Mexhit Prençi 1937 Kritik, esseist dhe studiues i letërsisë dhe artit. Në harkun kohor 1965-2002, ka botuar mbi 1500 artikuj, studime esse, optika kritike; 35 pjesë teatrore radiofonike; 5 drama për fëmijë dhe 7 drama për të rritur. Disa nga titujt e dramave: "Shoqja K dhe të tjerët, "Ankthi", Çështje e hapur" (fituese çmimit të dytë në një konkurs kombëtar), "Krismat dhe daullet", "Tre shokët" pjesë teatrore për fëmijë, "Eneida"(fituese e çmimit të dytë në një konkurs kombëtar) "Jona" etj. Nga pjesët radiofonike do të veçonim "Treqind duvakët e kuq". Nga studimet "Figura artistike". Në vitin 2000 ka botuar librin "Optikë alternative mbi dramën" me studime, esse dhe kritika, dhe më 2001 librin me esse politiko-filozofike "Shqipërisë i duhen burra shteti dhe jo gangsterë politikë". Janë përgatitur për botim edhe tre libra të rinj me studime, esse dhe kritika për poezinë, dramën dhe teatrin. Autori mohon të gjithë krijimtarinë e shkruar sipas realizmit socialist. Ka punuar: kryeredaktor në revistën "Teatri" dhe vitet e fundit pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura.
| ||
Mexhit Prençi
|
Titulli: Shqipërisë i duhen burra shteti dhe jo gangsterrë politikë (esse)
Autori: Mexhit Prençi
Redaktore: Kledi Shegani
Reçensent: Koli Xoxi
ISBN - 99927 - 699 - 0 - 4
| ||
Titulli: Optikë alternative mbi dramen (esse, studime, artikuj)
Autori: Mexhit Prençi
Redaktore: Ramadan Musliu
Reçensent: Perikli Jorgoni, Ramadan Musliu
ISBN - 99927 - 664 - 9 - 2
|
KRIZA E AUTORITETIT
Shqipërisë i duhen Burra Shteti
e
jo aventurierë e gangsterë politikë.
I
Shqipëria sot përjeton krizën më të rëndë të autoritetit. Vendin e burrave të shtetit e kanë rrëmbyer xhuxhmaxhuxhët politik, të ç’ekuilibruarit, amoralët, të korruptuarit, të ngriturit në majën e piramidës jo sipas “meritokracisë” që proklamon Nano, por sipas shkërdhatokracisë që satirizon Agolli.
Vendi ynë, pikërisht në këtë moment historik, ndjen nevojën e domosdoshmërisë për një BURRË SHTETI të përmasave të mëdha. Po, duke perifrazuar Hamletin e Shekspirit, këtu puna ngec. Nga mosnjohja e vetvetes, shumica e politikanëve të sotëm, synojnë majën, kur maja është vetëm një. Deliri i madhështisë së marrëzisë, si një sëmundje ngjitëse po përhap epideminë e ngritjes së mitit të vetvetes. Në këtë garë të padukshme merr pjesë klasa politike: edhe ai që di, edhe ai që s’di, i afti dhe i paafti, i korruptuari dhe mafiozi, ku shumica përbëhen prej mediokërisë.
Nga mosnjohja e vetvetes, çdo njëri prej këtij soji, mendon se është Njëshi. Paradoksi dhe absurdi, amoraliteti dhe anormaliteti, mediokriteti dhe miti i vetvetes përbëjnë një realitet. Sikur të gjithë politikanët të votonin në mënyrë të fshehtë për presidentin e vendit, do të ngjiste fenomeni më i çuditshëm dhe absurd siç ndodhi më 1997 në Akademinë e Arteve, ku në votimet për një drejtor departamenti, që merrnin pjesë gjithsej tetë votues, secili prej tyre kishte fituar një votë. Çdo koment do të ishte i tepërt.
