2012-06-12

Roli i Diplomacisë së Kosovës në politikën e jashtme të UÇK-së

Tri ditët e konferencës shkencore ndërkombëtare me temë “Roli i Mërgatës në Shtetformim” u vlerësuan jashtëzakonisht të rëndësishme pasi që përveç vlerësimit të kontributit të diasporës shqiptare në aspektin politik, për herë të parë po jepet edhe një vlerësim shkencor për rolin e mërgatës në shtetformim në faza të ndryshme.

Drejtori për politika të diasporës në Ministrinë e Diasporës, Mustafë Xhemaili i ka thënë KosovaPress-it se gjatë këtyre tri ditëve janë paraqitur kumtesa të ndryshme nga shkencëtarë të vendeve evropiane, të Shqipërisë por edhe të Kosovës dhe të cilat kanë rëndësi jashtëzakonisht të madhe, sepse, për herë të parë në një konferencë shkencore vendosen disa pika nga aspekti shkencor i pjesëmarrjes së diasporës dhe roli i saj në faza të ndryshme të shtetformit të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Në këtë konferencë janë të paraqitura 23 kumtesa nga shkencëtarë dhe studiues të ndryshëm me tema të ndryshme, dhe se ne po fillojmë për herë të parë në një farë mënyre shkencërisht t’i pranojmë rolin e mërgatës në shtetformim, ndërsa në aspektin politik në një farë mënyre është një konsensus i plotë politik i gjithë faktorëve të të gjitha fazave në Ballkan se mërgata ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, por është vlerësuar nga aspekti politik, kurse tash e tutje nga kjo konferencë besoj që nuk do të mungojnë edhe format e tjera që do të paraqiten për rolin e shtetformimit në faza të ndryshme“, ka thënë Xhemaili.

Sipas tij, të gjitha kumtesat nga kjo konferencë do të përmblidhen në një libër që pritet të dalë në shtator të këtij viti.

Ndryshe, gjatë ditës, me kumtesën “Roli i Diplomacisë së Kosovës në politikën e jashtme të UÇK-së”, para të pranishmëve u paraqit ambasadori i Republikës së Kosovës në Vjenë, Sabri Kiçmari, i cili deklaroi se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së arriti që si përgjegjës për politikën e jashtme të vendos personalitete të dëshmuara në orientim demokratik dhe që jetonin në diasporë, pasi që ata arritën që malin e akuzave që kishte përgatitur regjimi i Millosheviqit dhe mbështetësve të tyre, por gjithashtu në Konferencën e Rambujesë arritën legalitetin dhe legjitimitetin e UÇK-së para politikës dhe opinionit ndërkombëtar.

“Tre nga pesë anëtarët e delegacionit të UÇK-së kishin jetuar për vite të tëra në mërgim, pra ishin edhe pjesë e mërgatës sonë. Pajtimi i delegacionit të Kosovës që ai të udhëhiqet nga drejtori politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, i cili po ashtu kishte kaluar disa vite jashtë vendit shënon aktin e bartjes së vendimmarrjes së UÇK-së në momentin më vendimtar të Kosovës”, ka thënë Kiçmari.

Kurse, profesori nga Austria, Robert Pichler, u paraqit me kumtesën “Nacionalizimi i diasporës dhe rënia e Jugosllavisë. Vlerësime krahasuese për rezultatet e shtetit transit”. Ai u ndal te nacionalizmat kroat, serbë dhe shqiptar dhe rolin e tyre që kanë pas në shpërbërjen e Jugosllavisë.

“Interesant ka qenë se politika e Rugovës nuk ka qenë për luftë në emigracion, për dallim nga kroatët, por qëllimi i tij është internacionalizimi i çështjes së Kosovës me mjete paqësore. Interesant është që LDK-ja nuk ka qenë e interesuar fare për mite dhe nuk ka qenë e pozicionuar në mënyrë fashiste, andaj internacionalizimi i Kosovës nuk ka pasur ndonjë efekt, dështimi i këtij orientimi ka qenë Dejtoni ku është menduar se aty do të jetë edhe çështja e Kosovës, por ajo nuk ndodhi pasi që Dejtoni ka qenë i orientuar që t’i shpërblejë ata që kanë bërë luftë”, ka thënë Pichler.

Profesori Fatmir Rama u paraqit me kumtesën “Reagimi i diasporës shqiptare ndaj pushtimit fashist në Shqipëri”, pastaj akademik Gjovalin Shkurtaj me kumtesën “Mbështetja e shtypit arbëresh në pavarësinë e Shqipërisë”, Irakli Koçollari me kumtesën ”Kontributi i arvanitëve dhe i emigracionit shqiptar në Greqi për pavarësinë e Shqipërisë”, Jusuf Bajraktari u paraqit me kumtesën ”Roli i Vatrës për çështjen shqiptare”, Llukman Haliti u paraqit me kumtesën “Diaspora Politike e Kosovës 1992-1999 dhe roli i saj në shtetformim” si dhe Jusuf Buxhovi u paraqit me kumtesën ”Zgjimi kombëtar dhe impulse shpirtërore nga diaspora”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...