2012-06-13

Në këtë botë gjithçka gjykohet, edhe një i lot i derdhur kot fare!







Flori Bruqi lindi më 29 qershor 1952 në Isniq të Deçanit ,Republika e Kosovës.

Studioi Mjekësinë dhe Diplomoi në Fakultetin e Defektologjisë pranë Universitetit Shtetëror të Beogradit/Republika e Serbisë/ ndërsa studimet pasuniversitare I kreu në Universitetin e Prishtinës/Republika e Kosovës/ ku fitoi gradën shkencore magjistër i shkencave fiziologjike /2005/.

Bashkëpunoi më shtypin e përditshëm e periodik të vendit dhe të jashtëm që nga viti 1974 e deri me tash (“Bota e re” - Prishtinë, ”Rilindja” - Prishtinë, “Danas” - Zagreb, ”Dello” - Lubjanë, ”Dnevnik” - Lubjanë, “Vecer” - Maribor, ”Le Mond”, ”Corriera della Sera” etj).

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2000).

Ka shkruar mbi 30 libra,prej tyre shkencore janë dhjetë si dhe një numër të madh punimesh shkencore nga lëmia e mjekësisë dhe defektologjisë /21 punime në revista të ndryshme shkencore / në përiudhën 1974-2011., si dhe mija punime në shumë web faqe interneti (2003-2012).


Është drejtor ekzekutiv i kompanisë “Flomed “nga Prishtina prej vitit 1987 e deri me tash.

Kompania “Flomed” që nga themelimi /në ish Jugosllavi ka bërë plasimin në treg të barërave dhe produktve tjera medicinale/ kurse tash në Republikën e Kosovës plason produktet dezinfektuese –higjenike të Kompanisë Schülke-Mayr GmbH nga Gjermania dhe Borer chemie AG nga Zvicra.

CIKËL POETIK NGA FLORI BRUQI

FILLIMI I NJË POEME

Ujëvarat e malit derdheshin
Mbi shkëmbinj si mendimet
tona mbi ngjarje, mbi shtigje…
Nga t’ia fillonim?!
Nga plagët e trupit, të zemrës, apo të mëmëdheut ?
Nëpër deje na rridhte Revolucioni dhe qumështi i nënave
Dhe ne-e dinim:
Pa nëna dëshmorësh,
Pa gra e nuse të veja
S’do të ketë kurrë paqë e liri…

E sot,
Këngët,
Vallet-
e fabrikat
janë gjerdane
më stolira
të kremtës tonë !

Maj 1982


PORTRETI I NËNËS

“Nënë, për ta shpëtuar jetën Ty,
dhashë lëkurën e do ta jepja edhe shpirtin”
Prof.dr.sci.Mirlin (Maxhun) Bruqi

Nga qytetet e fshatrat e largëta vijnë
Banorë(të përkohshëm)në Prishtinë
Pleq
Plaka
Të reja
Të rinj
Me shporta të vogla në duar
Vijnë çdo të diel
Vijnë(ndoshta)çdo ditë
Te dera e Spitalit
Në orën 14

Gumëzhijnë korridoret
Nga hapat e tyre
Zhurmojnë pavijonet
Korridoreve…
Zvarritët rrëqanthi vdekja
Në dhoma hyn shqetësimi
Secili me de(r)t
Për të afërmin e vet
Kështu çdo të diel
Kështu çdo ditë
Në orën 14
Burbuqja kurajon Nënën
Mirlindi jep lëkurën e vet
Për ri(ngjalljen)e Saj
Të afërmit shërim i dëshirojnë
Të tjerët shpresojnë…

Ja dhoma…
Ora mbi radio
Trëndafilat e freskët
Mbi tavolinë
Tok(gati) e gjithë familja
Babai qëndron e mejton
Ndoshta…
Kujton profilin e dhëndrrit
Ja rrudhat e nënës sime
(Kujtoj zënkën e prindërve për mua)
Tik-taku i orës
Dikur pushon
Në orën 4 të mëngjesit
Një qetësi…


Unë
Kam parasysh
Profilin e fëmijëve të mi
Shoh në sy
Profilin e Granitit e Diamantit
Mullarët e sanës
Në oborrin e braktisur
Ja(gati) e gjithë familja
Mungon(vetëm fizikisht)Ajo
Mungon Nëna ime


Në dhoma hyn:
Ajri
Drita
Dashuria
Jeta
Shokët
Shoqet
Babai
Të dashurit….


