(Rrëfim për pjesëtarët e kësaj familjeje- poetë, gazetarë, studiues, humoristë, muzikantë nga fshati Tpla i Tropojës)
Nga Skifter Këlliçi, Boston, SHBA
Prolog
Në një nga poezitë e tij të mahnitshme Kadareja shkruan kështu:
Poezi,/Udhën tek unë si e gjete?/Mamaja ime shqipen mirë s’e di,/Letrat si Aragoni i shkruan pa pikë ,pa presje,/Babai u end në rini në të tjera dete./Por ti erdhe,/Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit tim të gurtë e të qetë,/Trokite drojtur në shtëpinë trikatëshe,/Nr. 16…”
Qindra kilometra më në veri të Shqipërisë, jo më një qytet malor, ngritur mbi shkëmbinj, si Gjirokastra,të cilit ky shkrimtar gjenial i ka kushtuar romanin “Kronikë në gur”, i denjë për të fituar çmimin “Nobel’,por në një fshat të quajtur Tpla, ngritur në një pllajë, të cilin një kodër e ndan nga lumi Valbonë dhe një kodër tjetër nga lumi Drin, poezia nuk erdhi në një shtëpi nga larg, por u gjet atje, e ruajtur nga disa breza, i mëkoi ata dhe u përcoll aq e freskët aq kumbues prej tyre te brezat e sotëm që mbajnë mbiemrin Buçpapaj…
Prindët e Buçpapajve
Bubrreci, stërgjyshi i kësaj familjeje kishte studiuar për teologji, por nuk ishtë bërë hoxhë. Si adhurues i dijeve kishte grumbulluar libra dhe kishte krijuar bibliotekën më të pasur të atyre anëve. Dashurinë për ta ia kishte shtënë edhe të birit, Mehmetit, që duke u marrë me tregti, shkonte shpesh në Shkodrën me tradita të lashta, ku ishte njohur me njerëz të ditur, duke përfshirë edhe Fishtën.
Në vitet ’60, ndërsa fëmijët e tij rriteshin, Mehmeti u lexonte atyre pjesë të eposit të kreshnikëve.
Vargjet të tilla si këto drejtuar balozit:
”M’ke lypë motrën para se mejdanin, /M’ke lypë berrat, para se cobanin, /..E jam derdhë n’kët lok për me t’kallzue/Se ne t’parët nji kanu na kanë lanë”/’…kurrë balozit motrën mos me I dhanë, /Për pa u pre n’at fushën e mejdanit’./Por shtrëngohu, baloz, se t’ka ardhë dita, /Se ktu i thonë Gjergj Elez Ali..”,
Ose për bukurinë e vashës së quajtur Tanushë:
”E ka qerpikun si krahu i dallndyshes, /Ftyra e saj skuqet si molla n’degë, /Goja e vogël si lule që shpërthen, /Dhambët e bardhë si gurëzit e lumit, /Fill pas shiut kur po i shndrit dielli…”. Pra vargje të tilla i mahnitnin Bucpapajt e vegjël, Skënderin, Mujën e pastaj me radhë Flamurin, Ilirin, Ukzenelin për të cilët do të tregoj. Jo vetëm kaq.
Në vazhdën e vargjeve të eposit të kreshnikëve dhe poezisë gojore që këndonte nëna tyre, Gjyla, rritur në Gjakovë, në një familje me tradita atdhetare, mbledhëse e folklorit, e cila dinte përmendësh mijëra vargje, artiste e lindur dhe me zë si soprano, siç kujtojnë fëmijët e mësipërm, dhe me bukuritë natyrorë të viseve të vendlindje, me livadhet që stoliseshin nga ngjyrat larushitëse të pranverës dhe vjeshtës, si Livadhi i Shqerrave, Livadhi i Gjatë, Livadhi i Arrës së Butë, ku përcilleshin dhe merreshin nuset, ku zhvilloheshin edhe gara me kuaj dhe qitje me pushkë, me bjeshkët në dy vargje kryesore alpine, në kufi me Dukagjinin, Gucinë dhe Plavën, që, siç i përshkruan Skënder Buçpapaj:”.. më kanë mbrujtur me ndjesi….që fshatin Tpla, ta quaj edhe kudo ku kam banuar më vonë, si në atdhe, edhe larg tij, si një planet të vogël dhe të magjishëm”.
