2015-11-09

Në vend të përkujtimit pë shkrimtarin e madh shqiptar: VEHBI ( DEMIR )SKËNDERI (1927-2011)

Përgatiti:Flori Bruqi



Poeti Vehbi Demir Skënderi ka lindur në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. shkollën fillore (me pesë klasë) e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939. Në vitet 1941-1943 vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë. Në majin e vitit 1943 ndërpret studimet dhe del partizan në Çetën e Dibrës me komandant Haxhi Lleshin. Në vitin 1944 pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare.

 Me mbarimin e luftës kalon në Divizionin e Mbrojtjes Popullore. Më 1951 fillon një kurs estetik dyvjeçar ku japin leksione Jakov Xoxa, Bedri Dedja, Mark Gurakuqi etj. Në vitet 1953-1956 kryen shkollën e mesme profesionale (dega rusisht). 

Në vitet 1956-1961 kryen Fakultetin Histori-Filologji me rezultate shumë të mira. Vehbi Skënderi njihte shumë mirë rusisht, italisht dhe frengjisht. Poezinë e parë, e cila pati shumë sukses, Vehbi Skënderi e botoi në revistën "Letërsia jonë" në vitin 1947. 



Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat.




Më 1953 botoi librin e parë poetik, Këngët e para. Prej atëherë ka botuar librat poetikë Vjersha (1958), Fletë nga ditari im (1964), Vjershat dhe poemat e Drinit (1969), Vazhdim i një bisede (1971), Vdekja e Ofelisë (1971), Shqiponja e Vermoshit (1972), Përsëri mëngjes (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura - Kolana e poezisë shqipe (1973), Kumbojnë vitet (1983), Nxitoj (1987), Bëjmë sikur (1995), Hëna e vjedhur (2000), Zvicra Shqipëria ime (2004). Për "Fletë nga ditari im", në vitin 1966 Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës.

 Një vit më vonë merr çmim në konkurs kombëtar për poemën Vazhdim i një bisede. Ai merr edhe çmime të tjera nga organet botuese në konkurse të ndryshme kombëtare. Poezitë e tij përfshihen në antologjitë dhe tekstet shkollore të kohës dhe në botimet e poezisë shqipe në gjuhë të huaja. 


vehbi skenderi voal

JU TREGOJ PËR TIM ATË, POETIN VEHBI SKËNDERI – ECCE HOMO ISHTE IM ATË 


1 Elida Vehbi


Nga ELIDA BUÇPAPAJ


Ishte një mbrëmje e bukur qershori. 12 qershor 2011. Nga ato më të bukurat e vitit, kur stina e verës është në prag të shpërthimit me plotmadhështinë e vet prej shumëlaryshisë së ngjyrave. E të grish vetëm të jetosh pa fund e sosje. Atëher kur çdo shpirt njerëzor mendon se jeta është e përherëshme. Ndërsa im atë Vehbi Skënderi po luftonte me vdekjen.

Në një mbrëmje të tillë qershori, ai do të ishte dehur nga abazhuri i hënës në qiell. Dhe ajri i ngrohtë i përzierë me aromat e luleve do ta ngazëllente për të krijuar pastaj në laboratorin e tij poetik përfytyrimet e tij ekstravagante në skulptura poezish.

Në një natë qershori të tillë, të vitit 2005 një dorë kriminale na kishte vrarë kolegun tonë 28 vjeçar, Bardhyl Ajetin, duke krijuar tragjedinë dhe dhimbjen prej një absurdi surreal. Sepse është e pamundur të vrasësh një gazetar të ri për ato që shkruan. Vetë vrasja si nocion është e ndaluar. Të presësh një jetë në mes. Por po aq e pamundur dhe e ndaluar është ta mbulosh vrasjen duke heshtur. Të heshtësh je po aq kriminal sa ideuesi i vrasjes dhe ekzekutori. Vrasja e këtij djaloshi ka mbetur ende e pazbardhur. Ai ka mbetur i harruar nga kolegët dhe nga shoqëria që po bëhet çdo ditë edhe më tribale sepse po humb sensin për të kërkuar e gjetur të drejtën. Krejt ndryshe nga im atë që gjithmonë iu fal të drejtës, si një konstitucioni universal hyjnor që nuk varet nga konjunkturat por nga ndërgjegja njerëzore e gjithësecilit prej nesh.

Që të lejon të gjesh shpresë e mundësi për të ndihmuar atë që ka nevojë edhe në kohë të pamundura. Edhe unë vijoj dhe e kërkoj të drejtën si bija e tim eti. Edhe kur më thonë të gjithë se e drejta ka vdekur, unë nuk do të ndalem si për të vijuar jetën e tim eti.

Nata e 12 qershorit 2011 na hutoi e na e mbushi mendjen se jeta triumfon mbi vdekjen, se jeta triumfon edhe ndaj prognozave të mjekëve. U bëmë naivë. Me vullnetin tonë. Aq më tepër duke e njohur dëshirën e paepur të tim eti për të jetuar, për t’u ndjerë i lumtur pranë familjes së tij. Sot lumturia është kthyer në nonsens ose mision i pamundur. Njerëzit e kërkojnë lumturinë tek paratë, pasuria, makinat dhe vilat. Ndërsa lumturia është gjithmonë me ne, ne jemi lumturia e njëri-tjetrit. Dhe im atë e kishte zgjidhur me kohë këtë rebus.

Ose më mirë të them s’ka qenë për të fare një rebus dhe ai gjithnjë e ka ditur. Sepse të gjitha dramave të jetës së tij, për fajin e një regjimi kriminal, ai u kishte mbijetuar për arsye dhe shkak të familjes që ia kthyente dashurinë me dashuri dhe nuk e tradhtoi kurrë. Krejt ndryshe nga kolegët, që mbetën tregëtarë flamujsh me shpirtëra çakejsh.

Ne i qendruam rreth shtratit natën e 12 qershorit, duke e kundruar e kundruar. Fytyra e tij ishte e bukur. Ngjyra e lëkurës ishte rozë. Im atë nuk e tregonte moshën, ai është dukur gjithmonë i ri, i mbushur me energji të pashterëshme.

Kjo bënte që unë të ndihesha gjithmonë fëmijë. Edhe natën e 12 qershorit. Unë i vërtitesha rreth dhe ia puthja duart e faqet, ia prekja këmbët e bardha. Ishte i pastër si drita. Ai nuk reagonte. Flinte. Nën efektin e qetësuesve. Që kur u shtrua në spital ai kishte qenë nën efektin e qetësuesve dhe vetëm një herë ishte zgjuar sa për të thirrur vetëm një emër: „Lili“. Emrin e nënës time.

Duke e parë të flinte i qetë, dikur vonë, ne vendosëm të ktheheshim në shtëpi. Të bindur se nesër do ta gjenim më mirë. Ishte mbrëmja e vonët e së djelës. Jeta gumëzhinte. Në tram u takuam me Endritin që kthehej me shokët nga kinemaja. Përpara filmit ishte në spital. Kur iu afruam shtëpisë, dritat e apartamentit tonë nuk ishin të ndezuara si zakonisht. Shtëpia jonë gjithmonë ishte e hapur, gjithmonë kishte njerëz e drita.

I ramë ziles dhe derën na e hapi Prizreni. Ai po vuante. Im atë i kishte rritur djemtë. I kishte marrë sa kishin ardhur në shtëpi nga materniteti, bebka dhe iu kishte përkushtuar kohën dhe jetën.

Me një dashuri pa kufi e cak. U ka treguar me mijra përralla që i krijonte për ta, u ka mësuar alfabetin e shqipes, gjuhën, u ka lexuar libra, u ka recituar poezitë e tij, poezitë e tij për ta. Midis tyre mbretëronte një aleancë sublime. Të dy djemtë tanë kanë qenë me fat që i ka rritur një gjysh si ai. Megjithëse të gjithë gjyshat e gjyshet e botës janë të mrekullueshëm.

Tani në shtëpi ishim të katërt. Familja Buçpapaj. Familja Skënderi ishte në spital. Folëm fare pak midis nesh. Djemtë ishin bërë burra papritmas. Pastaj mora në telefon tim më që nuk i ishte ndarë kurrë tim eti. Edhe ajo më qetësoi. Po fle i qetë më tha. Unë i qetësova të tjerët. Dhe u shtrimë të flemë si robotë.

Kishim fjetur pa ëndërra, shpejt, përhumbshëm, për t’iu larguar një frike. Deri kur ra zilja e telefonit, që na ngriti menjëherë të katërve, gatitu. Dhe matanë telefonit zëri jepte lajmin që ne nuk do të donim ta dëgjonim kurrë.

