Kuvendi i Shqipërisë me 73 vota pro, dy të pavlefshme dhe një kundër nga 76 deputetë sa morën pjesë në votim, zgjodhi Bujar Nishanin president të ri të Shqipërisë.
Kush është Bujar Nishani.
Z.Bujar Nishani është i martuar me Znj. Odeta Nishani dhe kanë dy fëmijë, Ersi dhe Fiona Nishani.Bujar Nishani (lindur më 29 shtator 1966 në Durrës) është deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe Ministër i Brendshëm.
Bujar Nishani është diplomuar në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni të SHBA-së, në “Menaxhimi i Resurseve të Mbrojtjes” në vitin 1996. Në vitin 2004 është diplomuar “jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2005, ka marrë titullin “master”, në Studimet Europiane.
Në vitin, 1988 është emëruar pedagog në akademinë Ushtarake Skënderbej. Në vitin, 1993 – emërohet në Ministrinë e Mbrojtjes në drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë.
Nga viti 1994 – në Ministrinë e Jashtme në drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n. Në vitin 1996, emërohet sërish në Ministrinë e e Mbrojtjes, në Kabinetin e Ministrit.
Nga viti 1997 deri në vitin 2005, profesion i lirë; Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë; në vitin 2005 – Zgjidhet Deputet në Kuvendin e Shqiperise.
Nga marsi i vitit 2007 deri në Shtator 2009, Minister i Brendshëm. Nga Shtatori i vitit 2009 – deri në Prill të vitit 2011 Ministër i Drejtësisë. Nga prilli i vitit 2011 e në vazhdim Ministër i Brendshëm.
Kuvendi i Shqipërisë, ka votuar me shumicë të thjeshtë pro Bujar Nishanit, si President i ri i Republikës së Shqipërisë. Në votim kanë marrë pjesë 76 deputetë, tre prej të cilëve nuk janë pjesë e mazhorancës. Deputetët e Partisë Socialiste nuk kanë hedhur votën e tyre.
19:03
Përfundon numërimi i votave për Presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Nga 76 deputetë që hodhën votën e tyre, 73 prej tyre kanë votuar pro kandidaturës së mazhorancës, Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. Një prej votave ishte kundër, ndërsa dy të tjera të pavlefshme.
18:45
Përfundon votimi i deputetëve për Presidentin e ri. Kandidat i mazhorances është Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Në Kuvend, kanë votuar 76 deputetë. Nis numërimi i votave.
Kuvendi nisi punimet për të votuar për zgjedhjen e presidentit të ri, kandidatit të propozuar nga mazhoranca Bujar Nishani. Pas mbledhjes së grupit kuvendor demokrat, deputetët e PD-së kanë fimosur raportin ku japin mbështetjen e tyre për një kandidaturë të tillë.
Në listën që firmosën për mbështetjen e Nishanit janë dhe firmat e anëtarëve të partive aleate në koalicionin qeverisës, përfshirë këtu, Shpëtim Idrizi, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Dashamir Tahiri. Pas këtij takimi është mbledhur dhe Komisioni parlamentar i Ligjeve, i cili ka miratuar raportin me një kandidaturë të tillë, vetëm me votat e mazhorancës. Raportin e tij ky komision ia delegoi seancës parlamentare, e cila do të thotë verdiktin e saj mbi emrin e Nishanit për postin e kryetarit të ri të shtetit.
Kryetari i Partisë Socialiste Edvin Kristaq Rama shpreh gadishmërinë e opozitës për arritjen e konsensusit të presidentit të ri të vendit, që pas tërheqjesë së kandidatit të maxhorancës Artan Hoxha.
“Ky është një proçes që po degradon hap pas hapi dhe po rrënon më shumë akoma besimin e qytetarëve tek parlamenti.
Nga ana tjetër po godet më shumë akoma besimin e familjes europiane tek Shqipëria. Kandidatura e tërhequr ishte një kandidaturë që ne e refuzuam sepse nuk kishte asnjë mundësi, për plot arsye, që ne të jepnin mbështetje.
Por kiza po thellohet, unë e përsëris një krizë është edhe një mundësi, një shans për të dalë prej saj përmes një hapi të ri në drejtim të kundërt me inercinë e krizës.”- u shpreh Rama në një konferencë për shtyp nga selia rozë.
