Dibran Fylli është i lindur në fshatin Açarevë, komuna e Skënderajt. Shkollën fillore, katër klashëshe e kreu në vendlindje, duke vazhduar në Ujmirë e Likofc, të mesmen në Mitrovicë ku edhe vazhdoi shkollën e lartë teknike deri para diplomimit, kur u detyrua të largohet nga përndjekjet e regjimit të atëhershëm sllavo komunist. Nga Kosova largohet dhe vendoset në Slloveni në qytetin Universitar në Lubjanë.
Atje u regjistrua dhe e kreu Akademinë për Teatër, Radio, Film dhe Televizion (AGRFT) grupin e regjisë të profesor Mile Korun. Dibrani kthehet në kosovë, pikërisht në Drenicë, për të vazhduar aktivitetet e tij në fushën e artit e të kulturës, ku edhe punon me përkushtim të madh në Teatrin “Drenica” të Skënderajt, duke e punuar filmin “Deri kur...?!” në dy pjesë, komedinë “Kalanica e Kadiut” dhe një varg krijimesh tjera.
Ky radhitet qysh në ditët e para në radhët e UÇK-së. Është pjesëmarrës i shumë betejave. Beteja e Grykës së Llapushnikut, për të është më e veçanta. Aty edhe plagoset. Me shkrime merret qysh herët. Ka botuar dy vepra gjatë luftës në Tiranë, Përmbledhje poezish “Të fala nga Stambolli” dhe Argumente “Drenica dikur dhe sot”. Pas përfundimit të luftës ka botuar veprën “Ai është i gjallë” si dhe i ka në botim veprat; “Sharkia e Drenicës”, “Ditari i Tafrruk Tafrrukucit të Tafrrukajve”, romani “edhe kjo është pjesë e jetës” është vepra e tij e gjashtë.
Shkruan skenarë televiziv, skeçe, humor, komedi, por shpirti i flenë në poezi. Në gusht të vitit 2002 u arrestua dhe u dënua nga gjykata unmikiane. Derisa vuajti dënimin për 4 vite, shtoi bagazhin e krijimtarisë së tij artistike e letrare, duke shkruar disa skenar filmi si; “Abetarja e Arbrit”, “Betimi”. “Buka e djersës”...,një përmbledhje poezish me titull “1365 ditët e jolirisë” si dhe librin “Udhët e mija”, i bazuar në ditarin e luftës, të paqes dhe të luftës për liri në liri, por edhe shumë shkrime tjera publicistike të cilat së shpejti do të janë në duart e lexuesit.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Vorea Ujko” të Klinës.Dibrani tani
punon dhe vepron në Klinë të begut....
......................................................................................................................................
Romani është
shkruar gjatë kohës derisa autori po vuante dënimin në burgun famëkeq të Dubravës dhe pjesërisht tematika e kësaj
ngjarje është e bazuar në realitetin e kohës gjatë luftës së UÇK-së, duke
imagjinuar edhe fillimin e tregimit edhe përfundimin e tij...
........................................................................................................................................
.... unë jam
pjesë e një copë lirie, por pjesa ime është e vogël në krahasim me atë të atyre
që ia falen jetën Atdheut, e, po mos të ishte bota e rrumbullakët , zor se do
t'i dihej fundi i jetës...
Autori
5.
8. 2002 Pejë - 4. 5. 2006 Dubravë
......................................................................................................................................
NË VEND TË HYRJËS
1
***Ishte duke
ecur me hapa të mëdhenj, Ai ecte me të shpejtë, pothuajse vraponte nëpër një
rrugicë të ngushtë e të përbaltur të qytetit. Pas tij vinte një motoçikletë me
dy policë në uniformë dhe të armatosur mirë. Motoçikleta sa vinte e iu afrohej.
Ata ishin në përcjellje të tij, s’e dinin që po e përcillnin njeriun që po e
kërkonin. Sa vinte e iu afrohej motoçikleta, Ai i shpejtonte hapat e mëdhenj.
Gati sa s'kishte filluar të vraponte para tyre. Në kthesën e një rrugice të
ngushtë e të përbaltur, papritmas takoi vajzën që e kishte njohur ditë më parë
në burgun e qytetit. Burg, ky, famëkeq, prej të cilit kishte ikur dhe vetë ai
për ta shpëtuar kokën.
- Çao, Ilir - iu
drejtua vajza flokëverdhë dhe pa u hamendur e ftoi që ta mbështeste kokën në
kraharorin e saj për t'iu shmangur dyshimit të patrullës tjetër që po vinte pas
saj. Patrullat bënin kontroll të rreptë nëpër tërë qytetin. Ata patrullonin dhe
ishin në kërkim të të ikurve nga burgu i qytetit. Të dy mbetën për pak sekonda
me shikim të drejtuar kah njëri-tjetri dhe papritmas koka e tij u gjend e
mbështetur në kraharorin e saj që akoma po i vinte era grila të ndryshkura. Në
atë çast ndodhi një e papritur, ndodhi ajo që ata më së paku e kishin menduar.
Aty, në atë vend të ngushtë e përplot me baltë, sikur shkrepi rrufeja dhe u hap
qielli, sikur filluan të bien pikat e para të shiut në kohën me diell, sikur
filluan të flisnin edhe lulet e bozhures në gjuhën e tyre, pa ndonjë tekst të
veçantë. Buzët e saj pa bërë zë, u gjenden të ngjitura për të tijat dhe gjuhët
e tyre të thara tani ndodheshin të lidhura diku në brendi të gojëve të terura
nga etja dhe uria. Qe sa kohë dergjeshin nëpër burgjet me mure të larta e të
ndërtuara për diskriminimet e shqiptarëve. Motoçikletat me policët e armatosur,
të shfrenuar e të prishur nga pamja e tyre prej agresori, u gjendën përballë
njëri tjetrit mu para tyre ne kthesën e rrugicës së ngushtë. Me shpejtësi
ndaluan, dhe, po sa u bënë gati të zbritnin, me armë te drejtuara nga ta, panë
dy të rijn duke u puthur gojë me gojë. Nga zemërimi dhe habia, por dhe nga
shkalla e kulturës së tyre të ulët, shkrepën nga goja fjali fyese, ashtu siç i
kishin marrë udhëzimet nga eprorët e tyre shpirtzinj, që të shajnë, fyejnë,
rrahin, torturojnë e të vrasin shqiptarë.
- Phi nënën e
nënës !?
Këta, duke mos
pasur guxim të flasin as një të vetmen fjalë e të mos diktoheshin nga zëri i
tyre i shterur prej torturimeve që kishin përjetuar nga shpirtzinjtë, kujtim u
mbeti vetëm kënaqësia nga afrimi intim. Të dy, ngadalë e duke hedhur shikimin
anash, u ndanë nga njëri-tjetri, ashtu duke u mbajtur për dore pa bërë zë dhe,
me frikën nga motoçikletat që ishin në përcjellje të tyre, u ndanë nga
përqafimi i ngrohtë. Iliri vriste mendjen dhe s'mund të nxirrte përfundimin
prej nga Ajo e dinte emrin e tij dhe, sot asgjë tjetër si kujtohet në ditët e
pleqërisë, përpos fjalëve të ëmbla të saj që mezi i dolën nga goja e terur dhe
dridhja e zërit që atij çasti i mbulonte të dy një erë grilë e ndryshkur,
''Mirë u pafshim
në ditë më të mira. Ilir, unë jam Rida''.
2
***Me kalimin e
kohës në periudhën me plot vuajtje e sakrifica, të shtypur e të torturuar me
shekuj, pikërisht atëherë kur lindi dielli mbi qiellin e Drenicës dhe u vulos
fati i Atdheut, iu kthye identiteti kombit, Iliri prapë takohet me Ridën në
vendin e shqiponjave ku e ruanin çerdhen zogjtë e shqipes... Tani takimi ishte
në rrethana krejt ndryshe. Ani pse ai vend aso kohe quhej ''vend i okupuar'',
por emrin e kishte Drenicë. Asaj tani në ditët e pleqërisë s’i kujtohet gjë
tjetër, pos fjalëve të tij që me zemërim i kishte thënë dikur, kur ndodheshin
të ulur afër një kaçube rrëzë kufirit në bjeshkët e lashta të Pashtrakut të
mbuluara me dëborë,
''...Rida, edhe
pse të dua, ne nuk mund të martohemi. Unë jam djalë katundi, i varfër... E ti
!?”
3
***Lufta tanimë
kishte marrë hovin në drejtimin e pa kthim prapa, deri në çlirimin e atdheut.
Çlirimtarët po mbaheshin të pathyeshëm nëpër pozicionet e tyre duke mos u
sprapsur për asnjë moment dhe duke mos njohur humbje as për një betejë të
vetme. Armiku dita ditës po humbiste moralin edhe besimin tek vetja. Ai kishte
filluar ta shkruajë ditarin që nga dita që kishte ikur nga burgu i qytetit.
Gjatë krejt atyre ditëve të vështira e plot sakrifica, mund të thuhet së kishte
edhe qaste të lumtura për faktin së lufta
po bëhej për çlirim. Atyre ditëve, nëpër vijat frontale nuk mungonte as
humori. Ai sot duke shfletuar ditarin e vet, me respekt e kujton shokun e
pushkës dhe
humorin e pashoq
të Picimulit. Ai edhe sot qeshet me shprehjet komike të shokut të tij që dikur
i pate thënë diku afër lugut te tuneleve gjatë luftës.
“…Mos u ngut bre
burrë se bilahi na plase ! A po tutesh se po vonohesh a ?!...”
4
***Nëse me
vëmendje lexohet ditari i tij, apo edhe nëse do të lexohej ndonjë pjesë e këtij
romani, atëherë do të hasim në shumë gjëra interesante dhe reale që s’kanë
ndodhur fort moti dhe jo në ndonjë vend të largët.
Ndryshe mund të thuhet , lufta çlirimtare ishte luftë e drejtë dhe këtë luftën
edhe më të fortë e bënte morali i luftëtarëve të lirisë. Këtu një thelb vërehet
qartë: se shqiptaret i kanë vetëm dy gëzime, Lindjen dhe Rënien në luftë.
Edhe Ajo, kur
filloi t’i kujtonte ditët e kaluara të jetës së saj, momentet e vështira që i
ka kaluar populli i saj, e sidomos kur kujton vijat frontale në luftë, nuk
mbetet pa lot. Aty e gjen gëzimin e zemërimin qeshjet dhe hidhërimet …
Mbi të gjitha
Asaj si largohej as sot nga mendja faqja e par e ditarit të tij ku shkruante,
“…Rroftë lufta e
drejt e UÇK-së – Ilir Kosova” dhe kaptina e ditarit të gjakosur me gjakun e
Tij...
5
***Pasi që lufta
ishte intensifikuar, kishte marrë hovin e pandashëm drejt fitores, kudo
zhvilloheshin beteja , pothuajse në çdo cep të atdheut. Aty ku i thonë çerdhe
shqiponjash, aty ishin çlirimtarët, aty kriste kënga e pushka, luftohej për
liri. Diku, në vijën e parë të frontit, bie një granatë afër istikamit ku
ndodhej Ai. Granata plagosi disa luftëtarë e në mesin e tyre ishte edhe Ai, i
cili plagoset rëndë. Pasi që Ajo tani më ishte me ekipin mjekësor për ndihmë të
plagosurve, urdhërohet që, përpos ndihmës së parë në vend, të udhëtojë në
përcjelljen e të plagosurve për në spitalin ushtarak të Tiranës. Rrugë, kjo e
gjatë, e vështirë dhe plot sakrifica e mundime, por që duhej bërë me
përgjegjësi, kujdes e ndershmëri.
Edhe sot, kur Ai
e shfleton ditarin e vet, me mendje kalon diku në malet e Pashtrikut duke i
kujtuar fjalët e saj të ëmbla e zërin e përzier me vaj bilbili kur i thoshte
Atij,
“…Ilir, qëndro
he trim, se ne të dyve s’mund të na ndajë as vdekja …!”
6
***Dhe pas shumë
e shumë vuajtjesh që ju do t’i mësoni në brendi të këtij rrëfimi, lufta kishte
përfunduar me fitoren e UÇK-së. Ai, qysh në ditët e para të pas luftës, mësoi
se ku ndodhet Ajo, bëri zemrën gur dhe vendosi ta vizitojë. Vizita e tij i
kishte dy arsye, njëra t’i kërkojë falje Asaj, që kishte ikur nga spitali gjatë
kohës së luftës pa u përshëndetur me të dhe tjetra, që sipas traditës, të
njoftohej me familjen e saj, e, pse jo, edhe të kërkonte dorën nga prindërit e
saj, pa e ditur se Ajo tani më u kishte treguar atyre për dashurinë që ndiente
për të si dhe për mundimet që i kishte përjetuar së bashku me të gjatë moshës
rinore e deri te sakrifica e fundit gjatë luftës.
Se mungesa e tij
në jetën e saj kishte krijuar një bosh që nuk mund t hiqej, do të kuptohet në
vazhdimin e romanit, duke e shkruar ashtu siç shkruan në ditarin e tij me
modesti, thjesht e me po të njëjtën shprehje. Atij, edhe tani, kur nuk heziton
t’i përkujtojë ato ditët për të cilat më së shumti dëshiron të flasë, Atij s’i
kujtohet më shumë se fjalët e saj mallëngjyese me zërin e saj të përvuajtur që
i fliste pa u lëkundur nga shtrati i saj dhe pa e shikuar fare në sy,
“Të lutem, të
lutem mos, unë s’kam mbetur për ty ! Të lutem Ilir largohu nga unë !”
7
***Dhe hyrjen e
këtij romani do ta përfundoj me një ndodhi që do të ndodhë ose të paktën mund
të ketë ndodhur, sepse po të mos ishte bota e rrumbullakët, zor së do t’i dihej
fundi i jetës së mundimshme...
8
***Kështu
kalonin ditët dhe vitet. Ngadalë vjen edhe pleqëria, siç u erdhi Atij e Asaj.
Ata i kalojnë ditët e pleqërisë duke e kujtuar të kaluarën e tyre me hidhërime,
gjëra të këqija e të mira, mundime e sakrifica, por edhe ato pak çaste me
lumturi e me gëzime. Të paktën, atyre u ka shpëtuar ditari me shënime, që kurrë
të mos harrohet një e kaluar kaq e rëndësishme. Djali i tij këto ditë pritet të
diplomojë Fakultetin e Arteve të Bukura. Edhe vajza e tij i bën studimet në po
të njëjtin fakultet dhe që të dy kanë vendosur, posa ta gjejnë pak kohë të
lirë, të fillojnë ta shkruajnë një biografi për prindërit e tyre, pse jo edhe
një skenar filmi, i cili më vonë do të kenë mundësi ta realizojnë së bashku, u
mor vesh, nëse lejohet nga ta. Kur djali i tij e pyet babin për të gjitha ato
përjetime, rrugë të gjata e të mundimshme, të cilat gati duken të pabesueshme
Ai, qetë, ngadalë dhe me modesti përgjigjej
“Edhe kjo është
pjesë e jetës”...
.........................................................................................................................................
-I-
***Iliri mbeti i
shtangur, jo për ta kujtuar atë puthje që më së paku e kishte pritur, por
filloi t’i sillej vërdallë mendja, duke e munduar kokën edhe ashtu mjaft të
lodhur, se si kishte arritur të shpëtonte nga ai burg i mallkuar, i rrethuar aq
fort me hekurina e tela gjemborë me erë çeliku. Nga krejt kjo i mbeti vetëm
kujtimi i asaj puthjes së detyrueshme dhe fjalët e Ridës që më në fund i kishte
thënë: “Unë jam Rida”...
Pas një pushimi
jo dhe aq të shkurtër në rrugicën e ngushtë të qytetit, Iliri vazhdoi rrugëtimin e tij sipas një plani të pa
konceptuar fare, por edhe të pamenduar mirë e me nguti. Qetë dhe pa panik kishte
filluar të largohej nga ai vend që do t’i mbetej sa për ta kujtuar takimin e
parë me Ridën. Aq sa ecte me hapat e tij të mëdhenj nëpër rrugicat e pafundme e
të ngushta, po aq edhe i shkonte mendja te Rida. Ecte e ecte, por disi sikur
hapat e tij të mëdhenj po i numëronin në vend dhe s’mund ta largonte mendjen e
as shikimin nga aty, ku u takua me Ridën. E vriste mendjen se si do ta quante
atë vend. Mendja i thoshte se do të duhej të quhet “Vend kujtimi i Paharruar”.
Nga një herë mendja i shkonte te qelitë e errëta të burgut ku për herë të parë
e kishte parë Ridën, të lidhur me pranga këmbë e duar, të lodhur e të
rraskapitur deri në atë masë, sa mezi
qëndronte në këmbët e lodhura e të goditura, me buzë të përgjakura e me
shikimin e mprehtë të syve të saj ngjyrë gështenjë. Mbi të gjitha këto që po i
mendonte, as se si t’i largohej mendja nga takimi i asaj ditë në rrugicën e
qytetit, e kujtonte zërin e saj, shikimin, dorën që aq lehtas e kishte
përkëdhelur dhe puthjen e rastësishme që ai e konsideronte të domosdoshme e
shpëtimtare. Sillej vërdallë atyre rrugicave të asaj pjese të qytetit, sikur të
ishte në kërkim të dikujt. Mendja i sillej poshtë e lart, këmbët s’i pushonin
as shikimi s’i mungonte së kërkuari nëpër çdo qoshe atë që e dëshironte. Para syve i përfytyrohej fytyra e skuqur e Ridës dhe
buzët e saj të njoma. Mendonte me vete, fliste me zë ndër vete sikur të ishte
në shoqërim të dikujt, pa ndonjë paragjykim se a kishte ikur Rida nga burgu,
sikur ai vetë të ishte liruar.
Pasditja erdhi,
dielli filloi t’i shndriste muret e ndërtesave në anën perëndimore të qytetit.
Nëpër muret e ndërtesave vëreheshin të ngjitura ca pamflete. Në to dukej edhe
fotografia që Ilirit ia kujtonte dike. Kur Iliri u ndodh afër një ndërtese që i
kishte muret e stilizuara me ngjyrë vjollce, pa pamfletin për së afërmi, në të
cilin ishte fotografia e Ridës me flokë të verdha e të shprishura për shpine.
Në atë pamflet, te fundi i fotografisë shkruante : “Kush
e sheh këtë person, ta lajmërojë sa më parë postën e policisë Nr. 1 – Pason
shpërblimi”.
Iliri për disa
çaste mbeti duke shikuar pamfletin, pa bërë zë, dhe thuaj se edhe frymëmarrja
iu ndalua. S’dinte a është kohë mbrëmjeje apo në mos ishte mëngjes i hershëm me
kohë të vrenjtur. Në fytyrë po i shtohej shqetësimi dhe brenga për Ridën dhe
fatin e saj, kishte harruar fare për veten. S’e mendonte veten e vet, se edhe
ai ishte në të njëjtën situatë. Për pak çaste edhe ai vetë do të bëhej
personazhi i po të njëjtës fletëkërkesë publike. Koha po kalonte, minutat po
ecnin, mbrëmja po afrohej, kurse hapat e tij të mëdhenj s’po pushonin duke
lëvizur së kërkuari vendin e quajtur “Vend kujtim”. Çdo herë para syve i dilte
fytyra e skuqur e Ridës dhe kujtimi për buzët e saj të njoma e të ëmbla.
Atëherë kur
muzgu filloi ta mbulonte token dhe t’ua ndërronte pamjen rrugicave të asaj
pjese të qytetit dhe ndërtesave të atij vendi, Iliri prapë hasi në murin e një
pallati të ulët, ku ndodhej e varur një fletë kërkesë tjetër. Në mesin e saj
ishte e vendosur fotografia e flokëverdhës me flokë të shprishura për shpine,
fotografi ajo që tani më kishte filluar ta shqetësonte, por të cilën edhe ai e
dëshironte ta ketë pranë vetes.
Tani Iliri
s’brengosej hiq më tepër për fatin e vet se sa për fatin e flokëverdhës. U ndal
afër asaj fletëkërkesës publike dhe filloi me dorë t’i prekë buzët e saj,
filloi ta përkëdhelë fotografinë e flokëverdhës dhe vendosi që ta shkëpuste atë
foto, dëshironte ta mbajë pranë vetes .Aty afër asaj rrugice të ngushtë, afër
tij, po e vëzhgonte vajza flokëverdhë. Asaj i shkonte mendja se vallë mos
Ilirin e kanë liruar me qëllime të këqija, për ta përcjellë a hedhur në ndonjë
grackë atë, sikur dhe ishte principi i armikut të punonte me strategji të
tilla, e për fat të keq edhe numri i bashkë punëtorëve s’ishte aq i vogël. Rida
fshehurazi po afrohej afër e me afër Ilirit të tretur në mendime, pa u vërejtur
dhe duke e shikuar situatën përreth. Ajo dëgjonte se ai po fliste diçka me
veten. Iu afrua edhe më dhe u ndal që ta dëgjonte me vëmendje. Fjalët që i
thoshte nën zë Iliri, ishin të mbuluara me plot emocione. Fliste sikur të
kishte ndokënd afër vetes ose të përgjigjej para ndonjë gjykatësi në gjyqet e
montuara të asaj kohe. Rida afrohej edhe më afër tij, në dorë mbante një
revole, hapat afër tij i bënte lehtazi sa mund të thuhej se nuk dëgjohej as
frymëmarrja e saj, këtë e bënte që ajo të jetë e përgatitur dhe e sigurt për ta
zënë afër atë, pa mundur të bëjë një hap para as prapa. Rida flokëverdhë u ndal
dhe po i dëgjonte fjalët e Ilirit
Flokëkaçurrel, i
cili mëzi e shqiptonte me buzët e tij të terura e të bëra shkrumb nga etja.
“Ah, sikur të mund të shpëtoja ty! Do ta kisha ndërruar jetën tënde me vdekjen
time...Ty të kisha shpëtuar e unë do të dëshiroja të mbetem kujtim në jetën
tënde …Dhe me duart që kishin filluar t’i dridheshin nga emocioni, filloi ta
prekte fotografin e Ridës. Qetësinë e çastit në ato orë të mbrëmjes, e prishi
zhurma e një motoçiklete që u dëgjua aty afër në një rrugicë tjetër që ishte
pranë asaj ku ndodheshin ata të dy.
