E kaluara nuk ka vdekur, bile ajo as që ka kaluar. Kështu është shprehur njëherë William Faulkner. Dhe kjo thënie nuk ka si të mos vlejë sidomos për politikën - dhe jo vetëm atë, ndër shqiptarët. Apo t’i harrojmë këtu „debatet“ për spiunët e vrasjet në atentatin ndaj Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës, akuzat për fondet e „Qeverisë Bukoshi“ apo „Vendlindja Thërret“, mosdërgimin e parave për (mbi)jetesën e Familjes Jashari dhe përgjithësisht tema të kësaj natyre, të cilat vetëm kur hapen, si një ortek i pandalshëm bore, në fillim të pranverës marrin çdo gjë me vete dhe zënë përfundi çdo frymë të jetës së qytetarëve të vendit.
Nëse dikush do t’i dijë arsyet se pse ngjet diçka e këtillë, atëherë përgjigja nuk ka si të mos jetë ndryshe pos ajo e atij mendimi për të kaluarën, e cila as që kaluar. E njëjta situatë nuk shfaqet aspak më ndryshe as në viset tjera shqiptare në Ballkan.
Në Tiranën e mbërthyer nga ngërçet e përjetshme mes „poleve“ të paafrueshme por edhe Shkupin gjithmonë të elektrizuar mes pyetjeve identitetesh (maqedonase) dhe dilemash (ndër)shqiptare. Krejt këto situata janë pasqyra e qartë e asaj që do të mund ta quanim kështu: personazhet politike dhe profilet janë të njëjtat dekada të tëra me radhë, kurse koha që ata jetojnë me neve nuk është gjë tjetër pos një manipulimi masiv që po këta bëjnë me floskulat për aspiratat për „integrimet europiane“.
Shumica absolute e tyre e dinë dhe punojnë bile kundër proceseve të integrimeve të shqiptarëve në familjen e Bashkimit Europian, i cili natyrisht që nuk është i gatshëm që në gjirin e vet të pranojë tipa profilesh si të Thaçit me kompani a doktorit me familje. E dinë, që të dy dhe shumë të tjerë si ata që janë të bëmat e tyre, parametrat që ata i plotësojnë, se i gjen fati i Sanaderit e Gjukanoviqit nëse duan të shohin shtetet e tyre në lëvizje drejt asaj që të gjithë themi që po duam por s’po mundemi: Brukselit.
Apo s’e keni shënuar se ku përfundoi Berisha me dhe në një vizitë të rëndësishme? Te njëra prej figurave më të urryera politike të Europës së sotme - në gjirin e Orban (krye)hungarezit prej ku na fliste për "postEuropën!". Po kjo puna e kasaphaneve ndëretnike rrugëve e shesheve, fshatërave e qyteteve të Maqedonisë nuk iu ngjet si një gjetje e bërje e bashkëpushtetarëve maqedonas e shqiptarë, në mënyrë që të kthehet pak “vëmendja” e Perëndimit drejt problemit të emrit të shtetit të shkronjave (FYROM)?!
Po me këtë shtetin tjetër të fusnotës si është puna? Aspak më mirë. Ose thënë edhe më ndryshe: më së keqi. E keni parë H. Thaçin se çfarë pritje kishte organizuar me rastin e 13 vjetorit të nisjes së sulmeve të NATO-s kundër serbëve? Një atmosferë mortore në një sallë hoteli, ku njeriu nuk mund të shihte as ndiente asgjë pos fjalëve të tij, të cilat në shesh nxirrnin vetminë e zgjedhur të një njeriu i cili nuk do të jetë pjesë e atij nënqielli.
Dhe për ta dëshmuar këtë e tregonte pikërisht të nesërmen kur tërë Kosova shënonte Epopenë e lufës për liri, kurse po ky Thaçi kishte zgjedhur të na çonte selame nga Rruga e Kombit të Kosovës “Europiane”. Do të ndahet. Dhe me këtë të bash si bashkëkombasit e tij - shefat në Tiranë e Shkup të na tregojë se veç me të dhe askënd tjetër do të shkohet në Europë... e cila jo vetëm që nuk do t’ia shohë as atij e as kolegëve të tij surratin, por thjesht po tallet duke pritur e pritur derisa populli, shqiptarët gjithandej në Ballkan ta kuptojnë që me këta politikanë, jo vetëm që janë larg Europës por edhe nëse do të plasin nga dëshpërimi e trishtimi, nuk do të bëjnë as hapin më të vogël drejt afrimit insticional me Bashkimin Europian.
Këtë gjë s’po e shpikim ne. Te ky konkluzion vinte në editorialin e së shtunës gazeta më e moçme dhe më me renome në Europë “Neue Zuercher Zeitung”, e cila fliste për atë sesi “faktori” shqiptar në Ballkan vazhdon të jetë larg familjes europiane, duke iu falënderuar pikërisht frymës së politikës e të bëmave të politikanëve shqiptarë në Prishtinë, Tiranë por edhe Shkup.
Puna është që ende s’e kemi kuptuar se çfarë të tjerët po e mendojnë dhe thonë atë që tashmë po e ndiejmë. Dhe derisa nuk e kemi kuptuar do vazhdojmë të shkojmë vërdallë kështu: mes të sotmes, e cila s'është gjë tjetër pos e kaluar. Por, gjithsesi pa të ardhme për të cilën vetëm mund të ëndërrohet me këto kasta politike.