2016-05-16

Vepra në pavarësi nga artisti

Vepra në pavarësi nga artisti

Prof.Dr.Ilir Muharremi

Autori i veprës është njeri me gjak e shpirt dhe vepra lind nga ai, por në pavarësi të plot shikohet tani nga vetë autori dhe nga kjo na del se vepra tashmë është vetë autori dhe e pavarur prej tij. “Vepra lind nga artisi në një mënyrë misterioze, enigmatike. E shkëputur prej tij, ajo fiton jetë të pavarur”, shkruan artisti Vasili Kandinski. Vepra është vetë personalitet, i vetëmbrojtur sepse përbëhet nga puhiza spirituale që kalon në jetën materiale, bëhet qenie, frymon në vetvete. Mund të jetë lindje rastësore, por jo e parëndësishme siç do të mbetej indiferente në jetën shpirtërore (pa u materializuar), në momentin e materializmit ajo posedon forca aktive dhe është e gjallë (kuptohet me akumulim spiritual.) Ka të drejtë Nietzsche kur kërkon nga shkrimtarët të shkruajnë me gjakun e tyre. “Shkruaj me gjak, dhe do të mësosh se gjaku është shpirt”, thoshte ai. Me gjak shkruan: Tolstoji, Dostojevski, Pushkini, Kamy, Hemingueji, Shekspiri, vetë Nietzsche, kurse me gjak pikturuan: Da Vinçi, Rafaeli, Rembrandi, Van Gohu, Dali etj. Këta që shkruan me gjak u mësuan dhe mësohen përmendsh. Ata e njohën lexuesin dhe bënë shumë për lexuesin. Ata e kuptuan që shpirti është para Zotit, pastaj kaloj te njeriu dhe tani me këta shkrimtarë të sotëm u bë mediokër. Shkrimet e mëdha janë nga ajri i rrallë, shpirti i artisti është plotë dhembje, ligësi të hershme, këtë Nietzsche e identifikon si diçka gazmore ngaqë të gjitha shkojnë mirë njëra me tjetrën.
Nëse e marrim veprën si diçka të brendshme, duhet vendosur nëse vepra është e mirë apo e keqe. “Nëse ajo është e keqe në formë, apo shumë e brishtë, kjo ndodh sepse kjo formë e përdorur është e keqe dhe shumë e brishtë”, thotë Kandinski. Shpirti posedon vibracione të pastra. Vetë Kandinski mohon saktësinë e formave në vepër dhe ndërtimin e ekuilibrit shkencor, ndërsa imazhi ndërtohet mirë kur ai arrin të jetoj me brendësinë e veprës. Kjo është e mundshme ndërmjet së mirës dhe së keqes të harmonizohet vetëm me të mirën. A mund të ketë vizatim të mirë pa prish jetën e brendshme? Asnjëherë nuk është saktësisht ajo e brendshmja kur distancohet në vepër. Vizatimi i brendshëm është pak në kontradiktë me jetën e jashtme, botanikën, anatominë. Mund të ndodh që jeta e jashtme (spontane), shtrembërohet në vepër. Qëllimi i artistit qe gjithnjë i prezantimit të brendshmes me pamje të së jashtmes. Vepra lind në pamje të jashtme. Në të njëjtën mënyrë duhet të përdor vargjet poeti, piktori ngjyrat jo nëse ekzistojnë në realitet, por nëse janë të nevojshme për botën, së pari artistin, pastaj shoqërinë. Artisti kur krijon ai përpunon, jo ashtu si e do natyra, por siç e ka qëllimi i tij. Atëherë, as shkenca e as kufizimet e saja nuk janë të nevojshme sa liria e pakufizuar e artistit për përzgjedhjen e mjeteve të tij. Bukur e thotë Kandinski: “Kjo nevojë është e drejta për një liri të pakufizuar, por ajo bëhet krim në momentin kur nuk mbështetet mbi këtë nevojë”. Artisti gjithnjë klithë për lirinë dhe kjo është drejtësia më e madhe nëse ndonjëherë i mohohet. Piktura është art natyrisht, jo me krijim boshllëku të përhumbur, por brenda qëllimeve, zhvillimeve dhe të lartësimit shpirtëror njerëzor. Nëse artistët nuk përdorin shpirtin, boshllëku nuk plotësohet dhe asnjë fuqi tjetër shkencore nuk mund ta pasurojë. Artistët siç u përmendën më lartë posedonin jetën shpirtërore tejet të fortë sepse arti bashkëvepron me shpirtin, vazhdimisht tenton absoluten, por edhe arritjen. Nëse shpirti fillon të materializohet, lihet pas dore dhe