Iliri me
shpejtësi shkëputi atë fletëkërkesë duke e fshehur në gjirin e vet. Në të
kthyer, koka i hasi në një tyt revoleje që Rida e mbante në shënjestër.
-Pëssët…!? dhe
pa bë zë e tërhoqi nga vetja duke e tërhequr fare pranë. Iliri u hutua.
Mendonte se do t’i përsëritej e njëjta gjë, siç i kishte ndodhur orë më parë në
vendin, e quajtur “Vend kujtimi”. Kjo nuk ndodhi siç ai po mendonte. Ajo e
tërhoqi për dore e afroi te një qoshe e rrugicës dhe, në vend të puthjes, ia
lëshoi në dorë një revole të tipit velter.
-A di të punosh
me të ? - e pyeti flokëverdha duke qeshur.
- Do ta provoj
dhe varet se kujt duhet drejtuar … ia
ktheu Iliri.
- Ke kujdes
…duhet ta likuidojmë këtë patrullë
policësh dhe duhet gjithsesi ta asgjësojmë motoçikletën e tyre për të mos lënë
gjurmë pas veprimit, - dhe ia lëshoi në dorë velterin duke mos iu dridhur
zëri as dora.
- Ti po mendon
seriozisht? - pyeti flokëkaçurreli me habi.
- Po ti, ti për kë punon?
- Për kë, kishe thënë sipas mendjes sate?
- Nëse është
ashtu, siç po mendoj unë …
- Po ashtu është, bash siç po mendon ti, jam edhe unë…
- Kjo do të
thotë se ?… - dhe arriti motoçikleta me patrullën policore afër qoshes ku ishin
të strehuar dy zogjtë e shqipes, të vendosur që ta marrin nën kontroll atë
pjesë të qytetit në emrin e Lëvizjes Çlirimtare për t’i treguar popullit se
Atdheut ia kemi borxh lirinë, për të mos i mbetur borxh atdheut duhet
luftuar... Që të mos na mallkojë ai... Motoçikletat tani kishin arritur pranë
tyre, ato punonin në vend. Dy policët, të hipur në të, (që regjimin e tyre e
quanin të pathyeshëm), lirshëm e pa kokërr droje filluan ta ndiznin nga një
cigare, për të filluar me sjellje si të kaubojve t’i marrin në pyetje
flokëverdhën dhe Ilirin që ndodheshin fare pranë tyre. Papritmas u dëgjua zëri
i thekshëm i Ridës flokëverdhë:
- Tashti…!
Policëve u
mbetën duart thatë, pa mundur t’i preknin armët. Iliri qëlloi në të parin njëherë, por saktë, caku i tij ishte zemra e
policit. Rida gjithashtu qëlloi në të dytin dy herë, caku i saj ishte gjoksi
dhe lulja e ballit në policin tjetër dhe vendi u mbush me krisma e erë baroti.
Iliri, në këtë çast filloi të shpejtonte për ta kryer punën.
- Ti hedhim në
shportë të bërllokut ?! Tani s’kemi kohëpër të humbur, do të bëhet tollovi, u
dëgjuan krisma të mëdha . Jo, jo ja
ktheu flokëverdha krenare e me fytyrë të skuqur.
- Këtu i thonë
Kosovë! Fëmijët në vend ninulle, janë mësuar të flenë me krisma armësh... eja, eja !?
Motoçikleta
punonte në vend. Rida po i merrte armët nga policët e vrarë. Filloi t’ua
zhvishte edhe uniformat. Iliri i ndihmonte flokëverdhës dhe me shumë vëmendje
vëzhgonte terrenin për rreth vetes. Ata e diktuan një grua në moshë të vjetër
që e hapi portën e vogël të oborrit të një shtëpize aty pranë dhe me dorë u dha
shenjë që të hynin
brenda. Pasi që
Rida e njohu gruan e moshuar në derë të vogël, me shpejtësinë e duhur i gjuajti
grumbull të dy policet e vrarë në rimorkion e vogël të motoçikletës së tyre.
Vetë u hodh në motoçikletë, e drejtoi atë në mënyrë profesioniste, e drejtoi kah kapinxhiku i hapur, i dha
shenjë Ilirit të shkonte pas saj. Gjurmët u zhdukën, në vendngjarje mbeten
vetëm shenjat e gjakut dhe kanta e bërllokut me qetësinë e mbrëmjes. Në të hyrë
brenda, kapinxhiku u mbyll. Pas kapinxhikut qëndronte gruaja e moshuar me një
automatik të tipit gjerman në dorë, e gatshme për t’ia shkrepë barutin. Tani
qetësia e natës së pahanë e mbuloi atë pjesë të qytetit duke lënë pas një
ngjarje që më vonë do të shkruhej në historinë më të re të ndërtuar nga trimat
e kësaj kohe. Iliri më vonë mësoi gjerësisht për gruan e kapinxhikut. Ajo ishte
një përkrahëse e hershme që u ndihmonte djelmoshave dhe vajzave të rezistencës.
Të gjithë e quanin NËNA E BUNKERIT.
Ajo i ndihmonte
të gjithë ata që vepronin nëpër qytet për ta kryer ndonjë detyrë që e merrnin
përsipër për t’ia dhuruar armikut në emër të popullit e atdheut. Shtëpia e
kësaj Nëne u bë strehimore e vërtetë, ishte në shërbim të atdheut, u bë bunker
i tyre i padukshëm për armikun e tërbuar e të prishur gjaku. Nëna e bunkerit i
strehonte ata në shtëpinë e vet, duke u ndihmuar që të mos diktoheshin gjurmët
e tyre. U ndihmonte për t’u tërhequr nëpër rrugë të sigurta nga qyteti deri të
takimi me vëllezërit tjerë që ishin nëpër male, duke u përgatitur për fillimin
e një rezistence të armatosur. Pas hyrjes në oborrin e asaj shtëpie, ishin
përshëndetur me njëri-tjetrin dhe i kishin filluar planet pa u vonuar. Nëna e
bunkerit si zakonisht fliste pak dhe qetë e buzagaz. Rida e prezantoi Nënën me
flokëkaçurrelin dhe filloi t’i tregojë për aksionin e para pak minutave si dhe
për atë se si ia kishin arritur të iknin pa e ditur për njëri-tjetrin. Nëna e
bunkerit s’ia ndante shikimin Ilirit drejt në sy. Ajo foli me buzagaz:
- Mirë po të
ecka puna, djalosh, mirë po e bëke goditjen!…
- Qitjen me armë
e kam ushtruar qysh herët. Nga fëmijëria
kam qenë i mirë në qitje.
Kur Iliri
flokëkaçurrel fliste, Nëna e bunkerit e shikonte me vëmendje.
- Prej cilës anë
e qëllove këlyshin, - e pyeti ajo.
- Nga e para, ia
ktheu Iliri si prej grykës së martinës.
- I njeh ti të
shpuarat e plumbave?
- Po . Hyrja e plumbit lë vrimë më të vogël së dalja ...
- Shkëlqyeshëm,
djalosh, qenke edhe orator i shkëlqyer. Besa edhe sy patrembur !
Iliri qeshi,
kurse nëna e bunkerit e urdhëroi që të fillohet për t’i marrë rrobat e
policëve, të vishen e të përgatiten me uniforma për detyrën që do t’i priste
pas pak flokëverdhën dhe flokëkaçurrelin. Pak më vonë ata mësuan nga rrobat
uniformë të policëve të vrarë, se vrimat që dukeshin në trupin e vrarë të
policit ishin nga prapa, hyrja e plumbit ishte përmes kraharorit kah drejtimi i
kapixhikut, gjë që e befasonte Ilirin. Atij i shkonte mendja dhe vriste mendjen
me vete .”Vallë, Nëna e bunkerit e paska vrarë këtë derr shkine” ?!...
Terri e kishte
mbuluar tërë qytetin. Kudo ndihej qetësi nate. Iliri me Ridën ishin të gatshëm
dhe në pritje të urdhrit për fillimin e aksionit të radhës, aksion ky që ishte
i rëndësisë së veçantë dhe me mjaft përgjegjësi te madhe. Rida e kishte të
ditur detyrimin e vet dhe të Ilirit, për deri sa Iliri nuk kishte dijeni për
atë që do të ndodhte. Edhe Rida këtë sekret e mbante për befasi të
flokëkaçurrelit. Meqë motoçikleta me policët e vrarë si dhe gjurmët tjera
duheshin zhdukur. Iliri dhe Rida, si dy sokola, të veshur me rroba policie, të
armatosur mirë dhe drejtues të shkëlqyer të motoçikletës, morën rrugën nëpër atë
rrugicë të asaj pjese të qytetit. Që të dy dukeshin si dy policë me uniformë që
do të kujdeseshin për rend e qetësi në ato orë të natës. Motoçikleta doli nga
kapixhiku pa u pa nga askush dhe u tret. Errësirën dhe qetësinë e natës e
prishën dritat dhe zhurma e motoçikletës policore me targa “M*001-001” me ngjyrë të zezë si korbi dhe ecje të rëndë
e të tmerrshme për qytetaret e asaj pjese të qytetit të zënë nga okupatori që e
ëndërronin për tokë të tyre. Me që operacioni ishte planifikuar mirë dhe me
përpikëri në oborrin e shtëpisë së Nënës së bunkerit, Rida e drejtonte
motoçikletën mirë, qetë, sigurt dhe pa hutim në drejtim të një shtëpie me
fasadë të bardhë, shtëpi kjo komfor, tre katesh, e cila ishte pronë e njeriut
të njohur me emrin Çup. Çupi, si shumë të tjerë, ishte bashkëpunëtor i armikut,
i përbetuar të punojë kundër kombit të vet, por mjerisht ishte daja i
flokëverdhës. Këtë Iliri e kishte mësuar pasi që kishte hyrë në shtëpinë e tij,
kur në korridorin e asaj shtëpie ishin takuar me gruan e Çupit që quhej Mili.
Mili ishte një shkurtesë e emrit pagëzuar sipas kishës sllave “Milijana“.
- Rida, jemi
shumë afër shtëpisë së bardhë, ngadalëso dhe kujdes !
- Nuk e di ç’të
them, Ilir.
- Mos thuaj
asgjë, ngadalëso dhe kujdes!
- Ha, ha, ha
…Ilir dua të ta them një të vërtetë. Ende askush s’ më ka thirrur në emër kaq
ëmbël, - ia ktheu Rida buzagaz. Motoçikleta me targa të policisë ndaloi para
hyrjes së shtëpisë me fasadë të bardhë. Flokëverdha pa bërë zë, zbriti, la
helmetën mbi ulëse të motoçikletës, ngriti gishtin tregues afër hundës së vet,
mori frymë thellë e iu drejtua Ilirit:
- Pssst…!? - dhe
e ftoi Ilirin që me kujdes të veçantë ta ndiqte pas. Iliri bëri ashtu siç ishte
urdhëruar. La edhe ai helmetën e vet dhe u afrua te porta e hyrjes. Rida vuri
gishtin në zile, cingëroi, më pas u lajmërua një zë femre.
Zëri nga brenda
pyeti diçka, Rida ju përgjigj me një gjuhë që unë s’e kuptoja dot. Porta bëri
drang dhe u hap. Hynë brenda me kujdes dhe të gatshëm për çdo pengesë. Ne ecnim
nëpër korridorin e stolisur me lloj-lloj fotografish. Kur pa pritë u doli para
gruaja me emrin Mili. Ajo kur e pa Ridën flokëverdhë, ndali në vend, e
shtanguar dhe e frikshme, foli me gjysmë zëri .
- Rida …Ti
këtu!?...
- Po po unë vetë. Pse çka ka të keqe këtu ?!
- Aman Rida !? Të
lutem!
- S’është vendi
as momenti i duhur për lutje, oj sorrëshkinë ! Flokëverdha, pa u vonuar, ia
përmblodhi kablushen e flokut aq mirë të krehur, e tërhoqi zvarrë nëpër
korridor, e futi në kuzhinë duke e përplasur për tryeze, nga aty e mbështeti
për vitrine ku i kishin të vendosur gotat e kristalta duke e përplasur
sorrëshkinën për toke, bashkë me shumë gota të bëra copë-copë nëpër dyshemenë e
shtruar me tepihë të ngjyrës blu në të bardhë e që simbolizonin flamurin e
armikut. Rida, pak sa e shqetësuar dhe me zë të prishur, iu drejtua Milit me
fjalë kërcënuese:
- Ku është daja?
Fol së ta këputa kokën!
- Unë …unë ……
- Fol sa je
gjallë, për ndryshe do ta humb durimin.
- Në punë, -
mezi u përgjigj Mili me zë të shterur nga frika.
Iliri po e
shikonte tërë episodin e kësaj drame, rrinte i gatshëm për çdo reagim të Ridës
duke vëzhguar veprimet e Milit dhe rreth shtëpisë ku tani do të plasë zjarri.
Rida e kapi për krahu Milin, duke e
ngritur nga dyshemeja, ia afroi telefonin, ia dha një gotë ujë sa për ta
qetësuar pak dhe e detyroi ta thërriste Çupin.
-I thuaj se kemi
mysafirë të afërmit tuaj. Sa me parë duhet të vijë në shtëpi. Vetëm një fjalë
tjetër dhe të shkoi koka. Kupton ?!
Këtë veprim
flokëverdha e bëri duke ia mbajtur revolen pas koke Milit të frikësuar që mezi
i punonin gishtat e dorës për ta gjetur numrin në aparatin e telefonit. Pas dy
tri përpjekjeve, lidhja u vu duke u dëgjuar zëri përtej teli.
- Alo. Alo, alo
Çedo, je ti, më dëgjon, eja sa më parë në shtëpi. Kemi mysafirë... Kanë ardhur
nëna dhe babai im, kanë dëshirë të të takojnë …Alo Çedo, mos harro, merr diçka
nga ato pijet e shtrenjta …Çao …!?
Rida ia ndërpreu
telefonin duke iu drejtuar Ilirit që sa më par ta lidhë këmbë e duar
sorrëshkinën me flok të bukur, me erë parfumi që ta zinte frymën. Gojën ia
lidhi vetë me një leckë arni. E lidhën për karrige që të mos mund të lëvizte as
t’i dëgjohej zëri prej shtrige.
- Tash eja pas
meje. Ke kujdes për lëvizje për rreth
shtëpisë!
- Mos u merakos
fare. Di mirë se si shkojnë këto punë.
Të dytë dolën
nga shtëpia me fasadë të bardhë, duke e lënë pas portën e hapur dhe një muzikë
me zë të fortë që dëgjohej nga kuzhina ku ishte e lidhur sorrëshkina. Shkuan
ngadalë e pa u hutuar te motoçikleta që punonte në vend, i vunë helmetat në
kokë dhe po prisnin atë momentin e shumë pritur që të lajmërohet daja i
Flokëverdhës, Çupi i zi, apo siç e quante gruaja e tij e dashur, Çedoja i saj.
Nuk kaloi shumë kohë, kur nga fundi i rrugës u dëgjua zhurma e automobilit të
tij. Ishte vetë ai, Çupi i zi me makinën e tij të zezë. Makina ofrohej pranë
tyre. Rida që qëndronte në anën e djathtë të motoçikletës, filloi t’i epte
shenjë nderimi me një përshëndetje duke i ndezur me ble dritat e motoçikletës
me tabela “M*001-001”, ndërkohë shokut të vet, Ilirit, që qëndronte në anën
tjetër, i tha:
- Je gati? Ky
është njeri i ushtruar dhe bukur i rrezikshëm!
- Por ky është
daja yt, Rida!
- Mos ngurro,
njerëzit si ky duhet zhbi nga faqja e dheut !
- Kur të
urdhërosh ti, dhe, puna u krye. Ia ktheu Iliri deri sa makina arriti afër tyre duke përshëndetur me tre
gishtërinj lart, siç ishte bërë përshëndetje e zakonshme e armiqve në atë kohë.
Rida me një përshëndetje në gjuhën e armikut, as që u diktua se nuk ishte
ndonjë police me përvojë, deri sa nuk u zbraz me fjalët plot zjarr që dolën nga
goja e saj:
- Në emër të
popullit, je i dënuar me vdekje! - dhe Iliri, i cili ishte i gatshëm, me një
puf, që doli nga gypi shurdhues i revoles së tij, Çupi i zi u shtri për toke
para makinës së tij, pa pikë shpirti ra në tokë. Iliri u ofrua pranë, e nxori
nga gjiri pamfletin që e kishte marrë në muret e ndërtesave me fotografinë e
flokëverdhës, ia vuri në gjoks, e qëlloi edhe për të dytën herë në lule të
ballit dhe motoçikleta u tret nga ajo rrugicë ngadalë, sigurt dhe me kujdes.
Motoçikleta mori drejtimin e vet. Tani ajo shkonte në drejtim të daljes nga
qyteti, duke e lënë qetësinë e rrugëve dhe zhurmat e makinave...
............................................................................................................................................
-II-
***Për Ilirin
fillimi i asaj vere të atij viti, solli ditët më të rënda në jetën e tij. Ditët
i kalonte gjithherë në mendime kurse netët i dukshin aq të gjata, sa që nga njëherë
mendonte se Bota nuk kishin fund fare. Atij, që nga dita e ndarjes me Ridën kur
ishin arratisur nga burgu i qytetit, gati në çdo sekondë i dilte para sysh
fytyra e flokëverdhës. Pa ndërpre i kujtonte fjalët që ia kishte thënë qysh në
takimin e parë, në rrugicën e përbaltur të qytetit në vendin e quajtur “Vend
kujtim”. Edhe pse të dy ishin të dashuruar marrëzisht me njëri-tjetrin, ata nuk
e kishin pasur rastin që atë dashuri ta shprehnin haptazi. Në njërën anë as që
u kishte premtuar koha e në anën tjetër s’e kishin marrë guximin t’ia thoshin
njëri-tjetrit as në kohën kur e kishin kryer detyrën me nder gjatë aksionit të
fundit në qytet, por as atëherë kur ishin ndarë në një rrugë mali afër një
fshati të Drenicës. As atëherë kur Rida e kishte vazhduar rrugën e vet për t’u
takuar me shokë, sipas udhëzimeve të Nënës së Bunkerit, kurse Iliri në anën
tjetër kishte pranuar detyrë mjaft me përgjegjësi për ta zgjeruar rrethin e
çlirimtarëve e për t’i dhënë fund errësirës mbi lirinë e Atdheut. Ilirit assesi
t’i hiqej nga mendja momenti i ndarjes dhe zëri i të dyve përnjëherësh sikur
krisma e martinës kur drejtohet drejt një caku, ashtu nga goja e tyre kishte
shkrepur fjalia drejtuar njëri- tjetrit
në rastin e momentit të ndarjes – Mirë u pafshim. Të dua R…!? Koha po ecte. Punët e të dyve po shkonin mirë
e më mirë. Rida tani kishte shumë shokë për t’iu kundërvënë një ushtrie të tërë
armike, kishin bërë armatim të duhur, ushtrimet i kishin kryer me sukses, çdo
gjë asaj kohe ishte gati për rezistencë. Iliri, në anën tjetër, kishte punuar
aq sa as vetë në fillim nuk e kishte besuar.
E kishte zgjeruar rrethin e çlirimtarëve duke e përfituar besimin e tyre
dhe të popullit liridashës, pothuajse në çdo cep të Atdheut. Ishin të gatshëm
që t’ia fillonin rezistencës së armatosur.
Këtë rast e prisnin me plot dëshirë e padurim, që një ditë të fillonte
lufta për çlirimin e Atdheut, daljen e tij nga errësira që e kishte sjellë moti
i ligë me egërsira e shpirtzinj. Kjo errësirë, ditë e me tepër po e mbulonte
Atdheun. Iliri po kalonte ditë të gjata e të mundimshme, kurse për Ridën ditët
ishin bërë më të gjata se viti që
numëronte dymbëdhjetë muaj. Të dy mezi po prisnin që të takoheshin
prapë, qoftë edhe për kohë të shkurtë, sa për t’ia përsëritur njëri-tjetrit
fjalën liri, Atdhe, dashuri...Këta kishin dy qëllime, njëri për çlirimin e
Atdheut e tjetri për dashuri që u kishte lindur në ditët e vështira të prag
luftës. Kjo u kishte kaluar në qëllim jetësor të dyve. Një ditë vjeshte, deri
sa flokëverdha po mendonte për Ilirin, ishte lëshuar një “Urdhëresë e
përgjithshme” ku urdhërohej që edhe më tej Rida duhet vazhduar detyrën në të
njëjtin Njësit, sikurse edhe udhëheqësit tjerë në të gjithë vendin. Kjo vlente
edhe për flokëkaçurrelin, i cili me padurim priste të takohej me Ridën që aq shumë
e dashuronte. Mërzia, brenga dhe ditët e pafundme ishin prezentë në të dyja
zemrat, por kur ata mendonin dhe fare mirë e dinin së ishin në shërbim të
Atdheut, atëherë mërzia u hiqej, brenga u largohej e ditët shkurtoheshin aq sa
ata mendonin se nuk ekzistonin fare, kur dihej së rruga e lirisë ishte e
mundimshme me plot sakrifica dhe mjaft e gjatë. Për Ilirin dhe çlirimtaret
mendohej aq e shkurtër sa që njeriu mund të takohej me lirinë aty kur më së
paku e pret, sepse po mos të ishte bota e rrumbullakët, zor se do t’i dihej
fundi i jetës…
Kishin kaluar
ditë, po kalonin muaj të tërë dhe Iliri s’kishte pasur rast më tepër se njëherë
të takohet me Ridën flokëverdhë, e ky takim ishte mjaft i shkurtë. Ky takim
kishte ndodhur diku kah mesnata, afër kufirit në Bjeshkët e larta të
Pashtrikut, atëherë kur Iliri shkonte për armë përtej kufirit
shqiptaro-shqiptar, deri sa Rida po kthehej nga po e njëjta rrugë. Takimi i
tyre kishte zgjatur shumë pak, vetëm disa minuta sa për t’u përshëndetur dhe
për t’i thënë lamtumiren njëri-tjetrit. Meqë të gjithë ishin të lodhur nga
udhëtimi i gjatë, edhe fjalët ishin të pakta. Iliri dhe Flokëverdha patën
rastin që edhe kësaj radhe t’i përsërisnin të njëjtat fjalë që dikur ia kishin
thënë njëri-tjetrit, kur ishin ndarë për herën e fundit diku afër një fshati të
Drenicës heroike. Edhe pas këtij takimi s’u mbeti gjë tjetër pos kujtimit të
shkurtër të fjalës së ëmbël “Të dua A…” dhe asaj që Iliri i kishte thënë Ridës,
ashtu si pa menduar, gjatë dhe në shpejtësi, fjali kjo e përzier me lamtumirë,
që e shtyri Ridën të mendohej shumë për të. Fjala ishte sa e rëndë, po aq edhe
e dhembshme:
- Rida, edhe pse
të dua aq shumë, ne nuk mund të martohemi! Unë jam djalë katundi, jam i varfër
… kurse ti…!? Iliri ishte shprehur
ashtu, pasi e kishte kuptuar se Flokëverdha është nga një familje shumë e
pasur, me të gjitha të mirat që ua kishte dhënë jeta, kurse Ai në të vërtetë
s’ishte edhe aq i varfër, jetonte në një fshat malor, kishte shtatë vëllezër e
dy motra dhe që të gjithë ishin të angazhuar rreth çlirimit të Atdheut, kështu
që jeta për Ilirin ishte nga pak jashtë një mbikëqyrjeje, jetë pak sa e hutuar
nga kaplimi prej dashurisë. Kur Iliri ia kishte thënë ato fjalë, Rida kishte
ngelur pa tekst. E shikonte flokëkaçurrelin nga koka deri te këmbët, sikur
dëshironte t’i thoshte diçka që s’ia bënte zemra, por ajo ngeli e shtangur deri
sa shokët e kishin ftuar të niseshin duke e tërhequr për dore, kurse
flokëverdhës i kishte mbetur shikimi pas. Ndarja në atë mesnatë ndodhi ashtu.