Edhe këto bukuri të natyrës së vendlindjes së tyre ushqyen vetëdijen e Buçpapajtve e vegjël, si Skënderi, Muja, Flamuri, Iliri, Ukzeneli që janë sot sot janë figura të e shquara në fushën e poezisë, gazetarisë, publicistikës dhe kritikës letrare shqiptare. Një sagë e vërtetë!…
Ne krenohemi me vëllezërit Frashëri, Abdylin, Samiun Naimin, atdhetarë, shkencëtarë, shkrimtarë… Në fushën e letërsisë në vazhdën e tyre është krijuar tashmë një traditë familjare: Me Risto Siliqin, të birin Llazarin, me Qemal dhe Veli Stafën, vëllezër, që ndonëse u ndanë shumë të rinj nga kjo jetë, kanë lënë gjurmë në letërsi, me Sterjo Spasen dhe të birin e tij, Ilindenin, me Jakov Xoxën dhe të birin Arbenin, me Kiço Blushini dhe birin Benin…
Por ja që në familjen Buçpapaj të tillë janë tetë, po të përfshijmë edhe bashkëshorten e Skënderit, Elidën, edhe ajo poete gazetare dhe publiciste e njohur, për të cilët do të tregoj një herë tjetër…Dhe janë ende relativisht të rinj…Pra, kanë ende shumë për të thënë.
Muja
Atë paradite shkurti të vitit 1991, kur po futesha në zyrat e gazetës “RD”, ndesha me një djalë të ri të qeshur, që zuri të më rrëfente ngohtëssht sikur të njiheshim prej kohësh, se që i vogël kishte lexuar libra nga të mitë si dhe kishte dëgjuar zërin tim gjatë transmetimeve sportive radiotelevizive. Ky ishte Mujë Buçpapaj, student i vitit të fundit të për letërsi në UT.
Ishte hera e dytë që njihesha me një të ri me këtë mbiemër. I pari kishte qenë Skënderi, aso kohë gazetar, kritik dhe poet. Dhe u habita edhe më shumë kur ai më tha se atë e kishte vëlla. Më mars të vitit 2011 gjatë promovimit të një vëllimi poetik në një nga sallat e hotel “Tiranës”, pata rast të bisedoj më gjatë për veprimtarinë e Mujës, për të cilën kisha lexuar në shtypin shqiptar dhe të diasporës në internet:
Pas mbarimit të studimeve të larta- bashkëthemelues dhe bashkëpunëtor i “RD”-së, e para gazetë antikomuniste në Shqipëri, (janar 1991); në korrik 1992 bashkëthemelues dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë… Më 20 gusht 1997 viktimë e një atentati me kallashnikov në qendër të Tiranës, në shenjë hakmarrjeje politike, për shkak të punës së tij si gazetar, që solli plagosjen e rëndë në këmbë… Pastaj komentator i gazetës kombëtare “Bota Sot”, që botohet në Kosovë, Zvicër, Gjermani SHBA…Qershor 2001 bashkëthemeluesi Radios “Nacional”…Nga viti 2003 -2005 anëtar i Bordit të Mediave pranë KQZ…Më 2005 drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori…Nga viti 2008, bashkëpunëtor i gazetës kombëtare javore letraro-kulturore, ”NacionaL”, e vetmja e këtij lloji që botohet në Tiranë dhe shpërndahet në Kosovë, Maqedoni, dhe Trevat shqiptare në Malin e Zi…
Dhe gjatë kësaj periudhe edhe specializime në SHBA dhe Francë dhe nga institucione ndërkombëtare në Tiranë, për të ardhur te studimet letrare pranë Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Albanologjike.
