2016-05-26

Refleksione: Lufta e klasave, dje dhe sot

gjobaebashkise
gjobaebashkise

Nga Edlira Devolli.
Në mjedise të ndryshme shoqërore dëgjojmë shpesh fenomene, të cilat sjellin ndërmend luftën e klasave. Madje, disa ngjarje të këtyre ditëve, është se kanë filluar në masë të transferohen punonjës nga qyteti ku banojnë në qytetin më të skajshëm të mundshëm. Por, cila është arsyeja? Arsyeja është se nuk shfaqin simpati për partinë në pushtet. Dhe duke i larguar në këtë mënyrë, do të dorëhiqen “vullnetarisht”. Madje, disave që nuk janë dorëhequr u është thënë se nuk pritej që ata do të shkonin të punonin aq larg familjes. Këto ngjarje u ngjajnë internimeve të kohës së diktaturës dhe luftës së klasave, e cila u rrënjos në atë kohë dhe ka mbetur e përjetshme ashtu si revolucioni proletar synonte. Por përse, dhe ku ka rifilluar të ndihet lufta e klasave? Së pari, luftë klase politike. Diktatura nuk mund të pranonte diversitetin politik. Të parët që u sulmuan ishin pjesëtarët e Ballit, Legalitetit etj.
Ata nuk i përkisnin bindjes politike të PPSHsë, ndaj pas lufte dhe gjatë diktaturës u persekutuan, u masakruan e u pushkatuan. U përndoqën ata që kishin studiuar jashtë vendit dhe ata kishin shfaqur aftësi në punën që kryenin. Por, situata nuk ka ndryshuar. Sepse të parët që u përndoqën nga puna ishin të djathtët, edhe nëse ndonjë ka mbetur në punë aksidentalisht, (si u shpreha më lartë) përndiqet tani, sepse nuk i përket aleancës së pushtetit. Nuk vlen eksperienca dhe dija e tyre, rëndësi ka kontributi politik. Bindja politike ndikon jetën e përditshme të qytetarit. Kështu që zjarri i luftës së klasave mbahet i ndezur. Së dyti, tregtarët. Ata u konsideruan si klasë sunduese kapitaliste. Dhe PPSH e shpëtoi popullin nga zgjedha e okupatorëve feudale– borgjeze.
U krijua koncepti që çdo tregtar ishte njeri i poshtër. Biznesmenët filluan të shiheshin si e keqja e shoqërisë. Ata më të gjallët, më punëtorët, më të pasurit shpalleshin kulakë, shpronësoheshin, u merrej toka, bagëtia, pa harruar fushatën e mbledhjes së floririt. U vihej tatim i lartë, kush nuk i paguante, futej në burg. Fakt i e turpshëm është se, si atëherë dhe tani, kontribut të rëndësishëm dha spiunimi. Aset funksional i PPSH-së dhe Rilindjes së sotme. Çfarë kemi parë në tri vitet e fundit? Kemi parë të njëjtin sistem. Spiunë të sanksionuar me ligj, të cilët u vërdallosen bizneseve për të parë nëse është prerë kuponi tatimor. Pa marrë parasysh se në vendin tonë njerëzit marrin ushqime me listë. Dhe nuk dihet kuponi duhet prerë kur merret malli, apo kur bëhet pagesa. Tregtarët janë ata të cilët po “pengojnë” rilindjen e ekonomisë. U gjet shkaku, armiku i klasës, ndaj pasoja dihej, e njëjta si në sistemin e diktaturës. Gjoba, sekuestrime, mbyllje, taksa të larta, hekura në duar dhe tregtarët e vegjël pas hekurave. U arrit denigrimi i biznesit privat dhe u venit ajo pak mirëqenie sociale, që ekzistonte.
Ajo që tremb është se dhunën duan t’ia ngulisin në mendje popullit si shtetbërje. Por çfarë shohim? Shohim se shoqëria civile nuk funksionon si në vendet europiane, aty ku aspirojmë të shkojmë. Shoqëria në vendin tonë pret nga shteti gjithçka, si në diktaturë. Dhe vetë pushteti nuk lë gjë jashtë kontrollit. Ashtu si në kohën e xhaxhit Enver, edhe shoku Edi merr përsipër punësimin dhe arsimimin e të gjithëve. Më pas zbulon grupet armiqësore, të cilat pengojnë realizimin e planit. Grup armiqësor doli edhe në ndërtim. E goditën. Moratoriumi i ndërtimit, falimentoi ata që ishin më të dobët. U arrestuan disa fshatarë, të cilët po rregullonin tjegullat e çatisë pa leje. Por, moratoriumi ishte selektiv. Ata biznesmenë, të cilët mundën të qëndrojë në heshtje, (si ariu në gjumin letargjik) se kishin mundësi ekonomike ta përballonin situatën, ia dolën. Më të vegjlit falimentuan. Ata të përkëdhelurit e shokut Edi nuk e morën vesh se ç’do të thotë moratorium. Sigurisht, sepse ata i përkasin një klase tjetër. Ndërtimet e tyre lulëzuan në vendet e lulishteve.
Të humburit ishin ata që mbetën pa punë. Me këtë pseudoreformë lanë pa bukë tavolinat e shumë shqiptarëve. Natyrshëm vjen në mendje teoria e qoftëlargut, edhe bar do të hamë. Pra, kemi një qeverisje, që nga njëra anë premton hapjen e vendeve të punës dhe në anën tjetër harton politika, të cilat ulin punësimin. Luftë klasash në arsim. Të kujtojmë pak se kush e kishte të drejtën e arsimimit në kohën kur lufta e klasave po rrënjosej më së miri në kombin tonë. Arsimimin e kishin fëmijët e komunistëve dhe pak nga shtresa e mesme. Arsimi orientohej nga shteti. Ata dinin se sa inxhinierë, mësues, mjekë, agronomë, mekanikë, rrobaqepës, etj. i duhen vendit. Situata nuk ka ndryshuar, sepse sot kryeministri na del përkrah me ministrin e Mirëqenies Sociale, duke thënë se Shqipëria nuk ka nevojë për intelektualë apo individë, të cilët kanë investuar për dijen e tyre. Sot Shqipërisë u duhen kasapë, hidraulikë, mekanikë dhe profesione të tilla.
Ndaj, ai bën thirrje se të rinjtë nuk duhet të synojnë universitetin, por shkollat profesionale. A thua se djemve të tij do t’i jepte profesionin e kasapit apo të mekanikut. Duket qartë se sistemin universitar, mundësisht jashtë vendi duhet ta zotërojnë vetëm pasardhësit bllokmen. Klasa bllokmene nuk mund të bashkëpunojë me individë me prejardhje të thjeshtë. Ja pra që jemi në të njëjtën situatë. Ata dinë se çfarë profesioni i duhet popullit për t’u punësuar. Nuk ka rëndësi prirja e studentit, rëndësi ka çfarë kërkon partia, ajo duhet bërë. Ndaj dhe u shpik një ligj, i cili kushtëzon të drejtën për arsimin e lartë për nivelin mesatar të jetesës në Shqipëri. Se ata të cilët i përkasin nivelit të ulët ekonomik, jo e jo. I rikthehem luftës së klasave edhe për një faktor tjetër të rëndësishëm. Lufta e klasave në diktaturë vrau, internoi, dogji ëndrra dhe jetë. Lufta e klasave penalizonte nëse kishe dajë apo xhaxha të arratisur ose kishte qenë pjesë e Ballit apo Legalitetit.
Çfarë ndodh sot? Sot penalizohesh dhe përndiqesh nga opinioni partiak, sepse familjari yt apo një mik ka bindje politike ndryshe. Po, kjo ndodh sot, pas 25 vitesh demokraci vazhdon lufta e klasave në gjirin e shoqërisë dhe të familjes. Por, edhe sa do të vazhdojë lufta e klasave në Shqipëri? Lufta e klasave dhe diskriminimi politik po e mbajnë shoqërinë nën presion, të cunguar nga e drejta dhe civilizimi. Duket qartë se tik-taku i orës së Rilindjes ka mbetur në rezonancë të plotë në atë që baballarët e tyre realizuan për 50 vite në Shqipëri. Reformat dhe dogmat kanë ndryshuar ngjyrë, por në thelb janë të njëjtat, janë aq identike sa edhe në të shprehur kanë mbetur të njëjta. Duket se fantazma e komunizmit me luftën e klasave na përndjek pafundësisht, përjetësisht, siç diktatura proletare e kërkonte. Duket se ardhja nga sistemi diktatorial cungoi zhvillimin e shoqërisë civile. Siç përmenda dhe më lartë, shteti di, shteti bën, shteti vendos. Shoqërisë sonë ka filluar t’i mungojë liria sërish. Pasi ç’do vendim e merr shteti dhe e imponon duke prekur të drejtën e qytetarit. Kjo është kauza, e cila e thërret shoqërinë civile të reagojë.

