Nga Msc. Albert Habazaj & Halil Bregasi
Aftësia
dhe mirësia veprojnë; nuk duken, nuk mburren. Përballë, në
trajtë “L-je” me teatrin “Petro Marko” të qytetit të Vlorës, në krahë të “Bar Pascucci caffè”, në katin e
parë të një pallati ndodhet një objekt shëndetësor, i cili, parë nga jashtë, duket
më se i thjeshtë. Sa futesh brenda -tjetër botë. Vëren: qetësi absolute, mirësjellje
qytetare, shërbim cilësor e të kulturuar dhe buzagazin e pahequr njerëzor nga
zonja, tek e cila drejtohet çdo qytetar që ka shqetësime shikimi, që ka
probleme me sytë dhe ka nevojë për vizitë, për të bërë syze për normalitetin e
mundshmë të shqisave të të parit. Mjedisi i pranimit në “Optika Albrus” është përherë
plotë. Atje shërben me humanizëm ideal dhe profesionalizëm shembullor dr.
Edmond Isufaj. Në fakt, shkak i këtij shkrimi u bë problemi që kisha unë me
shikimin. Nga puna e përditshme në kompjuter për përshkrimin bibliografik që bëj
në Bibliotekë, nga shkrimet dhe puna me librin, kam kohë që e kam ndier shqetësimin
e syve. Kam bërë dhe syze dy herë; herë e parë në Vlorë, para nja 6 vitesh dhe
herën e dytë në Tiranë, para 3 vjetësh. Nuk ndihesha ashtu siç mendoja dhe dëshiroja.
Para një muaji, për dreq a për fat, (si reflektim vetiak), duke dalë nga puna,
shkallëve, me syzet në dorë, padashje, më ranë të uruarat nga duart dhe njëri
xham u thye në dy pjesë. U mërzita. Bleva përkohësisht një palë nga ato
“3500-çet” tek “Kapelja”. S’ndihesha mirë, por më duheshin për punën. Rrogën
s’e kisha marrë akoma… Një mbasdite takohem me mikun tim të mirë e fisnik Halil
Bregasi, një intelektual dhe krijues i respektuar me origjinë nga Cakrani. Ia
them shqetësimin, kronologjikisht, qysh nga fillimet deri tek ai çast që po
pinim nga një kafe e nga një teke raki tek “Kësulkuqja” në Skelë. Qeshi pastër
dhe me atë mirësinë e tij të pashfaqshme më tha: “Do ta zgjidh unë këtë çështje,
po më dëgjove”. “Ore, xha Halil, po pikërisht kësaj i thonë: do qorri
sy…”. Pa u zgjatur më tej, në hollësira
të panevojshme, një buzëmbrëmje, miku im i urtë Halil më çoi tek doktor Mondi,
që veç emrin ia kisha dëgjuar për zotësi e shërbim cilësor ndër miqtë e mi, por
as e kisha parë e as kisha biseduar kurrë me të. Në paradhomë kishte shumë njerëz.
Kuptohet që prita. Më erdhi radha. U futa brenda. Sinqerisht, u gjenda në një
botë tjetër. Bukurisht përrallore. M’u duk vetja si në ato mjediset spitalore
alsolutisht të pastra të qytetit të L‘Aquilës në Abruzzo, model në tërë Italinë
(ku kam jetuar dhe punuar 5 vjet). Doktori, me
mirësjelljen dhe bukurkomunikimin e tij me mua, më krijoi përshtypjen
sikur kushedi që kur njihesha me të. Më bëri një vizitë të hollësishme, të plotë
dhe, mbas konsultës me shumë dashamirësi, foli me stafin e tij, që përbëhet nga
një zonjë e nderuar, e cila feks që tej qytetari e punon tek pranimi dhe një
zotëri i papërtuar, që realizonte dërgesat në klinikë. Siç mora vesh më vonë,
ajo zonja qytetare tek pranimi quhet Elona, me origjinë nga Burreli, por rritur
në Tiranë, e cila ka kryer Shkollën e Lartë të Infermierisë. Është gruaja e
doktor Mondit ajo. Kanë dhe një fëmijë si gonxhe, një çupkëz të ëmbël, plot shëndet
të bukur. Mund të flas vetëm në përgjithësi për pajisjet moderne të klinikës së
tij, aparatura të fjalës së fundit, si i thonë. Ç’ta zgjas. Të nesërmen mora
syzet. I vura. Hodha sytë tej, në horizont. Shqiponjë. Ku paskam qenë! Më
erdhën sytë. Ndihem e punoj sikur të jem 30 vjeç. S’mund të flas me gjuhë
profesionale, se s’jam i fushës e gaboj. Por, një fjalë me zë të fortë e të
qartë do ta shprehë të marrë jehonë: DOKTOR MONDI, FALEMINDERIT DHE MIRËNJOHJE!
Po kush është ky njeri i
mirë, që, për pak kohë, ka rrëmbyer zemrat e vlonjatëve dhe të qytetarëve që
kanë hall, ardhur nga krahinat përrreth, deri dhe nga Fieri, Mallakastra,
Tepelena, Gjirokastra, Delvina, Saranda, apo dhe nga Lushnja, Berati a Përmeti
e gjetiu?! Edmond Isufaj është oftalmo-kirurg, dhe, përpos të tjerave, ka
gradën “Kandidat i Shkencave Mjekësore” i Akademisë Ruse të Shkencave, Anëtar i
Shoqatës së Kirurgëve Kataraktalë e Refraktare Europianë, Anëtar i Shoqatës së
Kirurgëve Kataraktalë e Refraktare të SHBA. Në CV - inë e tij shënohen 22
diploma e medalje. Nuk kemi përse të druhemi, por as të tejmburremi, veçse, me
gjithë thjeshtësinë e tij gati hyjnore, mund ta mbajmë shqiptarisht ballin lart
me atë djalë dhe të shprehemi me dinjitet: Dr. Edmond Isufaj është një
shkencëtar i ri i fushës i kalibrit europian dhe botëror.