****

Dhe një hije
Më ndjek pas
Shkëndijë kohe
Profil i Nënës
Zjarr i Diellit!


RREZE DRITE




(Në kujtim të nënës)

Për Ty nga zemra
këtë poezi po e rris
asnjë hije muzgu
nuk i fus brenda
ti kërkon dritë
se ishe dritë
siç janë dritë
të gjitha nënat
vije Ti
çdo mbrëmje
duke më pëshpëritur:
-natën e mirë bir
çelësin mos ia vë derës
do të vijë nëna
(gjumin pa ta prishur)
me hapa të pranverës
biro
të të shoh mos je shpluar
kur ike
unë të putha
a thua më ke ndjerë
ndoshta vetëm koha
si rreze drite
në mua t’paska mbetur
këtë poezi Nënë
nga zemra e shkrova
dhe hije azhuri
s’i futa brenda
ti kërkon dritë
se ishe Dritë
siç janë Drita
të gjitha Nënat.


BARDHËSITË E SAJ

Nënë
Këto katër shkronja Dashurie…
Jehojnë
Në agimet e jetës sime
Në bardhësitë e dritës
Më shtegun e së ardhmes
Në ecëm
Përpara

Figura jote
Në sfondin e ditëve
Që vijnë
Njomësia
E së ardhmes sonë
Hapë
Dejtë e ngrohtë
Të tokës sate.


LAJTMOTIV I SINQERTË

U këndoj të thjeshtave
të urtave
fjalës së dashur
dritës së qartë
të gjitha ëndrrave
më lajtmotiv të sinqertë
të gjitha këngëve
përherë me kryerresht
femrave -
ejani në këngë
nëna dhe motra
të dashura gra
hyni në këngë
në lindëm nga këngët Tuaja
nga zëri Juaj
morëm këmbë.


LIRI FJALE

Në ditën e takimit më fole
me zë tjetër
dhe unë çuditërisht prapë erdha
nga zemra të të shoh e të puthi
si Dielli kopshtin me lule
përse qe aq e ashpër
mos vallë në qytetin tend ilirik të ndjekin
qentë e tërbuar
ndonjë hije nate
apo do të mbetesh
e mbyllur sall për vete
arti nuk të do të vetmuar
as muzikë s’mund të ndjesh
një buzëqeshje do të kërkoj prore
dhe karafila do të dhuroj
e puthje të ngrohta
mos hesht as mos ik luleborë
sigurisht ti ke për t’qeshur një ditë
dhe lufta mes unit tënd e urrejtjes
do të çmend ty të tërën
vetëm jam dhe pres të vish…




QYTETI KU TË PRITA

U ndala ballë spitalit të Prishtinës
hipa si Orfeu në altar
dy vargje të t’i them
më zërin e shterrur nga shqetësimi
dhe unë e pashë qytetin tënd
me një dallëndyshe fola, me beso
dhe ikëm të dytë e më tepër ike ti
unë prapë jam aty ku më ke lenë
në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë
vallëzoj me hijet
nuk e di cilën ta përkdhel
ti nuk je
retë mbi qytet me nevrikosin
dhe shiu më lag bashkë me vargjet
një ditë në një orë dil e takohemi
kiamet nuk bëhet
nuk bëhet as qyteti det
i mërzitur rri i fyer jam
pres dashurinë tënde
e të fle mbi gjinjtë e tu
mbi buzët e tua të zë një ëndërr
të kërkoj t’i ha ata sy me vargje
po vargjet nuk kanë faj
që ti nuk i ndjen asnjë grimë
mos ik mos u fsheh e as zërin mos e ndërro!…