Si u manipulua historia e shqiptarëve nëpër dekada


J.Pettifer
Nga Prof. James Pettifer (Oxford University)
Historia është se si ne e shohim veten në të kaluarën. Në periudhën post-komuniste në tranzicion në Shqipëri dhe gjetiu në Ballkan, ajo ka qenë një temë e diskutueshme dhe e rëndësishme jo më pak se sa ajo ishte nën komunizëm, apo në sistemet e mëparshme politike. Institucionet ndërkombëtare perëndimore, si Bashkimi Europian, kanë bërë financime dhe janë angazhuar për atë që ka qenë konsideruar si ‘modernizim’ i historisë komuniste të ‘rreme’ ose të ‘shtrembëruar’.
Arsyeja pse unë i hyra këtij studimi ishte se në realitet është shënuar një ndryshim shumë i kufizuar në drejtim të shkrimit ndërnacional të historisë që nga viti 1990, dhe se shumë shkrime historike post-komuniste shqiptare qëndrojnë në kornizat intelektuale në lidhje me identitetin kombëtar, kryesisht në gjuhësi dhe arkeologji, që u zhvilluan në periudhën komuniste. Për më tepër, disa aspekte të të shkruarit pas viteve1990 kanë mishëruar në të vërtetë fuqishëm konceptimet mbarëshqiptare, për shkak të ‘ndreqjes’ së historive të Ballit Kombëtar në Kosovë dhe ish-Maqedoninë jugosllave Perëndimore / Republika e Maqedonisë, të ndrydhura nga sistemet arsimore titiste dhe enveriste. Rëndësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arritjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 ka të ngjarë të përforcojë analizën e traditave partizane dhe jozyrtare ushtarake në historiografinë shqiptare të Kosovës.
Është e rëndësishme që të sjellim ndër mend se historia shqiptare politike, ekonomike dhe ushtarake gjithmonë ka qenë pak e njohur jashtë vendit, në të vërtetë mund të thuhet se për periudha të gjata vështirë se mund të thuhet se kanë ekzistuar këto njohuri. Studimet e huaja janë përqendruar gjithmonë në historinë kulturore, gjuhën dhe letërsinë, nga përkthimet dhe tekstet letrare të botës veneciane të Buzaut dhe pasardhësve të tij ndaj hulumtimeve shkencore të helenizmit austriak nga Johannes von Hahn në shekullin XIX. Lexuesit anglezë në gjysmën e dytë të shekullit XIX mund të kenë mësuar për Skënderbeun nga poezia e Henri Uadsuorth Longfellout (Henry Wadsworth Longfellow), ashtu si pesëdhjetë vjet më parë Bajroni kish përcaktuar një imazh të Shqipërisë në veprën e tij. Nuk do të kishte qenë e mundur për ta që, në të njëjtën kohë, të shkonin në ndonjë librari në Londër apo Nju Jork dhe të blinin një histori të Shqipërisë, të çdo lloji, qoftë ky një libër i mirë apo i keq.
Në shumicën e kësaj tradite kulturore, figura e Skënderbeut, ikona kombëtare e shekullit të pesëmbëdhjetë ka qenë gjithmonë qendrore, duke mishëruar imazhin heroik të rezistencës më të spikatur popullore shqiptare kundër pushtimit osman. Para tij në gojëdhëna kishte vetëm shtypje, disfata, mister dhe pasiguri. Këta faktorë negativë u rishfaqën pas vdekjes së tij, me vendosjen e qindra vjetëve të sundimit osman. Pas Skënderbeut, shqiptarët u ‘zhdukën’ në Perandorinë Osmane, për t’u rishfaqur në traditën letrare angleze në periudhën romantike nëpërmjet Bajronit dhe përshkrimeve në poezitë e tij në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Në Francë, një autor si Pukëvili (Pouqueville) kreu të njëjtin rol. Pas rënies së Ali Pashës ndodhi një tjetër eklips i shkurtër, dhe pastaj historia shqiptare ‘filloi përsëri’ të flasë, në këtë perceptim, në periudhën e Rilindjes të mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë që përkon me ripërtëritjen e ndjenjave kombëtare me formimin e Lidhjeve të Prizrenit dhe të Pejës, pas vitit 1878. Kongresi i Berlinit pa mbërritjen e çështjes shqiptare në stadin diplomatik europian. Një brez pas saj erdhi shfaqja e ngadaltë dhe e pasigurt e shtetit të ri kombëtar shqiptar pas rënies së sistemit otomaniii.
Pas pavarësisë në vitin 1912 dhe dështimit të aspiratëse për bashkimin kombëtar të shqiptarëve në konferencat e mbajtura para Luftës së Parë Botërore, historia shqiptare u përfshi në krizën rajonale që gllabëroi Ballkanin gjatë dhe pas konfliktit botëror. Mbijetesa e kombit ishte problematike dhe pa angazhimin e Shteteve të Bashkuara për një shtet të pavarur shqiptar në periudhën e negociatave të Traktatit të Versajës, kishte të ngjarë që ky territor të ishte ndarë midis Greqisë dhe Serbisë. Historia e periudhës midis luftrave është e njohur mirë, me monarkinë e brishtë zogiste që po gëlltitej nga Italia fashiste e Musolinit në vitet 1930.iv Çfarëdo interpretimesh që janë bërë për atë periudhë, në kuptimin e atmosferës së përgjithshme të historiografisë, duhet thënë se imazhet heroike ishin të pakta. Vetëm në historinë e Kosovës kanë zenë vend episode të tilla dhe këtu flitet për martirizimin, me figura të tilla si Bajram Curri dhe Hasan Prishtina, të cilët luftuan për nacionalizmin shqiptar parimor, duke humbur jetën e tyre në rrethana poshtëruese dhe të vështira.
Por me Luftën e Dytë Botërore, pushtimi nga forcat e Boshtit i Shqipërisë dhe Kosovës siguruan një terren ku diskutimi tradicional i rezistencës heroike ndaj pushtimit kombëtar mund të rifillonte. Ushtria komuniste partizane u përshtat me sukses ndaj instinkteve natyrore të pjesës më të madhe të shqiptarëve kundër forcave të Boshtit, duke zhdukur forcat e tjera të rezistencës, dhe bëri një rezistencë të shquar ushtarake në vitet 1943-1944 për çlirimin e kombit. Duke vepruar kështu, natyrshëm kryen edhe një luftë civile kundër nacionalistëve jo komunistë të bazuar kryesisht në veri të vendit, disa nga të cilët, si familja Kryeziu kishin qenë patriotë dhe që nuk kishin bashkëpunuar me forcat e Boshtit.
Ushtari partizan si individ u bë hero universal, ndërsa nga ana tjetër vetë Partia Komuniste përvetësoi heroiken, pasqyrimin e një kombi të vogël dhe të shtypur që gjeti sërish forcën, për të luftuar kundër pengesave të mëdha të forcave të huaja, dhe për t’i kapërcyer ato. Por ndërsa partizanët padyshim që dominuan forcat e rezistencës në Shqipëri, dhe triumfuan, në Kosovë dhe Çamëri dhe në trevat me shumicë shqiptare në atë që u bë Republika Socialiste e Maqedonisë në kuadër të Jugosllavisë së dytë, historitë në këto vende të ndryshme ishin shumë të ndryshme. Në Çamëri / Threspoti në Greqinë veri-perëndimore popullsia e mbetur shqipfolëse u dëbua ose u vra në vitin 1944 mbi bazën e bashkëpunimit të pretenduar me forcat e Boshtit nga milicia e djathtë e Napoleon Zervës, ndërsa në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore vetëm shumë pak shqiptarë etnikë kishin qenë aktivë me partizanët titistë. Shumica kishin qenë të lidhur me lëvizjen nacionaliste të pavarur të Ballit Kombëtar e cila u mund dhe u arratis. Kishte partizanë çamë, siç thekson Enver Hoxha në librin e tij mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke “Dy popuj miq”, por ata ishin të paktë në numër dhe në situatën kaotike ushtarake në Epir ndërsa fuqia e Boshtit mori fund, çamë të tjerë luftuan në ushtrinë e rezistencës komuniste ELAS dhe disa me Ushtrinë Komuniste Demokratike në fazat e mëvonshme të Luftës Civile greke. Numri i vogël i luftëtarëve partizanë shqiptarë të Kosovës, më i shquari ndër të cilët, Fadil Hoxha u bë më vonë udhëheqës i Lidhjes së Komunistëve në Kosovë, kishte për të kapërcyer trashëgiminë e vështirë të pjesëmarrjes shqiptare në Kosovë në Divizionin SS nazist ‘Skënderbeg’, i cili ishte përdorur kundër partizanëve malazezë në fazën e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në Kosovë lideri më i aftë ushtarak i partizanëve shqiptarë etnikë, Kolonel Qemal Brovina u radhit në vitin 1948 me ata që ishin në favor të linjës ruse dhe ai u arrestua nga policia sekrete e Titos dhe u burgos në kampin e punës Goli Otok në Adriatik.v
Në vitin 1945, komunistët shqiptarë trashëguan këtë histori të vështirë. Kjo ishte një histori e pranisë kulturore dhe letrare në Perëndim, si dhe një prani antropologjike e hulumtimeve të udhëtarëve të hershëm si Mary Edith Durham, ashtu si historia mbizotëruese e Serbisë në botën anglisht-folëse ishte (dhe mbetet) ushtarake, ‘roje te porta’ siç tregon titulli i librit të midis luftërave të R.G. Laffan.vii Ajo kishte qenë paraprirë nga vepra të shumta, pak a shumë libra propagandistikë mbi marrëdhëniet britaniko-serbe në periudhën e Luftës së Parë Botërore. Një titull domethënës është ai “Serbia – Parajsa e të varfërit” i Herbert Vivian.viii Vështirësitë e periudhës së Zogut dhe rënia e kombit nën shtypjen e Italisë fashiste të Musolinit i shtuan vështirësitë për historianët. Kishte pak histori të ‘mirë’ për t’u rrëfyer në shekullin e njëzetë pas Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912. Në kuptimin e ndarjes me periudha, kemi një shekull të nëntëmbëdhjetë të shtrirë dhe shumë ‘të gjatë’ në historinë shqiptare, duke filluar nga rreth 1810-a dhe përhapja e njohjes së Ali Pashës, deri në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, e cila u fitua vetëm në shekullin e njëzetë më 1912. Për studiuesit britanikë të fokusuar mbi origjinën dhe zhvillimin e idealit kombëtar jugosllav, periudha e ringjalljes kombëtare shqiptare, Rilindja dhe Pavarësia, nuk dha një figurë të vetme heroike të ‘babait themelues’ për t’u krahasuar me Vuk Karaxhiçin në historinë kulturore serbe. Heronjtë shqiptarë të Kosovës ishin luftëtarë, aktivistë, si Isa Boletini dhe Hasan Prishtina, sikurse kishte qenë në të vërtetë edhe Skënderbeu. Shkrimet e historianit të madh prusian Leopold von Ranke krijoi një model të ngjashëm të perceptimeve në botën gjermanike, ku studimi i tij për shfaqejn serbe dhe malazeze nga botët otomane dhe veneciane në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, krijuan kredencialet ‘heroike’ të këtyre kombësive si faktorë kryesorë në Ballkanin pas Napoleonit.ix
