Ministri Shala shuan jetën kulturore të Prishtinës
Bota Sot | 05.11.2015 10:54
Ministri i Kulturës, Kujtim Shala, brenda një kohë të shkurtër vrau jetën kulturore në Prishtinë.E fundit,festivali Skena UP rrezikon të mos mbahet për shkak të heqjes apo zvogëlimit të financimit.
Yje të ndryshme të kinemasë ndërkombëtare, këngëtarë, figura të tjera publike të huaja dhe shqiptare nga fusha të ndryshme, qindra studentë të huaj etj etj, që shpreheshin gjithë entuziazëm dhe pozitivizëm për festivalet të shumta të filmit,muzikës që organizoheshin rregullisht në Prishtinë, do të mbeteshin pa fjalë nëse do të kuptonin që shumica e këtyre organizimeve premtuese nuk mbahen më.
Ose, që rrezikohen të mbahen për arsye shumë banale, saktësisht, nga një vendim i ministrit të Kulturës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kujtim Shala, i cili sikurse me sëpatë, ka shkurtuar në minimum financimin apo mbështetjen për këto festivale.
Duke vrarë përfundimisht jetën kulturore në Prishtinë, jetë e cila e pati dalluar Prishtinë viteve të fundit në raport me kryeqytetet e vendeve fqinje.
Ministri i Kulturës, Kujtim Shala prej se ka marrë udhëheqjen e këtij dikasteri ka “vrarë” festivalet kulturore të kryeqendrës. Jo vetëm që ka zvogëluar buxhetin për organizimin e tyre, por shumë prej tyre janë rrezikuar që mos të mbahen fare.
DAM Festival, Skena Up, PriFilmFest, Ars Kosova, Expo Art 40, Fryma e Re, Albaniada, Baushtellë, NineEleven, Pianisti i Ri, Kamer Fest, Re Musica, Galeria Qahili, Festivali RiDu, Galeria Open Art, Kosova Arkitektion Foundation, LambdaLambdaLambda, Rexho Mulliqi...etj,janë vetëm nga disa festivalet, të cilat janë janë përballur me probleme të ëmdha, pikërisht ëpr shkak të shkurtimit të mjeteve buxhetore nga Ministria e Kulturës që drejtohet nga Kujtim Shala.
Janë 28 organizata e festivale të cilat tashmë kanë krijuar një Rrjet të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës në Prishtinë, të cilat kanë kërkuar shkarkimin e ministrit Shala, pikërisht për shkak të ndarjes së vockël të mjeteve buxhetore, duke bërë kështu ngufatjen për organizimin e këtyre festivaleve kulturore.
Fatos Berisha, drejtor artistik i “PriFest”, Festival i Filmit Ndërkombëtar, ka thënë për Rtklive se Ministri me veprimet e tija, duke shkurtuar buxhetin ka “vrarë” organizimin e festivaleve kulturore.Ai ka bërë të ditur se ministri Shala i ka ndarë vetëm 5 mijë euro për Festivalin që drejton për dallim nga viti paraprak që ishin dedikuar 22 mijë euro. Sipas tij, ky vendim i kabinetit të ministrit që të ndahen vetëm 5 mijë euro erdhi përkundër që komisioni i brendshëm i Ministrisë kishte propozuar që mbështetja për PriFest të jetë 15 mijë euro.
“Pse dhe si kanë vendosur kështu, në bazë të cilave kritere, askush nuk e di, përkundër kërkesës me shkrim për sqarime. Dhe kjo mostër ishte përdorur për pothuaj të gjithë aplikuesit në konkurs”, ka thënë ai.
Drejtori i “PriFest-it” tha se ishte pikërisht Ministria e Kulturës që patë paralajmëruar se në qershor të këtij viti do të hap konkurs të dytë për projekte në organizimin e festivaleve, pro që një gjë të tillë nuk e ka bërë ende.
”Kjo nuk ka ndodhur dhe u vërtetua që ishte blof dhe improvizim i momentit nga MKRS, në tentim të menaxhimit të situatës së krijuar pas vendimeve skandaloze të fillimvitit, kur i shkurtuan fondet shumicës dërmuese të festivaleve dhe institucioneve te pavarura të kulturës”, ka thënë ai. Sipas Berishës, kabineti i Ministrit, gjithashtu ka ndryshuar kokë në vete vlerësimet e komisioneve për projektet qe i kishte emëruar vet.
“Tani, pas gjithë këtyre veprimeve të turpshme brenda vitit që po lemë pas, erdhi koha që MKRS të hap konkurs për vitin e ardhshëm. Dhe, nuk shoh qe diçka ka ndryshuar ne qëndrimet arrogante dhe mospërfillëse kundrejt kërkesave te pandërprera të artisteve dhe organizatoreve të eventeve kulturore të pavarura për publikim të kritereve për konkurs, dhe inkuadrim të komunitetit në komisionet vendimmarrëse”, ka thënë ai.