AKUARELI I DIELLIT

Iku tetëmbëdhjetë vjeçare
E bukur S…
Si hëna pesëmbëdhjetë
Në fletore shkroi vjershën
Për mëngjesin në Prishtinë
I pëlqyen soliterët e lartë
Dhe shtëpitë plot blozë
Tjegullat e çative të ulta
Me myshqe të venitura
Shtegu i fushës kujtonte nënën
Më këmbë t’amputuar
Dhe Agimin e madh pas shiut
Që lëkundin pemët në zgavra
Në Prishtinë..
Ajo me gishtin tregues vizatoi
Në xhamat e atelesë
Profilin e babait plak-Metë
Pastaj e fshiu me dorë
Dhe dorën e puthi
Kur u kthye në vendlindje
Vuri pëlhurën pas një karroje me sanë
Në kalldrëm…
Dhe vizatoi dridhshëm
një rrugicë fshati në muzg
Në agimin e azhurtë
Hapi dritaren e rrotulloi çuditshëm
Lindjen e Diellit
Hijet në vetminë e rrugës
Dallëndyshet, një pikë vesë
Në mbrëmjen e majit
Ngriti penelin
Dhe e ngjeu në Akuarelin e Hënës
Pikturoi rrugën
Me baltë të Strellcit
Durakun plak
Kopshtet me dardhë
Fshatarët e vyer
Me drapërinj në duar
Shtëpi me dyer të rënda
Strehë me borë
Hapësira bojë gushëpëllumbi
Nga fshatrat malorë…




MENDIM I KREDHUR


Shpirti i Saj
Një lëndinë Qershori
Selvitë ndanë rrugës
Trupin e saj imitojnë
E dua atë
Era viteve
Buzët do t’ia vyshkë
Reliefin e kuq të mollëzave
Vizat e rudhave do t’ia prishin
Por
Megjithatë e dua
Sot
Kur me të jam i dritëzuar
Në shpirtin e përjetshëm
Jam i rrethuar edhe më njomësi
Edhe me rrudha
Nga pranvera e syve
Margaritarë të Saj.


REKUIEM I PËRLIGJUR


Prej gjakut e zemrës s’mund të dalë
siç u dogjën të tjerët s’dua të digjem
ç’donin ziliqarët në kopshtin e Edenit
mollën e Eridës në dorë që më lanë

ditë pas dite prej zemërimit të përligjur
nga trishtimi
Zeusi s'e fal Prometeun
pa ia treguar fshehurisht intrigën

dashuritë digjen e përvëlohen
sa fort
brenda çdo ëndrre vuan zemra vetë

udhë u deshën që djajtë të risjellin
poshtërimin e zbritur nga Olimpi i lartë
të lënë shtrëngatën... e të vrasë njerëzinë

edhe lotët kur djegin shpirtin së brendshmi
më ngjan se më hiqet i rëndi mallëngjim
një këngë ilirishte përftohet fshehtësire
e vjen një kohë letargjie me gjëmim


THEM SE ËSHTË ZBRAZËSI 

Edhe ky qiell i huaj sonte…
më trishton me sy vetmie,
prandaj dua brenda një gote
të shuaj trishtime largësie...

Mbi duar shikoj si në magji
si rrëshqet pikëza e lotit,
ajo ikën në fund të gotës,
rrokulliset si era e motit...
Dua gota ime të përmbyset,
të thyhet përtokë e zbrazët...
Dëgjoj zemrën që më dridhet,
ngre kryet nga yjet e largët…

Mbi trupin tim gjithçka ndahet
dëgjoj, tingulli nuk bie si dikur,
një dorë e ndarë diku zgjatet,
një këmbë më ecën e këputur...

Shpirti thërret fatin e shtrembër,
dua të më shikosh drejt, po ktheu!
Mos vallë jam në ndonjë ëndërr
ndoshta, kupa e mallit më dehu…

Në këtë botë gjithçka gjykohet,
edhe një i lot i derdhur kot fare!...
Më shumë se kurrë kuptohet,
kjo klithma jonë shumëvjeçare...
Mjerimi sërish shpalos flamujt,
mbi varfërimin e shpirtin njerëzor,
thërret gjithkund shtatoret e bruzta,
jetimët barktharë të shekullit të vonë.
Nuk është risi, po kthim i pamjes së rëndë
në kohën e perënduar që kemi zgjedhur,
u kthye prapë për t’i trandë hipokrizitë...
me premtimet nëpër plehra hedhur.

Shpresa më thotë se po shpresoj kot,
e mali ngërdheshet nga larg me zili....
duart kullojnë gjak të përzier me lot
nga prangat e kohës vrastare pa drejtësi.

