2012-03-27

Historia shkruhet mbi bazën e fakteve

Politika dhe presionet politike nuk duhet të ndërhyjnë në çështje shkencore, e aq më pak ato historike. Historia shkruhet mbi bazën e fakteve dhe të dhënave burimore, çfarëdo qofshin ato, të përshtatshme apo jo për një polikë të caktuar.

Kështu ka deklaruar në një bisedë për media historiani Dr.sc. Enver Rexha, duke komentuar kërkesën e zyrtarëve nga Turqia lidhur me rishikimin e teksteve shkollore të historisë, ku shkruhet për raportet shqiptaro- osmane. Edhe historiani Rexha ka mbështetur kolegët e tij sa i përket trajtimit të kësaj çështjeje. "Sipas meje nuk ka paragrafë, fjalor apo terminologji fyese në librat shkollorë të historisë sa i takon mësimit të historisë osmane", ka pohuar Enver  Rexha.

 Ai kërkesën e ministrit të Turqisë për rishikimin e librave të historisë, kur flitet për raportet shqiptare - osmane, e kupton vetëm në aspektin politik kohor të sotëm, dmth një kërkesë politike apo gjeopolitike. Duke theksuar se kërkesat e tilla, si në këtë rast e shtetit turk, politika e shtetit të Kosovës nuk duhet të ndërhyjë në çështje shkencore, e aq më pak historike. Rexha ka thënë se çështja e rishikimit të historisë nga ana e Turqisë ka filluar të debatohet në këto tri apo katër vjetët e fundit.

"Është një intervistë e dhënë në lajmet e RTK-së sigurisht e kërkuar/realizuar nga përfaqësues të Turqisë (nuk më kujtohet saktë viti, por mendoj që ishte viti 2008) kur ekspertë - historianë nga Kosova dhanë disa përgjigje, e njëri ndër ta theksonte se ndoshta edhe duhet të rishkruhet historia dhe se terminologjia jonë duhet të zbutet kryesisht në rastet e termit 'okupim' apo 'pushtim' të tokave shqiptare me mundësinë e 'zgjerimit' apo 'ardhjes' apo 'rënies' së osmanëve në toka shqiptare", ka thënë historiani Rexha.

 Ai ka shtuar se historianët shqiptarë nuk kanë nevojë të merren apo të brengosen me këto gjëra apo aq më tepër të rishikohet apo rishkruhet historia, sepse terminologjia shkencore historike nuk ndërrohet.

 "Termat 'pushtime', 'okupime' janë qëndrime shkencore që i gjen në të gjitha argumentet, burimet dhe literaturën historike ekzistuese që nga shek. XIV deri në shek. XX për historinë e Perandorisë Osmane", ka theksuar Enver Rexha.

 Po sipas tij, raportet e Perandorisë Osmane me shqiptarët historia i tregon ashtu si kanë qenë realisht. Dihet me burime historike shqiptare, raguzane, venedikase, austriake, bizantine dhe me vetë burimet osmane të Stambollit etj., ka vazhduar ai, që jo vetëm tokat e shqiptarëve, por edhe të popujve të Ballkanit në fund shek. XIV gjendeshin në pragun e pushtimeve nga osmanët.

Ai ka thënë se luftërat e popullit të arbrit-shqiptarëve zgjasin mbi 100 vjet, gjithë shek. e XV, kur vendi edhe pushtohet-okupohet, dihet se do të gjendet në atë okupim apo pushtet deri në vitin 1912.

 "Në këtë drejtim, pushtimi osman i tokave shqiptare është vlerësuar përgjithësisht (nga historianë seriozë si shqiptarë dhe ndërkombëtarë) si një përmbytje e madhe ekonomike, politike e kulturore", ka pohuar ai, duke shtuar se luftërat që i bëri populli arbëror-shqiptar kundër pushtuesve i shkaktuan vendit tonë dëme të mëdha njerëzore, duke përfshirë dhe emigrimin e një numri të madh të banorëve përreth 500 vjet.

 "Për fund unë mendoj se historianët duhet ta rishkruajnë historinë në kuptimin e plotësimit me rezultate të reja, por jo ta ndërrojnë historinë , sidomos jo aty ku mendohet të ndërhyjë politika e kujtdo qoftë", ka thënë historiani Dr.sci. Enver Rexha.

F.B

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...