E para, në disa shkolla të Kosovës, por edhe në qytetin tim, është duke u ripërsëritur diskursi mbi raportin kulturë, respektivisht religjion dhe arsim laik. Disa nxënëse me mbulesë të identifikimit islam, janë përjashtuar nga shkolla.
E dyta, drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë punojnë me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që interpretohet si e ndalueshme bartja e uniformës me ngjyrime fetare, gjegjësisht atij islam. Drejtorët thirren në këtë udhëzim administrativ dhe thonë se po e zbatojnë ligjin, gjegjësisht udhëzimin administrativ. Ndërsa disa drejtorë edhe më shumë po e shkelin ligjin kur po bëhen aq "kreativ" dhe po thonë se duhet përjashtuar nxënëset me shami, ndërsa në fund të vitit shkollor mund të hyjnë në provime, sikur të ishin në fund të semestrit universitar. Madje, në një qytet të Kosovës, vetë kryetari i komunës është prezantuar në medie se ka bërë një marrëveshje me degën lokale të Bashkësisë Islame të Kosovës, ku "kërkohet të barten shamitë me ngjyra më evropiane dhe kjo marrëveshje të vlen për një vit". Si njëra ide që në fund të vitit të notohen këto nxënëse me shami, si tjetra për të përcaktuar dhe shpikur koloritin dhe dizajnin e "shamisë evropiane" (!), pavarësisht nga cilat motive rrjedhin, janë po ashtu të papërputhshme me ligjin ekzistues.
E treta, shumica absolute e prindërve të këtyre nxënësve, por edhe fetarët e vlerësojnë si shkelje të të drejtave të njeriut dhe lirisë së besimit.
E katërta, jetojmë në një botë të ekstremizmave, qofshin atyre laikë, qofshin atyre fetarë.
E pesta, njëra palë e laicizmit thirret në nenin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës që shteti ynë përkufizohet si laik.
E gjashta, pala e dytë e fetarisë thirret në nenin tjetër që thotë se s"ka asnjë diskriminim me bazë ushtrimin e besimit fetar.
E shtata, feministët dhe grupet që avokojnë të drejtat e grave thonë se bartja e shamisë është lloj shovinizmi mashkullor që përmes shamisë dëshiron ta kontrollojë dhe ta sundojë femrën. Po ashtu, këto grupe thonë se "hajde-hajde në universitet dhe pas kalimit në moshën e pjekurisë, femra mund të zgjedhë, ndërsa si nxënëse, asaj nuk duhet t'i imponohet nga prindërit apo indoktrinuar." Këto grupe sillen si "shpëtimtare" të të drejtave të femrave. Për ta nuk është thjeshtë aspekt simbolik kjo mbulesë fetare, por nënkupton më pak liri, më pak karrierë në jetën publike, më pak mundësi për qenë e lirë në argëtim dhe liri personale e të ngjashme.
E teta, fetarët, por edhe shumë njerëz thonë dhe mund të theksojnë se, prindërit edukojnë në një mënyrë të caktuar të modelit kulturor, qoftë edhe ky fetar, prandaj secili imponon dicka. "Edhe prindërit u imponojnë emrat e tyre të preferuar këtyre fëmijëve, por nuk do të thotë se kjo është ndonjë gjë e kobshme" - ia kthejnë feministëve.
E nënta, feministët përsëri replikojnë me fetarët, duke u thënë se ndryshe është të imponohet emri, e ndryshe të kontrollohet jeta e femrës përmes mbulesës, sepse emri mund të ndërrohet madje edhe me ligj, ndërsa mbulesa është set i bërë në mënyrë të fuqishme psikologjike dhe sygjestionuese.
E dhjeta, fetarët përsëri replikojnë duke thënë se femrat e kanë përsëri zgjedhjen e tyre ta ndryshojnë veshjen kur të duan. Ata citojnë ajetin kuranor se në fe s"ka imponim/dhunë.