Lutjet kafshohen dhe shiten në altar,
zotni, sa do, sa të bën haku i vështirë?
Më prit ore, të bëjmë një herë pazar!
Dhe vrava për të fundit herë vargun e lirë....
 

SHPRESA TË DJEGURA


Me çantë mbi shpinë të mbushur plot mall
rrëzë supi rripat e saj fort të shtrënguar
të rrezikuar frikshëm endeni nëpër vargmale
nëpër dhëmbë fatziun fajtor duke mallkuar

Shikimi i nënëmadhes si shqiponjë pas e ndjek
klithma djemsh mbetur ikona nëpër pragje
një dashuri e braktisur shpirtin tuaj e djeg
lot që mundin burrërinë e shkasin mbi faqe

Gra zemërngrira presin në ankth zhytur
veten mallkojnë që nëna s’i bëri dot djalë
motra kërthinj prej trishtimit të mbytur
dhimbje e pamatur që gjunjëzon dhe djajtë

Mërgim mëkatar, mijëra varre bosh ke lënë ti
nënat kobzeza, që s’kanë një gur ku të qajnë
vejusha të pafat ngado mbjellë si tulipanë të zinj
fëmijë që prindërit në prehër dot s’i mbajnë

Emigrant, fjalë mizore që s’di të falësh kurrë
dete lotësh mbush e mallin kudo ti e mbjell
zemra nënash me gozhdë mbërthyer në mur kujtimi
përcaktor njerëzish që tonelata dhimbjesh sjell...!
në shpresat e djegura vret dhe qan trishtimi...


Ç’RËNDËSI KISHTE E KA GJITHÇKA?!

Pensionistët flasin
për infarkt miokardi
e parashikon fundin
në stolat e parqeve publike
mes glasave të sorrave
mes gjilpërave të përgjakura...
Më ndalin në rrugë
përpara vitrinave të mbushura
xhepat e zbrazur të tyre më pyesin për orën
apo për racën e majmunit
Është tre pasdite
gjithçka kundërmon vdekje...
E di, është e kotë të kthehem në shtëpi
të shkruaj dhjetë apo tridhjetë e pesë rreshta
Ç’rëndësi ka?!

Poeti në komisariat
ata nuk e dinë
se poeti në komisariat
është torturuar
për mëkatin e bërë:
,,Fjalës i kishte dhënë shumë fuqi...”
Fjala vriste më shumë se shpata
fjala shëronte më shumë se mjalta...
Poetit i duhej dhënë kupa e helmit
të shpejtë apo të ngadalshëm
Ç’rëndësi ka?!

Një libër tjetër
Herët në mëngjes
një vashë rregullon flokët
përpara pasqyrës
në ndërtesën përballë...
Unë mbyll librin ,,Guximi shqiptar”
e lë mbi tavolinë
ulem dhe hap
një libër tjetër.

Intriganti dhe gazetat
Sa të mërzitshëm janë
Intriganti ,"Ekspressi", birra e Pejës
femrat, librat, pasqyrat!...
Sa e mërzitshme
është të ulesh e të presësh vdekjen
në ndërkohë
njerëzia kurvëron,
ha, punon apo bën plazh në det
nën diellin e pistë të kotësisë
dhe nuk e di
a do të ndodh gjë,
po nëse ndodh
ç’rëndësi ka?!

Ishte dhembja
Para dy vjetësh
Poeti Iljaz Prokshi thoshte
në një poemë
se nuk do të ndalonte së ndjeri
dhimbjen e pritjes
së një gruaje
sepse e vetmja gjë
që do t’i mbetej prej saj
ishte dhimbja
Ishte kohë tjetër
Iljazi, është i vdekur
edhe dashuria e tij poashtu
edhe ne do të jemi një ditë...
Jeta qenka një përpëlitje
në mes të hapjes e mbylljes
së syve.
Iljazi gjithmonë donte të rrinte
po nuk e kishte mundësinë
se i frikësohej vetmisë
kur të varet me puthje në buzë...
Ç’rëndësi kishte e ka gjithçka
kur jetën e plagos çdo gjë?!