Kur po gëdhihej 13 qershori dhe kalendari shënonte ditën e Shëna Ndout, shpirti i tim eti u largua prej trupit të tij.

 Në agun që ai e ka përmendur shpesh në poezitë e tij, ku ai e ka përshkruar me laryshi nuancash e ngjyrash të pafundme. Por agu i ikjes të tim eti ishte i vërejtur, i humbur prej tymnajave të mjergullës dhe ngjante e pamundur që kjo ditë të kish lindur prej barkut të një nate magjike qershori, kur ne u larguam nga spitali dhe e lamë tim atë në një gjumë të thellë e shpresëdhënës.

Gjithçka ishte përmbysur brenda dy-tri orësh, ashtu si jeta që ishte shndërruar në ikje, largim e vdekje.

Për dy-tre orë qielli kishte ndryshuar uniformë në një antitezë të plotë. Ishte zhdukur hëna, yjet, magjia e natës kur ne i dhamë përshëndetjen, pa e ditur se do të qe përshëndetja jonë e fundit në këtë tokë, pak përpara kur fryma e tij do të fluturonte si zog i çliruar nga prangat e një kohe mistrece.

Kur ne vendosëm të largoheshim nga spitali, në prag të shkëmbimit të 12 me 13 qershorin, ai ngjante sikur flinte si normalisht. Nuk e kishte më frymëmarrjen e dendur, të vështirë, të mundimshme që e kishte pasur prej ditës së mërkurë.

Kur u përkeqësua papritmas. Një ditë më parë, dmth të martën, ai kishte bërë një shaka me ne. Ime më ashtu si e kanë zakon gratë përdori klishenë e njohur se po vdiste prej lodhjes, dhe im atë, që rrinte me orë e ditë të tëra pa folur, ia ktheu me buzën në gaz, « po për mua kush do të kujdeset atëherë?!» Reagimi i tij ne na hodhi të gjithëve përpjetë.

Na zgjoi. Sepse sëmundja e kishte transformuar. Ngjante si Mbreti Lir. Tragjik, i madhërishëm, i vuajtur, i heshtur e solitar në botën e tij të mbyllur. Kështu e përjetonte largimin apo distancën nga mungesa e tij fizike me botën rreth tij, nga mosprania në rrjedhat e ditës, në rrugët që ai i kishte kaluar çdo ditë, që edhe sot i mbajnë gjurmët e tij.

Reagimi i tij na e ktheu humorin. Kujtuam se ishte shenja e rikthimit në jetë, për të shpëtuar nga sëmundja e zezë, që është depresioni, ashtu si kishte shpëtuar edhe në vitet ’70. Unë e mbaj mend atë kohë, se si vuante im atë, si lëngonte. Pranë tij ishte im më dhe unë, fëmijë. E vizitonte rregullisht, për çdo ditë njëra prej hallave të mija, Lumja dhe fëmijët e saj dhe vëllai i tij i vogël, sepse të tjerët nuk vinin dot pasi kishin frikë nga partia kuçedër.

Atëherë im atë sapo i kishte mbushur 40 vjeç dhe ngjante i moshuar si një plak. Por një mëngjes papritmas u ngrit nga shtrati e ul në makinën e shkrimit dhe rinisi të shkruante poezi. Prej asaj dite nisi të dilte nga shtëpia e të shëtiste nga Kodrat e Liqenit. I vetmuar. Kolegët i largoheshin, shokët i fshiheshin, të afërmit kujdeseshin për biografitë.

Si shenjë fatmirë, të daljes nga kështjella që ai kishte ndërtuar me mure qiklopikë prej heshtjes së vet e morëm edhe reagimin e tij. Ne u lumturuam pasi e dinim se im atë dinte të ngrihej gjithmonë më këmbë, se im atë do ta kalonte edhe këtë provë, pas aq provash e vuajtjesh, që i kishte e kishim kaluar së bashku.

Por ndodhi e papritura dhe ai u përkeqësua papritmas të mërkurën. Iu vështirësua frymëmarrja. Ne u trembëm. Filluam t’i luteshim të hante. Sepse kishte dy vjet që kishte hequr dorë nga e ngrëna. E ushqente me shumë mundime ime më. Im atë refuzonte ushqimin, refuzonte ujin, po ime më nuk dorëzohej deri sa e ushqente çdo ditë, çdo vakt, dalë e nga dalë, një kafshore, një lugë, ishte një fitore, një gllëngjkë ujë, një gotëz me lëng frutash, ishte jetë për tim atë.

Unë po punoja në komputer atë të mërkurë, kur ime më më erdhi pranë e më tha se ai nuk po hante dot më. U ngrita menjëherë. I shkova pranë e i vura buzët në ballë. Si veproja me djemtë. Kishte temperaturë. I dhamë menjëherë një dafalgan dhe e shtrimë në shtrat. U qetësua pak. E zuri gjumi dhe frymëmarrja ju bë normale. Pasdite bashkë me Skënderin blemë biskota fëmijësh që ime më t’i shtypte e ta ushqente më lehtë.

Hëngri nga mbrëmja pa e refuzuar ushqimin si bënte zakonisht. Dukej se kishte frikë nga vdekja. Por ne nuk na shkonte mendja për atë gjë. Kur ra nata i shkova në dhomën e tij ku flinte. Dhe qava e qava me lot e pa zë. Për të gjitha vuajtjet që kishte hequr, pa i bërë kujt keq në jetën e tij. E pastaj iu lutëm Zotit që vetëm të jetonte. Edhe me depresion.

Veç të jetonte. Ishim mësuar tashmë edhe me këtë gjendjen e tij. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij në një cep të dhomës. Hijerëndë, pa folur, duke na parë ne. Herë i përhumbur në mendimet e tij, herë me sy të trishta e herë me sy të trembura, sepse e shkuara i kthehej si fantazmë, si makth e ankth. Mallkuar qofshin ata që e kanë bërë tim atë të vuante. E bashkë me të edhe ne. Që nuk kanë marrë mundimin kurrë të kërkojnë ndjesë.

Një pjesë e tyre kanë shkuar në ferr. Në ferr shkofshin të gjithë që e kanë merituar. Sepse nuk e njohin ende pendesën. Në pranverën e 2011 kur e kishim shtruar në spital për rehabilitim në një moment të kthjellët i kishte thënë sime mëje se « ata nuk na kishin lënë që ta jetonim jetën tonë». «

Ata »ishte regjimi komunist, që identifikohet me emra. Sepse na e kishin ndryshuar tërësisht rrjedhën e jetës brutalisht, na kishin detyruar të jetonim kalvarin. Sot është e trishtë kur lexojmë se disa shkrimtarë qahen nga vuajtjet që paskan përjetuar në diktaturë. Një farsë e vërtetë cinike ndaj vuajtjeve të vërteta, si ato që ka përjetuar im atë, që u largua nga kjo botë i mbytur nga pikëllimi, kur e humbi betejën e fundit.

Ne e shtruam në spital të premten, kur frymëmarrja iu rëndua rishtas. Ishte më 10 qershor, paradite. Sa herë i shoh sot makinat e urgjencës më kaplon trishtimi. Kur erdhi urgjenca, im atë nuk ishte më im atë. Erdhën e morën lart me barelë sepse ishte krejt i pafuqishëm. Mezi merrte frymë. Nuk më kërkonte mua me sy, por time më e cila hypi me të në makinë. Ne i shkuam pas. Pas kësaj ai nuk u kthye më në shtëpinë tonë. Ishte ikja e tij e fundme.

Frymëmarrjen e tij të rënduar e kam edhe sot në vesh, si asaj të premte. Dukej sikur prapë po luftonte, deri në frymën e fundit dhe pikën e fundit të gjakut.

Pasi e shtruam në spital të premten, e pasi biseduam me mjekët u kthyem për t’u kujdesur për fëmijët. Sa hymë në shtëpi, na ra në sy kolltuku i tij që ishte bosh, që priste më kot. Në dhomën e tij makina e shkrimit rrinte e heshtur, me tastet e ngurta si copa kalldrëmash, të palëvizur nga gishtat e bukur të tim eti.

 Gjithmonë im atë na e kujtonte se si një pianiste e njohur shqiptare mahnitej nga gishtat e bukur të tim eti, që tani rrrinin të palëvizur dhe nuk krijonin vargje e rima me makinën e tij të shkrimit. Makina e shkrimit ishte si faltore për tim atë.

 Atje ai falej duke zbrazur shpirtin e tij të kthjellët si kristali. Kanë qenë shumë të rrallë shkrimtarët bashkëkohës me tim atë që e kanë patur shpirtin e pastër si të tijin. Pa asnjë njollë. Shpirt njeriu. Ecce Homo ishte im atë.