Në vitet e pas Traktatit të Versajës dhe marrjes së pushtetit nga Ahmet Zogu (i cili më vonë u bë Mbret), pak shkrime të konsiderueshme historike u prodhuan në Shqipëri. Tradita historike ishte ende kryesisht gojore, kjo ndodhte më së shumti edhe ne Jugosllavinë e sapo-krijuar. Ishte koha e veprës me krijime të zgjedhura të folklorit epik të Lordit Albert, Milman Parry-i e të tjerëve, ndërkohë që veprat epike i tejkalonin kufijtë kufijtë bashkëkohorë të kombit, sikurse tregon përzgjedhja e Parry-t për kufijtë aktualë shqiptaro-malëzezë dhe serbë. Këto krijime epike ishin në një kuptim real, historia e etnosit në këndvështrimin Rankeian. Shtysë themelore e qeverisë së re komuniste pas vitit 1945 ishte për ta vënë historinë, ashtu si dhe pjesët e tjera të shoqërisë, në baza “shkencore”. Kjo bëhej për të kombinuar me fushatat kundër analfabetizmit masiv – para vitit 1939 vetëm një pjesë e vogël e popullsisë mund të lexonin dhe shkruanin, ndërsa arsimi i mesëm dhe i lartë nuk mund të imagjinoheshin jashtë disa qyteteve më të zhvilluara si Korça dhe Shkodra, madje në një farë mase edhe në kryeqytetin Tiranë. Në zonat rurale dhe malore, analfabetizmi ishte thuajse masiv.
Kjo fushatë kundër analfabetizmit bëri që të dukeshin disa përparime të ndjeshme drejt modernitetit në disa fusha. Në zhvillimin e arsimit të lartë, pas vitit 1955, në disiplinën kryesore të historisë së lashtë të arkeologjisë ishin shënuar përparime. Ata u ngritën mbi përpjekjet e paraluftës të arkeologëve të huaj si Ugolini në Butrint dhe Leon Rey në Apolloni, të cilat u morën përsipër nga një brez i ri i studiuesish vendas, si Hasan Ceka. Ky hulumtim u përqendrua në objektivin e përforcimit të origjinës ilire të popullit shqiptar, si dhe të fillesës së tyre.x Pra, në shumë mënyra, kjo shënoi sjelljen e çështjeve bashkëkohore kombëtare në traditën intelektuale shqiptare. Puna ndoshta mund të krahasohet me vendosjen e gurëve të themelit për një ndërtesë të madhe, që kishte të bënte me ndërtimin e një historie në vazhdimësi të aktivitetit dhe arritjeve shqiptare. Ilirët ishin kooptuar në ‘idealin heroik’ të komunizmit në të tashmen shqiptare, me gjithë implikimet e zakonshme të një etnosi që luftonte kolonizimin e jashtëm nga Greqia dhe Roma. Por sigurisht, dihet pak për shumë aspekte të shoqërisë ilire, pasi ata fare pak gjëra të shkruara kanë lënë pas. Kështu ata kanë kontribuar ndjeshëm në bërjen heroike, por pjesërisht mitike – të imazhit të së kaluarës shqiptare, ndërsa disa figura të shquara të botës klasike dhe atë para-klasike, si mbreti Pirro i Epirit, ishin quajtur proto-shqiptarë.
Pirro është simbolikisht i rëndësishëm, pasi e kaluara e tij ishte e lidhur me rezistencën ndaj pushtimit të huaj dhe mbrojtjen e territorit të vendit, një temë kryesore politike kjo për komunistët shqiptarë gjatë gjithë periudhës së sundimit të tyre nga viti 1945 deri në 1990. Regjimi komunist mund të thuhet se ka pasur disa suksese të vërteta në këtë drejtim, ndërsa arsimi shqiptar deri në ditët e sotme i ka pranuar këto ‘zbulime’, si pjesë e urtësisë së pranuar kombëtare dhe që është tërësisht e pakundërshtueshme. Rrëfimi i komunistëve ka vazhduar të mbetet një rrëfim kombëtar edhe gjatë viteve të gjata të qeverisë së djathtë të Dr. Sali Berishës në periudhën post-komuniste. Është ndoshta domethënëse se statuja e madhe e Partizanit heroik që simbolizon çlirimin e qytetit ka mbijetuar në qendër të Tiranës gjatë periudhës së Berishës, pa shqetësim, ndërkohë që pothuajse të gjitha monumentet e krijuara gjithandej në kohën e Partisë së Punës janë shkatërruar, duke përfshirë edhe të gjitha statujat e vetë Enver Hoxhës. Partizanët me imazhin e tyre heroik vendor kanë mbetur të ngulitur në një mënyrë të ndershme në shkrimet historike si dhe në artin publik historik dhe praktikën ikonografike. Polemikat e forta mbi përpjekjet e qeverisë së parë Berisha ndërmjet viteve 1992 dhe 1996 për të modernizuar mozaikun në pjesën ballore të Muzeut Kombëtar në Tiranë kushtuar Luftës së Dytë Botërore e ilustrojnë më së miri këtë situatë. Kjo sigurisht nuk është e vërtetë për periudha të tjera të historisë kombëtare, siç demonstrohet me një pamje nënçmuese nga autori i shquar Ismail Kadare për të gjithë periudhën osmane të historisë shqiptare. Kur në vitin 1996 qeveria turke pagoi për ngritjen e një statuje në qendër të Tiranës, për një Pasha të shquar që kishte kontribuar në themelimin e qytetit osman, këshilli i qytetit u kritikua gjerësisht pse e lejoi atë.
Në Kosovë dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë situata me shkrimet historike ka qenë mjaft e ndryshme. Në këto hapësira që nga viti 1990, historia e periudhës së Luftës së Dytë Botërore ka ndryshuar tërësisht, kështu që në një qytet të rëndësishëm si Tetova, ekziston vetëm ai rrëfim që mund të quhet ‘ballist’ dhe në mësimdhënie nëpër shkolla dhe në tekstet e reja, si dhe në studimet vendore të bëra kohët e fundit nga historianët shqiptarë të Maqedonisë, pothuajse pa përjashtim mishërojnë tregimin ballist. Në Gostivar dhe në treva të tjera perëndimore të FYROM-it/Republikës së Maqedonisë statujat partizane janë dhunuar dhe shkatërruar shpesh gjerësisht. Tradita partizane këtu, ashtu si në pjesën më të madhe të Kosovës, është parë nga shqiptarët si ‘sllavokomuniste’, ku raca, etnia dhe një opinion marksist janë shkrirë në një. Në përdorimin e këtij termi, nacionalistët shqiptarë mbi të Djathtën politike duken të pavetëdijshëm pasi ata janë duke përdorur një term që është shpikur në Greqinë nacional-shoviniste të Metaxasë; transferimi i kuptimit nga zbulimet arkeologjike rreth Ilirisë së lashtë te shkrimet historike ka qenë i vështirë.
Në qendër të praktikës komuniste ishte kërkimi për histori të ‘mirë’ kombëtare, siç tregohet më lart. ‘Mirë’ domethënë ‘heroike’. Historia e lashtë ishin transformuar nga arkeologët nga ‘keq’ – imperializmi i lashtë grek dhe pushtimi romak – në ‘mirë’ ku kishte tani një shfaqje të botës indigjene ‘ilire’ – edhe pse lidhja e saktë me shqiptarët moderne është e mezidukshme për disa. Por antikiteti i vonë dhe periudha mesjetare ishin shpesh të panjohura, me vetëm përcaktimin e një populli shqiptar në njëfarë mënyre. Periudha e Skënderbeut u pasua nga e ashtuquajtura ‘zgjedha osmane’. Arkeologjia shkencore ishte ndoshta trashëgimia më e qëndrueshme e periudhës së hershme komuniste. Ajo ndryshoi ekuilibrin e gjithë rrëfimit, siç është provuar bota klasike në Shqipëri, ku lavdia greke dhe romake në një qendër si Butrinti është ndërtuar në fakt fizikisht mbi muret e lashta ilire. Kjo i kujtonte Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij se Shqipëria ishte e rrethuar nga fqinjë armiqësorë, sidomos Greqia, e cila shpesh kërkon të denigrojë trashëgiminë e lashtë ilire dhe kjo ishte dhe ende është e lidhur me disa mendje ekstremiste greke për ambiciet irredentiste për të aneksuar pjesë të Shqipërisë jugore.
Nëse e kaluara e lashtë ishte edhe ilire, si edhe greke dhe romake, Shqipëria ishte më e sigurt si një shtet. Kështu, kur historia nacionaliste e kombeve të tjera të Ballkanit si Kroacia ishte ngritur gjithashtu mbi ‘Ilirianizmin’, diku tjetër ai ishte pjesë e një narrative të shekullit të nëntëmbëdhjetë, që më vonë u modifikua ndjeshëm dhe aspektet ilire ose u zbehën, ose u braktisën krejtësisht nga periudha e Traktatit të Versajës, në Shqipëri nuk ishte ndërtuar ashtu siç duhej mbi baza racionale deri pas vitit 1945. Ndërsa arkeologjia, ndryshe nga gjuhësia, është gjithashtu një temë gjerësisht popullore studimi nga akademitë dhe universitetet e huaja, ndërsa lidhjet me diskutimet popullore mbi ndërtimin e identitetit kombëtar në rrugë gjuhësore nuk janë bërë. Ka me qindra programe në televizionet europiane dhe amerikane çdo vit të frymëzuara nga zbulimet arkeologjike, por pak ose asnjë nuk ka që të lidhet me shkencat gjuhësore.
Si u kapërcyen këto boshllëqe dhe pengesa? Historia që jepej në shkolla dhe tekstet mësimore ishin një problem parësor. Në mungesë të një universiteti funksional në Tiranë për disa vjet pas 1945-s, çështjet e mësimdhënies së historisë në arsimin e lartë ishte urgjente. Pas shkëputjes me Titon në vitin 1948, imazhet pozitive të jugosllavizmit, në kuptimin më të gjerë, u hoqën nga programet mësimore. Gjithsesi, një dimension ‘grek’, ishte ruajtur. Zbulimet arkeologjike tregonin se ishte e pamundur të lije pas dore rolin e kolonizimit klasik grek në sjelljen e urbanizmit dhe ‘qytetërimit’ në trevat jugore shqiptare. Por ndoshta më i rëndësishëm ishte roli i shqiptarëve në Luftën greke të Pavarësisë. Kjo prodhoi imazhe heroike për të rinjtë e pjesëmarrjes shqiptare (udhëheqja shqiptare në disa vende, si në ishujt Hidra dhe Spetses, ose pjesë të Epirit jugor) në luftën për pavarësinë greke si edhe në luftën e gjatë anti-osmane. Imazhet ishin gjithashtu tradicionalisht të përshtatshme si, fjala vjen, për luftën e burrave (apo grave, siç ishte rasti i Bubulinës, heroinë detare arvanitase në ishullin e Spetses në Gjirin e Saronikut) që me armë në dorë luftuan kundër një okupatori të huaj. Për Hoxhën dhe komunistët kjo ishte një histori shumë e dobishme. Heroikja kishte hyrë në tregimin modern nacionalist. Megjithatë, edhe në këtë periudhë ka pasur vështirësi. Figura e tmerrshme e Ali Pashës paraqet probleme për historiografinë shqiptare. Ai ishte padyshim ‘shqiptar’ në kulturën e tij të përgjithshme, por ai ishte gjithashtu një epirot që fliste mirë greqisht dhe ishte një tiran autoritar dhe shtypës i popullit. Edhe në vitet 1990 ishte e mundur të shihje vendbanimet e braktisura në Shqipërinë jugore që kurrë nuk qenë rindërtuar pas luftërave midis bejlerëve në periudhën e sundimit të tij dhe zhvillimet e mëvonshme kaotike.
