Studiuesja e re dr. Edelajda Cenaj zbulon anën e panjohur: “Lef Nosi filolog”, botimet “Naimi”
Libri i ri “Lef Nosi filolog” i Edelajda Cenajt-Çepajt, përfshirë në kolanën albanologjike të botimeve “Naimi”, është i pari studim monografik kushtuar trashëgimit dorëshkrimor letrar, publicistik, etnografik, gjuhësor dhe folkloristik të këtij personaliteti të rëndësisë parësore me kontribute shumëplanëshe për kulturën dhe identitetin shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX.
Studiuesja ka bërë kërkime disavjeçare në rezervàtin e koleksioneve të Lef Nosit, një prej fondkrijuesve më të mëdhenj të burimeve arkivistike të Shqipërisë në të gjitha kohërat; si autor, si mbledhës dhe si kodifikues i tyre; si paraprijës i rrjetit arkivor kombëtar shqiptar. Për herë të parë, përmes këtij libri, kërkuesit shkencorë do të kenë në duar një udhërrëfyes të sigurt për një lundrim efektiv në fondet arkivistike të Lef Nosit në të gjithë arkivat institucionalë të vendit: në AQSH, në arkivat vendorë, si dhe në rrjetin e arkivave shkencorë dhe të trashëgimisë, që ruhen pranë institucioneve të dijes kombëtare shqiptare. Përveç përshkrimit arkeografik, paraqitet me qartësi edhe puna thuajse krejt e panjohur e Lef Nosit si ndërmjetës me albanologjinë e Perëndimit, siç ka qenë në traditën e studimeve shqiptare qysh në shekullin XVIII (M. Boçari për F. Pouqueville-in, T. Kavalioti për J. Thunmann-in, K. Kristoforidhi e A. Meksi për G. Hahn-in, D. Voskopojari për W. Martin-Leake-un, Th. Mitko për G. Meyer-in).
“I nisur si një projekt për njohjen, spikatjen dhe interpretimin e asaj pjese të trashëgimisë shkrimore e dorëshkrimore të Lef Nosit, që i takojnë letërsisë ose janë pranë saj (poezi e proza të shkurtra, publicistikë, përkthime e letërkëmbim), studimi është zgjeruar dhe thelluar edhe në disa fusha të tjera, si leksikologjia e leksikografia”, shkruan prof. Shaban Sinani në një vlerësim për librin. Studiuesja, përmes krahasimit me mbledhësit bashkëkohës të traditës gojore shqiptare, sidomos me françeskâjt e mdhâj të urdhrit të të vegjëlve, përveçon profilin e dallueshëm të Lef Nosit, që, ndryshe prej të parëve, shfaqi interesa jo vetëm për lloje e nënlloje të poezisë heroike, por dhe për rrëfenjën e shkurtër dhe fabulën e thjeshtë historike, duke e shfaqur të njëjtën sjellje edhe në gjuhë, larg puritanizmit dhe namuzit leksikor të Rilindjes e të kohëve të mëvonshme. Përmes një tjetër krahasimi, lexuesi sheh në pasqyrë të njëri-tjetrit tre botues dhe tri politika botuese: Lef Nosin me Kopshtin letrar, Jeronim de Radën me Fiamurin e Arbërit dhe Faik Konicën me Albanian.
Ndërsa, prof. ass. dr. Evalda Paci, Qendra e Studimeve Albanologjike, jep këtë vlerësim: “Një personalitet si Lef Nosi kishte kohë që duhej parë në një optikë sa reale, aq dhe serioze e mirëfilli shkencore. Duke pasë qenë ai vetë një personalitet me një formim të plotë human dhe shkencor, duke pasë qenë fort i prirur për të vjelë, përzgjedhur e për të lënë për brezat vlera të mirëqena të elementeve qenësore të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke pasë qenë, gjithashtu, ky i fundit i intencionuar të nxirrte në një dritë sa më të mirë shqipen, kulturën e popullit shqiptar dhe të trevave shqiptare që njihte më mirë...”.
