të Francës, duke dënuar fuqishëm përpjekjet për terrorizimin e popullit francez me akte mizore e terroriste, përmes të cilave po synohet të mbillet frika në krejt botën e civilizuar.
“Në këto momente të vështira, ne ndajmë dhimbjen me popullin dhe institucionet e Francës, por edhe me mbarë botën demokratike, e cila duhet të mobilizohet fuqishëm për ta mundur të keqen që po i kanoset njerëzimit”, ka theksuar kryeministri Mustafa, duke u shprehur në emrin e tij dhe të institucioneve e qytetarëve të Kosovës ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa të plagosurve shërim sa më të shpejt.
Sipas kryeministrit Mustafa, Franca dhe aleatët tjerë euroatlantik do të gjejnë formën për t’iu përgjigjur këtij kërcënimi, sepse gabojnë të gjithë ata që mendojnë se mund t’i hedhin poshtë vlerat e lirisë nëpërmjet terrorizimit të njerëzve.
Zëvendësministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar menjëherë ndaj sulmit që ndodhi sot në qendër të Parisit, ku raportohet për mbi 30 të vdekur.
Thaçi thotë se ky rast i ka shokuar të gjithë, ku edhe janë raportuar shumë viktima.
“Jemi të shokuar me sulmet në Paris ku po raportohet për shumë viktima. Kosova lutet për familjet dhe popullin francez sonte”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se sonte të gjithë duhet të ndjehen parisienë.
“Sonte, është sulmuar qyteti simbol i lirive dhe të drejtave njerëzore, Parisi. Sonte, të gjithë ne, kudo në botë që besojmë në vlerat e lirisë, ndihemi parisien. Ndihemi francez. Ngushëllime popullit të madh francez. Ngushëllime shtetit francez, mikut të madh të shtetit tonë”, ka thënë Veseli.
Ridvan Mjaku, aktor kosovar në Francë, dëshmitar në stadiumin ku zhvillohej ndeshja Francë-Gjermani, tregoi në Interaktiv së përjetimin e ngjarjes në Paris.
Ai tha se janë dëgjuar dy eksplodime, njëra pas tjetrës për disa minuta.
“Kur unë dola nga stadium, më parë më mori në telefon një shok që më tregoi se si është gjendja. Jam larguar diku në minutën e 76-të të ndeshjes. Të gjithëve u bënte telefoni, që i merrnin familjarët”, tregoi Mjaku.
Sipas Mjakut, Parisi është i bllokuar plotësisht, plotë me ushtarë, helikopterë dhe çdo gjë duket si skenë filmi.
Në sallën e koncerteve në Bataclan të shtënat janë duke vazhduar. Përveq kësaj thuhet se sulmuesit nëpër sallë po kërkojnë ata që po fshihen dhe po gjuajnë në ta.
N1 shkruan se ndonjë peng po dërgojnë porosi nëpërmes rrjeteve sociale. Thuhet se terroristët po vrasin një nga një personat në sallë. Disa nga ta porosisin policinë që të fillojnë sulmin.
Ushtria është dërguar në Paris shkruajnë mediat dhe sipas disa informatave të pakonfirmuara ka ndodhur edhe një sulm në afërsi të Louvre.
Tifozët francez ende nuk janë larguar nga Stade De France.
Sonte në afërsi të stadiumit Stade de France ku po zhvillohej ndeshja miqësore ndërmjet Francës dhe Gjermanisë kanë shpërthyer dy bomba, ku të paktën 60 persona kanë humbur jetën.
Pas kësaj tragjedia tifozët kanë mbetur të ngujuar në stadium, ku nga frika për t’u larguar kanë vendosur që të zbresin në fushën e gjelbër.
AS shkruan se lojtarët e të dy përfaqësueseve tashmë janë larguar dhe policia ka arritur në vendin e ngjarjes.