E njëmbëdhjeta, vazhdon replika e tyre, por nxënëset nuk janë të interesuara për këto replika, ato thjeshtë duan zgjidhje: lejimin e tyre në shkolla, duke shtuar vetëm këto fjali: "Ne po sillemi me sjellje shembullore, po mësojmë, asgjë nuk po bëjmë dëme me shami. Shamia vjen prej besimit tonë fetar dhe në asnjë mënyrë s"do të heqim dorë."
E dymbëdhjeta, disa nxënës kanë shprehur hapur bindjet e tyre duke thënë se nxënëset me mbulesë nuk na pengojnë fare në klasë, nuk e propagandojnë fenë, nuk na shpërndajnë fletushka islame në shkollë. Thjesht, e kanë jetën e tyre! Ndërsa disa nxënës të tjerë thonë se nxënëset me shami nuk i preferojmë t'i kemi në klasën tonë sepse nuk po mund të flasim më hapur, po druhemi të flasim ndonjë fjalë rinie para tyre, janë më të druajtura dhe më "moraliste" dhe nga pak kemi qejf të "halitemi në humor". Po ashtu, këta thonë se po që se do të kërkonim të mbajmë ndonjë "aheng-party", ato fare nuk janë të interesuara të vijnë me "të klasës".
E trembëdhjeta, laikët frikësohen se duke lejuar shaminë, fakt po e cenojmë arsimin laik. "Le të mësojnë dhe le të shkojnë në shkollat e medresesë. Këtu (në shkollat publike laike) ne i bëjmë rregullat tona. Ne nuk po përzihemi në mënyrën kulturore të arsimit në medrese. Pse ata nuk po e mësojnë teorinë e evolucionit se njerëzit e kanë prejardhjen prej primatëve shtazorë?!" - ia mësyjnë debatin laikët.
E katërmbëdhjeta, fetarët thonë se nëse po frikësohen laikët prej shamisë, kjo po i bie sikur laicizmi po shqetësohet se po e humb betejën me "argumentet e shkrimeve të shenjta dhe zbulesës qiellore". "A nuk është argument kjo se njerëzve iu duken më të logjikshme dhe më të pranueshme idetë fetare për origjinën sesa idetë shkencore, ngase laikët po bien në ankth se mos po ndikojnë këto nxënëse me mbulesë në përhapjen e bindjeve fetare te moshatarët e tyre, ndërsa po shtohet konkurrenca me leksionet laike arsimore nga mësimdhënësit?!" - ia kthejnë debatit fetarët.
E pesëmbëdhjeta, për myslimanët shamia nuk është thjeshtë simbol, por detyrim.
E gjashtëmbëdhjeta, për disa njohës të islamit, janë të rrallë por që ekzistojnë kudo, shamia është keqkuptuar kur është përkthyer në gjuhët e tjera nga Kur"ani. "Fjalët për mbulesë që përdoren në Kur"an janë khim?r dhe xhilbab, e jo hixhab" - thonë ata.
E shtatëmbëdhjeta, në traditën arabe, pakistaneze, indiane, malajziane, indoneziane e të ngjashme, fjala shami ka përdorimin gjuhësor dhe praktik jo vetëm për burrat, por edhe për gratë si fjalët: "songkok, taqiyah, jubba, igal, turban, blangkon e të ngjashme."
E tetëmbëdhjeta, ka një listë të tërë të versionit të aplikuar të shamisë së grave në botën islame si: hijab, burqa, bushiyya, jilbab, dupatta, niqaab, paranji etj.
E nëntëmbëdhjeta, shumica e këtyre termeve të mësipërme për mbulesën është keqkuptuar në gjuhën shqipe.
E njëzeta, duhet zhvilluar kjo shoqëri debat të gjerë me të gjitha grupet për të tejkaluar këto shqetësime të nxënëseve me shami dhe laikëve.
E njëzet e një, gjëra të tjera…