Jetëshkrimi
i doktorit. Është i pasur e vital jetëshkrimi i dr.
Mondit e na bën të ndihemi krenar me të, sikur ta kishim gjakun tonë, vëllain
tonë. Dr. Edmond Ferro Isufaj u lind në një familje atdhetare dhe arsimdashëse
të fshatit Ngraçan, komuna e Ballshit, fshat me emra të mëdhenj në të kaluarën
e largët e më vonë, përfshi këtu figura të arsimit, mjekësisë, artit skenik,
etj. Ai u rrit dhe u edukua në një ambient familjar ku dashuria për arsimin
manifestohej edhe nëpërmjet xhaxhait të tij, “Mësuesit të Merituar” Qemal
Isufaj, një nga arsimtarët e parë mallakastriotë të Pasçlirmit të vendit nga
pushtuesit nazi - fashist. Dhe ishte normale që në vazhdim të kësaj tradite, të
dalin vazhdimisht njerëz të shkolluar, midis të cilëve shkëlqeu edhe Edmondi.
Ai pasi përfundoi shkollën e ciklit 8 - vjeҫar në vendlindje, kreu arsimin e
mesëm në shkollën “Dervish Hekali”, Ballsh, të cilën e filloi dhe e përfundoi
me rezultate të shkëlqyera. Në këto kushte, atij i lindte e drejta të kërkonte
për të vazhduar arsimin e lartë. Si shumë të rinj të moshës së vet, edhe ai
ëndërronte që të arsimohej jashtë vendit për mjekësi. Dëshira iu plotësua duke
iu dhënë e drejta e studimit, në vitin 1998, për në Universitetin Mjekësor “Miqësia
e Popujve” të Moskës (Rusi). Kështu ai, bashkë me Fakultetin Përgatitor të
Gjuhës Ruse, për shtatë vjet përfundoi studimet universitare për mjekësi të
përgjithshme në vitin 2005. Ai shkëlqeu në çdo vit studimor e në të gjitha
drejtimet duke e përfunduar Universitetin në Rusi edhe me fitimin e trofeut “Diplomë e artë”. Gjithashtu, midis
mijëra studentëve vendas e të huaj në Moskë, Edmond Isufaj arriti të zërë vendin e tretë në atë Universitet jashtëzakonisht
shumë prestigjioz. Po kështu është vlerësuar edhe me “Diplomë nderi”. Një
studenti të tillë i hapen të gjitha rrugët e përzgjedhjes së specialitetit. Dhe
djaloshi shqiptar, duke kujtuar betimin që bëhet shpesh në Mallakastër: “Për
sytë e ballit”, vendosi të specializohet për Okulistikë nga viti 2005 deri në
vitin 2007. Më vonë, ai duke punuar, iu fut studimeve për marrjen e gradës
shkencore dhe, në vitin 2010, ai mbrojti temën: “Korigjimi me lente
intraokulare i afakisë në rastet e pamjaftueshmërisë së zonulës ciliare dhe dëmtimit
të kapsulës së lentes kristaline”, për të cilën u vlerësua me gradën shkencore:
“Kandidat i Shkencave Mjekësore” i Akademisë Ruse të Shkencave (ekuivalent me
gradën “Doktor i shkencave” në vendin tonë). Gjatë viteve 2006 - 2011 ka qenë Aspirant e asistent katedre në spitalin
Skhodnya. Për rreth gjashtë muaj ka punuar në klinikën “Uzllova”, Tiranë ku
ishte dhe antar i bordit drejtues. Ka
botuar mbi 30 punime shkencore në revista prestigjioze të oftalmologjisë në
Rusi, Evropë e Amerikë. Disa nga këto punime janë referuar edhe në takimet e
përvitshme të Shoqatës Evropiane të Kirurgëve Kataraktal dhe Refraktar, ku kanë
ngjallur interes në rrethet e oftalmologëve. Disa punime janë paraqitur si
daklade ose postera në konferenca apo kongrese ndërkombëtare si: Moskë 2007,
2008, 2009, 2010; Stokholm: 2007; Hong Kong: 2008; Barcelonë: 2008; Boston:
2009; Paris: 2010. Siç dhe e shkruam
në fillim, është Antar i Shoqatës Kataraktale e Refraktare Evropiane dhe i
Shoqatës Kataraktale e Refraktare Amerikane. Eshtë i paisur me patentë e
Federatës Ruse (së bashku me një grup autorësh) - një lloj i ri drenazhi bashkë
me mënyrën e implantimit të tij në kirurgjinë e glaukomës. Pak e njohin Dr. Mondin
në aspektin e shkollimit dhe të arritjeve të tij kërkimore-shkencore, por i
shkojnë shumë për t`u vizituar e për t’i kërkuar ndihmë në përmirësimin e
shikimit, aq sa duhet të presësh edhe javë që të arrish të realizosh kërkesën
tënde. Shprehja “mirënjohje”
përdoret shumë si vlerësim i veprimtarisë së një njeriu, i cili bën punë në
interes të komunitetit, e sidomos në drejtim të shëndetit të njeriut, por për
personazhin e këtij shkrimi, kjo fjalë është pak, shumë pak. Por, përsëri atë
fjalë dua ta kumboj me zë të fortë e të qartë, se del nga shpirti e dua
anembanë botës qytetare të marrë jehonë: DOKTOR MONDI, FALEMINDERIT DHE
MIRËNJOHJE!
Vlorë, e hënë, 16. 05.
2016