2012-03-31

Kosova përgatitet për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë


Shënimi i 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është ngjarje madhore e historisë së popullit shqiptar, e cila u takon të gjithë shqiptarëve kudo që janë, meqë Pavarësia është vepër e gjithë kombit. Prandaj, duhet përkujdesur për t'u organizuar sa më mirë që është e mundur, vlerëson Këshilli Organizativ i konferencës shkencore me temë: "Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova 100 vjet pas".

Në një takim me gazetarë akademik Hivzi Islami dhe Dr. Jusuf Bajraktari, në emër të Këshillit Organizativ thanë se institucionet e Republikës së Kosovës nëpërmjet këtij Këshilli të ngritur për këtë qëllim nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Instituti i Historisë në Prishtinë, do të përkujdesen në mënyrë profesionale për të hartuar Programin e Konferencës Shkencore - "Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova 100 vjet pas", - e cila do të mbahet në Prishtinë me dt. 13 14 shtator 2012.

Në këtë konferencë dyditore do të marrin pjesë studiues, të cilët me kumtesat e tyre do të trajtojnë dhe do të ndriçojnë shkencërisht rrethanat historike, politike, diplomatike dhe shoqërore përgjithësisht nga akti sublim i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 e deri më sot.

Duke u ndërlidhur me temën bosht do të trajtohen një varg çështjesh të cilat në mbështetje të rezultateve shkencore historiografike si dhe të burimeve të reja që do të plotësojnë tabllon e ngjarjeve dhe rolin e figurave të shquara në rrjedhat e periudhës një shekullore.

Këshilli Organizativ vlerëson se Vilajeti i Kosovës që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ka qenë vatër e shumë organizimeve politike e shoqërore dhe i kryengritjeve të armatosura për çlirimin dhe bashkimin e trevave shqiptare. Gjithë periudha 34 vjeçare paraqet një mozaik të begatë të zhvillimeve historike, të cilat kanë kushtëzuar rrjedhat ekonomike, sociale, psikologjike, politike dhe ushtarake jo vetëm në Kosovë por në mbarë hapësirat kombëtare, rajonale dhe më gjerë. Të gjithë këta faktorë kompleks kanë lënë gjurmë dhe pasoja të cilat hetohen edhe në periudhat e zhvillimeve bashkëkohore.

Referuesit që do të marrin pjesë në këtë eveniment shkencor do të prezantojnë kumtesa me interes nga këndvështrime e fakte të reja për ngjarje e personalitete që kanë lënë gjurmë në historinë e popullit shqiptar.

Këshilli Organizativ i Konferencës ka miratuar edhe Kalendarin e veprimeve. Pritet që referimet e pjesëmarrësve do të botohet në një vëllim të veçantë.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...