Pastaj biseda kalon të prindërit, për të cilët shpreh mirënjohjen më të thellë, për shtytjen që i kanë dhënë atij dhe Buçpapajve të tjerë. Vranohet kur kujton babë Mehmetin, atë mjeshtër të rrallë të gdhendjes në dru, kur vë vitin 1967, kur ai nuk ishte veçse 6 vjeç, të ndikuar nga i ashtuquajturi Revolucion Kulturor Kinez, komunistët e fshatit i sekuestruan dhe i dogjën shumë libra, gjoja si të verdhë, atij që vlerësonte jo vetëm poetë si Fishtën, por edhe Kadarenë dhe kolosë të tjerë të letërsisë botërore, atij që e kishte nxitur atë dhe fëmijët e tjerë të shkruanin…
Vijmë kështu në krijimtarinë letrare të Mujës dhe mes vëllimeve poetike i përmend edhe vëllimin “Fitorja e padukshme”, që është botuar edhe në anglisht nën titullin “The Invisible Victory”(2009), përkthyes Claude C. Freeman, i cili cilësohet nga Shoqata e Përkthyesve Amërikanë dhe Shoqata e Bibliotekave Amerikane, si libri më i mirë i atij viti, i botuar në anglisht nga gjuhët e tjera dhe u është rekomanduar edhe studentëve të universiteteve amerikane për lexim. Dhe më 2010 revista amerikane “Translation Revue”, që botohet nga Universiteti i Teksasit e cilësoi si vëllimin poetik më të mirë të vitit 2010.
Më 2012 vëllimi poetik “Fitorja e padukshme”fitoi gjithashtu cmimin si libri më i mirë që qarkullon nga Organizata Ndërkombëtare Kulturore “Kafeja e ideve”, në Salaminë të Athinës, për ndihmesën për të krijuar një shkollë të re poetike, me origjinalitetin e ndërtimit të vargjeve dhe përshkrimin e përvojave të vështira…
Ja disa vargje të nxjerra nga poezia “Portreti i erës”:
“Nën zinë e katundit, /Vit pas viti pret verën mbi fushë, /Nëna ime./Sipër kësaj bote, në cep të fshati, /Të lagur nga kënetat..”…
….dhe nga poezia “Fitorja e padukshme”:
Kish mbetur vetmia e fushës, /Në fletë të misrit të pjeku, /Të duarve të fëmijëve, /Të lagjes së së përbaltur…/Nëpër kënetë avujt e diellit të mjegullt, / Shkriheshin në erë shkurresh…”
Jo vetëm kaq; më 2006 disa nga poezitë e tij përfshihen në antologjinë e poezisë bashkëkohore ballkanike, botim i Shoqatës së Botuesve Grekë, (Edesa, Greqi).Meqë jemi te përkthimet, po atë vit është bashkautor i përkthimit nga anglishtja të librit të autores amerikano-hebree, Johanna Jutta Neuman, ”Në sajë të Shqipërisë”, me kujtime të qëndrimit të saj në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ndihmesës së familjeve shqiptare që shpëtuan shumë hebrenj nga ndjekjet naziste, dhe i “Antologjisë së poezisë bashkëkohore amerikane, (2007).
Pasojnë gjithashtu edhe botime në fushën publicistikës si “Partitë politike dhe çështja kombëtare, (2000), studimi “Shqipëria dhe planifikimi i politikës së Sigurimit kombëtar”, ”Shtypi shqiptar i ka fituar të gjitha betejat”, (2004)si dhe dhjetëra e dhjetëra artikuj, ese, analiza, që ka botuar dhe boton vazhdimisht në shtypin e ditës.
Flamuri
“Në dhjetor të vitit 1991- më tregonte Muja gjatë takimit tonë, -Flamuri, vëllai i vogël i cili ishte vënë në krye të lëvizjes studentore antikomuniste në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, ku po mbaronte studimet për histori-gjeografi, u kap nga forcat e Sigurimit dhe u trajtua më mënyrë çnjerëzore prej tyre.
