2012-03-25

Petraq Kote - Poet i dhimbjes kombëtare...






Petraq Kote ,lindi në Fier më 27 shkurt 1959. Arsimin fillor dhe tetëvjeçar e kreu në vendlindje. Në vitin 1974 – 1978 vazhdoi dhe mbaroi shkollën e mesme ushtarake “ Skënderbej ” Tiranë dhe prej vitit 1979 – 1982 studioi dhe u diplomua në shkollën e lartë të oficërëve “ Enver Hoxha ” sot akademia e Forcave Toksore ‘ Skënderbej ‘ për specialitetin fizkulturë.

Veprat letrare :

1. “ Këngë e Marrë ”,
2. “ Ranë Këmbanat ”,
3. “ Humbja ”,
4. “ Muza ”,
5. “ Këngë e pa rrëfyer ”,
6. “ Këngët e Motmotit ”
7.“ Ngjarje ndër Muzakë ”.
8.“ Mirë se erdhe Lamtumirë!… ”
9. “ Gjerana ”…

10 “ Hija... e Kadaresë “,
11.“ Lasgushi dhe Kosova “,
12. “ Një çast me Migjenin “,
13.“ Kritika Letrare Shqiptare dhe prof. Adriatik Kalluli “,
14. “ Dasma e Kreshbardhës “,
15.“ Diktatura Letrare shqiptare “,
16. “ Poezi që gjëmon më parë se të vetëtijë “,
17.“ Gjuha shqipe dhe akademik Jani Thomai “ ,
 18.“ Qiellëzanat Trillane “  shënime për romanin “ Darka e Gabuar “ të Kadaresë etj.
19.“ Më kujton Kostandin Paustovskin në librin me tregime “ Ngjarje ndër Muzakë – 2 “

Etj.


Përmendorja e Shqipërisë



Mitologjinë e Pellazgjisë, Ilirisë, Shqipërisë,
grekërit
poshtë e firmuan,
edhe shkrimet e shenjta të Moisiut
septuaginta
në emër të tyre janë ! ….

Zot! …
bijtë e tu,
sa herë bënë breza në sytë e tu
bënë lindje të gënjyer,
bënë jetë të gënjyer,
bënë vdekje të gënjyer.

Kur vranë Sokratin,
grekërit nuk vranë Sokratin,
sokrateskën e shenjtë vranë
dhe rritin
gënjeshtrit ose grekërit që atëherë.

Ti, s’ke baltë,
ti, s’ke gurë,
edhe prej lyme të tharë, o pellazgjishqipëri,
Strabonit piedestalin dhe mbi piedestal përmendoren t’i ngresh
se përmendoren tënde ngre atë çast me Hyll,
me Herkul,
që janë bijtë e tu?! …



Kombi rrjedh nga varret

Pasaportën fëmijës
ia jep varri i të parit të tij,
nuk ia jep djepi …

Janë përrenj ata që vdesin.
Lumi i etur “ i rritjes së lirë të kombit ” dhe “ i lirisë në rritje të dheut ”
i pi.
Duke zbritur nga majat e maleve,
kodrave,
rrëpirave,
fushave,
moshën çajnë
dheun vetvete.
Jetën ua shoh rrjedhë.
Vdekjen,
llum në grykëderdhje
për fusha,
male të reja,
shtretër të pahapur.

Ne,
nipërit,
mbesat,
përrenjtë e rinj
përkundemi dhe rritemi në prurjet e freskëta të vijave
pa kaligrafi,
që nisin e shkruhen tek varret,
këto shtëpi kodesh,
që mbajnë Margjinën Shqiptare mbushur
pa vahe,
pa cektina …


Gjithmonë… tre varre…


Te kthes’e lumit që ka vdekur,
një copë shkëmbi
është atje.
E sollën ca fshatarë në motin,
kur bridhte vdekja përmbi dhe’.