Një dukuri e tillë kur shfaqet në jetën politike të një vendi është më tepër se dhimbje, se dramë, se tragjedi, se fatkeqësi,- është fatalitet. Etja karrieriste për pushtet, për majën e piramidës, kur këtë e lakmojnë të tërë, të diturit dhe të paditurit, madje kur në skalionin e parë janë aventurierët politik dhe të korruptuarirt, është tragjedia më e madhe e një populli që kërkon të ndërtojë lumturinë e vet. Asnjë popull nuk mund të përparojë nëse në krye të strukturave të organizimit dhe drejtimit të tij, nuk vihen burra shteti. Mungesa e këtyre burrave në drejtimin e vendit, përbën krizën më të rëndë të autoritetit. Prej saj rrjedhin krizat e tjera: politike, ekonomike, sociale dhe morale. Tabloja është sa e zymtë aq dhe e trishtuar, sa e mjegullt aq dhe e sofistikuar, sa e dukshme aq dhe e padukshme. Janë pikërisht karrieristët dhe aventurierët që deliri i madhështisë i çon në marrëzi, në mbjelljen e urrejtjes midis bashkëkombasve, në konflikte e armiqësi, duke braktisur dashurinë,- gurin e themelit të shoqërisë.
…
III
Kriza totale që ka pushtuar aktualisht vendin dhe popullin tonë, është rrjedhojë e krizës së autoritetit, e mungesës së një klase politike të aftë dhe me mentalitet të ri, që të përbëhet prej burrash shteti që kanë ideale të larta kombëtare, demokratike dhe progresiste. Pikërisht mungesa e kësaj klase, ka sjellë si spasojë që jeta e shqiptarit të varet në cergën e hollë që endet mbi flladin e beharit, siç thotë një personazh i Shekspirit: gdhihesh dhe s’din a ngrysesh, del prej shtëpisë dhe s’din a kthehesh i gjallë, nisesh për një udhë dhe mund të përfundosh në kurthin e zi të asgjesimit nga maskat
Tragjike jeta e shqiptarit: me të qara lindja, me të qara vdekja, në mes lindjes dhe vdekjes – një kurbë e gjatë me ankthe, drama, vuajtje, trishtime.Gangsterët politikë që kanë zënë vendin e burrave të shtetit, po ndërtojnë një shoqëri xhungël; tabloja është sa tragjike aq dhe e pashpresë. Vritet njeriu në mes të ditës, në qendër të kryeqytetit; mjerimi ka hyrë në palcën e të varfërve; varfëria është bërë pronë e të ndershmëve; pasuria pronë e të korruptuarve dhe kontrabandistëve;shpresat janë vrarë;truri i kombit çdo ditë arratiset nëpër botë. Siç ka nisur këtu do të mbeten mediokërit për të mos thënë budallenjtë; se, dhe rinia po vrapon udhëve të trishtuara të kurbetit; edhe studentët që mbarojnë shkollat e larta i sheh në dyert e ambasadave duke ndjekur pas falsifikatorit e vizave; pensionistët luajnë domino dhe hanë një copë bukë me djathë, kur kufomat e diktaturës komuniste që i ligjëroi regjimi i Fatos Nanos, thërrasin nëpër salla të mbyllura: “Enver Hoxha tungjatjeta”.Ndërsa ata që merren me drogë e pisllëqe përbëjnë shtresën e të pasurve.
Nga një gjendje e tillë, çdo qeveri demokratike do të jepte dorëheqjen. Vetëm qeveritë mafioze vazhdojnë udhën e pangopësisë së tyre, gjersa t’u ngelet në fyt kocka e madhe.
IV
Kushdo që jeton në Shqipëri dhe e sheh të vërtetën në sy nga një pozicion i lirë dhe jo nga skllavëria ideologjike partiake, nuk ka si të mos e dallojë kaosin e madh, mjegullnajën, anormalitetin, perversitetin, venitjen e shpresës dhe katastrofën që po afron. Arturo Uitë e kohës sonë, po lozin vallen makabre të madhështisë së marrëzisë, nën tamtamet e korrupsionit, të kontrabandës dhe mafiozitetit, kur mjerimi është ulur këmbëkryq në sofrën shqiptare, kur ekzistenca është vënë në pikëpyetje, kur pasiguaria është bërë mbret, kur më tepër vepron vetëgjyqësia dhe mendësitë komuniste partiake sesa ligji.
