Ditë më parë kryeministri shqiptar Edvin Kristaq Rama iu kërkoi falje familejeve të At Zef Pllumit dhe Profesor Sami Repishtit, dy të torturuarve më të famshëm nga hetuesi Shyqyri Çoku. Por lisa e të torturuarve nga ky hetues famëkeq është e gjatë, ajo përmban të paktën 92 emra që iu përkasin njerëzve të pafajshëm, viktima të mizorisë komuniste dhe xhelatëve si Shyqyri Çoku:
Për Shyqyri Çokun publiku nuk kishte dëgjuar ndonjëherë më parë më shumë sesa këto ditë. Ai rezulton të ketë qenë një prej hetuesve më aktivë të diktaturës në veri të vendit. U bë i njohur në opinionin publik pas daljes në dritë të faktit se qeveria shqiptare e dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes” si veteran të Kategorisë së Parë me rastin e 70 –vjetorit të Çlirimit.
Rama, kërkoi falje dje në Shkodër, por nuk tha nëse do t’i hiqej dekorata hetuesit dhe torturuesit të At Zef Pllumit, Sami Repishtit e dhjetëra të tjerëve. Për më tepër fajësoi Berishën që si president i kishte dhënë atij statusin e veteranit të Kategorisë së Parë.
Edhe pse kërkoi falje, ai nuk mori asnjë përgjegjësi për aktin.
Po kush është Shyqyri Çoku, hetuesi që e shpie debatin politik edhe një herë në pjesët e errëta ta diktaturës komuniste?
Sipas gazetarit Aristir Lumezi, të gazetës Panorama, ai ka hetuar dhe torturuar 92 të dënuar, kryesisht politikë (më poshtë lista e plotë). “Çoku, i cili e ka mbyllur karrierën e tij si oficer i lartë i Sigurimit në vitin 1990, ka qenë hetues në çështje të rëndësishme, kryesisht në Veri të vendit, me përfaqësues të lartë të kishës katolike. Ndër më të spikaturit mbeten At Zef Pllumi, por edhe imzot Ernest Çoba, Ipeshkëv i dioqezës së Shkodrës, apo meshtarin Marin Shkurti dhe vëllain e tij, Ndrekë Shkurti, po ashtu edhe Dom Lec Sahatçinë. Ata që kanë vuajtur nga torturat e Çokut dhe proceset e improvizuara politike të tij, tregojnë se ai ishte një njeri që donte të përmbushte misionin e luftës ndaj klerit, duke përpiluar deklarata dhe fakte të paqena në dosjet e tyre”.
Hetuesi Çoku ka përdorur deklarimet e At Zef Pllumit rreth fjalimeve të Enver Hoxhës për ekzistencën e lirisë së fesë dhe besimit në Shqipëri, si akuza për t’i ngritur atij një proces tërësisht politik kundër regjimit komunist e për ta dënuar me 25 vjet burg.
Torturat dhe përndjekjet e Shyqyri Çokut i ka provuar edhe publicisti dhe historiani Sami Repishti, i cili pati një reagim të ashpër pas lajmit se “xhelati” i tij ishte dekoruar, duke kërkuar edhe dorëheqjen e Ministres së Mbrojtjes.
Reagim të ashpër pati edhe në media. Por këtë “faj”, falja e kërkuar nga Rama e la pa autor. Pas gjithë kësaj zhurme dhe drejtimit të gishtit nga vetë të persekutuarit nga Çoku drejt qeverisë, kryeministri e hoqi përgjegjësinë nga vetja dhe e degdisi në vitin 1994, ndonëse dekorimet janë akte nominale dhe jo kolektive. Pasi, Shyqyri Çoku nuk u dekorua si anëtar i ndonjë çete, por si person me kontribute të veçanta në çlirimin e Atdheut.