2016-05-21

Ramadan Avdiu: Prej vitit 1988-të, Kadri Veseli ishte pjesë aktive e aksioneve çlirimtare

Ramadan Avdiu
Ramadan Avdiu

Institucionet nuk kanë pasur as minimumin e komoditetit për punë. Përfshirja e disa komandantëve të njohur në agjendën e Vetëvendosjes, i trimëroj këta të fundit dhe i ashpërsuan metodat e kundërshtimit politik. Skenat e dhunës në parlament dhe ato kundër policisë dhe institucioneve shtetërore e kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës.
Me presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së njihet që 27 vjet dhe thotë se gjithnjë e kanë plotësuar shumë mirë njëri-tjetrin. Flet për Indeksonline, njëri prej themeluesve të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Avdiu, tash i angazhuar në diplomaci.
Indeksonline: Ju keni qenë ndër themeluesit dhe drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës. Edhe pse tanimë jeni shkëputur e jeni i angazhuar në diplomaci ju jeni politolog dhe njohjes i mirë i realitetit politik kosovar. Cilat janë përshtypjet tuaja mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe bojkotin e opozitës?
Ramadan Avdiu: Shikuar nga prizmi i një vështruesi të situatës, mund të them se përshtypjet i kam bukur të zymta. Praktikisht nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit të vitit 2014, institucionet e Republikës nuk kanë pasur as minimumin e komoditetit për punë. Kjo është reflektuar fuqishëm, si në të gjitha segmentet e funksionimit të shtetit, ashtu edhe në jetën e përditshme të qytetarit. Humbja e kohës rreth konsolidimit të institucioneve, pastaj tentimi për të ndërtuar koalicion dhe mosrealizimi i tij, kanë ndikuar që opozita të mos i përfillë qëndrimet e Qeverisë së koalicionit PDK-LDK.
Partitë opozitare tentuan të reagojnë të bashkuara. Duke pasur parasysh se agjenda opozitare kryesisht diktohej nga Lëvizja Vetëvendosje dhe në atë agjendë u futën edhe disa komandantë të njohur në luftën çlirimtare, drejtues dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje paksa më të trimëruar ashpërsuan metodat e kundërshtimit, madje duke përdorur dhunë kundër institucioneve publike, e duke mos kursyer edhe pronën private, radikalizuan skajshëm format e kundërshtimit të vendimeve të Qeverisë dhe paralizuan punën në Kuvend, rrjedhimisht edhe punën e Qeverisë. Jemi dëshmitarë se, gjatë kësaj periudhe sa pak ligje janë proceduar në Kuvend, sa pak vendime ka arritur të marrë Kuvendi.
Opozita për mendimin tim e ndikuar nga pjesëmarrja e qytetarëve në protesta ka rënë në grackë të mashtrimeve optike, duke menduar se kanë përkrahje absolute në objektivat e tyre, kundërshtimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe kundërshtimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo, këto dy çështje në fillim i shfrytëzojë si pretekste të kundërshtimit, por që gradualisht synojë t’i shndërrojnë në kauzë. Madje edhe rreth këtij preteksti që synohej të kthehej në kauzë, opozita nuk mundi të qëndrojë e bashkuar.
Indeksonline: Ku e shikoni daljen nga kjo krizë?
