2015-12-20

“Uragani” Special


Lavdim Hamidi & Selvije Bajrami


Shumë dëshmitarë të mbrojtur, bashkë me familjarë të tyre, tashmë janë vendosur në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, të cilët pritet të dëshmojnë gjatë muajve në vijim kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas funksionalizimit të Gjykatës Speciale.

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se bëhet fjalë për dëshmitarë shumë të rëndësishëm, të cilët kryesisht kanë qenë ish-eprorë të UÇK-së dhe që kanë pranuar të dëshmojnë në proceset gjyqësore të Gjykatës Speciale kundër ish-bashkëluftëtarëve të tyre.

“Disa ish-komandantë të lartë të UÇK-së po thuhet se së fundi janë larguar bashkë me familjarët e tyre nga Kosova. Po ashtu, disa të tjerë janë larguar gjatë valës së emigrimit të kosovarëve, duke u kamufluar kinse po ikin për shkaqe ekonomike, ndërsa në fakt janë dëshmitarë të mbrojtur të Gjykatës Speciale”, bën të ditur ky burim i gazetës “Zëri”, duke shtuar se krimet e supozuara që kanë ndodhur para më shumë se 16 vjetëve është vështirë të dokumentohen tashmë, pa dëshmitarë të rëndësishëm nga lufta e fundit.

Gjykata Speciale pritet të funksionalizohet gjatë vitit 2016 në Holandë, e cila do t’i trajtojë akuzat për krime lufte që burojnë nga Raporti i senatorit zviceran Dick Marty. Kjo Gjykatë do të funksionalizohet pas një marrëveshjeje që do të nënshkruhet ndërmjet Kosovës, Holandës dhe Bashkimit Evropian.

Edhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës që ka zhvilluar më 2 dhjetor në Prishtinë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i kryejë të gjitha obligimet e saj për themelimin e Gjykatës Speciale.

Ardian Arifaj në krye të delegacionit për bisedime me Holandën

Zyrtarë të lartë në Qeverinë e Kosovës, të cilët nuk kanë pranuar të flasin me emër për gazetën “Zëri”, pranojnë se kanë dëgjuar që disa dëshmitarë të kësaj Gjykate tashmë janë sistemuar në vende të sigurta në Bashkimin Evropian, por, siç thonë ata, nuk e dinë se kush mund të jenë këta dëshmitarë.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, i vetmi obligim për palën kosovare në këtë drejtim është që të përfundojë bisedimet me qëllim që të ratifikohet marrëveshja me Holandën, si shtet pritës. Në Ministrinë e Jashtme të Kosovës është formuar një delegacion për bisedime me shtetin e Holandës, të cilin e udhëheq Ardian Arifaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

Gazeta “Zëri” prej 1 dhjetorit i ka pritur përgjigjet me shkrim nga Arifaj në lidhje me bisedimet me shtetin pritës (Holandën) për Gjykatën Speciale. Arifaj është pyetur se kush është pjesë e këtij delegacioni kosovar, sa takime janë zhvilluar deri më tani, mirëpo ai nuk është përgjigjur, pavarësisht premtimeve se pas vizitës së shefit të diplomacisë amerikane në Kosovë do t’i kthente përgjigje gazetës.

“Pasi të arrihet marrëveshja me Holandën, Kosova nuk do të ketë kurrfarë obligimi e as qasje në proceset që do të zhvillohen në Gjykatën Speciale”, bën të ditur burimi i “Zërit”.

Por, sipas të njëjtave burime, pala kosovare është duke e neglizhuar arritjen e kësaj marrëveshjeje, gjë e cila po i irriton ndërkombëtarët, të cilët mësohet se po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës sa më shpejt ta nënshkruajnë marrëveshjen, në të kundërtën vendi do të përballet me konsekuenca të jashtëzakonshme në raport me Bashkimin Evropian.

Sousa: Task-Forca Speciale po zhvillon hetimet

Joao Sousa, zëdhënës i Task-forcës speciale për hetimin e pretendimeve të Dick Marty-t, konfirmon për gazetën “Zëri” se janë duke zhvilluar hetimet.
“Hetimet janë duke u zhvilluar dhe ne do të vazhdojmë t’i fuqizojmë rastet tona, në mënyrë që të kalojmë deri në nivelin tjetër, derisa të themelohen dhe funksionalizohen Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special. Do të ishte e papërshtatshme nga ana jonë që të komentojmë më shumë në këtë drejtim”, shprehet Sousa.

As zëdhënësja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Dragana Nikoliq Solomon, nuk dëshiron të komentojë, siç thotë ajo, për çdo çështje që lidhet me sigurinë dhe mbrojtjen e dëshmitarëve.

Zivalj: Kosova ta ratifikojë marrëveshjen me shtetin pritës

Në anën tjetër, Dinka Zivalj, zëdhënëse e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë për gazetën “Zëri” se që nga miratimi i Ligjit për Dhomat e Veçanta dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Kuvendin e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, BE-ja ka vazhduar që të ofrojë ndihmën e saj në procesin e krijimit të Dhomave të Veçanta. Sipas saj, ekipi përgjegjës për themelimin e këtyre dhomave ka vazhduar punën përgatitore, në mënyrë që ta lehtësojë procesin, ngase, siç thotë ajo, të gjitha kushtet ligjore janë plotësuar për themelimin e Dhomave të Veçanta dhe Zyrën e Prokurorit të specializuar.

Zivalj sqaron se hapat e ardhshëm janë finalizimi i marrëveshjeve mes shtetin pritës Holandën dhe Kosovës.

“Palët e të dyja vendeve duhet të kontaktojnë në mënyrë që të ketë më shumë informacione rreth kësaj çështjeje. Një hap tjetër i rëndësishëm është edhe përfundimi i negociatave rreth vendndodhjes dhe objekteve të cilat do të jenë mirë të avancuara, por që ende janë në vazhdim e sipër”.

Pasi që çështjet e sipërpërmendura të jenë zgjidhur, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, thotë se do të jetë e mundur që të lëvizet drejt hapave përfundimtar në themelimin e Dhomave të Veçanta dhe të bëhet rekrutimi i gjyqtarëve dhe stafit tjetër mbështetës të Gjykatës.

“BE-ja mbetet plotësisht e angazhuar që sa më shpejt të jetë e mundur të finalizohen elementet e nevojshme, ndërsa inkurajon institucionet e Kosovës që sa më shpejt ta përfundojnë dhe ta ratifikojnë marrëveshjen me shtetin pritës”, thekson ajo.

Haki Abazi, drejtor për Ballkanin Perëndimor në “Rockefeller Brothers Fund”, thotë për “Zërin” se gjatë vitit 2016 pritet të funksionalizohet Gjykata Speciale, me ç’rast edhe do të ngrihen aktakuzat e para bazuar në raportin e senatorit Marty.

Megjithatë, sipas tij, sfida kryesore, bazuar edhe në të kaluarën, do të jetë mbrojtja e dëshmitarëve.

Ai shton se sa më shumë që të zvarritet funksionalizimi i Gjykatës, mundësia për ta ndarë luftën e drejtë prej veprimeve individuale gjatë periudhës së luftës do të jetë shumë e vështirë.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...