Por ne vazhduam që t‘i luteshim Zotit që im atë ta kalonte edhe këtë furtunë. Ne ishim mësuar tashmë edhe me këtë situatë. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij dhe na ndiqte me sy.

Nganjëherë i shpinte sytë diku larg, nganjëherë i mbyllte si për të mos lejuar që tmerret e së shkuarës t’i ktheheshin si fantazma për ta marrë e larguar nga familja, për t’ia marrë e djegur librat, për t’a dërguar në riedukim apo internim, duke i lënë në mes poezitë apo treguar përgjysëm përrallat që ia tregonte së bijës, dmth mua.

Aty i ulur në kolltukun e tij, ai me pamje epike, ngjante si një personazh i dalë nga cikli i kreshnikëve. Nganjëherë, dikur, rrallë e përherë rrallë e më rrallë, kur na hidhte ndonjë fjalë, si meteor, na bënte të hidheshim përpjetë prej gëzimit e kaq pak na dukej aq shumë, sepse mendonim se po i mblidhte forcat për të dalë nga ky tunel i errët.

(MARRË NGA LIBRI ‘DISIDENCË NË TRANZICION’ QË ËSHTË NË PROCES BOTIMI)



PARËSIA E HAPËSIRAVE ALTERNATIVE DHE RITMI POETIK


(Një vëzhgim studimor për poezinë e Vehbi Skënderit)



Nga FATMIR TERZIU



NJË DEKORIM I MERITUAR PËR 
VEHBI SKËNDERIN


ESSE NGA ILIR KANINA


*****

Prej vitesh e vitesh, jemi përfshire në vorbullën e rrokopujës shqiptare, me dëshirën e madhe për të zënë hapin e kohës, me energjinë idealiste për të shtyrë qerren shqiptare të ndjekë eurostarin europian dhe, kur rasti na lidhi me tavolinën e ëndrrave të ndaluara prej dekadash të tëra në një nga Institucionet e Qeverisë së Republikes së Kosovës, jetojmë pothuaj në një epoke tjetër, sa të gjatë e aq të shkurtër e të mbushur me ngjarje, sa edhe kur, gjatë hulumtimit për info, na del përpara një emër që sjell plot emocione, e harrojmë këtë kohë dhe kujtesa na rigjen në inventarin, pothuaj familjar, vetëm vlera, kaq.

Këtë ndjesi më risolli poeti Vehbi Skënderi, i ndarë para do kohësh nga jeta, por me një jetë tjetër kulturore e qytetare që e mban midis nesh.Kjo tani, kur jemi në kohën e shtrengimit të eshtrave tona prej sistemit të vlerave të sotme dhe dinamikes së përditësimit të energjisë, tani më solli lajmin, më rizgjoi kujtesën e përhershme e të fjetur të mirënjohjes dhe dashamiresisë, për një mjedis të tërë, prindër dhe të afërm, të cilët me mundësitë e tyre, krijuan kushtet, na ndihmuan të formohemi dhe ndikuan të rritemi e të përgatitemi me dashuri për arsimin e librin, e që mes zigzakeve të kohës e periudhave social-ekonomike, me ndjenjen e mirënjohjes, të kujtojmë vehbi skenderin, ose Xhaxhi Vehbiun, si i thërrisnim, ne, fëmijët.

Sa herë më del përpara syve, pamja e tim eti, e përlotur, kur u kthye nga unë, pas vështrimit të rastësishëm prej dritares së vogël të banjës dhe më tha – “U kthye Xhaxhi Vehbiu …!”. Nuk foli më, vetem ai e dinte se ç’farë mendonte, por shikoi nga unë e tha – “Shko dili përpara, ai të don fort, përshendete dhe takoje!

Hapa derën sapo “Babai i Ofelisë”, ngjiti ato pesë shkallë. I dola përpara me buzeqeshjen time femijërore, nuk i fola, prisja si gjithnjë vetëm dorën e tij të më rrëshqiste në kokën time gjusmëbjond, dorën e Atij, që na kishte dhuruar sa librat e tij dhe më shumëherë buzeqeshje, e tani, i veshur me cizme me baltë me një si cantë shpine, u kthye prej Hidrocentralit të Vaut të Dejës.

Kjo pamje na shoqëroi prej vitesh, dekada të tera, hyrje dhe dalje, në shkallën e pallatit tonë, mes buzeqeshjeve dashamirëse, ku fati kishte bashkuar vlera shoqërore e të tjerë, të gjithë njësoj, që hynë e dolën me mijera herë në të njejtën hyrje, por që kujtesa, i sjell me pamjen dhe metamorfozen e ndryshimit, e ndryshuar prej dhunshëm, nga “Babait i Ofelisë” dhe “Lidka”, me burrin që duhet të riedukohej në kudhrën e klasës punëtore të Kantierit të Vaut të Dejës dhe punëtoren e fabrikës së pllakave.

Sot dhe këtu, nuk është vendi, po ndoshta, është mirë që disa kujtime të asaj periudhe duhet të shkruhen, të shkruhen, ashtu, si ndodhën, pa komente, pa marrë përsipër përgjegjësi, ato do dhe duhet të dalin, pavarësisht kush dhe cili i bëri, por ne kemi detyrimin moral dhe të drejtën qytetare, që t’i shkruajmë edhe t’i qajmë hallin edhe “Teta Lilit”, që kthehej natën vonë prej dyqanit të pastrimit kimik në Institutin Bujqësor në kamëz, edhe për lotët në sytë e saj, kur i “ikte” komoditeti i pajisjeve, e detyruar për të siguruar bukën e gojës.E kujtojme sa herë ne banorët e mbetur, të Shkallës 12.

Prej dekadash, nuk jemi parë me ta, ndonëse njëheri i kishim si pjesëtarë të familjes, ishim motra e vëllezer të sinqertë, ashtu si me shumë të tjerë, ndonëse sistemi na ndau me shokët e femijërise, si me Fatos Naçon, me të cilin jam takuar pas 21 vitesh dhe vijoj edhe sot.Ndërsa, kur rasti i dekorimit më njohu, jam i detyruar të shkruaj, të shpreh mendimin dhe kujtimin, për një familje të nderuar, qytetare dhe plot kulturë, që u perpoqën ta denigrojnë, ta poshtërojne, ta persekutojnë, e që nuk munden.Ndaj mirë bëre zoti President që e dekorove me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” Zotin Vehbi Skënderi, asnjehere s’është vonë t’i kujtojme dhe t’i respektojmë.
 VEHBI SKËNDERI "ZVICRA SHQIPËRIA IME"

Nga SAFET SADIKU, Bazel


Vehbi Skënderi është një nga krijuesit, i cili karrierën e tij artistike e ngjiti në rrethana mjaftë të vështira politike në regjimin e kaluar diktatorial. Ai përveç poezisë është marrë aktivisht edhe me publiscistikë, i cili për shkak të qëndrimeve opozitare të kohës, atij i kushtoi shumë shtrenjtë. Sidomos për shkak të mendimeve të shprehura në publicistikën kritike ai u persekutua nga diktatura. Poeti Skënderi veçohet sidomos në gjuhën poetike, e cila gjithmonë është e kuptueshme për lexuesin, është e kapshme dhe tërheqëse, pavarësisht rrethaneve dhe faktorëve për rreth që e kanë preokupuar autorin.

Përmbledhja e fundit e tij: „Zvicra Shqipëria ime", dëshmon qartë vlerat e shprehjes artistike të autorit, i cili pavarësisht prej shumë rrethanave të reja dhe të ndryshuara jetësore, të përditshmërisë, përsëri delli krijues i mbetet pothuaj i njejtë, vetëm se gjuha e rrethit, termet e përmendura i takojnë një vendi tjetër, që quhet:"Zvicër", i cili vend për emigrantin, pavarësisht nga mosha, shëndrrohet ngadalë në vendlindje të dytë të natyralizuar. Prandaj, vëllimi poetik "Zvicra Shqipëria ime", është më shumë se sa një krahasim i rëndomtë, i shprehjes, se poeti edhe vendlindjen e dytë e don po aq shumë sa vendlindjen e parë.