…
…
Nuk luftohet korrupsioni me slogane, deklarata, konferenca shtypi, mitingje dhe, sidomos me komisione kur në krye të tyre vihen më të përfolurit. Madje edhe akuzat e tipit të përgjithshëm, pa fakte konkrete, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm shumë zhurmë për asgjë.
Akuzon opozita e djeshme ish Qeverinë Meksi si të korruptuar.Asnjë emër. Asnjë fakt.Asnjë argument. Vetëm fjalë, fjalë dhe fjalë. Akuzon opozita e sotme Qeverinë Nano si të korruptuar, pa asnjë kallëzim në prokurori për ndjekje penale. Vetë kryeministri pranon se jemi zhytur në korrupsion, ndonëse na e la peshqesh PD, thotë, megjithatë asnjë kallëzim për ndjekje penale,as për ish ministrat e PD, as për ministrat e kabinetit të tij, përkundrazi mbështetje e mbrojtje e ministrit Malaj e Angjeli, më të përfolurit për korrupsion. Përse kjo mjegullnajë? Kujt i intereson errësira?
…
V
Është e vërtetë se lufta me të korruptuarit është ndër luftrat më të vështira për shkak të fshehtësisë, tjetërsimit, mistifikimit mafiozitetit dhe rrezikshmërisë, mirëpo shteti që i thotë vetes shtet, merr përsipër gjithçka, ndryshe dorëzon çelsat. Përpara kësaj alternative ndodhet kryeministri Nano me stafin e vet. Por ata akoma nuk e kuptojnë këtë të vërtetë, akoma operojnë me praktika të vjetra komuniste: shumë zhurmë për asgjë, që tashmë s’pinë ujë, kur duhen hapa konkret, një ndër të cilët do të ishte deklarimi i pasurisë seriozisht nga pushtetarët. Po as dje, nuk u bë, as sot nuk po bëhet. Disa pushtetarë dhe parlamentarë, në mënyrë estradeske, kanë rrëfyer si për të na bërë të qeshim, se kanë nga një shtëpi me një dhomë e kuzhinë, 300 mijë deri në 800 mijë lekë të vjetra, kur përflitet se janë pronarë të dy-tre pallateve, të benzinatave, të lidhur me kontrabandistë të mëdhenj, ortak me biznesmenë mashtrues etj., etj.
Korrupsioni vërtetë është i vështirë për t’u luftuar, kur janë të implikuar vetë ata që do ta luftojnë atë nga pozita e shtetit. Prandaj ka fjalë, fjalë dhe jo vepra. Korrupsionin mund ta luftojnë vetëm ata që nuk janë të zhytur në korrupsion. Për këtë duhet vetëdijësuar populli, duke krijuar një psikologji të re realiste, që të mbështesë lëvizjet e një politike të guximshme dhe profesionale, e cila mund dhe duhet t’i përballë me drejtësinë, politikanët e këqinj e të korruptuar që të shpëtojë vendi nga katastrofa e gjithanshme.
MADHËSHTIA E MARRËZISË
“Të gjithë duan ta arrijnë fronin: kjo është marrëzia e tyre, sikur lumturia të qëndronte në fron! Shpesh herë balta rri mbi fron e shpesh edhe froni mbi baltë. Të gjithë këta për mua janë të çmendur dhe majmunë që kacavirren...”
Fridrih Niçe
Legjenda thotë se dikur diku, gruaja e një perandori, kishte pohuar në gjyq një të vërtetë që mahniti të paditurit, joshi “të çmendurit” dhe fitoi simpatinë e të urtëve.
“Tre kënaqësi kam provuar në jetë - tha në gjyq gruaja e të parit të vendit. - E para, kam qënë balerinë e klasit të parë. Kam përjetuar kënaqësitë e duartrokitjeve të spektatorëve, të cilat kaq më lumturonin sa e ndjeja veten në kulmin e saj. E dyta, kam qënë grua e emancipuar. Kam provuar të gjitha liritë që mund të gëzojë një grua e lirë, edhe ato të dashurisë dhe, m’është dukur vetja si në një ëndërr magjike. E treta, kam qënë politikane. Kënaqësia që të jep karriera politike qëndron më lart se të gjitha kënaqësitë.Kjo më shtyri të luftoj për të asgjësuar tim shoq dhe të bëhesha vetë e para e vendit. Po kur u përballa me drejtësinë dhe gjyqi mbaroi, më kërkuan të thosha fjalën e fundit… Me zë të drithëruar gri thashë: Lufta për fronin është madhështia e marrëzisë.
