Nga Jeta Llalloshi: Merita Marteti, një redaktore dhe producente e suksesshme

merita3
Merita Marteti ka lindur në Prishtinë ku ka përjetuar një fëmijëri të bukur. Ajo jeton me nënën dhe 3 motrat, pasi i ati ndërroi jetë në vitin 1999. Kjo ka bërë që ajo të mbështet në nidhmën e nënës për arritjen e sukseseve dhe kalimin e sfidave që i sjell jeta.

Hapat e parë të shkollimit Merita i filloi në shkollën fillore “Elena Gjika”, duke vazhduar tutje në gjimnazin “Sami Frashëri”. Pasi ajo kishte dëshirë të madhe të punojë me fëmijët zgjodhi që studimet t’i fillojë në drejtimin parashkollor të “Fakultetit të Edukimit”, Universiteti i Prishtinës.

Mirëpo karriera e saj mori kahje tjetër kur në vitin 2004 filloi punën në Radio Televizionin e Kosovës, dhe iu dha mundësia që të vijojë studimet në Kolegjin AAB /Gazetari dhe Komunikim Masiv.

“E diplomuar në vitin 2009, vazhdoj të jem dhe të kontribuoj me pozitën time në televizion, tash e 11 vite”.

Merita është redaktore/producente në televizionin RTK. Ajo ka ndjekur një rrugë profesionale të ngjashme me të atin e ndjerë i cili ka punuar si arkatar në Radio Televizionin e Prishtinës.

image

“Si fëmijë qysh nga mosha 6 vjeçare unë po thuajse isha pjesë e çdo eventi në Televizion kjo falë babait tim, i cili qysh atëherë më la mesazhin më të mirë për të ardhmen time:`Paraja nuk është gjithçka, duhet të jesh vetvetja dhe të punosh, kjo është mënyra më e mirë për ta bërë jetën e bukur, prandaj thjeshtë jam i lumtur që ti vajza ime je kurrioze dhe mjaft kureshtare për punën në televizion qysh tash, thjeshtë po e shoh të ardhmen tënde këtu, prandaj kur ti do të rritesh e unë të pensionohem, shpresoj do të mbahem mend si një baba i mirë`. Ky mesazh mbetet sot e deri në fund të jetës sime frymëzimi më i mirë për punën të cilën e bëj dhe do ta bëj pa e harruar asnjëherë mesazhin jetësor”.

Rrugëtimi në rrugën sfiduese të karrierës për Meritën filloi pas përfundimit të shkollës së mesme, atëherë kur e kuptoi seriozitetin që bart jeta dhe vendosi që të përkushtohet dhe të bëj atë që e ka ëndërruar gjithmonë.

Punën e filloi në moshën 18 vjeçare në Gazetën “Koha Ditore” ku punoi për nëntë muaj. Ndërkohë ajo merrej edhe me modelizëm të cilin e praktikonte si hobi. Në tetor të vitit 2004, u punësua në Radio Televizionin e Kosovës.

“Ishte nëna ime ajo që hapi këtë rrugëtim për mua, me një letër shkrim drejtuar drejtorit të RTK-së atë kohë, Agim Zatriqi, unë sot gëzoj punën time me shumë përkushtim, duke qenë falënderuese gjithmonë ndaj saj”.

Në këtë televizion ajo fillimisht u sistemua në arkiv me që ende sapo kishte nisur studimet, por me angazhim të palodhshëm ajo u avancua në sektorin e Planifikimit të Lajmeve dhe Informacionit.

“Këto katër vite ishin mjaft efektive dhe njëkohësisht produktive për mua, sepse paralelisht vijoja studimet në degën e gazetarisë duke e përforcuar dhe sfiduar veten në punën që e bëja. Lajmet dhe ngjarjet aktuale ishin shumë dinamike në atë kohë, duke u nisur nga shpallja e Pavarësisë e tutje, bën që unë të plotësohesha dhe ta doja punën time edhe më shumë. Takimi dhe eksperienca ime me njerëz të fushave të ndryshme, si presidenti, deputetë, politikanë, mjekë, sportistë etj bëri që dashuria ndaj punës dhe njerëzve të rritet. Por, pa dyshim, hapat e vegjël por të sigurt, sjellën edhe fryte të mira tutje”.

merita1

E pyetur se cilat janë peripecitë me të cilat ajo është përballur gjatë rrugëtimit profesional, Merita thotë se i ka harruar edhe ato pak vështirësi që i kishte, sepse ka gjetur punën e cila i përgjigjet personalitetit të saj.