Fjalët e mërzitshme të Ilirit dhe përqafimi i ngrohtë dhe aq i shkurtër, atyre
ua kujtonte takimin dhe puthjen e parë te Vend kujtimi i tyre që u kishte
mbetur në mendje. Ishte ndarja e dy të dashuruarve dhe vazhdimi i rrugëtimit të
mëtejshëm në drejtime të kundërta. Njëri hynte me armatim në Kosovë e tjetri
shkonte për të njëjtin qellim përtej. Rruga më e afërt për të mbërri në vend të
duhur për grupin e flokëkaçurrelit, ishte caku që kalonte afër Kroit të thatë,
diku në lartësitë e Bjeshkëve të Pashtrikut. Sa herë që grupet e ilegales
kalonin aty pari, uleshin afër Kroit të Thatë për të pushuar pak, por edhe për
t’i tubuar pikat e ujit që pikonin nga një lugë i drunjtë, të ndërtuar afër
burimit të kroit. Aty ekzistonte edhe pakëz frikë, se mos po diktoheshin nga
rojat armike që në atë kohë e ruanin kufirin formal, shumë herë të përgjakur.
Ata e morën vendimin, që rrugëtimin ta vazhdonin pikërisht në drejtim të Kroit
të Thatë, për arsye së rruga ishte më e shkurtër.
Ilirit as që i
shkonte mendja për ndonjë rrezik të mundshëm, apo prite të rastit, në të cilën
mund të ndesheshin gjatë asaj rrugë të gjatë e të mundimshme. Atij çdo herë i
sillej ndërmend fjala e Ridës, para syve i shfaqeshin figura e dhe flokët e
saja me ngjyrë të verdhë. Meqë nuk ishin të ngarkuar rëndë, ata shkonin për t’u
ngarkuar. Flokëkaçurreli ecte me hapa të ngadalshëm, në mendime dhe pothuajse
ishte dhjetëra hapa pas shokëve. Ecte sa ecte dhe koka vetvetiu i kthehej
prapa. Nganjëherë lozte me automatikun që aq bukur i rrinte në supe, sikur
donte të fliste, por... me kë? Jo rrallë, ndonjë shok i tij ia sillte mendjen
afër, kur me zë të thekshëm e thërriste flokëkaçurrelin:
- O ,o o, ku je
Ilir Kosova, he burrë i dheut?!...
Atëherë Iliri
vinte në vete dhe përgjigjej me zë të lehtë:
- Këtu pranë
jush, po a u lodhët ju, o vëllezër...
Rruga vazhdonte
me hapa të një pas njëshëm. Dielli po i afrohej bjeshkëve të lindjes, rrezet e
para të tij do ta shndrisnin majën e lartë të Pashtrikut. Grupi i shokëve të
flokëkaçurrelit, më në fund arritën afër Kroit të Thatë. Këtë moment të
arritjes të gjithë po e prisnin me padurim. Shishet e tyre prej plastike, që
ata i kishin me vete gjatë udhëtimit, u kishin ngelur plotësisht të zbrazëta.
Në anën tjetër rruga e gjatë dhe mjaft e mundimshme e malore, pavarësisht nga
koha, atyre ua shtonte etjen. Të gjithë ishin të kallur nga etja edhe pse
udhëheqësi i rrugës i këshillonte që të mos ta përdorin ujin e pijes shumë
shpesh për shkak të djersitjes. Dita kishte zbardhur dhe dielli kishte kaluar
mbi qiellin e kaltër, rrezet e tij depërtonin në çdo vend për rreth tyre. Grupi i Ilirit, kishte
arritur të kroi i thatë *Aty në të vërtet, nga lugu i drurit që ishte i montuar
poshtë burimit, aq pak pikonte ujë sa që, për orë të tëra mezi arrinte të mbushej
një shishe. Të gjithë shokët ishin ulur afër kroit. Dikush pinte duhan e dikush
pushonte i qetë. Njëri nga ata e mbante një shishe nën lugun e drunjtë. Iliri
ishte uluar pak metra larg tyre, kishte vënë automatikun në gjunjë, kishte
ndezur një cigare, tymi i shkonte re përmbi dhe mendonte për grupin tjetër me
të cilin kishte kaluar Rida, rrugën e gjatë të tyre dhe mjaft të mundimshme.
Ekzistonte mundësia, që, grupi që kishte kaluar natën, të diktohej nga forcat
armike dhe të lajmërohet nga ndonjë spiun i pabesë. Policia armike mezi e priste
një gjë të tillë, apo edhe kishte
mundësi që të bien në ndonjë pritë të rastësishme.
Këtë pushim të
sapo filluar të tyre dhe mendimet e thella të Ilirit, i prishën disa të shtëna
rafali nga një postë kufitare disa qindra metra lart kroit. Të gjithë për
njëherë si me komandë të prerë, i zunë pozicionet me armë të drejtuara kah
posta kufitare. Iliri nxori dylbitë, filloi ta vrojtojë një rrugë mali që shpinte
në drejtim të Kroit të Thatë. Ai në atë rrugë vërejti disa ushtarë të armikut
që po lëvizin me armë në dorë dhe po vinin në drejtim të tyre. Meqë ata ishin
disa qindra metra larg, Iliri lëshoi dylbitë, u tregoi shokëve se çka po
ndodhte atje lart. Ata vendosën që t’i zënë pritat afër rrugës së ngushtë dhe
t’i presin deri sa të ofroheshin aq sa të mund të luftonin fytafyt me ta. Ky
ishte qëndrimi i tyre. Një shok i Ilirit, që shokët të gjithë e thërrisnin me
pseudonimin Picimuli, tregoi gatishmëri që ai vetë t’ia fillojë i pari.
Picimuli edhe ashtu e kishte zënë pozicionin shumë afër rrugës, vetëm tri metra
larg prej Kroit të Thatë, kurse planin për tërheqje e bënë asisoj, që të tërhiqeshin në anën e
kundërt të rrugës prej nga kishin ardhur si dhe bartjen në tërheqje të
ndonjërit nga shokët nëse do të plagoseshin. Këto plane u bënë me të shpejtë,
edhe pse ushtarët e armikut ishin bukur larg nga vendi ku ndodheshin
çlirimtarët. Në atë moment kur flitej për bartjen në tërheqje, Picimuli si
zakonisht foli ngadalë dhe me zë të hollë sa që mezi u dëgjua. Kjo ishte një
shaka e rendomë e tij.
- Hiqu atyre
përrallave, bre! Po çfarë të lënduari, o Ilir
Kosova …! Bëhuni gati, vëllezër. Se
pasha këtë gacatore, i raftë armikut në lule të ballit, s’ka njeri që me tërheq
pa ua marrë edhe armët edhe shpirtin, -dhe lëshoi një kollitje të butë duke
mbajtur gojën me dorë që të mos dëgjohet larg. Iliri, edhe ai në shaka, ia
ktheu Picimulit:
- Nuk dihet kush
kujt do t’ia marrim!
Picimuli u skuq
pak dhe s’e ndante shikimin e tij të mprehtë duke vëzhguar për rreth. Ky dukej
mjaft vigjilent, me përvojë pritash, si dhe qesharake aq sa s’ta merr mendja.
Iliri kësaj radhe, kur vërejti fytyrën e skuqur të Picimulit, filloi të qeshej
ngadalë si ndër veti. Kjo ishte qeshja e tij e parë që nga mesnata e kaluar kur
ishte ndarë nga grupi i Ridës. Picimuli kësaj here foli shumë me të vogël sikur
me vete, duke u dhënë shenjë të tjerëve dhe Ilirit se armiku është aq afër sa
vdekja i ndante për një qime floku. Krismat e para u dëgjuan nga pozicioni i
Picimulit, zëri i thekshëm i tij ushtoi në luginat e kroit të thatë me plot
shpresë.
- O,o,o prite
Adem Jasharin, more hej!….krrrr….tak ,tak
Krismat kishin filluar në të dyja anët. Grupi i
ushtarëve të armikut kishin zënë pozita të mira. Duket së edhe ata mjeranë nuk
janë pa përvojë për prita, nëpër këto male të lashta që quhen Arbëri e që me
shekuj po e ndanin Atdheun në dysh. Lufta me tak-tak e rafalë të shkurtër
kishte vazhduar për disa orë, deri sa kishte filluar të bjerë muzgu. Atëherë
rrezet e diellit kishin ikur përtej Bjeshkëve të Pashtrikut dhe i lëshonin
rrugë territ të mbrëmjes që së shpejti do të zë mbi këto male. Iliri bashkë me
shokët kishin filluar tërheqjen sipas planit. Pas largimit disa qindra metra
larg atij vendi, krismat pushuan. Ata e kuptuan se edhe Picimuli po tërhiqej,
pasi që ai e kishte për detyrë mbulimin e tërheqjes së shokëve nga ai vend
Kjo ishte
përvoja taktike e Picimulit. Ishte i ushtruar dhe këtë e përdorte kur ishte
nevoja. Pas pak, Picimuli arriti, u bashkuan të gjithë, ishin tejet të kënaqur
për faktin së asnjeri nga ta nuk ishte i lënduar.
Ata të gjithë ngelen
me shikim të drejtuar kah Picimuli, i cili ishte i mbushur frymë deri në fyt.
Pasi u ul diku afër Ilirit, mori frymë thellë, pushoi pak dhe ia krisi humorit
të tij aq të dëshiruar nga shokët:
- Ev nënën e
nenës, ku s’na lanë me marr as ujë !... Kjo, shokë, s’është aspak humanitare!
- A edhe për
humanistet po të bie ndërmend a ?-ia ktheu njëri nga shokët e tij. i cili mezi
mbahej së qeshuri.
- Qeshu, qeshu,
mos u mbaj rrudhur, se bilani, thonë, kur të qeshë, njeriu shfryhet, e ty, bre
shok, po të tham shul shqip, unë jam kall etje…!
- Picimul, ku i
ke armët se?… - e pyeti Iliri si në shaka.
-Hiqu, more
tyre, se as armët e tyre s’na duhen !
Pasi pushuan dhe
u shfrynë së qeshuri me fjalët e Picimulit, vazhduan rrugën drejt kufirit për
ku ishin nisur...
..........................................................................................................................................
-III-
***Nga të gjitha
që kishin ndodhur deri atëherë, tani mund të thuhej së lufta kishte filluar dhe
luftimet po zhvilloheshin pothuajse në çdo cep të vendit. Iliri shkëlqente me
shokët e tij duke rezistuar kundër armikut. Kishte përfituar përvojë luftarake,
njihej si organizator e strateg i pashoq për luftën çlirimtare në Atdheun e
quajtur Arbëri. Rida në anën tjetër, hiq më me pak përvojë krahas detyrës që iu
kishte besuar për trajtimin e të plagosurve, s’e lëshonte armën nga dora duke u
treguar trimëreshë e maleve, e urtë, fisnike me zemër çeliku, e pa thyeshme dhe
e vendosur deri në vdekje për lirinë e Atdheut. Koha po kalonte në dobi të
ardhjes së lirisë. Betejat e rrepta që zhvilloheshin pothuajse çdo ditë në mes
forcave armike dhe Ushtrisë Çlirimtare, fitimtar ishin çlirimtarët edhe pse jo
të barabartë në krahasim me armatimin e armikut. Armiku në njërën anë po
tmerrohej e në anën tjetër çuditeshin me organizimin e çlirimtarëve. Me kalimin
e kohës nëpër male plot me sakrifica dhe takimet e rralla të Ilirit me Ridën, atyre
çdo ditë e më tepër iu shtohej dashuria. Kjo në asnjë mënyrë nuk ndikonte në
mos kryerjen e ndonjë detyre që u ishte dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i
Ushtrisë Çlirimtare. Ata të dy e gëzonin besimin e plot të Shtabit dhe të
shokëve. Në pjesën e dytë të muajit qershor, në mëngjesin e asaj dite me diell,
Iliri ne dalje të fshatit u takua me shokët. Me ta ishte dhe Picimuli. Iliri
mbante një simpati të veçantë përshakaxhiun e quajtur Picimul, qysh nga dita
kur e kishin zhvilluar betejën fyt me fyt me ushtarët kufitarë afër Kroit të
Thatë në Bjeshkët e Pashtrikut plak. Ai me një përshëndetje të zakonshme “Vdekje armikut”, i tregoi Ilirit për
thirrjet e shumta të shokëve nga vijat e frontit ku po luftohej pa ndërpre, prej
ditës së djeshme në mëngjes dhe po vazhdonin edhe në ato momente. Iliri, pa
menduar edhe aq gjatë, pasi ia ktheu përshëndetjen – liri popullit - e pyeti
Picimulin për gjendjen nëpër vijat e frontit, për shokët, për ndonjë
vendim të tyre, kuptohet për rrethanat e
luftës e veçmas interesohej për çdo njësit të UÇK-së që luftonin anë e kënd
Kosovës, mos ka ndonjë humbje a diçka të ngjashme. Picimuli, si gjithë herë, me
atë fytyrë të skuqur e shumë simpatike, filloi të skuqej edhe më duke filluar
me shprehjet e tij të revoltuara me plot humor:
- A s’po të vjen
turp me pyetë a ?!
- Pse, a mos …?
- foli Iliri pak sa i çuditshëm dhe i ndrydhur nga ajo pyetja e Picimulit
shakaxhi, i cili rrinte shumë serioz para tij duke e shikuar drejt në sy
Ilirin, pa rrahur as qerpik.
- Po çfarë pësimi, bre burrë ?! - dhe filloi të fliste
sikur në ndonjë shfaqje teatrore.
- Po çka me pa, more haj medet, ishin hup shkitë krejt! O
ishin trillu, o Ilir vëllai, e ishin metë si qeni në thekën. Me hi mjeranat
janë hi, po me dal s’pe gjetshin rrugën ha, ha, ha!...
- Le, more
burrë, se më frikësove me atë fjalën tënde”turp” e unë mendova se mos kemi
humbur ndo një shok, - ia ktheu Iliri me shpejtësi duke e ndjerë edhe
frymëmarrjen më të lehtë, kur mori vesh për shakatë e Picimulit. Picimulit i
shkrepnin fjalët si prej grykës së pushkës, ishin fjalë që ia thoshte zemra,
pak sa euforike, por megjithatë, ai ashtu mendonte dhe ky ishte realiteti,
prandaj edhe ia thoshte mendja.
- Ev ngadalë,
Ilir Kosova, he burrë i burrave, trimat luftojnë edhe mëngjeseve, e jo veç kur
të erret!
Iliri ia
ndërpreu fjalët Picimulit me pyetjen, se në cilin vend u dashka të shkohet për
ndihmë. Picimuli shakaxhi, me fjalët e tij të rrepta e të zjarrta ia ktheu
shokut të tij që asaj kohe i ndante vetëm gjumi.
- Të Lugu i
Tuneleve.
- Atëherë?
- Atëherë s’kemi
ç’të presim. Përgatituni e po ia krisim, drejt e të Lugu i Tuneleve. Iliri i
thirri edhe dy shokët tjerë, morën armët dhe u nisën drejt Lugut të Tuneleve,
si gjithë herë me këngë, të qeshur dhe me humorin e përsosur të Picimulit
shakaxhi. Kjo ngjasonte sikur shkuarja në dasmë. Iliri u printe shokëve të
pushkës, ai si gjithë herë ishte për disa hapa para tyre, “Zolen” dhe snajperin
e tij e përdoronte nga njeri krah në tjetrin, i thërriste shokët që të
shpejtonin hapat. Kjo gjë për herë të par ishte vërejtur të Flokëkaçurreli,
sepse si zakonisht çdoherë kur merrnin rrugë të tilla, ai ecte pas shokëve
madje edhe i qortonte shpesh herë së po nguteshin duke u thënë: “Asnjëherë s’do t’u bëhej vonë”. Një shok i
tij, i lodhur dhe i mbushur frymë nga ngarkesa e armëve dhe municionit që bartë
mbi supe, ia ktheu Ilirit duke ia përsëritur si në citat, fjalët e tij
origjinale që ai ua thoshte atyre herëve tjera kur udhëtonin së bashku:
- Mos u ngutni,
he burra, se s’na bëhet vonë. Kur të mbërrijmë, mbërrijmë …dhe !? Picimuli e
tërhoqi nga krahu duke u munduar ta mbaj të qeshurën, u ofrua ngadalë dhe i
foli diçka në vesh. Të dy ia krisen së qeshuri, të tjerët edhe pse s’e dëgjuan
bisedën në mes njëri-tjetrit, kuptuan se kjo ishte ndonjëra nga shakatë e shakaxhiut
dhe u qeshën pa kuptuar për se bëhej fjalë. Picimuli, për disa hapa u ndal,
lëshoi mërrolat e ballit, u bë shumë serioz dhe iu drejtua shokëve duke folur
sikur të interpretonte ndonjërin nga rolet e Hamletit në ndonjë skenë të madhe
të Londrë:
- Shokë, më
falni, unë e di pse ngutet Iliri!
Dhe pa folur
asnjë të paktën fjalë, vazhdoi të ecte me hapat e tij të shpejtë, sikur në
ndonjë vrapim. Iliri që i kishte dëgjuar me vëmendje fjalët e tij, vazhdonte
rrugën duke menduar me vete, për atë që foli Picimuli. I bënte pyetje vetes,
por pasi i ngadalësonte hapat e mëdhenj e të shpejtë. Nga njëherë i shkonte
mendja te Flokëverdha, nga njëherë te “Vend kujtimi” dhe kështu, çdoherë e më
afër Lugut të Tuneleve që afroheshin, aq më shumë dëgjoheshin të shtëna armësh.
Atje po luftohej me të madhe. Pas një orë e më tepër udhëtimi, u ulën për të
pushuar afër një lisi bung të vjetër e të trashë, gati sa dy herë trupi i
njeriut.
- Athua, ky
është mrizi i katundit, - foli Iliri me t’u ulur nën hijen e bungut të trashë,
duke e nxjerrë frymën nga brendia prej lodhjes nga tatëpjeta që i kishte
mbushur frymë dhe djersitur të gjithë duke e ndjekur atë me hapa të shpejtë.
- Eh, e gjeta,
po, po bash për këtë!...
- Çka për këtë?
Fol, more burrë!- pyeti njeri nga shokët duke shikuar me habi. Ky kishte
harruar fare së Picimuli flet serioz duke e përdor humorin e vet plot thumba:
- Për këtë u
ngute, Ilir, me ardhë sa më parë e me pushue nën hije të mrizit ku kanë pushue
zanat, se bilahi jena
lodhë, jena
këputë!...
Iliri dhe shokët
tjerë nuk u përmbajtën së qeshuri me humorin dhe gjestet e Picimulit. Ata tani
ishin të ulur nën hijen e bungut. Picimuli ishte shtrirë nën hijen e bungut dhe
pas pak filloi te germat sikur të ishte në gjumë të thellë. Iliri në anën
tjetër, vriste mendjen për gjithçka, pasi kishte pushuar pak. Nxori nga xhepi i
uniformës së larme fletoren dhe vazhdoi t’i shkruajë ngjarjet e asaj dite në
ditarin e tij që e mbante çdo ditë. Picimuli që ishte i shtrirë dhe shtirej që
është i fjetur, hapi njërin sy, e shikonte Ilirin fshehurazi duke shkruar në
ditar. Kërceu me shpejtësi si kur trembej, fshini sytë, ofshani dhe filloi të
shikojë i habitur përreth shokët që ishin duke pushuar nën hije. Qeshën me
gjestin e tij, deri sa Iliri vazhdonte shkrimin në fletoren e ditarit duke
kuptuar se ç’po ndodhte nën hijen e bungut.
- Shokë, a s’po
e kuptoni pse u tremba ? Ëndërr e keqe !...
Një shok i tyre
e pyeti, Picimuli që mezi priste, filloi t’ua rrëfejë ëndrrën e improvizuar
duke u shtirur shumë serioz dhe me fjalë bindëse. Të gjithë shokët, deri sa
fliste Picimuli, e shikonin drejt në sy, kurse Iliri nga njëherë e kthente
shikimin kah ai dhe vazhdonte së shkruari në fletoren e tij. Picimuli, u ndal
pak, mori frymë thellë dhe iu drejtua Ilirit:
- Ndal, bre
burrë, dëgjomë deri sa ta përfundoj unë, e pastaj vazhdo se s’po ta zë shiu as
nuk të bëhet vonë…!