Ramadan Avdiu: Pas tërë asaj që ka ndodhur, partitë opozitare nuk arritën ta ruajnë homogjenitetin e tyre. Ato gradualisht po i kthehen normalitetit dhe për mendimin tim do të duhet të ndjekin rregullat e lojës së demokracisë që vetë i kanë pranuar. Ata kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe janë përfshirë në institucione. Synimet e tyre politike duhet t’i realizojnë përmes bindjes dhe ndikimit, si tek institucionet, ashtu edhe tek qytetarët. Mbase ky viti i fundit do të mbahet në mend si testi më i rëndë për demokracinë në Republikën e Kosovës. Tashmë është qartë për të gjithë se, synimi i disa partive politike që aktualisht janë në opozitë, është të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Por, dilema është se çka nëse sërish i humbin zgjedhjet dhe sërish mbesin opozitë? A do të ndryshojnë qasjen karshi institucioneve dhe atyre partive që do të krijojnë koalicion? Janë krijuar precedente jo të mira…
Mendoj se si pozita, ashtu edhe opozita, duhet të fokusohen në problemet e përditshmërisë në vend, sepse vetëm duke i trajtuar dhe zgjidhur ato mund të synojmë zgjidhjen e problemeve më të mëdha, si zhvillimin ekonomik dhe integrimin e shtetit të Kosovës në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Indeksonline: Shikuar prej së largu nga këndvështrimi i diplomatit, çfarë kostoje ka pasur kjo krizë politike në Kosovë për sa i përket imazhit dhe sfidave ndërkombëtare që ka Kosova?
Ramadan Avdiu: Sa i përket imazhit, kostoja nga kriza në fjalë nuk mund të llogaritet. Është shumë e lartë. Sidomos skenat e dhunës në parlament, ato kundër policisë dhe institucioneve shtetërore e kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës. Edhe fakti se në Kosovë shumë më shumë flitet se sa realisht luftohet korrupsioni ka bërë që të krijohet perceptimi se në Kosovë ka shkallë të lartë korrupsioni. Kjo edhe është përdorur në maksimum nga kundërshtarët e shtetit tonë, për të proklamuar atë tezën e njohur të tyre se kosovarët nuk mund të mbajnë shtet. Përkundër kësaj, Kosova ka arritur disa suksese, si nënshkrimi i marrëveshjes me BE për Stabilizim-Asociim, rekomandimi nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA dhe të tjera. Megjithatë, pas skenave të manifestuara në parlament dhe në rrugët e Prishtinës, imazhi i Kosovës në botë është cenuar rëndë.
Indeksonline: Si mund të riparohet dëmi i shkaktuar?
Ramadan Avdiu: Dëmi i shkaktuar mund të riparohet vetëm me punë. Ne para botës duhet të promovojmë vlerat tona të mirëfillta, kulturore, kombëtare, shtetërore, etike, humane sportive, politike, demokratike e evropiane. Shoqëria jonë ka shumë vlera që i mbajmë vetëm për vete. Bota është duke na parë më shumë ashtu siç realisht nuk jemi. Bota deri tash na njeh sipërfaqësisht. Duhet të na njoh më mirë. Ne nuk jemi ngatërrestarë, nuk jemi të dhunshëm, jemi shembull për bashkëjetesë dhe tolerancë ndërkonfeksionale dhe ndëretnike, njësoj duhet të kemi tolerancë dhe respektim të diversitetit politik në mes të subjekteve politike. Nuk predikojmë radikalizëm fetar, jemi shtet sekular dhe shoqëri me civilizim të lashtë, me një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore, por që një pjesë e konsiderueshme e saj na është tjetërsuar. Ne duhet ta promovojmë identitetin tonë, evropian, kombëtar e shtetëror dhe për këtë duhet angazhim edhe i pozitës, edhe i opozitës.
Për të dinamizuar zhvillimin ekonomik, zbutjen e papunësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nevojitet angazhim edhe i pozitës, edhe i opozitës.
Por, edhe për të dëshmuar se perceptimi për dukuritë negative është shumë më i madh se sa realisht ato janë të pranishme në shoqërinë tonë, duhet angazhim i të gjithëve. E jo siç po ndodhë, që për qëllime më shumë politike, shumica e akterëve e kualifikojnë njëri-tjetrin si të korruptuar ose të inkriminuar. Kjo për mendimin tim është bukur irracionale dhe po na jep hije të keqe si shoqëri dhe si shtet në botë. Ka kohë që ne e kemi shpërqendruar vëmendjen dhe ne vend se të angazhohemi të gjithë për të dëshmuar se në Kosovë ka ndodhur gjenocid i ushtruar nga ana e pushtuesve serbë kundër popullit shqiptar, në vend se të ndriçojmë luftën heroike të popullit tonë për çlirim, më shumë flasim për inkriminimin e saj. Kjo është absurditeti më i madh që po ndodh në shoqërinë tonë. Vlerën më të madhe që e kemi krijuar si popull, UÇK-në dhe luftën çlirimtare po e zvetënojmë më së shumti vetë ne, për shkak të meskiniteteve politike. A nuk është absurde kur heroi kualifikohet si antihero, çlirimtari si kriminel… Duhet të rikthejmë sistemin e vlerave, i cili është përmbysur. Në këtë drejtim duhet të angazhohet pozita e opozita, por edhe institucionet shkencore, shoqëria civile dhe mediat të cilat edhe nuk mund të amnistohen për situatën e krijuar në vend.