arti i këtij krijuesi nuk ekziston. Bëhet fjalë për art të pastër. Arti mund të mos ketë qëllim, atëherë jeton për vetveten, ose siç thotë Kandinski “Art për art”. Por kemi edhe artin nga goja e Nietzsches për të mos vdekur nga e vërteta. Të dytë takohen atëherë kur Nietzsche-ja pohon se arti është veçse art dhe asgjë tjetër. Arti dhe shpirti këtu jetojnë në gjumë sepse arti dhe shpirti janë në konflikt dhe harmoni derisa realja (botanika) në një pozicion tjetër porse zhvillimi ndodh kur dy të parat furnizohen nga e treta. Atëherë, asgjë nuk mund të përjashtojmë nga kjo botë. Jemi të tretur në një shpellë mes labirintit. Kemi edhe një revansh ndërmjet krijuesit dhe spektatorit të cilët duhet të komunikojnë me gjuhën e shpirtit. Ja që ndodh i dyti nuk e kupton të parin dhe ja kthen shpinën. Krejt vëmendja bie mbi kuptimin për të krijuar zhvillim dhe vazhdimësi. Publiku kërkon nga artisti imagjinatë të jashtme.
Artistët e drejtë (e them të sinqertë) duhet jenë të ndërgjegjshëm me vetveten dhe artin, duke ju nënshtruar superioritet, idealeve, ajrit të pastër, lartësive, gjithnjë qëllimet duhet të jenë të qarta. Kjo nganjëherë mund të tingëllojë e pakuptuar për publikun, dhe artisti siç qe Kandinski është në dobi të publikut. Këta janë artist popullor. Ndërsa, kemi artist filozof të thellë që krijojnë vetëm për veshë të zgjedhur. Këtu ngapak troket edhe shkenca. Ta lëmë mënjanë këtë. Nga edukata shpirtërore që merr artisti, talenti i tij (si diçka e jashtme tashmë) të ketë diç për të veshur. Artisti duhet shumë të thotë dhe nuk është qëllimi i veçimit të formave ose përsosja e tyre, por përshtatshmëria e saj në subjektin e veprës. Artisti është me mision dhe nga shpirti duhet ta eliminojë pasivitetin. Sa i përket lirisë së tij, ai në jetë nuk e ndjen, por vetëm në art, ngaqë mendimet, veprimet, ndjenjat, materialet zhvillojnë veprat.
O artist kërkoje shpirtin
Vepra nuk qe një krijim i pastër sepse vjen nga artisti dhe kërkohet një izolim i plotë për përhumbje të vetvetes. Rruga drejt vetes ndonëse kthjellë shpirtin por ka shumë dhimbje dhe hidhërim dhe duhet ta kërkosh o artist. Secili artist i sinqertë ka fuqinë ta bëjë këtë. Është rrotë që vetërrotullohet dhe pas kësaj rrote duhet të lakmojë shoqëria. Secili nga ju o artist, lakmon për majat, edhe Nietzsche kishte këso ambicie, sepse përveç krijimit, artisti mbanë përgjegjësinë për arritje dhe pushtim. Kjo dyshohet te krijuesit e mëdhenj. Ata ndërtojnë ligjin dhe e vendosin tabelën mbi kokën e tyre. Cili nuk do ta dëshironte një gjë të tillë? Të jetë xhelat i artit të tij. Sa më shumë i afrohesh vetvetes dhe gjykon vetveten, aq më tepër bëhesh tërheqës. A nuk e dëshiron këtë artist? Nëse vjen koha që do lodhesh nga vetja, do ulërish si Nietazsche-ja: “Jam vetëm”. Rreziku është të dëshpërohesh, veçse në këto momente nga etja e madhe për kopenë t’i prapë do të krijosh, por lartësinë nuk do ta shohësh. Krijuesi edhe nëse nuk e mendon ai tenton ta krijoj artin e tij mbi veten. Vepra kur lind përpiqet të jetë në tejkalim dhe kjo është ajo drejtësia që e ndjek. Andaj, o artist lakmoje atë që e deshi Nietzsche, krijimin mbi veten, mirëpo ai e dinte se së pari duhet të bëhet në veten e vet hi. Ndryshe vepra nuk mund të rilind. Por, nëse them krijim a mund të jetë krijim apo vetëm një vetë kuptim i shpirtit dhe artit, pastaj shndërrim në një lojë në mes vërtetës dhe artistikes? E vërteta qe vetëm në dukje dhe kjo është vepra në distancë me artistin. Aty radhitim jetën, sfidat, dhimbjet, dehjen dhe ekstazën.

No comments:

Post a Comment

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...