- Fol, fol
Picimul, - ia ktheu Iliri buzagaz.
- Besoni, shokë,
disi me shumë mund arritëm tek Lugu i Tuneleve. Atje na doli para një vajzë
flokëverdhë, ajo kishte një mantel të bardhë të veshur, dukej si motër
medicinale, ishte e bukur se jo mahi, në dorë mbante një kallashnikov, dukej
tamam trimëreshë e vërtetë…
- Pastaj? - e
pyeti njëri nga shokët me habi.
- Pastaj dihet,
Iliri mësyu i pari ta përshëndeste, por disi u lëshua një mjegull e madhe dhe
çdo gjë na humbi para syve …
-Çka po
mendohesh, bre burrë? Vazhdo, fol!-ia priti Iliri që dukej shumë i interesuar
ta dëgjonte ngjarjen e Picimulit deri në fund, por edhe shokët tjerë kishin të
njëjtin interesim për ta dëgjuar shokun e tyre shakaxhi qe rrallë herë pushonte.
- Nuk po
mendohesha, po s’di a t’u tregoj, a jo!
- Si mos të
tregosh!. Fol deri në fund.
- Atëherë në
mesin tonë shpërtheu një granatë dhe na të gjithë ramë për tokë, për çudi kur u
zgjuam të gjithë ishim mirë, s ’na gjet gjë…
- E ajo vajza? -
pyeti Iliri pa përfunduar mirë.
- Cila vajzë?
- Flokëverdha, a
mu duk se e përmende? - foli Iliri me pa durim dhe pa kontroll fare. Në fytyrën
e tij u vërejt ndryshimi. Atij i shkonte mendja te Rida. Pas kësaj pyetje
dhe shqetësimit
të Ilirit, Picimuli filloi së qeshuri me të madhe. Iliri e kuptoi se e tëra
s’ishte gjë veçse një trillim i Picimulit. I shkoi pak buza në të qeshur dhe iu
drejtua shakaxhiut duke e mbyllur fletoren e tij:
- A ti s’i
harron këto marrëzira edhe kur të vdes…
- Kush të vdesë, bre ? Unë jo, le të vdesë kush të dojë!
Të gjithë shokët
që ishin të ulur nën hijen e bungut, filluan të ngarkohen, u bënë gati dhe
vazhduan rrugëtimin drejt Lugut të Tuneleve...
............................................................................................................................................
-IV-
***Atëherë kur dielli kishte arritur në mesin e qiellit
dhe rrezet e tij ishin më të nxehta se kurrë, Iliri bashkë me shokët e tij
kishin arritur te Lugu i Tuneleve. Aty, në të vërtetë, po luftohej dhe
rezistenca e forcave çlirimtare për këtë pjesë të Atdheut ishte shembullore,
nuk kishte gojë t’i rrëfente e t’i paraqiste të gjitha. Çlirimtaret që kishin
fituar përvojë nëpër beteja, këndonin me këngë e me pushkë. Kjo ishte arenë
luftimesh, përplot me shpresë e me luftëtarë të lirisë, që përpos çlirimit
s’mendonin në asgjë tjetër. Forcat armike, edhe pse me armë më të përsosura,
teknikë luftarake të rëndë, ata po tmerroheshin nga frika, gati ishin thyer.
Pushka e luftëtarëve të lirisë s’kishte të ndalur, fitorja ishte dukshëm në anën e çlirimtarëve.
Grupi i Ilirit kishte mbërritur në kohë dhe në vendin e duhur. Pasi këta ishin të
lodhur, të djersitur, çdo herë dhe në
çdo kohë ishin të gatshëm. Ata shokët i quanin snajperistat e djersitur. Pas
një përshëndetjeje, ashtu siç ishte bërë shprehi nëpër fronte, Picimuli lëshoi
një zë në kupë të qiellit duke bërtitur:
“O ,o,o prite Adem
Jasharin, more, o hej…” dhe me njëherë pas asaj britme foli me zë të ulët dhe
mjaft qesharak, sa që të gjithë ata që ishin afër tij, filluan të qeshin me
humorin e Picimulit shakaxhi.
- Qëndroni
vëllezër e mos keni dert se na jena
me avdes !.
- O ,o,o prite,
prite …
Dhe, pa një pa
dy, u përplas në pozicionin më të afërt që e
kishte aty në
anën e majtë, duke përshëndetur luftëtarin që e gjeti në istikam me pushkë në
dorë.
- Puna e mbarë,
o jaran - dhe e drejtoi snajperin në drejtim të armikut, duke e marrë njërin
nga ta në shënjestër. Picimuli ia tërhiqte këmbëzën snajperit vetëm atëherë kur
ishte i sigurt dhe shumë i sigurt se s’do t’i shpëtonte nga thumbi kush. Pasi e
kishte marrë në shënjestër armikun, iu drejtua Ilirit duke bërë prapë një
pyetje qesharake:
- A e qorroj
qatje një hajvan së po e çon kryet si qeni në thekën. Iliri, i cili kishte zënë
një pozicion tjetër në anën e djathtë të tij, iu përgjigj shkurt dhe shumë
serioz:
- Nuk pyetet kur
e ke në shënjestër armikun! Veç a të
punon syri.
- O syri nuk më
ka rrejtë kurrë, po, po i tutna qisaj të shkrete se!- bëri me dorë nga prapa
dhe të gjithë që e dëgjuan, prapë ia plasën gazit. Picimuli me fjalët e tija
plot humor, e ngritke moralin e luftëtarëve, i bënte ata që të harrojnë për të
këqijat që u kishin ndodhur më parë.
Krismat e
pushkëve të lirisë s’kishin të ndalur. Ato dëgjoheshin aq mirë dhe drejtoheshin
nga duart të sigurta e në vend të duhur. Në anën tjetër pjesëtarët e forcave
armike, të tërbuar e të humbur nga morali me frikë që u kishte prekur palcën,
gjuanin me lloje të ndryshme armesh e kalibrash. Kjo lloj përvoje për çlirimtarët ishte e njohur dhe përshtypja e
Ilirit ishte së armiku ka pësuar humbje te Lugu i Tuneleve gjatë kohës së
luftimeve.
Kësaj pas dite
dielli kishte kaluar në anën perëndimore të Lugut, rrezet e tij kishin rënë në
shpinën e çlirimtarëve, që po mbaheshin të pa thyer nëpër istikame. Rrezet e
diellit të
asaj pasdite, sa
nuk kishin mbërritur t’i përqafonin meset e dy Bjeshkëve të Pashtrikut, e më
pas për t’i lënë vend errësirës së natës. Krismat çlirimtare s’kishin të
pushuar, luftëtarët e pa parë të lirisë, ngadalë, me kujdes e përpikëri venin
në shënjestër forcat e këmbësorive të armikut të udhëhequra nga kriminelë të
njohur të Serbisë, të cilët edhe më tej po ëndërronin ta mbajnë Kosovën nën
okupim, ashtu siç u kishin këshilluar urdhërdhënësit të ulur nëpër kancelarit e
“Sava centar”. Në anën tjetër çlirimtarët e pa
lodhur, e me moral të lart, e detyronin armikun t’i thoshte Kosovës lamtumirën
e fundit, kush me kokë e kush pa te!
Mbrëmja po
ofrohej, forcat çlirimtare po rezistonin të pa thyera. Në anën e tyre deri në
këto orë s’kishte asnjë humbje, kurse në anën e armikut vërehej dukshëm
humbja,- bile e madhe. Para se të fillonte tërheqja e forcave armike, të stacionuara
përballë Lugut të Tuneleve, ata po fillojnë me gjuajtje nga të gjitha anët dhe
me të gjitha armët e rënda që i kishin në dispozicion, madje edhe me tanket “T
-155” dhe me minahedhës të kalibrit “120 mm”, të cilat jo rrallë i përdorte kur
pësonte humbje siç ishte kjo e Lugut të Tuneleve, që e kishin humbur rrugën
fare!... Çlirimtarët këto gjuajtje, nga përvoja i kishin të njohura, ishin
strehuar nëpër bunkerë të ndërtuar të mirë e të fortë dhe prisnin njoftimin e
vëzhguesve për tërheqjen e forcave armike që ta përcjellin me urraaa, dhe me
plumba pas. Në istikamin ku ishte pozicionuar Picimuli, ende dëgjoheshin të
shtëna të rralla. Ato dukeshin shumë të sigurta, ishin krisma snajperi. Iliri,
që ishte i strehuar në bunkerin e parë, kishte ndezur një cigare dhe po i
dëgjonte ato të shtëna të rralla, po
shikonte anash dhe në asnjë cep të bunkerit s’e pa figurën qesharake të
Picimulit. Ai e kuptoi se ajo pushkë është pikërisht e shokut të tij, shakaxhi,
u ngrit dhe filloi të dalë nga bunkeri ku ishin pothuajse të gjithë. Deshi të
shkojë po në atë istikam ku ishte Picimuli, për t’i dhënë edhe më jehone
pushkës çlirimtare. Me gjithë insistimet e të gjithëve që ishin në bunker për
ta ndalur vetëm derisa të kaloi breshëria e arsenalit që gjuante armiku mbi atë
vend, Iliri kapi snajperin e vet në dorë, “zollen”, e shtrëngoi rreth
kraharorit dhe doli nga bunkeri me të shpejtë. Jo larg hyrjes së bunkerit u
dëgjuan një eksplodim i granatës dhe një klithmë burri. Të gjithë që ndodhen
brenda, për njëherë tentuan të dalin nga bunkeri, ishte e pamundur. Hyrja e
ngushtë e bunkerit u mbush plot tym e mjegull. Aty nuk shihej gjë. Ishte bërë
mjegull nga pluhuri dhe eksplodimi i granatës. Ata e thirren disa herë Ilirin,
por e kotë, zëri i tij tanimë ishte ligështuar. Ai ishte i plagosur rëndë nga
ajo granatë e mallkuar që erdhi në drejtim të bunkerit. Picimuli që ishte në
istikamin më të afërt, u ngrit kur e dëgjoi klithmën e shokut të vet, lëshoi
istikamin, filloi të vraponte disi tërthorë, për t’u shpëtuar plumbave të armikut
dhe u hodh si shqiponjë mbi trupin e plagosur të Ilirit. Të gjithë çlirimtarët
tjerë që dolën nga bunkeri, i zunë pozicionet dhe filluan gjuajtjet e furishme
në drejtim të armikut duke mos e lejuar ta ngritin kokën nga pozicionet e veta.
Kjo ishte strategjia e luftëtarëve të lirisë, e ushtruar me mjaft përvojë për
rastet
e tilla që të
mundësohej tërheqja e Ilirit të plagosur dhe të mbrohej ekipi tërheqës nga të
shtënat e armikut që deri në ato momente nuk kishin të ndalur. Të shtënat në
masë të madhe dhe gjuajtjet e furishme e të sakta të çlirimtarëve, bënë që
armiku të tmerrohej nga frika. Thuajse të shtënat e tyre dhe granatimet u
ndërprenë fare duke u frikësuar edhe trupa komanduese e armikut, se çlirimtarët
do t’ia fillojnë luftës fyt më fyt me ta. Në anën tjetër zërat mitikë të
luftëtarëve të lirisë, “ O prite Adem Jasharin”, e detyruan armikun të vendosë
për tërheqje definitive nga Lugu i Tuneleve. Picimuli me dy shokë tjerë,
ndërkohë e kishte shfrytëzuar rastin duke e tërhequr Ilirin nga vendi i
plagosjes e duke e strehuar në bunker dhe mundohej t’ia jepte ndihmën e parë.
Piskama të mëdha, zërat mitikë të çlirimtarëve si dhe të shtënat e tyre s’
kishin të ndalur. Ata po qëllonin mbi armikun, që në tërheqje të tyre i kishin
vrarë edhe disa të tjerë duke përmbyllur këtë mbrëmje në arenën e luftimeve te
Lugu i Tuneleve.
Ky ishte mesazh
i qartë për armikun, se çlirimtarët dinë vetëm për fitore, ata nuk dinë për
zmbrapsje edhe përkundër asaj që armiku i tërbuar po përdorte armatimin
shumëfish më të rëndë. Armët e thjeshta dhe modeste të çlirimtarëve ishin më të
forta, më të suksesshme dhe fitimtare në të gjitha betejat që po zhvilloheshin
në Kosovë në mes forcave armike dhe atyre çlirimtare. Errësira e mbrëmjes
kishte përshkuar fushat dhe malet në Lugun e Tuneleve. Luftimet kishin
përfunduar, të shtënat nuk dëgjoheshin më , qetësia po mbretëronte pa kufi. Të
gjithë shokët e mbledhur afër bunkerit, çdo çast po e prisnin arritjen e
makinës së ndihmës së shpejtë për ta dërguar Ilirin e plagosur në spitalin e
improvizuar ushtarak. Në radiolidhje, pa pushim u vinin urimet për fitore nga
të gjitha anët, si dhe interesimi për gjendjen e të plagosurve ishte mjafte i
madh. Iliri me zërin e tij të shterur dhe sytë e errësuar nga ajo gjakderdhje e
madhe që kishte pasur, i këshillonte shokët që të mos flasin për plagosjen e
tij. Ai i luste shokët e vet që të flasin vetëm për fitore, ta komunikonin
lajmin e shumëpritur për tërheqjen e forcave të armikut me humbje e me marre
nga Lugu i Tuneleve. Makina me ekipin e ndihmës së shpejtë arriti te Lugu i
Tuneleve. Ata ishin të udhëhequr nga një vajzë flokëverdhë, trimëreshë e
luftëtare e denjë që as njëherë nuk e lëshonte armën nga dora. Flokëverdha, më
të dalë nga automjeti, i përshëndeti shokët e frontit me një përshëndetje të
zakonshme dhe pa humbur kohë urdhëroi ta fusin në makinë të plagosurin. Me të
larguar, flokëverdha vërejti fytyrën e shqetësuar të Picimulit, u ndal në vend,
mori një qëndrim dhe ktheu kokën kah Picimuli, i cili në atë moment uli kokën
përdhe, sepse ishte i vetmi që dinte për dashurinë e Ilirit më flokëverdhën që
quhej Ridë. Meqë Iliri ishte mjaft rëndë i plagosur, Picimuli ia kishte marrë
ditarin e tij, me porosi që ta takojë Ridën për t’ia dhënë asaj. Picimuli,
ngadalë dhe me lot në sy, nxori ditarin që e ruante nën gjoksoren e vet dhe
duke e shikuar fletoren e përgjakur të Ilirit, u nis kah flokëverdha e cila
qëndronte pranë makinës. Rida mbeti e shtangur dhe fare pa fjalë. Ajo e
shikonte fytyrën e skuqur të Picimulit duke iu kujtuar fjalët e tij qesharake
që i kishte dëgjuar dikur në mesnatë afër kufirit në Bjeshkët e Pashtrikut, kur
ky ishte bashkë më Ilirin, dhe posa hapi gojën të flas Picimuli ia ndërpreu
fjalën:
- Po , ky është për ty! - ia zgjati fletoren dhe ia dha në
dorë Flokëverdhës. Iliri që e kishin vendosur në makinë, mundohej ta çonte
kokën për të kuptuar se ç’po ndodhte atje afër bunkerit. Këtë e kishte të pa
mundur, plagët i kishte të rënda, sa që s’mund të lëvizte nga vendi, por edhe
fytyra e tij ishte mbushur përplot me gjak nga plagët e trupit. Flokëverdha e
hapi fletoren e përgjakur dhe pa se në faqen e parë të ditarit po shkruante
“Rroftë UÇK-ja – A. Kosova “. Tani e kuptoi se cili është i plagosuri, mbylli
ditarin, iu afrua makinës, hapi derën dhe thirri Ilirin me një zë të çuditshëm
e kumbues që e shtyu Ilirin të lëvizte nga vendi me gjithë plagët e rënda që e
mundonin në shpirt. Iliri mirë e njihte atë zë. U mundua të ngrihej duke e
lëshuar një zë të shterur pas zërit të Ridës dhe një ofshamë nga dhimbja e
plagëve të rënda. Rida u përplas afër kokës së tij duke dhënë urdhrin që të
niset makina për në spitalin ushtarak. Picimuli me shokët tjerë dhe me sy të
mbushur lot e pikëllim, mbetën me shikim kah makina e ndihmës së shpejtë që
treti me shpejtësi nëpër një rrugë mali e që shpinte nga Lugu i
Tuneleve drejt Spitalit Ushtarak diku në Drenicë.
..........................................................................................................................................
-V-
***Luftimet
kishin marrë hovin më të madh që nga fillimi i luftës në Kosovë. Ofensivat e
forcave policore-ushtarake e paramilitare të armikut s’kishin të ndalur.
Populli i pa armatosur shqiptar po dëbohej me dhunë nga trojet e veta, fshatrat
e vendet tjera ku përqendroheshin ato forca armike, thuajse i çregjistronin nga
harta gjeografike, digjnin e shkatërronin çdo gjë që ishte shqiptare. Një pjesë
e madhe e popullatës shpërnguleshin nëpër disa vende pak më të sigurta.
Shpresat e vendet ku kishte siguri, tani kanë mbetur vetëm mali , luginat e
përrojet e thella, jeta ishte
vështirësuar në masë të madhe, ekzistenca për jetë kishte arritur deri
në atë shkallë që mund të quhej katastrofë.
Çlirimtarët në
këtë kohë ishin tërhequr nëpër vende malore duke ndërruar taktikën luftarake,
kishin kaluar nëpër njësite të vogla guerile dhe asnjë ditë s’kalonte pa
aksione të suksesshme të UÇK-së. Spitali ushtarak ishte granatuar pamëshirshëm
nga forcat e armikut, të gjitha aparatet medikamentet dhe ekipi mjekësor bashkë
me të plagosurit, me sukses ishin evakuuar në një vend të sigurt afër
Qyçavicës. Lufta për çlirimin e Atdheut po vazhdonte, radhët e njësiteve
çlirimtare po shtoheshin çdo ditë e më shumë, deri sa frika e armikut vërehej
qartë, ata e kishin frikën nga taktika e re e çlirimtarëve. Dukej qartë shtimi
i mjeteve ushtarake nga më të rëndat e
deri të forcat e shumta këmbësorie, por prapë së prapë luftëtarët e lirisë
ishin ata që s’donin të dëgjonin për humbje.
Parulla ishte e
njohur për të gjithë – “Vetëm para, deri në fitore”. Një urdhëresë ishte
lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm, me të cilën urdhërohej që të plagosurit
duhet depërtuar përtej kufirit për shërim. Në mesin e të plagosurve që duhej të
udhëtonin për Shqipëri, ishte edhe Iliri. Ky lajmë ishte sa i gëzuar po aq edhe
shqetësues për Ridën. Rida, kishte më tepër se një muaj që s’kishte lajme për
familjen e vet. Ajo më tepër brengosej e interesohej për të plagosurit dhe për
fatin e Atdheut, se sa për vetë fatin e saj dhe të familjes së saj. Para më shumë së 15 ditëve ajo kishte dëgjuar për dëbimin
e popullatës nga qyteti ku jetonin familja e saj. Ajo nuk e dinte se çka kishte
ndodhur me lagjen e saj dhe familjen, prandaj kishte bërë kërkesë që t’i
lejohet të shkonte për një kohë të shkurtër deri në Zonën e Shalës, te
kushërinjtë e saj, për të mësuar për fatin e familjes dhe të afërmve tjerë. Kjo
kërkesë e Ridës mbeti e parealizuar. Para se
të vendosej për kërkesën e saj, Komandanti e kishte nënshkruar një urdhëresë me
të cilën urdhërohej që Rida duhet ta bëjë përcjelljen e të plagosurve që do të
udhëtonin për shërim jashtë Kosove. Ai udhëtim do të fillonte në atë mbrëmje
nga fshati ku ishin të vendosur disa ditë më parë të plagosurit, për shkaqe
sigurie. Rida e kuptonte fare mirë se udhëtimi do të jetë i vështirë, plot
sakrifica, i mundimshëm dhe i gjatë ca ditë. Ajo e dinte fortë mirë, se ato
rrugë që i kishte kaluar pa pengesa para dhe në prag të fillimit të luftës,
tani ishin të kontrolluara nga armiku dhe për ta e vetmja rrugë ishte rruga e
malit.
Flokëverdha
ishte sa e shqetësuar për fatin e familjes, aq ishte e emocionuar, për faktin
se ajo tani do të udhëtonte me njeriun që e dëshironte, donte t’i ndihmonte më
shumë se çdo kujt, me njeriun që e kishte njohur e dashuruar në ditët më të
vështira, në ditët e para luftës çlirimtare, me njeriun që e adhuronte me
gjithë zemër, njeriun pa të cilin s’do t’i duhej as jeta. Ora po i numëronte
tiktaket e saj në mbrëmjen e asaj dite. Të gjithë ishin tubuar para shtëpizës
së vogël ku ishin të vendosur të plagosurit. Ata ishin të gatshëm për udhëtimin
e gjatë që i priste. Rida arriti me një xhip. Ajo e drejtonte vetë dhe ende pa
u ndalur mirë xhipi, kërkoi që të fillohet me vendosjen e të plagosurve nëpër
makina për të mos humbur kohë, sepse i priste rrugë e mundimshme dhe e gjatë.
Rida as vetë s’ishte e sigurt se a do të vendosej Iliri në xhipin që do ta
drejtonte ajo. Të plagosurit filluan të dalin nga shtëpiza e vogël, disa po i
bartnin me lese e disa ecnin duke çaluar dhe me shtaga, e përshëndetnin
flokëverdhën dhe hynin nëpër makina, ashtu siç ishin të radhitura. Atë natë do
të udhëtonin pesë të plagosur dhe afro 15 çlirimtarë me përvojë. Ata do të
siguronin udhëtimin gjatë rrugës deri në zonën e thellë malore, prej aty do të
duhej që të plagosurit të barten me lese deri në fshatin e parë përtej kufiri.