Në bregun tjetër ka një gur.
E vunë po ata fshatarë…
…shqiptar ishte dhe “ tradhëtari ”
me trimin, trimërisht qe vrarë.

…atëhere lumi ishte gjallë
dhe shkonte detit përkrenar!…

Tre varre janë tani, atje…
dy plaka qajnë, oi … oi
rrëzuar qyqet përmbi gurë…
po kush e qan lumin e zi?!


Nuk e di ç’të ardhme do të le?!


Sa herë që selvi të larta shoh,
e dua edhe më shumë gruan time.

Sa herë që male të lartë shoh,
fusha të paana,
i dua edhe më shumë djemtë, vajzat e mia.

Dhe pastaj më kujtohen gjyshërit,
stërgjyshërit,
baballarët,
që më shumë deshën atdheun …

Dhe për çudi,

Atdheu ( s’u rrit ) u zvogëlua!


Treni që i ikën dhimbjes


M’u kujtuan trarët e nderit të shtëpisë,
që traversa për hekurudhën
e jetës u vendosën;

edhe gjyshja me gjyshin,
që trenin e besimit tërhiqnin
mbi të cilin familja jonë e madhe udhëtonte.

Pastaj,
si babai dhe nëna i ndërruan një stacion,
një jetë …

Dhe tani që trenin e familjes sime të zhurmshme
unë tërheq,
më vjen të zihem me trarët që kalben,
çatinë që pikon
dhe jetën që mbaron në një jetë …


Plepi i tharë, gargujt dhe shkrimtari


Si kockë e shkulur nga qimiteri,
anë udhe është një plep i tharë,
ca garguj, ulur ndër degë, atje
mallkojnë të lodhur rrugën e marrë.
Një bufe strehë-rënë në rrëzë që i ngrihet
të vetëm brenda
ka një shkrimtar
edhe ai si gargujt me gotë shan brengën,
oh,
rrugë pa rrugë
në rrugën e marrë.
Shikon përpjetë,
kërkon t’u flasë,
dhëmballë e mendjes e shtrëngon,
sa shumë mundohet …
eh, më në fund,
truri i kafshuar
gojën liron.
… kanë qënë ca mote o zogj të zezë
kur shpirti i mirë sundonte dhenë …

pastaj mallkon vitet që shkel
dhe gojën kyç
e më s’rrëfen …


A s’vjen prej larti malli duke qar?!...


Ai malë që hekuros re nga shpirti të zbardhura
e nga shpirti të nxira,
kalon mbi shpinën time të shtypur matan lumit të mendjes
e rrëzohet…
O, fusha ime që shtrohe për Inën Adriatikase
në qafën e puthur
të lindjes së diellit më me sy në botë,
përse litarët e frikës nuk i këput që unë të të dua edhe më cart?!


Ti nuk e shikon këtë ujë kur dheut i arratiset ç’formuar
a s’i vjen prej larti
Mallit duke qar?!...


Kau i plakur, lesa e ugarit dhe korbat


Sa herë festojmë ditëlindjen,
të zeztë ne,
ditëvdekjen festojmë…

Lesën e ugarit heq kau i plakur,
sterrin e korbave
mbi lesë që qajnë,
shkon mjeti i vjetër dhe shtyp dherishten,
zogjtë nga shtëpivdekja me thonj e mbajnë.
Sikur heq jetën mbi zvarrishte
çapit me thundra kafshë e gjorë …
zinxhiri i zisë
jo, nuk i shqitet,
çdo hallkë me sqep
ngordhja bën kor.

Dhe kur e lodhur kafshë e ligur,
diku
në fund are sapo qëndron,
reja e zezë e korbërisë
në çast e vret,
e gllabëron …

… fshatarët e rinj pa lavdi


Shkoj për në fatin tim të lindjes …
Dhjetëra vjet në çantën e shpinës
me pluhur,
me re,
me mjegull shqisash veshur.