Në fakt me fenomenin: „dy vendlindje", respektivisht me „Atdheun" dhe „Vendlindjen", janë të ballafaquar të gjithë emigrantët, pavarësisht se nga vijnë ata dhe çfarë gjuhe flasin. Ndërkaq, te autori i librit :„Zvicra Shqipëria ime" ,fakti qëndron edhe te një element tjetër, se emigrantit poet i buzeqesh fati edhe në vendlindjen e dytë,apo fati i keq i vendlindjes së parë nuk e ndjekë „migrantin" edhe në vendlindjen e dytë!, siç ndodhë (apo ka ndodhur me shumë fate emigrantësh)dhe kur jeta (e tyre), edhe në mërgim, kalon në etapa të tjera dramatike, të padukshme dhe të paqarta… Në rastin konkret te poeti Skënderi kemi buzqeshjen e fatit, në vendlindjen e dytë, nga se në Atdhe kishte kaluar peripetitë nga më të ndryshme jetësore, nëpër rrugët e regjimit…

Pavarësisht nga kjo përvojë njerëzore, për autorin Atdheu mbetet gjithmonë i dashur, i ëmbël, Atdheu i mungon në çdo hap, në çdo mëngjes, dhe prapë nuk e braktis atë, por jeton me të, edhe pse fizikisht i ndodhur në vendlindjen e dytë. Prandaj, togfjalëshi poetik „Zvicra Shqipëria ime", tingëllon bukur jo vetëm artistikisht, por është i pranueshëm edhe logjikisht, me ç’rast shprehja e tillë e poetit jo vetëm që paraqet mirënjohjen e vendit pritës, por atë e bën më të afërt se sa ai e ka ëndrruar ndonjëherë më parë. I ndodhur në këtë realitet të ri, poeti Vehbi Skënderi, vazhdon të krijojë pothuaj me të njejtin ritëm artistik, ashtu si më parë në vendlindjen e tij. Poezia e tij lirike e krijuar në Zvicër është e lirë dhe e pakufizuar në raportet kohore, në aspektet dimensionale, e cila artistikisht të bën për vete, sa herë ta lexosh. Ai përdor gjuhën e rrethit ku jeton, të përditshmërisë. Prandaj, edhe kur rilexohet poezia e Vehbi Skënderit, të duket se je në parkun e fëmijëve duke luajtur, sepse ju këndon bukur fëmijëve, kur del nga shtëpia, sa të futesh në tren , apo autobus shikon edhe ndonjë zezake, ngaqë, as ky element i prezencës së fytyrave të shumëllojshme në Zvicër poetit nuk i ka shpëtuar pa përmendur dhe pa fokusuar në vargun lirik të tij. Edhe uji, edhe natyra të këtij vendi, në vargun e poetit duken të buzqeshura.Pastaj, ai me ton të qartë iu këndon rrugëve, trëndafilave, ndërrimit të motit deri në pesë herë në ditë, dhe elementit të veçantë: "komunikimit",që shpeshherë e inspiron poetin. Pra, vargu lirik i poetit Skënderi nuk i ka shpëtuar pa u personifikuar edhe me „dialogun e rrugaçërisë-femrës lakuriqe" , të cilat femra trotuaret i kanë si vend komunikimi ku „bëhet pazari".

Ndërkohë motivi i dashurisë ndiqet si vazhdimësi e botimeve në vendlindje edhe te poezia e krijuar në Zvicër. Ky motiv përmes vargut aktiv mbetët i lirë, i qëndrueshëm dhe dëshmon pathyeshmërinë e inspirimt të tij njerëzor, me mënyren e jetës prej emigranti. Autori komunikon hapur me gjininë femerore, dhe elementin e femrës e trajton si çështje të ndjeshme, jo vetëm për personin ose njerun që dashuron, por edhe për personin, i cili duhet të reflektojë, në momente kur dikush e dashuron, ose e çmon, tipin, vlerën e saj. Dhe poashtu elementi tjetër, i veçuar edhe në vëllimin e fundit është elementi i bukurisë së femrës, e cila bukuri, të huton, dhe ashtu të hutuar të bën për vete duke të dehur si vera, e cila sa ta afrosh te buza: „të shijon".Ky lirizëm i shprehjes artistike të poetit Skënderi, është i shoqëruar me plotë dinamizëm dhe me ngjyrën e shpresës për ardhmërinë e njerëzve, të cilët dijnë të dashurojnë, dhe të femrave, të cilat dijnë ta paraqesin apo ta prezantojnë tërë bukurinë e tyre.

Krijimi poetik i Vehbi Skënderit në diasporë

Poeti shqiptar në diasporë, përveç se rrugën e nisur në vendlindje nuk e harron dot, në të njejtën kohë ballafaqohet edhe me ndjenjen e elementit të vuajtjes nga mungesa e ambientit familjar, shoqëror dhe social që e ka rrethuar, shumicën e kohës së jetës së tij. Në qoftë se krahasojmë disa poezi të krijuara në vendlindje, pak kohë para se poeti të niset në rrugën e mërgimit, të cilat janë të botuara në përmbledhjen „Bëjmë siku…"(1995), herë pas herë e hasim fenomenin e shqetësimit. Vetë titulli i kësaj përmbledhje i takon shprehjes së një shtrese të vuajtur, e cila përdorej në gjuhën e shqiptarëve, si shprehje e zbutur, por me filozofi shumë domethënse, ndaj pakënaqësisë. Bëj sikur…(„jam i lirë-jemi të lirë,të gëzuar!") bëj sikur…("ushqehem mirë") etj.,etj. Te vargu artistik dëshpërimi shprehet i qartë, sidomos te poezia: „Vdekja vjen gjithmonë herët ". Këtë gjendje shpirtërore poeti e shpreh me ton shpërthyes:

"Sido që të jesh lodhur,cfilitur,brengosur e vrerosur murg,fundosur në ferr!

Në Gulag! Molisur e batisur në burg, ku të ka ngrënë e të ka zhvatur çdo akrep e çdo gjarpër, dhe i ke pirë me fund të gjitha llumrat, lëtyrat e zeheret: Kuptomni !

Vdekja vjen gjithnjë herët.Shumë herët!".

Thirrja e tij drejtuar opinionit të gjërë me shprehjen :„Kuptomëni!", është një argument i fortë jo vetëm se çfarë po ndodh në botën e brendshme të poetit, por edhe në botën tjetër të reales, pranë syve të tij!… Por,kulmi i dëshprimit ,arrin te poezitë: „Borxhet" dhe „Vdekja" me ç’rast poeti këtë dëshpërim nuk dëshiron ta mbajë të mbyllur. Frika ndaj kohës së ikur, te poezia „Borxhet" kur autori flet vetëm në vetën e parë:

"Kur më friksohet bindja,se edhe pak ditë më mbetën ftoj në raport të gjithë vitet,sërë-sërë,(I hapim vonë tefterët,vonë e shoshitim vetën!).E vërej çfarë kam kryer e ç’kam lënë pa bërë:Kam një bilanc të mjerë ndoshta pa rrugdalje".

Qartë, poetit nuk i mjafton koha, sepse ka shumë punë për të bërë, ditët e ikura nuk i rikthen dot edhe njëherë. Edhe pas kësaj ndjenje të zymtë te poezia: „Vdekja" , autori pajton me të gjitha, duke vlerësuar vdekjen jo si ndjenjë pesimiste, por si diçka të bukur:

"Asgjë nuk i shpëton asaj! Askush! Askund! Vetëm prej saj nuk trembet. Ajo që edhe shelgut frikacak, edhe lisit trim, i qepet pas si kulpra. E nga vështrimi i saj dhe Perëndia çmendet:

E bukura! O Zot i madh!E bukura!E bukura!E bukura!"

Ky është jo vetëm kulmi i elementit artistik, por edhe përshkrimi më i qartë i një realiteti të jetuar vite më parë.Pra, pavarësisht nga të gjitha momentet dramatike, procesi jetësor ka vepruar dhe vdekjen e trajton si diçka normale që një ditë nga ditët e shumta njeriut i vjen natyrshëm…!

Poezitë shpresëdhënse të poetit Vehbi Skënderi i gjejmë edhe te vëllimi tjetër poetik: "Hëna e vjedhur"(1996)ku elemente të njejta hasim te poezia: „Djegia e poetit",kur poeti i kishte kaluar çastet e ankthit:

"O diçka jona i ngjan më tepër burgut.Vetëm ujrat e ullakut nuk tremben nga kurkush!".

Ai sikur ka parandjenjë se një ditë do të vijë „DITA" që asnjëri të mos trembet nga askush ose siç shprehet poeti nga „kurkush".