Nga të gjithë ata të plagosur që duhet të udhëtonin atë natë, vetëm një ishte
rëndë i plagosur, i cili s’mund të ecte, të tjerët gjendeshin edhe në situata
të tilla. Për të gjithë rruga e malit ishte aq e dëshiruar, sa që mezi prisnin
ta merrnin atë rrugë sa për t’u ngopur frymë lirie në bjeshkët e larta të
Pashtrikut plak, me majën e mbuluar me dëborë që dukej si qeleshja në kokën e
plakut qindvjeçar. Të plagosurit dhe çlirimtarët tjerë ishin të vendosur nëpër
makina. Ata prisnin një të plagosur që do të dilte nga shtëpiza dhe urdhrin për
të filluar rrugëtimin. I plagosuri që e prisnin ishte Ilir Kosova. Ai u duk në
derë të shtëpisë me shtaga, mezi po mbahej së ecuri, kishte lëndime të rënda
dhe shumë serioze, nëpër duar iu rrek automatiku dhe gati sa s’u rrëzua në
shkallët e asaj shtëpizës së vogël. Rida vrapoi me shpejtësi duke e mbajtur për
krahu për t’i ndihmuar, ajo e kishte ngulitur shikimin e saj të mprehtë drejt e
në sy të Flokëkaçurrelit.
- Po ti, prej nga këtu ?! - pyeti Iliri.
- Mos ke merak,
mua më gjen kudo dhe kurdo. Mos më thuaj se nuk të ndodhem pranë në situatat më
kritike. A s’është kështu? -iu drejtua flokëverdha si në shaka. *Iliri e ktheu
shikimin kah shokët tjerë, me nervozizëm të vogël kërkoi nga flokëverdha që ta
lëshonte, ta vazhdonte vetë rrugën drejt makinës së saj. Ai ia lëshoi
automatikun e vet në dorë Ridë, e cila e mori armën e tij dhe prapë filloi me
shaka. Si duket, kjo do ta nxiste Ilirin që fliste duke i përdorur shakatë e
kopjuara nga shoku i tij i pa ndarë, Picimuli:
- E sheh edhe
vetë Ilir Kosova? Prapë në ndihmën time
- Ec bre, se
s’janë armët për gra, jo!- foli flokëkaçurreli në buzagaz duke e mbyllur me
rrëmbim derën e xhipit që po e drejtonte Rida flokëverdhë, duke i lënë pas të
dëgjohen të qeshurat e çlirimtarëve që ishin aty pranë makinave. Makinat u
tretën në drejtim të malit duke e lënë pas pluhurin që ngrihej e dukej si
gjarpër nëpër qiell. Nga rruga me leqe të mëdha makinat vazhduan rrugëtimin.
Kur makinat
ishin tretur mjaft larg nga vendi i nisjes, në oborrin e shtëpizës së vogël
arriti Picimuli, i djersitur dhe i lodhur në shpirt. Aty gjeti vetëm rojën dhe
tre shokë tjerë, të cilët kishin mbetur ende në shtëpinë-spital. Picimuli, pasi
e kuptoi se grupi me të plagosurit kishin shkuar, i mbeti shumë merak që nuk
arriti me kohë për t’u përshëndetur me
shokun e tij, Ilirin. U ul në oborrin e asaj shtëpize, vuri duart në kokë,
lëshoi armën në prehër dhe filloi të mendojë planin për të arritur deri te
ndalesa e parë e grupit. Në anën tjetër edhe Ilirit i kishte mbetur i njëjti
merak, ai ishte i sigurt së Picimuli do të insistonte që të takohej me të. Pasi
grupi i të plagosurve, kishin thirrur përmes radiolidhjes duke pyetur për
Picimucin, roja iu afrua atij dhe e pyeti për emrin.
- Më fal, si e
ke emrin? Picimuli, ishte tretur në
mendime, as që e vërejti rojën që ishte afruar pranë tij, shikonte poshtë
gjunjëve dhe mendonte me vete.
- Vëllaçko,
si e ke emrin ?! Hej !... - pyeti roja
për herë të dytë duke e tërhequr për krahu. Picimuli sikur kur zgjohej nga një
ëndërr e thellë, kërceu duke u skuqur
edhe në fytyrën e vet qesharake, iu drejtua rojës si në hidhërim:
- Kush , unë a ?.
- Këtu s’shoh
njeri tjetër!
- E, pra, nëse
më pyet mua, unë e kamë emrin askush!
Tani roja, i
habitur me shprehjet e Picimulit, belbëzoi pak, pastaj i tregoi se në
radiolidhje po pyesin për njëfarë Picimulin. Kur ky e kuptoi, i kërkoi falje
rojës, mori radiolidhjen e tij dhe filloi të flasë:
- “Marrje,
marrje”… “ Picimuli marrje…”, - i cili
kishte harruar t’ia shtypë sustën aparatit për të hy në lidhje me anën tjetër,
derisa roja që ishte afër tij, i çuditur me veprimet që po i bënte Picimuli,
atëherë ia tërhoqi vërejtjen që duhet shtypur sustën aparatit, nëse dëshiron ta
dëgjojë zërin në anën tjetër. Picimuli e shikoi rojën, më pas aparatin dhe foli
çuditshëm, duke e shpërnda zërin e tij qesharak:
- Ah i i i, paskam harru krejt se unë punoj fort
me këto virane!
Pas kësaj, ai
shtypi sustën dhe filloi thirrjen duke mos e ditur nga kush kishte thirrje më
parë.
- Picimuli,
Picimuli, marrje…jo more marrje, lajmërohu për Picimulin… - derisa në anën
tjetër të asaj lidhje u dëgjua zëri i Ilirit, shokut të tij të pa ndarë:
- Picimuli për
Ilirin, lajmërohu!
- Marrje
Picimuli, marrje. Po ku dreqin je, bre burrë
?. Se po me duket s’ka lidhje!
Pas shumë
bisedave në mes Picimulit dhe Ilirit, ata u morën vesh se ku do të takoheshin
atë mbrëmje për t’u përshëndetur mes veti. Iliri i dha shenjë të niseshin,
kurse Picimuli në anën tjetër u përshëndet me rojën. Duke i kërkuar falje atij,
hodhi automatikun krahut, filloi fishkëllimën e tij të rëndomë dhe vazhdoi
rrugën për në vendin e caktuar të takimit...
..........................................................................................................................................
-VI-
***Ishte mbrëmje
e asaj vjeshte të hershme, koha me riga
shiu që pikonin të rralla por të mëdha, po e bënin rrugëtimin e tyre sa të
mundimshëm aq edhe të rëndë.
Tapë, tapë, tapë
dëgjoheshin pikat e shiut nëpër rrugën plot pluhur. Ata hapëronin me të
shpejtë, kërkonin strehim në ndonjërën nga shtëpitë e fshatit rrëzë Bjeshkëve
të lashta të Pashtrikut që po i mbulonte një pamje e bardhë nga retë e dendura
mbi kreshtat e larta që dukeshin si qeleshet në kokat e pleqve mjekërbardhë.
Grupi me disa të plagosur kishin arritur të strehoheshin në njërën nga shtëpitë
më të afërta të fshatit hasjan, kurse çlirimtarët që ishin në përcjellje të
grupit, në një shtëpi – Komandë po të atij fshati, me tradita të veçanta.
Banorët që kishin mbetur ende në fshat, bashkë me çlirimtarët e asaj komande
ishin të gatshëm çdo herë dhe kurdo herë për t’ia shkrepur, ishin në shërbim të
luftës dhe të Atdheut. Bënin roje, vëzhgonin terrenin, pritnin e përcillnin
njerëz që kalonin aty pari dhe vazhdonin rrugën përtej kufirit. Rida që ishte e
vendosur në shtëpinë ku ishin ndalur të plagosurit, kryente me nder e respekt
punën e vet prej punëtori të vyer shëndetësor, ua lidhte e ndërronte plagët të
gjithë të plagosurve. Ajo gjatë punës u bënte sikur nuk njihej aq mirë me
Ilirin. Këtë mundohej ta fshehte nga të plagosurit tjerë për hir të etikës
mjekësore, edhe pse, kur i erdhi radha që t’ia ndërrojë fashat në plagët e
Flokëkaçurrelit, sytë e saj u ngulitën drejt e në fytyrën e tij. Disi edhe
duart i pushuan, por mendimet i vëreheshin të tretura larg te ai takimi i parë
në “Vend kujtimin” dhe s’i largohej nga mendja puthja e rastësishme në rrugicën
e ngushtë e të përbaltur të qytetit.
- Si duket, kjo
plaga ime...? - foli me zë të ulët Iliri.
- Është bukur e
rëndë, -iu përgjigj Flokëverdha duke mos e ndërruar shikimin dhe duke e kthyer
kujtesën nga koha e kaluar në vendin ku ishin takuar për herë të parë.
- Por të jesh i
sigurt, se do të bëhet mirë, - dhe prapë filloi t’ia pastrojë plagën, e cila
ditë e më tepër po i keqësohej.
- Rida, të lus
që të ma thuash të vërtetën!
- Sinqerisht, do
të bëhet mirë. S’na ka mbetur edhe shumë e po arrijmë në vend, - ia ktheu
Flokëverdha, gjithë herë duke menduar se Iliri po brengosej për plagët e veta.
Ky prapë filloi ta shikonte me habi Flokëverdhën, duke i folur me buzagaz:
- Rida, nuk pot
ë pyes për plagët e mia. Mua po më intereson për Nënën, Nënën e Bunkerit, ke dëgjuar
gjë për të?
- Ajo është
mirë, e fortë e trimëreshë, e pathyeshme, ashtu siç edhe e njohim të gjithë.
Këto biseda bëheshin të qeta, ngadalë dhe mezi i dëgjonin të tjerët, edhe pse
të gjithë bashkë ishin në një dhomë të vogël afër njëri-tjetrit. Disa ishin
shtrirë dhe po pushonin, ishin tejet të lodhur nga udhëtimi dhe nga plagët.
Njëri nga ta e kishte marrë çiftelinë, i binte ngadalë e me zë të ulët kishte
filluar ta këndojë këngën për Zhujë Selmanin, të tjerët po e dëgjonin me
vëmendje. Një nga ata e thërriste me gjysmë zëri këngëtarin duke u munduar t’i
bërtiste, ”Hajt të lumtë goja bre …” Bisedën e qetë e të ngadalshme të Ridës me
Ilirin dhe këngën e bukur me çifteli, e ndërpreu një ushtar i UÇK-së, i cili
hyri me shpejtësi në dhomë ku ishin të shtrirë të gjithë të plagosurit. Ai pa u
vonuar pyeti se cili nga ta ishte Ilir Kosova. Kur ai mësoi së cili ishte, u ul
afër tij dhe i tha:
- Erdhi një shok
yti nga Drenica e po të kërkon. Emrin po thotë e ka Picimul.
- Sille këtu, -i
tha Flokëkaçurreli duke u munduar të çohet në këmbë ashtu si ishte me plagën
gjysmë të lidhur. Ndërhyri Rida duke e mbajtur për dore, e ndihmoi të ngrihet.
Deri sa u ndaluan tingujt e bukur të çiftelisë dhe ai u ngrit në këmbë,
Picimuli iu hodh në përqafim duke e shtrënguar e ledhatuar Ilirin, gati sa s’ia
ndërpreu frymën, pastaj u largua pak nga ai, e shikoi sikur s’e njihte mirë,
filloi të fliste pak sa me shaka, por me gjysme zëri dhe buza-vaj. Gjer sa
Picimuli fliste, zëri i vinte e i forcohej dhe kjo të jepte të kuptoje se
Picimuli mbetet po ai që ishte, s’ ndryshon se s’ndryshon.
- Po ku je ti, he burrë, mendove se do të largohesh kaq
lehtë a ?! A, jo, jo, hajde kthehu në
front vëlla, boll ke pushuar më. Edhe, thënë të vërteten, s’po ka kush shkruan
ditar ma !...Ha ,ha , ha !?.. Të gjithë si për njëherë filluan të qeshin me
fjalët e Picimulit, të shpejta dhe mjaft qesharake. Pastaj u ulën për të
vazhduar bisedën, deri sa shokut në qoshe të dhomës i kishte mbetur çiftelia në
dorë dhe kënga përgjysmë. Picimuli, po sa u ulën, lëshoi një shikim rreth
dhomës dhe e nguliti shikimin mu në qoshe, foli me zë të thekshëm:
- Po ti çka po pret ? Krisja he burrë !…
Iliri duke
buzëqeshur, e tërhoqi për krahu, e drejtoi kah vetja dhe i tha:
- Hej, ngadalë
se këtu ka rend, mos u ngut, merr frymë pak e tregomë pse u vonove?
-Aiii, Ilir
Kosova çka ke thënë, paj unë jam i lindur me vonesë e le më tjetër, po krisja
këngës se shqiptari dy gëzime i ka, nja kur lind e një n’ luftë me shkja …
- Mirë e ke
thënë, po a mund t’ia qëllosh se kush e pat thënë i pari këtë thënie, - iu
drejtua Rida duke e shikuar drejt në sy Picimulin shakaxhi e të lodhur.
- Kush , unë a ? A më pyete mua?
- Po ,po ty , - prapë foli Flokëverdha me buzagaz.
- Po qysh s’ia qëlloj unë, bre!?. Unë përmendësh e di …
- Fol pra,
thuaje.
-Unë vet jam
qaj, që e kam thënë i pari! Të gjithë që ishin në dhomë filluan të qeshin me të
madhe, kurse Picimuli vetë rrinte shumë serioz, qëndrimin e tij më së miri mund
ta kuptonte Iliri, i cili kishte përvojë të madhe me të.
- Këtu s’ka
asgjë për të qeshur, se unë vetë e kam thënë i pari. Fol Ilir, a e kam thënë
unë i pari, në vitin ’94 te Kroi i Thatë? A po të kujtohet?!
Të qeshurat tani
plasën dhe vazhduan për kohë të gjatë deri sa u qetësuan prapë. Kur të qeshurat
u ndërprenë, Iliri i njoftoi shokët e plagosur dhe Ridën me shkathtësitë,
sukseset dhe kontributin e Picimulit dhënë luftës së lavdishme çlirimtare si
dhe për humorin e tij që e bënte edhe në momentet më kritike. Në mënyrën më
argëtuese, me humorin karakteristik të shakaxhiut të vogël dhe me këngën e
Zhujë Selmanit kaloi ajo natë, për të cilën edhe sot mund të thuhet se ishte
nata më e shkurtër e ditëve të luftës për lirinë e Atdheut. Para
se të agonte dita e nesërme, ishte shumë e ditur së duhej vazhduar rrugën drejt
kufirit. Makinat ishin gati, të ndezura pritnin para derës së oborrit, të
plagosurit ishin bërë gati për vazhdimin e rrugës së gjatë që i priste ata,
kishte mbetur aq kohë sa para se të agojë dita, këta duhet të mbërrinin deri te
fshati i fundit rrëzë bjeshkëve. Prej aty vazhdohej rruga e mundimshme malore.
Iliri edhe kësaj radhe duhej t’i përjetonte mundimet nëpër rrugët e lakuara
malore, por tani me vështirësi më të mëdha nga dhembjet që i shkaktonin plagët
e rënda. Picimuli u përshëndet me të gjithë të tjerët duke e lënë përshëndetjen
e fundit me Ilirin. Ai iu hodh në kraharor Flokëkaçurrelit, me sy të përlotur u
përshëndet me shokun e tij më të mirë, kësaj radhe ishte ndarja jo e zakonshme.
Njëri kalonte përtej kufirit, që s’njihej si kufi, të paktën jo për çlirimtarët,
kurse tjetri kthehej, pa shokun e vet drejt vijave të nxehta frontale të luftës
për çlirim. Makinat u treten, Picimuli mbeti afër trinës së oborrit me dorë të
ngritur kah makinat, në shenjë përshëndetje, fitoreje e bashkimi të sërishëm.
Në anën tjetër, nga makina, edhe Iliri mbante dorën grusht duke përshëndetur,
deri sa makinat u zhdukën në kthesën e par të rrugës së fshatit malor afër
kufirit...
............................................................................................................................................
-VII-
***Në atë
pasdite, me kohë të mirë, ora numëronte 16, grupi i çlirimtarëve që udhëtonin
bashkë me të plagosurit, kishin mbërritur në fshatin e fundit afër Bjeshkëve të
Pashtrikut. Koha ishte e nxehtë me diell dhe e përshtatshme për rrugëtim. Duhej
të mbushnin ujë, të pushonin dhe të fillonin rrugën. Kjo u duhej, sepse rrugët
e maleve janë mjaft të mundimshme dhe më të paparashikueshme që do të mund t’u
ndodhnin. Po në këtë fshat duhej të blihej një
gomar që do të shërbente për bartjen e Ilirit, i cili nga plagët që kishte,
s’do të mund të ecte në këmbë, kurse rrugët e malit ishin ato që do të duhej
t’i kalonin me apo pa te. Për këtë u kujdes përcjellësi i grupit, i cili i
njihte edhe ato anë, por edhe njerëzit e atij fshati. Përcjellësi ishte edhe
vetë po nga ia vend.
- Vëllezër,
çlodhuni dhe më pritni pak deri sa unë t’i kryej ca punë, -tha përcjellësi, i
cili në dorë mbante automatikun e shkurtër të prodhimit shqiptar. Ai u afrua
ngadalë te një trinë oborri dhe ia lëshoj një zë pronarit të asaj shtëpie.
Në derë të
oborrit u paraqit një burrë i moshuar. Mustaqet i kishte të zeza dhe të gjata,
në kokë mbante qeleshe të bardhë, pallton e mbante në cep të krahut dhe në dorë
kishte një shkop, me të cilin mbahej. Pasi u përshëndet me përcjellësin dorë
për dore, filluan të bisedonin mes veti. Ato bisedime nuk zgjatën dhe burri i
moshuar u kthye në oborrin e shtëpisë së vet.
Pas pak kohe u
hap trina e oborrit dhe burri i moshuar doli me një gomar të shaluar dhe të
bërë gati për rrugëtim. Ia dha përcjellësit, kurse burri u kthye duke
përshëndetur dhe duke uruar rrugë të suksesshme dhe sugjeronte që pasi të
mbërrinin në fshatin e parë përtej kufirit, ta lirojnë gomarin që të kthehet
prapë në fshat për t’i shërbyer edhe ndonjë herë ndonjë grupi tjetër...
...........................................................................................................................................
-VIII-
***Picimuli pasi
që ishte kthyer në Zonën ku ai shërbente, pothuajse kishte ndryshuar
krejtësisht; s’ishte më ai Picimuli shakaxhi, kishte krejt një tjetër karakter.
Ai tani shumë pak shoqërohej me shokët e grupit. Rrinte në mendime, fytyra e
tij kishte marrë krejt tjetër pamje, ishte bërë serioz dhe në të vërtetë
ndiente një mërzi që atij ia prekte zemrën prej artisti. Kishte marrë
pjesë edhe në disa beteja, të gjitha
kishin përfunduar me fitore, por jo si përpara, ai nuk bënte humor siç e kishte
zakon. Ishte bërë tjetër Picimul, e kishte ndërruar emrin, nga shakaxhiu i
vogël në njeriun më të madh serioz. Dy ditë pasi që ishte kthyer nga rruga, kur
e kishte përcjellë Ilirin, kishte kërkuar nga Komanda e Zonës Operative që ta
ndërrojë edhe pseudonimin, për të mos komunikuar më si Picimul përmes
radiolidhjes. Secilën herë kur e dëgjonte këtë thirrje, e kujtonte shokun e tij
Ilirin, prej të cilit s’e kishin ndarë as ofensivat aq të rrezikshme të armikut
e as një gjë tjetër që e kishin të përjetuar së bashku, deri në frontin e
nxehtë te Lugu i Tuneleve kur ishte plagosur Flokëkaçurreli për ta lënë më pas
Picimulin, për aq kohë sa të kurohej nëpër spitale. Një mëngjes, deri sa
Picimuli po shtrëngohej për të marrë pamjen e snajperistit të djersitur, veshi
uniformën e zezë, mori snajperin, rrethatoren me fishekë e vuri rreth
kraharorit dhe u bë gati për të shkuar në lokalet e komandës, në radiolidhjen e
tij u dëgjua një thirrje për përforcime në një pikë kritike jo fort larg
pozicionit të tij. Pika ku po kërkohej ndihmë ishte një pozicion i çlirimtarëve
që i ndante me vend pozicionimin e armikut vetëm 700 – 800 metra në vijë
ajrore. Në atë mëngjes, qysh në orët e hershme, kishin filluar të dëgjoheshin
të shtëna nga ana e forcave të armikut në drejtim të pozicioneve të Ushtrisë
Çlirimtare, ku sipas të gjitha gjasave dhe përvojës së gjertanishme, armiku po
përgatitej për ndonjë ofensivë të re. Kjo edhe ishte taktika e armikut që e
përdorte para se të fillonte ofensivat. Picimuli pasi ishte bërë gati për diçka
tjetër, vendosi t’i marrë disa shokë me vete dhe me do armë pak më të rënda që
i kishte në dispozicion, t’u shkojë shokëve në ndihmë, edhe pse në atë kohë
ishte urdhëresë që së pari të lajmërohet dhe të merrej leja nga shtabi për të
shkuar në ndihmë, e sidomos nga pika e Picimulit; por ky mendoj pak dhe ofshani
duke lëkundur kokën, foli me veten e vet: “Ah sikur të ishte këtu Iliri! Ai do
të vepronte, po, po edhe unë do t’ia bëja ashtu …!” Dhe Picimuli, pa u menduar
shumë u gjend i përgatitur dhe në rrugë për te Pika “Mbi Topa”, te Fusha e
Madhe prej nga do të luftohej gati fyt më fyt me armikun. Ai kishte pamjen siç
i kishte hije një çlirimtari, rreth krahut kishte varë mortajën 500. Në çantë
kishte ca predha dhe municion, assesi s’kishte harruar principin e vet që në
dorë dhe në gjendje të gatshme ta mbante snajperin e vet të tipit -Sig- sauer,
që aq fortë e ruante dhe e mirëmbante. Pas i shkonin shokët e tij, po ashtu të
bërë gati për luftë deri në liri a vdekje.