Muja vazhdonte të më fliste për të dhe unë rikujtoja se si aso kohe deputetë të opozitës qenë ngritur në Kuvendin Popullor dhe kishin të kërkur lirimin e menjëhershëm të Flamurit që ishte burgosur dhe vazhdonte të ishte në gjendje shumë të rëndë.
Më pas mësova se, me të mbaruar studimet e larta, pas shembjes së komunizmit më 1992, ai kishte filluar disa specializime për sigurimin kombëtar dhe shërbimet inteligjente në vende perëndimore dhe në moshën 24-vjeçare, duke u nisur nga aftësitë e tij të larta profesionale kishte marrë gradën e nënkolonelit në Shërbimin Informativ Kombëtar.
Sidoqoftë, e dija që qysh student kishte botuar tregime dhe poezi në shtypin e kohës, por nuk më kishte shkuar ndërmend që ai do të shquhej më pas në fushën e letërsisë, duke ndjekur shembullin e Skënderit dhe Mujës..
Me largimin tim nga Shqipëria në Amerikë më 1999, humba kontakte me shumë njerëz dhe ngjarje..
Natyrisht që dy Buçpapajt e mësipërm vazhdonin të shkruanin, këtë e merrja vesh nëpërmjet internetit. Por ja më 2008, po nga interneti mësova se çdo të diel kishte filluar të botohej një gazetë e re letrare, vazhdim i “Dritës”, me emrin “Nacional”. Madje qe vetë Muja që nisi të ma dërgonte me e-mail çdo të diel.
Habia ime më e madhe ishte se botuesi kësaj gazete, që siç e përmenda më sipër është shumë përhapur edhe të trevat tona në Maqedoni, Malin e Zi dhe në Kosovë, ishte pikërisht Flamur Buçpapaj.
Muja vazhdoi pastaj të më rrëfente se kur pa vitit 1997 Flamuri u nxor në lirim, për të mbijetuar zuri të merrej me biznes të vogël që filloi të zgjerohej dhe pas vitit 2005 arriti të themelonte kompaninë e ndërtimit Tpan sh.k. që, u profilizua në fushën e ndërtimeve dhe restaurimeve të monumenteve të kulturës, kështjellave, kishave, xhamive. Tani kjo kompani është duke ndërtuar Hidrocentralin e Valbonës në Tropojë.
I kujtova Mujës se në faqet e gazetës “Nacional” kisha parë shkrime publicistike mjaft tërheqëse të shkruara nga Flamuri, i cili nuk ishte mjaftuar me aq. Atij i kishte lindur sërishmi dashuria e vjetër për letërsinë…
Dhe kështu këto vite Flamuri ka botuar librin e suksesshëm me tregime “Shiriti”dhe dy drama për teatër të kukullave- “Katallani” dhe “Kacubeti”, motivet e të cilave i ka gjetur në rrëfimet e nënës Gjyle.
Pa u mjaftuar me këto, Flamuri ka krijuar më 2000 një nga radiot më popullore në Shqipëri, të quajtur “Nacional’, ashtu si dhe gazeta me të njëjtin emër.
Hasani dhe Azgani…
Saga e familjes Buçpapaj vazhdon me dy vëllezër të tjerë – Hasanin dhe Azganin. Të dy jetojnë në Tropojë. I pari, Hasani ka botuar një vëllim prej 600 faqesh me fabula, poezi satirike dhe lirike. Por pasion tjetër i tij është edhe muzika. Interpretues i disa veglave muzikore, ai është dhe autor i shumë teksteve këngësh, të kënduara nga artistë nga krahina e Tropojës, që transmetohen nga Radio Tirana, Radio Shkodra, Kukësi dhe pas vitit 2000 edhe nga Radio Prishtina. Për shumë kohë ka qenë edhe bashkëpunëtor i revistës “Hosteni”.
