2012-06-16
FRAGMENT NGA ROMANI "I FUNDMI I SHALËGJATËVE" (enkas për qejflinjtë e prozës komiko-sarkazmike)
Nga Thani Naqo
Derën e klubit e hapi pronari me dorën e tij, por ai u step sa i habitur aq dhe i tmeruar kur u përball me pamjen time.
Ciceroni i tha:
-Është mimiku im.
Pronari kishte veshur përparëse të lerosur që i varej deri mbi majat e këpucëve, sa i gjatë i gjërë dhe më ngjasoi si thes i mbushur me kashtë. Kokërrumbull si kungujt që vareshin në gardhinjtë e kopshtit të teto Dabuckës. Klubi ishte në katin e parë, me hyrje nga sheshi i Pazarit të Fshatarëve. “Dhodhomat në kakatin sisipër shshshërbejnë për hohotel” më tha Ciceroni gjatë rrugës. “E di këtë hotel Ciceron” sepse në kohën e Enverit unë pata fjetur një herë aty. Qëlloi mesmaj me shiun që nuk pushonte ditë e natë. Në fshat kishte ardhur thashethemnaja “Paganini braktisi shkollën për hatrin e të Bijës së Kurbatkës Me Gjinj Të Florinjtë” dhe Koroja, i ati i Paganit, trokiti në portën tonë kur akoma nuk ishte gdhirë. Kishte veshur mushama plasmasi me kapuç, por një tjetër të tillë mbante në dorë. “Vishe dhe hajde me mua - më tha Koroja – Do të shkojmë të gjejmë Paganinin.” Im atë miratoi me kokë, ndërsa nëneja u zverdh në fytyrë dhe filloi të dridhet nga frika. Ndërsa kujtoja këto, Ciceroni e pyeti pronarin në kishte ndonjë dhomë të lire, por pronari më kqyri edhe njëherë nga poshtë lart dhe u përgjigj:
-Nuk ngatërohem me mafiozë e kaçakë.
-Mmmiku im – e sqaroi Ciceroni për mua – nuk ëëështë mamafioz e as kakaçak, por shoku bbbesnik i Paganinit.
-Atëherë, për hatër të Paganinit, urdhëroni – tha pronari dhe liroi hyrjen e klubit.
-Na ddduhet një dhomë sssa për ssssonte.
-Nga java që vjen lirohet njëra.
-Aha, gjer javën që vjen unë kam kapërcyer Ballkanin – thashë.
Klubi Trikëmbëshi ishte vogël. Pesë tavolina. Vetëm katër klientë në tavolinën e qoshes. Ata tymosnin cigare dhe pinin kafe. M’u dukën fytyrëvrerosur. Bisedonin aq me zë të ulët sa mua më shkoi mendja se ata po thurrnin komplote si ta rëzonin qeverinë. Nuk ia jepnin syrin njëri-tjetrit. Ndërsa në vesh më ritingëlloi thirrma e gazetashitësit "hajde gazeta; qeveria ka ditët e numëruara", vara çantën në shpinoren e kariges, u përkula nga Ciceroni dhe i thashë:
-Vë bast me një ftujë: ata, të qoshes, janë komplotistë.
-Ççç’komplotistë zeza. Janë aaaavangardistë. Njnjëri prej tyre, bbbëhet kkkurban çççdo vit…
-Të kujt partie janë dhe kush i vret gardistët – u bëra kurioz.
-Nuk kanë ppparti dhe nuk i vvvret kukush – më pëshpëriti Ciceroni në vesh dhe më këshilloi të mos e ngrija zërin. Më sqaroi se gjer pa vdekur Enveri, ata kishin qënë miqtë e tij, pastaj, nga miq, u kthyen në armiq. Avangardistët nuk paskeshin gardistë, siç mendova unë, por poetë me tru të krisur. E bardha u dukej e zezë, jeshilja e verdhë, e kuqja blu dhe dashuria urrejtje.