Poeti gjithnjë kërkon zgjidhje, rrugën më të mirë të mundshme të shoqëruar me optimizëm dhe shpresë,pra edhe për pjesën tjetër të hapsirës shqiptare, i cili këtë ndjenjë e realizon te poezia:"Gjejeni një rrugë":

„Dhe po të jeni në muzg, kallur në terr

Merreni kandilat e yjeve e gjejeni një rrugë

Gjejeni një rrugë-qoftë edhe mes hapsirës më të humbur e më të shkretë

Dhe ejani në Strugë…"

Por, në anën tjetër në krijimet artistike në mërgim, vargu lirik i poetit Vehbi Skënderi fillon me plot shpresë. Ai i kthehet ardhmërisë, nipërve, dhe tema bazë në vargun artistik , janë lojrat e fëmijëve, komunikimi me rrethin e afërt, me miqtë, dhe me faktorët e ri të panjohur më parë. Vargu i tij në mërgim është , i gjallë, plot energji dhe me frymzime të papërshkruara. Ndërkaq, nuk harron asnjëherë tematika, të cilat i ka përqafur qysh në botimet e mëhershme. Motivi i atdhedashurisë, motivi i dashurisë (edhe ndaj bjondinës edhe ndaj ezmerës), gjuha e çiltër poetike shprehet lehtë dhe pothuaj kudo, edhe kur ishte duke ecur, duke shetitur, në park, në rrugë…Vargu artistik i potit Skënderi i krijuar në Zvicër si emigrant është me shumë specifika, nga se poetit i bëjnë përshtypje shumë gjëra, dhe për to shprehet, flet, ndojnëherë edhe këndon.

Krijimtaria poetike e Vehbi Skënderit (me theks të veçantë te poezia e krijuar në Zvicër), te vëllimi:"Zvicra Shqipëria ime".

Pasi autori e ka lënë vendlindjen, qoftë edhe për hir të detyrimit moral, ndaj lexuesit, ai i flet disa fjalë, për të sqaruar se sa ngusht ishte frymëmarrja e tij , e cila risqarohet që në poezinë e parë „Largimi nga parajsa" te libri „Zvicra Shqipëria ime":

"Kush është"?"Policia",guget një pëllumbeshë""Jo!"Nuk mund të them dot kursesi se u përdor mbi mua „dhunë". Përkundrazi:Më rrahën lehtas supet dy police e më ciciruan urdhërin fatal:"Dëbohesh nga Gjithësia", si i " Pandreqshëm".

Këtë epitet të ngjitur nga diktatura „I pandreqshëm", atori me vetëdije e rithekson, që herët a vonë për shumë arsye dëshironte t’ia sqaronte botës tjetër, pra artistike, provon t’i flasë lexuesit edhe një herë me gjuhën e afërt, korrekte për një të vërtetë të përjetuar më herët.

Por, menjëherë pas kësaj poezie, në krijimet e mëpasme, poeti kërkon nga vetëja ndryshimin e natyrshëm, nga se koha e diktaturës i takon tashmë të kaluarës. Ai tani jeton në një realitet tjetër, të veçantë, ku rregullat e lojës i vendosin shumica. Pra, për ligjin nuk vendos një individ, por vota e shumicës, që në Zvicër njihet si „Sovrani i popullit". I ndodhur në Zvicër atij i bënë përshtypje gjithçka, dhe bota e brendshme e poetit na del herë e gëzuar herë e përzierë, e cila botë krijuese është vazhdimisht në kërkim të njohjes dhe përshtatjes së jetës së vendit pritës. Gjithsesi poeti krijimin e tij poetik në vëllimin: "Zvicra Shqipëria ime" , menjëherë pas poezisë „Largimi nga parajsa", vëllimin e nis me vëmendjen e veçantë kushtuar ardhmërisë, nipërve të tij; Prizrenit, Endritit…

Në poezinë :„Republika multietnike", kushtuar nipit Prizrenit, autori dëshmon qartë se ai dëshiron t’i përshtatet vendit, duke filluar nga fëmijët:

"Në Parkun Mon-Bizhu në Bernë, fëmijët po ndërtojnë Republikën e Pesë Kontinenteve.",për ta përmbyllur me logjikën stabile:"Kjo është lodër vocrrakësh apo vepër Perëndish".

Ndërkaq,në vjershën : „Motaku" kushtuar nipit tjetër Endritit, poeti flet plot shpresë, me gjuhë vizonare artistike për ardhmërinë:

"Im nip, midis gjithë fëmijëve të dheut në këtë park të Zvicrës,

mes tërë gjuhëfolësve ndjehet qiqër.

Flet arabishjt,anglisht , frengjisht,kinezçe e hebraisht".

Poashtu ky element shprehet edhe te dialogu me Endritin në vjershën:"Thesi i lodrave të Endritit". Ai flet me nipin i buzqeshur:

"Një thes me lodra plot ia shpie sot në park.Gati gjysmën e lodrave të tija.

"Babush pse po na falakë", më ankohen në një zë.

Unë pa u thënë asgjë i perkdhel me dorë.

E më kap pikëllimi, kur vërej se qielli gri nis të qëmtoj borë."

Afërsia me botën e fëmijëve është një element i veçantë në këtë vëllim poetik në krahasim me botimet e mëhershme në vendlindje. Por, si rëndomtë si çdo migrant i huaj kur vjen në Zvicër fillimisht do të ketë punë edhe me letra, me administratën, me norma të caktura të trajtimit etj.,për të parë më pas edhe elementet e përcaktimit të fati, të buzqeshjës së tij apo të ngrysjes…! Ky element, kjo ndjenjë preket te vjersha „Kur po vjen ajo e lume letër?", ku në mes tjerash poeti shprehet:

„E kur po mbërrin kjo letër…

E pse nuk vjen ajo e lume letër.E bardhë letër.

E nëmur letër! Ka qindra vjet që e pres. Ka qindra vjet që e presim.

E kur do të qeshim, kur do të qeshim ."

Letra është më shumë se sa letër, është vendim, është ligji, dhe është përcaktimi i ri i fatit të njeriut krijues, të cilat detyrime lidhen me kriteret e demokracisë dhe këto kritere , të afrojnë lirinë, të afrojnë shumë…Njeru poet që këto shpërplime i ka pritur kohë të gjatë t’i gëzojë në Atdhe, i cili,"Atdheu", ende, "po ndodhej në fazën e bërjes së demokracisë", i clili jo vetëm që nuk afronte gjë, por vetëm prodhonte trazira, kur poeti u largua prej tij.

Për një moment të caktuar poeti ndalet te hallet e tija. Këtë gjendje shpirtërore e hasim më së miri te poezia:"Ditët e mia",të cilat ditë autorit i ikin shpejt, pa i parë dhe pa gjurmë:

„Ditët e mia.Mjeranet.Duken e zhduken nëpër tym si marsianet.

Pa lënë asnjë gjurmë. Mbartin në shpirt çdo plagë e çdo dilemë.

Pa trompa. Bubullima e pomba.

E këtë shpellë ankthi nuk e mbajnë dot as Alpet e Zvicrës."

Por,jo vetëm kaq, poeti Skënderi vlerësimin më domethënës rreth çasteve të vështira të jetës prej migranti, kulmin artistik e arrin te poezia „Monotonia", i cili qartazi shprehet:

"Si është e mundur",bërtet kur të them:

"Hëna është një mizë mburravece që shet flori të vjedhur".

Kur të them:"Dielli , një kokrrizë, që mund ta hajë si thejerzë çdo harabel".

E shkulesh pej gazit kur më sheh se përgdhel një ferr. "Ruaju mos të çjerrë", më jep këshillë".

Pra, autori ,përmes këtyre shprehjeve artistike preferon që të ketë këshillime, ngase të papritura mund të ketë çdoherë. Ndërkaq, togfjalshi më i goditur artistik mund të jetë: „shet flori të vjedhur", që zbatohet në normat e botës moderne, qoftë edhe përmes nëntokës, pa iu nënshtruar këshillimeve normale të hirarkisë apsolute etj.

Natyrshëm në vargun e poetit Skënderi vjen edhe tema e amshimit, e ëndrrës për botën tjetër, i cili në poezinë „Larja e mëkateve"dialogon shumë çiltër tërë konceptin e botës së tij të brendshme:

„Ka ditë që një grua, me të vërtetë e dlirë, rreket të më bindë që ta lë këtë botë me dëshirë, se, para jetës së amshueshme, kjo shkurtabiqe jetë është diçka e kotë. Dhe unë e admiroj, se gjithçka që më thotë, ma thotë për të mirë , qoftë edhe kur më thotë: "Zotëri , akoma pret, akoma je këtu dhe nuk e ke lënë këtë botë pa pikë mëshire."

Kjo pra bota, të cilën po e jetojmë e vlerëson si të pa mëshirë, gjatë bashkëbisedimit brenda botës së tij, me personazhin e tij. Ky udhzim i referuar gjatë këtij dialogu afron shpresën… se në botën tjetër fillojnë të mirat!...

Ndërkaq, në formën tjetër më filozofike, pavarësisht angazhimit jetësor të njeriut, ai një ditë vdes, edhe kur personazhi i tij mund të jetë mjeshtër i rrallë. Këtë logjikë shumë artistikisht poeti e shtron te poezia: "Urtësi":

„Gdhend Mjeshtri.