Në këtë monografi për herë të parë bëhet i njohur një fjalor shqip-shqip i panjohur i Lef Nosit, me mbi 5 mijë njësi leksikore dhe me qindra idioma e fjalë të urta, që ruhet në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ndonëse në gjendje të dëmtuar, pasuria e këtij fjalori është krahasuar me fjalorët normativë të shqipes (1954, 1984), dhe në këtë proces janë bërë të njohura fjalët dhe kuptimet e munguara prej tij. Autorja ka përfshirë në librin e saj edhe disa sprova botimi të këtij fjalori, duke manifestuar formimin e saj si filologe dhe leksikografe. Ajo ka bërë kërkime përtej dorëshkrimit të këtij fjalori, për të hapur perspektivën e një botimi të plotë të fondit leksikografik të Lef Nosit.
Skeda e librit:
Titulli: Lef Nosi filolog
Autore: Edelajda Cenaj-Çepa
Gjinia: Studim monografik
Autore: Edelajda Cenaj-Çepa
Gjinia: Studim monografik
Redaktor shkencor: Shaban Sinani
Recensues: Prof. as.dr. Albert Riska Prof. as. dr. Evalda PACI
Redaktor letrar: Naim Zoto
Botues: “Naimi” - Shtëpi botuese dhe studio letrare www.botimenaimi.com
ISBN: 978-9928-109-93-4
Copyright: Autore
Nr. i faqeve: 320
Çmimi: 1000 lekë.
Nr. i faqeve: 320
Çmimi: 1000 lekë.
Një jetëshkrim i shkurtër për Lef Nosin
Lef Nosi lindi në lagjen Kala të qytetit të Elbasanit më 9 prill 1877. Mësimet e para i mori në vendlindje. Më pas ndoqi gjimnazin grek të Athinës e po aty studioi për farmaceutikë, studime të cilat i ndërpreu pas dy vitesh. Kthehet në vendlindje dhe punon shumë si autodidakt për të fituar kulturë të gjerë. Nis dhe zhvillon një aktivitet të dendur patriotik, publicistik e studimor, duke u bërë një personalitet i njohur dhe me ndikim. Më 1909 zgjidhet nënkryetar i klubit Vllaznia të Elbasanit e po këtë vit themelon dhe drejton shoqërinë Afërdita.
Dha ndihmesë në punimet e Kongresit të Elbasanit (1909) dhe në hapjen e Shkollës Normale. Më 1912 zgjidhet ministër i Postë-Telegrafit në qeverinë e Vlorës. Më 1919-1920 është anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitin 1924 mbështeti Revolucionin Demokratik të Fan Nolit, periudhë gjatë së cilës mori postin e kryetarit të bashkisë së Elbasanit. Më 1943 zgjidhet deputet i Elbasanit, kryetar i Kuvendit Kombëtar dhe më pas anëtar i Këshillit të Naltë, detyrë nga ku pas pak kohësh dha dorëheqjen, e cila nuk iu pranua.
Pas ardhjes së komunistëve në pushtet arrestohet më 8 gusht 1945, i akuzuar si bashkëpunëtor i nazistëve dhe ekzekutohet më 20 shkurt 1946.
Lef Nosi, krahas aktivitetit patriotik e politik, u mor edhe me publicistikë si dhe mbi të gjitha me gjurmimin dhe mbledhjen e dokumenteve historikë, materialeve folklorike, etnografike, realizoi studime dhe botoi materiale me vlera albanologjike, si dhe spikati si bibliofil, filatelist, numizmat etj.
Më 1910 boton dhe drejton gazetën Tomorri (të parën gazetë të Elbasanit), gazetë të cilën e ktheu në një tribunë të mendimit kritik dhe kundërshtisë ndaj politikës represive të Xhonturqve. Pasojë e kësaj do të ishte arrestimi dhe dënimi i Nosit me vdekje, dënim i cili u anulua falë presionit të personaliteteve shqiptare të kohës.
Më 1918-1919 boton dhe drejton revistën letrare Kopështi letrar, një revistë me karakter letrar e didaktik. Në të u botuan pjesë letrare e punime nga studiues e letrarë të kohës (E. Haxhiademi, A. Xhuvanin etj.); u risollën shkrime të figurave me peshë (K. Kristoforidhi Gjaja e malsorvet); u botuan materiale të përkthyera nga vetë Nosi, pjesë të mbledhura prej tij (përmendim: tregimi Skënderbe në Gurtë të Bardhë, anektoda Katundari dhe e shoqja etj.); shkrime me natyrë poliedrike etj.