Picimuli ecte me
hapa të shpejtë, me radiolidhjen e vet mundohej ta marrë në lidhje Pikën te
Topat, për t’u informuar për situatën atje dhe pozitën e vëllezërve, si të
kishte mundësi të hynte në vijën e parë të frontit sa më shpejt e me lehtë. Të
shtënat kishin marrë përmasa nga të dyja anët. Atje të Topat po luftohej në një
distancë prej 400- 500 metra largësi. Armiku kishte filluar të gjuante me
granata –hedhës të kalibrave të ndryshëm, predhat po binin në afërsi të
pozicioneve “Te Topat”, në anën tjetër kishin filluar lëvizjet e para me
automjete të rënda luftarake në drejtim të Topave. Aty po rezistohej, krismat e
pushkës çlirimtare s’kishin të ndalur, villej zjarr, nga tytat e pushkëve në
drejtim të armikut që ishte stacionuar afër fabrikës së kërpudhave në depot e
kooperativës dhe të vendi i quajtur “dymbëdhjetë shtëpitë”. Kjo betejë do të
mbahej mend për të dyja palët. Kur Picimuli kishte mbërritur në vendin e duhur
Te Topat, kishte zënë pozicionin dhe pa humbur kohë e me humorin e tij të rëndomë,
kishte filluar gjuajtjet në drejtim të armikut. Lufta kishte marrë hov të madh,
armiku po gjuante me të gjitha llojet e armeve që i kishte në dispozicion, duke
i përdorur edhe minahedhësin 120 milimetra dhe granatimet nga tanket, të cilat
çdo herë e më shumë i ofroheshin pikës të Topat. Luftëtarët e lirisë ishin ata
që po përballeshin me një arsenal të tërë të një ushtrie që me çdo çmim donin
ta mbanin Kosovën të okupuar. Por tani kënga po këndohej krejt ndryshe. Ky vend
dhe ky popull ka zot, e ka ushtrinë e vet çlirimtare që do ta mbrojë dhe do të
luftojë deri në çlirim e pëllëmbës se fundit të Atdheut. Në pikën e çeliktë
çlirimtare “Te Topat” po rezistohej duke luftuar furishëm dhe pa pushuar që nga
orët e hershme të mëngjesit të asaj dite. Edhe për kundër atyre mjeteve të
rënda luftarake, armiku po pësonte humbje dhe si duket kishin vendosur ta
ndërrojnë taktikën: ata kishin marrë urdhër të prerë nga komanda e tyre,
“Bistrica 135”, që me tanke të depërtonin me çdo kusht deri te kjo pikë e
çeliktë çlirimtare. Kjo pikë armikut iu kishte bërë therë në sy tash e sa muaj.
Kur ora ishte 16:00 dhe luftimet kishin marrë
vrull, nga komandanti i kësaj pike jepej urdhri për tërheqje taktike. Tanket e
armikut gjithnjë po i ofroheshin pozicionit Nr.1 Te Topat. Aty rezistohej,
ishin përzier bashkë era e barotit, krismat e pushkëve dhe kënga shqipe që po
jehonin në tërë luginën. Lajmi kishte arritur nga një korrier i besuar, se
komandanti është plagosur, se aty duhet rezistuar me çdo kusht, deri sa të
lajmërohet për tërheqjen e tij nga ai pozicion. Picimuli, me marrjen e këtij
lajmi të pa pritur, kishte filluar të ndërrojë mendjen, bënte plane në vet vete
duke i dhënë vetes vërtetësi, se armiku këtë rezistencë do ta kujtoi gjatë
krejt jetës. Ai pa u hutuar dhe ngadalë i bënte gati predhat e mortajës
500-she, i lëshonte ashtu të bëra gati afër vetes dhe priste gjersa tanku i
parë arriti afër istikamit të tij jo më larg së 100 metra. Mori mortajën dhe e
futi në shënjestër, ia mblodhi këmbëzën dhe tanku u mbulua i tëri në flakë të
verdhë. E mori prapë predhën tjetër që e kishte bërë gati, e futi në gojë të
mortajës dhe i dha zjarr duke qëlluar për herë të dytë në të njëjtin cak. Flaka
mbuloi prapë tankun armik dhe vendin për rreth saj. Të shtënat pushuan si dhe
të gjitha automjetet e armikut ndaluan për një çast. Korrieri e solli lajmin që
urdhërohej tërheqja. Në atë vend ishin fusha të zhveshura.
Deri sa Picimuli
i palosi gjërat e veta, lëvizjet e
armikut filluan. Dy tanke tjera, nga ana e djathtë e istikamit, po i ofroheshin
edhe me afër pozicionit, Picimuli kishte mbetur pa predha mortaje. Aty duhej
gjetur rrugëdalje tjetër për tërheqje dhe pa u dëmtuar fare. Ai shikoi rreth e
rrotull me shikimin e tij të mprehtë dhe mori radiolidhjen duke filluar t’i
lëvizë frekuencat deri sa hyri në ato të armikut që mund të përgjoheshin. Pa u
vonuar filloi edhe komunikimin kinse me shokët e Njësiteve tjera të UÇK-së. Kjo
i ngjante një propagande shumë profesioniste. Fliste me zë serioz dhe
komandues: ky ishte Picimuli, shakaxhi i UÇK-së.
-45, 45,
lajmërohu për Picimulin. E lëshonte sustën e aparatit dhe prapë fillonte me
bisedë duke e ndryshuar zërin në tërësi. Picimuli fliste me vetveten, sa që zor
do ta kuptonte ndokush tjetër përveç Ilirit.
- Marrje, marrje
45–shi. - Ju lajmëroj, që ta prisni
urdhrin tim dhe të përgatitet gjuajtja me MH në kodin L 16. Në shënjestër ta
keni objektivin K 35. Kuptuat?!... - Kuptuam dhe presim urdhër! - Shkoza për Picimulin, lajmërohu.
-Marrje, Shkoza,
marrje. -Grupi i diversantëve duhet të ndahej dhe të veprojë nga krahu 3 / 18
në lindje.
- Si urdhëro.
Krejtësisht e kuptueshme. Grupi i diversantëve është i ndarë sipas planit
paraprak
“Dielli mbi re”,
dhjetë janë tani në lindje krahu 3 / 18, kurse të tjerët me instrumentin e
rëndë janë në verilindje, krahu 2 / 18, afër shumë afër komandës së armikut mbi
Tunele dhe vetëm presim urdhër për veprim, Kuptove ?!...
- Keni kujdes
gjatë komunikimit, pa emra të veçantë!
Tanket e
automjetet tjera të armikut, tani e kishin ngadalësuar lëvizjen dhe pasi që
biseda ishte dëgjuar në frekuencat e tyre, ata u detyruan të bëjnë vëzhgim e
kujdes të veçantë, por Picimuli u kishte tërhequr vërejtjen shokëve që ishin
nëpër istikame të bëheshin gati për t’u tërhequr nga Pika e Topave në drejtim
të Përroit të Guses për të mbërritur të Zabeli ku e prisnin shokët tjerë.
- 45, 45,
lajmërohu për Picimulin.
- Në pranim
45–shi për Picimulin. - Rrini të gatshëm e mos gjuani, sepse tanket e armikut
janë duke lëvizur drejtë në fushën e minuar, ato tani gati janë mbi mina –
kuptove 45 ?!... Tanket e armikut ndaluan në vend sikur të kishin mbetur pa
naftë. Picimuli bashkë me të tjerët çlirimtarë u tërhoqën pa probleme nga
pozicioni i tyre duke u lëshuar të Përroi i Gufes përtej fushave të zhveshura,
ku deri në atë moment u zhvilluan luftime te rrepta ndërmjet forcave armike dhe
Ushtrisë Çlirimtare. Luftëtarët e lirisë, te Zabeli, që ishin bërë gati të
shkonin në ndihmë Pikës Te Topat, kur ata e dëgjuan komunikimin e Picimulit sa
qesharak aq edhe profesionist e të suksesshëm, qesheshin duke e mbajtur barkun,
por edhe ishin përgatitur ta prisnin ardhjen e tij te Zabeli për ta befasuar me
një shpërblim, duke i dhuruar një pushkë të prodhimit belg. Këtë dhuratë
vendosën t’ia jepnin në shenjë nderimi për aftësitë dhe për propagandën e tij profesioniste
që tregoi në betejën Te Topat. Kur Picimuli me shokë kishte arritur te Përroi i
Gufes, aty ku ishte i sigurt nga gjuajtjet e armikut, u ndal dhe iu drejtua me
humor shokëve:
- A , ç’ua kemi
pikë! - dhe u ulën për të pushuar pak. Edhe pse të gjithë të tjerët, dëshironin
që sa më parë të arrijnë te Zabeli, për t’u takuar me çlirimtarët tjerë e për
të mësuar për gjendjen e komandantit të plagosur, Picimuli ishte ulur dhe as që
lëvizte vendi duke folur sa me shokët po aq edhe me veten.
- Paj, njeriu u
rrëzua nga dardha e s’ka lëvrit pa pushu ….!
Të gjithë të
tjerët filluan të qeshnin me te dhe vazhduan rrugën drejt Zabelit...
............................................................................................................................................
-IX-
***Grupi i
çlirimtarëve bashkë me Ridën e të plagosurit që ishin me ta, me gjithë
vështirësitë e udhëtimit që kishin përjetuar nëpër Bjeshkët e Pashtrikut plak,
ishin vendosur në qytezën e Krumës së Hasit përtej kufirit shqiptaro- shqiptar
dhe prisnin momentet e nisjes për në Tiranë. Atje ku edhe duhej të shtriheshin
në Spitalin Ushtarak për t’u kuruar apo edhe t’iu nënshtroheshin intervenimeve
kirurgjikale. Në Krumë prej kur kishin arritur, kishin pushuar dhe ishin në
përkujdesje të veçantë mjekësore, me ilaçe e gjëra tjera për mjekim. Ata me pa
durim e prisnin atë momentin e nisjes. Sidomos Iliri kishte dëshirë që sa më
parë të shërohej që të mund t’u kthehej shokëve që i kishte lënë diku nëpër
istikame në Kosovë. Ajo paradite ishte e qetë dhe me riga shiu, koha po kalonte disi. Ilirin e
gëzoi pa masë lajmi për nisjen e grupit me të plagosur për në Spitalin Ushtarak
të kryeqytetit. Rida që i komunikoi këtë lajm Ilirit, fitoi një përqafim të
ngrohtë dhe intim. Si duket, ky përqafim kaloj pak kufijtë dhe u nis në rrugë
të dashurisë duke përjetuar të njëjtën ngrohtësi e emocione shpirtërore si
dikur në rrugicën e qytetit, në kohën kur kishin ikur nga burgu dhe ishin takuar
rastësisht në “Vend kujtimin” e tyre, të cilin edhe tani e kujtojnë.
- Rida, të
lumtë. Me të vërtet je trimëreshë. Së tepërmi më gëzove me lajmin. Prandaj edhe
të...Të lumtë, të lumtë!...
Fjalët që i
shqiptonte Flokëkaçurreli, ishin fjalë miradije dhe i fliste buzagaz, ndërkohë
u mundua të ngritët në këmbë pa ndihmën e askujt .
-Mos …!? Ende ke
nevojë për ndihmë. Rida pa përtesë e ndihmoj të ngritët dhe pa ndihmën e
patericave, ashtu duke u mbajtur për krahu kaluan deri të makina prej edhe nga
duhej filluar një rrugëtim jo të shkurtër drejtë kryeqendrës. Rruga ishte me
lakesa, plotë gropa dhe e gjatë, sa që atyre bjeshkëve ku po udhëtonin, rruga u
mbetej parapa sikur gjarpër kur shikohej prej shpati në shpat. Pas edhe një
rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm, aty dukej çdo gjë ndryshe, kishte njerëz me
fytyra të lumtura, buzëqeshjet sikur s’kishin të ndalur, njerëz para e prapa,
ishte gjallëri e vërtet, e pa shijuar për Flokëkaçurrelin që moti. Të gjithë të
plagosurit, së bashku me Ilirin dhe Flokëverdhën ishin vendosur në një shtëpi
shumë afër qendrës së qytetit, kjo shtëpi ishte e rezervuar që moti për ketë
arsye. Në dhomën ku ishin vendosur grupi i Ridës, ishte çdo gjë në rregull,
ishte mirë e mobiluar, në qoshe të asaj dhome ishte i vendosur një aparat televiziv.
Pas vendosjes e sistemimit të tyre nëpër shtretër, filluan lajmet e mbrëmjes.
Të gjithë, ashtu si ishin ulur, ngelen me sy kah TV-ja dhe me vëmendje të
posaçme po i dëgjonin lajmet për ngjarjet e fundit në Kosovë.
-”Mirëmbrëma dhe
mirë së vini në edicionin e lajmeve të mbrëmjes…” shkrepi së foluri spikeri dhe
filloj me ngjarjet kryesore të ditës: “-Sot, pothuajse në çdo cep të Kosovës u
zhvilluan luftime të rrepta në mes forcave të UÇK-së dhe atyre të armikut.
Ofensivat e agresorit serb nuk kanë të ndalur. Armiku po përdor të gjitha
llojet e armëve që ka në dispozicion kundër forcave të UÇK-së. Çlirimtaret po
mbahen të pa thyeshëm dhe si gjithherë fitimtarë. Me qindra mijëra shqiptarë të
dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre. Shumë vendbanime shqiptare të djegura nga
forcat serbe …” Deri sa po emitoheshin lajmet, poshtë ekranit po dilnin emrat e
familjarëve, të personave të cilët kishin ikur nga Kosova dhe ishin strehuar,
dikush ne kryeqytet e kush nëpër qendra tjera, tej Kukësit e deri në jug të
Shqipërisë ku ishin të vendosur epeshin adresat dhe numrat e telefonave. Rida,
pak sa e hutuar, rrudhi krahët, u përqendrua tek ekrani televiziv dhe me
vëmendje po i lexonte të gjithë ata emra që shkruheshin poshtë ekranit. Ajo
akoma nuk dinte asgjë për fatin e familjes. Në mesin e shumë emrave, doli edhe
emri i babait të Flokëverdhës dhe një numër telefoni ku mund të lajmëroheshin
të afërmit e tyre. Rida u shtang nga habia, kurse Iliri, në ditarin e tij me
shpejtësi e shënoi atë numër telefoni. Pas pak Flokëverdha iu hodh në përqafim
Ilirit. Kishte emocione, në terë trupin e saj kishin filluar të dridhurat. Ky
moment ishte mjaft prekës për Ridën. Tani, në vend të pikëllimit buloi shpresa
dhe Flokëverdha filloi të belbëzonte. E kuptoi për familjen e vet që ishte dëbuar
nga Kosova, nga qyteti ku ajo kishte lindur dhe të cilin e donte pa masë, e
donte të lirë dhe kishte vendosur të sakrifikohej për çlirim e bashkim
kombëtar.
- Dëgjove ti !?
Familja ime qenka këtu ….O zot, e pa mundur ….!
Iliri duke e
ofruar edhe më pranë vetes, ia hodhi dorën rreth qafe, ia ledhatoi flokët e
gjata e të verdha dhe i foli me zë të ngadalshëm duke ia vërtetuar lajmin:
- Jo ! Ky që
shkruan këtu s’guxon të mos jetë e vërtet. Rida, ja ku e ke numrin.
Rida mori numrin
e telefonit që e kishte shkruar Flokëkaçurreli në ditarin e tij dhe doli në
qytet për të bërë një telefonatë, sa për t’u siguruar se e ka familje mirë.
Iliri me të
plagosurit tjerë u vendosën nëpër shtretër për t’u çlodhur deri sa lajmet për
ngjarjet në Kosovë po emitoheshin në programin e TVSH-së. Kjo që i ngjau Ridës,
ishte e papritur, sikurse po ndodhte në ndonjë ngjarje filmi, aty ku më së paku
mund të shpresohej për fatin. Ajo kishte folur me familje, më konkretisht me
nënën, sepse babai i saj kishte shkuar në qytet për t’u takuar me disa të afërm
që kishin mbërritur në kryeqytet po atë mbrëmje. Rida, prapë ishte kthyer në
objektin ku ishin të vendosur Iliri me të plagosurit tjerë. Në të hyrë brenda
në dhomë, vërejti së të gjithë i kishte zënë gjumi, përveç Flokëkaçurrelit, i
cili ishte mbështetur në shtratin e tij afër murit dhe kishte tretur në
mendime. Të qeshurat e vogla të Ridës dhe kërcëllima e derës, Ilirit ia sollën
shikimin drejt në sytë e saj që
shkëlqenin nga gëzimi. Pa u afruar pranë Flokëkaçurrelit, foli me zë të ulët:
- O zot, e
vërtetë ishte, ata ishin këtu …
- Po ti, pse u ktheve ? Shko, shko Rida.
- Së pari do t’i
ndërroj fashat e plagëve tua, e pastaj …
- Mos, të lutem,
ashtu ! Së pari takoje familjen, e unë …
- As ndërmend
s’e kam të shkoj njëherë...
Flokëverdha hoqi
bluzën, mori çantën me fasha e medikamente dhe filloi t’ia ndërronte fashën e
vjetruar nga plaga. Tash ishte më e disponuar, më e gëzuar se kurrë dhe shikimi
i saj i mprehtë herë ngulitej në sytë e Ilirit, e herë në plagën e tij, të cilën
e pastronte me aq kujdes, duke e ndier në shpirt, pothuajse të njëjtën dhimbje.
Pasi i ndërroi fashat e plagës, mbylli çantën, mblodhi mbeturinat, i hodhi në
shportën e bërllokut, i pastroi duart dhe u përshëndet me Ilirin, duke i
dhuruar një përqafim të ngrohtë nga shpirti. Doli nga dhoma, shkoi për t’u
takuar me prindërit, të cilët po e prisnin me pa durim takimin me bijën e tyre
të vetme. Ata ende s’e kishin kuptuar shkakun e ardhjes së saj në Tiranë dhe sa
ishin të gëzuar për lajmin se Rida gjendej aty, po aq ishin të dyshimtë se kjo
mund të mos ishte e vërtetë...
...........................................................................................................................................
-X-
***Ishte mbrëmje
e orëve të vona. Qendra e qytetit ende ishte plot njerëz, të cilët lëviznin
poshtë e lartë sheshit. Rida mbante një copë letër në dorë, në të cilën e
kishte shënuar numrin e telefonit dhe adresën e prindërve. Ajo iu afrua një
taksi duke ia treguar adresën që po e kërkonte për t’u bashkuar me prindër.
- Ti po shkon ke
ai kosovari me flokë të thinjura, - i foli taksisti duke e ulur kokën nga
dritarja e makinës që t’ia shihte fytyrën dhe flokët e Flokëverdhës.
- Po , pse e njeh ti atë - pyeti Rida.
- Është komshiu
im. Së pari ka banuar diku afër qendrës, kurse tashti e ka blerë shtëpinë e një
komshiut tim që jeton në Greqi.
- Pastaj …? -
pyeti Flokëverdha duke mbetur e habitur për këtë që po e dëgjonte nga taksisti
i shtyrë ne moshë.
- Pastaj asgjë.
Këtu s’ka asgjë të keqe. Kosovarin që po e kërkon, tani është komshiu im i ri.
Pas këtyre
bisedave Rida hyri në makinë, e cila u tret nëpër një rrugicë të qytetit.
Kështu, bisedë pas bisede, makina e taksisë arriti afër një shtëpie me fasadë
të bardhë, e cila kishte plotë drita rreth saj dhe i ngjante një vile të bukur
e luksoze. Rida po mendonte, se cila mund të ishte shtëpia ku gjendeshin
prindërit e saj. Kur makina ndaloi pikërisht para asaj shtëpie, ajo kuptoi se
shtëpia me fasadë të bardhë është e prindërve të saj, për të cilën i kishte
folur taksisti para së të niseshin në atë drejtim. Para
portës së hyrjes Rida pa dy njerëz që po prisnin. Ata në të vërtetë ishin
prindërit e saj që po e prisnin përqafimin e ngrohtë me bijën e tyre
çlirimtare, pas me tepër së gjashtë muajsh. Ky moment ishte përcjellë me
emocione e lot gëzimi dhe kishte zgjatur deri në orët e mëngjesit të nesërm...
..........................................................................................................................................
-XI-
***Një ditë e
mirë kishte aguar në kryeqytetin shqiptar. Koha me diell e mjaft e përshtatshme
për punët që i priste grupin e punëtorëve mjekësorë, të cilët ishin të ngarkuar
për vendosjen e të plagosurve nëpër qendra spitalore. Këtë gjë ata e kishin
kryer qysh në orët e mëngjesit. I kishin vendosur të gjithë të plagosurit që
kishin nevojë për ndërhyrje kirurgjikale nëpër spitale, pos dy vetave, për të
cilët i prisnin analizat. Iliri ishte vendosur në spitalin ushtarak. Ai,
ndryshe nga të tjerët, ishte më së rëndi i plagosur dhe qysh në atë mëngjes të
asaj dite, salla e operacionit ishte bërë gati për fillimin e ndërhyrjes
kirurgjike. Kur kishte mbërri Rida në spital, Iliri ishte i shtrirë në sallën e
operacioneve. Pa u vonuar kishte filluar operacioni. Flokëverdha po priste
nëpër korridorin e spitalit, bënte lëvizje të shpeshta poshtë e lart atij
korridori të pa fund, priste ndonjë lajm të mirë e të gëzueshëm për gjendjen
kritike të Ilirit. Pasi që operacioni ishte i komplikuar, ai edhe zgjati mjaft
shumë, kurse Rida gati sa s’e humbi durimin. Kushdo që kalonte aty pari,
pacient, motër apo mjek, ajo ua kërkonte ndonjë informatë. Cigaret si ndalonte
së djeguri, në fytyrën e saj sa vinte e shtohej shqetësimi, sa fitonte shprese
e kishte mirëbesim. Pasi kishte kaluar një orë e më tepër, salla e operacioneve
u hap, një shtrat portativ me rrota doli nga dera e saj, në të cilin ishte i
shtrirë një njeri. Ky ishte Ilir Kosova, ende i pakëndellur nga anestezioni.