A nuk janë të çmendur të gjithë ata që mendojnë se vërtetë kënaqësia qëndron në fron?, se lumturia rri në fron?, se lavdia është fron?... Kishte të drejtë Niçeja kur thoshte se shpesh mbi fron rri dhe balta ashtu si dhe froni rri mbi baltë.
…
…
Qëndrim regresiv, çuditërisht, ka mbajtur edhe akademik Rexhep Qosja, i cili pasi e përshëndeti Lëvizjen për Demokraci të Dhjetorit, papritur iu kunndërvu udhëheqësve të saj, mbasi ata refuzuan propozimin e socialistëve për krijimin e një Forumi të Unitetit Mbarëkombëtar, (ku të preferuarin Qose e donin bashkëkryetar me Ismail Kadarenë), me motivacionin që socialistët nuk kanë të drejtë morale ta bëjnë këtë, pa u kërkuar falje shqiptarëve për përçarjen e madhe kombëtare pesëdhjetë vjet me radhë, ku lufa e klasave bëri kërdinë. Bijtë e baballarëve komunisto-kriminelë, si vazhduesit e denjë të tyre, akoma nuk kanë kërkuar falje së paku sa për të larë gojën, desha të them mëkatet.
Qosja kaq shumë u zemërua, sa shkoi atje ku e kishte folenë, te socialistët, duke hedhur baltë të zezë mbi liderit demokrat, sidomos ndaj Presidentit Sali Berisha.
Etja karrieriste për t’u bërë lider, deliri i madhështisë dhe mendësitë komuniste ia errësuan shikimin Qoses, sa edhe sot noton në ujra të turbullta.
III
Sipas optikës sime, intelektualët e shquar, të parët kuptojnë dhe mbështesin kahjet e reja të zhvillimit të shoqërisë. Mirëpo fakti që këta dhe intelektual të tjerë që do t’i përmënd më poshtë, iu kundërvunë atyre që drejtonin lëvizjen për demokraci, na mundëson të nxjerrim dy përfundime: së pari, vihet në pikpyetje tek ata titulli, “intelektual i shquar”. Së dyti, ata i kishte pushtuar krejtësisht etja karrieriste për fronin, për majën e tij, që të ishin zë i veçantë, violinë e parë, dominues, NJËSHI, i cili të dëgjohej nga të gjithë dhe të mbusheshin gazetat, radiot, masmedia, konferencat, simpoziumet, takimet e mbledhiet e partive e të qeverisë, me citate prej këtyre NJESHAVE që ta ngrinin lart mitin e vetvetes, me propagandë alla komunistçe. Po kjo është sa dramatike aq dhe komike, sepse në majë të Piramidës ka vend vetëm për NJË, ndonëse e lakmojnë shumë politikanë.
IV
Një kategori tjetër intelektualësh si Rexhep Mejdani, Skënder Gjinushi, Kastriot Islami, Fatos Nano, Kristo Frashëri, Arben Puto, Gramoz Pashko, Paskal Milo, Alfred Uçi e të tjerë, e të tjerë, e kuptojnë që padroni i tyre komunizmi dështoi, që perëndoi koha e tij, por të kalitur me ideologjinë dhe metodat komuniste, në mënyrë të ndërgjegjëshme e të sofistikuar i zbatojnë ato, si mjete më efikase për të hypur në fron, apo për të ruajtur titullin profesor e akademik, të fituar në mbledhjet komuniste, me vepra që ishin kompilime të estetikës marksiste dhe të estetëve të huaj, apo me vepra ku është mistifikuar historia e Shqipërisë.