Në pedagogjinë hoxhiste u përshtat një metodë shumë autoritare, nga ‘lart poshtë’ e ‘ndriçmit’ kombëtar. Një format me ‘pyetje dhe përgjigje’ ishte miratuar në mësimdhënien e historisë në shkolla, të cilat nxënësit i mësonin përmendsh. Kishte përgjigje ‘e drejtë’ dhe ‘gabim’ në të gjitha problemet historike, ndërsa nuk ishte inkurajuar debati i bazuar në dëshmi. Debati në arsimin e lartë ishte gjithashtu i rrallë, edhe në Universitetin e Tiranës, pasi ai u krijua, ndërsa hulumtimet objektive historike, përveçse në arkeologji, nuk ekzistonin. Përgjigjet ishin shpesh të kufizuara sa dhe pyetjet, ndërsa disa aspekte të teksteve shkollore të historisë në fillim të periudhës komuniste kanë një cilësi fetare që mund të shihet më shumë si një kundërmim i mësimit fetar se sa mësimdhënie normale e historisë. Kjo, sigurisht, mund të vërehet se nuk ishte e re në kulturën shqiptare, apo një produkt i prioriteteve marksiste-leniniste apo politikës enveriste. Thënia e famshme e nacionalistëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë se ‘Feja e shqiptarit është Shqiptaria’ e përmbledh këtë mjeshtërisht. Të kuptuarit e studimit historik është kështu në njëfarë kuptimi hegelian, me shpalosjen e një shpirti kombëtar shqiptar, i cili ka ngjyrime të ndryshme fetare. Arkeologjia u bë teologjia praktike e historisë kombëtare. Me gjuhësinë, ishte vendimtar krijimi shkencërisht i themeleve ilire të tablosë kombëtare.
Ajo është gjithashtu një perspektivë thellësisht elitiste, sepse fryma kombëtare mund të jetë në zemrën e të gjithëve, por jo edhe në aftësitë e tyre intelektuale. Ndërmjetësit e arsimuar ishin të domosdoshëm. Para vitit 1945 ata thuajse nuk ekzistonin. Në periudhën zogiste, edukimi shkollor kishte qenë i kufizuar për elitën vogël urbane, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Korçë dhe Elbasan. Nën regjimin e Hoxhës, u ndërmor një fushatë masive arsimimi e përhapur në të gjithë vendin, duke ndjekur në shumë mënyra atë që kish ndodhur në Rusi pas revolucionit bolshevik, apo në Kinë pas vitit 1949. Në aspektin e të kuptuarit popullor të historisë, tradita gojore mbeti shumë e rëndësishme, si kudo në Ballkan, kështu që fëmijët e vegjël në shkollë mësonin se si të shkruanin fjalët e këngëve që kishin mësuar tashmë në prehërin e gjysheve të tyre. Një rrëfim i unifikuar dhe i zhvilluar i historisë kulturore dhe gjuhësore ishte një thirrje më shumë për të përforcuar ndërgjegjen kombëtare dhe për të mbuluar problemet e të kaluarës politike dhe ushtarake. Por sigurisht kjo traditë gojore ishte ajo e ‘shqiptarëve’, jo e ‘Shqipërisë’ së pas vitit 1912 . Partia e Punës e Shqipërisë u bë ndërmjetësja që interpretoi frymën historike kombëtare pas vitit 1945, dhe që nuk do të duronte dot kundërshtime për interpretimet që bënte, por mbijetesa e traditës së madhe historike gojore do të zbuste kuptimin e rolit të tyre, për, fjala vjen, figura të tilla si Skënderbeu dhe Isa Boletini që ishin heronj të gjithë shqiptarëve, sikurse tregon statuja madhështore e këtij të fundit, që u ngrit në periudhën komuniste në qytetin përgjithësisht anti-komunist verior të Shkodrës.
Kështu mendimi i intelektualëve komunistë pas vitit 1945 në shumë çështje historike dhe kulturore ishte i padallueshëm nga ai i shumicës së njerëzve, ndonëse shumë njerëz nuk e pëlqyen instalimin e komunizmit. Kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar se atë që kanë shprehur shumë vëzhgues të huaj për mbijetesën e diktaturës Hoxha më shumë se sa pritej, në periudhën e krizës së përgjithshme të regjimeve komuniste të Europës Lindore në vitet 1980, që kulmoi me rënien dramatike të viteve 1989-1990. Ajo gjithashtu ndihmon për të shpjeguar vështirësitë që ekzistojnë ende në historiografinë kombëtare. Komunistët nuk kishin asnjë problem me historinë kulturore; në fakt ata e kanë përdorur atë me zgjuarësi për qëllimet e tyre. Ajo u plotësua shpejt nga historia ushtarake e cila pas viteve 1950 shpejt u bë shumë e rëndësishme. Kjo gjithashu reflektoi një ngushtim të pikëpamjeve, një refuzim të mbarëshqiptarizmit në përkufizimin e çështjes kombëtare. Për Partinë e Punës, historia ushtarake, thuajse ekskluzivisht ajo e partizanëve në Luftën e Dytë Botërore ngushtoi fokusin mbi Shqipërinë dhe përjashtoi përfundimisht Kosovën dhe shqiptarët e tjerë fqinjë në një masë të jashtëzakonshme, kështu që në botimet e mëvonshme të historisë zyrtare të Partisë së Punës së Shqipërisë nuk përmendej Kosova. Historia e shqiptarëve në Ballkan në përgjithësi u ngushtua dhe u zhvendos në historinë e vetëm Shqipërisë. Rrëfimi ishte dominuar gjithmonë nga luftërat vendore dhe rezistenca ndaj sundimit të huaj, sidomos atij osman, natyrisht. Rezistenca komuniste partizane ndaj pushtimit të Boshtit në Luftën e Dytë Botërore ishte parë si trashëgimtarja e vetme legjitime e kësaj tradite. Megjithatë, ajo nuk mund të jetë një zëvendësim për një histori koherente kombëtare që mbulon periudhat shumë më të hershme dhe, mbi të gjitha, përvojën historike të shqiptarëve gjatë shekullit të njëzetë, të cilët deri në Luftërat Ballkanike (1912-1913) kishin jetuar së bashku në sistemin osman pa ndarje nga kufijtë e rinj shtetërorë. Në tekstet komuniste, ka pasur shumë, shumë mangësi.
Çfarë ishte lënë jashtë qëllimisht, si periudha me disa nga aspektet jo ‘heroike’? Kjo ishte një periudhë madhore. Kjo është periudha e antikitetit të vonë dhe Bizantit. Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij ndiheshin komodë me botën arkaike dhe antikitetin klasik, siç u tregua më lart, ndërsa origjina ‘ilire’ e disa perandorëve të vonë romakë ishte gjithashtu e dobishme. Por pastaj dolën vështirësitë. Bizanti ishte një entitet i pakëndshëm për nacionalistët shqiptarë dhe intelektualët marksistë. Kjo ishte një perandori transnacionale me greqishten si gjuhë e saj kryesore, kristianizmi ortodoks jo vetëm ishte fe kryesore, por edhe që mishëronte në thelbin e vet strukturat shtetërore si dhe aparatin ideologjik të shtetit. Në Bizant, pasardhësit e ilirëve në antikitetin e vonë dhe në periudhën e hershme mesjetare, proto-shqiptarët, janë praktikisht të padukshëm. Njohuritë moderne bizantine që shpesh theksojnë kontradiktat dhe diversitetin brenda Bizantit dhe më pak përqendrohen në rolin e gjuhës greke nuk janë ende evidente. Edhe pse fjala “shqiptar” shfaqet për herë të parë në një kronikë bizantine, ne dimë pak për këta njerëz të cilët me të vërtetë ishin. Vepra prej dijetari e Alain Ducellier në Francë dhe historianë të shumtë në Shqipëri e kanë ndryshuar tani këtë, por zbulimet e tij nuk ishin në dispozicion të historianëve shqiptarë deri pas viteve 1960. Është gjithashtu e vërtetë se Ducellier ishte një nga themeluesit e historisë së Adriatikut, po aq sa dhe historisë së Shqipërisë. Shqipëria e tij dhe shqiptarët janë një popull bregdetar, më shumë se një popull malësor, dhe kjo është e rëndësishme në diskutimin e disa çështjeve që përfshijnë formimin dhe ndërtimin e identitetit kombëtar modern.
Çështja qendrore me Bizantin pas vitit 1945 për intelektualët shqiptarë ishte ajo “greke” në një kuptim shumë të veçantë, kur roli i trashëgimisë ortodokse të besimtarëve kryesisht jugorë ishte e vështirë për t’u trajtuar për Hoxhën dhe Partinë e Punës. Shumë besimtarë ortodoksë kishin luftuar si shqiptarë patriotë kundër pushtuesve të Boshtit dhe disa kishin qenë heronj dhe heroina partizane. Shumë familje jugore përfshinin si anëtarë të familjes që ishin praktikues të besimit ortodoks dhe gjithashtu anëtarë të Partisë së Punës. Ata erdhën nga pjesa e vetme e Shqipërisë, në jug, ku kishte mbështetje aktive dhe të rëndësishme popullore për komunizmin, ndryshe sidomos nga katolikët të përqendruar në qytetin e Shkodrës dhe në veri-perëndim të vendit. Disa anëtarë të minoritetit grek ishin bërë edhe komunistë aktivë, si në nivel lokal në zonën e minoritetit në jug-perëndim, ndërsa disa edhe në organet më të larta të Partisë së Punës. Por vetë Greqia nën qeverinë e saj monarkiste pas përfundimit të Luftës Civile në vitin 1949 ishte një armik kryesor i Shqipërisë, ndërsa teknikisht ekzistonte një gjendje lufte midis dy vendeve (dhe vazhdon ende në kohën e këtij shkrimi). Shqipëria kishte strehuar refugjatët grekë pas disfatës së Ushtrisë Demokratike në vitin 1949, si dhe kishte dhënë në forma të ndryshme ndihmash praktike, ndërkohë që konflikti i Luftës Civile ishte në zhvillim e sipër. Refugjatët çamë kishin vërshuar në jug të Shqipërisë pas vitit 1944 dhe në popullatën e përgjithshme ata kanë mbetur në kujtesë si një nga aktet më të këqija të nacionalizmit dhe irredentizmit grek.xi
Periudhat e tjera prodhuan pak histori të dobishme, nga pikëpamja e enveristëve, por kjo nuk ndali prodhimin e koncepteve historike, vlera e të cilave është e dyshimtë. Mbretëritë feudale (në qoftë se kjo nuk është një fjalë e dalë mode) të Arbërit sigurisht kanë ekzistuar, por në atë kuptim që ata ishin shqiptarë (ose ‘Mbretëri’, ose ‘Feudale’) shpesh është e paqartë. Koncepti rrjedh nga statusi kanonik i shkrimeve të George Ostrogorskit (dhe shumë të tjera europiano-lindore) në historinë shqiptare të kësaj periudhe.xii Historianët zyrtarë të periudhës së Hoxhës, Arben Puto dhe Stefanaq Pollo i bazojnë pikëpamjet e tyre të periudhës në ato të Ostrogorskit dhe në një mënyrë të veçantë jokritike. Në periudhën osmane historia e elitës shqiptare nën Perandori, me asimilimin e tyre efektiv dhe përdorimin e gjuhës turke, do të thotë se historia e tyre është pjesë e asaj bote osmane, ndërkohë që në trojet shqiptare pjesa më e madhe e prodhimit letrar mbështetet jashtëzakonisht në traditën gojore dhe praktike.
Kështu historiografia shqiptare në periudhën aktuale është përballur me shumë çështje të pazgjidhura, ndoshta më e rëndësishmja qëndron në paqartësinë rreth asaj se sa larg historia e shqiptarëve brenda kufijve të shtetit aktual me të vërtetë është e pavarur nga ajo e shqiptarëve farefisnorë në shtetet fqinje dhe me historinë më të gjerë të shteteve fqinje në përgjithësi.xiii Vendet ballkanike janë marrë shumë më gjatë se qeveritë komuniste për të zgjidhur këto çështje komplekse nga sa mund të pritej, ashtu siç është harxhuar më shumë se sa mund të pritej në vitet 1990 për rajonin në ecjen drejt demokracive të qëndrueshme e të pavarura.
(Autori Prof. James Pettifer (Oxford University) 