Dikush m’a fsheh parjen !…

Mbi supe s’kam lavdi, thjesht kam pluhur,
pluhur natyre,
zëra të ndotur
dhe shikime të pista.
Për fat të keq
edhe vuajtjen,
pse miqtë i kam të zgjuar
dhe armiqtë budallenj!

Kur të arrij në fshat do ta shkund veshjen,
por
po e gjeta gjallë të dashurën,
se kujt tjetër t’i shfaqem pa këto re dhe pastër?!
Oh,
nuk mund ta kapërcej
poshtë pragut të fshatit
kështjellën ku dikur i mbrohesha armiqve të zgjuar;
paskan vënë
patjetër
poshtë kështjellës
edhe varrin e dashurisë time!

Një korb po më thotë se ka vdekur edhe varri,
mirë s’e kuptoj!
Kthehem …
i kthyer mbrapsht, si xhaketë e vjetër
tek rrobaqepësi qorr.

Burra që rrëzohen …


Mbështetem tek dita,
Rrëzohem;
mbështetem tek nata,
përsëri rrëzohem.

Edhe avionët e urrejtjes
mbushur me urrejtës
hyjnë në qiellin e shpirtit tim dhe rrëzohen mbi sofra që kanë uri,
e garderobë që kanë të ftohtë

Dita mbështetet tek trëndafilat e bardhë,
ndërsa nata ende s’po gjen një vend ku të mbështetet;
trëndafilat e zez ende s’janë
… prandaj nuset mbajnë në dorë trëndafila,
kanë ditën aty,
mbështetur
dhe burra që bien përherë …

Ti erdhe përgjysmë …


Ti erdhe tek unë në gjysmë të jetës,
gjysma tjetër të pat mbetur diku …
siç vjen gjysm’e gjelit nga përralla e vjetër,
siç vjen sirena nga deti blu.

Ti erdhe tek unë me gjysmë mendje,
në gjysmë shtrati u shtrive ti,
gjysmën e trupit më fale mua,
gjysmën tjetër se kujt s’e di!

Ti erdhe tek unë me dëshirën përgjysmë,
në ardhjen e plotë s’ishe veç ti
dhe kështu pra ndodhi gjysmë ndodhja,
o vashë, sirenë, gjysmë dashuri! …


Varre jemi apo njerëz?!...



Me ndjenjën e zjarrit ndezur mbi fytyrën time mangall
dhe tërmetit në gjoks
hyra në turneun e fundit kombëtar të miss – eve,
që fare mirë mund të quhet turneu kobëtar i erosit
me opus pentagramesh
pyes:
Me dorë i keni bërë
o, nëna këto vajza
o, skllave të burrave tuaj varre?!

Miss -e dhe shtëpi të fshehta kurvash mbijnë në dheun tim
çdo kohë
dhe vaj më vaj ...

Kala bukurie që rrëzohen nga gropat e qejfit
që u llokoçiten në rrëzë të kofshëve nga peshku penis
me epitaf të pashkruar
“ varre sperme ”

pa kryqe
edhe prej mendjeje.

Me ndjenjën e hirit në fytyrën time vatër e shuar
dhe tërmetit në gjoks,
me këngët e motrave qyqe
për një kufomë që vjen sa herë rinia vjen,
pyes veten
varre jemi apo njerëz ???


Qyteti pa mend


Në hartën e qytetit,
hiri guerril hodhi shenja të reja topografike:
edhe plumbat,
granatat,
edhe predhat,
thikat,
politikat
e gjaku
shënoi përrenjtë e tij,
krojet …
O Zot … që pihen!
Edhe veteranët
i ngritën prapë përmendore gënjeshtrës.

Mendja?!
Oh, mendja
nuk ishte në qytet atë kohë …

Në hartën e qytetit
mendja e ka vendin bosh.