Nga një ndikim i pandërgjegjshëm komunist, nuk ka shpëtuar as komunisti që u bë antikomunist i ashpër, demokrati Sali Berisha, në raste të veçanta të veprimtarisë së tij. Ky ndikim duket edhe te disa demokratët të tjerë, të cilët mekanikisht, ndjekin praktika e metoda komuniste, sidomos në trajtimin e disa problemeve bardh e zi, me mostolerancë, shpesh duke i identifikuar socialistët me baballarët e tyre kriminel etj. Këta intelektual më tepër ishin karrieristë se demokratë. Disa intelektual të tjerë, ideali i karriges i bëri të shkojnë nga e djathta në të majtë. Më tipikët janë Ceka, Kalakula, Zogaj, Ruli, Pashko etj. Ky i fundit s’dihet si u gjend midis të djathtëve në fillimet demokratike, kur ishte krejtësisht pinjoll i kastës së kuqe. Ndërsa të tjerët ndonëse s’e duan komunizmin, braktisën blutë dhe u bashkuan me të kuqtë, mbasi Sali Berisha nuk ua lëshonte majën e fronit. Largimi i tyre nga PD-ja u bë se ata humbën perspektivën e fronit. Egoja gati e përbindëshme e karrieristit Ceka e ushqyer që nga Ramiz Alia, triumfoi mbi intelektualin e shquar Ceka në fushën e tij si arkeolog, çka politikani amator, zbehu intelektualin e shquar, e zvogëloi atë, e tjetërsoi, sa të bashkëpunojë me ata që nuk do t’i shohë me sy. Ndërsa rrëshqitja majtas e Zogajt, është lidhur edhe me sherbimin e tij si ish spiun i komunistëve, edhe me mos njohjen e vetes që: si të jetë Preçi në politikë, si të mos jetë asgjë s’ndodh në politika shqiptare.
Eshtë një dukuri sa e çuditëshme aq dhe absurde, këtu në Shqipëri, që në kohën e përmbysjes së komunizmit, shumë personalitete të shquara braktisën profesionin, braktisin kompetencën, specialitetin e mirëfillt dhe dashurohen me politikën, në rrafshin e së cilës janë amator. Vëndin e parë këtu e meriton Mejdani. Thonë se karriera politike është pasioni më i fuqishëm që të jep kënaqësinë më të madhe, madje të jep edhe poste të larta pa merita. Shumë intelektualë që ishin mësuar me lavde, që ishin bërë personalitete pa qënë personalitet, duke u bërë ata “qëndra e botës”, kur panë se disa intelektualë pa emër, u bënë lider, të dëgjuar e të preferuar që pushtuan podiumet, tribunat, median elektronike dhe shtypin, i braktisën profesionet dhe iu qepën politikës duke humbur personalitetin dhe moralin.
V
Do të përmend telegrafisht edhe një kategori politikanësh dhe intelektualësh, tipik skllevër dogmatik të komunizmit, të cilët nuk dihet janë apo s’janë intelektuale si: Gramoz Ruçi, Zabit Brokaj, Spartak Braho, Ilir Meta, Xhemil Frashëri, Bashkim Fino, Arben Malaj, Kristo Frashëri, Fehmi Abdiu etj, të cilët edhe në mimikën e fytyrës kur sulmojnë kundërshtarët politik duken si policët ekzekutorë të Kadri Hazbiut.
Politika shqiptare nëse nuk pastrohet nga politikanët konfliktues dhe nga skllevërit ekstremistë, nuk do të jetë në gjëndje të ngrejë më këmbë demokracisë e vëtetë. Krahu ekstremist në çdo parti, atë që ndërtojnë ditën politikanët me mëntalitet të ri, e shkatërrojnë natën politikanët dogmatiko-diktatorial, ashtu si në legjendën e Rozafës. Mposhtja dhe largimi nga politika e krahut ekstremist, hap prespektivën e zhvillimit të demokracisë. Mirëpo ky krah ka eksperiencën e kurtheve dhe të mashtrimeve, të mistifikimit të së vërtetës dhe infektimit të turmave, çka e vështirëson dhe ndërlikon ndërtimin e demokracisë.