Gjithë jetën!

Dhe papritur një ditë vdes ditëziu,i pagdhendur…."

Pavarësisht nga jeta e përditshme, poetit në mërgim, në Zvicër, ku shumica e krijimeve artistike kanë edhe kronolgjinë e vet domethënse, për një çast ngjarjet dramatike në vnedlindje ia prishin humorin e vargut lirik.

Ai kthen vëmendjen në ngjarjet kushtuar gjendjes në Atdhe duke u befasuar, prej nga vjen gjithë ky mëkat mbi këtë truall, prej nga vijnë gjithë të kqijat zingjir, dhe cili është çelsi i zgjidhjes? Vështrimin ndaj Atdheut-Shqipërisë, poeti Skënderi e paraqet te poezia: „Elegji për lajmet nga Shqipëria 1997", me ç’rast shpreh dhimbje, të cilat dhimbje i këpusin shpirtin ,çdo mërgimtari shqiptar,kudo që ndodhet. Ai më së miri tërë tonin rrënqethës e shpreh përmes gjuhës artistike:

"Tani nuk ham bukë.

Përtypim vetëm lajme.

Ditë e natë, çdo sekondë! Pa ngurime.

E mjera Shqipëri! Kush nuk ta nguli thikën Ty pas shpine!

Derdh lot shiu kjo ditë shkurti nëpër xhame.

Shkul flokët si Nioba.Lajme! Lajme!

Vocrrake grirë e ngrirë, midis shkollës.

Lajme nga fundi i Otrantos"

Për secilin varg mund të themi shumë gjëra të provuara, me ç’rast njerëz të shumtë në Shqipëri u katandisën si është më së keqi për „rrethana të paqarta", të politikës „financiare" të ditës të vitit 1997, e më pas .Këto trazira shkaktuan humbjen dhe plagosjen e qindra-mijëra njerëzve të pafajshum, të cilët përballeshin me të gjitha fenomenet e liga, sa po kalonin pragun e shtëpisë. Autori gjatë dialogut me Atdheun e tij, Shqipërinë, tregon troç, se të gjithë …,kush mundet, kush vjen atje ia ngul thikën pas shpine, dhe plagën e lënë të hapur! Ai jo rastësisht i drejtohet shumë qartë Atdheut duke e qarë me lotët e dhimbjes:"E mjera Shqipëri!Kush nuk ta nguli thikën Ty pas shpine?"Kjo shprehje artistike nuk kërkon më shumë koment sepse është folur për të gjitha nivelet e politikës në të gjitha rrafshet, dhe shpreh gjendjen reale të "miqësive"të Shqipërisë në veçanti dhe të shqiptarëve në përgjithësi me popujt dhe vendet për rreth…!

Ndërkaq, poeti V.Skënderi i prekur nga ngjarjet në Atdhe në një moment të caktuar bën krahasimin me shtetin ku jeton se çdo gjë mbrohet me ligj. Elementin e krahasimit e hasim më së miri te poezia "Kushtetuta e federates helvetike". Vargu lirik edhe në këtë poezi vjen fare natyrshëm dhe është i qartë për lexuesin:

"Mua më ngjan se Kushtetutën e këtij vendi

nuk e shkruajnë statistët e Parlamenti, Po mjelmat,ujqët,iriqët.

Dhe para se të marrë rrugët e hapsirat nëpër botë.

Në këtë kushtetutë, krahas e dorazi Burrave të Shtetit, firmosin , nen për

nen : kaprojtë, dhelprat, zogjtë".

Por, kush mund të jenë me këtë rast mjelmat, ujqët dhe iriqët, të cilët shkruajnë kushtetutën e këtij vendi helvetik? Dhe, firmosin kaprojtë, dhelprat, zogjtë…Kjo metaforë mbetët e fortë, dhe fletë shumë për tërë sistemin politik të këtij vendi .

Padyshim se poetit i bën përshtypje edhe ekstravaganca e femrës, edhe eleganca e saj, por edhe e shumtuara e saj, si elementi më i ligë i njeriut.Te poezia :"Zezakja e Bernës", autori fletë për elemetin e bukurisë së një femre, e cila të tërheq vëmendjen , sidomos kur ndodhesh pranë saj. Në një ditë të tillë ai u ndodhë pranë, i cili shprehet fare kuptueshëm pa eufori dhe pa mllef:

"Më buzqeshi Fati.(Nuk di:së mbari a së prapai?)

Sot mes Bernës vërej një negre. E kush s’kthen kokën drejt asaj?

Ajo i ka të gjitha cilësistë e bukurisë greke e persiane. Shih!

Gëzofi i bardhë i kësaj dite zvicerane qumsht i shkon si fustan dasme, mrekulli.

Ky është një element frymëzimi, që poeti nuk ia lejon vetës ta anashkalojë pa vënë në dukje vlerën e një femre të bukur, pavarësisht nga vjen ajo, pra autori përshkruan epitetin e reales:

"Katran e zezë, më tepër se kafja e pjekur, bënë hije.

E çdo kush e ndien praninë e saj që dhjetë hapa larg,pa e prekur.

Sytë i xixillojnë si shpuzë.Përhapë afsh e gëzim si e dehur

prej verës,që të deh po si verë,pa e vënë verën në buzë…"

Ndërkaq ,elementin tjetër : të shëmtuarën e femrës, autori e paraqet te poezia :"Incidenti"në parkun Helvetia", e cila e shet vetën e saj vetëm për 50 fr. ,pa zgjidhur kushte dhe pa asnjë element njerëzor:

Në parkun Helvetia befas më fton një vajzë posi perlë dielli.

„Zonti", bëzan belpërdredhura,

me një fund allafranga, dy pëllëmbë mbi gjunj.

"Pesdhjetë franga", e vëren nga unë buzëgaz.

E fare pa të keq zbulon si pa qëllim një krahror oaz.

"po vjen"? Një e qeshur giciluese mbush, në sekondë,

ekranet e kësaj dite gri. "Zotni"…E më tregon me gisht

një pyll, tri hapa pranë. Ku nuk të sheh njeri

e nuk të gjen askush.Zonjushë", nis unë të gënjejë:

"Sapo m’i zhvatën paratë ca maskarenj hajdutë!"

Ky është shqetësimi për një sjellje të shëmtuar në shoqëri, që autori e trajton me tone irrituese duke bërë krahasimin se femra shet trupin e saj me një çmim edhe më të lirë se sa kushtojnë një palë këpucë.

Padyshim se për poetin V.Skënderi në vëllimin poetik: "Zvicra Shqipëria ime", zënë vend të veçantë edhe elementi i bukurisë dhe ndërtimi i Zvicrës në nivel superior. Këto reflektime poetike i hasim sidomos te poezitë "Ditët e mia-Pemët e Bernës", Lajme për liqejt e Zvicrës", "Baladë për lumin tim, lumin Aare" ,"Lumi Aare është shpallur prift" etj.

Ndërkaq, në kapitullin e fundit: "Të dua kështu si je,Evë e posadalë nga shpella", i kushtohet dashurisë, ndonëse vargjet herë-herë i hasim me elementin e cinizmit, se dashuria nuk është gjithmonë e çiltër, siç është mësuar ta shijojë poeti në krijimet e mëhershme , ose më mirë të shprehem, siç është mësuar lexuesi te poezitë e mëhershme , kushtuar "Evës"…etj.Kjo zymtësi artistike, trazimi i ndjenjave të dashurisë vërehet në vargjet e para të këtij kapitulli. Te poezia:"E posadalë nga shpella", autori shpreht me zemrim:

Zonjë, e kur do të reshtin, këto"eksperimente"të bezdisshme linçuese e poshtruese?

Zonjë më zunë frymën ambalazhet moralizuese, këmishat antiplumb, zazuzhet, qentë e kufijve e blindazhet civilizuese.

Zonjë e kur do të marrë fund ky ankth pa fund!

Unë të dua kështu si je: Treçereklakuriçe, e posadalë nga diskoteka, teksa të tunden në ballë tri Kuçurela .

Apo lakuriçe krejt, Evë

E poasadalë nga shpella!

Pra, edhe kur nganjëherë dashuria nuk të shkon përshtati, ajo të vërbon dhe autori ashtu si është pranon, e dashuron pa bërë vlerësime në pluse e minuse. Në fakt personazhi i femrës i titulluar me emrin: "Evë", për autorin është vetëm një vazhdimësi nga botimet e mëhershme edhe në këtë të fundit: "Zvicra Shqipëria ime".