Kam frikë se dikur, kur mendja të jetë në prani,
s’do të ketë më vend për mendjen në qytet
e atëhere lindjen e diellit
do ta shoh në krahët e korbave - mëngjes.


Pa kapak


Kapaku i kokës sime rroklli pa zhurmë tatëpjetën shqiptareske,
një macehistori
tenxheren ku jeta ushqimin më përgatiste
lëpin.
Kush e thirri Pele’ pështymtarin,
po rrënjët e pemëgjuhëve ç’dreq lopate i nxjerr?
Qan fëmija, qan ...
Afërdita e braktisi,
qan se e la edhe baba Ankizi. 1)
Enea
të ngecurën shqipe në pëlhurë
përse e le?
Ujin e qetë
urren i shëmtuari pse fytyrën bukur ia portretizon.
Tiranasi kohën
pse është gjendur idiot!
Në ç’gjumë sheh ëndrra Muzaka i Angjelinës
shqiptarët pse bredhin kaq gjerë
dhe me këngë në buzë
për kufij që mbyten?!

Iliri mirazhmadhe
po marr lumenjtë dhe përrenjtë e tu
të punoj xhamadanë dhe takije të ujta …
… pa kapak koka ime.


... ndoshta kam marrë formën e librit!

e di
nesër
është edhe oronim i asaj që s’vjen
e sot
baladë me vargje Dhoqinë
ose Shqipëri në gjëmë nëne
që edua sa qaj...

më rritën në formë pushke
në duart e atdheut
të vrisja armiq...
kisha vrarë miq!
armiqtë s’u dukën më këtej
ata të largëtit
... mbiu fara e tyre ndër ne
nëna ime i ngjante grasos
më mbulonte të mos më ndryshkëte gjaku
po kur vitet antigradë në rrugë me atdheun më lanë
na pastroi me lotët e nderit e na futi në gjoksin – depo

se nëna ime është edhe nëna e atdheut tim

një mijë e nëndëqindë e nëntëdhjetë e shtata
më shiti
tani
unë s’kam as nënë
as atdhe
as depo
nëna vdiq
atdheu u roit
depua u shemb

në liqenin mëngjes të syve të mi
janë varri
lëvizjet e Brovnit
gërmadhat

të uritur më përdor kushdo
thonë se vras armiq...
por po filloj të shoh me sytë e mi të fushës
se pylli shqiptar qenka prerë nga sopatat e gjuhëve cirilike
plumbat e mi internacionalë
ndoshta kam marrë formën e librit!...

se m’u kujtua gjaku i shtëpisë sime të mesjetës
vjedhur
s’e mora kurrë ndër vjedhësit turq
s’kisha kohë
vrisja miq
ndaj sot kam raporte unë
ku sipërfaqet e mia të egra ballkanike
janë terminale të butësive të arta
pa gropa
pa qivure
pa harta.


... vdekje artistike

i ulur në shkallën e parë të amfiteatrit “ Botë “
shoh tragjeditë e fundit të saj
pa Shekspir
pa Eskil...

ulen lotët e parë
gjaqet e parë
shikimet e fundit...
e në mua amfiteatri vdes.


zogjtë

ia kushtoj nënë sime Kalije Kote ( Dumi ) ose judeshës Noemi
në 70 vjetorin e lindjes

ajo është arrë
ka degë merakun të hapur si krahë
pretë zogjtë e kohrave
këngët e kënduara në zërat e rinj
edhe mua
kthehem nga fluturimet e shëmtuara të ekzistencës
pa sqep...
pastaj bëhet qiell mbushur me re malli
dhe s’resht shiu

vjeshtën që shkoi
e rrëzoi stuhia e gjakut
ne
lindjet e saja konvertuar në pemë
u turrëm duke u rikthyer përsëri në zogj
me shpëtimin sqep
pastaj qielli ynë u mbush me re trishtimi
çurgoi kimera cicërimash
dhe pse katër
nuk ia mbuluam dot qiellin me drurë të vetëtimur
të trazuar
të nëpërkëngur