VI
Tabloja e intelektualëve që s’janë intelektual, e atyre intelektualëve të shquar në një fushë, që angazhimi në politikë i ka tjetërsuar, i të tjerëve që hyjnë në grupin e intelektualëve anormal si Nano, në një farë mase edhe E.Rama, Klosi, Lubonja (i Riu) etj, është e gjërë e komplekse. Megjithatë kjo do të ishte e mangët nëse nuk do të paraqitnim dhe vizionin mbi intelektualët idealistë, atdhetar e demokrat, që kuptuan të parët se shembja e komunizmit dhe ndërtimi i demokracisë, është demosdoshmëri e kohës. Intelektualët Ylli Popa dhe Sali Berisha, të parët në fillim të viteve ’90 denoncuan komunizmin dhe mbështetën demokracinë. Ndërsa Azem Hajdari u vu në krye të lëvizjes studentore. Edhe intelektualët e shquar kosovar Ibrahim Rugova, Adem Demaçi e të tjerë e mbështetën levizjen për demokraci në çdo hap të saj. Më vonë njihet roli i shkrimtarit Ismail Kadare në zhvillimet demokratike, i cili është prononcuar në situatat më të vështira, duke mbështetur kahjet e zhvillimit demokratik të shoqërisë. Do të veçoja dhe kontributin e avokatit Sartak Ngjela, si një intelektual i kompletuar e kompetent në rrafshin juridik e politik, i cili edhe sot po bën një punë intelektuale në qartësimin e alternativës së zhvillimit dhe të ndërtimit të demokracisë,duke respektuar parimet e saj dhe duke u zhveshur nga mëndësitë komuniste dhe nga çfarëdollojë diktature e vjetër apo e re.
Ndër intelektualët me mentalitet të ri, do të përmëndja ish kryeministrin socialist Pandeli Majko nga PS, Genc Pollon, Besnik Mustafaj, Albert Brojkën dhe Dashamir Shehin të PD, Fatmir Mediu të PR, Arjan Starovën e PBL etj, të cilët po zhvishen nga komplekset e së kaluarës dhe po përqafojnë optikat e reja të zhvillimit perendimor të demokracisë. Te politikanët me mentalitet të ri, psikologjia e trajtimit të kundërshtarit politik si armik, është drejt shuarjes, vëndin e saj po e zë filozofia e bashkëpunimit, dialogut, mirëkuptimit dhe ndryshimit, për të ndërtuar Shqipërinë demokratike. Këto parime bazë e kanë burimin te natyra e tyre liberale dhe demokratike, tek thelbi filozofik i ndërtimit dhe jo shkatërrimi, që gjithçka të bëhet për shoqërinë. Pikërisht këto ideale pjellin mentalitetin e ri, i cili dallon dhe mbështet kahjet e reja të zhvillimit të shoqërisë.
BALETA DEBATON ME BALETËN,KUR EMOCIONI DHUNON ARËSYEN
Interpretimi, sipas qejfit, gatuan çorbë politike.
…
* * *
Baleta është një politikan emocional. Shpesh kur emocionet ruajnë sensin e masës, ai është objektiv dhe argumenton drejt faktet, ngjarjet, historinë dhe problemet politike, por ka dhe raste kur emocionet shpërthejnë vrullshëm sa dhunojnë arësyen. Dhe kuptohet se ç’çorbë del nga një arësye e dhunuar.
Një dukuri e tillë shfaqet te Baleta edhe në akuzat që i bën artikullin tim “Zjarret e urrejtjes nacionaliste”. Po, përpara se të sqarojmë se tjetër kam shkruar dhe them unë dhe tjetër kupton e interpreton Baleta, dëshiroj të theksoj se Baleta është një politikan i afirmuar, pavarësisht se gëzon më tepër respekt nga nivelet e ulta të shoqërisë sesa nga elita e saj. Kur të duatrokasin turmat injorante, kjo është një e keqe e madhe, është një kurth që të largon nga vetja dhe të lëshon në krahët e vetëkënaqësisë të delirit të madhështisë së rreme. Megjithatë, Baleta është politikan me kulturë, energjik, njeri i zgjuar, i guximshëm dhe atdhetar.
Do të dëshiroja që tërë energjitë e tij mendore t’i derdhte, jo duke vështruar nga prapa, por përpara; jo duke gërmuar nëpër labirinthet e zeza se ç’i ndan dhe armiqëson popuj dhe kombet, duke i fryrë zjarrin të urrejtjes, por për të zbuluar se ç’fije të dukshme e të padukshme i bashkon ato, duke u mbështetur në filozofinë e re të integrimit demokratik.
|