MBI NGJARJE…

Ujëvaret e mia
Derdheshim mbi shkëmbinj
Si mendimet tona
Mbi ngjarje mbi shtigje

Nga t’ia fillonim
Nga plagët e trupit
Të zemrës apo të atdheut
Si gjithmonë
Populli ndodhej pranë
Nëpër dej
Na rridhte qumështi i nënave
Dhe e dinim
Pa nëna dëshmorësh,
Pa gra
Pa nuse të veja
S’do të ketë kurrë
Paqe as liri


RRJEDHAT E KOSOVËS


Atdhe
T’u desh të afrohesh
Nga thellësitë e viteve
Deri te kjo kohë
Me dyfek e gjalmë
Që kurrë s’qenë të ftohta, t’u desh
Të vishë
Në këto male pranë
Në këtë baltë
Në këtë Tokë
Dhe të dilje
Ti kështu si je
T’u desh
Flakë vullkani
Atdhe
Po zbardh sot mëngjesi
Flamur të kuq
Shkaba dykrenëshe lart
Frymëzim i ri
Në zemrat e sizifëve në buzëqeshjet e triumfuesve
Në përparsat e shpirthirshmëve
Në çdo fabrikë
Uzinë
Faqe mali
Madhështore
Do të duhej të buçiste
Emrat Ibrahim, Adem,Luan,Shkelzen,Agim,
Salih,Rrustem ,Ramush…
Kënga e vështrimeve të ndezura
Me fjalët
Zotim
Gdhendës mermeri
Sypatrembur
Duke u futur
Me krahëroret masivë
Në rreshtat e mëdhenj
Të detit tekanjoz.


RELIKTET TONA


(Pa Kosovën unë nuk do të isha)

Shfletojmë historinë
Rreshta të shkruar
Me gjak
Nëpër faqe
Gjurmët tona shfaqen
Herë breshëritë nxijnë
Arat me misër kudo që ishin
Ngjanin në varreza të Mëdha
Kur rritej vdekja
Ku binin gjethe të rrëkëllyera
Më të freskëta
Se zambakët e majit
Mani i kombajnës
Thasët mbush
Misër e grurë
Në këtë Dhe
Tash e tutje
Gjumi do të oshëtijë
Nga përrenjtë e Ëndrrave
E paepur
Kjo ishte rruga jote
Ndërmjet njerëzve
Me njerëz
Dhe butonët
E dritës.


AGIMET E KOSOVËS

Çerrekshekujt
Në kurriz të maleve
Lanë gjurmët e kanoneve
E Ti
Kosovë
U dole para
AGIMËVE TË MËDHA
Kur trolli me nofullat e veta
Kafshonte BIJTË E SAJ
Kosovë
U dole përpara relikteve’
Qindvjetëshe
Kur Trolli pinte gjak
Përtypte barot
Fashatonte plagën
Dhe pashë
Mes atij
Ingranazhi
Yje
Dhe nën Yje
Togun e pusirave
Amësinë Tënde
Sfidojmë
Të bartim
Si një Agim mbi mal
Duke t’i fshirë me Yje
Muzgjet e hijeve
Vezullim urojmë
Brezave që vijnë
Me tepëritë e zellit
Në cepat e Yjeve.


GJAK SHEKULLOR

Mëmëdheu
Lëshoi një britmë
Një zjarr
Si lumi si era si gjaku
Mërsini shpërtheu te praku

Të dua o hyjneshë e Agimit
Me Heliosin e Apolonin
Me vajtje-ardhjet
Me duart
E forta
Të bashkëfshatarëve
Të bashkuara përgjithmonë
Në shpresën ndjellamirë
Eliksirin
Unë-
Ndjej në shpirt
Se biri yt
Unë jam
Frymëzimin tënd
Borxh e kam
Ç’përqaje të sjell
Në qepalla
Gjysmë të mbyllura
Këngët shpesh t’i mbjell
Me besë e shpresë
Për të ardhmen tonë.


Prishtinë,qershor 2012

Presidenti amerikan Donald Trump do të shtyjë përpara marrëveshjet Kosovë-Serbi që përfshijnë interesat amerikane

                          Nga Flori Bruqi,PHD  Vuçiç është duke u përballur me protesta masive në Serbi. Sigurisht, ai ka interes që të shpë...