Shkruan: Prof.Dr.Eshref Ymeri
Në faqen e internetit “lapsi.al” të datës 03 nëntor, lexova një material me titull “Manifesti i Klodi Hoxhës para se të qëllonte me vezë”.
Më bëri shumë përshtypje pjekuria mjaft karakteristike e kësaj studenteje. Atë e kanë kalitur hallet e përditshme ekonomike të jetës familjare, të cilat, në Manifestin e vet, i përshkruan me një vërtetësi të dhimbshme. Dua t’i kujtoj studentes së nderuar Klodi Hoxha se më 10 tetor 2015, në faqen e gazetës internetike “Tribuna Shqiptare”, moderatori i saj, publicisti i mirënjohur i Diasporës Shqiptare, zotëria Ajet Nuro, kishte botuar një artikull me titull “Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi”.
Pas leximit të këtij artikulli, më 12 tetor unë reagova në disa faqe interneti me një shkrim, të titulluar “Kush ta bëjë demokratizimin e dytë?!”, në të cilin nënvizoja:
“Mirë do të ishte vërtet që të kishim një valë të dytë demokratizimi. Por problemi është se kush duhet ta ngrejë një valë të tillë. Normalisht, në rastet e nxjerrjes së çdo vendi nga amullia politike, rolin kryesor e merr dhe duhet ta marrë përsipër inteligjencia, sidomos inteligjencia dhe rinia universitare. Në vendin tonë inteligjencia vazhdon të bëjë një gjumë të rëndë letargjik, duke i lejuar klanet politike të tallen me fatet e popullit si t’ua dojë mideja. Dhe tallja e popullit prej klaneve në fjalë ka arritur në përmasa katastrofike…”.
Në Manifestin e vet, zonjusha Klodi Hoxha e zbulon lakuriq gjendjen e rëndë ekonomike, ku i ka katandisur qeverisja socialiste mijëra e mijëra familje të thjeshta shqiptare, ndërkohë që oligarkët e pushtetit janë pasuruar dhe vazhdojnë të pasurohen në një mënyrë marramendëse. Më gëzon fakti që zonjusha Klodi Hoxha, si një përfaqësuese dinjitoze e Rinisë Universitare, e ngre zërin jo vetëm kundër reformës arsimore që vendosi të zbatojë qeveria socialiste, por edhe për varfërinë që ka pllakosur mbarë shtresat e thjeshta të popullit shqiptar, që nga shërbimi shëndetësor deri te gjendja e bujqësisë, të cilën qeveria e ka braktisur tërësisht. Prandaj “Lëvizja për Universitetin” duhet të shndërrohet në një Forum të përhershëm, në mënyrë që aktiviteti i saj të jetë vazhdimisht i ndezur dhe organizimi të vazhdojë t’u përcillet brezave studentore. Sepse ekzistenca e kësaj Lëvizjeje duhet t’u shërbejë si kujtesë qeverive shqiptare që të mos luajnë me fatet e popullit të thjeshtë. Deri tani, qeverisja e vendit është bërë në një mënyrë arrogante, sepse qeveritarët dhe oligarkët rreth tyre janë majmur keq, duke grabitur financat e shtetit. Dhe nëse rinia studentore nuk do të ngrihet peshë (sepse lëvizja sindikaliste në vendin tonë mungon tërësisht) për të mbrojtur interesat ekonomike të shumicës dërrmuese të familjeve shqiptare, ka rrezik që vendi ynë të shndërrohet në një provincë feudalësh pasanikë me prapavijë kriminale, të cilët popullin kanë për ta trajtuar edhe më keq, si në kohën e bujkrobërisë rusocariste.