i vumë një pemë të re mbështetëse
si rruga Ypsilon e plazhit të Semanit
Afërditën
nusen e dashurisë dhe të vëllait tonë
e ngritëm... pa një degë
pa një ligjërimë të pyllit
pa një hije ku prehen dashuritë e kujtimit “ Todi “
me diejtë e vdekur

ishte dikur zogë edhe nëna jonë
me pemë
nënën e saj...
dëgjon këngë
oh këngët
tremben nga fletët e librave të mi
e shkojnë e ulen në buzët e vajzave ( zogëzave )
mësueseve të reja të këngëve të atdheut tim...

kam një mall përgjysmë
s’kam duar
ma zbërtheni gojën ta them


Është vlerësuar nga kritika, krijues, miq e lexonjës të tij brenda dhe jashtë kufijve kombëtarë:

Vragu i Petarqit -metaforë kombëtare 

… Petraq Kote është poet i dhimbjes kombëtare shqiptare.Është në erudit i poezisë shqipe.Poezitë e tij janë rrebele ,çdo varg i tij është kombëtar.Vargu i tij është metaforë sociale. janë metafora sociale...
/Mr.Sci.Flori Bruqi/


Atdheu lakuriq në një poezi pa stoli

Petraq Kote rri zgjuar mbi vargje, ritme, figura, metafora… Ai vjen nga Apollonia e lashtë e Ilirisë, ku ngahera janë përkundur arti dhe poezia. I përket qerthullit të krijuesve të sotëm fierakë, që me veprat e tyre konkurrojnë lirshëm në tregun e vlerave të letërsisë kombëtare. Poezia e Petraqit është poezi e një shpirti të rrebeluar, që s’pajtohet dot me gjendjen në të cilën është katandisur atdheu i tij. Ai urren dogmat e të gjitha llojve, që kufizojnë lirinë njerëzore dhe proteston zëshëm kundër tyre.
Kote është mjeshtër i peizazhit myzeqar, të cilit i jep një dimension universal.Vargu i tij është i gjallë, dinamik, përplot tension emocional.. Në vargjet e këtij libri buçet zëri i një poeti që ka unin e vet; një zë thellësisht njerëzor e burrëror, që përballë së rëndomtës, absurdit e banales, vë ëndrrën për një botë më të mire e më njerëzore, ku njerëzit do të jenë njerëz e jo varre.
Kemi të bëjmë me një poezi që komunikon direk me jetën dhe njerëzit e jo me vargje libreske, çfarë ka shumë në kohën tone. Në vend të skemave e kallëpeve letrare, Kote preferon fjalën e gjallë e të frymëzuar poetike, ku nuk mungojnë gjetjet interesante, ritmi dinamik dhe figurta, here- here, surreale./Prof. dr.Agim Vinca/



...Vetëagjimi i poetit është i ndërgjegjshem

Janë disa vargje, që poeti i ruan për vete e s’i nxjerr në dritë, ngaqë i vlejnë më shumë atij, sesa lexuesit… Gjatë këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve, që e shkruaj poezinë, midis vargjeve magnetike që nuk shkëputen lehtë prej vetes, do veçoj:
“ Zgjohu poet … zgjohu poet / autopsinë t’i bësh kohës së vet! ” . Shprehem pa frikë se vetëzgjimi i poetit është tejet i ndërgjegjshem, tejet qytetar, në këtë libër dhe fryma e distikut të mësipërm të shoqëron nga poezia e parë deri tek më e fundit…/Alfred Mehmeti/


Poezitë janë thellësisht origjinale 

Petraq Kote shkruan poezi të fuqishme që i burojnë nga thellësia e shpirtit. Ato të tronditin,të emocionojnë, janë të freskëta dhe thellësisht origjinore…/Halil Jaçellari/




Përgatiti për Floripress:Flori Bruqi








I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...