Më tej kryesocialisti theksoi se kandidatura tjetër e paraqitur nga mazhoranca, ministri Bujar Nishani, është e papranueshme. Kandidatura e Nishanit pritet të votohet në seancën e parashikuar në orën 17:00.
“Është e papërfytyrueshme që një ministër të bëhet president dhe presidenti të kthehet në ministër. Është e papranueshme në kohë normale dhe jo në një kohë si kjo, që dikton domosdoshmërinë që përfaqësuesit e shqiptarëve në parlament të vendosin interesin e vendit mbi interesin e palëve. Është tërësisht misteri i një pale të vetme, si mund të imponohet një kandidaturë që nuk përfaqëson asgjë më shumë se PD dhe nuk përbën asnjë lloj baze për të krijuar kushtet për konsensusin më minimal dhe kjo për konsensusin maksimal që ne vazhdojmë të kërkojmë jo për interesin e PS-së, por për interesin kombëtar dhe publik në këtë moment kaq të rëndësishëm.”- u shpreh Rama.
Edvin Kristaq Rama shprehet se; zgjedhjet nuk jane një zgjedhje e mirë aq më tepër kur më 12 Tetor kemi një provim. Por ne jemi gati në çdo moment që të përballemi me palën tjetër,
me qeverinë me këdo që është i rreshtuar me ta, në rast se do të duhet të thirret populli për të vendosur mbi të ardhmen e Shqipërisë”, - deklaroi Rama.
Për më tepër ai shtoi se: ‘Jemi shumë të përgatitur që në rast se na jepet mundësia të japim emra për të cilët konsensusi i palës tjetër do të ishte fare e lehtë në rast se pala tjetër nuk do të ishte aq e obsesionuar për të pasur nën kontroll presidentin e shtetit’.
Pas konsultimeve intensive me një grup konstitucionalistësh të nderuar në vendin tone, Fatos Nano, i bën apel dhe i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse se kandidimi i fundit i paralajmëruar me kandidat te rradhës për President, Ministrin Bujar Nishani, është një gafë e rëndë kushtetuese dhe rrezikon të kthehet në një shkelje të rëndë kushtetuese.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një Ministër i Kabinetit Qeverisës nuk mund të kandidojë për President në rast se ai nuk ka dhënë më parë dorëheqjen. Dhe doreheqja e tij ka vlerë ligjore vetëm pasi është pranuar me dekret nga Presidenti i Republikës, per t'u votuar nga Kuvendi.
Gjithashtu Ministri kandidat për President e ka të pamundur sipas Kushtetutës që të votojë për veten në Kuvend në cilësinë e tij si Deputet.
Referenca e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e heqjes së Mandatit të Deputetit Ilir Beqja, e bën antikushtetues Kandidimin e Ministrit Bujar Nishani për President, pa përmbushur më parë të gjithë proçedurën ligjore të dorëheqjes.
Fatos Nano i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse që të mos e thellojnë krizën duke bërë edhe shkelje kushtetuese përveç shkeljeve të rënda morale e politike që janë bërë derisot.
E mbi të gjitha Fatos Nano i bën apel shumicës qeverisëse që të respektojë e vlerësojë me qetësi e seriozitet te thellë, thirrjen e vazhdueshme të partnerëve tanë euroatlantikë për të mos e kthyer proçesin e zgjedhjes së Presidentit në një proçes të zgjedhjes së një Ministri të Kabinetit.
Të nderojmë Kushtetutën, të nderojmë qytetarët shqiptarë, të nderojmë edhe Partnerët tanë Euroatlantikë.
Pas tërheqjes së Zaganjorit tashmë është rradha e Artan Hoxhës të shuajë kureshtjen e qytetarëve shqiptarë se pse u tërhoq nga gara presidenciale. “Për arsye të rrethanave, zhvillimet e të cilave po bëheshin të këtilla që tejkalonin kufirin e pranueshmërisë sime, ndërkohe që shpresoja të kundërtën, vendosa të terhiqem nga kandidimi për Presidentin e Republikës. Duke ju falenderuar të gjithëve si për mesazhet e shumta të mbështetjes së kandidimit dhe po kështu ato të mirëkuptimit për tërheqjen, ju përshëndes me shumë respekt si miq të mirë” shkruan Hoxha.
Për Floripress:Flori Bruqi