Indeksonline: Çfarë mendoni për zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike të Kosovës?
Ramadan Avdiu: Sikurse shumica e partive politike jo vetëm në Kosovë, por në tërë regjionin e Evropës Juglindore, edhe PDK-ja identifikohet më së shumti me liderin. Pas zgjedhjes së ish-kryetarit të PDK, Hashim Thaçit, president i vendit, si dhe largimit të tij nga kreu i PDK-së, natyrisht se është pritur zgjedhja e kryetarit të ri të PDK-së.
Siç e kemi parë, zgjedhja e kryetarit të ri të PDK-së ka shkuar qetë dhe nuk është manifestuar ndonjë tendencë fragmentimi apo mospajtimi me rrjedhën e ngjarjeve brenda partisë, madje nuk ka pasur as kandidatë të interesuar që të kandidojnë për kryetar. Unë kam pritur se do të jenë disa kandidatë dhe zgjedhja të bëhej përmes votës së fshehtë. Por, meqë ishte vetëm një kandidat, delegatët në Konventën e PDK-së janë përcaktuar që zgjedhja të bëhej me aklamacion. Pra, përgjithësisht, zhvillimet në PDK janë normale dhe brenda rregullave të kornizuara në statutin e partisë.
Indeksonline: Si do të ndikojë largimi i presidentit Thaçi dhe zëvendësimi i tij nga Kadri Veseli në konventën e PDK-së?
Ramadan Avdiu: E ceka edhe më herët se partitë politike tek ne identifikohen me liderin. Ish-lideri, Hashim Thaçi, ka qenë sinonim i PDK-së. Natyrisht që një kohë, edhe anëtarësia dhe mbështetësit e PDK-së do të vazhdojnë që presidentin ta shohin si lider, jo vetëm shtetëror, por edhe partiak. Aq sa kam mundur të vërej edhe kryetari i sapozgjedhur i PDK-së është pritur me entuziazëm nga anëtarët, mbështetësit dhe elektorati i PDK-së. Konsideroj se nuk do të ketë turbulenca të brendshme dhe kryetari i ri do ta dinamizojë aktivitetin e strukturave të PDK-së në terren. Shumë do të varet nga ekipi operativ që do të merret me aspektin organizativ dhe ristrukturimin e partisë. PDK është parti e organizuar mirë dhe me elektorat mjaft stabil. Pavarësisht se ka tri legjislatura që është parti në pushtet, ajo edhe në zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato të parakohshme apo të rregullta, për mendimin tim mbetet favoritja kryesore.
Indeksonline: Ju jeni ndër drejtuesit kryesor dhe më të hershëm të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Kur jeni njohur për herë të me Kadri Veselin?
Ramadan Avdiu: Me Kadri Veseli për herë të parë jam njohur në vitin 1989. Më saktësisht, më 29 mars 1989 i kam takuar për herë të parë Kadri Veselin dhe presidentin e tashëm, Hashim Thaçin. Atëbotë kanë qenë studentë të vitit të dytë dhe kanë ndarë të njëjtën banesë në Prishtinë. Dy muaj më herët, unë isha liruar nga burgu. Presidentin Thaçi dhe Kadri Veselin i kam njohur përmes shokut tim të burgut, Sabit Veseli, i cili ishte familjar i z. Kadri Veseli. Më kujtohet se atë ditë e patëm shpërndarë një trakt dhe pas aksionit jemi takuar në shtëpinë ku banonin ata.