Ishte një operacion i rëndë, por i suksesshëm dhe sipas mendimit të mjekëve, ky
për një kohë jo të gjatë, do të mund të kthehej për ta vazhduar luftën, bashkë
me shokët për çlirimin e Atdheut. Atë ditë, deri në orët e pasdites, Rida
kishte ngelur të koka e Ilirit, duke menduar për ditët e kaluara dhe duke
pritur që ai të këndellet. Ajo po mendonte për vëllezërit dhe ditët e vështira
të tyre nëpër fronte... Ishte e tretur në mendime të thella kur Iliri filloi
t’i lëvizë qepallat e syve. Pasi i hapi sytë, e pa Ridën pranë, bëri me kokë
kah vitrina e vogël që ishte e vendosur te shtrati i tij dhe nga buzët e terura
lexohej qartë kërkesa e tij për ca pika ujë. Ora binte tregonte me tiktakun e
saj16, kur Rida po mundohej t’i shpjegonte se pa lejen e mjekut nuk veprohet
edhe një lëvizje qoftë më e vogla, sepse
kështu kishte urdhëruar mjeku kryesor i repartit kirurgjik, kur kishte shkuar
nga dhoma e Ilirit duke e obliguar Ridën për t’u kujdesur. Kur për të satën
herë Iliri mundohej të fliste diçka, në gjepin e Ridës cingëroi telefoni
celular. Thirrjen e priste edhe Rida me pa durim. Ishte ajo thirrja e prindërve
të saj, të cilët ishin shumë të interesuar të dëgjonin për gjendjen e
Flokëkaçurrelit. Kur Flokëverdha foli “Alo” - më parë u dëgjua edhe zëri gjysmë
i shterur i Ilirit që mezi e dëgjoi
Rida, e cila qëndronte fare afër tij.
- Pak…ujë. Kam
etje …
Rida, edhe pse e
dëgjoi zërin e shterur të Ilirit, u afrua pranë tij, u ul kokë më kokë për ta
kuptuar më saktë kërkesën e tij, duke iu drejtuar Flokëkaçurrelit me fjalë të
buta e shumë qetë:
- Ki durim, tani
do ta thërras mjekun.
- Ah … - ofshani
Iliri dhe Rida, ashtu duke e mbajtur celularin e hapur në dorë, doli me
shpejtësi nga dhoma intensive për ta thirrur doktorin. Ajo, diku në fund të
korridorit, u takua jo vetëm me mjekun që e kishte operuar Ilirin, por me
ekipin e tërë mjekësor që ishin nisur për vizitë te Flokëkaçurreli. Ata e
kishin fare mirë të ditur se në cilën orë do të këndellej Iliri, ashtu edhe
ishte qëllimi i vizitës së tyre në dhomën intensive Nr. 9.
- Doktor, doktor
ju lutem …Foli Flokëverdha.
- E di, e di.
Tani jemi nisur për të Ilir Kosova, të ai trimi i maleve, - foli doktori me
buzagaz. Fjalët e tij i ndërpreu kolegu i tij që i fliste duke ecur korridorit
të gjatë, i cili nga të folurit dukej se ishte nga Kosova.
- Unë po të
kuptoj fare mirë, por, edhe ti duhet të më kuptosh dhe të jesh e sigurt se ne
do ta japim maksimumin për ta shëruar sa më parë Ilirin. E kemi për obligim që
të kujdesemi për secilin luftëtar të lirisë që ka nevojë për ne.
Në fund të
fundit, ata janë nderi i kombit…
Kështu në këtë
mënyrë, ata arritën në dhomën Nr. 9. Aty ishte i shtrirë Iliri, i cili në atë
moment po mundohej ta mbërrinte gotën me ujë që e kishte afër shtratit. Kur u
hap dera, dora i mbeti Ilirit mbi vitrinën e vogël ku ishte e vendosur një gotë
me ujë. Ai tani ishte po thuajse krejtësisht i këndellur, sytë e tij, me atë
shikimin e mprehtë i kishin ngelur tek gota me ujë dhe nga shqetësimi që s’mund
ta arrinte atë, i shkoi buza në të qeshur. Iliri ktheu shikimin e tij burrëror
kah dera, kur e pa terë ekipin mjekësor të prirë nga mjeku kryesor e për krah
tij edhe Flokëverdhën. I dha trupit të molisur që të ngrihet për t’u
përshëndetur me mjekun sipas traditës drenicare me dorë në zemër. Një motër që
ishte në ekip, ndërhyri dhe prapë e uli trupin shpatullgjerë të Ilirit në
shtrat.
- Ty të lumtë, o
trim i maleve. Po ti sa s’ na dole para në
korridor. Qenke i fortë, çelik, si ta thonë emrin? - i foli doktori duke u
ofruar afër shtratit të tij dhe duke ia përkëdhelur flokët e shkurtra dhe
ballin e djersitur me temperatura të larta.
- Ilir, Ilir
Kosova më thonë!
Qetësi në dhomën
Nr. 9. Atë qetësi në ambientin e kësaj dhome intensive, prapë e prishi
cingërima e telefonit celular në çantën e Flokëverdhës, që pa ndërprerje po
cingëronte. Thirrja vinte nga prindërit e Ridës, të cilët me pa durim dhe me
dëshirën më të madhe, në çdo moment po prisnin lajme të mira për gjendjen
shëndetësore të Ilirit, i cili po sa kishte dalë nga salla e operacionit Ky
emër tani më ishte domethënës, por edhe mjaft i njohur për familjen e Ridës
flokëverdhë, e cila u kishte folur prindërve të saj për Ilir Kosovën...
............................................................................................................................................
-XII-
***Ditët e gjata
dhe të ngadalshme që po kalonin në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për Ilirin ishin
ditë që do t’i mbesin të veçanta në kujtesën e tij.
Gjendja
shëndetësore e Flokëkaçurrelit, për çdo ditë sa vinte e përmirësohej. Këtyre
ditëve ai kishte filluar të ecte ngadalë edha pa ndihmën e patericave. Atij në
këtë spital s’i mungonte vizita ditore e Flokëverdhës dhe e vëllezërve tjerë që
aq shpesh e vizitonin. Ilirit më së tepërmi i pëlqenin bisedat e gjata e të
ngrohta të Ridës që i zhvillonin çdo ditë në dhomën e tij nr 9, biseda këto të
përditshme e që zgjasnin me orë të tëra, deri sa i ndërpriste koha e vonë e
mbrëmjeve, atëherë kur Iliri mbetej i vetmuar në dhomë duke u bërë gati për
gjumë, kurse Rida, vazhdonte rrugën trup e tërthor qendrës së qytetit për të
arritur në shtëpi te prindërit e saj, të cilën çdo mbrëmje e prisnin të ulur në
tavolinë të bukës në kuzhinën e mobiluar mirë. Pas një kohe Iliri filloi të
dilte dhe të hynte në këmbët e veta pa ndihmën e askujt. Ai kishte lënë
patericat të mbështetura afër shtratit si ekspozitë, të cilat deri në atë kohë
e kishin zëvendësuar me një shok jete. Ai çdo ditë, kur afrohej koha e caktuar
për vizita familjare, dilte në parkun e bukur të Spitalit, ulej nën hije të një
qoshe dhe
me buzëqeshje e
dëshirë të flaktë e priste përqafimin e Flokëverdhës. E kjo gjë ishte bërë
tashmë e përditshme. Një ditë, ndodhi diçka e pazakontë dhe shumë shqetësuese.
Rida fliste çdo ditë me të rreth luftës, fliste për shokët që kishin mbetur
atje duke luftuar, fliste për fitore e për shumë gjëra tjera. Atë ditë, ajo që
i ndodhi Ilirit, për të ishte e pa pritur, por edhe e papranueshme. Megjithatë,
ky ishte vetëm një propozim i prindërve të Ridës, që ajo ia propozoi atë ditë
Ilirit, gjatë bisedës që e bënin nën hije të një bliri, në parkun e Spitalit
Ushtarak. Rida iu drejtua Flokëkaçurrelit:
- Ilir, dua të
ta them një ide. Në të vërtetë, ky është një propozim i prindërve të mi. Edhe
mua më duket i arsyeshëm.
- Unë po të
dëgjoj, Rida, - foli Flokëkaçurreli.
- Me gjithatë,
unë e dua edhe mendimin tënd.
Deri sa Rida po
fliste ngadal], Ilirin kishte filluar ta përshkonte një dridhje në tërë trupin.
Ndiente një ankth që ia kaplonte trupin e tij ende të pashëruar mirë, sikur
parandiente diçka të pazakontë që do t’i ndodhte në atë çast. Rida, pasi i dha
fund bisedës së shtruar, edhe ajo ndiente një pasiguri në vete. U kthye kah
Flokëkaçurreli, nguliti shikimin prerës në këmbën e plagosur të tij dhe për pak
kohë mbeti pa tekst. Iliri, me buzagaz, sikur e kuptonte së çfarë do t’i
thoshte Flokëverdha, iu ofrua edhe më afër, e përqafoi dhe kërkoi që ta
vazhdonte bisedën.
- Pastaj?
Vazhdo, thuaje atë propozim, unë po të dëgjoj...
Edhe Rida, sikur
e dinte përgjigjen e tij, nxori frymën thellë nga fundi i stomakut dhe më pas
vazhdoi t’i tregonte se çfarë kishin biseduar me prindërit gjatë kohës së
darkës në shtëpinë e tyre.
- Unë mbrëmë u
tregova prindërve për ty dhe mua … Ata më than…
- Ç’të thanë, a
të qortuan? - foli Iliri me buzagaz.
- Jo, me gjithë
reagimet fillestare të babait, ata të dy më në fund e mirëpritën propozimin
tonë, që pas përfundimit te luftës të martohemi.
- Pastaj, ç’të
than tjetër? Vazhdo e ma thuaj, -iu drejtua Flokëkaçurreli duke u interesuar
për bisedën që Rida e kishte bërë me prindërit e vet.
- Krejt biseda
kaloi shumë mirë, deri sa unë desha të bie në gjumë. Atëherë ata ma bënë një
propozim, që unë s’munda t’ua them asnjë fjalë në atë moment, por edhe tash
s’po mund ta them dot …
- Hë, de, fol!
Mos e zgjat më se për besë edhe mua ke filluar të më bësh merak.
- Nuk e di si të
ta them, Ilir!
Flokëverdha,
prapë mori frymë thellë dhe vazhdoi t’ia rrëfente propozimin:
- Babi me
propozoi që të mos kthehemi në Kosovë. Të paktën jo për momentin.
Kurse ti, të
vish të vendosesh në shtëpinë tonë, deri sa të mbarojë lufta, e pastaj …
Iliri, i hutuar
nga ky propozim i pa vend dhe i pa pritur, qetë, ngadalë dhe me buzagaz filloi
t’i flasë Flokëverdhës duke e shikuar drejt në sy:
- E çuditshme
!Deri sa ju mbrëmë paskeni bërë atë bisedë, unë i shtrirë në shtrat dhe i
vetmuar s’e hiqja mendjen nga istikamet duke menduar për bashkëluftëtarët dhe
fatin e tyre, për luftën e për çlirimin e Atdheut, por, me gjithë atë, unë do
të mendohem mirë e mirë për këtë propozim të tyre. Kurse tash do të kisha
propozuar unë, kuptohet nëse ti je dakord.
- Çka do që ti
propozon, unë gjithë herë jam dakord, vetëm fol, - tha Rida me zë të dridhur e
duke pritur që Iliri të zbrazej nga mllefi.
- Këtu afër
është një restorant i vogël. Unë kisha propozuar që të shkonim ta pimë nga një
kafe.
Iliri, duke u
mbajtur për dore me Ridën, kaluan trup e trup parkun e spitalit, dolën nga
porta kryesore. Aty afër portës, vetëm disa metra larg ishte ai restoranti i
vogël, por i rregulluar mirë sipas stilit evropian, me gjëra klasike. Në të
hyrë brenda, njeriu ngopej me antikë, por edhe shërbimi ishte në nivel. Ishte
kështu ndoshta pse Iliri, për atë kohë sa qëndroi në spital, ishte bërë klient
i rregullt e atij restoranti, i cili për Flokëkaçurrelin ishte aq i dëshiruar
sa që ia mbushte shijen e një çlirimtari me plagë nëpër trup. Ai çdo ditë e më
shumë po aftësohej dhe mezi e priste ditën kur do t’u bashkohej vëllezërve në
radhët e të lavdishmes Ushtri Çlirimtare, për ta luftuar armikun si më parë, kur vetë Flokëkaçurreli ishte ai
që organizonte aksione dhe së bashku me vëllazërit e idealit ktheheshin duke
kënduar këngë për Zhuj Selmanin e Azem Bejten, për t’i njoftuar njësitet tjera
të UÇK-së së ata po ktheheshin nga betejat pa humbje. Rida bashkë me Ilirin u
ulën duke zënë vend në një qoshe të restorantit dhe i filluan bisedat aty ku i
kishin ndërprerë në parkun e spitalit.
Biseda zgjati
deri sa nëpër qytet kishin filluar të ndizen dritat buzë rrugëve. Ato drita e
kishin ndriçuar tërë qytetin atë mbrëmje. Ajo mbrëmje për Ilirin flokëkaçurrel
ishte me të pa pritura e plot dilema...
..........................................................................................................................................
-XIII-
***Ditët e
shkurtra dhe netët me acar të dimrit, ishin të pa përshkruara në fund vitin 98-
ës. Këtij dimri të acartë, të gjithë do t’i thoshin “Dimri i gjatë “ kurse
pranverën do ta pagëzonin me emrin Fitore, sepse ajo do të sillte gëzime, lule,
ditë të nxehta me plot shpresë dhe të gjitha këto do t’i sjellë një ditë
qershori, dhuratë për popullin e shumë vuajtur të Kosovës, i cili sot po
identifikohet komb shqiptar në saje të luftës së lavdishme çlirimtare. Një natë
dimri të gjatë, Rida s’kishte vënë gjumë në sy deri në orët e hershme të
mëngjesit.
Deri sa ajo
ishte duke fjetur rehatshëm në shtëpinë e saj, të cilën e kishte rënduar mjaft
gjumi i mëngjesit, Iliri, me një grup luftëtarësh, në atë mëngjes të hershëm,
ishin duke e kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar. Ata kishin kaluar rrugë të
gjatë në atë natë dimri më dëborë e acar të madh, rruga e tyre ishte rrugë lirie.
Të gjithë çlirimtarët, që arrinin mbi 140 veta, në krye me Ilir Kosovën ishin
mirë të armatosur, të shtrënguar dhe të vendosur që ku ta kërkonte nevoja e
Atdheut, përtej atij kufiri formal, t’ia fillojnë përsëri luftës kundër një
armiku të egër që ishte i përbetuar për vrasje,
djegie,
shkatërrime e çka jo tjetër të ushtronte mbi popullin e Kosovës aq të urtë e
liridashës. Iliri sa po ecte me hapa të shpejtë e të mëdhenj, sikur nuk e
ndiente fare peshën e ngarkuar mbi supet e tij, po aq edhe po ndiente dhimbjen
në këmbën e tij ende të pa shëruar krejtësisht. Atë dhimbje Iliri e përballonte
disi. Shokët që udhëtonin me të, e ndihmonin në bartjen e çantës së mbushur me
municion. Ai sikur ndiente një zbrazëti që i mungonte grupit. Po
i sillej ndërmend udhëtimi i para disa muajve nëpër të njëjtën rrugë, kur në
përkujdesje të tij dhe të plagosurve tjerë ishte Rida, e cila në ato çaste
sigurisht se bënte gjumë të rehatshëm në shtëpinë e prindërve të saj në
kryeqytet. Ajo, që do ta zgjonte nga gjumi, do të ishte meraku për kohën e
zakonshme dhe takimin më Flokëkaçurrelin në parkun e spitalit, gjë që atë ditë
s’do t’i ndodhte as pritja e Ilirit e as takimi me të. Flokëkaçurrelit gjatë
gjithë rrugës malore plot pengesa e vështirësi, herë i sillej ndërmend takimi me
Ridën në rrugicën e ngushtë të qytetit dhe fjalët e para të saj, herë fjalët e
Nënës së Bunkerit sa të matura e burrërore, e cila u kishte thënë të dyve po të
njëjtën ditë. Për Ridën s’e vriste mendjen aq, e dinte se ajo është mirë, kurse
për Nënën e Bunkerit kishte muaj të tërë që s’kishte dëgjuar gjë për të. Iliri
ishte i tretur fare në mendime. I tërë grupi kishte rënë në heshtje. Atë qetësi
monotone e theu një shok i tyre që ata gjatë tërë rrugës po e thërrisnin
Skënder Llapi, i cili me një zë të thekshëm dhe të pa pritur, duke ndalur në
vend rreshtat e gjatë të çlirimtarëve, iu drejtua Flokëkaçurrelit:
- O, Ilir
Kosova! Po kah i ke tretë, or burrë?!
- Ah, bukur
larg, - iu përgjigj Flokëkaçurreli pak sa në habi duke propozuar për një pushim
të shkurtër në malin e lartë, nga ku mezi dukej qielli nga majat e larta të
lisave të gjatë e të vjetër mijëravjeçarë.
- Këtu, kisha
thënë, le ta bëjmë një pushim sa për ta planifikuar rrugëtimin tonë të
mëtejshëm, vëllezër. Për një gjë duhet të jemi të sigurt, se këto rrugë të
gjata me plot sakrifica, por të ndritshme për kombin tonë, një ditë do të
mësohen në faqet e historisë sonë më të re të shkruar me gjak.
- Kisha pasur
dëshirë ta lexoja … - ia priti Skënder Llapi deri sa po përgatiteshin për t’u
ulur në një lendinë të vogël afër një përroi të thellë, në mesin e malit ku
lisat kishin arritur gjatësinë deri lart, sa që nganjëherë të duket se majat e
tyre po e preknin qiellin dhe po i ndalonin rrezet e diellit që ta ndriçojnë
fushën e vogël në mesin e tij.
- Ai që e
ndërton historinë, zor që mund ta lexojë... Por, unë ju garantoj se pushka
çlirimtare që në kohë të fundit e të duhur të këtij shekulli, po i ndërron
faqet e historisë dhe po i kthen dinjitetin këtij populli, dikur do të jetë
vula e shtetit tonë.
Të gjithë shokët
po e dëgjonin me vëmendje çdo fjalë të Ilirit, deri sa ky vazhdoi bisedën e
tij, fjalë këto që po i lexonte nga ditari i tij.
- Kurse
luftëtaret e lirisë që e filluan këtë luftë do të mbesin dinjitarë nëpër shumë
shekuj, që do të vijnë e do të mësohen në historinë e re, të ndërtuar e të
shkruar me gjak, mund e sakrificë …
Çlirimtaret nga
të gjitha trojet shqiptare tani ishin ulur që të çlodheshin në mesin e fushës
së malit të vjetër e të lartë. Koha ishte e kthjellët, qetësia mbretëronte rreth
tyre, kurse aty pari dëgjoheshin vetëm bisedat e tyre të përziera me zëra
zogjsh e cicërima që këndonin pa ndërpre nëpër degëza lisash të lartë deri ne
lartësitë qiellore. Ata kishin nisur përpilimin e një strategjie për rrugëtimin
e mëtutjeshëm dhe pikëtakimin me shokët tjerë, të cilët po i prisnin ata në
vendin e caktuar ashtu siç ishin marrë vesh para nisjes. Pas një pushimi, të
gjithë tok filluan rrugën. Rrugëtimi i tyre zgjati jo me pak së deri të
nesërmen në orën 4 të mëngjesit të hershëm, atëherë kur edhe ishin takuar me
grupin në pritje të shkolla e fshatit rrëzë Bjeshkëve të Pashtrikut.
E tëra kishte
kaluar pa ndonjë problem, krejt sipas planit. Me gjithë rrugën e vështirë e të
gjatë, ata kishin mbërritur në vendin e caktuar diku në Zonat e luftës në
Drenicë. Kur ata kishin mbërritur atje, ora ishte 22 e mbrëmjes. Aty kishte
përqafime e lot gëzimi në mes shokëve të vjetër dhe çlirimtarëve të posa ardhur
në luftë, të gjithë të një ideali. Iliri flokëkaçurrel e i përmalluar, pasi
ishte çmallur mirë me shokun e tij, Picimulin shakaxhi, i cili si zakonisht
takimin e parë e kishte filluar me humorin e tij të rëndomtë, tani në faqe i
dukeshin dy kokrra loti. Iliri e kuptonte fare mirë se lotët e Picimulit ishin
lajme jo të mira për të. Pa hezituar filloi ta pyesë Picimulin për shokët që po
mungonin në atë takim të aq pritur.
- Po të tjerët?! - pyeti Iliri.
Picimuli, që
qëndronte afër tij, kishte ngulitur shiikimin e tij drejtë në sy të
Flokëkaçurrelit dhe kokrrat e lotit iu kishin ngri në faqet e tij të skuqura,
lëkundi kokën, iu hodh në përqafim, pastaj mori forcë dhe fillojë të flasë:
- Kështu e ka
lufta, o Ilir vëllai !... Ti vetë me pate thënë disa herë, se Liria do të na
kushtojë, ajo do të fitohet, por me gjak... !
- Ti donë të me
thuash.... prapë pyeti Iliri me një zë të dridhur.
- Po , Atdheu i ynë, në gjirin e vet është pasuruar me
dëshmorë të rijn. E liria, ja, ajo po buzëqesh në horizont. Kësaj pranvere
Kosova do të jetë e lirë, do të bëhet ashtu siç e kemi ëndërruar dikur nëpër
fronte, kurse ne na mbetet një obligim …E obligimi ynë është që ta çojmë në
vend amanetin e dëshmorëve të kombit.
Të dy shokët i
shtrinë duart duke i shtrënguar në shenjë bese, i fshin nga faqet e njeri
tjetrit ato kokrra loti, deri sa të tjerët që ishin aty kishin heshtur fare,
kishin shtangur duke dëgjuar bisedat që po zhvilloheshin në mes dy shokëve të
njohur si çlirimtarët e orëve të para e pjesëmarrës të shumë betejave anë e
kënd vendit që po kërkonin çlirim, liri e bashkim kombëtar...
