Nga: Prof. dr. Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
Libri më i fundit i autorit Flori Bruqi, me titull “Nëse kam ditur të guxoj”, është një tjetër dhuratë e çmuar që ai i bën masës së gjerë të lexuesve, në kuadrin e korpusit të veprave të tij të begata, duke filluar që nga ato artistike, deri te veprat shkencore, kritike dhe publicistike. Libri hapet me një shënim kritik të poetit, shkrimtarit dhe publicistit të talentuar Naim Kelmendi, i cili është edhe redaktor i tij. Paskëtaj vazhdon një cikël poetik i autorit që shërben si “tahta mbi kadife”, apo, thënë ndryshe, “si qershi mbi bakllava”.
Krijimtaria poetike e Flori Bruqit, sipas këndvështrimit tim, përfaqëson gulshet e shpirtit të një krijuesi thellësish lirik që për asnjë çast nuk gjen qetësi. Është bota e një krijuesi me frymëzim të hyjnishëm, i cili, në qendër të universit të vet poetik, ka vendosur njeriun shqiptar. Përmes plazmimit të karakterit shqiptar, del në pah individualiteti i tij i papërsëritshëm. Krijimtaria e Florit është edhe rezultat, edhe proces. Rezultati duket në çdo sekondë të shfaqjes së tij në vargun poetik, kurse procesi vihet re në shpalosjen e botës së tij të brendshme, si shëmbëllesë fort e virtytshme. Pikërisht kështu vjen e ravijëzohet para lexuesit teknologjia e plazmimit të shpirtit poetik të Florit, madje edhe kur trajton një problem të karakterit shkencor apo publicistik. Ky plazmim ka kaluar përmes mohimit të gjithçkaje të dëmshme që mund ta infektonte në kushtet e një mjedisi amtar, por që ligjin në të e bënte një pushtues i huaj. Në një mjedis të tillë madje rreziku i infektimit shpirtëror bëhej më kërcënues prej bashkatdhetarit që qe vënë në shërbim të të huajit. Pikërisht në këto kushte Flori i është kthyer vetvetes, për të dëgjuar tërë sy e vesh mendimet, ndjenjat dhe dëshirat e veta.
Me një çiltërsi befasuese, Flori krijon në vargjet e veta një botë psikologjike dhe intelektuale të njeriut në të përpjetat dhe në tatëpjetat e jetës së përditshme.
Në poezinë me titull “Ç’rëndësi kishte e ka gjithçka?!” lexojme këto vargje:
Është tre pasdite,
gjithçka kundërmon vdekje…
E di, është e kotë të kthehem në shtëpi,
të shkruaj dhjetë apo tridhjetë e pesë rreshta,
Ç’rëndësi ka?!
Nga këto vargje, herë-herë të krijohet përshtypja se Florin e ka kapluar një ndjenjë pesimizmi të pashpresë, a thua se ai po e kundron botën përmes një lenteje erratake. Por kjo është një përshtypje e rreme. E vërteta nuk është kështu.
Filozofi gjerman Shopenhauer (Arthur Schopenhauer – 1788-1860), në veprën e tij me titull “Aforizma të urtësisë jetësore”, thotë: “…kush e shikon gjithçka në një dritë të errët dhe është i përgatitur për më të keqen, ai gabon më rrallë në parashikimet e veta, sesa njeriu që e shikon jetën si fushë me lule në ngjyrë trëndafili”.
Pra, poeti i virtytshëm dhe largpamës Flori, për ta ndryshuar realitetin që e rrethon, ai, si interpretues artistik i tij, nuk mund ta shikojë atë përmes ngjyrave të trëndafilit. Ngjyra e trëndafilit është ngjyra e romantikës dhe e optimizmit. Mund të paramendohet se atë e parapëlqejnë njerëz jo shumë të përgjegjshëm, të cilët detyrat e veta kanë qejf t’ua lënë përsipër të tjerëve. Patosi i lirikës së Florit ka për qëllim t’i heq petkun “së keqes” së jetës së përditshme. Këtu kemi të bëjmë me një akuzë që poeti ngre kundër realitetit të shëmtuar social që shpërfytyron gjithçka njerëzore dhe e shtyn njeriun drejt vetmisë vrastare. Përtej këtij realiteti pret fati dramatik njerëzor, i shoqëruar me dhembje dhe vuajtje shpirtërore.
Në poezinë me titull “Fillimi i një poeme” lexojmë:
Nëpër deje na rridhte Revolucioni dhe qumështi i nënave
Dhe ne e dinim:
Pa nëna dëshmorësh,
Pa gra e nuse të veja
S’do të ketë kurrë paqe e liri…
Këto janë vargje të një poeti që shikon përtej maleve të mugëtirës që ka endur tejendanë një pushtues i huaj. Ato të kujtojnë mitin për Josifin biblik, i cili e paralajmëroi faraonit përmes një këshille profetike se si duhej ta shpëtonte Egjiptin nga zija e bukës që do ta pllakoste pas shtatë vjetësh: vetëm me kursimin e drithit. Dhe poeti Flori, për ta shpëtuar vendin nga zija e robërisë që ka mbjellë pushtuesi i huaj, e paralajmëron popullin e vet, duke ia thënë të katër të vërtetat në sy: liria nuk fitohet pa gjak. Kosovës do t’i duhet të sakrifikojë jo pak djelmosha në altarin e lirisë.