“Letërsia si vend kujtese” dhe antikujtesa si rrezik i përhershëm


lela-a
Nga Alfred Lela.
E bija e poetit Zef Zorba është një prej atyre që kërkojnë fjalën. Në mjediset e Kishës Françeskane në Shkodër, personazhe dhe mbiemra si i saji, dikur linçoheshin publikisht në gjyqe të hapura para se të mbylleshin në biruca apo të udhëtonin, duart e lidhura me hekura, drejt togës së pushkatimit, në zallin e Kirit apo në yrte të tjerë të shkretë.
Tani, ata janë shumë më të kthjellët se persekutorët e tyre të dikurshëm dhe kërkojnë shumë pak. Një vend në kujtesë, për shembull. Zonja Zorba don të dijë se pse gazetat e Tiranës nuk botojnë më shumë dëshmi të persekucionit komunist dhe pse tekstet e autorëve të letërsisë së burgjeve dhe persekutimit nuk bëhen pjesë e librave shkollorë. E thotë pa ndonjë shkulm zemërimi, me të njëjtën qetësi si të fliste për rritjen ekonomike apo një park që i mungon qytetit.
Ky është leksioni i parë që jep dhe ajo çka merr është gjithmonë më pak se kaq. Për shembull, letërsia apo literatura e burgjeve, zë më pak vend në tekstet shkollore se letërsia e realizmit socialist. Domethënë viktima është sërish në gjunjë para persekutorit. Arsyet kanë të bëjnë sa me faktin që mentalitetet lëvizin dhe shndërrohen ngadalë – edhe 25 vjet pas shkyçjes, shqiptarët ende mendojnë në termat e kufizuar, të cilët pikërisht metoda zhdanioviane ua nguliti – aq edhe me atë se metodistët dhe dishepujt e tyre janë ende gjallë dhe të pushtetshëm.
Emrat e disa prej autorëve të letërsisë së persekutimit apo burgjeve, ende tingëllojnë reaksionarë, kolaboracionistë, klerikalë e të tjerë. Gazetat janë një histori më vete: disa prej tyre nuk janë të kompleksuara (dhe ndoshta më mirë kështu) nga mbrojtja që i bëjnë enverizmit në veçanti dhe komunizmit në përgjithësi. (Mbeten, pak a shumë, fletushka që ende i nxjerr Fronti Demokratik i Nexhmije Hoxhës.) Ato e shpallin Mehmet Shehun hero e luftëtar të madh, edhe pse vetë i biri, Bashkim Shehu, në një akt të pashembullt emancipimi intelektual e përunjësie njerëzore, distancohet prej tij. Të tjerë periodikë botojnë kujtime sekretarësh e merhumësh të tjerë të eskortave të Byrosë e të Bllokut, ku Udhëheqësi me sejmenët e tij paraqiten si beninjë, një grup njerëzish, të cilët udhëheqësia e këtij populli i lodhte, por ata nuk e linin veç për hir të tij.
Ia kujtoj zonjës Zorba dhe të tjerëve në sallë, shumica trashëgimtarë familjesh të vjetra shkodrane, që komunizmi i përndoqi për 46 vjet, se gjithçka nuk është humbur, siç asgjë nuk është fituar. Ndërkohë që ‘Rrno për me tregue’ i at Zef Pllumit e ka fituar qytetarinë duke u pranuar si një tekst i vuajtjes, integritetit dhe dëshmisë së tmerrit komunist, beteja e kujtesës me antikujtesën, vazhdon. Për shembull, te modeli që përhapin filmat e Kinostudios Shqipëria e re, këta banorë të përhershëm të ekraneve tona, ku prifti, zogisti, ballisti, kulaku, tregtari, borgjezi, shpërfaqen si personazhe negative.
Apo faktin tjetër se si Konferenca e Pezës për shembull, është shndërruar në një event cool të mbrëmjeve të vjeshtës, duke u bërë Peza n’Fest, ndërkohë që Mukja mbetet ende një vend ku ca ballistë e zogistë deshën t’ua hedhin partizanëve (duke futur çështjen kombëtare në një dokument?!). Pa harruar Postribën, vendin e së parës kryengritje antikomuniste në Europë, ku përkujtohet çdo vit, jo akti i madh i shkodranëve dhe Malësive, por bëhet ceremoniali i një lidhjeje politike të hamendësuar, nën një organizim që i ngjan 5 majit të dikurshëm në komunizëm.
*Refleksioni është përpunim i kumtesës së mbajtur në Forumin “Letërsia si vend kujtese”, zhvilluar në Shkodër në datat 19-20 maj, nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