Indeksonline: Si është përfshirë Veseli në këtë lëvizje?
Ramadan Avdiu: Kadriu nga viti 1981 ka pasur anëtarë të familjes të arrestuar dhe të dënuar për veprimtari çlirimtare. Vëllai dhe djali i axhës së Kadriut kanë qenë të dënuar. Kjo ka ndikuar edhe në formimin e tij si i ri. Ai, pas lirimit nga burgu të Sabit Veselit, tash hero i Kosovës, gjithmonë ka qenë afër tij. Praktikisht, nga viti 1988, në të gjitha aksionet çlirimtare, demonstratat dhe manifestimet e tjera të protestës, por edhe në aksione të shpërndarjes së materialeve klandestine, Kadri Veseli ka qenë pjesëmarrës aktiv. Ishte ndër themeluesit e bërthamave të para të UÇK-së. Kontributi i tij gjatë luftës çlirimtare dhe pas saj, tashmë është i qartë, jo vetëm për opinionin tonë, por edhe më gjerë.
Indeksonline: Ju i keni njohur prej një kohe të gjatë nga afër, si Thaçin, ashtu edhe Veselin, ku mendoni se ngjajnë për nga karakteri dhe personaliteti, si dhe ku dallojnë?
Ramadan Avdiu: Si presidenti Thaçi, ashtu edhe kryetari i tashëm i PDK-së, Kadri Veseli, shquhen për karakter të fortë. Kanë shumë energji, vullnet për punë dhe angazhime për avancimin e proceseve. Si njëri, ashtu edhe tjetri, kur e nisin një punë dëshirojnë t’i shkojnë deri në fund. Si dy personalitete që në një kontekst historik kanë pasur përgjegjësi të mëdha janë treguar shumë komplementarë. Për mrekulli e kanë plotësuar njëri-tjetrin. Besoj se sërish do të mund të funksionojnë shumë mirë si bartës të institucioneve më të rëndësishme të vendit. Për një nuance mund të dallojnë në temperament, njëri është paksa më temperament se tjetri.
Indeksonline: Cilat mendoni se janë sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet sot Partia Demokratike e Kosovës dhe si mendoni se mund të përballen më së miri këto sfida?
Ramadan Avdiu: Partia Demokratike e Kosovës e ka provuar edhe opozitën, edhe pozitën. Ka pasur koalicione të mëdha PDK-LDK, por edhe koalicione më të vogla PDK-AKR dhe partitë e tjera minoritare. Pra, ka kaluar nëpër procese të ndryshme dhe ka krijuar një eksperiencë të mirë. Duke qenë se kohë të gjatë është në pushtet dhe mbanë pushtet në nivelin lokal në shumë komuna, sfidë për të do të jetë ruajtja e pozitave që aktualisht ka në shoqëri dhe menaxhimi i pakënaqësive, sepse në shoqërinë tonë, jo vetëm tek PDK-ja, por tek të gjitha partitë nganjëherë aktivistët partiakë presin dhe çdo ditë e më shumë kërkojnë zgjidhjen e problemeve individuale. Sfidë tjetër mendoj se do të jetë edhe absorbimi i kuadrove të reja, si dhe familjarizimi i anëtarësisë me programin e PDK-së, e me aq sa kam parë nga objektivat e kryetarit Veseli, ai më së shumti do të përqendrohet tek realizimi i programit ekonomik për zhvillimin e vendit. Konsideroj se PDK nuk e ka të vështirë të përballet me sfidat që theksova, sepse në strukturat dhe lidershipin e saj nuk ka ndryshuar asgjë, pos legjitimimit të kryetarit të partisë, i cili paraprakisht kishte filluar të akceptohet si lideri i ri i PDK-së
- See more at: http://lajmi.net/avdiu-prej-vitit-1988-te-kadri-veseli-ishte-pjese-aktive-e-aksioneve-clirimtare/#sthash.6sgXiRV9.dpuf

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...