Në këtë vepër Flori ka përmbledhur mjaft shënime kritike autorësh të ndryshëm, të cilët kanë bërë vlerësime fort objektive për veprat e tij artistike dhe të fushave të tjera të dijes. I lexova me shumë kujdes. Artikujt kritikë të tij, kushtuar krijimtarisë së autorëve bashkëkombas dhe të huaj, përbëjnë një thesar të vërtetë të mendimit kritik shqiptar. Si poet, si shkrimtar, si shkencëtar, si kritik letrar, Flori përfaqëson majat e mendjes së ndritur të kombit shqiptar. Përgatitja e tij erudite, analizat e tij shumëpërmasore, formimi i tij nacionalist e radhisin atë në plejadën e njerëzve më të shquar të kombit shqiptar. Mendoj se Flori ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë nga pena e tij e begatë vepra me vlera të jashtëzakonshme njohëse.
Por këtu duhet theksuar se vlera e një vepre, e çfarëdo gjinie qoftë ajo, varet nga një komleks i tërë përbërësish të suksesit të saj. Ndër këta përbërës të veprës tërësore të Florit mund të rradhisim frymën aktuale të saj, peshën që ajo mbart për bashkëkohësit dhe breznitë që do të vijnë, moralin që përcjell, vlerën mbarënjerëzore, mesazhin humanist që e përshkon në çdo pore të saj, vërtetësinë e fakteve që shtjellon, natyrën universale të perceptimit të realitetit që na rrethon, zgjedhjen e qëlluar të kompozicionit, stilin original, kulturën e përgjithshme të autorit, pasurinë leksikore të veprës, karakterin origjinal të temës së shtjelluar dhe të idesë që e përshkon tej e ndanë, theksimin e nocioneve më të rëndësishme në jetën mbarënjëzore dhe përzgjedhjen e vlerave më të spikatura të breznive të kaluara. Mund të thuhet pa drojë se natyra unikale e një vepre, e çfarëdo gjinie qoftë, përcaktohet drejtpërsëdrejti pikërisht nga një raport në dukje i pakapshëm dhe kompleks i të gjithë përbërësve të lartpërmendur. Por suksesi i veprë së Florit varet edhe nga diçka tjetër: varet pikërisht nga aftësia e tij për t’i dhënë në dorë lexuesit një të tillë libër, gjatë leximit të të cilit ai ta perceptojë atë që është shkruar si një figurë të kundruar me sy. Pikërisht këtu qëndron magjia e talentit të tij. Dihet nga të gjithë se videofigurat kanë vlera shumë më tepër informative, sesa një tekst i shkruar, një tingull i ëmbël muzikor, një ndjesi e përjetuar apo një aromë dehëse. Videoinformacioni regjistrohet më lehtë dhe ruhet shumë gjatë në kujtesë. Në këtë rast çdokush merr një informacion të pamatë në formën e figurave që ka para syve drejtpërsëdrejti. Dhe Flori, si një krijues me shije të hollë, që është në gjendje që figura të tilla të veprës së shkruar t’ia përcjellë lexuesit sikur ato të ishin videoinformacione, nuk mund të vlerësohet ndryshe, veçse si një krijues bukur i suksesshëm, boll i lexueshëm, pra, si një krijues tejet i talentuar.
Me krijimtarinë e vet mjaft të pasur në shumë fusha të dijes, Flori ka arritur t’i gdhend vetes një lapidar me themele të thella në tokën amtare dhe të shëndosha deri në admirim. Dhe këtë e ka arritur duke ndjekur dy shtigje të thikta.
Së pari, ai ka qenë i vetëdijësuar për mundësitë dhe dëshirat e pashtershme që preheshin brenda personalitetit së tij krijues, të cilat e kanë frymëzuar për t’u bërë dikushi në jetë.
Së dyti, vullneti dhe përpjekjet e pandalshme e kanë nxitur për arritjen e një objektivi që ai i ka pas vënë vetes dhe që është konkretizuar me botimin e morisë së veprave të tij. Pra, dashurinë për punën Flori e ka ngritur në kult.
Volteri thotë: “Puna na shpëton nga tri të keqija të mëdha: nga mërzia, nga vesi dhe nga hallet ekonomike”.
Artin e dashurisë për punën që zbulohet në këtë thënie filozofike volteriane, Flori ka arritur ta përvetësojë deri në përsosmëri. Prandaj edhe në këtë vepër të re që po u përcjell lexuesve, ai shfaqet para tyre si një krijues me zemër të madhe, përherë i palodhur në fushën e dijes.