“Kuptohet se femrat fatkeqësisht edhe sot hasin vështirësi në arritjen e pozicioneve drejtuese.
Por edhe unë sikur edhe femrat e tjera të suksesshme sot këto vështirësi i tejkalova duke e menduar karrierën gjithmonë si një proces të vazhdueshëm që përfshin aspekte të planifikimit dhe strategjive që e zbatojmë për karrierën, bazuar në informacionet mbi vetveten, botën e punës, përputhjen mes tyre dhe veprimet që ne mund të ndërmarrim për të krijuar punën tonë gjatë jetës.
Me këtë rast, përfitoj të falënderoj të gjithë ata që me gatishmërinë e tyre kontribuuan dhe lehtësuan në rrugëtimin tim, sepse natyra e punës ne televizion është një zinxhirë i gjatë dhe i ndërlidhur ngushtë me individ”.

Ndërsa duke përmendur sukseset e saj Merita tha:

“Ndër atributet njerëzore padyshim se janë vlerat. Ato tregojnë arritjet dhe veçanërisht karakterizojnë dhe përcjellin individin gjatë jetës së tij. Konsideroj se jam ndër ata persona që në vazhdimësi synoj të kultivoj dhe të përcjell vlera tek të tjerët në momentin që shoh se përkojnë me vendin e punës, me institucionin, me rrethin ku jetojmë dhe zhvillohemi. Marrëdhënia që unë krijoj me shoqërinë, origjinaliteti, përkushtimi ndaj punës, të qenurit kurriz për t’u dalluar të mirën dhe të keqen janë vlerë për mua. Siguria, stabiliteti si dhe të jesh kreativ janë një ndër synimet kryesore për të arritur një qëndrueshmëri afatgjate drejt sukseseve të vazhdueshme në karrierë”.

Ajo thotë se ndihet e suksesshme kur kujton veten më moshën 20 vjeçare, e përkushtuar maksimalisht me pozitën e saj si planifikuese në edicionin e lajmeve, sektor ky mjaft i rëndësishëm për opinionin. Ky rrugëtim i suksesit të saj vazhdoi në vitin 2008 me avancimin në pozitën e producentes për emisionet politike dhe informative si emisioni politik “DEBAT”, programi i pasdites “IMAZH” etj. duke vazhduar kështu të punoj edhe në sektorin e produksionit. Ajo synon që shumë shpejtë të fillojë studimet master në këtë drejtim.

“Mendoj se praktikat në shkolla, punimet seminarike, hulumtimet e realizuara gjatë studimeve, projektet ne Tv më kanë ndihmuar të zhvilloj aftësinë për të dëgjuar të tjerët, për të punuar në grup dhe për të komunikuar rrjedhshëm, si në të shkruar, ashtu edhe në të folur. Konsideroj se të qenurit e hapur, fleksibile, e fokusuar, e saktë, korrekte, e organizuar në punë, më sigurojnë dhe vërtetojnë se do të kem një karrierë të ndritshme. Duke pasur parasysh se në punën që kam zgjedhur përfshihen situata presioni, nevoja bashkëpunimi, nevoja për ruajtje të qetësisë, duke qenë emocionalisht stabile, ja dal me sukses”.

Merita momentalisht është e angazhuar në emisionin “Natën” me Fatmir Spahiun. Dita e hënë, martë dhe mërkurë janë ditët e rezervuara të emisionit, i cili është i drejtpërdrejtë dhe ka filluar të transmetohet në fillim të këtij viti.

“Me mysafirë të të gjitha profileve të ndryshme, emisioni është relaksues, përmbajtjesor dhe nëpërmes tij njerëzit po i shohin të ftuarit edhe jashtë profesioneve të tyre, pra jo siç janë mësuar t’i shohin çdo ditë. Qëllimi është që të jenë të ftuar kombinime të njerëzve që nuk jemi mësuar t’i shohim deri tash bashkë, prandaj edhe kjo e ka të veçantën e vet, gjë që gjithnjë e më shumë po popullarizohet dhe po fiton shikueshmëri. Tematika, vox/at me qytetarë dhe përzgjedhja e mysafirëve natyrisht vjen edhe në bazë të aktualitetit, mbi ngjarjet e ndryshme që ka dita, por që kërkon një trajtim relaksues për natën”.

