2012-03-31

Botuesit, nuk ka fuqi blerëse për dy panaire


Edhe këtë vit, në një periudhe kohore prej një muaji, në Prishtinë do të mbahen dy panaire të librit. Në maj nga Unioni i Botuesve të Kosovës, që do të mbajë edicionin e dytë, dhe ai i qershorit i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, i cili po bëhet gati për edicionin e tij të 14-të. I pari, Panairi Ndërkombëtar i Librit në Prishtinës, i organizuar nga Unioni i Botuesve të Kosovës, do të mbahet nga 2 deri më 6 maj në Pallatin e Rinisë në Prishtinë dhe i dyti, Panairi i Librit në Prishtinë, i organizuara nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, do të mbahet nga 4 deri më 10 qershor po në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
description
Mungon marrëveshja për orarin e panaireve

Mbajtja e dy panaireve në nivel kombëtar në një periudhë kohore prej 30 ditëve po shihet si një problem serioz nga botuesit, ngase, sipas tyre, jo vetëm që po krijon probleme, por edhe shpenzime që pastaj nuk mbulohen. Botuesit kosovarë janë shprehur se do të ishte mirë që njëri prej këtyre të mbahet në vjeshtë. Panairi Ndërkombëtar i Librit në Prishtinë, i cili do të mbahet nga UBK-ja, do të mbahet në fillim të majit dhe sipas organizatorëve pritet të marrin pjesë botues të shumtë nga bota shqiptare. Behxhet Bici, kryetar i UBK-së, në një prononcim për "Kosova Sot" është shprehur se në panairin e librit që organizohet nga shoqata që ia drejton do të sjellë edhe emra të njohur ndërkombëtarë të botës së letrave. Por nuk ka përmendur ndonjë emër, pasi, siç është shprehur ai, ka kohë deri në mbajtjen e panairit. Bici është shprehur se do të donte të kishte një marrëveshje me drejtuesit e SHBK-së, për të biseduar për të rregulluar orarin e mbajtjes së panaireve. "Jam ithtar i një marrëveshje me SHBK-në në të mirë të librit dhe të bisedojmë për terminët e panaireve", ka thënë ai, duke lënë të kuptohet se do të niste menjëherë bashkëpunimin me SHBK-në, po qe se këta të fundit do t'i përgjigjeshin ftesës. Ndërsa në anën tjetër, drejtues të SHBK-së nuk kanë dashur të flasin për ftesën e Bici, por janë shprehur se janë duke punuar në të mirë të organizimit të Edicionit të 14-të të Panairit të Librit të Prishtinës. Nënkryetari i SHBK-së, Besian Zeneli, në një prononcim për "Kosova Sot" është shprehur se nuk dëshiron të bëjë publikë programin, pasi siç është shprehur një muaj para panairit të SHBK-së është një panair tjetër nga mund të dalin reagime si është shprehur ai për kopjim. "Natyrisht se këtë edicion duhet të kemi risi, sepse këtë vit festojmë 100 vjetorin e pavarësisë dhe do t'i kemi, por hollësitë do t'i bëjmë publike më vonë", ka thënë Zeneli, duke shtuar se një çdo edicion do të duhej t'i ketë risitë dhe të veçantat e tij. Po ashtu ai ka thënë se panairi do të ketë të ftuarit e tij dhe mjaft të veçanta të cilat do të begatojnë edicioni e 14-të të Panairit të Librit, i cili mbahet në qershor. Për botuesit dhe shitësit e librit mbajtja e panaireve nuk është pa leverdi, por koha e paktë mes dy panaireve nuk u konvenon fare.

Ngarkesa buxhetore

Arsim Hashani nga libraria "Artini", e cila përfaqëson disa nga shtëpitë më të fuqishme botuese nga Shqipëria, është shprehur se mbajtja e dy panaireve të librit në një kohë kaq të shkurtër nuk është në interesa të botuesve, pasi, siç është shprehur ai, po krijohen ngarkesa financiare saqë botuesit pastaj nuk po mund t'i mbulojnë shpenzimet. "Do të ishte mirë që njëri nga këta panaire të mbahet në vjeshtë, sepse Prishtina nuk ka fuqi blerës për dy panaire njëri pas tjetrit", ka thënë Hashani, duke shtuar se do të ishte mirë që organizatorë të kishin çmime pak më të lira për të ekspozuar librat. "Ata po marrin edhe donacione për të organizuar panairet, andaj do të duhej të kishin edhe çmime më të lira për stendat", është shprehur Arsim Hashani nga libraria "Artini", një nga shitësit më të mëdhenj të librit në kryeqytet. Ndërsa Kosovare Kelmendi, menaxhere në Shtëpinë Botuese "Albas", ka thënë se kjo shtëpi botuese për panairet e Prishtinës do të ketë rreth 30 tituj të rinj, kryesisht për fëmijë dhe atë libra edukativë. Ajo ka thënë se mbajtja e dy panaireve në një periudhë kohore prej 1 muaj, aq sa mbahen të dy panairet është e pamundur të kesh botime të reja. Mirëpo, ka shtuar se do t'i respektojnë të dy panairet dhe do të marrin pjesë në dy të dytë. "Por, jemi të bindur se Prishtinës nuk i duhen dy panaire të librit kaq afër njëri-tjetri", ka thënë Kelmendi.

I. Vatovci