Drejtori i Institutit të Arkeologjisë të Kosovës, Dr.sci.Enver Rexha, për veprimtarinë e këtij instituti ndër të tjera, shpjegon për disa hulumtime arkeologjike që janë bërë nga institucione të specializuara vendore në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Frankfurtit.
Këto ndërmarrje institucionale kanë vazhduar me hulumtime arkeo-botanike (flora, fauna) të së kaluarës, ndërsa për peizazhet arkeologjike dhe gjeoarkeologjike, (formacioni e shtresave gjeologjike, veprimet njeri natyrë), e cila hyn kuadër të lashtësisë janë të angazhuar ekspertë nga Haidelbergu i Gjermanisë.
Hulumtimet e fundit janë zhvilluar nga ekspertët gjermanë si: Dr. Bubenzer, Dr. Felix Teichneir, pohoi Rexha. Sipas tij, ky projekt është vazhdim i punëve nga viti 2010, dhe rezultatet janë të kënaqshme. Njëra prej përparësive nga ky bashkëveprim i ndërsjellë është se janë mostrat për analiza, ku me metodën “Radiokarbon c14” do të vlerësohen datimet e sakta të së kaluarës ndërshekullore.
Rezultatet priten nga raportet shkencore të marra nga instituti gjerman. Po ashtu, në muajin mars të këtij viti janë zhvilluar hulumtime “survei arkeometalurgjike”, në prapatokën e Ulpianës, që kap një radius prej rreth 30 km. Në Shashkoc, Veletin, liqeni i Badovcit dhe deri tek lokaliteti Surçin i komunës së Ferizajt.
Pra të gjitha këto hulumtime janë zhvilluar nga institucionet vendore në bashkëpunim me Muzeun e Minierave Antike të Bochumit të Gjermanisë, (DAI) Franfurt am main. Shkencëtarët e këtij instituti si Dr. Gabriele Koerlin, Dr. Guntram Gasmann dhe Felix Teichner kanë bërë një punë të mirë. Ndërsa, nga stafi vendor kanë marrë pjesë Kemal Luci, Milot Berisha, dhe Enver Rexha.
Rezultatet janë evidente, për faktin se kanë arritur të gjejnë dëshmi materiale që lidhen me periudhën e epokës së metaleve (periudha e bronzit) që për trevën tonë janë shumë të veçanta dhe karakteristike, sqaron Rexha. Paraprakisht, me këto hulumtime është vërtetuar se xehetaria vendore është zhvilluar që nga kohët e hershme. Pra, ky projekt do të karakterizohet për marrjen e mostrave që do të zhvillohen më tutje në institucionet gjermane, për faktin se institucionet e Kosovës nuk i kanë këto mundësi teknologjike, pohon Rexha.
Incizimet gjeofizike janë bërë me metodën “Elektrorezistiviti” (aparatura më bashkëkohore për hulumtim). Këto hulumtime janë zhvilluar nga muaji mars 2011, në kuadër të institucioneve të lartpërmendura. Rezultatet e këtij bashkëpunimi janë dëshmitë nga parahistoria, antika, periudha romake, antikiteti i vonë, mesjetë e hershme dhe ajo e vonë, që nënkupton kontinuitetin e veprimtarisë dhe banimit në këto treva.
Veprimtaria e institutit arkeologjik karakterizohet edhe me gërmimet arkeologjike që janë duke u gërmuar në lokalitetin Reshtan Suharek, ku punimet po udhëhiqen nga Shafi Gashi, i cili vjen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe nga Prof. Dr. Adem Bunguri, Tiranë ku është bërë gjetja e një vendbanimi i kohës së Neolitit.
Punimet rreth këtij projekti kanë filluar në prill të këtij viti, dhe do të vazhdojnë edhe më tutje hulumtimet. Po ashtu, në këtë muaj, sipas Rexhës, kanë filluar gërmime arkeologjike në lokalitetin antik Zllatar të Ferizajt, të cilat do të zhvillohen nga Luan Gashi, arkeolog i Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Po kështu gjatë muajit maj 2001 ky institut, në bashkëpunim me institutin rajonal të Prishtinës, me arkeolog Haxhi Mehmetaj, dhe në bashkëpunim me Agron Islamin dhe Klejdis Zguro, dy restauratorë të Institutit Kombëtar të Konservim-restaurimit të Shqipërisë, kanë zhvilluar veprime në lokalitetin Ulpiana, me qëllim të hartimit të projektit për konservim restaurim për lokalitetin e Ulpianës.
Pra, konkretisht do të ketë konservime në lokalitetin Ulpiana.