2012-03-31

Beqë Cufaj-Kultura politike gjermane

Kultura politike gjermane - Beqë Cufaj
Është një ngjarje e cila duhet të shënohet. Edhe pse politike deri në thelb, megjithatë ajo është një peizazh dhe leksion njëkohësisht, sesi politika, ose thënë edhe më saktë politikanët – qofshin ata edhe në postet më të larta të mundshme, nuk mund t'i rezistojnë asaj që quhet opinion publik. Me opinion publik mund të përmbledhim këtu: mediet dhe ndikimin e tyre te qytetarët (votuesit?), por edhe drejtësia, e cila e kryen punën e saj, sepse në bazë të asaj që mediet printojnë a emetojnë edhe reagojnë.

Rasti i Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Christian Wulff, i cili dje dha dorëheqje nga posti më i lartë shtetëror në këtë shtet, tregon sesi pikërisht roli i medieve jo vetëm që është esencial për shpirtin dhe para së gjithash funksionimin e një demokracie, por në pah nxjerr edhe një të vërtetë të madhe, e cila i ka dy anë të cilat mbase janë një dhe e vetmja gjë: sado që një shtet të ketë traditë dhe institucione të shëndosha, megjithatë politika dhe politikanët dinë të jenë të korruptuar.

Por ja që janë mediet, është dimensioni i "pushtetit të katërt"- pra i medieve, ai i cili, edhe pse jo i shkruar në kushtetutat e vendeve demokratike, megjithatë si aktorë qenësorë luan këtë rol kaq të rëndësishëm për të ruajtur shëndetin e shteteve nga sëmundjet e korrupsionit, joligjshmërisë e jokorrektësisë.

Pak a shumë e kësaj natyre mund të quhet historia e ngritjes dhe rënies së ish-presidentit të Gjermanisë, Christian Wulff.

I zgjedhur si President i Gjermanisë, post ky i cili ka më shumë karakter etik dhe reprezentativ dhe për këtë është edhe mëse i çmuar për çdo politikan, Wulff ishte i përzgjedhuri i kancelares Angela Merkel, por edhe partnerëve të saj të koalicionit nga liberalët. Me shtrëngime dhëmbësh-pse ishte i ri nga mosha, pse prapa vetes linte një post të Kryeministrit të Niedersachsen-it, pse ishte tepër afër Kancelares (para dy vitesh kishte deklaruar edhe vetë që nuk donte dhe nuk do të bëhej kurrë Kancelar i Gjermanisë, as pas Merkelit)… disi u arritën votat në Asamblenë Federale të Gjermanisë dhe Wulff fitoi.

Dhe kjo u bë pas turbulencave që ngjanë kur Horst Koehler, paraardhësi i tij, në mënyrë befasuese pati dhënë dorëheqje sepse ndihej i injoruar nga Kancelarja. Gjë kjo e cila dihej dhe deri diku edhe u kuptua si një ndërskamcë e kësaj gruaje me talente të jashtëzakonshme, si për politikë të brendshme ashtu edhe të jashtme. Wulff, pra, ishte i përzgjedhuri i saj dhe është vërtet larg mendsh që Merkel ishte prapa lojërave që Presidentit të saj dhe të Gjermanisë dalëngadalë por sigurt t'i nxirreshin në shesh afera të mëdha dhe pak më të vogla të cilat atë e detyruan që dje të jepte dorëheqje. Thjesht-politikanët jo rrallë dinë ta luajnë edhe mikun në publik dhe armikun në prapavijë. Këtë gjë e kemi ne, e kanë gjermanët, francezët e amerikanët. Por kauza Wulff, kjo gjë nuk vlen.

Natyrisht që për pikëshikimin tonë-ajo që Wulff kishte bërë, nuk ishte asgjë. Ose ishte diçka që nuk do t'ia vlente të përmendej sepse… sepse te ne politikanët bëjnë… e ç"nuk lënë pa bërë dhe janë aty ku janë. Edhe më të fortë sesa mund të imagjinojmë. Christian Wulff-in e kishte përcjellë me vete posti i Kryeministrit të Niedersachsenit. Atje, duke e mbajtur këtë post- ai kishte marrë një kredi private nga një ndërmarrës i madh gjerman dhe atë kredi nuk e kishte lajmëruar siç e do rregulli. Këtu-kur ky lajm u bë i ditur Wulff bëri gabimin e tij fatal.

Nga Arabia kishte kapur telefonin dhe i kishte thirrur një kryeredaktori të një gazete (asaj më të madhes dhe më të verdhës) "Bild Zeitung" dhe pas tij edhe shefit të krejt Imperiumit Axel Springer-dhe të dyve u ishte kërcënuar me "luftë" nëse do ta botonin lajmin në fjalë… Më pas, si në formë të një orteku bore… nuk u ndalën ngjarjet me dhe rreth presidentit. Përkundër mbrojtjes morale e publike që Kancelarja e koalicioni i bënin, mediat në formë sistematike zbuluan që kredia që e kishte marrë për kthimin e borxhit ishte kthyer me një kamatë shumë më të ulët sesa qytetarët e tjerë e paguajnë. Që kishte udhëtuar e pushuar me kostot e miqve të tij bujarë të biznesit në pjesë të ndryshme të botës… dhe ata për këtë kishin marrë privilegje nga ky sa ishte Kryeministër.

Një aferë, jo dramatike por për këtë sistematike ku dilte e qartë që të qenit politikan atij i jepte privilegje-të cilat ky ua kthente miqve të tij. Rreth 4 muaj luftë mediale dhe zigzage mes Presidentit dhe medieve të pavarura gjermane-të të gjitha ngjyrave.

Derisa parmbrëmë, prokuroria e Hannoverit kërkoi nga Bundestagu që të fillonte me procedurën e heqjes së imunitetit të Presidentit të Gjermanisë. Për herë të parë në historinë e këtij shteti.

Nuk mjaftuan as 12 orë… dhe Wulff shkoi. Përgjithmonë dhe i përulur ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe… kulturës politike gjermane. Kaq.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...