Krimet e komunizmit, qeveria po zvarrit tekstet shkollore

Nga Herion Mesi.
Raporti i ISKK: Nuk ka arkiv për emrat e të pushkatuarve 
pushkatimi

Qeveria shqiptare nuk është aspak e angazhuar për zbatimin e marrëveshjes që ajo ka nënshkruar me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në lidhje me përfshirjen në kurrikulat mësimore edhe lëndë që kanë të bëjnë me njohjen e nxënësve të shkollave dhe gjimnazeve me krimet e komunizmit, si dhe aspekte të përndjekjes e terrorit komunist mbi qytetarët shqiptarë. Denoncimi vjen nga vetë ISKK-ja, e cila, në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, pasqyron disa nga çështjet e veprimtarisë së këtij institucioni përgjatë vitit 2015.
E teksa nënvizon faktin se kjo marrëveshje e nënshkruar me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, ishte e para e këtij lloji, kreu i institutit, Agron Tufa, në raportin e tij, thekson se kjo marrëveshje nuk po funksionon, për mosangazhim të palës së MAS-it. “Në bashkëpunim me institucionet e rëndësishme shkencore, ISKK-ja ka arritur për herë të parë marrëveshjen më të rëndësishme me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve (MAS), duke nënshkruar një platformë të përbashkët për njohjen e nxënësve të shkollave dhe gjimnazeve me krimet e komunizmit, aspekte të përndjekjes dhe terrorit komunist mbi qytetarët shqiptarë, ku parashikohen një sërë veprimtarish të përbashkëta të koordinuara nga komisione dypalëshe (për pikat e kësaj marrëveshjeje të nënshkruar shih publikimin e marrëveshjes dypalëshe në sitin zyrtar të institutit). Marrëveshja e nënshkruar midis nesh dhe MAS-it, për fat të keq nuk është duke funksionuar, për mosangazhim të palës së MAS-it. Shpresojmë që ta zhbllokojmë në vijim ngërçin e parë”, thuhet në raport.
Pushkatimet pa gjyq
ISKK-ja thekson se tashmë e ka përfunduar punën hulumtuese në terren për të dhe ka evidentuar burgjet dhe kampet e punës së detyruar nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë, për të bërë një hartë sa më të saktë, ku të përcaktohet “topografia e terrorit komunist”, sipas qyteteve dhe trevave të Shqipërisë. “Po kërkojmë rrugë e mundësi të pajisjes së këtyre vendeve të vuajtjes me tabela, memoriale e pllaka përkujtimore”, thuhet në raport.
Ndërkohë, ISKK-ja ngre shqetësimin e mosekzistencës së arkivave të të gjithë personave që janë pushkatuar pa gjyq, pasi, sipas këtij institucioni, janë me mijëra qytetarët e pushkatuar në kohën e komunizmit dhe që emrat e tyre nuk gjenden në asnjë arkiv të shtetit shqiptar. Për këtë arsye, në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, me Shoqatat e të Përndjekurve Politikë që operojnë në çdo qytet e trevë të Shqipërisë, ka nisur një projekt i regjistrimit të saktë të mijëra qytetarëve të pushkatuar pa gjyq në vitet 1944-1955, emrat e të cilëve nuk gjenden në asnjë arkiv. “Zbardhja e fatit tragjik të këtyre qytetarëve është një detyrë e domosdoshme e institutit tonë dhe një hulumtim i saktë mbi numrin e qytetarëve të pushkatuar për të dhënat e sakta të shifrës së tyre, çka nuk përputhet aspak me të dhënat e deritashme zyrtare”, thuhet në raport.
Problematikat
Në vijim, ISKK-ja bën me dije se ende vazhdon të vuajë probleme të trashëguara burokratike, ende të pazgjidhura, të cilat i janë relatuar edhe më parë ligjvënësit, por që akoma nuk kanë gjetur zgjidhje. Një çështje e tillë ka të bëjë me çështjen e ambienteve në godinën ku është ngritur instituti. Në raport, ISKK-ja thekson se i është kërkuar ndihmë edhe Ministrisë së Brendshme dhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, por përgjigjja e tyre për zgjidhjen e këtij ngërçi ka qenë refuzuese. “Vazhdon të mbetet e pazgjidhur kontradikta që ndeshëm që në fillim, e që vazhdon të mbetet e pazgjidhur çështja e ambienteve të institutit.
Mirëpo ambientet e dhëna ISKK-së me vendim të Kryeministrit më 2011-n, kanë qenë që në fillim e vazhdojnë të jenë të zëna në masën 40% nga subjekte private që refuzojnë të paraqesin dokumentacionin, përkatësisht nga kafe-bar-restorant në kushtet kur instituti ynë është në krizë për ambiente. Duke qenë se instituti ynë nuk ka tagrin shtrëngues e detyrues në zbatim të këtij ligji, ne i jemi drejtuar me shkresë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë për ta zgjidhur këtë ngërç. Përgjigjja e këtyre dy instancave mbi çështjen e ambienteve tona të zëna, ka ardhur refuzuese. Ne na duket se ky është anashkalim i problemit, sepse me natyrën e kësaj çështjeje duhet të merret Agjencia për Inventarizimin dhe Administrimin e Pronave të Paluajtshme të Shtetit, e cila në bazë të ligjit dhe kompetencave përkufizon pronën tonë në bazë të genplanit që shoqëron vendimin e Kryeministrit”, thuhet në raportin e ISKK-së.
Ndërkohë, instituti ngre shqetësimin e mungesës së stafit për të përballuar detyrat e ngarkuara. “Shqetësimi ynë i përsëritur dhe më i madh ka të bëjë me pamjaftueshmërinë e stafit për të përballuar detyrat, sidomos punën me mbledhjen, fotokopjimin, përpunimin, klasifikimin, aksesimin dhe shfrytëzimin e materialeve arkivore. Instituti ynë vazhdimisht ka kërkuar, së paku dhe pesë pozicione pune, për të përballuar nevojat e ngutshme të kërkimeve në arkiva dhe aktiviteteve shkencore. Nga pesë pozicionet e kërkuara edhe këtë vit, ndonëse u premtua në Komisionin e Ligjeve, asnjëri nuk u miratua”, thuhet në raport.

Spaç 11 prill 1985, kur diktatori nuk merrte më frymë

spaci2016

Nga Bedri Blloshmi.
Kjo humnerë është rrethuar nga të gjitha anët me kodra të larta e të rrjepura. Kjo gropë me reliev të thyer në fund të dy maleve, që qëndrojnë ballë për ballë, kanë të përbashkët dheun e djegur në ngjyrë të kuqerremtë. Shkuret e mbira luftojnë më natyrën për të mbijetuar në këto pllaja të djegura. Përpiqen të ngulin rrenjët e tyre të dobta në tokën e zhuritur. Në të dyja anët e përroit, i cili zhurmon nga uji i përzier me acidin e ngjyrat e kripura që dalin nga barku i nëntokës. Me siguri udhtari kur kalon këtyre anëve thot me vete: “Ky vend qenka i mallkuar! As zogjtë e malit nuk mund të jetojnë në të mendo pastaj për njeriun!”
Kjo sipërfaqe, që për asgjë s’vlen, kjo pamje e një krateri vullkani, kjo gropë gjigande, vetëm një mëndje djallëzore mund ta fut në punë. Kur bie biseda se si është gjetur kjo shkretëtirë, tregojnë se Sigurimi famëkeq i Shtetit e ka zbuluar me anë të fluturimeve me avion dhe e konsideroi të përkryer për të sjellë sklevërit e komunizmit barbar. Kjo gropë e egër dhe e djegur qëndronte e fshehur nga çdo sy. Ditën e 11 prillit kampi u gdhi me polici të përforcuar.
Shëtisnim me kokë ulur si mizat. Altoporlanti rënkonte nga zhurma e muzikës funebër. Punoja në zonën 2 të këtij ferri, në galerinë 20. Ishim turni i parë dhe e gjithë kodra e djegur u mbush me policë dhe shumë fytyra të panjohura të cilët na thërrisnin të dilnim nga galeria dhe të rreshtoheshim përpara kohe për t’u futur në kamp.
Te pikat ushtarake, jashtë rrethimit, dukej flamuri në gjysmë shtizë. Diçka kishte ndodhur. Kur na futën në vendbanim, në barakat buzë përroit, policëve të regjimit të brendshëm u dukeshin sytë të skuqur nga të qarat. Përpiqeshin të fshinin sytë me kurrizin e dorës.
U kuptua qartë se gjithë ky shqetësim dhe përforcim i oficerëve ia kishte frikën të burgosurve politikë të cilët mund ta shfrytëzonim këtë rast humbjeje për ata dhe rast gëzimi për ne. Ditën e 12 prillit u ngritëm shumë të gëzuar se morëm vesh që diktatori nuk merrte me frymë.
Atë natë e gdhiva i shtrirë në shtrat me kokën të mbuluar me batanije. Nuk vura gjumë në sy nga gëzimi. Gjatë gjithë natës, si brenda në kapanonin e fjetjes ashtu dhe jashtë tij, policia nuk ndali asnjë sekondë varavingot dhe ecejaket.
Në orën 5 shkuam në mensë, mora gotën e qumështit, e piva në këmbë me fjalët: “Gëzuar o shokë!” Dola nga mensa dhe i lashë porosi një shoku të na bënte një tenxhere me hallvë. Ishim tek kafazi në pritje të policëve për t’u nisur te galeritë vdekje-prurëse.
Më kujtohet si tani: qëndronim mbi urë me dy miqtë e mi, Agim Hamiti nga Dukati i Vlorës dhe Et’hem Ibrahimi po nga Vlora. Po bisedonim dhe po llogaritnim kohën se kur do liroheshim. Shefi i policisë, Josif Sadiku erdhi dhe më pyeti se kush ishte Et’hem Ibrahimi. E mori atë më vete dhe kaloi nga pjesa tjetër e kampit, ku rrinin ordinerët dhe u duk përsëri. Thirri emrin tim:
-Bedri Blloshmi?
-Këtu jam, i thashë.
-Hajde pas meje! – bërtiti.
U afrova.
-Të shoh shumë të gëzuar. Pse je kaq i qeshur? Ke ndonjë martesë apo fejesë nga shtëpia? Sot, kur e gjithë bota qan e mban zi për vdekjen e shokut Enver mban zi, ti qesh? Hajde shkojmë matanë të sqarohemi.
Na rrahën për vdekje. Na futën në birucë ku gjatë një muaji policët na rrihnin pa pushim. Për këtë ditë po botoj proces-verbalin se kush më raportoi dhe vendimet që u morën ndaj meje për këtë rast.
Më arrestuan dhe më dërguan në degën e Rrëshenit, ku më mbajtën për një kohë të gjatë. Më kthyen përsëri në Spaç dhe më thanë se nuk do dënohesh përsëri, sepse ishin të sigurt që unë do të flisja përsëri dhe kështu do ruanin rastin për të m’i dhënë të dyja dënimet bashkë. Aty më nxorën përpara kolektivit të të dënuarve dhe disa të dënuar kërkuan dënimin tim me pushkatim ose me varje në mes të kampit.
Dhe e gjitha kjo vetëm se u gëzova për vdekjen e diktatorit.