Poeti vehbi Skënderi edhe në librin :"Zvicra Shqipëria ime" shkruan me një stilt të veçantë,i cili stil është i pranueshëm dhe i lehtë për lexuesin. Autori ka një varg të lirë në ndërtimin e fjalisë.Vargu i poetit Skënderi as te libri "Zvicra Shqipëria ime" nuk është i komplikur në asnjë situatë, por i qartë edhe për lexuesin, dhe poashtu gjuha metaforike ka prirjen e paraqitjes së elemtit artistik në përputhje me realen, që njeriu mund ta shikojë në çdo moment gjatë jetës së përditshme ku autori e ka realizuar vargun e tij lirik. Këto elemente i vërejmë në shumë poezi.Njëra nga këto mund të jetë edhe poezia "Lajme për liqejt e Zvicrës":

"Jo, Liqejtë e Zvicrës nuk kanë origjinë tektonike,-siç thonë Gjeologët.

As origjinë akullanjash,-siç thonë hidrologët.

Janë sy të kthjelltë grash e sy të qielltë vajzash, nkthyert kthyer në liqej-

Siç thotë legjenda,-gjatë motive të pritjeve të gjata"

Këto vargje perveç se janë kuptimplote në ndërtim, kanë lirinë e shprehjes artistike, ku përmbajtja logjike është në qendër të vëmendjes.

Autori të bukrën dhe vlerën artistike jo vetëm që përshkruan me stil artistik, por ai vargun e ndërton sikur të jetë një këngë , që kushdo mund ta këndojë menjëherë. Këtë veçori artistike e gjejmë në poezinë: "Katedralja e Mynsterit":

" Mynster ! Bekuar qofshin duart që të kanë ngulur porsi shkëmb në këtë mjedis Berne . Bekuar qofshin edhe muzat për këtë Kryvepër Klasike e Moderne.Vëren në mendime bregut të lumit Are, që një herë në vit përcjell Lundrat e Fatit, dhe sakaq freskon buzët e gjymtyrët e shtatit, sa here që e merr etja. Bri saj pak hapa larg Kështjella e ardhur nga Mesjeta, që i ngjan shumë një gërmadhe."

Pra komunikimi i autorit , qoftë edhe kur këndon, qoftë edhe kur vargun e tij e kalon gati në formë proze, ai afron dhuntinë krijuese, duke kapur edhe vlerat historike të këtij vendi ku autori jetonte. Këto mendime konfirmohen në të njejtën poezi:

"Po prapëseprapë ngul rrënjët mos të shembet e gjithmonë e re i duket vetja.Bujtës, ti besimtar laik, tek vjen këtu që të këndellesh me lartësitë Gotike e ndjen?

Sa shkel në prag të Katedralës Mynster të vjen të dëgjosh një kor engjujsh dhe të pushton, papritur, një dridhmë mistike."

Pra me këtë rast autori nuk kursen vlerësimet e tij kur janë në pyetje vlerat historike të relegjionit, por i përshkruan ato ashtu si i ndien, si i afrohen botës së tij të brendshme.

Ndërkaq, vagjet që spikatin për vlera shumdeminzionale janë pasqyruar te poezia: "Emigrantët", ku autori i qanë hallet e tyre në formën e dhimbjes që ndjen për këtë kategori të shoqërisë, kudo që ndodhen ata.Njëkohësisht, permes krahasimit kritikon edhe fenomenet e liga në Atdheun e tij, të cilat pamëshirshëm dëmtojnë natyrën. Ai shprehet troç:

I dua fort! Iu falem pyjeve të Zvicrës. E më kënaqen kërcet e hundës nga aromat e blirit e të pishës .

Po shpesh, tek i vërej, më kap trishtimi. Më kap një pikëllim e mundim sfilitës. Ashtu si i vranë me altileri talebanët statuja e drujta të budës: pushtetarët injorantë vran pyjet në Shqipëri"

Në këto vargje autori permes krahasimit e lakmon hapur të bukrën,vlerën e natyrës,erën e blirit dhe të pishës, me ç’rast kjo vlerë natyrore në të njetën kohë në Atdheun e tij,në Shqipëri "po vritej nga dita në ditë,pa pasur një zot që të mbrojë pyejet, apo siç krahason autori kjo ndodh nga "politikanët injorantë".

Dhimbja e poetit vazhzhdon të shpreht edhe në vargjet e mëposhtme në të njetën poezi; "Emigrantët" :

M’ i sharruan e m’ i faruan krejt. Tani kur shkon andej, ndjen mall të shohësh një iriq, një kaproll a një çakall. Ku u zhdukën thua janë bërë si unë edhe ata emigrantë. Po thëllëzat, gargujt, turtujt, mëllenjat e fazanët, ku fluturuan?

Ku ikën ? " Emigruan ilegalisht, në drejtim të paditur", thonë policët.

Në fakt shprehja;"u larguan(iki) në drejtim të paditur" që personifikohen zyrtarët e pushtetit,"policët",por edhe "poletikanët injoratë",të pandërgjegjëm ndaj sjelleve të tyre,kjo shprehje dhe këto veprime janë prezente në politikën shqiptare në tërë 20 vjetët e fundit.Prandaj, autori me të drejt ngrit zërin kritik ,duke realizuar një poezi me vlera shumë të larta artistike, dhe duke kapur një realitet që është prezent në shoqërinë tonë.

Kritika letrare për Vehbi Skënderin

Kritika letrare për poezitë lirike të poetit Vehbi Skënderi, ende nuk është marrë seriozisht me vlerësimin qoftë artistik, qoftë me dhuntinë e vargut, që sjellë pranë lexuesit ky poet, pothuaj, në të gjitha botimet e tij të njëpasnjëshme, pra edhe në botimin e fundit i krijuar në mërgim, në Zvicër, në vëllimin e shënuar më lart: „Zvicra Shqipëria ime".

Kritiku i parë i Vehbi Skënderit në Tiranë ka qenë Drago Siliqi (1930-1963), i cili ka qenë edhe botuesi i librit të parë poetik të tij, me titullin "Këngët e para" (1953). Siliqi e shikonte Vehbi Skënderin si një nga përfaqësuesit më të talentuar të prirjeve të reja poetike të manifestuara me pjekuri të madhe artistike në vitet Gjashtëdhjetë.

Në Prishtinë Vehbi Skënderi u bë i njohur me vëllimin poetik : "Vdekja e Ofelisë" (1971). Rexhep Qosja do ta përfshinte në atë kohë në : "Antologjinë lirike", një përzgjedhje, e cila i ka qëndruar kohës. Me kritikën ndaj poezisë së Vehbi Skënderit do të merreshin në vitet Gjashtëdhjetë e Shtatëdhjetë edhe Ali Aliu e autorë të tjerë në Prishtinë, ku është vlerësuar qëndrimi parimor i vargut lirik në rrethana specifike të regjimit të kalur, që autori kishte krijuar me përkushtim dhe me mjaft vullnet të lartë.

Ndërkaq, për botimet e fundit, krikiku letrar dr.A.Vinca në një analizë letrare të botuar në revistën: „Fjalë e valë"nr.18,në mes tjerash ka theksuar disa nga tiparet parimore të vargut lirik të poetit. Ai ka veçuar shtatë veçoritë kryesore të V.Skënderit, të cilat elemente artistike lexuesi i gjenë edhe në vargun lirik të poetit,të krijuar në mërgim.

Poeti Skënderi është një autor ku nuk pranon vdekjen, "por e flak atë" deri sa ta shikonte për së gjalli Kosovën e lirë.Vullnetin dhe përkushtimin e tij ndaj Atdheut, ndaj hapsirës shqiptare në përgjithësi, dhe ndaj dëshirës për lirinë e Kosovës në veçanti, për ta parë të lirë dhe të pavarur. Këtë dëshirë të përkushtuar të V.Skënderit kritiku Vinca e ka quajtur si „kontratë" me vdekjen, që poeti nuk e dëshirronte në asnjë mënyrë pa e shijuar ndryshimin e statusit të Kosovës. Ky mendim nuk është i rastësishëm, por vjen në saje të vlerësimit të vargut artistik dhe lirik të poetit Skënderi, që i bëhet nga kritiku letrar A.Vinca, i cili shquhet për kërkimet krijuese të të gjithë krijuesve shqiptarë, veçanërisht poetëve në gjithë hapsirat shqiptare.