-E mora vesh – e ndërpreva Ciceronin – Shkurt: kanë trutë e thartuara. Vë bast me një kokë dhi se avangardistët janë nga fisi i Qafëgjymëve ose të krushqëzuar me ta.
Ciceroni ngriti krahët: nuk kishte para të vinte bast, por shtoi:
-Mbreti i aaavangardistëve është frafraances.
-Jo more, edhe në Francë ka Qafëgjymë?
-Të lulutem, e lemë këtë mmmuhabet. Ëëështë temë e nnngatëruar, miku im – tha së fundi Ciceroni.
Pronari solli porosinë: nga dy racione me peshk të fërguar për secilin dhe nga tre shishe birrë Heiniken, por unë krojta kokën kur dëgjova llogarinë nga buzët e fryra të pronarit.
-M’u thafshin këmbët po ardha tjetër herë këtu.
-Ka ardhur koha kur cironkës I varim një zero në bisht – tha pronari me ironi.
-Të dhjefsha m’u në cironkat kapitaliste – thirra i zemëruar dhe u çova i pari nga tavolina.
-Hej, Ciceron, ke filluar miqësi me rilindasit – tha njëri nga poetët avangardistë.
Ciceroni u bë flakë në fytyrë. Fejzat e qafës iu tkurën. I kërcyen damarët. Buzët iu drodhën dhe ai nuk mundi të kthente përgjigje. Unë hodha nxitimthi çantën në shpinë dhe me dy hapa u gjenda tek tavolina e qoshes. Godita me grusht mbi tavolinë dhe gotat e kafes, paketat e cigareve dhe çakmakët, u hodhën përpjetë. Përpjetë u hodhën të tmeruar edhe poetët avangardistë.
-Aaama ç’ua bëbëre aaavangaaristëve – tha Ciceroni kur dolën nga klubi. Dukej i kënaqur, por dhe i zverdhur në fytyrë. I hodha krahun miqësisht mbi sup.
-Ciceron, ti je miku i Paganinit por, tani, ti je edhe miku im – dhe i morën me rradhë kioskat në Pazarin e Vjetër. Pas dopios së dytë me raki na doli inati me poetët avangardistë. Mua më ardhi për të kënduar dhe ia thirra këngës “mora çiften, dola për gjah”. Ciceroni më shoqëroi me zë të dytë dhe rreth tavolinës tone u mblodhën hamej dhe lypsarë.
Një kurbat, i gjatë sa unë, thirri:
-Sillmani violinën.
I qerasa hamejtë me raki, kurse lypsarëve u shpërndava para metalike, që për xhepin tim ishin thundrakeci. Rakitë e rrushit dhe të kumbullës nuk ishin të shtrenjta si birra hollandeze. Duke kënduar, kalonin sa nga një kioskë në tjetrën, gjersa përfunduan tek qoftorja Çakërri. Hamejtë erdhën në qejf dhe tregonin barsoleta të fëlliqura. Unë tregova historira me kuaj e pela, pastaj me gomarë e gomarica. Së fundi tregova si cjapi e dallon nga era dhinë ose ftujën kur ndërzehen.
Çakërri qeshi me të madhe dhe thirri:
-O perëndi, kështu ndodh edhe me njerëzit!
Ciceroni i mavijosur nga e qeshura, ndërsa vazhdonte të shkruante në bllok, ngrinte gotën dhe uronte:
-Shëndeti i Paganinit!
-Paganini na mblodhi sot – thoshin në një zë hamejtë.
-Përqafoje Paganinin nga unë – më tha kurbati violinist – Kur ishim të rinj Paganini më hyri në hise sevdaje. Bëmë grusht dhe, po të mos na kishin ndarë, do të ishim grirë me thika në breg të Vjosës.
-Jo more – u çudita – Tregoje si ndodhi.
-Ndodhi si ndodhi, le të ta tregojë Paganini – më tha kurbati dhe piu me fund gotën e rakisë.
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...