2012-06-12

Prizren: Përfundoi festivali ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik”

Me orën letrare “Valët e Drinit” që u mbajt në qytetin e Kukësit, përfundoi manifestimi tradicional poetik, ku punimet e tyre i lexuan rreth njëqind poetë e studiues. Çmimin e parë e fitoi poezia “Në Sheshin e Lirisë” e Dibran Fyllit.






Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës organizoi në Prizren për të tretën herë festivalin ndërkombëtar tradicional të poezisë “Drini poetik”, ku morën pjesë rreth njëqind poetë e studiues nga të gjitha viset shqiptare si dhe mysafirë, poetë-artistë nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.




Të shtunën u organizua përurimi i antologjisë “Tingujt e erës”/ poezi bashkëkohore amerikane, e autores Lediana Stillo dhe në këtë kuadër u paraqitën edhe poetët e artistët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dejv Brinks (Dave Brinks) dhe Ian Thal. Me krijimet e veta para publikut u paraqit edhe poeti artist nga Franca Yvan Tetelbom. Paraqitjet e tyre ishin të veçanta për spektatorët që ndoqën këtë prezantim.

Në mbrëmje, në “Lirën magjike”, punimet e tyre poetike i lexuam më shumë se dyzet poetë, kurse të nesërmen u mbajt edhe “Ora e Lidhjes” te Sheshi i Lidhjes së Prizrenit, si dhe ora letrare “Valët e Drinit” në Kukës, që do të jetë tradicionale, ku punimet e tyre i lexuan anëtarë të LSHK-së dhe poetë nga Kukësi e rrethina.



Në kuadër të “Drinit poetik” u mbajt edhe sesioni letrar “Letërsia shqipe dhe 100-vjetori i Pavarësisë”, të cilin me një fjalë rasti e hapi Adem Demaçi, kryetar i LSHK-së. Kumtesat e tyre i lexuan pesëmbëdhjetë studiues nga Republika e Kosovës, nga Republika e Shqipërisë dhe nga Maqedonia.

Juria e festivalit “Drini poetik” paraqiti edhe laureatët e këtij manifestimi për poezitë më të mira. Çmimin e parë, përkatësisht çmimin “Metafora I” e fitoi poezia





“Në sheshin e Lirisë” e poetit Dibran Fylli, çmimin “Metafora II” poezia “Rima e Tokës” e Violeta Allmuçës dhe të tretin, “Metafora III”, poezia “Larg ma livadojshin nji vashë” e Ibrahim Berjashit, kurse çmimin “Vepra letrare” poezia “Bozhur lirie” e Delvina Kërlukut.

Manifestimi solli vlera poetike e punime shkencore që tërhoqën vëmendjen e publikut.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...