Kurse vëllai tjetër, Azgani, – më thotë Muja, -është marrë tërë jetën vetëm me muzikë.Qënë fëmijëri njeh dhe luan me tërë veglat muzikore që përdoren në Shqipërinë e Veriut. La një vit shkollën e mesme vetëm e vetëm që të studionte fizarmonikën në Shtëpinë e Krijimtarisë Popullore në Tiranë. Është edhe këngëtar i talentuar, por që në vitet ’60 kur lufta e klasave u ashpërsua, nuk iu dha mundësia të kryente studime të larta.
Kushërinj të parë të Buçpapajve...
Ndër ta shquhet Iliri, ish-telekronist i TVSH-së për Tropojën, pastaj gazetar i njohur i departamentit “Bota Shqiptare”, autor i shumë dokumentarëve televizivë;Ismaili, që ngriti një stacion të vogël televziv në Bajram Curri dhe tani është i vetmi reporter i mediave për ngjarjet në Tropojë, i njohur veçanërisht për raportimet e drejtpërdrejta nga ngjarjet e luftës së Koshares në pranverë të vitit 1999, duke mbajtur në njërën dorë kamerën dhe tjetrën kallashnikovin.
Dhe së fundmi nga kushërinjtë Buçpapaj shquhet Ukzeneli. I diplomuar për anglisht në UT, ai është sot ndër përkthyesit më të talentuar nga shqipja në anglisht të veprave të shkrimtarëve shqiptarë në prozë dhe poezi.
’”Ukzeneli, – më thoshte një ditë në telefon Xhon Hogdsoni nga Londra, studiues anglez, përkthyes i disa veprave të Kadaresë në Angli, -është një njohës për t’u admiruar dhe i një niveli shumë të lartë i anglishtes”.
Gjekë Marinaj për Skënder, Mujë dhe Flamur Buçpapajt
Gjekë Marinaj është poet, studiues dhe profesor i letërsisë bashkëkohore në një universitet të Teksasit në SHBA. Ja se ç’vlerësim më përcolli ai këto ditë për Buçpapajt e mësipërm.
“Vëllezërit Skënder, Mujë dhe Flamur Buçpapaj janë lindur të talentuar, të rrethuar nga hijeshia e alpeve të Tropojës, nën thundrën e komunizmit dhe tani jetojnë realitetin e virtyteve të tyre, jo vetëm letrare. Ata kanë arritur pjekuri profesionale në bashkësinë letrare brenda dhe jashtë Shqipërisë, na frymëzojnë të krijojmë dhe botojmë, na edukojnë përmes mediave të tyre prestigjioze që të ndihmojmë njeri-tjetrin me idetë më të frytshme që e ardhmja që përfytyrojmë, të marrë jetë që sot”.
Epilog
Arrijmë kështu në fund të tregimit për sagën e Buçpapajve. Autorët e “Eposit të kreshnikëve”, që ka lindur viseve të Veriut të Shqipërisë, duke përfshirë edhe katundet e Tropojës, Aste, Babinë, Gegaj, Kovac, Papaj, Sopot, Shkëlzen… nuk dihen. Por dihen autorët e të vazhdimit të këtij eposi, me krijimtarinë e disa prej të cilëve u përpoqa t’i njihja lexuesit e këtij tregimi. Midis tyre anë janë edhe Skënderi, Muja, Flamuri e të tjerë Buçpapaj, që përmenda më sipër, janë edhe të tjerë krijues përsëri tropojanë, si poetët e njohur Ndoc Paplekaj, Besnik Mustafai, Avni Mulaj, Jaho Margjeka, vajzat e talentuara Aloma Bajrami, Manjola Brahaj, Nafije Aliaj dhe veçanërisht romancierja Brunilda Zllami.
Ata bëjnë pjesë këtë radhë në sagën e kësaj krahine që quhet Tropojë, e cila është sa 1/28 e Shqipërisë, ku vërshojnë lumenj, përrenj, rriten drurë shekullorë dhe në këtë mjedis të mahnitshëm rriten edhe talente që vazhdojnë traditat e eposit, traditat e sagës tropojane.
No comments:
Post a Comment