
Akademik Prof.Dr. Abdulla Mehmeti
Ne që jetojmë jashtë kufijve administrativë të shtetit amë nuk jemi befasur asnjëherë nga ky fenomen i çuditshëm politik, sepse intrigat sllave i kemi pasur gjithmonë afër nesh, por vërtet na shqetëson lehtësia e manipulimit me qytetarët, gati të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, që doemos të sjellin në përfundimin se, gjithçka në punën e këtyre ,,revolucioneve” matet me interesin personal, peshohet me monedha të huaja, e asnjëherë me cilësinë e pushtetit, mënyrën demokratike të qeverisjes, progresin e përgjithshëm shoqëror, prestigjin e shtetit dhe interesin kombëtar!
Prandaj, nuk është për t'u habitur kur të huajt na njohin më mirë seç e njohim ne vetveten, duke u detyruar të ndërmarrin masa për ta ndihmuar kombin shqiptar, si në rastin kur në prag të intervenimit ushtarak të forcave ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës, u desh t’i përjashtojnë nga loja liderët e të dy forcave politike më të mëdha në Tiranë dhe u soll në pushtet një kryeministër i ri, jashtë këtyre strukturave politike të korruptuara e pabesueshme; si edhe në rastin që duhet të na bëjë të skuqemi të gjithë, kur serbët, armiqtë më të përbetuar të kombit shqiptar, kërkuan zyrtarisht llogari nga qeveria e tyre, se ku kanë përfunduar dhjetëra milionët e tyre për destabilizimin dhe copëtimin e Shqipërisë, në vitin 1997?!
Këta liderë, që fatkeqësisht janë drejtuesit e shtetit tonë, e kanë sjellë Shqipërinë në këtë gjendje të mjerueshme, si asnjë regjim i mëhershëm nën pushtimin dhe sundimin e huaj; e kanë katandisur atdheun e 22 milionë shqiptarëve në këtë gjendje sa, ambasadori i një shteti aleat të kujdeset më tepër për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit në vendin tonë, seç kujdesen sipas detyrimeve kushtetuese këta kriminelë e horra të politikës shqiptare, të cilët për të satën herë na turpëruan para botës!
Opinioni shqiptar është i informuar mirë se, aktualisht Kosova ballafaqohet me probleme tepër serioze politike dhe të sigurisë; se shqiptarët në Maqedoni, gjithashtu janë para sprovave të mëdha politike si asnjëherë më parë në historinë e këtij shteti; se gjendja nuk është më e mirë as në Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe në Çamëri; ndërsa udhëheqësit e politikës në Tiranë e paskan zgjedhur momentin më të përshtatshëm për fillimin e ,,Revolucionit demokratik të shkurtit 2017”, i cili më tepër mund t’u shërbejë kriminelëve se sa interesave të shqiptarëve dhe të shtetit?!
Kësaj radhe, kjo përrallë me lugetër të moçëm të komunizmit, të ushqyer e ndërsyer nga serbët, grekët dhe rusët, nuk duhet të kalojë tek shqiptarët!
(19 shkurt 2017)
No comments:
Post a Comment