............................................................................................................................................
-XIV-
***Kishte kaluar
edhe dita e dytë që kur Rida kishte ndryshuar tërësisht, s’ishte me ajo Rida që
kishte qenë më parë. Edhe nëna e saj ishte munduar të mësojë çka i kishte
ndodhur bijës së saj të vetme apo “hasretit” siç e quanin prindërit e saj të
dashur. Ky ndryshim Flokëverdhës i kishte ardhur nga shqetësimet që i kishin
kapluar trupin e saj të njomë. Ishte e shqetësuar tej mase që nga momenti kur
kishte dëgjuar se Iliri me shumë shokë çlirimtar e kishin mësyrë rrugën për në
front, rrugën e lirisë, rrugën e çlirimit, atëherë kur ata kishin vendosur që
me çdo kusht t’i bashkohen radhëve të Ushtrisë Çlirimtare, në momentet më
vendimtare për fatin e Atdheut. Rida, tani të shumtën e kohës po e kalonte në
vetmi shtëpiake, e mbyllur në një nga dhomat e shumta në shtëpinë e madhe të
prindërve të saj. Mendja i shkonte gjithë andej, herë në kohën kur ishin takuar
me Ilirin për herë të parë, herë në kohën e vështirë që po e kalonte tashmë e
vetmuar. Ajo mendonte, mendonte dhe s’ndalej së menduari, por as për një të
vetmin moment nuk mund të vendoste t’u tregonte prindërve për vendimin që
kishte marrë në mendje dhe kishte vendosur prerazi që edhe ajo të kthehet në
Kosovë për t’iu bashkuar prapë radhëve të UÇK-së për tu dal në ndihmë shokëve,
ashtu sikur në ditët e më hershme, por edhe për t’i treguar Flokëkaçurrelit se
atë e lidhin dy gjëra për Kosovën. E
para, atdhedashuria dhe e dyta, dashuria që ajo ndiente për Flokëkaçurrelin.
Ishte mbrëmje,
ora ishte 21, kur Rida po qëndronte në heshtje në dhomën e saj. Ajo vendosi ta
shkruajë një letër për t’i njoftuar prindërit. Mori letrën dhe lapsin, e shkroi
letrën të cilën e palosi dhe e vuri mbi tryezë të punës. Në letër, ndër të
tjera shkruante:
“Prindër të
dashur dhe shumë të respektuar, unë kam marrë vendim të prerë që të mos ndahem
nga lufta e drejtë çlirimtare deri në çlirimin e Atdheut. Ju njoftoj se unë me
një grup shokësh çlirimtarë, shpresojmë se dita e nesërme do të na agojë diku
në front. Jam betuar që nga Iliri s’mund të na ndajë as vdekja. Pasi që Ai ka
hyrë në Kosovë, unë vendosa t’i bashkohem. Kërkoj falje që s’u tregova me kohë
për t’u përshëndetur, por këtë e bëra më qëllim që ju të mos merakoseshit ose
të më bëni ndonjë pengesë…Shihemi së shpejti. Ju do e juaja, Hasreti”...
Letra e shkruar
kishte mbetur në dhomë, kur Rida kishte dalë nga shtëpia pa u diktuar fare. Me
qenë se Flokëverdha, atyre ditëve sa kishte qëndruar aty pa Ilirin, ajo kishte
fjetur deri gati në mesditë, prandaj edhe porosia në letrën e saj nuk ishte
diktuar nga prindërit deri të nesërmen pasdite. Kur nëna e saj kishte hyrë
ngadalë në dhomë për të kuptuar se ç’po ngjet me Hasretin, e kishte gjetur
letrën e Ridës mbi tryezë. Prindërit, pasi e kishin lexuar letrën, e kishin
kuptuar shqetësimin e bijës së tyre. Rida së bashku me disa shokë çlirimtarë,
qysh nga ora 22:00 kishin
filluar rrugëtimin nga kryeqyteti për në veri të vendit, atje ku edhe ishte
baza e UÇK-së për Has të thatë. Pasi që kishin arritur atje, ata ishin
armatosur mirë, kishin veshur rrobat kamuflazh dhe rrugëtimi i grupit të Ridës
kishte përfunduar diku përtej kufirit shqiptaro-shqiptar, kur ata e kishin
gabuar rrugën dhe kishin hyrë në një fushë të minuar, nga forcat serbe. Me atë
rast Rida Flokëverdhë ishte lënduar shumë rëndë në të dyja këmbët. Një shok
tjetër i tyre kishte humbur jetën, kurse disa të tjerë që kishin qenë pas tyre,
ishin lënduar pak më lehtë. Ajo ditë ishte e rëndë për bazën e UÇK-së në Hasin
e thatë. Në ora 15, të gjithë të plagosurit i kishin sjellë prapthi në bazë, më
pas kishin intervenuar që me një helikopter të Ushtrisë Shqiptare i kishin
transferuar pa humbur kohë në Spitalin Ushtarak të Kryeqytetit. Rida ishte në
gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Ajo kishte humbur shumë gjak, prandaj me
zbritjen e helikopterit në oborrin e Spitalit Ushtarak, ekipi i urgjencës e
kishte marrë me seriozitetin më të madh këtë rast. Në ora 17 Rida ishte në
duart e mjekëve, në sallën e operacioneve për intervenim kirurgjik urgjent, në
të njëjtën sall, aty ku muaj më parë, ajo vetë kishte pritur për përfundimin e
operacionit që po i bëhej Ilirit. Operacioni zgjati me orë të tëra, ishte operacion
i rëndë dhe me gjithë mundin e pa shoq e me insistimin e pa kompromis të ekipit
mjekësor që t’i ndihmohej kësaj vashe trimëreshë, Ridës Flokëverdhë i kishin
humbur të dyja këmbët, amputimin ia kishin bërë në gjunjë. Në krejt këtë
fatkeqësi qe po ndodhte më Flokëverdhën, ishte fati që operacioni pati sukses,
jeta e saj ishte jashtë rrezikut. Rida çlirimtare nga salla e operacioneve u
dërgua në dhomën intensive Nr. 9, në po atë dhomë ku muaj më radhë vet ajo
ishte përkujdesur për Flokëkaçurrelin, duke mos ëndërruar se një ditë vetë do
të bëhej paciente e saj. Pasi që prindërit e Ridës e kishin gjetur letrën e
shkruar nga bija e tyre, e kishin lexuar disa herë, e kishin të qartë se ç’po
ndodhte më bijën e tyre, ishin bërë merak tej mase dhe ishin hutuar sa që ata
të dy as që kishin ndërruar ndonjë bisedë mes veti që nga ora 13, qysh e kishin
gjetur atë letër porosi në dhomën e saj. Atë ditë, as babai i Ridës nuk kishte
dalë nga shtëpia, i cili ditëve tjera dilte aty afër në një dyqan, për të
biseduar me shoqërinë e tij rreth situatës në Kosovë, por ajo ditë kishte
vajtur disi pa lidhje për prindërit e Flokëverdhës që ende s’po e dinin se ç’po
ngjet me bijën e tyre të vetme. Në mbrëmje të dy ishin ulur pranë ekranit
televiziv. Ata po i prisnin lajmet e mbrëmjes për të kuptuar se mos po e
njihnin ndonjë të ikur nga Kosova, që si zakonisht çdo mbrëmje gjatë ditarit i
paraqitnin emrat e të ikurve. Në fillim të ditarit u kumtua një lajm tragjik që
kishte ndodhur në kufi. Ky lajm ishte i ilustruar me pamje, filmime dhe ende pa
i konfirmuar emrat e të plagosurve, në një xhirim të ngadalësuar, prej spitalit
ushtarak, duke i nxjerrë nga helikopteri, i panë të plagosurit. Në atë pamje
qartë u duk fytyra e Ridës dhe trupi i saj i mbushur me gjak. Të dy prindërit e
saj u shtangën në vend dhe mbetën duke e shikuar njëri-tjetrin, derisa nëna e
Ridës klithi me një zë të tmerrshëm -“O hasreti ynë!”. Në atë moment spikeri e
konfirmoi emrin e Ridës, të shokëve të saj të plagosur dhe të të vrarit. Burrë
e grua me të shpejtë dolën nga shtëpia e tyre dhe u nisën në drejtim të
spitalit, duke e lënë derën e shtëpisë hapur krah më krah dhe televizionin të
ndezur ashtu siç ishte duke i dhënë lajmet. Prapë lajme të hidhura
… televizioni po
punonte, po punonte në shtëpinë e madhe pa njëri brenda. Kishte kaluar kohë
bukur e gjatë... Dhe gjatë asaj kohe sa qëndroi Rida në kurim, në spitalin
kryesor të kryeqytetit, ajo pati shumë vizita. Në vizitë po i vinin shokë nga
të gjitha anët, kurse ajo vizita e përditshme dhe në orët e vona ishte e
prindërve te saj, të cilët po brengoseshin tej mase edhe pse gjendja
shëndetësore e Flokëverdhës çdo ditë e më shumë po përmirësohej. Ajo që
brengoste më shumë, ishte se Rida kishte mbetur në karrocë invalidësh. Kurimi i
saj zgjati hiq më pak se dy muaj e shtrirë në spital, ditë këto të vështira e
të mundimshme, Rida së bashku me të dy prindërit e saj, në karrocën e
invalidëve doli nga spitali për ta vazhduar jetën në spital. Tani fëmija i
vetëm i tyre ishte invalid i luftës.
Qershori i vitit
1999 në Kosovë solli edhe pranverën e shumëpritur edhe përfundimin e luftës.
Kjo luftë përfundoi me fitoren e UÇK-së dhe të mbarë popullit të Kosovës së
shumëvuajtur edhe pse kjo fitore pati çmimin e lartë, kishin rënë shumë
dëshmorë, ishte numri i madh i të zhdukurve e të kidnapuarve, kishin ndodhur
edhe masakra të pa para ndonjëherë, më qindra fshatra të shkatërruara tërësish
e të mos flasim për mijëra invalidë të luftës që i kishin falur gjymtyrët e
veta lirisë së Kosovës. Kjo fitore e madhe historike duhej festuar. Sheshet e
qyteteve e të fshatrave ishin mbushur plot me njerëz, nëpër fytyrat e çdo
njërit prej tyre vëreheshin shenja gëzimi të përziera me lot, në mes tyre
urohej fitorja. Ata përqafoheshin mes vete pavarësisht kush nga është, ata
ndiheshin të gjithë vëllezër të një gjaku, sikur të gjithë e kishin të njëjtën
fjali për t’ia thënë tjetrit -“Urime fitorja – rroftë UÇK-ja “… Njerëzit kishin
filluar me të madhe të ktheheshin nëpër vatrat e tyre edhe pse shtëpitë i kishin të djegura, të
shkatërruara, të rrënuara rrafsh me tok e ato që i kishin shpëtuar kësaj
barbarie, ishin të zbrazura e të plaçkitura nga forcat ushtarake, policore,
militare e paramilitare serbo-çetnike që falë luftës së drejtë çlirimtare nuk
ishin askund prezentë në tokën e shkatërruar të Kosovës. Ky popull i
shumëvuajtur e liridashës, me gjithë atë po ktheheshin nëpër trojet e tyre
stërgjyshore, për t’i thënë dheut të Kosovës, se ne s’ndahemi për së gjalli, se
ne të duam e jetonim për ty dhe në fund do të jemi vetëm i yti.
Tani e tutje në mbarë
territorin e Kosovës, aty ku më parë luftohej për liri e çlirim, mbretëronte
frymë lirie, armiku shekullor i Kosovës kishte thyer qafen andej prej nga
kishte ardhur me kokë ulur e plot turp. Qytetet e Kosovës, fshatrat e saj, pas
një kohe të shkurtër u mbushën plot me njerëz e gjallëri. Në çdo vend
dëgjoheshin urimet për fitore. Këtyre lëvizjeve s’u mungonte as prezenca e
çlirimtarëve. Luftëtarët e lirisë i zunë vendet e veta duke u vendosur nëpër
qytete e fshatra për ta kontrolluar situatën dhe ruajtur rendin e qetësinë.
Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kishte zbritur nga majat e
Bjeshkëve të Berishës, prej nga kishte komanduar deri atëherë dhe ishin
vendosur në kryeqytet për ta vazhduar punën e vet ushtarake, tani në rrethana
krejt të ndryshme nga ato të luftës. Tani kjo komandë kishte seli. Dihej në terë botën së Prishtina ishte
selia e SHP të UÇK-së, i përshëndetur dhe i përkrahur nga forcat e NATO-s dhe
nga mbarë Bashkësia Ndërkombëtare. Pasi që puna filloi të shkonte mirë e mbarë
dhe zhvillimet në Kosovë kishin marrë kahe pozitive, ashtu dhe ishte
paramenduar nga çlirimtarët, të paktën kjo ndodhi në ditët e para të pas
luftës. Iliri vendosi ta merrte rrugëtimin për në Shqipëri, rrugëtim ky tani që
do të ndodhte në një mënyrë tjetër nga se qe kishte ndodhur më parë: nëpër
rrugët e asfaltuara, ku do të numërohej si një udhëtim zyrtar, legal për Ilirin
dhe sa për fillim të mbushur plot me gëzime. Këtë vizitë Flokëkaçurreli e
kishte planifikuar ende pa përfunduar lufta, e cila vizite kishte dy arsye: e
para për t’i kërkuar falje Ridës për atë që kishte ikur nga Spitali dhe kishte
hyrë në Kosovë pa e lajmëruar atë, dhe e dyta, për të kërkuar dorë nga
prindërit e saj që të mos hasin në ndonjë pengesë për martesën e tyre që ata e
kishin planifikuar si ëndërr të kamotshme në çastet më të vështira të jetës së
tyre nëpër malet e Drenicës heroike.
Rrugëtimi kishte
zgjatur disa orë, ishte rrugë e vështirë dhe e mundimshme, me kthesa të mëdha
sidomos nga Kukësi deri në Tiranë. Kjo rrugë për Ilirin nuk ishte e panjohur, i
cili edhe më par e kishte kaluar këtë rrugë me shokët e vet. Ishte mesi i
ditës kur Iliri kishte arritur në
kryeqytet, ai ishte parkuar me makinën e tij afër shtëpisë së madhe me fasadë
të bardhë dhe me kopsht të rregulluar aq bukur sa që njeriu mund të mendonte se
është park qyteti. Në portën kryesore të shtëpisë vërejti një grua në moshë. Flokëkaçurreli pa
ngurruar u përshëndet me të dhe pa hutim filloi ta pyesë gruan e moshuar.
- Është Rida në
shtëpi?
Gruaja që ishte
pranë portës, ishte Nëna e Aniëes, e cila për një çast mbeti pa fjalë duke
shikuar Ilirin drejt në sy. Sytë e saj iu mbushën me lot dhe ashtu si në habi,
në vend që t’ia kthejë përgjigjen, ajo filloi si ne huti ta pyes
Flokëkaçurrelin:
- Ju, ju jeni
Iliri?!
- Po , unë jam. Erdha nga Kosova e lirë, atje çdo gjë është
festive. Atje po festohet liria, po festohet çlirimi i Atdheut. E kupton ?!
Nëna kishte
mbetur duke e shikuar drejt në sy tek po fliste ai. Ashtu me sy të përlotur,
ajo e ftoi Ilirin brenda duke u afruar tek ai, në përqafimin e tij të
përmalluar për fitore.
- Zonjë, unë kam
ardhur ta marr Ridën tuaj. Festa e fitores nuk mund të jetë festë assesi pa
prezencën e saj Rida meriton çdo gjë që lidhet me fitoren e UÇK-së.
Gruaja, bashkë
me Flokëkaçurrelin plot me jetë e gëzime kishin hyrë në korridorin e gjatë të
shtëpisë së bukur. Ajo deri atëherë s’kishte marrë guximin e as që kishte forcë
që ta fliste të paktën një fjali të vetme për bijën e saj invalide. Gjersa
fliste Iliri, ajo vetëm lëkundte kokën dhe ngadalë hapi derën e dhomës, në të
cilën dhomë Rida ishte e shtrirë në shtratin e saj, e mbuluar me një batanije
dhe me fytyrë të shqetësuar. Iliri në të hyrë brenda në dhomë përqendroi
shikimin e tij burrëror kah Rida, e cila ktheu kokën anash dhe lëshoi një zë të
thekshëm. Nëna e saj e cila qëndronte në derë u largua me lot nëpër faqe deri
sa Iliri, bëri hapat e par drejtë shtratit të saj dhe me buzagaz iu drejtua
Flokëverdhës.
- Rida, ç’do të
thotë kjo?!
- Mos. Mos të
lutem, mos mu afro më afër!
Iliri edhe pse
ishte afër shtratit të saj, nuk e kishte vërejtur ende karrocën e invalidëve që
rrinte në qoshen tjetër të dhomës, prandaj edhe s’e kuptonte qëndrimin e Ridës,
as nuk kuptonte së ç’po ndodhte rreth tij.
-Rida, të lus që
të më falësh, sepse unë …unë …
- Ilir, të
thashë. Unë më nuk jam as për ty , as për veten time. Të lutem largohu! Shko,
shko Ilir!
Flokëkaçurreli i
befasuar me fjalët e Ridës që po i dëgjonte, ktheu kokën kah nëna e saj, ajo
kishte dal nga dhoma. Iliri e pa karrocën dhe për një moment shtangu në vend.
Prapë ktheu shikimin e mprehtë kah Rida, mori forcë dhe filloi të flasë:
- O zot, athua
mund të jetë e vërtetë?! Jo, jo kjo nuk është e vërtetë! Rida, më trego çka ka
ndodhur këtu?! Çka po ngjet me mua, o zot ?!...
Deri sa Iliri po
fliste dhe po sillej nëpër dhomë të Ridës
pa kontroll, asaj po i pikonin lotët pa ndërpre në jastëkun e saj. Po mundohej të ngritje nga shtrati, por e kishte të
pamundur pa ndihmën e dikujt. Dikur i fshin lotët nga faqet e saj të skuqura
dhe nguli shikimin, herë në karrocën e vet herë në Ilirin e shqetësuar.
- Ilir, mos
ashtu ….
- Të lutem mos
fol asgjë, - ia ktheu Iliri me një zë të
shterur që Rida
s’ishte mësuar ta dëgjonte ndonjëherë tek fliste me atë zë.
- Rida, të
kujtohet ty ajo fjala e dhënë dikur ? – “Ne s’mund të na ndajë as vdekja”Iliri,
tani më ishte afër shtratit të saj për t’i ndihmuar që të ngrihej. Ai e kishte
të qartë se me Ridën kishte ndodhur një fatkeqësi, por s’e kuptoi deri sa e
ngriti batanijen nga trupi i saj dhe pa se ajo i kishte të humbura të dyja
këmbët. Iliri pa shqetësime, kafshoi buzën, e kuptoi fatin e jetës së vet, u
afrua edhe me afër saj, e përqafoi duke ia venë të dyja duart rreth qafe dhe
filloi të flasë me zë burri, krenar e me buzagaz, zë ky që ishte mësuar Rida ta
dëgjonte shpesh herë. Ashtu të përqafuar, mbetën gjersa Rida i tregoi ngjarjen
pik e për pe. Iliri duke i dhënë një përqafim të ngrohtë e intim, iu drejtua
Flokëverdhës që po e mbante të mbështetur në kraharor.
-Rida, unë kam
ardhur të te lus diçka, pasi që lufta ka përfunduar.
- Fol, ti e di
se të gjitha propozimet tuaja për mua janë të pranueshme.
- A do të
martohesh me mua Rida? Iliri nxori nga xhepi një unazë fejese, ia vuri në gisht
Anites, aty plasi gazi dhe të dy po shtrëngoheshin në përqafim të njeri tjetrit
sikur të mos kishte ndodhur gjë në mes tyre. Nëna e saj ishte ndalur në derë të
dhomës, mbante burrin e vet për dore dhe
i fshinte lotët nga faqet. Në fytyrat e prindërve po dukeshin shenja gëzimi në
mesin e gjithë asaj fatkeqësie qe u kishte ndodhur atyre. Nëna e saj i afroi
karrocën afër shtratit të saj, Iliri e kapi para duarsh Ridën, e vendosi në
karrocë dhe u nisën për shëtitje në kopshtin e shtëpisë pse jo edhe në qendrën
e kryeqytetit...
............................................................................................................................................
-XV-
***Pas një kohe,
jo fort gjatë , Iliri dhe Rida kthehen për të
vazhduar jetën e tyre në qytetin ku ishin njohur si të rinj. Aty në atë qytet,
ata prapë takohen me Nënën e Bunkerit, e cila i pret me plot gëzime dhe duke i
përqafuar të dy për njëherësh ua uron martesën dhe lindjen e dy fëmijëve të
tyre. Ata i kishin pagëzuar me dëshirën e Nënës së Bunkerit me emrat Çlirim dhe Fitore …
*** Kur Iliri u
bashkua me Ridën që e deshi aq shumë, atëherë u bë ILIRIDA. Kur u bashkua
Ilirida lindi ÇLIRIMI me FITOREN... gëzuar, gëzuar...
***********************************************
**********************************
******************
******
...........................................................................................................................................
Ngjarja edhe më
tej vazhdon në këtë pjesë të jetës, një gjë është më se e ditur, se po mos të
ishte bota e rrumbullaket zor së do t’i dihej fundi i jetës...
dibran fylli
19.5.2005 –
burgu i Dubravës, qelia nr. 1
............................................................................................................................................
DIBRAN FYLLI
EDHE KJO ËSHTË PJESË E JETËS
roman
Shtypur në shtypshkronjën
DRINIGRAF
Klinë
2006
..........................................................................................................................................
CIP
Autori dhe botuesi
falënderojnë për botimin e librit:
NDËMARRJEN SHËRBYESE
“PLATORI” në Klinë, me pronar Kadri Gashi ecc.
BENITA company - Klinë
ALBATONI - NTSH Klinë dhe
Kamer Elezin - mergimtar nga fsh.
Gjurgjevik i Klinës
............................................................................................................................................