Madje, ka drojën se shumica dërmuese e institucioneve të pavarura të kulturës ka rrezik që mos të aplikojë fare, nëse ministri Shala nuk ndërron qasjen dhe nuk publikon kriteret e konkursit dhe emrat e komisioneve. Drejtori artistik i “PriFest-it” është skeptik se vitin që vjen mund të ndryshojë diçka për të mire për aq sa kohë MKRS-ja ka një qasje të tillë në raport me institucionet e pavarura të kulturës.
Jo vetëm Berisha që kritikon Ministrinë e Kulturës për shkurtim të buxhetit, por i pakënaqur me veprimet e ministrit Shala është edhe menaxheri i Festivalit “SKENA UP”, Vullnet Krasniqi. Ai ka thënë se pa asnjë arsyetimin Ministria e Kulturës ka zvogëluar buxhetin për Festivalin “SKENA UP” nga 15 mijë euro sa ishte vitin paraprak, në vetëm 4 mijë euro për sivjet.
Sipas tij, ky shkurtim i buxhetit është një sulm ndaj institucioneve të pavarura të kulturës, e sidomos ndaj studentëve, sikurse është Festivali “SKENA UP”. “Fakti që Ministria e Kulturës na ka shkurtuar pa asnjë arsyetim buxhetin duke na dhënë vetëm 4 mijë euro me të cilat nuk mund të bësh asgjë, kemi refuzuar si shenjë proteste dhe indinjate për këtë veprim kundër festivalit të studentëve. Me këto para festivali është gati i pamundur të mbahet”, ka thënë ai.
Krasniqi porosit Ministrin e Kulturës Kujtim Shala që të merr mësim nga vendimet e deritashme, të cilat kanë shkaktuar krizë kulturore në Kosovë, e posaçërisht në Prishtinë.
“Pas vendimit të ministrit, Prishtina si qytet i kulturës ka vdekur. Prandaj presim që vitin e ardhshëm, ministri Shala mos bëjë gabimin e njëjtë në ndarjen e buxhtetit ”, ka thënë menaxheri i festivalit “SKENA UP” Vullnet Krasniqi.
Ndërkaq, Besa Luzha, drejtoresh e “Chopin Festival” thotë se shkurtimi i buxhetit nga ministri Shala ka sjell në një situatë që shumë festivale jo vetëm që të përballen me problem serioze, por edhe të kenë të pamundur organizimin e tyre.
“P.sh Jazz Festivali, një festival shumë i mirë, që ka pasur të mbahet në nëntor është anuluar , por fat të njëjtë fatkeqësisht kanë pasur edhe shumë festivale tjera”, ka thënë ajo.
Sipas saj ishte fyese që Ministria e Kulturës kishte planifikuar t’i ndajë vetëm 2 mijë euro për organizimin e ‘Chopin PianoFEST”, prandaj edhe në shenjë revolte ka shtuar ajo, janë refuzuar mjetet e planifikuara nga Ministria.
“Të indinjuar, kemi refuzuar ato 2 mijë euro dhe ia kemi dalë disi edhe pa mjetet simbolike te Ministrisë”, ka thënë ajo. Luzha thotë se i është bërë kërkesë ministrit Shala që të merret më seriozisht me ngjarjet që janë bërë ikonë dhe që kanë përfaqësuar në mënyrë dinjitoze shtetin e Kosovës në skenën ndërkombëtare të kulturës.
Premtimet e Ministrisë së Kulturës, ka thënë ajo, për hapjen e një raundi të dytë të konkursit për organizimin e festivaleve s’ka qenë fare e planifikuar me vetë faktin që deri më tani nuk është hapur një raund i dytë i konkurrimit. Ndërkaq, edhe Drita Rudi thotë se është gjynah i madh që festivalet e mëdha dhe më traditë mos të kenë përkrahje financiare nga Ministria.
Por ,zyrtarë nga Ministria e Kulturës arsyetohen se ky dikaster qeveritar ka trashëguar borxh të madh gati prej 77 mijë euro, prandaj edhe e ka pasur të pamundur të ndajë buxhet më të madh për projektet kulturore. Ndue Ukaj, zyrtar për informim në MKRS ka thënë se ky dikaster qeveritar ka një kod buxhetor prej 805 mijë eurosh, më të cilin subvencionin fushën e kulturës. Në këtë kod, ka shtuar ai, hyjnë edhe subvencionet për festivale.
”Ne kemi trashëguar detyrime nga viti i kaluar, që lidhen me subvencionet në fushën e kulturës. Por, tash jemi në proces të vlerësimit dhe rishikimit të Rregullores për Subvencione dhe më pastaj do të punojmë që të saktësojmë shumën e fundit për shpalljen e dytë brenda muajit nëntor”, ka thënë Ukaj.