Jusuf Vrioni, Golgota e mundimshme e njeriut të përkorë dhe përkthyesit brilant

Jusuf-Vrioni-01
Jusuf-Vrioni-01

Nga Albert Vataj.
Plot 100 vite më parë më 16 mars të vitit 1916 lindi një prej personaliteteve më të spikatur të kulturës, Jusuf Vrioni. Tradita shqiptare e përkthimit ruan në kujtesën e vet emrat dhe veprën e shumë zelleve pasionante dhe vetmohuese, tokësorësh që me hirin e tyre të ngadhnjyesit ndërtuan ura komunikimi duke e bërë të përbotshme shpirtin dhe kumtin estetik shqiptar. Jusuf Vrioni është një prej atyre yjeve që shndriti në qiellin e këtij mrekullimi. Sot në këtë kremte i detyrohemi përunjësisht një kujtesë njeriut të përkorë, intelektualit të përmasave botërore, përkthyesit që mësoi të flasin frëngjisht kryeveprën e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Ai ishte dhe mbeti një shembull i pashoq i njeriut të mirë, modest dhe zemërbardhë. Megjithëse kjo nuk do ta shpëtonte nga thonjtë e përbindshëm të diktaturës. Gjithqysh ai mbeti i tillë, i tillë edhe kur bisha e horrorit nuk e ndali ferrin dhe nuk i’a kurseu flakët e tmerrit kësaj krijese të pafaj dhe paqësore.
Në librin “Kujtimet e një evropiani”, përgatitur nga studiuesi francez  Eric Fay ecën hap pas hapi Golgota e atij që u “kryqëzua” dhe u “ringjall” për të ardhur dhe riardhur pareshtur në kujtesën e gjeneratave, si një dëshmi e frikshme, si një e vërtetë ngjethëse që ka përshkuar kalvarin e një “Krishti” të hyjshëm. Vetëdija shqiptare ka nevojë të gjej aftësi përtëritëse në këtë shfletim të faqeve të ferrit komunist dhe të kuptojë më mirë regjimin, por mbi të gjitha njeriun e pafajshëm që mundi të sfidonte me qëndresën e tij titane. Dhe shembulli i Jusuf Vrionit është një emblemë e këtij kushtimi.
Rrëfimi ngjethës
Më kujtohet ajo ditë si një plagë, bërë me sëpatë moshës sime tridhjetë e dyvjeçare. Ishte e shtunë, 13 shtator 1947, një ditë para një ndeshjeje futbolli midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për të cilën kisha një biletë. E prisja me padurim këtë takim të Lojërave Ballkanike, por gjithashtu edhe me frikë, sepse para dy vjetësh, në Beograd, para syve të mi, Shqipëria ishte rrahur 11 me 2. Por, në radhë të parë, prisja një vajzë me të cilën do të kaloja mbrëmjen. Sahati i qytetit shënonte pothuajse orën njëzet. Pas një pranvere dhe një vere gjithë arrestime në rritje, Tirana po priste me ankth dhe fatalizëm dimrin.
Pasi kisha mbërritur më herët, po bëja ecejake në vendin e takimit tonë, aty ku 20 vjet më vonë do të ngrihej statuja me kalë e Heroit Kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Po binte nata dhe në gjysmerrësirë shquhej silueta e bardhë e minares së xhamisë. Papritmas, behën mbrapa meje katër veta, të cilët mu drejtuan me ashpërsi: “Ti je Jusuf Vrioni? Do vish me ne! Kemi ca pyetje për të bërë”. I tronditur nga toni i tyre, si dhe nga formulat që përdorën dhe që tashmë ishin bërë të njohura për shumëkush në Shqipëri, e kuptova menjëherë dhe u zbeha. Ishte koha kur zhvillohej “procesi i deputetëve”, i cili do të përfundonte, ashtu siç do ta mësoja më vonë me 18 dënime me vdekje. E kisha ndjekur këtë farsë makabër nga zyra ime (në atë kohë isha përkthyes tek Bashkimi i Grave Shqiptare), prej nga e dëgjoja ritransmetimin e procesit nëpërmjet altoparlantëve të vendosur në shesh. Mjaft nga miqtë e mi, ndër ta edhe kushëriri im Aziz, ishin futur në burg me arrestimet masive gjatë muajit maj dhe nuk kishim asnjë lajm prej tyre. Shpejt mendova se mikesha ime do të më priste gjatë, shumë gjatë, në qoftë se donte të më takonte përsëri, si dhe se gjithçka po përmbysej në jetën time. Eca pas atyre njerëzve, duke menduar për nënën time, të cilën e kisha lënë vetëm në dhomën ku jetonim. Duhej të ishe tepër naiv që të pandehje se mund të shkoje në ambientet e Sigurimit për një hetim të thjeshtë, pastaj të liheshe i lirë!
Mbërritëm tek Seksioni i Brendshëm, vend famëkeq i Tiranës për qelitë dhe bodrumet e tij, paradhoma të vdekjes, ku të pyesnin, të provokonin e të torturonin. Të gjithë e dinin se ishte një vend i llahtarshëm. Megjithatë, mua më pritën me një ton, njëkohësisht qesëndisës dhe tinëzisht të përzemërt: “Hë more Jusuf, ç’kemi ndonjë gjë të re? Ç’thonë anglezët? Po amerikanët?”. Këto pyetje që mu bënë aty për aty, me një ton gjase gazmor, nënkuptonin marrëdhëniet e mia, ndeshjet e tenisit me punonjësit e misioneve të huaja. Ishin fjalë me rëndësi kapitale: nëpërmjet tyre merrej me mend se në ç’drejtim do të vazhdonin hetimet, në atë të spiunazhit për llogari të një fuqie ideologjikisht armike… Më çuan tek një personazh i kobshëm, Skënder Kosova, anëtar i një tresheje djallëzore që mbillte terror në Tiranë, ku bënte arrestime masive natën. S’kishte njeri në atë kohë që të mos kishte frikë, po të dëgjonte xhipin e këtyre djajve të vdekjes tek ndalonte para derës së shtëpisë në mes të natës! Të tre këta vrasës bënin nga një kontroll të shpejtë dhe kafshëror të banesës dhe, në përfundim të tij, merrnin me vete një apo disa fatkeqë. Këta çoheshin në vende të ndryshme të qytetit, nganjëherë drejt e në burg, nganjëherë në një nga ndërtesat e Seksionit të Brendshëm, ku punonte ajo që nuk quhej ende në atë kohë Sigurimi, por Garda e Popullit.
M’i hoqën gjithçka kisha në xhepa, pastaj më çuan, duarlidhur mbrapa shpine, në krye të një shkalle të errët, e cila zbriste në një bodrum. Mesa dukej, kjo ishte përçapja e parë e presionit. Donin të më tregonin se çfarë më priste. Dëgjova një pllaquritje që vinte nga poshtë shkallës. Pastaj më qartazi, një zhurmë zinxhirësh të shoqëruar me rënkime. Dikush po lëngonte në një bodrum, pasi ishte torturuar gjatë e gjatë. Kush ishte? Ndofta ndonjë nga miqtë që ishin arrestuar muajt e fundit? Më lanë rreth 2-3 orë aty, në krye të shkallëve. Po fillonte një fazë e re e jetës sime, ndërsa bodrumet ishin preludi i saj… Në atë çast mu shfaq në kujtesë, si e copëtuar, e reflektuar nga një kaleidoskop i vetëtimtë, gjithë rinia ime. Sado mundohesha t’ia mbushja mendjen vetes se në çdo rrethanë ngelet gjithmonë një shpresë, qoftë dhe e dobët, se s’ka asgjë të palëvizshme në histori, prapëseprapë nuk më shqitej bindja se regjimi shtypës në fuqi do të qëndronte gjatë dhe se duhej të rezistoja, të gjeja forca, diku brenda vetvetes, për t’i përballuar sprovat, të cilat ende nuk i përfytyroja dot saktë. Mos vallë ishte fundi i gjithçkaje?! I pikëlluar, po vështroja shkallën e zbritjes sime në ferr. Nuk isha vallë unë ai që vajtoja tashmë jetën në një qeli të lagësht? Papritmas, nisën të më shfaqen portretet e njerëzve të mi: nëna e cila ndofta nuk e dinte ende që më kishin arrestuar; babai, i vdekur prej kohësh; vëllai dhe motra, të cilët kishin mbetur në perëndim, si dhe miqtë e tanishëm apo të mëparshëm, të lirë apo si mua të futur në burg. Në kujtesën time pasonin njëra-tjetrën pamje të vendeve ku kisha jetuar. Parisi, Roma, Londra apo Montrëja, si dhe fëmijëria ime. Pastaj Korfuzi, fëmijëria e fëmijërisë. Sa çaste të çmuara kisha parë të kalonin si yje që këputen, përpara se të arrija këtu?!
Isha në pritje dhe stuhia po tërbohej në kokën time. Radha për t’u hetuar më erdhi shumë shpejt. Nisa me guxim të thosha gjithë siguri se nuk dija asgjë. Më bombarduan me grushte, shuplaka, shkelma në pjesët e ndjeshme të trupit, mes sharjesh të ndyra. Pastaj, duke e rritur shkallën e vuajtjes, ma veshën me goditje të tmerrshme kopaçeje, më bënë goditje elektrike dhe, së fundi më bënë torturën e jelekut. Pasi të lidhnin duart prapa shpine, të fusnin një shkop të gjatë midis krahëve dhe kurrizit, të shtrinin përtokë, ku ishe i pafuqishëm dhe plotësisht i ekspozuar, me këmbët përmbi dy anët e shkopit, të godisnin me kopaçe të trashë sa krahu, të shtypnin pjesët e ndjeshme, të kërkonin të flisje, duke të bërë pyetje konkrete. Kështu do të vazhdoja të torturohesha 6 ditë në javë, tetë muaj rresht, me një farë ndryshimi në ashpërsinë e seancave. Edhe kur më kthenin në qeli, duart i kisha të lidhura mbrapa shpine. Duhej të flija kështu siç isha dhe, duke qenë se i kisha shpatullat e gjera dhe gjithë muskuj, kjo ishte një tjetër torturë më vete. Më zgjidhnin vetëm kur haja bukë.
Më e tmerrshmja ishte periudha 15-ditore dhe 15-netëshe, përjashtuar në mënyrë të pashpjegueshme një të diel në mes, periudhë gjatë së cilës qëndroja varur nga duart, me 30 deri në 35 kile zinxhirë rreth qafës. Mezi e arrija dyshemenë dhe isha i detyruar të mbështetesha vetëm me majën e gishtërinjve të këmbëve. Gjithçka ishte llogaritur, sigurisht, që të mos mbështetesha me thembra. Më zgjidhnin vetëm 3-4 orë në ditë, 2-3 herë në ditë, për të shkuar në nevojtore; gjithë kohës tjetër isha i varur natë e ditë me atë peshë..
Mu bë një hetim i thelluar, por në fillim nuk m’i përmendën francezët. Pyetjet drejtoheshin rreth anglezëve, amerikanëve, rreth marrëdhënieve të mia me shefat e misioneve ushtarake në Tiranë, si dhe me oficerët e tjerë vartës. Më kërkuan me ngulm se ç’informata u kisha dhënë atyre. Nganjëherë hetimi merrte një drejtim krejt tjetër. Përpiqeshin të nxirrnin prej meje shpjegime rreth qëndrimit tim politik kur u zhvilluan zgjedhjet e para, të ashtuquajtura “demokratike” të dhjetorit 1945, të më detyronin të tregoja kush ishte nxitësi, kush ishin anëtarët e tjerë të grupit tonë, si dhe cilat ishin temat e mbledhjeve tona. Unë mjaftohesha duke mohuar sistematikisht, duke pranuar një fakt të vetëm: qëllimi ynë i vetëm ishte të krijonim një opozitë të ligjshme, ashti siç e parashikonte ligji zgjedhor. Këtë e përsërisja pa bërë as më të voglin koment, për të mos implikuar askënd dhe mundohesha. Mirëpo, vallë a ia vlente një gjë e tillë, që të vërtetoja se një opozitë e tillë nuk kishte asgjë të dënueshme nga na juridike? “Cili ishte rrethi yt shoqëror? Me kë shoqëroheshe? Çfarë thoshit me njëri-tjetrin? Në ç’datë je takuar me filanin?”. Pyetjet më bombardonin në të njëjtën kohë me goditjet, mirëpo më habiti fakti që nuk u përpoqën asnjëherë të nxirrnin prej meje ndonjë pohim, nëpërmjet premtimeve për një trajtim të mirë, praktikë mjaft e përhapur kjo, që mori më qafë shumë nga ata që ranë në atë kurth.
Nga shtatori deri në nëntor qëndrova në të njëjtën qeli bashkë me 4-5 të burgosur të tjerë. Pastaj u transferova në një tjetër, në burgun e vjetër, ku kisha vetëm një shok. Në qelinë fqinje ndodhej shkrimtari i madh shqiptar Mitrush Kuteli- me emrin e vërtetë Dhimitër Pasko, i cili më recitonte, duke pëshpëritur poshtë derës, poemën e tij të gjatë “Kosova”…
Në shkurt të 1948-ës nisi për mua periudha e izolimit të plotë, e cila do të zgjaste 27 muaj. Më çuan në burgun e ri të Tiranës, në një birucë disi më të madhe, por aq e zymtë saqë dukej si varr. Asgjë prej gjëje, asnjë shpirt njeriu, asnjë send; kishte vetëm një baxhë 15 me 15 cm, nëpërmjet së cilës kalonte një dritë e zbehtë, si dhe një tavan shumë i lartë, më shumë se katër metra nga dyshemeja. Disa muaj me radhë e pata të pamundur të merrja dhe njoftimin më të vogël nga jashtë. Më e keqja ishte se qelia ime ndodhej pranë lumit dhe unë e dija që të gjitha ekzekutimet bëheshin në brigjet e tij. Për më tepër, kisha kuptuar që në këto qeli fusnin kryesisht të dënuarit që do ët pushkatoheshin, një apo dy herë në javë dëgjoja të përsëritej e njëjta skenë: gardianët ndaleshin para ndonjë dere, e hapnin, talleshin me të burgosurin, pastaj i thoshin: “Dhe tani hajde me ne! Do të të çojmë në dasmë”. Pas një gjysmë ore buçisnin, pa një pa dy, automatikët. Pastaj gardianët ktheheshin e shkëmbenin fjalë, si: “E pe si përpëlitej, para se të binte përtokë?!” dasma kishte marrë fund, deri sa të vinte tjetra. Vdekja në këto mjedise të burgut të ri ishte gjithmonë e pranishme. I burgosuri kishte vetëm një pyetje në mendje: A do të shpëtonte apo jo kokën?
…Pas 8 muajve të parë në hetuesi, më lanë disa javë të qetë. Pastaj filluan përsëri të më pyesnin, isha gjithmonë në burgun e ri, rreth një teme që më habiti shumë në fillim, sepse deri atëherë nuk më kishin ngacmuar në këtë drejtim: marrëdhëniet e mija me oficerët e misionit ushtarak francez në Tiranë. U befasova shumë, ngaqë regjimi nuk i kishte sulmuar asnjëherë qeverinë dhe shërbimet franceze; një Zot e di se Parisi kishte aq halle saqë s’kishte nge të merrej me spiunazh në Shqipëri!
… Fjala spiunazh mbulonte në mendjen e tyre një fushë jashtëzakonisht të gjerë dhe… të pamat. Fakti i thjeshtë që unë kisha thënë më 1945-ën, se Partia Komuniste drejtonte gjithçka, ndonëse ajo nuk ishte përmendur asnjëherë publikisht, çka ishte një sekret që e dinin të gjithë, u quajt krim i rëndë politik. Më vonë, gjatë procesit tim, dikush do të akuzohej se “u kishte treguar” francezëve çmimin e gjalpit në Shqipëri. Hetuesit gjykuan se në këtë rast bëhej fjalë për një informatë ekonomike me rëndësi shumë të madhe. Pasi një nga të akuzuarit reagoi, duke thënë se çmimi i këtij lloji prodhimi ushqimor dihej nga të gjithë, u kundërshtua me arsyetimin se ai e parashtronte gabim problemin dhe se kërkonte ta dëmtonte pushtetin, duke nxjerrë në pah dobësinë e mekanizmave ekonomike…
Një ditë papritmas, më nxorën nga qelia e madhe e katit përdhes, ku po kalbesha qysh prej tetë muajsh dhe më ngjitën në katin e parë, ku më rrasën në një si birucë disi të ndriçuar mirë. Pata një ndjenjë absurde çlirimi. Aty ndenja afërsisht 6 javë. Duart nuk i kisha më të lidhura me ato prangat e tmerrshme “italiane” (ishim mësuar t’i dallonim 2-3 llojet e këtyre veglave), por me zinxhirë nga përpara, çka m’i lehtësonte shumë lëvizjet. Nëpërmjet një kanali, që do ta përshkruaj më tej, mësova se kishin filluar të sulmonin Koçi Xoxen. Në Komitetin Qendror po niste një periudhë paqëndrueshmërie. Ishte koha e prishjes me Titon dhe gjithçka që mund të pranohej se kishte qenë gabim, i vishej atij. Me rënien e ministrit të Brendshëm u krijua një atmosferë e zbutur, si për të treguar që Xoxe, shërbëtor i jugosllavëve, ishte i vetmi përgjegjës i gjithë mizorive të bëra deri në atë kohë. U zbut disi trajtimi i të burgosurve, mirëpo kjo klimë përmirësimi ishte e përkohshme.