Pastaj, për poetin Skënderi hapsira shqiptare nuk është e kufizuar. Struga, Dibra, Presheva, Ulqini janë një truall i përbashkët, ku flitet një gjuhë, dhe ku jeton një popull. Këtë dukuri të moskufizimit për hapsirën shqiptare e vërejmë në botimet e mëparshme me poezitë:"Kosovë,"Në këtë vend…","Vrasja e Shotë Galicës", "Flijimi",(kushtuar vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës)dhe shumë poezi të tjera. Autori te tëra këto poezi prekë jo vetëm elementin e historisë së hidhur të shqiptarëve, që po përjetonin me vitet të tëra,por edhe elementin e pjekurisë kombëtare, e cila pjekuri po fillonte nga individi dhe ngadalë po vazhdonte në tërë shoqërinë. Prandaj, elementin e sakrificës për lirinë e vendit e trajton shumë qartë, me moralin e mirëfilltë njerëzor, në vargjet kushtuar vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, të cilët ishin nisur në rrugën më sublime, që çonte në lirinë e Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve.

Një poet që ka një varg të përkushtuar për lirinë e njerzimit, pa marrë parasysh hapsirat gjegrafike të rruzullit, që nuk shikon racë, as fe, por në prioritet vënë lirinë e njerëzve të botës mbarë. Ky element është shumë i pranishëm me shembuj nga më të ndryshëm artistik në krijimet e tij të realizuara në vëllimin e fundit : "Zvicra Shqipëria ime"

Një poet që dashurinë ndaj femrës e respekton me përkushtim, dhe termin „Grua" e vë në shtyllë të shtëpisë, të cilën e lidhë ngusht me tiparet e Atdheut. Ndonëse motivi i dashurisë për poetin mbetët vazhdimësi nga botimet e mëhershme, për dashurinë personazhi i femrës së bukur na paraqitet edhe fermra e huaj (joshqiptare), e largët nga ambienti ynë kulturor shqiptar. Zezakja te vargu i poetit përfaqson tiparet e bukurisë,të elegancës, të tërheqjes së vëmendjes. Me këtë rast kemi një avancim të poetit, sepse në botimet e mëhershme graja, ose bukuria e femrës, personifikohej më shumë me elementin e jetës sociale shqiptare, ndërkaq, duke krijuar në Zvicër, ai këtë element nuk e kufizon, ose nuk i përmbahet me fanatizëm kësaj linje, por përkrah në sfond të gjitha femrat e bukura,pra edhe kur ato janë të „zeza si kafja e pjekur".

Vehbi Skënderi në poezi këndon dhe vargu lirik i tij ka shumë muzikalitet dhe ritëm, por ai edhe shkruan, dhe mendimi mbetët gjithmonë i freskët. E veçanta e këtij frymzimi artistik mbetët te vlera e elementit të komunikimit. Nga shprehjet artistike mësojmë se autori është i lehtë në komunikim,e pranon këdo në bisedë, dhe kur fillon të flas, ai tregon gjërat që i di, me gjuhë shumë të qartë, dhe kështu ky komunikim në vargun e Skënderit merrë melodinë artistike prkrah elementit komunikativ në jetën e përditshme.

Një krijues që frymzimin e ka bazë në krijmtari, dhe di ta kap momentin e të bukurës, edhe kur ndodhet në mes të fëmijve, edhe kur ndodhet në park, edhe kur është në bisedën e lirë me miq…Ai shfrytëzon çdo moment në ndërtimin e vargut, të cilin e ka shumë për qejfi.Ndërkaq, autori Visar Zhiti,në parathënien e vëllimit: „Zvicra Shqipëria ime"nxjerrë elementin e prekopimit të vargut lirik të poetit Skënderi, që „shtetin duhet ta ribëjmë të gjithë" dhe jo vetëm një njeri.

Kritikja Klara Kodra, autore e zërit, "Vehbi Skënderi", në "Fjalorin Enciklopedik shqiptar", botimi i vitit 2009, në faqen 2357, shkruan: "Në fazën e parë të krijimtarisë së Vehbi Skënderit, tema e parapëlqyer e poezisë së tij ka qenë jeta dhe psikologjia e njerëzve të punës, e trajtuar me një lirizëm që shkrihet në një konkretësi detajesh."

Klara Kodra më tej konstaton se "pas vitit 1990, Vehbi Skënderi nisi të trajtojë temat ekzistenciale, duke e përtërirë krijimtarinë e tij me një përmasë universale filozofike dhe me thellësi psikologjike."

Kritikja Kodra e karakterizon poetin kështu: "Vehbi Skënderi është një poet me frymëzim spontan dhe me një gjuhë poetike shprehëse e të vetvetishme."

Në qoftëse në të ardhmen kritika letrare do të merret seriozisht me krijimin e vargut lirik të poetit Vehbi Skënderi,atëherë krahas punës krijuese artistike,do të ishte në të mirë dhe në funksion të nriçimit të mirëfilltë të periudhave historike që jetuan shqiptarët në periudha të caktuara historike brenda kufijve shqiptaro-shqiptarë.Dhe,përveç pjesës dhe krijimtarisë që autori ,pavarësisht nga rrethat e vështira ,ka krijuar me përkushtim,poeti Vehbi Skënderi mbetët një shembull tipik se këto rrethana detyruan shumë shqiptarë të lënë Atdheun e tyre për t’u strehuar në vende të ndryshme të Perendimit e më gjërë për afate të papërcaktura !...Pra, poeti vehbi skenderi nuk mjafton nëse shikohet vetëm në një kënd të krijimit të tij, por ai duhet shikuar në shumë vështrime,përfshirë këtu;stilin artistik,fjalorin e pasur,tematikën shumë aktuale të qëndrueshme,komunikimin e lehtë,dhe përkushtimin e tij krijues në çdo rrethanë dhe në çdo hapsirë.

Për poezinë e poetit V.Skënderi në përgjithësi, deri tani ende nuk kemi një studim të thuktë kritik, i cili trajton në mënyrë të mirëfilltë poezinë dhe vargun lirik të poetit, i cili edhe pse në moshë të shtyrë vazhdon krijmitarinë poetike. Botimi i radhës; "Mirëmëngjes, Shqipëri!" (2010), mund të ndodhë shumë shpejt…

Përfundimi

Poeti V.Skënderi pasi kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës punoi si gazetar, redaktor dhe një pjesë të mirë të veprimtarisë së tij ja kushtoi publicistikës kritike. Ai është autor i sa e sa lirikave dhe epikave të mbrekullueshme si dhe i vëllimeve me poezi: si `Këngët e para`, `Vjersha`, `Fletë nga ditari im`,`Vjershat e poemat e Drinit`etj. Ndër krijimet e tij më mbresëlënëse përmendet poezia 'Ofelia'.

Për poetin V.Skënderi ,dhe për krijimet e tij artistike,për vargun lirik në poezi, sidomos në botimin e fundit:"Zvicra Shqipëria ime", mund të thuhet se me gjithë mungesën e atdheut , ai përpiqet të gjejë zëvëndsim , duke qenë i kujdeshëm ndaj çdo inspirimi poetik, të cilat inspirime i përshkruan me gjuhë të qartë dhe me shprehje të bukura artistike. Atij vërtetë i mungon Atdheu, të cilin shpeshherë e dëshiron ta ketë afër, dhe në mungesë të tij ai përdorë frymzimin për vendin ku jeton.

Ndërkaq, sa i përket motivit në vargun artistik të Vehbi Skënderit, te botimi i fundit : „Zvicra Shqipëria ime", për dallim nga botimet e mëhershme , temë e re që trajton autori është tema e migrantit, i cili më parë nuk ishte marrë me këtë motiv. Për temën e migrantit ai shkruan, jo thjeshtë mangësitë që përjetohen në rrethin social dhe jetësor të përditshëm,me mungesën e frymarrjes së Atdheut, por ai përballet në vargun lirik edhe me shumë faktorë të lokalitetit ku jeton. Ai flet për ligjin,e përshkruan edhe motin; kur bie shiu, kur fryen era apo edhe rrjedhën e lumit etj.Autori di t’i afrojë lexuesit shembuj nga më të ndryshëm në mes të bukurës dhe të shëmtuarës,në mes të mirës dhe të keqës.Këtë karakteristikë e gjejmë shumë qartë të realizuar te përshkrimi i botës femrore,të cilën në tabllo të veçantë poeti shpreh respektin për bukurinë e saj,në njërën anë dhe në anën tjetër,paraqet edhe indinjimin për vlerën e ultë njrëzore.

Në anën tjetër motivin e dashurisë, të cilin poeti Skënderi e trajton me kujdes, e gjejmë edhe te përmbledhja:"Zvicra Shqipëria ime", me ç’rast konsideroj se ky motiv është vazhdimësi e botimeve të mëhershme, por që tani ka një ngjyrë edhe më të theksuar artistike, dhe autori i kushton vëmendje jo vetëm përmbajtjes së vargut, por edhe formës së vargut artistik, që te lexuesi lë mbresa të veçanta.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...