Boton më 1911 Abetare për shkollat fillore meshkujsh e femnash. Më 1912 Abetare për djelmoshat gegë, një abetare ku paraqiten dy alfabete të shqipes, ai i Shoqërisë së Stambollit dhe alfabeti i Kongresit të Manastirit.
Më 1919 boton Kangë Kombëtare, një përmbledhje me këngë folkloriko-patriotike të mbledhura prej tij por edhe krijime të autorëve të njohur shqiptarë të kohës. Në vitin 1925 Nosi boton Dokumenta historike për t’i shërbye historisë tonë kombëtare, në të cilin paraqiteshin një mori dokumentesh zyrtare të Perandorisë Osmane që kishin lidhje me shqiptarët, të kopjuara me besnikëri nga Nosi me qëllim vënien e tyre në funksion të çështjes kombëtare.
Por, pjesa më e madhe e punimeve dhe koleksionit të Lef Nosit gjendet në dorëshkrim, e ruajtur më së shumti në AQSH, AFIKP, AIGJL. Është një pasuri arkivore e përbërë nga dokumente, shkrime, dorëshkrime e punime studimore me natyrë biografike, politiko-shoqërore, gjuhësore, letrare, etno-folklorike, letërkëmbim me personalitete të kohës etj.
Gjithashtu, Nosi krijoi edhe një bibliotekë personale me mbi dhjetë mijë vëllime me vlera albanologjike dhe ballkanologjike, e cila sot gjendet në Bibliotekën Publike të Elbasanit dhe një pjesë në Bibliotekën Kombëtare.
Njëherazi Lef Nosi ka meritën e shpëtimit të dorëshkrimeve të Anonimit të Elbasanit, Dhaskal Todrit, Kostandin Kristoforidhit. Lef Nosi zotëronte disa gjuhë, anglisht, frëngjisht, greqisht, turqisht, italisht.
Pothuajse në mënyrë konstante ai mbante kontakte dhe bashkëpunonte me personalitete të kohës (përmendim bashkëpunimin me Norbert Joklin). Mbi të gjitha vlen të përmendet bashkëpunimi i ngushtë i Nosit me antropologen Margaret Hasluck, duke dëshmuar të vetmin rast në etnofolkloristikën shqiptare të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë e të suksesshëm midis mbledhësit dhe studiuesit.
Një letër e Lef Nosit si ministër i Postë-Telegrafit në qeverinë e I. Qemalit.
Një letër e Lef Nosit si ministër i Postë-Telegrafit në qeverinë e I. Qemalit. Letra u është dërguar nëpunësve të postës në të gjithë Shqipërinë me rastin e njëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së vendit:
Një letër e Lef Nosit si ministër i Postë-Telegrafit në qeverinë e I. Qemalit. Letra u është dërguar nëpunësve të postës në të gjithë Shqipërinë me rastin e njëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së vendit:
Dita e sotme e indipendencës tonë kombëtare të cilën të huajët na e kishin grabitun që nga sot pes qind vjet asht ma e shenjta e ma e lumëta ditë për gjithë kombin Shqiptar. Sot stërgjyshënit tonë qi derdhën gjakun pa kursim për të mos e humbun atë, çojnë kryet nga varret edhe marrin pjesë në këtë kremtim të ngazëllushëm, edhe vllezënit tonë qi mbetën ndën zgjedhën e armiqvet, kremtojnë me zëmër bashkë me ne tyke pritur qi sot mot mot të jenë bashkuar me mamën Shqipënie. Tyke i lutun Zotit qi të mbushi gjith shpresat e dëshirat tona ju uroj përmot e gëzuar ditën e sotme.
Lef Nosi.
Kjo është një letër dërguar më 28 nëntor 1913 prej Lef Nosit nëpunësve të të gjitha zyrave postare e telegrafike të Shqipërisë, me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit. AQSH, Fondi 32, Lef Nosi, Dosja nr. 54.
(Fragment nga libri “Lef Nosi filolog” i Edelajda Cenaj, botimet “Naimi”, Tiranë 2015)