Gjatë kësaj periudhe zbutjeje, njëri nga gardianët më tha se ishte një miku i familjes së një gruaje që unë e njihja, bashkëshortja e një shkrimtari të njohur në atë kohë, i cili ishte gjithashtu i arrestuar. Ai më dha fshehurazi një copë letër dhe një laps që t’i shkruaja asaj, nëse kisha dëshirë. Me duart e lidhura nga përpara me zinxhirta, që më lejonin t’i lëvizja disi, arrita të shkarravis. Kështu shkrova për Safon një poemë, me pseudonimin “I marri”, e cila fillonte kështu: “Siluetë e brishtë me hijeshi fisnike…”.
…Minjtë përziheshin me frikën, frika ime po merrte pamjen e minjve. Frikë nga vdekja, frikë nga e ardhmja. Në këtë qeli, pak kohë pasi ndodhesha aty, provova të vrisja veten, duke prerë venat. Por i vetmi mjet që kisha, unazat e nallaneve, të bëra me një metal “të butë”, doli i padobishëm. Shenjën e kam sot e kësaj dite në kyç. Gardianët që e vunë re në kohë tentativën time, më vunë fashë, ndërsa mjeku që më vizitoi më tha se ndodhesha jashtë rrezikut për jetën. Natyrisht, ai porositi të më shtohej mbikëqyrja…
Koha e përkthimeve
…Përkthimet e teksteve zyrtare nuk bëheshin gjithmonë pa shkaktuar probleme, të cilat reflektoheshin tek unë, sipas rëndësisë që kishin, herë me mërzi kalimtare, herë me shqetësime të mirëfillta. Më kujtohet një gazetar dhe botues francez, i quajtur Patrik Kesel, i cili erdhi në Tiranë për të përgatitur në Francë Volumin XIX të veprave të plota të Enver Hoxhës, që mbanin titullin “Divergjenca e madhe” dhe që trajton prishjen me revizionistët. Për të kishim përkthyer lloj-lloj dokumentesh: procesverbale të mbledhjeve të anëtarëve të Byrosë Politike, tri fjalime të Hoxhës (atë të Bukureshtit në qershor 1960, atë të Konferencës së 81 partive Komuniste në Moskë, në nëntor të po atij viti, si dhe një tjetër, që ai e mbajti kur u kthye nga kryeqyteti sovjetik). Këtyre teksteve, mjaft të gjalla me ngjyrime, i shtohej edhe shkëmbimi i korrespondencës midis Mehmet Shehut dhe numrit një, midis këtij të fundit dhe Hysni Kapos dhe, së fundi, midis Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Keseli kishte si bashkëpunëtor Misto Treskën, kryetarin e Komitetit të marrëdhënieve Kulturore me botën e jashtme dhe frankofon. Pasi i kaluan në sitë tekstet tona, na i kthyen të mbushura me vërejtje, duke vënë në dukje, diku një të ashtuquajtur kuptim të rremë, diku tjetër një kundërkuptim. Gjithë ndryshimet që bënë ata u çuan në sferat e larta, dhe kështu nisi pritja.
Ndërkohë unë, i shtyrë nga skrupujt, por gjithashtu ndofta edhe për të qetësuar frikën që më kishte zaptuar, ia dhashë ta lexonte tekstin e plotë një francezi, i cili në atë kohë punonte në Radio Tirana. Reagimi i tij ishte i shpejtë: “Ata janë të marrë! Nuk ka kuptime të rreme, as kundërkuptime. E shumta, mund të flasim për ngjyrime kuptimi!”.
Pritja u zgjat. Nëndrejtoresha e shtëpisë botuese më njoftoi se ky problem do të shqyrtohej në Komitetin Qendror. Sigurisht, kjo çështje, në realitetin e atëhershëm, bënte pjesë në të pathënat dhe do të shihej, mesa dukej, nga Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enverit, e cila do t’ia parashtronte këtij të fundit. Ndjeva se ekzistenca ime po ndodhej përsëri në udhëkryq. E dija se disa prisnin shkasin më të vogël për të më dhënë goditjen përfundimtare. Me prejardhje dhe me formim “të kundërt”, ata më quanin mua “uzurpator”.
Pas dy ditë e gjysmë pritjeje, nëndrejtoresha thirri ekipin tonë të vogël. Nëndrejtoresha, e cila në fund të fundit ishte komuniste, ishte një nga njerëzit më të drejtë dhe më të ngrohtë që kam njohur. Ajo më qetësoi menjëherë. Kisha pasur fat, më tha ajo, sepse kisha shpëtuar për qime. KQ ia linte gjykimit tonë, (d.m.th., timit) versionin përfundimtar të tekstit….
Gjatë kësaj periudhe pati disa episode të tjera, që vërtetonin rëndesën e kontrollit të ushtruar ndaj meje, sidomos lidhur me një libër, të cilin Enver Hoxha e kishte titulluar “Eurokomunizmi është antikomunizëm”. Ishim në vitin 1980. Në këtë vepër, Sekretari i Parë i partisë sulmonte me tërbim rrymën eurokomuniste që ishte shfaqur në Evropën Perëndimore, sidomos në Francë, në Itali dhe në Spanjë. Ai e quante Santiagi Karilon “Renegati Karilo”. Hoxha nuk kursente as udhëheqësit komunistë dhe shkrimtarët francezë; të gjithë e kishin nga një damkë, që nga “Zorzh Marsheja, i cili përqafoi teorizimet e Rozhe Garodisë, dhe na del këtu si një pasardhës i Titos”, e deri tek shkrimtarët dhe “ish-mbrojtësit e realizmit socialist, si Aragoni, Andre Stili, Andre Vyrmser, të cilët, jo vetëm e drodhën, por ia shitën gjithashtu shpirtin dhe lëkurën revizionizmit”…
Libri ishte përkthyer dhe ishte bërë gati për shtyp. I vetmi problem që kisha ishte titulli. T’i vija, apo të mos i vija presje (L’Eurocommunisme, c’est de l’anticommunisme)? Në shqip nuk kishte presje, por unë kisha parasysh veprën e Prudonit, “la proprieté c’est le vol) (Prona është vjedhje). Në disa botime ky titull ka presje, në disa të tjera jo… E vura titullin frëngjisht.. Pas disa ditësh, më telefonuan në zyrë nga Komiteti Qendror, ku kishin çuar kapakun e librit. “Ç’është kjo presje?”, më pyeti një zë autoritar. Unë u përpoqa ta argumentoja zgjedhjen që kisha bërë, jo në rrafshin gramatikor, por duke folur për ritmin, kadencën. Reagimi i zyrtarit ishte i prerë: “Jo, jo! Presja duhet hequr!”. KQ dha urdhër të ktheheshin në karton 50 mijë kapakët e shtypur, sepse ishte e pamundur ta fshije atë dreq presjeje nga letra e lustruar. U porosit një kapak tjetër pa shenjë pikësimi dhe libri u botua. Nga ana personale nuk pata ndonjë pasojë të veçantë. Për fat të mirë, nuk ishin në ato kushte që dikton Siorani kur shkruan: “Ëndërroj për një botë ku mund të vdesësh për një presje”…
…Një ditë tetori të 1980-ës më thirri drejtori në zyrë, ku ndodhej një përfaqësues i Komitetit Qendror, i cili donte të më takonte. “Pa shihni!,- më tha ai sapo hyra, dhe më dha një kopje të përkthimit frëngjisht të “Hrushovianëve” të Enver Hoxhës. Lexoni çka brenda!”, – vazhdoi ai. Pasi ktheva faqen e parë, vura re, me habi të madhe, një kushtim nga vetë autori. Njëshi i partisë dhe i shtetit, udhëheqësi historik i Shqipërisë socialiste më përgëzonte për përkthimet e mia. E kishte fjalën vetëm për përkthimet politike? Jam i prirë të mendoj se, kur ia kishte lexuar “Dimrin e madh” dhe kapitullin që flet për të, diçka kishte shkrepur në mendjen e tij. Me siguri e kishte lexuar. Pikërisht në atë çast, mendova unë, ai ishte nisur të bënte këtë gjest… natyrisht ata që u mërzitën nga ky lloj suksesi u munduan të më zhysnin në hije, duke nxjerrë në pah meritat e përkthyesve të tjerë, për bashkëpunëtorët e Sigurimit, fakti që unë kisha përkthyer Enver Hoxhën nuk e ndryshonte fare shkallën time të “rrezikshmërisë shoqërore”. Fshehurazi, ata pëërpiqeshin të më paraqisnin sa më keq, duke lënë të nënkuptohej se, duke punuar me përkujdesje për përkthimet e mia, mundohesha të bëja, nuk e di se çfarë mashtrimi… fakti që përktheja Kadarenë në frëngjisht më vinte gjithashtu, në një pozitë delikate, sepse në atë kohë ai nuk shihej me sy të mirë nga disa struktura të pushtetit. Atë e kritikonin për trajtimin subjektivist që i bënte historisë, si dhe për përdorimin, krejtësisht personal, sipas tyre, të fondit mitik të Shqipërisë. Shefi i redaksisë, i kishte zët lidhjet e mia, madje mjaft të rralla me Kadarenë. “Po e kalon kohën duke përkthyer Ismailin, – më thoshte ai. Ka libra shumë më të rëndësishëm që presin të përkthehen!” Kështu, pra ndodhesha në një gjendje paradoksale: nga njëra anë përktheja një mjeshtër të imagjinares dhe poezisë dhe, nga ana tjetër, mishëruesin e ashpërsisë dhe të fundin përfaqësues të “vijës së pastër”. Jepja në frëngjisht dy botë antagoniste, të cilat u drejtoheshin dy lloj lexuesish, shumë larg njëri-tjetrit. Për Kadarenë punoja hapur në shtëpinë time, ndërsa për Enver Hoxhën përkthimi rrethohej nga një atmosferë paranoje dhe sekreti tipik për regjimin. Na porosisnin vazhdimisht se nuk duhej të nxirrnim asgjë nga përmbajtja e teksteve. Drejtoria kishte vënë hekura te shkalla e katit, ku punonin përkthyesin e Njëshit; ne ishim të veçuar nga pjesa tjetër e shtëpisë botuese. Në mbrëmje, tekstet e Enver Hoxhës futeshin nëpër kasaforta. Ndihej konkretisht mania e sekretit, frika e përhershme nga spiunazhi. Nuk e di se ç’mund të kishin bërë “revizionistët” e gjorë me këto tekste, në rast se do të ishin përpjekur t’i shtinin në dorë; na thoshin që, në rast se ndodhte një gjë e tillë, do të ishte e tmerrshme. Sikur ato shkrime të ishin përçues të formulave të shenjta, vendimtare për të ardhmen e botës!
Jetëshkrimi
Ai u lind në Korfuz, Greqi, më 16 Mars 1916. Vitet e tij të para i kaloi në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrioni, si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja u shpërngul në kryeqytetin francez më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut Janson de Sailly, Paris dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe në Institut d’Études Politiques të Parisit.
Më 1939 rikthehet në Shqipëri por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e detyron të shpërngulet po atë vit në Romë për të vazhduar studimet e tij të mëtejshme. Rikthehet në Tiranë më 1943, datë kjo që shënon dhe përmbysjen e fatit të tij. Më 13 Shtator 1947 arrestohet nga regjimi diktatorial dhe akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Prej Shkurtit 1949 e deri më Prill 1950 torturohet barbarisht një njërën prej shtatëmbëdhjetë qelive famëkeqe të Koçi Xoxes. Në Korrik 1950 dënohet me 15 vite heqje lirie dhe punë të detyruar në Shtyllas të Fierit. Lirohet në fund të vitit 1958 dhe internohet në Fier për një periudhë disamujore. Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes.
Ndër përkthimet e tij të para numërohet Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e shpenzonte duke përthyer dhe redaktuar tekstet propagandistike të Enver Hoxhës, Jusuf Vrioni gjente kohë për të përkthyer romanet e tjera të Ismail Kadaresë. Falë elegacës së frengjishtes së tij, romanet e Ismail Kadaresë nisën të tërheqin vëmendje të jashtëzakonshme në publikun frankofon. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes si pashoq në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit.
Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë kulturës së tij multidimensionale si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqërisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997 do ta detyronte tashmë të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Parisin e tij të dashur. Më 1998 emërohet Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 Maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhërin Chevalier de la Légion d’Honneur, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhërin Grand Officier de la Légion d’Honneur nga Republika Franceze.
Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris në Maj 2001 ndërsa shërbente si Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO. Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes së tij, më 18 Qershor 2001, me titullin “Qytetar Nderi”.
Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë më 2006 krijoi çmimin “Jusuf Vrioni”.
Kishte patur shumë në jetë, por kishte marrë shumë pak . Dhe kishte qenë ‘Aristokrat i dijes’, njeriu i vullnetit të pathyeshëm, njeriu i papërkulur përpara punës, filozofi dhe mendimtari Jusuf  Vrioni. “Më mirë bëji vetes keq, se sa tjetrit, ky ishte një nga parimet e Vrionit”, kujton Edmond Tupja, përkthyesi, i cili ka punuar për vite me radhë me njeriun, i cili edhe pse shumë i nxënë në dije, i diplomuar në Drejtësi dhe Studime të larta  tregtare në Francë, me Doktoraturë në Jurisprudencë në Itali, vuajti 13 vjet burg në kampet dhe burgjet famkeqe të diktaturës.
Akuzën “agjent i Francës”, nuk e pranoi kurrë, edhe pse mbi trupin e tij u ushtruan tortura nga më të rëndat. Punoi  në tharjen e kënetës së Maliqit, në ndërtimin e Aeroportit të  Rinasit, dhe ndërroi disa herë kampet e përqendrimit dhe qelitë e burgut.
“Kam kënaqësi kur gjej vështirësi në punë, se puna e mirë nuk del kollaj”, u thoshte gjithnjë kolegëve të tij, Jusuf  Vrioni, i cili pasi doli nga burgu punoi si përkthyes në ish-shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Në këtë shtëpi, ku  përktheheshin  veprat e Enver Hoxhës dhe vepra të Partisë së Punës së Shqipërisë, Jusuf Vrioni, punoi deri sa doli në pension në vitin 1990. Aty ai ndërtoi jetën, aty kishte miqtë e tij, aty do të mësonte me dashamirësinë e  tij edukatën e punës tek kolegët, të cilën e kishte në çdo shqisë të tij.
“Intelektual i një niveli të mirëfilltë, një nga mendjet e rralla enciklopedike në Shqipëri, Ai, ishte njeriu”, thotë përkthyesi Edmond Tupja. “Jusuf Vrioni ishte filozof dhe mendimtar, njeri me karakter të fortë, por ishte bujar dhe  solidar dhe kurdoherë i papërtuar përpara punës”, thotë Tupja.
Të gjitha veprat e Ismail Kadaresë, të botuara në Francë, mbajnë përkthimin e Jusuf Vrionit. Dhe Vrioni ka padyshim peshë të rëndë në suksesin që shkrimtari i njohur i Shqipërisë, ka patur në një nga vendet më sqimtare në kulturë.
Siç është shprehur Kadare, kur ndërroi jetë Vrioni ,”Ai  është humbje kulturore, sa edhe personale, sepse ishte përkthyes i pazëvendësueshëm. Ai ishte miku im, bashkëpunëtori im në një aksion të madh që vazhdoi 40 vjet”.
Si ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s, Vrioni, ndonëse i thyer në moshë, nuk do të rreshte asnjëherë të punonte. Libri i tij, “Botë të fshira”, i shkruar direkt në gjuhën frënge, njohu sukses të padiskutueshëm në qarqet  intelektuale pariziene.
Një avion special e solli trupin e të ndjerit Jusuf  Vrioni në Tiranë, më 1 Qershor 2001. Intelektual i mirëfilltë, i  nderuar me Medaljen e Madhe të Frankofonisë, me  Urdhërin Kalorës i Arteve dhe Letërsisë, me Urdhrin e Legjionit të Nderit, ai mbante dhe titullin Qytetar Nderi i Qytetit të Arles.
Jusuf Vrioni, njeriu që jeta e goditi shumë dhe që pati atë mirësi dhe forcë karakteri për ta përballuar, luajti një rol  të pakrahasueshëm në njohjen e letërsisë shqipe në botë, duke i sjellë kështu një shërbim të madh kombit shqiptar. Këtë shërbim ai ia bëri në kohën, kur kombi kishte nevojë më tepër se kurrë të çante izolimin e tij politik e kulturor. Për këtë kultura shqiptare do t’i jetë gjithnjë mirënjohëse.