Merita thotë se projektet në televizion thjeshtë duhet që të mos jenë individuale por tu transmetohet audiencës realiteti dhe më e mira për ta, andaj dhe cilëson se rëndësia e këtij emisioni është kjo… pra sipas saj profesionalizmi dhe shpirti i lirë janë dy elementë që mundësojnë një projekt televiziv të mbetet i suksesshëm dhe i fuqishëm.

mrita5

E pyetur se çfarë e bën atë të dojë punën të cilën e bën Merita u shpreh:

“Takoj shumë njerëz që shohin të tjerët për të vendosur mbi karrierën dhe punën e tyre. Puna ime morri kohën e duhur për të kuptuar çfarë dua të bëj. Mendoj se duhet llogaritur aftësitë tuaja në lidhje me atë që do të bësh, kjo do të kërkojë pak punë, por është më e mira për ne. Gjëja më e rëndësishme që ta dua punën time është pozitiviteti që e reflekton vetë televizioni, takimi me njerëz qe e shikojnë jetën dhe të ardhmen e tyre për ndryshime. Pra, gjithmonë për të përballuar sfidat, sepse sidoqoftë, “duhet mbajtur fort” atë që është unike te ne, pasi që punëdhënësit kërkojnë gjithmonë atë që është më i aftë dhe më i arsimuar për punën që do ta bëjë. Thjeshtë, secili nga ne bëhet diçka apo dikushi në jetë dhe kemi mundësi ta zgjedhim vetë, prandaj gjithmonë duhet bërë atë që e do për të qenë i suksesshëm”.

Merita beson se mendim pozitiv është qindra herë më i fuqishëm se një mendim negativ. Prandaj sipas saj nëse ndryshimi me angazhimet e saj do të arrijë suksesin e të qenurit gjithmonë vetvetja dhe pozitive për të ardhmen e sa dhe njerëzve që e rrethojnë do të ishte përkufizim jetësor i mesazhit që babai i saj ia tha në fëmijëri.

“Thjesht sa më mirënjohës dhe pozitiv të ndjehemi, aq më shumë gjëra të mira do të tërheqim rreth vetes. Kjo duhet të jetë ndjenja me të cilën duhet zgjuar çdo mëngjes, e sidomos profesioni im i cili takon më së paku 20 persona në ditë. Angazhimi ynë në shoqëri me pozitivitet ndaj punës është mënyra dhe suksesi më e mirë për t’i shtuar gjërat e mira dhe të bukura në jetë”.

E sa i përket pozitës së gruas në shoqëri, Merita beson që ajo ka një rol kyç dhe se shembull që vërteton këtë është vetë nëna e saj.

“E vetme në krye të familjes, në profesionin e motrës medicinale, një grua që morri përsipër të përballojë jetën në mungesë të “njërit krahë” të rrisë, të arsimojë dhe të orientojë 4 vajza në profesione të ndryshme, me të vërtetë është mesazhi më i mirë për pozitën e një gruaje sot”.

Edhe profesioni i saj si një femër e vetme në sektorin ku vepron lë mesazhin për të kuptuar se duhet zhdukur sfidat më të shpeshta me të cilat ballafaqohen femrat në profesione si ato të natyrës financiare, braktisjes së profesionit për shkak të prioriteteve dhe përgjegjësive familjare, mospërkrahjes familjare, mungesës së theksuar të vetëbesimit për të depërtuar dhe për të ushtruar detyrën profesionalisht. Merita beson se sfidat e tilla e kanë vendosur femrën para dilemave në përzgjedhjen e profesionit të saj.

“Në këtë kontekst, si preventivë urgjente dhe me rëndësi nga ana ime është që të punohet drejt ndryshimit të perceptimit të shoqërisë rreth rolit të femrës, në profesionet që ato zgjedhin.
Pra një grua me autoritet dhe profesion, qoftë edhe në mesin e burrave sot duhet të jetë e pavarur sepse ajo gjithmonë i di të drejtat e saj dhe nuk lejon njerëzit të shkelin mbi përpjekjet e saj për të jetuar jetën në rrugën dhe të ardhmen e saj”.



Mesazhi përmbyllës i Meritës është:

“Të jesh vetvetja!
Nuk ka asgjë më të shtrenjtë se koha dhe të qenurit vetja! Pavarësisht dallimeve gjinore që mund t’ju bëhen asnjëherë mos i shkelni idetë dhe parimet e tuaja. Qëndroni besnike vetës dhe ëndrrave tuaja, besoni shumë dhe punoni në realizimin e tyre. Thjeshtë, keni respekt për vetën”.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)